Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 December 2025Main stream

Media izraelite “Ynet news” rekomandon Shqipërinë për pushime autentike kundrejt destinacioneve tradicionale

By: Rovena
29 December 2025 at 15:44

Ndërsa vendet e njohura turistike bëhen më të shtrenjta, alternativa të reja po hyjnë në lojë! Në konsultim me ekspertët e turizmit, ju sugjerojmë disa nga destinacionet më të mira për të udhëtuar në vitin 2026 – të ngjashme me vendpushimet e njohura tradiconale, shkruan Iris Lifshitz-Klieger në një artikull të botuar në revistën izraelite “Ynet news”.

Sipas ekspertëve, ekzistojnë vende të krahasueshme me pikat e njohura turistike – ku mund të shijoni një përvojë të ngjashme por me një kosto shumë më të ulët.

Viti 2026 mund të jetë viti i zgjedhjeve më të zgjuara për udhëtime – me më pak preferencë për destinacionet klasike dhe më shumë kërkime për alternativa që ofrojnë një përvojë të ngjashme dhe me një çmim dukshëm më të ulët.

Pas një periudhe, gjatë të cilës izraelitët u dyndën drejt destinacioneve të njohura – kryesisht për shkak të pasigurisë – një gamë më e gjerë fluturimesh, falë konkurrencës në rritje të linjave ajrore – po rihap hartën drejt destinacioneve të reja dhe të pazbuluara.

Këto vende ofrojnë pushime evropiane ekzotike me një buxhet të përballueshëm.

Në vend të Budapestit – zgjidhni Tiranën, në Shqipëri:

Tirana mund të jetë më pak e njohur, por ofron një ndërthurje të mahnitshme të një qyteti të ri evropian, kafeneve në modë, çmimeve të ulëta dhe aksesit të lehtë në natyrë dhe plazheve aty pranë.

Midis 12 dhe 15 korrikut, akomodimi në “Hotel Albanopolis” ka një kosto duke filluar nga 499 dollarë për person.

“Eshet Tours” gjithashtu ofron një paketë pushimi ku përfshihen katër netë qëndrimi në Shqipëri, në korrik në një hotel me katër yje për 492 dollarë për person.

Përveç kësaj, “Eshet Tours” ofron një paketë për pesë netë në Tiranë nga 23 deri në 28 korrik, duke mbuluar fluturimin dhe akomodimin në “Hotel Boutique Arbnor” me katër yje, me mëngjesin e përfshirë, duke filluar nga 490 dollarë për person.

Revista izraelite ka sugjeruar disa destinacione të reja – të cilësuara si më të mirat për të udhëtuar në vitin 2026 – që mund të zëvendësojnë vendpushimet e njohura tradicionale:

•Në vend të Budapestit – Tirana, Shqipëri
•Në vend të Pragës – Bukureshti, Rumani
•Në vend të Mikonos – Batumi, Gjeorgji
•Në vend të Berlinit – Varshava, Poloni
•Në vend të Budapestit ose Romës – Sofje, Bullgari
•Në vend të Tajlandës – Sri Lanka
•Në vend të Amsterdamit – Sllovaki ose Slloveni
•Në vend të Romës ose Selanikut – Baku, Azerbajxhan

Çfarë thotë industria e turizmit?

“TAL Aviation” – kompania lidere e linjave ajrore, udhëtimeve dhe turizmit – tha për “Ynet news” se është shfaqur një trend i ri përpara verës së vitit 2026: Turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa të reja kundrejt destinacioneve tradicionale verore, të nxitur kryesisht nga kostoja e lartë e jetesës dhe rritja e çmimeve në destinacionet e njohura.

Sipas kompanisë, një numër në rritje izraelitësh po zgjedhin destinacione që ofrojnë një përvojë të ngjashme me pikat e njohura turistike por, me një çmim dukshëm më të ulët.

Tali Noy, nënkryetar i strategjisë dhe marketingut në “Issta” tha: “Në epokën aktuale, familjet po kërkojnë përvoja unike përtej destinacioneve tradicionale si Greqia dhe Qiproja. Po shohim një kërkesë në rritje për udhëtime verore në vende të tilla si, Shqipëria, Uzbekistani, Rumania, Lituania dhe Mali i Zi. Ky trend pasqyron një dëshirë për pushime autentike që kombinojnë natyrën, kulturën dhe historinë, së bashku me çmime të arsyeshme”.

