Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Shtimes ka bërë të ditur orarin zyrtar të kujdestarisë së barnatoreve që do të ofrojnë shërbime gjatë natës në qytetin e Shtimes.
Sipas njoftimit, orari i kujdestarisë së natës do të jetë nga ora 20:00 deri në 08:00, ndërsa ky shërbim do të realizohet në bashkëpunim me barnatoret private, me qëllim të garantimit të qasjes së qytetarëve në barna dhe shërbime farmaceutike edhe gjatë orëve të vona të natës.
Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se ky organizim është ndërmarrë për të përmbushur nevojat shëndetësore të qytetarëve dhe për të siguruar shërbime të vazhdueshme farmaceutike, veçanërisht gjatë festave të fundvitit.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale u bën thirrje qytetarëve që, për nevoja urgjente, t’i referohen orarit të publikuar dhe të shfrytëzojnë shërbimet e barnatoreve kujdestare në përputhje me datat e përcaktuara. /Telegrafi/
Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka miratuar unanimisht propozimin për mbështetjen financiare të nënave lehona, një nga premtimet e para të kryetarit të komunës, Sabedin Vishi.
Sipas vendimit të marrë, çdo nënë lehonë do të përfitojë mbështetje financiare në vlerë prej 200 eurosh, ndërsa zbatimi i kësaj mase do të fillojë nga janari i vitit 2026.
Kryetari Vishi e ka cilësuar këtë vendim si hap të rëndësishëm në fuqizimin e politikave sociale në komunë.
“Premtimi im i parë si Kryetar i Komunës së Kaçanikut për mbështetjen e nënave lehona, në vlerë prej 200 euro, sot u miratua unanimisht në Kuvend”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se përkushtimi i institucioneve komunale do të vazhdojë të jetë i orientuar drejt familjes.
“Zbatimi i këtij premtimi fillon nga janari i vitit 2026. Kujdesi për familjen dhe sidomos për fëmijët mbetet prioriteti ynë”, ka deklaruar Vishi.
Nga Komuna e Kaçanikut është bërë e ditur se detajet për kriteret dhe procedurat e aplikimit do të publikohen me kohë. /Telegrafi/
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë publike statistikat për aktivitetet e saj gjatë javës së kaluar, nga 22 deri më 28 dhjetor 2025, duke përfshirë gjobat e shqiptuara dhe aksidentet në komunikacion.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1,421 gjoba kundërvajtëse, ndërsa 23 patente shoferësh janë pezulluar për shkelje të rënda në trafik.
Gjatë javës së fundit janë regjistruar 56 aksidente, përfshirë:
1 aksident fatal, ku ka humbur jetën një person,
22 aksidente me lëndime, ku janë raportuar 29 persona të lënduar,
33 aksidente me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt thekson se aktivitetet për parandalimin e aksidenteve do të vazhdojnë dhe bën thirrje tek shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, apo në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/
Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 17:20 në fshatin Greme të Ferizajt.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, pasagjerja e veturës një femër rreth 19 vjeçe, ka humbur jetën dhe vdekja e saj është konfirmuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
"Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën (një femër rreth 19 vjeçe, pasagjere në veturë). Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes", ka thënë Veseli.
Shoferi i automjetit, një mashkull 20-vjeç, ka pësuar lëndime trupore dhe po trajtohet aktualisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë së Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, si dhe një ekip zjarrfikësish, për të ekzaminuar rrethanat e aksidentit.
"Për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes", tha ai. /Telegrafi/
Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të shtunën rreth orës 18:05 në Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi banimi dhe kanë vjedhur armë, stoli ari dhe para të gatshme.
Sipas informatave të para, nga shtëpia janë marrë një armë e gjatë, një armë gjuetie, një sasi stoli ari si dhe para kesh, ndërsa pronarit i është shkaktuar dëm material.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, të cilat kanë nisur procedurat hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.
Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me rrethanat e ngjarjes apo vlerën e dëmit të shkaktuar.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, t’i raportojnë ato në stacionet policore përkatëse. /Telegrafi/
I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur Albin Krasniqi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munichdhe Exfis.
Albin Krasniqi ka rrëfyer për eksperiencën e tij të hershme në futboll dhe ndikimin e trajnerëve të tij në formimin e tij si lojtar.
Ai tregon se si fillimi i karrierës së tij profesionale nisi në Ferizaj, nën drejtimin e trajnerit të njohur Bylbyl Sokoli, ku ai mori pjesë në prova që i hapën rrugën për të ardhmen e tij.
