Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Main stream

Rama: Prani e gjerë e kompanive me reputacion të padiskutueshëm në investimet në energjetikë

12 January 2026 at 17:21

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në eventin prezantues të parkut eolik të Tropojës të mbajtur në Tiranë, një projekt strategjik me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP.

Ky investim, sipas Kryeministrit, përbën një dëshmi të qartë se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë, të qëndrueshme dhe të orientuar nga burimet e rinovueshme.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se paralelisht me zhvillimin e projekteve të mëdha energjetike, vendi ka ndërtuar një proces të lartë besueshmërie në këtë sektor.

Sipas tij, sektori energjetik është një fushë e garave të hapura ndërkombëtare, ku sot ka një prani të gjerë të kompanive me reputacion të padiskutueshëm në pjesëmarrjen në tenderë dhe investime.

“Më vjen jashtëzakonisht mirë ta nënvizoj, meqë jemi në një fazë të historisë sonë, kur fjala “korrupsion” është si ato këpucët e modës që po nuk e nxori njeriu nga goja duket sikur nuk është në modë, që pikërisht në këtë sektor, kjo fjalë ka marrë një përgjigje të vazhdueshme sistematike dhe nuk ka një kompani të vetme, serioze që ka marrë pjesë në këto gara që të ketë shprehur një rezervë sado të vogël lidhur me integritetin e garave dhe me proceset e stabilizuara dhe të konsoliduara në këtë sektor”, tha Rama.

Rama theksoi se këtë dëshmi mund ta japin edhe përfaqësuesit e kompanive amerikane dhe të tjera ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, të cilat, sipas tij, jo vetëm që nuk kanë hasur pengesa të kësaj natyre, por përkundrazi kanë pasur mbështetjen e qeverisë në çdo hap, përfshirë edhe kapërcimin e pengesave burokratike në nivel vendor.

“Besoj që të njëjtën dëshmi mund ta japin fare mirë amerikanët që kemi këtu nga ana e sektorit privat, bashkë me të tjerët sepse, jo vetëm që nuk kanë ndeshur në Tiranë asnjë pengesë të kësaj natyre, por përkundrazi e kanë pasur qeverinë në krah në çdo hap edhe për të kapërcyer edhe pengesa burokratike absurde në nivelin vendor”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se në raste të caktuara, këto vështirësi burokratike kanë qenë të kuptueshme, sidomos për bashki të vogla, të cilat nuk kanë pasur më parë përvojë me projekte të përmasave kaq të mëdha sa ai i CWP.

Megjithatë, sipas Kryeministrit, këto pengesa tashmë janë kapërcyer dhe kompania ka pasur garancinë e plotë nga qeveria se procesi do të çohet deri në fund, pa humbur kohë, duke përgatitur paralelisht të gjitha projektet e zbatimit.

Kryeministri vlerësoi veçanërisht ndjeshmërinë e kompanisë ndaj mjedisit dhe përgjegjësinë sociale që ajo ka treguar në zonë.

“Kompania na ka bërë një përshtypje të veçantë për kujdesin ndaj ekuilibrave mjedisorë dhe për sensin e lartë të përgjegjësisë sociale. Ajo ka treguar vëmendje për mbështetjen e komunitetit lokal dhe zhvillimin e zonës, përfshirë investime në infrastrukturën rrugore rurale dhe projekte të tjera në funksion të komunitetit”, tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se kompania CWP ka fituar një vend të merituar në respektin e institucioneve shqiptare, duke shprehur falënderimet e tij për bashkëpunimin dhe angazhimin në zhvillimin e një projekti që konsiderohet kyç për të ardhmen energjetike të vendit.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Prani e gjerë e kompanive me reputacion të padiskutueshëm në investimet në energjetikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Botës në ski alpine zhvendoset në Flachau, Lara Colturi garon në slalom

12 January 2026 at 15:03

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Etapa e radhës e Kupës së Botës në Ski Alpine për femra, gara e 20-të e sezonit 2025–2026, do të zhvillohet në Flachau të Austrisë.