Shirly Cohen Urkabi, nënkryetare në “Eshet Tours” tha se destinacionet që pritet të kryesojnë në vitin e ardhshëm përfshijnë Greqinë, Ballkanin, Malin e Zi, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Evropën Lindore, si dhe Azinë Qendrore, Marokun dhe Kaukazin: Azerbajxhanin, Kirgistanin, Uzbekistanin, Armeninë dhe Gjeorgjinë, së bashku me Lindjen e Largët.

Boksieri britanik, aksident në Nigeri/ Plagoset Anthony Joshua, dy të vdekur nga përplasja e mjeteve

By: Rovena
29 December 2025 at 15:25

Boksieri britanik i peshave të rënda Anthony Joshua ka mbetur i plagosur në një aksident me makinë në Nigeri, teksa dy të tjerë mbetën të vrarë.

Aksidenti ndodhi në shtetin Ogun dhe Joshua, 36 vjeç, pësoi lëndime të lehta kur automjeti i tij u përplas me një makinë tjetër.

Dëshmitarët okularë thanë për mediat lokale se Joshua pasagjer në makinën që u aksidentua me një kamion që nuk ishte në lëvizje.

Në pamjet e publikuara duket 36-vjeçari në makinën e aksidentuar, i cili ka pësuar lëndime dhe del nga automjeti për t’u dërguar në spital.

Aksidenti ndodhi 10 ditë pasi Joshua shënoi një fitore në raundin e gjashtë ndaj YouTuber Jake Paul në Miami, duke e lënë amerikanin me një nofull të thyer në dy vende.

Më parë këtë vit, Joshua zbuloi planet e tij për të investuar në të ardhmen e boksit në vendin e tij të origjinës. Ai ndau ambicien e tij për të krijuar një akademi boksi në Nigeri për të ndihmuar talentet lokale dhe për t’u ofruar boksierëve të rinj burimet për t’u bërë profesionistë./abcnews.al

Zi për sportin shqiptar/ Ndahet nga jeta Kristaq Eksarko dhe Enea Andrea

By: Rovena
29 December 2025 at 15:22

Kjo e hënë është kthyer në një ditë zie për sportin shqiptar, pasi futbolli dhe basketbolli në vend kanë humbur dy njerëz të shquar si Kristaq Eksarko dhe Enea Andrea.

Ish-mbrojtësi i Partizani është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, pasi prej vitesh vuante nga probleme të rënda shëndetësore.

Ai ishte një nga lojtarët më të mirë të Partizanit në vitet 80, ndërsa fitoi edhe titullin kampion. Eksarko do të mbahet mend në përballjet historike me të kuqtë në Kupat e Europës kundër Austrisë së Vienës apo Malmo. Po ashtu mbrojtësi ishte edhe pjesë e kombëtares së Shqipëisë në ato vite.

Një tjetër humbje tragjike për sportin shqiptar ishte edhe ajo e Enea Andrea. Ish basketbollisti i Dinamos dhe kombëtares shqiptare u nda nga jeta në moshën 55 vjeçare si pasojë e një ataku kardiak, teksa po stërvitej si zakonisht në palestër.

Pasi u tërhoq nga basketbolli i luajtur ai nuk u nda nga sporti, teksa prej vitesh vijonte karrierën si gazetar dhe komentator i ndeshjeve të NBA dhe Euroleague./abcnews.al

Festa e ndërrimit të viteve/ Shqiptarët festojnë brenda dhe jashtë vendit, bashkohen edhe emigrantët

By: Rovena
29 December 2025 at 15:16

Tryeza familjare do të mbledhë shumë shqiptarë në ndërrim të viteve. Tradita e kahershme do të ruhet nga pjesa më e madhe e qytetarëve dhe këtë festë.

Në Shqipëri apo jashtë vendit, atje ku të afërmit e tyre jetojnë dhe punojnë, por viti i ri do ti gjej bashkë.

“Edhe trendi që ne shikojmë është ose familjet ikin i bashkohen familjeve jashtë ose familjet që janë jashtë në emigrim vijnë e i bashkohen familjeve në Shqipëri.  Ky është trendi masiv.  Ne e vëmë re nga fluturimet që janë plotë në të dyja drejtimet”, tha operatori turistik, Aneo Hila.

Më të pakët sipas turoperatorëve janë ata që kanë zgjedhur të festojnë jashtë shtëpisë.

