Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 December 2025Main stream

BERLIN – Wadephul: Gjermania nuk do t’i bashkohet forcës paqeruajtëse në Gaza

26 December 2025 at 15:35

BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjermania nuk do të marrë pjesë në një forcë ndërkombëtare stabilizimi (ISF) për zbatimin e planit të paqes për Gazën në të ardhmen e afërt, deklaroi ministri i Jashtëm Johann Wadephul.

Në komentet e publikuara sot, Wadephul  tha ushtarët gjermanë nuk do të jenë pjesë e një force që do të duhej të siguronte mbrojtje konkrete në rast nevoje.

“Shumë njerëz nuk mund ta imagjinojnë praninë e ushtarëve gjermanë në këtë rajon të veçantë”, tha ai.

Gjermania është e gatshme të luajë një rol konstruktiv në strukturat e parashikuara nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç është një këshill paqeje.

Megjithatë, Berlini ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare për të marrë pjesë në një strukturë të tillë.

Faza e dytë e planit 20-pikësh të paqes të presidentit amerikan Donald Trump parashikon çarmatimin e grupit militant palestinez Hamas dhe krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Dy muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Hamasi ka refuzuar të dorëzojë armët.

“Pasi të kenë nisur konsultimet fillestare me vendet e mundshme kontribuuese me trupa, është i nevojshëm një kuadër politik, përfshirë një arkitekturë sigurie të garantuar nga ISF dhe forcat palestineze të sigurisë”, tha Wadephul.

“Do të ishte e rëndësishme që e gjithë kjo të nisë sa më shpejt”. theksoi ministri i Jashtëm.

“Ne nuk duhet të lejojmë që ndarja aktuale e Gazës, në një pjesë të kontrolluar nga ushtria izraelite dhe një pjesë gjithnjë e më shumë nën kontrollin e Hamasit, të bëhet e përhershme”, paralajmëroi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BERLIN – Wadephul: Gjermania nuk do t’i bashkohet forcës paqeruajtëse në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SANA’A – Avionë sauditë bombardojnë pozicionet e separatistëve në Jemen

26 December 2025 at 15:08

SANA’A, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Separatistët në Jemenin e shkatërruar nga lufta thanë se Arabia Saudite ka kryer sot sulme ajrore kundër forcave të tyre në lindje të vendit.

Televizioni “Aden Independent”, i lidhur me Këshillin Tranzitor Jugor (STC), raportoi se avionë sauditë bombarduan sot pozicione të mbajtura nga forca të lidhura me STC-në në provincën e pasur me naftë Hadramaut, në lindje të Jemenit.

STC-ja mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Televizioni transmetoi pamje të asaj që e përshkroi si pasojat e sulmeve, por nuk dha detaje për viktima apo dëme materiale.

Nuk pati menjëherë ndonjë reagim nga Arabia Saudite

Sulmet e pretenduara ajrore pasuan përleshje të ashpra mes forcave të STC-së dhe luftëtarëve të Aleancës Fisnore të Hadramautit, një grup rival.

Burime lokale në Hadramaui thanë të paktën dy luftëtarë të lidhur me STC-në janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve.

Arabia Saudite nisi një ndërhyrje ushtarake në Jemen në vitin 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.

Më herët këtë muaj, shpërthyen luftime mes forcave pro-STC-së dhe qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite, duke nxitur frikë për ndarje të mëtejshme në vendin e varfër./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SANA’A – Avionë sauditë bombardojnë pozicionet e separatistëve në Jemen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kina sanksionon 20 kompani amerikane për shitje armësh Tajvanit

26 December 2025 at 14:24

PEKIN, 26 dhjetor /ATSH/ – Kina vendosi sot sanksione ndaj 20 kompanive amerikane, të lidhura me mbrojtjen dhe 10 drejtuesve të tyre, një javë pasi Uashingtoni njoftoi një paketë të madhe shitjeje armësh për Tajvanin, sipas AP.

”Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të kompanive në Kinë dhe ndalimin e individëve dhe organizatave për të bërë biznes me to”, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

Mes kompanive të sanksionuara janë “Northrop Grumman Systems Corporation”, “L3Harris Maritime Services” dhe “Boeing” në St. Louis.

Ndër drejtuesit e sanksionuar është edhe themeluesi i “Anduril Industries , Palmer Luckey, i cili nuk mund të bëjë më biznes në Kinë dhe i është ndaluar hyrja në vend; asetet e tij atje janë ngrirë gjithashtu.

Paketa amerikane e shitjes së armëve, me vlerë mbi 10 miliardë dollarë, ka shkaktuar reagim të ashpër nga Pekini, i cili e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij dhe këmbëngul se ishulli duhet të vihet nën kontrollin kinez.

Nëse miratohet nga Kongresi amerikan, ajo do të ishte paketa më e madhe ndonjëherë e armëve amerikane për territorin vetëqeverisës.