Në qendër të vëmendjes do të jetë skiatorja shqiptare Lara Colturi, e cila do të garojë në disiplinën e slalomit më 13 janar. Lëshimi i parë është planifikuar të nisë në orën 17:45, ndërsa i dyti në 20:45, bën të ditur Federata Shqiptare e Skive.

Colturi vjen në këtë garë pas paraqitjeve të saj në Kranjska Gora të Sllovenisë, ku në dy garat e Kupës së Botës për femra u rendit në vendin e 6-të në slalomin gjigant, ndërsa në slalom nuk arriti ta përfundojë provën.

Pas përfundimit të 17 etapave nga 37 gjithsej të sezonit, skiatorja 19-vjeçare mban vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës me 402 pikë të grumbulluara. Performanca e saj më e fortë mbetet slalomi, ku ka siguruar 280 pikë dhe renditet në vendin e tretë, ndërsa në slalomin gjigant ka 122 pikë.

Një tjetër tregues i progresit të saj të vazhdueshëm është kryesimi i renditjes së kategorisë “Yjet e së ardhmes”, ku Colturi është shkëputur ndjeshëm nga rivalet, duke konfirmuar statusin e saj si një nga talentet më premtuese të skive alpine në arenën botërore.

Gara e Flachaut pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për shqiptaren, e cila synon të konsolidojë pozicionet e saj në renditjet e përgjithshme dhe të disiplinës, si dhe të vijojë trendin pozitiv të këtij sezoni.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Kupa e Botës në ski alpine zhvendoset në Flachau, Lara Colturi garon në slalom appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Ramën nuk do ta heqë drejtësia, por qytetarët shqiptarë

12 January 2026 at 13:45

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një konferencë për gazetarët, ku foli mbi strategjinë e opozitës dhe situatën politike në vend.

Berisha theksoi se objektivi kryesor i opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti dhe shprehu besim se ky qëllim do të realizohet falë mbështetjes së qytetarëve dhe bashkëpunimit me faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare.

“Strategjia e opozitës është largimi i tij një minutë e më parë nga pushteti. Opozita është e sigurtë që do të realizojë objektivin e saj. Kjo është dhe ka besim të madh tek guximi, ka besim të madh tek trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë. Ka besim të madh se përkrah opozitës shqiptare, së bashku me opozitën shqiptare, do bashkëveprojnë dhe bashkëpunojnë shumë e shumë faktorë të tjerë rëndësishëm në shoqërinë shqiptare, që duan ta përzënë 1 minutë e më parë, këtë të keqe të madhe, këtë organizatë kriminale që udhëhiqet nga Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Ai gjithashtu foli mbi mbështetjen ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit, duke përmendur se shtatë rezoluta ndërkombëtare kanë ndikim të rëndësishëm mbi qeverisjen aktuale dhe ofrojnë mbështetje për opozitën.

“Betejën kundër korrupsionit e mbështet e gjithë bota demokratike”, tha ai, duke shtuar se, rezolutat ndërkombëtare ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në situatën politike dhe ofrojnë mbështetje për opozitën shqiptare

Berisha nënvizoi gjithashtu se largimi i kryeministrit nuk do të ndodhë përmes institucioneve të drejtësisë, por përmes pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në protesta paqësore.

“Nuk ka asnjë diskutim që Edi Rama bën gjithçka, dhe jo bën, por do të bllokojë drejtësinë. Do të përdorë 83 mandatet e tij të krimit, kundër drejtësisë. Dhe këtu ndaj themi ne, fjalën e vetme e kanë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.

“Ne kemi theksuar dhe theksojmë, Edi Ramën nuk do ta heqë drejtësia. Edi Ramë nuk do ta heqin ‘Deltat’, atë do ta heqin qytetarët shqiptarë me protestat e tyre. Nuk kemi asnjë lloj dyshimi në këtë qëndrim, në këtë mendim”, përfundoi Berisha.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Ramën nuk do ta heqë drejtësia, por qytetarët shqiptarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Mbështesim opozitën iraniane në përmbysjen e diktaturës

12 January 2026 at 17:18

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot edhe zhvillimet ndërkombëtare dhe pozicionin e PD ndaj situatës në Iran, gjatë konferencës për mediet.

