Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Rama në Konferencën e Rektorëve: Korrektime të nevojshme në ligjin për Arsimin e Lartë

15 January 2026 at 17:20

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ka kaluar tashmë një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar mbi ndryshimet që ka sjellë koha në Ligjin për Arsimin e Lartë, si dhe mbi konstatimet e dala nga zbatimi i tij në praktikë.

Ai vlerësoi si pozitive përvojën e deritanishme dhe nënvizoi se ligji aktual është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin akademik.

Kryeministri bëri të ditur se edhe procesi i rishikimit do të zhvillohet në të njëjtën frymë bashkëpunimi, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një përmbysje të ligjit, por për korrektime të nevojshme.

Sipas tij, synimi është që puna përgatitore të realizohet në një kohë të arsyeshme, pa pritur sesionin e ardhshëm parlamentar, ndërsa procedurat ligjore mund të përmbyllen brenda këtij sesioni, ose në fillim të atij pasardhës.

Në përfundim, Rama theksoi rëndësinë e ngritjes së një grupi të përbashkët pune, i cili do të reflektojë mbi shqetësimet dhe sugjerimet e evidentuara, me qëllim hartimin e ndryshimeve që do të përmirësojnë më tej kornizën ligjore të arsimit të lartë.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Rama në Konferencën e Rektorëve: Korrektime të nevojshme në ligjin për Arsimin e Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vora mposht Partizanin 1-0 në inaugurimin e stadiumit të ri

15 January 2026 at 15:47

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Vora shënoi një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke mundur 1-0 Partizanin në sfidën e vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë Superiore, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin e rikonstruktuar të Vorës.

Goli vendimtar u shënua nga Dario Daka në minutën e fundit të takimit, duke i dhënë tri pikët e çmuara skuadrës së drejtuar nga Bellai.

Fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit nga VAR, u akordua si i rregullt.

Sfida u karakterizua nga ritëm i lartë dhe tension.  Partizani krijoi raste, përfshirë një penallti në fund të pjesës së parë që Toma e gaboi, ndërsa në pjesën e dytë kërkoi golin e avantazhit, por u ndëshkua në fund nga Daka.

Me këtë fitore, Vora ngjitet në kuotën e 22 pikëve në tabelë, vetëm një më pak se Partizani, që pësoi humbjen e tretë radhazi në kampionat.

Ndeshja shënoi gjithashtu inaugurimin zyrtar të stadiumit të rikonstruktuar të Vorës, në një ditë festive për skuadrën dhe tifozët vendas.

/gj.m/j.p/

The post Vora mposht Partizanin 1-0 në inaugurimin e stadiumit të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kampuse universitare në Tiranë dhe Durrës, zgjidhje çmimeve të larta të qirave për studentët

15 January 2026 at 15:37

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal te çështja e akreditimeve, duke theksuar se kjo temë është ngritur në mënyrë të përsëritur në takimet e përbashkëta me strukturat përgjegjëse.

Rama theksoi se ambicia e qeverisë është kalimi i Agjencisë së Akreditimit në një nivel më të lartë funksionimi, përmes integrimit të saj në Rrjetin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si dhe rritjes së kapaciteteve institucionale për përshpejtimin e procesit të akreditimit.

Kryeministri foli gjithashtu për investimet në infrastrukturën universitare, duke vlerësuar se janë bërë ndryshime dhe investime të rëndësishme, të cilat janë përfunduar ose janë në proces.

Megjithatë, ai theksoi se, “jemi akoma larg përmbushjes së kushteve infrastrukturore të nevojshme për të përballuar sfidat dhe nevojat”.

Rama bëri të ditur se përparësi mbetet zhvillimi i kampuseve universitare, përfshirë kampusin e madh të Tiranës, si dhe procesin e hapur për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas tij, interesi i shprehur nga rreth 40 studio ndërkombëtare dëshmon potencialin e madh për krijimin e një infrastrukture moderne, që përfshin edhe rezidenca studentore.

“Unë besoj shumë tek godinat dhe kemi dy kampuse përpara, Kampusin e madh të Tiranës. Ndërkohë kemi hapur procesin për Kampusin e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’. Kemi pasur një interes jo të vogël nga rreth 40 studio ndërkombëtare. Ka një potencial shumë të madh për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do të jetë më e lehtë që studentët që studiojnë në Tiranë të akomodohen në kampusin e Durrësit me funksionalizimin e shërbimit hekurudhor.

“Duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë absolutisht shumë e thjeshtë që studentë në Tiranë të kenë mundësi të strehohen në kampusin e Durrësit”, u shpreh Rama.

Ai njoftoi se qeveria synon ndërtimin e një kompleksi rezidencial studentor bashkëkohor, me qëllim lehtësimin e një prej problemeve kryesore të studentëve, kostot e larta të qirave në Tiranë dhe Durrës.

“Për këtë arsye ne do të ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial shumë të mirë, në mënyrë që të ndihmojë në zgjidhjen dhe të një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve që kanë qiratë në Tiranë dhe në Durrës”, theksoi Kryeministri.

Në përfundim, Rama u shpreh se arsimi i lartë ndodhet në një moment të ri ndryshimi, i mbështetur tashmë në një bazë dhe eksperiencë të konsoliduar.

Rama u shpreh se, sot ka më shumë qartësi brenda universiteteve dhe strukturave drejtuese për atë që funksionon dhe për atë që duhet përmirësuar, ndërsa bashkëpunimet dhe programet e përbashkëta kanë rritur ndjeshëm njohjen dhe kuptimin e standardeve europiane dhe mënyrës së adresimit të nevojave të sistemit universitar.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Kampuse universitare në Tiranë dhe Durrës, zgjidhje çmimeve të larta të qirave për studentët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universitetet kanë rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit

15 January 2026 at 15:24

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se sfida e përbashkët dhe themelore e sistemit universitar shqiptar mbetet, nga njëra anë, ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe, nga ana tjetër, racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.

Ai nënvizoi se në vitet e fundit ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në qasjen ndaj financimit të arsimit të lartë, duke kaluar nga varësia e plotë ndaj buxhetit të shtetit drejt një modeli më të hapur dhe konkurrues.

Rama solli si shembull Universitetin e Tiranës, i cili, sipas tij, kryeson një grup universitetesh që kanë rritur ndjeshëm kapacitetet financiare jashtë buxhetit shtetëror, përmes projekteve dhe partneriteteve europiane.

Kjo, theksoi Kryeministri, ka mundësuar ndërtimin e skuadrave kërkimore, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfitimin nga fondet e Bashkimit Europian, duke sjellë një situatë të re edhe në rritjen e të ardhurave për pedagogët më aktivë.

“Sot Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit, duke faktikisht qenë në gjendje të ndërtojnë skuadra dhe të ndërtojnë projekte apo partneritete europiane dhe duke përfituar nga fondet europiane. Diçka që sigurisht ka rritur të ardhurat e pedagogëve më aktivë dhe patjetër që ka krijuar një situatë të re”, tha Rama.

Ai propozoi që në një takim të ardhshëm të zhvillohet një diskutim i hapur mbi këtë proces, me pjesëmarrjen e të gjithë rektorëve, përfshirë edhe ata të universiteteve private, me qëllim riorganizimin e sistemit universitar në një strukturë më kompetitive, më të besueshme dhe më të përgatitur për sfidat që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri e cilësoi universitetin si aleatin më të rëndësishëm të institucioneve dhe të vendit në tërësi në këtë proces, duke theksuar se vëllimi i financimit dhe i projekteve të miratuara nga BE për Universitetin e Tiranës rritet nga viti në vit.

Ai nënvizoi se në garën europiane nuk ka trajtim preferencial për vendet joanëtare, por vlerësim të barabartë mbi bazën e meritës.

“Atje nuk të jep njeri bonus se ti vjen nga një vend që akoma nuk është i ambientuar. Atje vlerësohen të gjithë me të njëjtin kandar. Dhe në atë kandar pedagogët e Universitet të Tiranës, ata të cilët kanë hyrë në këtë proces vlerësohen në mënyrë të barabartë me pedagogët e universiteteve më të mëdha të Europës. Na duhet që ta vlerësojmë më shumë këtë kapacitet dhe ta vendosim në kushtet që të jetë më efikas në territor”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Universitetet kanë rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës

15 January 2026 at 13:36

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Kiev ku po zhvillon një vizitë zyrtare, për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë sulmeve masive që kanë targetuar popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike.