“Rikujtojmë edhe një herë se çështja e Tajvanit është në thelb të interesave thelbësore të Kinës dhe përbën vijën e parë të kuqe që nuk duhet kaluar në marrëdhëniet Kinë–SHBA”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze.

“Çdo kompani ose individ që angazhohet në shitje armësh për Tajvanin do të paguajë çmimin për këtë shkelje”, shton deklarata.

Ministria i bëri thirrje gjithashtu SHBA-së të ndalë, siç i quajti ajo, “lëvizjet e rrezikshme të armatosjes së Tajvanit”.

Tajvani mbetet një nga pikat më të nxehta të tensionit në marrëdhëniet SHBA–Kinë, për të cilat analistët paralajmërojnë se mund të përshkallëzohen në konflikt ushtarak mes dy fuqive.

Kina pretendon se shitjet amerikane të armëve për Tajvanin shkelin marrëveshjet diplomatike mes Pekinit dhe Uashingtonit./   /Ad.Ab./

 

The post FOKUS – Kina sanksionon 20 kompani amerikane për shitje armësh Tajvanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Pesëdhjetë e dy emigrantë shpëtohen në Egje

26 December 2025 at 13:39

ATHINË, 26 dhjetor /ATSH-ANA/ – Autoritetet greke kanë shpëtuar gjithsej 52 emigrantë në dy operacione të ndryshme në detin Egjé, ndërsa kërkimet vazhdojnë për gjetjen e një djali të huaj të zhdukur pranë ishullit Farmakonissi.

Kërkimet po zhvillohen në ishullin Farmakonissi dhe në zonën detare përreth tij, pas shpëtimit të 13 shtetasve të huaj në ishull.

Farmakonissi ndodhet në lindje të ishujve Patmos dhe Lipsi.

Operacionet po koordinohen nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit, me ndihmën e dy mjeteve të Rojës Bregdetare dhe një helikopteri të Forcave Ajrore.

Ndërkohë, e njëjta qendër koordinoi edhe shpëtimin e 39 shtetasve të huaj që ndodheshin në një mjet lundrues, 44 milje detare në jug të Kali Limenes, në brigjet jugore të Kretës.

Operacioni u krye nga një anije e Rojës Bregdetare dhe emigrantët u transportuan në portin e Kali Limenes.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për identitetin e djalit të zhdukur, ndërsa kërkimet vijojnë./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Pesëdhjetë e dy emigrantë shpëtohen në Egje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Rutte: BE nuk duhet të shkëputet nga SHBA për çështjet e  mbrojtjes

26 December 2025 at 13:01

BRUKSEL, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte nuk beson se Bashkimi Evropian ka nevojë të bëhet plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara në çështjet e mbrojtjes, pavarësisht kursit aktual të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

”Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë për mbrojtjen”, tha Rutte në një intervistë.

“Jam absolutisht i bindur se SHBA-ja është plotësisht e angazhuar në NATO. Nuk ka asnjë dyshim. Kishte një pritshmëri të madhe: që ne të shpenzojmë më shumë, që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi”, tha Rutte.

Megjithatë, sipas tij, ”bëhet fjalë për ta bërë këtë së bashku me SHBA-në”.

Ish-kryeministri holandez iu referua samitit të NATO-s në qershor në Hagë, ku të gjithë aleatët ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

“Mendoj se kjo mbetet një nga fitoret më të mëdha të politikës së jashtme të presidentit Trump: 5%-shi, angazhimi i qartë për të prodhuar dhe investuar më shumë”, shtoi Rutte.

Manfred Weber, kreu i Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupimi më i madh në Parlamentin Evropian, ka bërë thirrje që BE-ja të evoluojë drejt një “NATO-je evropiane”, duke argumentuar se SHBA-ja nuk mund të mbështetet më pa kufizime.

Ndërsa e vlerësoi Weberin, sekretari Rutte tha se ka një këndvështrim tjetër.

“Të mos harrojmë se kur flasim për Evropën dhe NATO-n, ka më shumë se vetëm BE-në”, theksoi ai.

Duke njohur rëndësinë e BE-së, Rutte vuri në dukje se 23 vendet anëtare të BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm ekonomik të aleancës.

“75% janë ende jashtë BE-së”, tha ai, duke iu referuar vendeve anëtare të NATO-s si Britania e Madhe, Norvegjia, Kanadaja dhe SHBA./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BRUKSEL – Rutte: BE nuk duhet të shkëputet nga SHBA për çështjet e  mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Takim me presidentin Trump për paqen në Ukrainë

26 December 2025 at 11:02

KIEV, 26 dhjetor  /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se planifikon të udhëtojë në ditët në vijim drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Nuk po humbim asnjë ditë. Kemi rënë dakord për një takim në nivelin më të lartë, me presidentin Trump në të ardhmen e afërt”, shkroi Zelensky në platformën X.