Berisha e konsideroi vitin 2026 si “vitin e përmbysjes së diktaturave” dhe nënvizoi se liria për kombet është një sfidë globale.

Ai u shpreh se pas rasteve të diktatorëve si Maduro në Venezuelë, radhën e ka regjimi iranian i Ajetollahëve, i cili sipas tij është në “grahmat e fundit”.

Kreu i PD-së theksoi se populli iranian është në këmbë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe se marshi i revolucionit nuk ndalet, pavarësisht dhunës dhe represionit nga regjimi.

“Regjimi i Iranit i ka ditët e numëruara. Liria e iranianëve ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e këtij kombi janë të gatshëm ta paguajnë atë”, u shpreh Berisha.

Berisha deklaroi mbështetjen e fuqishme të Partisë Demokratike për opozitën iraniane në betejën e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur.

Berisha i bëri thirrje gjithashtu SHBA që të ndihmojë popullin iranian në rrugën e çlirimit nga regjimi aktual.

“PD i bën thirrje qeverive të vendeve të lira, SHBA në radhë të parë, të ndihmojnë me të gjitha mundësitë popullin vigan iranian të çlirohet nga ky regjim obskurantist”, theksoi PD.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Mbështesim opozitën iraniane në përmbysjen e diktaturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gara për “Këpucën e Artë” në Superiore, Bekim Balaj kryeson me 10 gola

12 January 2026 at 11:42

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Gara për golashënuesin më të mirë të sezonit në kampionatin “Abissnet Superiore” vijon të jetë mjaft interesante edhe në këtë edicion. Ashtu si në dy sezonet e fundit, në krye të listës qëndron sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj.

Me 10 gola të realizuar deri në këtë moment, Balaj udhëheq renditjen e golashënuesve, duke lënë pas Dejvi Bregun dhe Blaise Tsague, të cilët kanë shënuar nga 7 gola secili.

Nga skuadra e Egnatias, që kryeson renditjen e kampionatit, golashënuesi më i mirë është Alessandro Albanese me 6 gola, po aq sa edhe Ibrahim Mustapha i Bylisit.

Kampionati “Abissnet Superiore” rikthehet më 14 janar me ndeshjet e javës së 19-të. Deri tani janë shënuar në total 188 gola, me një mesatare prej 2.08 gola për ndeshje.

Mbetet për t’u parë se si do të vijojë gara për kreun e golashënuesve, ndërsa java e 19-të sjell menjëherë një përballje të fortë, Vllaznia kundër Egnatias në stadiumin “Loro Boriçi”.

/gj.m/j.p/

The post Gara për “Këpucën e Artë” në Superiore, Bekim Balaj kryeson me 10 gola appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP arreston punonjësin e policisë në Kukës për drejtim mjeti në gjendje të dehur

12 January 2026 at 09:56

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër–Lezhë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë I.D., me detyrë shef i Logjistikës pranë DVKM Kukës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas AMP-së, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, I.D., duke drejtuar automjetin e tij në aksin rrugor Milot–Morinë, është përfshirë në një aksident rrugor, si pasojë e të cilit janë dëmtuar pasagjerët e një automjeti tjetër, shtetasja XH.H. dhe dy fëmijë të mitur, shtetasit Z.B. dhe S.B. Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas kryerjes së testit matës të alkoolit, punonjësi i policisë ka rezultuar pozitiv me vlera 1.00 mg/l dhe 0.98 mg/l.

Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme procedurale. /gj.m/j.p/

The post AMP arreston punonjësin e policisë në Kukës për drejtim mjeti në gjendje të dehur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Shqipërisë, nesër në “Shtëpinë e Futbollit” hidhet shorti për fazën çerekfinale

12 January 2026 at 09:40

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Federata e Futbollit do të organizojë nesër hedhjen e shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 2025/2026.

Ceremonia do të zhvillohet në orën 14:30, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në sallën e konferencave për shtyp.