“Shkova atje në Ferizaj ishte trajner Bylbyl Sokoli tash edhe qysh ka qenë ishte duke i selektuar disa lojtarë dhe nëse nuk gaboj dy zhveshtore kemi qenë të mbushura me lojtarë sepse ishim si në prova që thojmë”
“Dhe po i bën ekipet, po i ndanë ekipet që i ka pas ‘Profa’ që i ka marrë disa që kanë qenë pak më të dëshmum, stërviteshin në njërën anë, na të tjerët ishim për mbi sdi sa persona ushtronim këndej edhe bile ishte ndihmës në atë kohë Granit Begolli dhe Burim Çerkini, ata na shikonin më shumë”.
“Edhe e fillojmë e bën ‘Profa’ një lojë i ndanë golat, e luajmë ne më sheh pak duke luajtur dhe ma bën u kry ndale vetëm pak stërvitjen, më ndanë dhe më vendos me një ekip tjetër”.
“Edhe i bëjmë disa aksione e sene dhe më thirr tani hajde këtu me luajtë presing ishin ata të kallëozva, Qëndrim Dautaj, Erdin Hashani e këta kanë qenë. Po më fut të luajë presing, kur përfundon stërvitja në sy të të gjithëve po ma bën ti një ditë mund të bëhesh lojtar i madh”, ka rrëfyer Krasniqi.
Episodin e plotë me Albin Krasniqin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/
Stadiumi i Qytetit në Shtime ka marrë një pamje tërësisht të re, pas përfundimit të projektit të rindërtimit me vlerë rreth 2.5 milionë euro, të financuar nga Qeveria e Kosovës. Projekti është realizuar brenda një periudhe prej një viti e gjysmë dhe ka sjellë modernizimin e plotë të infrastrukturës sportive.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe përfaqësues institucionalë, sportdashës dhe qytetarë.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e sportit dhe për komunitetin lokal.
“Me rreth 2.5 milionë euro investim dhe për një periudhë njëvjeçare e gjysmë, është krijuar një stadium që u shërben sportistëve, shikuesve dhe futbolldashësve të të gjitha moshave. Uroj që ky stadium të shfrytëzohet sa më shumë dhe klubit futbollistik ‘Vjosa’ i dëshirojmë suksese të vazhdueshme”, tha Kurti.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, vlerësoi se stadiumi tashmë i plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare profesionale.
“Këtu është arritur standardi i kërkuar për zhvillimin e ndeshjeve profesionale. Ky stadium i transformuar i shërben futbollistëve dhe publikut dhe është pjesë e angazhimit tonë për investime të vazhdueshme në sport, gjithandej Kosovës”, deklaroi Çeku.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, e cilësoi rindërtimin e stadiumit si investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në këtë komunë.
“Ky projekt i jep dinjitet sportit lokal dhe hap perspektiva të reja për të rinjtë tanë. Punimet, që kanë nisur në mars të vitit 2024 dhe kanë përfunduar para vitit 2026, përfshijnë ndërtimin e tribunave të reja me 1,205 ulëse, zhveshtoreve dhe objekteve përcjellëse. Ne besojmë në talentin e sportistëve tanë dhe investojmë për ta”, tha Aliu, duke falënderuar Qeverinë për mbështetjen.
Rindërtimi i stadiumit në Shtime është pjesë e investimeve publike për avancimin e infrastrukturës sportive në Kosovë dhe pritet të shërbejë për klubin futbollistik “Vjosa”, si dhe për organizimin e aktiviteteve të tjera sportive. /Telegrafi/
Glauk Konjufca ishte dje në Ferizaj, ku nga sheshi i qytetit, bashkë me kandidatët për deputetë nga kjo komunë, shpërndau prograramin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.
Në bashkëbisedim me qytetarët, ai tha se ky program sjellë siguri për vendin e mirëqenie për qytetarët.
Konjufca vazhdoi më pas për vizitë te familja Alijaj, në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Ai tha se angazhimi patriotik i kësaj familje, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatë, flet shumë për dashurinë e tyre për vendin e vendosmërinë e përbashkët për të mos lëshuar pe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Nga Ferizaj, Konjufca vazhdoi fushatën dhe bashkëbisedimet me qytetarët, në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.
Derisa ai ndau me qytetarët punët e mira të Qeverisë Kurti dhe zotimet për mandatin e ardhshëm, qytetarët u zotuan se përkushtimi dhe vota e tyre do të kontribuojë në zgjedhjen e Albin Kurti kryeministër për herë të tretë.
Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kaçanikut, nën drejtimin e Drejtorit Suhad Dullovi, ka përmbyllur me sukses shpërndarjen dhe montimin e 103 serrave për fermerët lokalë gjatë vitit 2025.
Secila serra ka një sipërfaqe prej 50 m², duke ofruar kushte të avancuara për kultivim dhe prodhim bujqësor.
Ky projekt synon të rrisë kapacitetet bujqësore të fermerëve kaçanikas dhe të përmirësojë mirëqenien e tyre përmes mbështetjes direkte në prodhim.
Drejtoria e Bujqësisë thekson se do të vazhdojë përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe fuqizimin e sektorit vendor. /Telegrafi/
Është mbyllur stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës me ndeshjen Drita - Prishtina që përfundoi 2-0 në të mirë të vendasve.
E pas 18 xhirove të zhvilluara, Ballkani është kampion vjeshtor dhe dimëron si lider. Skuadra nga Suhareka ka përfunduar pjesën e parë të kampionatit me 33 pikë, duke regjistruar 9 fitore, 6 barazime dhe vetëm 3 humbje, me golaverazh mbresëlënës 38:18, sulmi më i mirë në ligë deri tani.
Pas tyre renditet Prishtina me 30 pikë, e cila megjithëse ka të njëjtin numër fitoreje sa Ballkani (9), ka pësuar më shumë humbje dhe ka një golaverazh dukshëm më modest (32:26). Forma e fundit e kryeqytetasve ka qenë luhatëse, çka i ka kushtuar me humbjen e kreut.
Në vendet pasuese, Dukagjini dhe Drita ndajnë nga 29 pikë secila, duke qëndruar shumë pranë zonës së kreut dhe duke mbajtur gjallë ambiciet për titull.
Malisheva (27 pikë) dhe Gjilani (26 pikë) janë gjithashtu në garë për zonën e Evropës, falë një serie rezultatesh pozitive në javët e fundit.
Në pjesën e poshtme të tabelës, Llapi me 21 pikë ende nuk është i qetë, ndërsa presioni është shumë më i madh për Drenicën (20 pikë), Ferizajn (19 pikë) dhe Prishtinën e Re, e cila mbyll tabelën me vetëm 15 pikë dhe golaverazh -11.
Lufta për mbijetesë pritet të jetë tejet e ashpër në pranverë.
Skuadrat tani do të shfrytëzojnë pushimin dimëror për rikuperim dhe përforcime, por një gjë është e qartë: Ballkani e mbyll vjeshtën në maje dhe do të hyjë në gjysmën e dytë të sezonit me epërsi, por edhe me presionin e madh për ta mbrojtur pozitën e parë. /Telegrafi/
Në Ferizaj ka filluar sot Panairi i Bizneseve Artizanale, një ngjarje e organizuar nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit e Komunës, me qëllim promovimin dhe mbështetjen e prodhuesve vendorë.
Panairin e vizitoi Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Derguti, i cili theksoi rëndësinë e këtij eventi për fuqizimin e bizneseve artizanale.
“Kjo ngjarje u ofron prodhuesve vendorë hapësirë për promovim, rrjetëzim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Është një mundësi për artizanët lokalë që të prezantojnë produktet e tyre unike dhe punimet tradicionale, si dhe të krijojnë lidhje të reja me konsumatorë dhe partnerë potencialë”, tha Derguti.
Panairi do të zgjasë katër ditë dhe gjatë kësaj periudhe qytetarët do të kenë mundësi të njihen nga afër me produktet vendore dhe të mbështesin bizneset artizanale të rajonit.
Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që ta vizitojnë këtë panair dhe të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes me forcë në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.
Rasti ka ndodhur të martën, në ora 15:10.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se dy persona te dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj tij, ku me anë të përdorimit të forcës nga i njëjti kanë marr një shumë të hollave dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raport.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori.
Njësitet policore janë duke hetuar rastin. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku ka prezantuar raportin për punët, projektet dhe investimet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025.
Gjatë adresimit të tij, kryetari Aliu ka paraqitur projektet e përfunduara dhe ato në zhvillim në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe shërbimet publike. Ai theksoi se buxheti i Komunës së Shtimes për vitin 2025 ka qenë mbi 11 milionë euro, duke mundësuar realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Kjo ishte një periudhë e mbushur me angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete që kanë zgjidhur probleme dhe kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë. Ky ishte gjashtëmujori i fundit i kapitullit të punës në mandatin e parë, ndërsa mandati i ri na gjen me përgjegjësi edhe më të madhe dhe me shumë punë përpara”, ka deklaruar kryetari Aliu.