Ai tha se ky njoftim erdhi pasi Rustem Umerov, negociatori kryesor i Ukrainës në bisedimet e paqes për përfundimin e luftës që Rusia nisi gati katër vjet më parë, e informoi mbi kontaktet e tij më të fundit me palën amerikane.

“Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, shtoi Zelensky.

“Takimi mund të zhvillohet më 28 dhjetor në rezidencën Mar-a-Lago të presidentit Trump në Florida”,  raportoi gazeta ”Kyiv Post”, duke cituar burime diplomatike./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Takim me presidentin Trump për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën

26 December 2025 at 09:46

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha gjatë një konference për shtyp se ka përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Në procesin negociues për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ku kam parasysh procesin negociues me Shtetet e Bashkuara, mund të vërehet përparim i ngadaltë, por i sigurt,” u citua të ketë thënë Zakharova.

Vetë Ukraina u përmend pak, pavarësisht se po i reziston pushtimit rus prej gati katër vitesh.

Në vend të kësaj, Zakharova kërkoi të thellojë përçarjen mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të përfshirë në përpjekjet për paqe.

Ajo u bëri thirrje homologëve amerikanë që “t’i kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet e vendeve të Evropës Perëndimore për të sabotuar dhe zhbërë përparimin e arritur në procesin negociues për Ukrainën”.

Pas shpalljes së një plani paqeje me 28 pika, i cili u kritikua gjerësisht si një “listë dëshirash ruse”, udhëheqësit evropianë iu bashkuan Ukrainës në procesin negociues, me synimin për të parandaluar rezultate që mund të minonin rëndë stabilitetin e ardhshëm të Kievit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur më pas publikisht një kundërpropozim me 20 pika, i cili aktualisht është në diskutim.

Megjithatë, Rusia ende nuk ka paraqitur një qëndrim zyrtar dhe nuk është tërhequr nga kërkesat e saj maksimaliste.

Sa i përket një plani të mundshëm paqeje, Zakharova përsëriti gatishmërinë e pretenduar të Moskës për të negociuar një marrëveshje mossulmimi me një vend evropian ose me NATO-n.

“Rusia është e gatshme të formulojë angazhime përkatëse në formën e një dokumenti të shkruar, juridikisht detyrues”, tha Zakharova.

Presidenti rus Vladimir Putin e kishte ofruar më parë një marrëveshje të tillë dhe kishte hedhur poshtë pretendimet se Rusia mund të sulmonte një vend të NATO-s si “të pakuptimta”./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRAZIL – Bolsonaro i nënshtrohet me sukses një operacioni në hernie

26 December 2025 at 09:19

BRAZILIA, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i burgosur i Brazilit, Jair Bolsonaro, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për hernie bilaterale, bëri të ditur djali i tij, Flavio Bolsonaro.

“Operacioni, i kryer në një spital në kryeqytetin Brazilia, doli me sukses”, shkroi Flavio Bolsonaro në rrjetin social X.

Sipas portalit informativ “G1”,  Bolsonaro, 70-vjeç, pritet të qëndrojë në spital për rreth një javë.

Bolsonaro ka kaluar disa operacione vitet e fundit, pas një sulmi me thikë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2018, ku u plagos rëndë.

Një gjykatës federal autorizoi procedurën e fundit mjekësore.

Ish-presidenti, i cili ishte në detyrë nga viti 2019 deri në 2022, po vuan një dënim me mbi 27 vjet burg që nga fundi i nëntorit, për tentativë për përmbysjen e qeverisë.

Prokurorët e akuzojnë atë se ka planifikuar një grusht shteti kundër qeverisë së pasardhësit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva, pasi humbi zgjedhjet.

Megjithatë, gjykatësi hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të Bolsonaros që ai ta vuante dënimin në arrest shtëpie për arsye shëndetësore.

Vendimi u justifikua me shkeljet e përsëritura të kushteve dhe përpjekjet për arratisje.

Ndër të tjera, Bolsonaro kishte dëmtuar byzylykun elektronik me një hekur saldimi natën para arrestimit të tij./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRAZIL – Bolsonaro i nënshtrohet me sukses një operacioni në hernie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KINEMA – Nga Harry Potter tek ”Eyes Wide Shut” filmat alternativë më të mirë për Krishtlindje

25 December 2025 at 07:37

LONDËR, 25 dhjetor /ATSH/ – Ndërsa shumica e njerëzve i lidhin Krishtlindjet me filma të ngrohtë dhe familjarë, BBC-ja ka zgjedhur 12 tituj alternativë që sfidojnë pritshmëritë dhe sjellin magji, humor dhe emocione të thella festive.