“Kemi një pjesë të shqiptarëve që shkojnë në mënyrë të organizuar në destinacione të afërta dhe brenda vendit, por nuk është një format masiv. Në Korçë kemi ture të organizuara ku kalohet darka e vitit të ri dhe 1 janari, edhe pjesa në Kosovë është në rritje, kemi Brezovicën, Prizrenin që kanë ture të organizuar për festat e fundvitit.  Edhe Mali i Zi, Budva dhe Kolashina tërheqin një sasi të caktuar ngelen popullore për familje, shumica e udhëtarëve janë individual jo të organizuar me grupe”, shtoi Aneo Hila.

Të tjerë   pëlqejnë ta presin vitin e ri jashtë kufijve. Sipas turoperatorëve  destinacionet  kryesore janë kryeqytetet europiane.

“Vendet më të kërkuara janë vendet e Europës si Parisi, Amsterdami, Vjena, Praga, Budapesti, Colmar, Strasburg, ku janë fshatrat turistike.  Kemi Stambollin që gjithmonë ka disa grupe që organizohen. Jane dy lloje destinacionesh të largëta, me diell ose me borë, këtë vit me diell kemi Sharm el Sheik, dhe ne veri.   Mbetën gjithmonë vende më të preferuara dhe më të kapshme vende si Roma, Parisi, Vjena  sepse në këtë periudhë nuk është se i kanë çmimet ekstremisht të shtrenjta se viti I ri për ata nuk është si e kemi ne vitin e ri”, u shpreh më tej Hila.

Sipas turoperatorëve përgjatë gjithë dhjetorit udhëtimet jashtë vendit kanë pësuar rritje. Lëvizjet e shqiptarëve vitet e fundit janë shtuar dhe për  shkak të linjave ajrore me tarifa më të ulëta./abcnews.al

Vodhi targat e 5 automjeteve/ Korçë, arrestohet 23-vjeçari

By: Rovena
29 December 2025 at 14:47

Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës pasi vodhi pesë targa të automjeteve.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën 5 targat e vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

“Brenda ditës nga Turqia vijnë pjesët e reja hidraulike”/ Vlora 4 ditë pa ujë, reagon Rama: Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci

By: Rovena
29 December 2025 at 14:40

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në llogarinë e tij në “X” lidhur me defektin në ujësjellësin e Vlorës, ku ka ndërprerë prej katër ditësh furnizimin me ujë të pijshëm. Çka ka sjellë reagime dhe revoltë nga qytetarët.

Rama ka shkruar që sot brenda ditës vijnë pjesët e reja hidraulike nga Stambolli, ku shton se po bëhet e pamundura që të mbyllet një plagë e vjetër e lënë hapur, pasi në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë  hidraulike.

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë  hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…

Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve,  inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën.

Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, ka shkruar kryeministri Rama./abcnews.al

Presidenti Begaj uron efektivët e rinj: Forcat e Armatosura janë shpresa dhe forca e mbrojtjes së vendit

By: Rovena
29 December 2025 at 14:25

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i uroi sot suksese efektivë të rinj të Forcave të Armatosura në këtë rrugëtim fisnik, siç e quajti ai, për të qenë ushtarakë të denjë të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së betimit të studentëve në Akademinë e Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj deklaroi, ndër të tjera, se efektivët e rinj përfaqësojnë shpresën, vazhdimësinë dhe forcën morale të institucionit të mbrojtjes.

Dukë sjellë në vëmendje strategun e ushtrisë amerikane, ish-Sekretarin e Shtetit, Colin Pawell, Presidenti Begaj i këshilloi të rinjtë se suksesi arrihet gradualisht dhe për këtë u shpreh se ata duhet të studiojnë dhe punojnë fort, të bëjnë më të mirën e mundshme dhe të mos reshtin se punuari, duke u treguar të tjerëve që e bëjnë mirë punën e tyre.

“Uniforma që vishni sot është simbol nderi, përgjegjësie dhe dinjiteti. Ajo qëndron denjësisht përkrah uniformave të tjera të vendeve aleate në NATO dhe përfaqëson Shqipërinë në çdo mision, brenda dhe jashtë vendit. Shpreh bindjen se kjo uniformë do të shërbejë si busulla juaj morale dhe profesionale, në shërbim të paqes, sigurisë dhe lirisë”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj theksoi gjatë fjalës përshëndetëse të efektivëve të rinj se misioni i tyre shkon përtej profesionit, pasi është nder,  krenari dhe shërbim ndaj mbrojtjes së atdheut, garantimit të paqes dhe sigurisë.