Shorti do të jetë i hapur për mediat dhe do të ndiqet edhe nga përfaqësuesit e tetë klubeve të kualifikuara në këtë fazë të rëndësishme të kompeticionit.

Skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në dy vazo. Në Vazon 1 janë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City, ndërsa në Vazon 2 bëjnë pjesë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Kjo fazë do të zhvillohet me sistem vajtje ardhje, me ndeshjet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të Vazos 2.

Takimet e para çerekfinale janë planifikuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 4 mars, duke premtuar përballje të forta dhe emocione për tifozët e futbollit shqiptar.

/gj.m/j.p/

The post Kupa e Shqipërisë, nesër në “Shtëpinë e Futbollit” hidhet shorti për fazën çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Federata e Volejbollit, ceremoni gala për 80-vjetorin e themelimit

12 January 2026 at 09:19

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Në një ceremoni të veçantë gala, Federata Shqiptare e Volejbollit ka festuar 80-vjetorin e themelimit të saj.

Nën kujdesin e veçantë, të Presidentit të Federatës, Erlind Pëllumbi, ceremoninë e nderuan ish-volejbollistë, trajnerë, personalitete të rëndësishëm të sportit, miq e dashamirës, nga e gjithë Shqipëria dhe Europa.

Në fjalën e tij, presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi ka vlerësuar kontributin e të gjithë atyre që u bënë pjesë e këtij sporti që prej ditës së themelimit dhe e bën këtë disiplinë nga më të suksesshmet për sportin shqiptar.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i akordoi Urdhrin Olimpik në emër të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Presidentit të FSHV-së dhe zv/President i KOKSH, Erlind Pëllumbi.

I ftuar special në këtë 80-vjetor ishte Presidenti i Federatës Europiane të Volejbollit, Roko Sikiric, që e cilësoi Federatën Shqiptare të Volejbollit, një partner të rëndësishëm.

Përgjatë ceremonisë u shpërndanë shumë vlerësime për personalitete të Volejbollit Shqiptar, nga të gjitha brezat, që kanë lënë gjurmë në historinë 80-vjeçare të Volejbollit.

/gj.m/j.p/

The post Federata e Volejbollit, ceremoni gala për 80-vjetorin e themelimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Policia: Zjarri tek ish-tregu “Uzina Dinamo”, shkak shkëndija elektrike

10 January 2026 at 13:22

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Policia e Tiranës ka dalë sot me një njoftim zyrtar lidhur me zjarrin e rënë në ish-tregun “Uzina Dinamo” në kryeqytet.

Sipas policisë, zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, aksidentale.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka pasur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale”, thekson policia.

“Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, përfundon policia.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Policia: Zjarri tek ish-tregu “Uzina Dinamo”, shkak shkëndija elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Xhenios në terren për hapjen e rrugëve në Gjirokastër dhe Kurbin

10 January 2026 at 12:34

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Batalioni i Xhenios është angazhuar për të mbështetur strukturat e Emergjencave Civile në zonat me problematika të theksuara nga përmbytjet në qarqet Gjirokastër dhe Kurbin.

Forcat e specializuara dhe mjetet e batalionit po ndërhyjnë për hapjen e rrugëve të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut në fshatin Dhoksat, si dhe për rehabilitimin e shtratit të lumit në fshatin Skuraj, për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar rreziqet për banorët dhe infrastrukturën lokale.

Strukturat e Emergjencave Civile dhe Batalioni i Xhenios do të vazhdojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, duke qëndruar në gatishmëri për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura.

/gj.m/a.f/

The post Forcat e Xhenios në terren për hapjen e rrugëve në Gjirokastër dhe Kurbin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Klisman Cake largohet nga Shkëndija drejt Rusisë

10 January 2026 at 12:12

TIRANË, 10 janar /ATSH/ KF Shkëndija ka njoftuar largimin e mesfushorit Klisman Cake, një nga figurat kyçe të skuadrës në periudhën e fundit, duke e vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë katër viteve dhe pesë sezonesh jo të plota me kuqezinjtë.