”Eyes Wide Shut” (1999)

Filmi ndjek një mjek nga Nju Jorku që përfshihet në një udhëtim psikologjik pas një rrëfimi tronditës nga bashkëshortja e tij. Ai endet natën në qytet dhe përballet me dëshira, xhelozi dhe tundime të rrezikshme. Ngjarjet marrin një ton gjithnjë e më të errët dhe surreal. Filmi eksploron besimin, seksualitetin dhe pushtetin. Atmosfera është e ftohtë, misterioze dhe shumë simbolike.

”Father Christmas” (1991)

Ky film i animuar tregon historinë e një Babagjyshi të lodhur nga puna e tij e përvitshme. Ai vendos të marrë pushime dhe të udhëtojë në vende të ndryshme të botës. Gjatë udhëtimit, ai përballet me situata komike dhe kulturore të papritura. Filmi ka një ton të ngrohtë dhe humor të qetë britanik. Është një histori e thjeshtë, por shumë simpatike për Krishtlindje.

”Pillion” (2025)

Filmi përqendrohet në një marrëdhënie jo të zakonshme mes dy burrave me karaktere shumë të ndryshme. Ai eksploron temat e pushtetit, intimitetit dhe vetëpranimit. Personazhet përballen me kufijtë personalë dhe shoqërorë. Tregimi është intim dhe emocionalisht i ngarkuar. Filmi synon të sfidojë normat tradicionale të marrëdhënieve.

”Die Hard 2” (1990)

Një polic përpiqet të ndalojë një grup terroristësh që marrin kontrollin e një aeroporti gjatë Krishtlindjeve. Situata bëhet gjithnjë e më e rrezikshme ndërsa avionët mbeten në ajër. Filmi është plot aksion, tension dhe shpërthime. Personazhi kryesor duhet të veprojë i vetëm kundër kohës. Është një vazhdim energjik dhe argëtues.

”Pride” (2014)

Filmi bazohet në ngjarje reale dhe tregon miqësinë mes aktivistëve LGBTQ+ dhe minatorëve britanikë në vitet ’80. Dy grupe shumë të ndryshme bashkohen për një kauzë të përbashkët. Fillimisht ka paragjykime dhe tensione. Me kalimin e kohës, lind respekt dhe solidaritet. Është një film i ngrohtë, politik dhe plot shpresë.

”Wonder Boys” (2000)

Historia ndjek një profesor shkrimi që po kalon një krizë personale dhe profesionale. Jeta e tij komplikohet nga studentë, miq dhe marrëdhënie të paqarta. Ngjarjet zhvillohen gjatë një fundjave kaotike. Filmi ka humor të butë dhe momente melankolike. Ai flet për krijimtarinë, dështimin dhe rritjen personale.

”Merry Christmas, Mr. Lawrence” (1983)

Filmi zhvillohet në një kamp robërish lufte japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai përqendrohet në konfliktin kulturor mes robërve perëndimorë dhe rojeve japoneze. Marrëdhëniet mes personazheve janë komplekse dhe emocionale. Tema kryesore janë nderi, pushteti dhe mirëkuptimi. Filmi është i qetë, por shumë i thellë.

”Live Flesh” (1997)

Ky film spanjoll ndjek jetët e disa personazheve që lidhen nga një ngjarje e dhunshme në të kaluarën. Pasojat e asaj nate ndikojnë në dashuri, xhelozi dhe faj. Historia zhvillohet gjatë disa viteve. Filmi trajton pasionin dhe fatin njerëzor. Tregimi është emocional dhe dramatik.

”Harry Potter and the Prisoner of Azkaban” (2004)

Harry kthehet në Hogwarts për vitin e tretë dhe përballet me një kërcënim të ri misterioz. Një i arratisur nga burgu magjik duket se është i lidhur me të kaluarën e tij. Miqësitë thellohen dhe historia bëhet më e errët. Filmi sjell elemente të reja magjie dhe kohe. Është një pikë kthese më serioze në seri.

”Young Frankenstein” (1974)

Kjo është një komedi që parodizon filmat klasikë horror. Një shkencëtar përpiqet të distancohet nga trashëgimia e familjes së tij. Megjithatë, ai përfshihet në eksperimente absurde. Filmi është plot humor vizual dhe dialog inteligjent. Është një klasik komik shumë i dashur./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KINEMA – Nga Harry Potter tek ”Eyes Wide Shut” filmat alternativë më të mirë për Krishtlindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – India lëshon në orbitë satelitin më të madh ndonjëherë në historinë e saj

24 December 2025 at 15:33

NJU DELHI, 24 dhjetor /ATSH-AFP/ – Agjencia hapësinore e Indisë lëshoi sot ngarkesën më të madhe orbitale deri më sot, një veprim që kryeministri Narendra Modi e cilësoi si një hap të rëndësishëm për sektorin hapësinor të vendit.

Raketa “LVM3-M6“ vendosi në orbitë satelitin e komunikimit “AST SpaceMobile”, të ndërtuar në SHBA.

Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore, ISRO, tha se kjo ishte “ngarkesa më e madhe e lëshuar ndonjëherë nga toka indiane”.

Lëshimi i këtij sateliti përforcon programin ambicioz dhe me kosto të ulët të Indisë në hapësirë, teksa vendi planifikon një mision orbital pa ekuipazh dhe fluturime me njerëz në vitet e ardhshme.

Sateliti peshon 6 100 kilogramë dhe u lëshua me një version të modifikuar të raketës që India synon të përdorë për misionet e saj të ardhshme hapësinore.

India po synon një pjesë më të madhe të tregut global në rritje të satelitëve komercialë, ndërsa kompanitë e telefonisë, internetit dhe shërbimeve të tjera kërkojnë zgjerim dhe kapacitete më të avancuara komunikimi.

Kryeministri Modi tha se lëshimi shënon një moment krenarie në udhëtimin hapësinor të Indisë.

India ka njoftuar se synon të kryejë një mision orbital pa ekuipazh përpara fluturimit të parë me njerëz në 2027, ndërsa Modi ka shpallur edhe plane për dërgimin e një astronauti në Hënë deri në 2040-n./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post HAPËSIRË – India lëshon në orbitë satelitin më të madh ndonjëherë në historinë e saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Ukraina kontakte me SHBA-në për përparimin e marrëveshjes së paqes

24 December 2025 at 13:39

KIEV, 24 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Ukraina nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë pengesë për paqen duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të negociatave me Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Zelensky tha se sot pritet një përgjigje nga Moska për versionin më të fundit të projektpropozimit të rënë dakord mes Uashingtonit dhe Kievit, pas bisedimeve të zhvilluara fundjavën e kaluar në Miami, ku u hartua një plan me 20 pika.

”Do të marrim përgjigjen ruse pasi pala amerikane të ketë biseduar me ta”, tha presidenti ukrainas për gazetarët.

Sipas versionit të fundit të planit SHBA-Ukrainë, vendi do të organizojë zgjedhjet presidenciale menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes që do t’i japë fund pushtimit rus.

Një pikë e dokumentit drejtuar Moskës parashikon qartë se Ukraina duhet të mbajë zgjedhjet sa më parë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Megjithatë, mbeten mosmarrëveshje me Uashingtonin mbi disa çështje kyçe, përfshirë  territoret e pushtuara dhe centralin bërthamor të Zaporizhias.

Plani amerikan parashikon një menaxhim të përbashkët të centralit nga Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia, propozim që Ukraina e ka konsideruar të papërshtatshëm dhe jorealist.

Presidenti Zelensky gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për një takim në nivel liderësh me SHBA-në për të diskutuar çështjet më delikate.

Plani gjithashtu parashikon ngrirjen e vijës së frontit sipas gjendjes aktuale dhe fillimin e diskutimeve për krijimin e zonave të demilitarizuara.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, deklaroi se Moska dhe SHBA-ja kanë opinione shumë të ngjashme mbi kuadrin e mundshëm për zgjidhjen e krizës ukrainase.

“Kjo nuk duhet të kuptohet si pritshmëri për nënshkrimin e menjëhershëm të dokumenteve. Por, krahasuar me situatën para ardhjes së administratës Trump në Shtëpinë e Bardhë, ky është një hap i rëndësishëm përpara”, përfundoi Ryabkov./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Ukraina kontakte me SHBA-në për përparimin e marrëveshjes së paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Sekuestrohen 435 kilogramë kokainë me vlerë 70 milionë euro

24 December 2025 at 12:59

ROMË, 24 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Policia kufitare italiane, GDF njoftoi sot sekuestrimin  e një sasie prej më shumë se 435 kilogramëve kokainë shumë të pastër, me vlerë në tregun e zi prej mbi 70 milionë eurosh, në portin e Gioia Tauros, në jug të vendit.

Sipas një komunikate të GDF-së, droga, e zbuluar në këtë port të Kalabrisë, ishte fshehur brenda një ngarkese prej rreth 1 000 qese kikirikash që vinte nga Amerika Latine dhe ishte destinuar për Evropën Lindore.

”Ky operacion cilësohet si  goditje e  rëndë për të ardhurat e organizatës kriminale të trafikut të drogës”, u shpreh policia.

Ajo shtoi se gjatë këtij viti janë sekuestruar në Gioia Tauro mbi 5,0 tonë drogë, me një vlerë totale rreth 650 milionë euro./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post ITALI – Sekuestrohen 435 kilogramë kokainë me vlerë 70 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Gjendet kutia e zezë e avionit libian të rrëzuar pranë Ankarasë

24 December 2025 at 11:07

STAMBOLL, 24 dhjetor /ATSH-DPA/ – Autoritetet turke kanë gjetur regjistruesit e zërit në kabinë dhe të të dhënave të fluturimit, pas rrëzimit të një avioni privat pranë Ankarasë, ku humbi jetën komandanti më i lartë ushtarak i Libisë, njoftoi sot ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

”Një hetim është në zhvillim për të sqaruar plotësisht shkaqet e aksidentit”, tha Yerlikaya për gazetarët në Ankara.

Kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh bëri të ditur dje se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë libiane, Mohammed al-Haddad, së bashku me katër shoqëruesit e tij, humbën jetën në aksident.

Avioni tip ”Falcon 50” raportoi një problem teknik, pasi u nis dje në mbrëmje nga Ankaraja drejt Tripolit.

Kontakti me avionin u humb pak më pas dhe ai u rrëzua pranë distriktit Haymana, në jug të kryeqytetit turk./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post TURQI – Gjendet kutia e zezë e avionit libian të rrëzuar pranë Ankarasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Gjykata e  Lartë bllokon përpjekjen e Trump për të dislokuar Gardën Kombëtare në Çikago

24 December 2025 at 10:27

UASHINGTON, 24 dhjetor /ATSH-DPA/- Gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara i dha një goditje planeve të presidentit Donald Trump për të dislokuar Gardën Kombëtare në Çikago.

Gjykata rrëzoi një kërkesë urgjente të presidentit amerikan për të pezulluar një vendim të një gjykate më të ulët, e cila kishte ndaluar përkohësisht përdorimin e trupave të Gardës Kombëtare në shtetin e Illinoisit.

Garda Kombëtare është një forcë rezervë ushtarake që bën pjesë në forcat e armatosura të SHBA-së.

Çdo shtet ka Gardën e vet Kombëtare, e cila zakonisht kontrollohet nga qeveria shtetërore.

Megjithatë, në rrethana të caktuara, presidenti amerikan mund të marrë komandën.

Presidenti Trump ka urdhëruar dislokimin e Gardës Kombëtare në disa qytete muajt e fundit, shpesh kundër dëshirës së autoriteteve lokale dhe shtetërore.

Dislokimi i parë i tillë ndodhi në Los Anxheles, ku shpërthyen protesta pas bastisjeve të Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) ndaj emigrantëve. Trupa të Gardës Kombëtare janë dislokuar prej muajsh edhe në kryeqytetin amerikan, Uashington.

Çikago është përmendur vazhdimisht nga Trump si një tjetër vend i mundshëm për dislokim, mes protestave kundër bastisjeve të ICE-s. Në tetor, ai vuri në shërbim aktiv qindra pjesëtarë të Gardës Kombëtare në rajon, ndërsa trupa shtesë u dërguan në Illinois nga Teksasi.

Qyteti i Çikagos, i drejtuar nga demokratët, u shndërrua në një pikë qendrore rezistence ndaj qasjes së Trump. Drejtuesit e qytetit dhe qeveria e shtetit të Illinois-it ngritën një padi ligjore, duke çuar një gjykatë federale në Çikago të ndalonte dislokimin.

Qeveria amerikane apeloi vendimin, por edhe gjykata e apelit refuzoi të lejonte dislokimin e trupave. Trump iu drejtua më pas Gjykatës Supreme, e cila tani ka refuzuar të ndërhyjë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Gjykata e  Lartë bllokon përpjekjen e Trump për të dislokuar Gardën Kombëtare në Çikago appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Steimeier: Solidaritet me Ukrainën për Krishtlindje

24 December 2025 at 09:45

BERLIN, 24 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë solidaritet me ukrainasit që po përballen me sulmet e vazhdueshme ruse, në mesazhin e tij zyrtar të Krishtlindjes të publikuar sot.

“Në Krishtlindje, ne forcojmë dhe ringjallim edhe një herë marrëdhëniet tona, lidhjet familjare dhe miqësitë”, tha Steinmeier.

“Mbështetja dhe solidariteti ynë nuk kufizohen vetëm tek ata që janë gjeografikisht pranë nesh. Ne mendojmë, për shembull, për popullin e Ukrainës, kundër të cilit Rusia po zhvillon luftë prej gati katër vitesh”, shtoi ai.

Presidenti gjerman vuri në dukje se shumë njerëz i kanë ndjekur përpjekjet e intensifikuara diplomatike për t’i dhënë fund luftës “me shpresë, por edhe me skepticizëm dhe shqetësim”.

Ai theksoi se evropianët duhet “të bëhen sërish të vetëdijshëm së bashku për forcën dhe vlerat tona dhe të veprojnë në përputhje me to”.

“Gjatë shekujve, kemi mësuar sa të rëndësishme, madje thelbësore, janë liria, dinjiteti njerëzor, një paqe e drejtë dhe vetëvendosja demokratike”, tha Steinmeier.