Në nisje të vizitës, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, me një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

“Kievi vijon të përballet me sulme masive, që targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Në këtë mot dimri ekstrem, ukrainasit po përjetojnë pasojat e mungesës së energjisë, ngrohjes dhe ujit”, deklaroi Spiropali nga kryeqyteti i Ukrainës.

Spiropali theksoi se “Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, në rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane.”

Ministri Sybiha falënderoi Spiropalin për qëndrimet e saj dhe të qeverisë shqiptare në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e vendeve mike si Shqipëria për të drejtën e Ukrainës, do të thotë shumë në këto kohë sfiduese.

Më tej, Spiropali dhe homologu ukrainas zhvilluan një takim që, sipas ministres, pasqyron “jo vetëm angazhimet tona të përbashkëta, por edhe vlerat tona, respektin për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Spiropali dhe Sybiha nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata nënvijëzon rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të Federatës Ruse për krimet kundër Ukrainës.

Dy ministrat diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë mundësitë për të forcuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe identifikimin e iniciativave konkrete të bashkëpunimit.

Në vijim të vizitës së saj në Ukrainë, Ministrja Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev

15 January 2026 at 13:21

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kiev, ku u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha.

Gjatë vizitës, ministrja Spiropali dhe ministri Sybiha zhvilluan homazhe pranë “Murit të Kujtesës”, në nderim të të rënëve për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Spiropali u shpreh se kujtimi i sakrificës së tyre përbën një burim frymëzimi për qëndresën e popullit ukrainas përballë agresionit rus.

Vizita e ministres Spiropali në Kiev synon rikonfirmimin e mbështetjes së palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, në një kohë kur vendi po përballet me sulme të vazhdueshme dhe masive ndaj infrastrukturës kritike dhe popullatës civile, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të dimrit.

Vizita konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar krah Ukrainës, si dhe mbështetjen për sovranitetin, integritetin territorial dhe aspiratat euroatlantike të saj.

/gj.m/

The post Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Genoa, interesim për Kristjan Asllanin  

15 January 2026 at 11:51

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Klubi italian i Serie A, Genoa, ka nisur lëvizjet e para në prag të merkatos së janarit, me fokus të veçantë përforcimin e repartit të mesfushës.

Sipas medieve italiane, trajneri Daniele De Rossi ka kërkuar më shumë alternativa në këtë repart, çka ka shtyrë drejtuesit e klubit ligur të bëjnë hapa konkretë në treg. Në këtë kuadër, Genoa ka paraqitur oferta për Tommaso Baldanzi dhe Matteo Dagasso.

Megjithatë, lista e objektivave nuk përfundon këtu.

Sipas ekspertit italian të merkatos, Gianluca Di Marzio, klubi i Genoas ka shfaqur interes edhe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani.

Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një sondazh mes klubeve, pa kontakte zyrtare me përfaqësuesit e lojtarit. Situata mbetet për t’u ndjekur, ndërsa merkatoja e janarit pritet të sjellë zhvillime të reja në kampin e Genoas.

/gj.m/j.p/

The post Genoa, interesim për Kristjan Asllanin   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: Pezullohen vizat emigruese, vijojnë procedurat për viza turistike

15 January 2026 at 11:13

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të disa vendeve të caktuara.

Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë disa përditësime mbi përpunimin e vizave emigruese për shtetësitë me rrezik të lartë të përdorimit të përfitimeve publike.

Ambasada e SHBA sqaron se, Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetëmjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët.

Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Lidhur me takimet për intervista e vizave emigruese, ambasada sqaron se, aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

Sa i përket përjashtimeve, ambasada bën të ditur se, shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

Ambasada sqaron se asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi.

Gjithashtu ambasada bën të ditur se ky pezullim nuk zbatohet për vizat turistike.

Ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese, thekson ambasada.

/gj.m/j.p/

The post Ambasada e SHBA: Pezullohen vizat emigruese, vijojnë procedurat për viza turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj përkujton masakrën e Reçakut: Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet

15 January 2026 at 09:39

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot masakrën e Reçakut në Kosovë.

Begaj theksoi në një reagim se, denoncimi i masakrës 27 vite më parë nga ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.