Duke iu referuar situatave të ndërlikuara të sigurisë, Presidenti Begaj theksoi se paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena dhe se ato janë vlera që duhen mbrojtur çdo ditë dhe kërkojnë përkushtim, vigjilencë e sakrificë.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi se Forcat të Armatosura kanë dëshmuar profesionalizëm, besueshmëri dhe përkushtim ndaj NATO-s dhe paqes ndërkombëtare dhe Shqipëria ka kontribut aktiv në misione dhe operacione të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

“Shqipëria do të vijojë rritjen e buxhetit të mbrojtjes jo vetëm për të përmbushur angazhimet ndaj Aleancës, por për të garantuar rritjen cilësore dhe të qëndrueshme të Forcave të Armatosura, sepse fuqia e një ushtrie nuk matet vetëm me pajisje apo numra, por, mbi të gjitha, me njerëzit që e përbëjnë, me brezat e rinj që i bashkohen asaj. Matet me ju.” – deklaroi Presidenti Begaj gjatë kësaj ceremonie. Ai theksoi se  “Akademia e Forcave të Armatosura ka një rol dhe përgjegjësi të madhe: përgatitjen e liderëve të rinj ushtarakë, të aftë për të përballuar mjedisin bashkëkohor të sigurisë dhe standardet e ndërveprueshmërisë me NATO-n”.

“Sistemi ynë arsimor ushtarak ka shënuar rritje të dukshme cilësore me rikthimin e Akademisë së mirëfilltë Ushtarake”, – theksoi Presidenti i Republikës, i cili, në fund të fjalës së tij, shprehu mirënjohje të veçantë për familjarët e ushtarakëve për sakrificën dhe dashurinë me të cilën i kanë brumosur të rinjtë dhe të rejat që bëjnë krenarë çdo shqiptar.

Tajlanda akuzon Kamboxhian për shkelje të armëpushimit

By: Rovena
29 December 2025 at 14:13

Ushtria e Tajlandës ka akuzuar Kamboxhian për shkelje të një marrëveshjeje armëpushimi të nënshkruar rishtazi, të arritur pas javësh përleshjesh vdekjeprurëse që detyruan gati një milion njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Në një deklaratë, ushtria tajlandeze ka thënë se më shumë se 250 mjete ajrore pa pilot (UAV) u zbuluan duke fluturuar nga ana kamboxhiane të dielën në mbrëmje.

Armëpushimi ka hyrë në fuqi në mesditë sipas kohës lokale të shtunën. Të dyja palët kanë rënë dakord të ngrinin vijat e frontit aty ku janë tani, të ndalonin përforcimet dhe të lejonin civilët që jetonin në zonat kufitare të ktheheshin sa më shpejt të ishte e mundur.

Vendimi është parë si një përparim, i cili erdhi pas ditësh bisedimesh midis të dy vendeve, me inkurajim diplomatik nga Kina dhe SHBA-ja.

Në një deklaratë të hënën, Ushtria Mbretërore Tajlandeze ka thënë se veprimet e Kamboxhias “përbëjnë provokim dhe shkelje të masave që synojnë uljen e tensioneve”, duke shtuar se ato ishin “në kundërshtim” me kushtet e armëpushimit.

Gjithashtu ka shtuar se “mund të duhet të rishqyrtojë” lirimin e 18 ushtarëve kamboxhianë të mbajtur në Tajlandë që nga korriku. Kamboxhia nuk ka komentuar ende. Reagimi vjen vetëm disa orë pasi ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, vlerësoi armëpushimin “e fituar me vështirësi”, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vlerësoi “përfundimin e shpejtë dhe të drejtë”.

Të dënuar me burg për mashtrim e trafikim të lëndëve narkotike/ Ekstradohen nga Spanja e Gjermania dy shqiptarë

By: Rovena
29 December 2025 at 13:54

Interpol ka ekstraduar nga Spanja, një shtetase e dënuar me 7 vjet burgim, për mashtrim me pasoja të rënda. Ekstradohet në Gjermani, një shtetas i dënuar me 6 vjet e gjysmë burgim, për trafik të lëndëve narkotike.

Në vijim të bashkëpunimit të konsoliduar ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Spanjë dhe në Gjermani, u finalizuan në kuadër të operacionit “The Ëanted”, procedurat për ekstradimin:

-nga Spanja, në Shqipëri, të shtetases Marjana Gjona, 42 vjeçe, e cila është dënuar në vitin 2019, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda;

-nga Shqipëria, në Gjermani, të shtetasit Metehan Tutuncu, 26 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Aschaffenburg, Gjermani, në vitin 2023, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

Në paraburgim prej më se një viti/ Ilir Meta kërkon zëvendësim të masës së sigurisë në GJKKO

By: Rovena
29 December 2025 at 13:48

Ilir Meta kërkon zëvendësim të masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Kërkesa është regjistruar, teksa pritet të caktohet data për zhvillimin e seancës brenda afatit 5 ditor që parashikon ligji.