Cake iu bashkua Shkëndijës në janar 2022 dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 133 paraqitje zyrtare (106 në kampionat, 3 në Kupë dhe 24 në arenën evropiane), duke shënuar 12 gola dhe duke kontribuar në fitimin e titullit kampion dhe suksesin historik evropian të klubit.

Lojtari u shqua edhe për besimin dhe korrektësinë, pasi pas titullit kampion të verës së kaluar kishte mundësinë të largohej si lojtar i lirë, por zgjodhi të rinovonte për një sezon tjetër, duke ndihmuar Shkëndijën të arrinte kualifikimin historik në fazën kryesore të UEFA Conference League.

KF Shkëndija falënderon Klisman Caken për kontributin e tij dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës te Akhmat Grozny dhe më tej, duke e konsideruar pjesë të pandashme të gjeneratës historike të klubit.

/gj.m/a.f/

The post Klisman Cake largohet nga Shkëndija drejt Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rinovimi i dokumenteve të identifikimit në çdo zyrë IdentiTek, pa kufizim nga vendbanimi

10 January 2026 at 11:20

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Tashmë qytetarët mund të rinovojnë dokumentet e identifikimit në çdo zyrë IdentiTek, kudo në Shqipëri, pa u kufizuar nga zona ku aplikuesi rezulton i regjistruar në gjendjen civile.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu bëri të ditur sot se, me udhëzimin e ri, për të gjitha riaplikimet për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti, (standarde ose të përshpejtuara), procedura mund të kryhet pranë çdo zyre aplikimi të IdentiTek në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht njësisë ku qytetarët janë të regjistruar në Gjendjen Civile.

Ky lehtësim synon të rrisë aksesueshmërinë dhe fleksibilitetin e shërbimit për qytetarët, si dhe reduktuar kohën e kostot e lëvizjes.

Nga ky ndryshim përjashtohen rastet kur pasaporta e fundit është aplikuar përpara vitit 2012.

Këto aplikime do të vijojnë të kryhen vetëm në zyrat sipas vendbanimit të qytetarëve, në përputhje me procedurat në fuqi.

Karta e identitetit tërhiqet pranë zyrës së aplikimit, ndërsa pasaporta biometrike pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku bëhet aplikimi.

IdentiTek mbetet i angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj shtetasve shqiptarë, përmes zgjidhjeve që vendosin në qendër nevojat e tyre dhe lehtësojnë aksesin në shërbimet e identifikimit.

/gj.m/a.f/

The post Rinovimi i dokumenteve të identifikimit në çdo zyrë IdentiTek, pa kufizim nga vendbanimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Brands 2”, Policia zbulon magazinën me veshje kontrabandë në Kamëz

10 January 2026 at 11:13

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Brands 2”, duke zbuluar në Kamëz një magazinë ku stampoheshin veshje dhe këpucë të kontrabanduara me logo false të markave të njohura ndërkombëtare.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua shtetasi turk Ozgan Sulun, 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç, ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 3 punonjëse të magazinës, shtetaset L. M., Sh. M. dhe Sh. B.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë konstatuan sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh që dyshohet se kishin shmangur detyrimet doganore, si dhe makineri lazeri, printimi dhe stampimi, stampa dhe logo të markave të njohura ndërkombëtare. Po ashtu, u sekuestruan 1 celular dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Hetimi po zhvillohet për veprat penale: “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

/gj.m/a.f/

 

The post “Brands 2”, Policia zbulon magazinën me veshje kontrabandë në Kamëz appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa “Ambasadori” në pingpong promovon talentet e reja

10 January 2026 at 09:27

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua Kupa “Ambasadori” në pingpong, një aktivitet sportiv për grupmoshat deri në 25 vjeç, ku morën pjesë rreth 50 sportistë nga klube të ndryshme të vendit, të ndarë në dy kategori konkurrimi.

Në kategorinë deri në 15 vjeç, fituese për vajza u shpall Ana Kokoneshi e Elbasanit, ndërsa për meshkuj triumfoi Etjen Qoshja i Tiranës.

Ndërkohë, në kategorinë deri në 25 vjeç, titullin kampione për vajza e fitoi Samanta Agolli e Teutës, ndërsa për meshkuj u shpall fitues Kejdi Kalaja i Tiranës.