“Ndërgjegjësimi solli Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, lirinë, shtetin e Kosovës dhe paqen që sot e gëzojmë bashkërisht”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Begaj shtoi se, kjo masakër nuk mund të harrohet dhe thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet, teksa shprehur nderim për martirët dhe mirënjohje aleatit tonë strategjik, SHBA-së.

Kosova përkujton sot 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

/gj.m/j.p/

The post Begaj përkujton masakrën e Reçakut: Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu thirrje të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura

15 January 2026 at 09:25

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Forcat e Armatosura po shndërrohen në një strukturë tërheqëse për karrierë jo vetëm për të rinjtë nga jeta civile, por gjithnjë e më shumë edhe për ata që tashmë shërbejnë në uniformë.

Qendra e Rekrutimit bën të ditur se teksa kanë mbetur pak më shumë se 24 orë për të aplikuar në thirrjen e radhës për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, të rinjtë dhe të rejat kanë mundësi të bëhen pjesë e një karriere premtuese dhe eksperience transformuese.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat të zgjedhin këtë rrugë përkushtimi dhe nderi duke vënë në dukje se kjo mundësi premton karrierë premtuese, ekperiencë transformuese, mundësi për të ecur me një mision.

Stërvitja Bazë për këto regjistrime do të zhvillohet në datat 09 shkurt – 17 prill 2026

Mesatarja e regjistrimeve për vitin 2025 ka qenë më e lartë se ajo e vitit 2024.

Nëse në çdo fazë të rekrutimeve në vitin 2024 mesatarja e regjistrimeve ishte 237 ushtarakë, vetëm në fazën e parë të vitit 2025 janë regjistruar 353 të rinj e të reja, një rritje prej 67,1%.

Gjatë fushatës së fundit janë ulur gjithashtu me 6️4️,3️% vakancat dhe largimet krahasuar me mesataren e vitit 2024.

Vendosja e kapitalit njerëzor si prioritet përmes përmirësimit të trajtimit financiar të grave dhe burrave në uniformë po reflektohet në rritjen e interesit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

Djemtë dhe vajzat në FA gjithashtu po shprehin një interes të shtuar për të vijuar shërbimin duke ndjekur kurset e karrierës.

/gj.m/j.p/

The post Vengu thirrje të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 January 2026Main stream

Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë

14 January 2026 at 15:38

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Tirana e ka nisur vitin 2026 me fitore në kampionatin e Kategorisë Superiore.

Bardheblutë triumfuan 0-1 në transfertë ndaj Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të, të zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”.

Takimi u karakterizua nga lojë e luftuar, me raste për të dyja skuadrat, por pjesa e parë u mbyll pa gola. Në fraksionin e dytë, Tirana gjeti avantazhin pas një penalltie të fituar nga Redon Xhixha. Nga pika e bardhë, Rafael u tregua i saktë, duke shënuar golin e vetëm të takimit.

Skuadra kryeqytetase administroi avantazhin deri në fund, duke siguruar tre pikë të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e parë për trajnerin Ardian Nuhiu në drejtimin e Tiranës.

Pas këtij suksesi, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 13 pikë, duke vijuar luftën për mbijetesë. Bylisi, me pesë pikë më shumë, renditet në vendin e tetë të klasifikimit.

/gj.m/j.p/

The post Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn

14 January 2026 at 11:21

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Mario Mitaj po kthehet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos për repartin e majtë të mbrojtjes.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, aktualisht pjesë e Al Ittihad në Arabinë Saudite, është në fokusin e disa klubeve të njohura europiane, mes tyre Atletico Madrid dhe Sunderland.

Sipas raportimeve të “Fichajes.net”, Atletico Madrid është në kërkim të një mbrojtësi të majtë për skemat e Diego Simeones.

Objektivi kryesor i klubit madrilen ka qenë Carlos Romero i Villarreal, por kostoja prej rreth 45 milionë eurosh e ka bërë klubin të tërhiqet nga negociatat.

Në këtë kontekst, Mitaj shihet si një alternativë shumë më ekonomike dhe me potencial të madh zhvillimi.

22-vjeçari shqiptar ka bërë paraqitje mjaft bindëse me Al Ittihad, duke rritur ndjeshëm vlerësimin e tij në treg.