Kërkesa e Metës për zëvendësimin e masës është rrëzuar më parë nga 3 shkallët e gjyqësorit të cilat kanë lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj tij, atë të arrestit në burg./abcnews.al

Fruthi, nuk ka raste të reja/ ISHP: Fëmija i shtruar në QSUT, rast i izoluar

By: Rovena
29 December 2025 at 13:40

Asnjë rast tjetër me fruth nuk është regjistruar pas fëmijës se diagnostikuar një javë më parë, që u shtrua për trajtim në pediatrinë e QSUT. ISHP sqaron se rasti është izoluar pasi fëmija i ardhur nga jashtë Shqipërisë nuk frekuentonte çerdhet, ç’ka ka bërë edhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të virusit, ndërsa prindërit e tij janë të vaksinuar.

Fruthi është sëmundje ngjitëse dhe kryesisht prek fëmijët. Pasojat janë të rënda, deri në humbje jetë. Ka prindër që refuzojnë të aplikojnë vaksinën MMR tek fëmijët, pasi shpesh e lidhin atë me autizmin. Specialistët e Shëndetit Publik sigurojnë qytetarët se kjo vaksinë nuk ka asnjë efekt negativ në organizëm, dhe apelojnë për marrjen e saj sipas planifikimit kalendarik.

Aktualisht mbulesa vaksinale për MMR-në është 92%, por, synimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që mbulesa të arrij në 95%, në mënyrë që të bllokohet qarkullimi i virusit dhe të shmangen shpërthimet e mëtejshme. Gjatë vitit 2025 në vend u regjistruan 18 raste të reja në Fier dhe Tiranë. Numrin më të lartë të diagnostikuarve e mbanin fëmijët e pavaksinuar, ndërsa një pjesë e tyre kishin aplikuar vetëm dozën e parë.

Netanyahu dhe Trump do të takohen në Florida për të diskutuar fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

By: Rovena
29 December 2025 at 13:19

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet me Donald Trump në Florida të hënën, me presidentin e SHBA-së që po shtyn për të kaluar në fazën tjetër të planit të brishtë të armëpushimit në Gaza.

Takimi vendimtar në resortin luksoz Mar-a-Lago të Trump vjen ndërsa disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë frikë se si Izraeli ashtu edhe Hamasi po ecin ngadalë në fazën e dytë të armëpushimit të tyre.

Trump, i cili tha se Netanyahu kishte kërkuar bisedimet, thuhet se është i etur të njoftojë – që në janar – një qeveri teknokratike palestineze për Gazën dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Zëdhënësja e qeverisë izraelite Shosh Bedrosian tha se Netanyahu do të diskutojë fazën e dytë, e cila përfshin sigurimin që “Hamasi të çarmatoset, Gaza të çmilitarizohet”.

Por Netanyahu do të përpiqet gjithashtu ta zhvendosë fokusin te Irani gjatë takimit të tij të pestë në Shtetet e Bashkuara me Trump këtë vit, mes raporteve se ai do të shtyjë për më shumë sulme amerikane ndaj programit bërthamor të Teheranit.

Netanyahu do të ngrinte gjithashtu çështjen e “rrezikut që Irani paraqet jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Bedrosian përpara se të fluturonte me kryeministrin izraelit.

Vizita e Netanyahut kulmon disa ditë të tensionuara diplomacie ndërkombëtare në Palm Beach, ku Trump priti homologun ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën për bisedime mbi përfundimin e pushtimit rus.

Armëpushimi në Gaza në tetor është një nga arritjet kryesore të vitit të parë të Trump në pushtet, por administrata e tij dhe ndërmjetësit rajonalë duan të ruajnë vrullin.

Koha e takimit të Netanyahut është “shumë domethënëse”, vlerëson Gershon Baskin, bashkëkryetari i komisionit të ndërtimit të paqes Aleanca për Dy Shtete, i cili ka marrë pjesë në negociata të fshehta me Hamasin.

“Faza e dytë duhet të fillojë”, i tha ai AFP-së, duke shtuar se “mendoj se amerikanët e kuptojnë se është vonë sepse Hamasi ka pasur shumë kohë për të rivendosur praninë e tij”.

