Debati për pagat, KLGJ: Konstatohet “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit
TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) reagoi lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve, duke shprehur shqetësimin për rritjen e presionit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor.
KLGJ përmes një deklarate u shpreh se mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor.
“Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve ligjore nga ana e tyre”, njoftoi KLGJ.
Këshilli i Lartë Gjyqësor “rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor”.
Në deklaratë theksohet se, në një shoqëri demokratike, “gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit” dhe për këtë arsye “ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”.
KLGJ sjell gjithashtu në vëmendjen e opinionit publik se respekton “misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut”, por njëkohësisht pret që media “të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese”.
Gjithashtu Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës.
“E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, nënvizoi KLGJ.
/m.q/j.p/
The post Debati për pagat, KLGJ: Konstatohet “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.