Aktiviteti u ndoq nga afër nga Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Pang Chunxue, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, si edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Pingpongut,  Krenar Dila.

Kupa “Ambasadori” synon promovimin e pingpongut në vend dhe evidentimin e talenteve të reja, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të sportit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

/gj.m/a.f/

The post Kupa “Ambasadori” në pingpong promovon talentet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FA-të të angazhuar edhe gjatë natës për stabilizim të situatës në banesa dhe akse rrugore

10 January 2026 at 09:10

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Forcat e Armatosura kanë vijuar gjatë gjithë natës operacionet pa ndërprerje në disa zona të vendit, për stabilizimin e plotë të situatës pas problematikave të krijuara nga kushtet e motit.

Ministri i Mbrojtjes bën me dije se, angazhimi i strukturave ushtarake është përqendruar në zonat e Lezhës, Mirditës, Selenicës, Novoselës, Ferrasit dhe Durrësit, ku falë punës intensive është bërë i mundur çlirimi i një numri të konsiderueshëm banesash dhe aksesh rrugore.

Në orët e para të mëngjesit është realizuar edhe hapja e plotë e rrugës në zonën e Jubës, duke lehtësuar qarkullimin dhe aksesin për banorët dhe shërbimet emergjente. Ndërkohë, operacionet do të vijojnë pa ndërprerje deri në normalizimin e plotë të situatës dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.

Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore, mbeten në terren dhe në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje, theksoi Vengu.

/gj.m/a.f/

The post FA-të të angazhuar edhe gjatë natës për stabilizim të situatës në banesa dhe akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC: Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike

9 January 2026 at 13:53

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot mbi situatën e krijuar si pasoje e motit të keq në vend.

AKMC beri të ditur se, reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.

Sipas AKMC, qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike.

Në Bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, gjë që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra: Odrie, Lunxhëri dhe Zagori po ndërhyhet në disa akse rrugore të bllokuara dhe në një urë të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve: Pogon–Dropull, Zagori-Libohovë të bllokuar nga dëbora.

Puna e forcave në terren po vijon edhe në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar si dhe në njësinë administrative Frashër dhe disa fshatra përreth, ku ka problematika për shkak të reshjeve të dëborës.

Në Bashkinë Memaliaj ka problematika të shkaktuar nga lumi Vjosë në tokat bujqësore, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër realizohet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zona të ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore. Është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.

Qarku Vlorë paraqet një përmirësim sa i përket rënies së prurjeve në lumin Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan është i bllokuar, por nuk raportohen banesa të përmbytura, vetëm prezencë uji në oborre.

Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.

Qarku Dibër mbetet një nga zonat më të prekura gjithashtu. Forcat e emergjencave civile po punojnë në disa akse me prezencë të akullit apo rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa segmente rrugore janë aktualisht të pakalueshme, por forcat e policisë janë në terren për të orientuar qarkullimin.

Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile, policia e shtetit, shërbimet bashkiake, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.

AKMC u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë pranë strukturave përkatëse.

/gj.m/

 

The post AKMC: Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Agim Ibraimi emërohet Drejtor Sportiv i Partizanit

9 January 2026 at 13:37

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Për skuadrën e Partizanit, e sotmja ka qenë një ditë e rëndësishme, pasi klubi ka zyrtarizuar Drejtorin e ri Sportiv.

Bëhet fjalë për Agim Ibraimin, i cili do të marrë një rol kyç në strukturat drejtuese të “Demave të Kuq”.

FK Partizani ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Agim Ibraimin, i cili është prezantuar ditën e sotme nga presidenti Gazment Demi.

37-vjeçari nga Tetova do të jetë pjesë e organikës së klubit në postin e Drejtorit Sportiv dhe do të nisë menjëherë detyrën e tij në shërbim të skuadrës.

Zgjedhja e Ibraimit nuk është rastësore, pasi ai është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar.  Gjatë karrierës së tij si futbollist, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në futbollin shqiptar, duke veshur fanellat e Kukësit dhe Dinamos.