“Mëkati zikaltër” i Gjimshitit/ Kapiteni i kombëtares shkakton gabim të madh në Atalanta-Inter

By: Rovena
29 December 2025 at 12:51

Nuk ishte në formën e tij më të mirë.

Këtë e kishte të qartë Berat Gjimshiti, por edhe trajneri i Atalantës, Paladino, ndonëse e hodhi titullar në një betejë shumë të ashpër në Serinë A.

Në Bergamo mbërriti Interi, ekipi që bashkë me Napolin dhe Milanin, janë pretendentët kryesorë për titull, dhe kapiteni i kombëtares shqiptare pati një mbrëmje për t’u harruar.

Gabimet e tij erdhën radhazi, dhe një herë u shpëtua nga pozicioni jashtë loje dhe nga ndërhyrja e VAR-it, një herë tjetër nga gabimi I sulmuesit zikaltër Markus Turam, ndërsa herën e tretë ishte gjithçka fatale.

Pasimi i tij i pakujdesshëm krijoi golin e vetëm të ndeshjes. Interi fitoi falë rrjetës së kapitenit Lautaro Martinez, dhe e mbajti vendin e parë në Serinë A me 36 pikë në 16 ndeshje, një më shumë se Milani e dy mbi Napolin.

Sa për Gjimshitin, vlerësimet nga mediat sportive italiane dhe kontinentale ishin negative. “La Gazeta delo Sport” i dha notën 4.5, duke e cilësuar më të keqin tek Atalanta.

“Eurosport” e veçon që në titull në faqen e portalit të tij, ndërsa i vendos notën 4 për gabimin e pafalshëm. Natyrisht, në paraqitjen e tij të dobët ndikoi fakti se erdhi direkt nga dëmtimi dhe nuk mund të kishte formën e duhur fizike dhe për të përballuar një ritëm kaq të lartë.

Mëkat, sepse kapiteni i Shqipërisë ka qenë vazhdimisht ndër më të mirët e Atalantës, madje dikur i shënoi Interit një gol të bukur, në fitoren e madhe bergamaske 4-1./abcnews.al

Kupa e Afrikës, fitojnë favoritët/ Algjeria konfirmohet pretendente, mund 1-0 Burkina Faso

By: Rovena
29 December 2025 at 12:44

Kupa e Kombeve të Afrikës vazhdon pa surpriza, ndërsa pas sfidave të dyta në grupe ka projektuar edhe favoritët e parë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit në këtë kontinent.

Mbi të gjithë Algjeria, që me pikë të plota dhe pa pësuar asnjë gol kryeson Grupin E. Rijad Mahrez ishte edhe një herë udhëheqësi i skuadrës së tij në fitoren 1-0 kundër Burkina Faso.

Ish futbollisti i Manchester City goditi saktë nga pika e penalltisë në minutën e 23-të, duke vulosur suksesin e dytë radhazi të Algjerisë, që deri tani ka shpërblyer parashikimet që e shohin mes pretendentëve në këtë edicion të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Por sfida më e madhe e mbrëmjes, ishte ajo mes Bregut të Fildishtë dhe Kamerunit, dy skuadrat që kanë shkruajtur historinë e futbollit afrikan, duke e prezantuar atë edhe në nivelet më të larta.

Nuk kishte fitues në përballjen mes tyre të luajtur në Marakesh, pavarësisht lojës së bukur. Amad Diallo i Manchester United kaloi në epërsi skuadrën e tij, por Bregu i Fildishtë ishte i pafat, pasi autogoli i Konan vendosi fatin e ndeshjes në barazim.

Me këtë rezultat, Bregu i Fildishtë dhe Kameruni kryesojnë me pikë të barabarta Grupin F./abcnews.al

Muçi, goli i muajit në Turqi/ Ylli shqiptar e fiton për herë të dytë këtë çmim individual

By: Rovena
29 December 2025 at 12:40

Një tjetër provë se është krejtësisht i veçantë. Klasi dhe eleganca e një ylli si Ernest Muçi u veçua sërish në Turqi, dhe futbollistit shqiptar i dhanë çmimin e golit më të bukur të muajit.

Superliga turke nuk pati menu më të shijshme në dhjetor sesa rrjeta e dytë që talenti kuqezi realizoi në ndeshjen Trabzonspor-Gëztepe.

Koordinimi dhe shkalla e vështirësisë ishin në nivele maksimale. Në atë sfidë të elitës turke, Muçi shënoi të dy golat, duke qenë më i miri në fushë.