Në fushën e arsimit, ai njoftoi për rritjen e subvencioneve, funksionalizimin e katër çerdheve ku aktualisht përfitojnë rreth 250 fëmijë, si dhe investime pothuajse në të gjitha shkollat e komunës. Po ashtu, gjatë këtij viti janë ndarë 120 bursa për studentët nga Komuna e Shtimes.
Sa i përket infrastrukturës, kryetari Aliu veçoi projektet e kanalizimeve atmosferike, ndriçimit publik, realizimin e projektit të unazës së brendshme, si dhe ndërtimin dhe rivitalizimin e shumë rrugëve lokale, përfshirë rrugët e reja të Malësisë në fshatrat Topillë, Rancë dhe Devetak.
Një nga projektet më të rëndësishme, sipas tij, është rrënimi i objektit përpara ndërtesës së komunës, që do të hapë rrugë për realizimin e projektit të sheshit të qytetit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Kryetari Aliu foli gjithashtu për investimet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke përmendur vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e entit special, objektit të administratës komunale dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekte këto me vlera milionëshe.
Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, ai theksoi investimet në sallat sportive, subvencionimin e botuesve të rinj, organizimin e festivalit tradicional “FolkFest”, mbajtjen për herë të parë të festivalit për fëmijë në Shtime, si dhe themelimin e Korit të Qytetit, krahas aktiviteteve të tjera kulturore.
Po ashtu, kryetari njoftoi për fillimin e punimeve për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime, projekt ky me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Në përmbyllje, kryetari Qemajl Aliu ka ritheksuar përkushtimin e tij dhe të qeverisjes komunale për vazhdimin e punës në shërbim të qytetarëve dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës në Komunën e Shtimes. /Telegrafi/
Mediumi i specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt ka përditësuar vlerat e futbollistëve dhe klubeve në Superligën e Kosovës.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita vazhdon të mbetet skuadra më e vlefshme në Superligë me vlerën që i është rritur nga 6,5 në 7,5 milionë euro.
Lojtari më i vlefshëm i Dritës është sulmuesi Arb Manaj, vlera e të cilit ka pasur rritje të jashtëzakonshme nga 450 mijë në 800 mijë euro.
Drita fluturon në renditjen e Ligës së Konferencës – lë pas emra nga La Liga, Serie A dhe Liga Premier telegrafi.com
Skuadra e dytë me vlerën më të madhe është Ballkani, ku nga Transfermarkt vlerësohet 6,25 milionë euro, derisa Prishtina është e treta me 5,68 milionë euro.
Në pozitën e katërt është Gjilani me vlerë 5,39 milionë, derisa Malisheva është e pesta me vlerë prej 5,2 milionë euro.
Llapi ka vlerë prej 4,85 milionë euro, Drenica prej 3,75 ndërsa Dukagjini prej 3,33 milionë euro. Top 10-shja e skuadrave në Superlië mbyllet me Ferizajn që është vlerësuar 3,29 milionë euro dhe Prishtinën e re prej 2,67 milionë euro.
Total vlera e klubeve të Superligës ka shkuar në 47,89 milionë euro nga Transfermarkt. /Telegrafi/
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e tetëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ferizajt, Betim Haxhimusa, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes, duke shënuar dy gola të vlefshëm për tri pikë në ndeshjen kundër KF Llapi, e cila përfundoi me rezultat 2:1.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi mori këtë çmim, Haxhimusa u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.
“E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, duke u fokusuar në pikat e forta të KF Llapi. Ky ka qenë një rezultat shumë i nevojshëm për ne, pasi vinim nga një seri negative. Me trajnerin e ri dhe me filozofinë e tij jemi përshtatur dhe besoj që në stinorin e ri do të kemi vetëm rezultate pozitive".
"Është kënaqësi e madhe të shpallem më i miri i xhiros së 18-të, për këtë i falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, komisionin që më përzgjodhi dhe familjen time për përkrahjen.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/
Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 18-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan golat dhe përballjet e forta.
Prishtina mori një fitore të rëndësishme, të parën në epokën e Afrim Tovërlanit, duke mposhtur Drenicën me rikthim, me rezultat 2-1. Ramiz Bytyqi dhe Mario Ilievski i shënuan golat për Prishtinën, ndërsa Ronaldo Chacon shënoi për Drenicën.