Aktualisht, kartoni i tij vlerësohet rreth 5.5 milionë euro, ndërsa Atletico Madrid do të ishte e gatshme të ofronte deri në dyfishin e kësaj shume për të siguruar shërbimet e tij.

Interes për Mitajn ka shfaqur edhe Sunderland, që militon në Premier League, duke shtuar konkurrencën për firmën e mbrojtësit kuqezi.

Për këtë arsye, Al Ittihad nuk pranon të negociojë për një shifër më të ulët se 10 milionë euro, duke pasur parasysh se e afroi futbollistin vetëm një vit më parë nga Lokomotiva e Moskës për 4 milionë euro.

Një tjetër detaj që ushqen zërat për një largim të mundshëm është fakti se Mitaj nuk ka qenë i gatshëm në tre ndeshjet e fundit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në klubin saudit.

Mitaj ka kontratë me Al Ittihad deri në verën e 2028-ës, por forma e tij dhe interesimi nga klube të rëndësishme europiane mund ta rikthejnë shumë shpejt në një kampionat të madh të kontinentit.

/gj.m/

The post Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbër Hoxha në radarët e gjigantëve turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe në garë për shqiptarin

14 January 2026 at 11:15

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Arbër Hoxha po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij, duke u shndërruar në një element kyç të Dinamo Zagrebit dhe duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë vendimtar për kroatët, me 6 gola dhe 4 asistime në 23 paraqitje në të gjitha aktivitetet, statistika që kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Sipas raportimeve nga mediat kroate, interesimi më konkret për 27-vjeçarin vjen nga Turqia.

Galatasaray, kryesues i Superligës turke, e ka Hoxhën në listën e objektivave për përforcimin e repartit sulmues, duke e parë si një profil që mund të sjellë shpejtësi, fleksibilitet dhe eksperiencë ndërkombëtare.

Në garë për shërbimet e tij është futur edhe Fenerbahçe, duke shtuar rivalitetin mes dy gjigantëve të Stambollit, të cilët pritet të monitorojnë nga afër situatën e lojtarit në javët në vijim.

Megjithatë, Dinamo Zagreb nuk duket e gatshme të lejojë largimin e Hoxhës në këtë fazë të sezonit.

Drejtuesit e klubit e konsiderojnë atë pjesë thelbësore të projektit sportiv dhe një faktor të rëndësishëm në garën për titull, ndaj një transferim në afatin e janarit shihet si i pamundur.

Për momentin, e ardhmja e Arbër Hoxhës mbetet e lidhur me Zagrebin, ndërsa interesimi në rritje nga tregu evropian konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë që ai ka fituar si në nivel klubi, ashtu edhe në përfaqësuese. /gj.m/j.p/

The post Arbër Hoxha në radarët e gjigantëve turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe në garë për shqiptarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë: Në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur

13 January 2026 at 18:52

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi në rrjetin social X pas sulmit të fundit masiv që Rusia ndërmori kundër Ukrainës, i cili përfshiu përdorimin e dronëve dhe raketave balistike.

“Mbrëmë, bota u bë dëshmitare e një tjetër akti barbarie nga regjimi i Kremlinit kundër Ukrainës. Rreth 300 dronë sulmues, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese, u lëshuan duke targetuar qëllimisht civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike, në këtë mot ekstremisht të ftohtë dimri”, theksoi Spiropali.

Spiropali u shpreh se, Shqipëria i dënon hapur dhe me forcë këto sulme brutale.

“Shprehim solidaritetin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë personat që kanë mbetur pa ngrohje, energji elektrike apo siguri”, shkroi më tej Spiropali.

Duke shprehur solidaritetin me homologun ukrainas Andrii Sybiha, ministrja Spiropali njoftoi se këtë javë do të vizitojë Kievin, për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.

“Këtë javë do të jem në Kiev përkrah jush për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe”, theksoi Spiropali.

Ministrja nënvizoi se, këto krime kërkojnë një reagim të vendosur dhe të bashkuar ndërkombëtar.

“Nuk duhet të ketë pushim, lodhje apo vetëmjaftueshmëri derisa ky agresion të marrë fund”, përfundoi reagimin e saj ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë: Në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo

13 January 2026 at 15:25

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Në “Shtëpinë e Futbollit” në FSHF, u hodh shorti i Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste.