“Na duhet guxim për gjërat e mëdha që vendosim të bëjmë si shoqëri dhe për gjërat e vogla, ku secili prej nesh bën më të mirën e vet, në mënyrë që të jetojmë së bashku në paqe”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Steimeier: Solidaritet me Ukrainën për Krishtlindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Rubio: Bisedimet për Ukrainën nuk synojnë detyrimisht një marrëveshje

19 December 2025 at 22:27

UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi sot se i takon Ukrainës dhe Rusisë të arrijnë paqen, ndërsa vazhdon shqetësimi se SHBA mund të përpiqet të ushtrojë presion mbi Kievin për të pranuar një marrëveshje të favorshme për Moskën.

”Kjo nuk ka të bëjë me imponimin e një marrëveshjeje mbi askënd”, tha Rubio për gazetarët, përpara bisedimeve mes negociatorëve amerikanë dhe rusë në Miami këtë fundjavë.

”Bëhet fjalë për të përcaktuar se çfarë presin dhe çfarë kanë nevojë të kenë të dy palët, dhe çfarë janë të gatshme të japin në këmbim, dhe të shohim nëse mund të kemi një përputhje mes tyre”, shtoi sekretari i Shtetit.

Zyrtarët amerikanë pritet të zhvillojnë gjithashtu bisedime me një delegacion ukrainas në Miami, ndërsa nuk janë planifikuar bisedime direkte mes dy palëve në luftë.

Rubio nënvizoi se nuk mund të ketë një marrëveshje paqeje pa miratimin e të dyja palëve, por theksoi se gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin afro katërvjeçar nuk është prioriteti kryesor i administratës.

”Kjo nuk është lufta jonë. Është një luftë në një kontinent tjetër. Ne kemi interesa dhe jemi të angazhuar në këtë luftë, por nuk është lufta jonë”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Rubio: Bisedimet për Ukrainën nuk synojnë detyrimisht një marrëveshje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Vajza afgane që po mëson fiton çmimin “Foto e Vitit 2025” të UNICEF-it

19 December 2025 at 20:51

BERLIN, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një fotografi që përshkruan një 10-vjeçare në Afganistan, e zhytur në librin e saj të shkollës, ka fituar konkursin “Foto e Vitit 2025″ të UNICEF-it.

”Fotoja është bërë nga fotoreporterja franceze Elise Blanchard në një fshat të largët në lindje të Kabulit”, tha të premten Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë.

Anëtarja e UNICEF-it, Elke Budenbender, gruaja e presidentit gjerman, tha se për shumë vajza në Afganistan fëmijëria do të thotë të luftojnë për diçka që duhet të jetë e dhënë, të drejtën për të mësuar.

UNICEF shpjegoi se fotografia e vajzës me emrin Hajira përfaqëson qëndrueshmërinë e palëkundur të miliona vajzave afgane, të cilave u mohohet qasja në arsimin e mesëm nga qeveria ekstremiste talebane e Afganistanit.

Çmimi i dytë i shkoi Natalya Saprunova, e lindur në Rusi dhe që jeton në Francë, për një fotografi nga raportimi i saj në Mongoli, ku fëmijët vuajnë nga ndotja ekstreme e ajrit.

Fotografia tregon fëmijë të vegjël që flenë në një çerdhe rreth një filtri ajri që supozohet të zvogëlojë përqendrimin e ndotësve.

Vendi i tretë i shkoi fotografit indian Sourav Das, i cili shpesh ka dokumentuar fatet e  hidhura të fëmijëve që përpiqen të mbijetojnë në kushtet më të vështira./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BERLIN – Vajza afgane që po mëson fiton çmimin “Foto e Vitit 2025” të UNICEF-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Zelensky: Miratimi i fondeve të BE-së fitore për Ukrainën

19 December 2025 at 19:29

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e përshkroi sot si një fitore të madhe për vendin e tij miratimin nga Bashkimi Evropian të miliarda eurove fondeve shtesë, edhe pse liderët evropianë nuk arritën të bien dakord mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira për ndihmë ndaj Kievit.

”Miratimi i fondeve sot premtes ishte një lajm pozitiv për popullin ukrainas dhe një sinjal për Rusinë se vazhdimi i luftës nuk ia vlen”, tha Zelensky pas një takimi me presidentin polak Karol Nawrocki në Varshavë.

Pas muajve të negociatave, liderët e BE-së në Bruksel ranë dakord të ofrojnë për Kievin një hua pa interes prej 90 miliardë eurosh (105,5 miliardë dollarë), që do të financohej nga Bashkimi Evropian përmes borxhit të përbashkët.

Nëse Rusia nuk paguan dëmshpërblimin për dëmet e luftës në Ukrainë, asetet e ngrira ruse në BE do të përdoren për shlyerjen.

Shtete si Belgjika, ku mbahet  pjesa më e madhe e aseteve, kishin hezituar për përdorimin e fondeve ruse menjëherë për financimin e Ukrainës, duke pasur frikë se mund të ishte e paligjshme ose se Moska mund të hakmerrej ndaj qytetarëve dhe kompanive private evropiane.