Lojtari i përfaqësueses shqiptare e ka për herë të dytë këtë vlerësim individual. Më herët, ai fitoi çmimin e golit më të bukur të muajit nëntor për realizimin nga goditja e dënimit në sfidën Trabzonspor-Konjaspor që përfundoi 3-1.

Sipas të gjitha mundësive, kjo rrjetë e Muçit mund të jetë kandidate edhe për të fituar trofeun sezonal. Forma e tij ka qenë e shkëlqyer dy muajt e fundit.

Shqiptari 24-vjeçar ka realizuar 7 herë në vetëm 5 ndeshje, duke u kthyer në lojtarin më të mirë të ekipit, dhe në shpresën kryesore për të pretenduar titullin kampion në Turqi./abcnews.al

“Mbretërit” kthejnë Lakers te fitorja/ Luka Donçiç dhe LeBron James nxjerrin nga kriza skuadrën e tyre

By: Rovena
29 December 2025 at 12:37

Nuk është momenti më i mirë i sezonit, por për momentin te Los Angeles Lakers mund të festojnë.

Pas dy humbjeve radhazi dhe kritikave për rendimentin e dobët të yjeve të saj, skuadra kaliforniane u kthye te suksesi në NBA, duke mundur bindshëm Sacramento me 24 pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 125-101.

Luka Donçiç u kthye sërish ai I fillimit të sezonit. Basketbollisti slloven ishte më i miri në parket me 34 pikët e shënuara.

Ashtu si në ndeshjet e fundit, Donçiç kishte një mesatare të dobët në goditjet për tre, gjithsesi kontribuoi edhe me pesë topa të kapur në tabelë dhe shtatë asist për shokët e skuadrës.

Një paraqitje të mirë bëri edhe LeBron James. “Mbreti” shënoi 24 pikë dhe u ipenjua shumë në mbrojtje, duke bërë një autokritikë për sfidat e fundit nën nivel.

Po ashtu, meritë në suksesin e Lakers kishte edhe Nick Smith Jr, që shënoi 21 pikë të tjera nga stoli.

Nga ana tjetër, Sacramento Kings bënë një sfidë të dobët, nga e cila mund të shpëtojë vetëm DeMar DeRozan, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan.

Në hije qëndroi Rusell Wtbrook, që gjithsesi me 13 pikët e shënuara mund të shijojë një krenari personale, pasi u ngjit në vendin e 16 të realizuesve më të mirë në historinë e NBA.

 

Trump-Zelensky: Vlerësime pozitive pas takimit në Florida

By: Rovena
29 December 2025 at 12:15

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, folën pozitivisht për bisedimet e zhvilluara në Florida. Trump tha se kishte pasur “progres të madh” dhe se ata ishin shumë më afër një marrëveshjeje ruso-ukrainase, por shtoi, se mbeteshin një ose dy çështje të vështira. Javët në vijim do të tregojnë nëse mund të arrihet një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Zelensky, nga ana e tij, tha se pati një diskutim të shkëlqyer me Trump.

Asnjëra palë nuk dha detaje specifike, nëse ka progres në lidhje me lëshimet territoriale. Vlerësimet për gjendjen aktuale të bisedimeve gjithashtu ndryshonin në disa aspekte – për shembull, në lidhje me garancitë e sigurisë që synojnë të parandalojnë Rusinë nga një pushtim i ri i Ukrainës pas një armëpushimi të mundshëm. Zelensky deklaroi se kjo çështje ishte zgjidhur 100 për qind, ndërsa presidenti i SHBA-së tha se ishte zgjidhur 95 për qind.

Evropianët të lidhur me video

Delegacionet nga Ukraina dhe SHBA-ja ishin takuar më parë në pronën private të Trumpit në Mar-a-Lago. Sipas presidentit amerikan, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane iu bashkuan takimit në distancë. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në platformën X se ishte bërë përparim i mirë gjatë videokonferencës që zgjati afërsisht një orë. Evropa është e gatshme të vazhdojë të punojë me Ukrainën dhe partnerët e saj amerikanë për të konsoliduar këtë përparim. “Garancitë e palëkundura të sigurisë” që nga dita e parë janë thelbësore.

Trump: “Qëllime serioze për paqen” edhe tek Putini

Përfaqësuesit e Rusisë, e cila e filloi luftën pothuajse katër vjet më parë, nuk ishin të pranishëm në bisedimet dypalëshe; SHBA-të e shohin veten si ndërmjetës në konflikt. Megjithatë, Trump deklaroi pas takimit se Rusia do të ndihmonte në rindërtimin e Ukrainës. Ende nuk ka pasur asnjë deklaratë nga qeveria në Moskë pas takimeve. I dërguari i posaçëm rus, Kirill Dmitriev, shkroi në një reagim fillestar ndaj takimit në X: “E gjithë bota i njeh përpjekjet për paqe të Presidentit Trump dhe ekipit të tij.”