Ferizaj po ashtu mori një fitore shumë të rëndësishme, përballë Llapit të Tahir Batatinës, dhe atë në kohën shtesë, me rezultat 2-1. Betim Haxhimusa ishte heroi i Ferizajt me dy gola, ndërsa për Llapin shënoi Muhamet Hyseni.
Sot Dukagjini dhe Ballkani zhvilluan një ndeshje të fortë, por që u mbyll pa gola.
Malisheva, në anën tjetër, e ndali Dritën në barazim 1-1, ku Jorgo Pëllumbi shënoi fillimisht për gjilanasit, por Xhemal Ibishi barazoi në fund.
Ndeshja me më shumë gola ishte ajo mes Gjilanit dhe Prishtinës së Re, ku vendasit shënuan fitore me rezultat 3-2. Edi Basa shënoi dy herë, ndërsa një gol e shtoi Senad Jarović. Mysafirët reaguan me dy gola, të Gomes dhe Astrit Berishës, por nuk ia dolën të marrin pikë.
Edhe një ndeshje zhvillohet, por Ballkani është kampion vjeshtor
Për ta mbyllur të gjithë stinorin vjeshtor, do të zhvillohet edhe një ndeshje, ajo mes Dritës dhe Prishtinës, e cila ishte shtyrë disa javë më parë.
Ballkani mbetet lider me 33 pikë dhe vetëm një fitore e Prishtinës (30 pikë) do të mund ta zinte në renditje, por jo ta kalonte, pasi edhe me golaverazh dhe në ndeshjet e ndërsjellta, falë goldallimit, suharekasit janë më mirë.
Prishtina me 30 pikë e ka të sigurt pozitën e dytë, ndërsa në vendin e tretë është Dukagjini me 29 pikë. Malisheva ka 27 pikë në pozitën e katërt.
Pozitat pesë dhe gjashtë i ndajnë Drita dhe Gjilani, që kanë nga 26 pikë.
Skuadrat që janë në zonën e mbijetesës janë katër, me Llapin që është në pozitë më të mirë, atë të shtatën me 21 pikë. Drenica ka 20 pikë si e teta, ndërsa Ferizaj me 19 pikë është në vendin e nëntë. Fundin e renditjes e mbyll Prishtina e Re, që ka tubuar deri më tani 15 pikë.
Stinori pranveror kthehet në shkurt, fillimisht me ndeshjes e Kupës së Kosovës. /Telegrafi/
Ferizaj ka fituar ndaj Llapit me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
“Ujqit” kanë arritur t’i rikthehen fitores në kampionat pas gjashtë ndeshjeve, duke marrë tri pikë të mëdha ndaj Llapit.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën rastet e veta, por vetëm vendasit arritën ta gjejnë golin.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 22-të të ndeshjes me anë të Betim Haxhimusës, i cili shënoi për epërsinë 1-0.
Në pjesën e dytë, mysafirët filluan mirë duke gjetur golin e barazimit, por në fund vendasit shënuan përsëri për t’i marrë tri pikë shumë të vlefshme.
Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 63-të me anë të Muhamet Hysenit, i cili shënoi për 1-1, ndërsa në minutat shtesë përsëri goli në skenë Haxhimusa, i cili vulosi fitoren e Ferizajt me rezultat 2-1.
Pas kësaj fitore, Ferizaj e mbyll edicionin vjeshtor në pozitën e nëntë me 19 pikë, teksa Llapi i shtati me 21 pikë. /Telegrafi/
Ferizaj dhe Llapi kanë publikuar tashmë formacionet zyrtare për ndeshjen e vlefshme për xhiron e 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ferizajasit janë nikoqir të llapjanëve në ndeshjen e fundit të edicionit vjeshtor, e cila pritet të zhvillohet në “Stadiumin e Qytetit”nga ora 13:00.
Ekipi i Nevil Dedes nuk di për fitore që gjashtë ndeshje dhe synon t’i marrë tri pikë para tifozëve të vet për t’i ikur fundit të tabelës.
Në anën tjetër, ekipi i Tahir Batatinës nuk ka fituar në tri ndeshjet e fundit dhe imperativ i vetëm është rikthimi te fitorja për t’u ngjitur në tabelë.
Trajnerët e të dyja skuadrave kanë vendosur të startojnë me formacionet më të mira të mundshme.