”Pa fonde të reja, Ukraina rrezikonte një deficit prej 45–50 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe do të duhej të reduktonte prodhimin ushtarak”, tha Zelensky./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post POLONI – Zelensky: Miratimi i fondeve të BE-së fitore për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin: Pezullojmë sulmet nëse Ukraina zhvillon zgjedhje

19 December 2025 at 18:50

MOSKË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se qeveria ukrainase duhet të jetë legjitime, por kjo është e pamundur pa zgjedhje dhe se Rusia është e gatshme të konsiderojë pezullimin e sulmeve brenda territorit të Ukrainës gjatë ditës së zgjedhjeve.

Putin kërkoi gjithashtu që ukrainasit që jetojnë në Rusi të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme në vendin fqinj, kundër të cilit ende po zhvillohet një ofensive e përgjithshme.

”Rusia është e gatshme të konsiderojë një armëpushim të pjesshëm”, tha Putin.

Megjithatë, ai theksoi se ”duhet të sigurohen të drejtat e votës për ukrainasit që kanë ardhur në Rusi”, duke vlerësuar se numri i tyre është midis 5 dhe 10 milionë persona.

Putin ka kërkuar zgjedhje të reja në Ukrainë që nga viti i kaluar.

Sipas tij, presidenti Volodymyr Zelensky nuk është më legjitim pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar në maj 2024.

Vetë Putin siguroi mandat të pestë nëpërmjet një ndryshimi kushtetues në Rusi.

Kërkesa për zgjedhje të reja në Ukrainë është përkrahur edhe së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump.

Edhe pse ligji ushtarak është në fuqi në Ukrainë për më shumë se tre vite e gjysmë për shkak të pushtimit të plotë të urdhëruar nga Putin në shkurt 2022, i cili ndalon zgjedhjet, Zelensky së fundmi tregoi gatishmërinë për të lejuar një votim.

Ai tha se do të kërkojë nga parlamenti ndryshimet e nevojshme ligjore, por e lidhi këtë premtim me kërkesën për një armëpushim./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post RUSI – Putin: Pezullojmë sulmet nëse Ukraina zhvillon zgjedhje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Zelensky i ofron Polonisë degën e ullirit në debatin mbi historinë e përbashkët

19 December 2025 at 17:27

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka sinjalizuar gatishmërinë për të zbutur tensionet me Poloninë lidhur me një kapitull të errët të historisë së përbashkët të dy vendeve.

”Ukraina është e gatshme të përshpejtojë procesin e zhvarrosjes së viktimave polake të masakrave të Volhinisë në fund të Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi sot Zelensky në Varshavë, pas një takimi me homologun e tij polak, Karol Nawrocki.

Deklaratat i referohen dëbimeve etnike dhe masakrave të viteve 1943–1945, kryesisht në rajonin e Volhinisë, i cili dikur ishte pjesë e Polonisë dhe sot ndodhet në territorin e Ukrainës.

Ushtria kryengritëse ukrainase vrau deri në 100 000 polakë, me synimin për të forcuar pretendimin ukrainas mbi territorin, duke u ngritur kundër pushtuesve gjermanë dhe duke eliminuar popullsinë civile polake.

Ukraina lejoi vetëm disa muaj më parë nisjen e gërmimeve për kërkimin e viktimave, ndërsa zhvarrimet kanë filluar në dy lokacione.

Megjithatë, procesi po ecën ngadalë, çka, sipas Kievit, lidhet me kushtet e vështira të krijuara nga pushtimi i vazhdueshëm rus.

Kjo çështje ka qenë prej kohësh burim tensioni mes Varshavës dhe Kievit.

Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt 2022 dhe ka pranuar pothuajse një milion refugjatë ukrainas.

Nawrocki, një konservator kombëtar dhe kundërshtar i kryeministrit Donald Tusk, ka kërkuar vazhdimisht nga Ukraina më shumë mirënjohje dhe gatishmëri për kompromis.

Nawrocki  historian në profesion, shprehu kënaqësi pas takimit, duke thënë se ishte i bindur se të gjitha pengesat burokratike dhe ligjore, që deri tani kishin bllokuar zgjidhjen e pasojave të masakrave të Luftës së Dytë Botërore, do të hiqen.

Nga ana e tij, Zelensky falënderoi popullin polak për ndihmën ushtarake dhe për pranimin e refugjatëve.

“Polonia na ka mbështetur gjithmonë, ka qenë gjithmonë në krahun tonë”, tha ai, duke shtuar se Ukraina do të jetë gjithmonë mirënjohëse për këtë mbështetje./  /Ad.Ab./

The post KOMENT – Zelensky i ofron Polonisë degën e ullirit në debatin mbi historinë e përbashkët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