Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.
Osmani u shpreh se synon edhe një mandat si presidente. Ndër të tjera ajo ka thënë se nëse nuk rizgjidhet do të angazhohet në politikë
“Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës”.
Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave.
Presidentja Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor.
Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme, presidentja komentoi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e Donald Trumpit, dhe prapaskenat e takimeve me zyrtarë amerikanë.
“Në dy vizitat që i kam pasur në Departamentin e Shtetit, brenda këtyre pak muajsh, çështja e parë që më është rikonfirmuar tepër qartë ka qenë kjo: ‘Ne e mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës'”.
Ajo foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.
Radio Evropa e Lirë: Presidente, Kosova dje i pati zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të dytat për këtë vit. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese edhe kësaj radhe, me përqindje më të lartë, sipas rezultateve preliminare. Si i keni parë këto rezultate?
Vjosa Osmani: Në radhë të parë, unë dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për shembullin e një demokracie jashtëzakonisht të fortë elektorale që ata e kanë dëshmuar për të satën herë me radhë, dhe siç e thatë edhe ju, përkundër faktit që zgjedhjet janë përsëritur disa herë gjatë këtij viti, sepse kishim edhe zgjedhje lokale, qytetarët treguan se Kosova organizon zgjedhje model. Model do të thosha jo vetëm për rajonin tonë, por edhe përtej, me një demokraci jashtëzakonisht të fuqishme, me zgjedhje të rregullta, të cilat janë sipas standardeve më të larta demokratike që mund të kërkojë dikush.
Jo rastësisht, ky është njëri prej elementëve që e kanë ngritur vazhdimisht Kosovën në indekset ndërkombëtare për fuqizimin e demokracisë sonë, të arritura me të cilat jemi jashtëzakonisht krenarë, dhe jam shumë krenare edhe me mënyrën se si gjithçka ka shkuar dje, me daljen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e tyre masive, dhe siç e kam thënë edhe dje kur votova, sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e qartë është rruga përpara. Dhe, siç po e shohim edhe nga rezultatet tashmë, do të kemi shumë shpejtë edhe parlament të konstituuar, edhe qeveri të zgjedhur.
Radio Evropa e Lirë: E thatë vetë, tash gjasat janë të mëdha që institucionet të zgjidhen dhe qeveria të bëhet. Pastaj Kosovën e pret një tjetër zgjedhje. Mandati juaj përfundon në prill. A synoni mandat të dytë?
Vjosa Osmani: Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve. Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese.
Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë e synoni edhe një mandat?
Vjosa Osmani: Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar…
Radio Evropa e Lirë: A synoni bisedime me opozitën?
Vjosa Osmani: Natyrisht, siç kam bërë edhe herën e kaluar, do ta bëjmë sërish me të gjithë deputetët. Natyrisht, unë nuk kërkoj përkrahje nga Lista Serbe, sepse sikurse edhe herën e kaluar, nuk kam pasur ndonjë votë nga ata dhe, siç e dini, pas veprimeve të tyre…