Paraqitjet me Sassuolon vënë Aro Muriç në radarët e Juventusit
TIRANË, 7 janar /ATSH/ Juventusi po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të portierit të Ipswich Town, Aro Muriç, sipas raportimeve të fundit nga mediet italiane.
Portieri i Kosovës ka rikthyer vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane pas paraqitjeve bindëse në Serie A, me fanellën e Sassuolos.
Ipswich Town e bleu Muriçin nga Burnley për 8 milionë paund në verën e vitit 2024, pas rikthimit të klubit në Premier League.
Megjithatë, sezoni i parë i 27-vjeçarit në elitën angleze u shoqërua me disa gabime, çka bëri që ai të humbte vendin e titullarit dhe të huazohej te Sassuolo gjatë verës së kaluar.
Huazimi në Itali ka rezultuar pozitiv për Muriçin. Ish-portieri i akademisë së Manchester City-t ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të Sassuolo-s, që aktualisht mban vendin e 10-të në tabelën e Serie A. Klubi italian ka në dispozicion një opsion blerjeje prej 10 milionë eurosh në fund të sezonit.
Sipas gazetës “Tuttosport”, Juventusi po ndjek nga afër jo vetëm progresin e Muricit, por edhe të bashkëlojtarit të tij te Sassuolo, mbrojtësit qendror Tarik Muharemovic, përfaqësues i Bosnjë-Hercegovinës.
Kontrata e Muriçit me Ipswich Town është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa klubi anglez aktualisht ka në përbërje portierët Christian Walton, Alex Palmer dhe David Button.
Megjithatë, interesimi i Juventusit mund të ndikojë në të ardhmen e portierit, i cili po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë serioze për një klub të madh të Serie A.
Paraqitjet e vazhdueshme në nivel të lartë në Itali mund ta vendosin Aro Muriçin përballë një hapi të rëndësishëm në karrierën e tij gjatë afatit të ardhshëm kalimtar.
/gj.m/r.e/a.f/
The post Paraqitjet me Sassuolon vënë Aro Muriç në radarët e Juventusit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.