Nga hedhja e shortit, spikat derbi Tirana-Dinamo, por edhe Elbasani-Partizani. Dy ndeshjet e tjera janë Teuta-Egnatia dhe Bylis-Vllaznia.

Takimet e para çerekfinale janë planifikuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 4 mars, duke premtuar përballje të forta dhe emocione për tifozët e futbollit shqiptar.

Ky raund parashikon ndeshje me sistem vajtje-ardhje, njëjtë si gjysmëfinalja.

Shorti i Kupës së Shqipërisë:

Teuta-Egnatia

Tirana-Dinamo

Elbasani-Partizani

Bylis-Vllaznia

/gj.m/j.p/

The post Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis faza e tretë e Kategorisë Superiore, bilanci i dueleve direkte të javës së 19-të

13 January 2026 at 15:18

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kampionati i Kategorisë Superiore rikthehet këtë të mërkurë, duke shënuar nisjen e fazës së tretë të sezonit 2025/2026.

Sipas kalendarit të javës së 19-të, ekipet do të përballen për herë të tretë me njëra-tjetrën, duke vijuar garën e fortë në kampionat.

Në dy fazat e para të sezonit, përballjet mes këtyre ekipeve kanë qenë të balancuara,

Bylis – Tirana: nga dy përballjet e para, Bylis ka regjistruar një fitore 2-0 dhe një barazim 0-0.

Vllaznia – Egnatia: Vllaznia ka fituar një ndeshje 2-0 dhe ka barazuar 2-2 në përballjen tjetër.

AF Elbasani – Flamurtari: AF Elbasani i ka fituar të dyja ndeshjet me rezultat 1-0.

Partizani – FK Vora: Partizani ka fituar një ndeshje 1-0 dhe ka barazuar 0-0.

Teuta – Dinamo City: Teuta ka fituar një ndeshje 1-0 dhe ka barazuar 0-0.

Nisja e fazës së tretë, që përkon me javën e 19-të të kampionatit, pritet me interes të madh nga tifozët, pasi skuadrat vijnë pas disa përforcimeve të rëndësishme gjatë merkatos dimërore dhe çdo ekip do të luftojë për tre pikët dhe për realizimin e objektivave të sezonit.

/gj.m/j.p/

The post Nis faza e tretë e Kategorisë Superiore, bilanci i dueleve direkte të javës së 19-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çako: Dron termik për të lokalizuar 2 barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas në Fier

13 January 2026 at 13:56

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako deklaroi sot në një prononcim për mediet në fshatin Hasturkas të Fierit se së shpejti do të nisë aksioni i kërkim- shpëtimit për dy barinj të cilët kanë mbetur në zonë të hapur ku ka prezencë uji.

“Jemi në veprim për të identifikuar se ku janë dy barinjtë që shërbejnë për ruajtjen e bagëtive në derdhje të lumit. Kanë pasur kontakte me familjarët e tyre, por për shkak të baterisë së telefonit kontaktet janë ndërprerë”, tha Çako.

Çako u shpreh se do të ngrihet një dron termik, për të lokalizuar dy barinjtë.

“Po presim të instalojmë një dron termik që të lokalizojmë vendndodhjen e tyre. Prej disa orësh nuk ka asnjë informacion për barinjtë”, tha Çako.

Ai nënvizoi se, nëse nuk do të ketë asnjë gjurmë prej tyre do të përdoren alternativa të tjera, si helikopter dhe forcat e ushtrisë.

/gj.m/j.p/

The post Çako: Dron termik për të lokalizuar 2 barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teuta forcon sulmin në merkaton e dimrit, zyrtarizohen Rooney Eva dhe Manssour Fofana

13 January 2026 at 13:28

TIRANË, 13 janar /ATSH/ KF Teuta vijon të jetë aktive në merkaton e dimrit, duke prezantuar dy afrime të reja në repartin ofensiv.

Klubi durrsak ka zyrtarizuar firmat me sulmuesin kamerunas Rooney Eva dhe anësorin ofensiv nga Bregu i Fildishtë, Manssour Fofana.