Presidenti amerikan ishte shprehur para takimit, se ishte i bindur se mund të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Presidenti rus Vladimir Putin, ashtu si Zelensky, ka qëllime “serioze” për paqen, tha Trump. Trump theksoi se Ukraina do të merrte garanci “të forta” sigurie në rast të një marrëveshjeje mbi një plan paqeje, në të cilin do të marrin pjesë edhe evropianët. Pas takimit në Florida, Zelensky tha, se ekipet negociuese nga të dy vendet do të takoheshin përsëri në javët e ardhshme për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuara. Presidenti ukrainas njoftoi se një takim me Trumpin, ukrainasit dhe evropianët mund të zhvillohet në Uashington në janar./DW

Vlorë, banorët në protestë/ Katër ditë pa ujë, kërkojnë zgjidhje nga bashkia

By: Rovena
29 December 2025 at 10:26

Mungesa e ujit të pijshëm për të katërtën ditë radhazi, ka nxjerrë qytetarët e Vlorës në protestë. Qytetarët protestojnë para dyerve të bashkisë së Vlorës dhe kërkojnë zgjidhje të këtij problemi.

Plani i paqes, asnjë përparim/ Takimi Trump-Zelensky, nuk ka zgjidhje për Donbasin dhe garancitë e sigurisë

By: Rovena
29 December 2025 at 10:13

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky janë shumë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por fati i rajonit të Donbasit mbetet ende çështja kryesore e pazgjidhur.

Të dy udhëheqësit u takuan në vendpushimin e presidentit amerikan në Mar a Lago, Florida pasditen e së dielës.

Bisedimet sollën përparim në lidhje me garancitë e sigurisë që Ukraina kërkon për t’i dhënë fund luftës, por ende nuk ka një dakordësi të plotë.

Si Trump ashtu edhe Zelensky ofruan pak detaje dhe nuk dhanë një afat kohor për firmosjen e një marrëveshjeje paqeje, megjithëse Trump tha se do të jetë e qartë brenda disa javësh nëse negociatat për t’i dhënë fund luftës do të kenë sukses.

Zelensky tha se është arritur një marrëveshje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën. Trump ishte pak më i kujdesshëm, duke thënë se ata ishin 95% të rrugës drejt një marrëveshjeje të tillë dhe se ai priste që vendet evropiane të merrnin përsipër një pjesë të madhe të kësaj nisme me mbështetjen e Uashingtonit.

“Diskutuam të gjitha aspektet e kornizës së paqes që dhe kemi arritje të mëdha, një plan paqeje me 20 pika të dakordësuar 90%. Ramë dakord që garancitë e sigurisë janë momenti kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet. Ukraina është gati për paqe, dhe do të doja të falënderoja Presidentin Trump për një pritje të ngrohtë dhe diskutim thelbësor”, tha Zelensky.

Por nëse garancitë e sigurisë janë një pikë e negociueshme, çështja e territoreve duket se kalon një vijë të kuqe, si për Kievin, ashtu edhe për Moskën.

Trump e konfirmoi se mosmarrëveshjet për tokën mbeten një pikë ngërçi, por sipas tij Vladimir Putin dëshiron paqe, edhe pse Rusia nisi një tjetër raund sulmesh teksa Zelensky udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.

“Toka për të cilën po flasim, një pjesë e asaj toke është marrë. Një pjesë e asaj toke ndoshta është e disponueshme për t’u marrë, por mund të merret gjatë periudhës së ardhshme prej disa muajsh. Dhe është më mirë të bëhet një marrëveshje tani. Ukrainasit kanë qenë shumë të guximshëm. Ata luftuan shumë fort dhe vazhdojnë të luftojnë shumë fort dhe të shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme”, tha Trump.

Madje në një moment Trump tha se Rusia dëshiron që ta shohë Ukrainën të ketë sukses, gjë që u ndesh me reagimin e presidentit Zelensky.

Pas diskutimit të tyre, Zelensky dhe Trump thirrën një grup udhëheqësish evropianë, përfshirë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, dhe udhëheqësit e Finlandës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë.

Trump mori gjithashtu një ftese për t’iu drejtuar parlamentit të Ukrainës, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje./abcnews.al

❌
❌