Pas përfundimit të karrierës aktive, Ibraimi ka vijuar angazhimin në futboll në role drejtuese. Më herët, ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit Sportiv te KF Tirana, ku ka fituar eksperiencë të vlefshme në menaxhimin sportiv dhe ndërtimin e skuadrës.

Pas zyrtarizimit, Agim Ibraimi reagoi për herë të parë në rrjetet sociale, duke shkruar: “Me guxim. Gati për sfidën e radhës.”

Ibraimi zë vendin e Arbër Abilaliajt, i cili u nda nga Partizani disa muaj më parë, ndërsa klubi synon të forcojë më tej projektin sportiv për objektivat e sezonit në vazhdim.

/gj.m/a.f/

The post Agim Ibraimi emërohet Drejtor Sportiv i Partizanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Forcat e Repartit të Gërhotit në terren, situata drejt normalizimit në Gjirokastër

9 January 2026 at 12:48

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur sot se, situata në qytetin e Gjirokastrës po shkon drejt normalizimit të plotë falë edhe angazhimit të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.

17 efektivë dhe 1 mjet i kalueshmërisë së lartë nga Reparti i Gërhotit janë të angazhuar në terren për çlirimin e akseve të transportit dhe garantimin e lëvizjes së sigurt, theksoi Vengu.

Prej disa ditësh, forcat ndodhen pranë banorëve të lagjes “18 Shtatori”, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe duke kontribuar në përballimin e situatës.

Ministri i Mbrojtjes thekson se Forcat e Armatosura vijojnë të jenë pranë qytetarëve në çdo situatë, me reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe koordinim institucional.

/gj.m/a.f/

The post Vengu: Forcat e Repartit të Gërhotit në terren, situata drejt normalizimit në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Armatosura në ndihmë të banorëve të Obotit

9 January 2026 at 10:07

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut vijojnë me intensitet operacionet në zonën e Obotit, duke ofruar mbështetje për transportimin e qytetarëve dhe materialeve, në kuadër të ndihmës ndaj popullsisë civile të prekur nga përmbytjet.

Banorët e zonës po përballen me vështirësi të konsiderueshme si pasojë e nivelit të lartë të ujit dhe dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë, çka ka vështirësuar lëvizjen dhe furnizimin.

Ndërhyrja e forcave ushtarake po lehtëson qarkullimin, shpërndarjen e ndihmave dhe, kur është e nevojshme, evakuimin e qytetarëve në kushte të sigurta.

Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë qytetarëve në situata emergjente, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave kritike dhe garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

 

/gj.m/a.f/

The post Forcat e Armatosura në ndihmë të banorëve të Obotit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, por duhet ndihmë reale për njerëzit

9 January 2026 at 08:48

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, ku po bëhet një përditësim i situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.

Rama u shpreh se, këto kanë qenë ditë të lodhshme dhe të mundimshme për të gjithë.

“Kanë qenë shumë të mundimshme, qoftë për ato familje që kanë përjetuar praninë e ujit në shtëpi, qoftë për të gjithë shërbëtorët e shtetit që kanë qëndruar ditë e natë në krye të detyrës për përballimin e kësaj emergjence natyrore”, tha Rama.

“Të gjithë i ka lodhur ky shi i gjatë dhe i ftohtë i madh, ku nga pamjet e rrugëve të përmbytura, shtëpive të dëmtuara apo punëve të ndërprera, te vështirësia e rritur e qarkullimit e deri te dëmtimet e pronës dhe humbjet e gjësë së gjallë, krijohet stres, frustrim dhe në disa raste edhe zemërim”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se durimi është i domosdoshëm në kushte të tilla, duke shtuar se ajo që po përjetohet nuk është thjesht mot i keq.

“Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato se nuk punojnë hidrovoret. Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta që nuk kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël. Retë nuk shpërndahen me slogane, si ai slogani kronik që në çdo gjendje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “këto janë reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje; ushqejnë ndarje, jo ndihmë; ushqejnë çoroditje, jo siguri. Në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë”.

“Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, por duhet ndihmë reale për njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