Rooney Eva, kamerunas, i bashkohet Teutës pas eksperiencës së fundit me Mes Rafsanjan. Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur edhe për MZ Hakka dhe CSKA 1948, ndërsa ka qenë pjesë edhe e përfaqësueses U21 të Kamerunit. Sulmuesi pritet të sjellë forcë dhe alternativa të reja në vijën e parë të ekipit, në funksion të objektivave për pjesën e dytë të sezonit.

Ndërkohë, fanellën blu do ta veshë edhe Manssour Fofana. Sulmuesi i majtë 23-vjeçar nga Bregu i Fildishtë vjen te Teuta pas disa sezonesh në kampionatin grek, ku ka luajtur për Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo.

Me shpejtësinë, intensitetin dhe aftësinë për të krijuar rrezik në fazën sulmuese, Fofana pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për krahun e majtë të sulmit.

Me këto dy afrime, Teuta synon të rrisë cilësinë dhe konkurrencën në repartin ofensiv, në përpjekje për rezultate sa më pozitive në vazhdim të kampionatit.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Teuta forcon sulmin në merkaton e dimrit, zyrtarizohen Rooney Eva dhe Manssour Fofana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Promovohen 15 oficerë të Forcave të Armatosura, Vengu: Vlerësim i merituar për punën e palodhur

13 January 2026 at 13:16

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Forcat e Armatosura përmbyllën me sukses procesin e konkurrimit dhe gradimit, në kuadër të të cilit u promovuan 15 oficerë të Forcave të Armatosura.

Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua ceremonia e gradimit për personelin ushtarak me gradat kolonel, nënkolonel, etj, që shërbejnë në Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ushtarakë, familjarë etj.

Ministri i Mbrojtjes Vengu e cilësoi ceremoninë e gradimit një ditë të veçantë, ndërsa vlerësoi përkushtimin e tyre, profesionalizmin dhe punën e palodhur të ushtarakëve, të cilët me integritet, diligjencë, disiplinë dhe përgjegjësi i shërbejnë atdheut dhe sigurisë kombëtare, përballë çdo sfide të përditshme.

Gradat e reja,  tha ministri Vengu,  nuk përfaqësojnë vetëm një nivel më të lartë përgjegjësie, por edhe një vlerësim të merituar për kontributin e çmuar të ushtarakëve shqiptarë në çdo mision, brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Ushtarakët e graduar:

Kolonel Nesti Resulaj
Kolonel Mevlan Gaxhaj
Kolonel Dhimitër Selmanaj
Kolonel Artur Grrica
Kolonel Orgest Shuraja
Kolonel Myslim Rrasa
Kolonel Euklid Jemini
Kolonel Gazmend Kulejmani
Kolonel Besim Lama

Nënkolonel Dorina Muraj
Nënkolonel Jetnor Zogu
Nënkolonel Erjon Hodaj

Major Ismet Pepa
Major Stela Brahaj

Toger Marvina Sula

/gj.m/j.p/

The post Promovohen 15 oficerë të Forcave të Armatosura, Vengu: Vlerësim i merituar për punën e palodhur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata e Gjyqtarëve: Projektligji për kryetarët e gjykatave cenon pavarësinë

13 January 2026 at 11:59

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi sot mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi.

Shoqata shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me Kuvendin dhe institucionet e tjera në përmirësimin e kuadrit ligjor, por paralajmëron se çdo ndryshim duhet të respektojë parimet e shtetit të së drejtës, ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Sipas Shoqatës, neni 12 i projektligjit që parashikon konfirmimin e kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit deri në vitin 2028, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe uzurpon kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për emërimin e kryetarëve.

“Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor”, theksohet në reagim.

Sipas Shoqatës, dispozita cenon kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor për emërimin e kryetarëve të gjykatave, zbatimi i saj është selektiv dhe injoron aktin normativ të miratuar nga KLGJ-ja për procedurën e zgjedhjes së kryetarëve, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2026.

Shoqata rikujton se përpjekje të ngjashme janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, duke përmendur vendimin nr. 34, datë 10.04.2017.

Shoqata fton Kuvendin të respektojë standardet e shtetit të së drejtës dhe të mos cenoje arritjet e reformës në drejtësi, duke garantuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor, dhe shpreh gatishmërinë për të kontribuar në përmirësimin e procesit të ligjbërjes.

/gj.m/j.p/

The post Shoqata e Gjyqtarëve: Projektligji për kryetarët e gjykatave cenon pavarësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