Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në Cuneo, Itali, kur makina e tyre “Jeep Avengers” u përplas me një kamion.
Aksidenti ndodhi pasditen e së enjtes në Savigliano, ku dy viktimat, rreth të njëzetave, humbën jetën në vend.
Dy persona të tjerë u plagosën dhe janë në kujdes mjekësor në spitalet lokale.
Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit arritën të nxjerrin trupat e viktimave, ndërsa rruga u bllokua për hetime. Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Një tentim-vjedhje është parandaluar mbrëmjen e vonë në lagjen Dardania në Prishtinë, ku policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka ndaluar tre të mitur të dyshuar, njërit prej të cilëve i është gjetur edhe armë e ftohtë.
Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 29 janar 2026 rreth orës 23:30, në një lokal afër Postës së Kosovës. Njësitë policore kanë reaguar pas pranimit të informatës për vjedhje në progres në lokalin “Rogos”.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur tre persona të dyshuar duke tentuar të kryejnë vjedhje. Të njëjtit janë ndaluar menjëherë dhe janë shoqëruar në Stacionin Policor.
Sipas të dhënave fillestare, të dyshuarit nuk kanë arritur të marrin asgjë nga lokali, por kanë shkaktuar dëme materiale duke dëmtuar një karrige, me vlerë të raportuar rreth 60 euro nga pronari i lokalit.
Gjatë kontrollit trupor, tek njëri nga të dyshuarit, E.S., i mitur, është gjetur një thikë xhepi, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Me udhëzim të prokurorit kujdestar për të mitur, dy të dyshuarit E.S. dhe B.B. janë dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa i mituri tjetër O.M. është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është iniciuar për veprat penale vjedhje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Rreth orës 06:15, në rrugën Shishtavec-Kukës, një aksident i rëndë ka ndodhur, ku shtetasi G. N., 30 vjeç, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka aksidentuar këmbësoren Sh. N., 49 vjeçe, banuese në Kukës.
Shtetasja Sh. N. është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bashkimit Evropian për të shpallur Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) si organizatë terroriste.
Në një deklaratë, Irani e cilëson këtë vendim si “irracional” dhe “keqdashës”, duke theksuar se është marrë nën presionin e SHBA dhe Izraelit.
Shtabi iranian theksoi se IRGC është një institucion legjitim dhe se ky vendim i BE-së është një shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit kombëtar.
Dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike në shkollën e mesme në Ferizaj rreth orës 09:25 të djeshme, në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve.
Ngjarja është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, për Gazetën Sinjali, ku sipas tij, të dy mësimdhënësit janë intervistuar nga policia dhe rasti është regjistruar si “shënim zyrtar” me urdhër të prokurorit.
“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës. Të dyja palët janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve. Me urdhër të prokurorit, rasti është përpiluar “shënim zyrtar”, konfirmoi Veseli.
Një incident i rëndë mes të miturve ka ndodhur në fshatin Arllat të Gllogocit, ku një fëmijë ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka përfunduar në trajtim mjekësor, ndërsa ndaj dy të miturve të dyshuar është iniciuar procedurë penale edhe për armë të ftohtë.
Ngjarja ka ndodhur më 28 janar 2026 rreth orës 13:00, pranë marketit “Beni” në Arllat. Rasti është bërë i ditur pasi QKMF në Komoran ka njoftuar policinë rreth orës 21:50 se një i mitur ishte paraqitur me lëndime dhe po merrte tretman mjekësor. Më pas viktima është dërguar për trajtim edhe në QKUK në Prishtinë.
Sipas deklarimit të viktimës O.B., i lindur më 2012, ai është sulmuar nga dy bashkëmoshatarë, të identifikuar me inicialet A.G. dhe B.B., të cilët e kanë goditur me grushte në kokë dhe në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime serioze.
Zhvillim i ri në rast ka ndodhur një ditë më pas. Më 29 janar 2026 rreth orës 12:30, drejtoresha e shkollës “Abedin Bujupi” në Arllat ka gjetur një mjet të mprehtë, thikë, në posedim të të miturit A.G., i cili dyshohet si një nga të përfshirët në rrahje. Mjeti është konfiskuar nga policia.
I dyshuari është intervistuar në prani të zyrtarit të QPS-së, avokatit mbrojtës dhe kujdestarit ligjor. Me rekomandim të prokurores për të mitur, ndaj rastit janë iniciuar dy vepra penale: lëndim i rëndë trupor dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.
Dy të miturit e dyshuar janë ndaluar për 24 orë në qendrën e mbajtjes, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim.
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka theksuar se skuadra e tij ka pasur vështirësi të thyente blloqet e ulëta kundërshtare këtë sezon.
Pavarësisht përpjekjeve për të përdorur goditje standarde dhe shpejtësi në sulm, Liverpooli ka patur probleme për të gjetur rrugën e duhur për të shënuar kundër mbrojtjeve të thella.
Tifozët dhe figura publike, si Steven Gerrard, kanë shprehur frustrim për përdorimin e përsëritur të termit “bllokime të ulëta”.
Slot po kërkon zgjidhje, ndërsa do të vazhdojë të eksperimentoje me strategji të reja për të adresuar këtë problem në gjysmën e dytë të sezonit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Një aksion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga njësia për hetimin e trafikimit me narkotikë në rajonin e Prizrenit ka rezultuar me bastisje në katër lokacione në Suharekë dhe rrethinë, ku përfunduan në pranga tre persona, mes tyre edhe i njohuri me nofkën “Baba Syl”.
Siç ka raportuar ekskluzivisht Sinjali, operacioni është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore dhe në koordinim me prokurorin kompetent.
Bastisjet janë kryer pas hetimeve në vazhdim për veprat penale që lidhen me narkotikë dhe armë pa leje. Aksioni është zbatuar rreth mesditës dhe ka përfunduar pas disa orësh kontrollesh intensive në terren.
Sipas të dhënave nga veprimet hetimore, janë bastisur këto lokacione:
Shtëpia dhe objektet përcjellëse të Sylejman Kryeziut në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë.
Shtëpia dhe objektet përcjellëse të Armend Kryeziut në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë.
Shtëpia dhe objektet përcjellëse të Fatlum Fandajt në fshatin Peqan, Komuna e Suharekës.
Lokali “Buble” në rrugën “Abdyl Ramaj” në Suharekë, në shfrytëzim të Armend Kryeziut.
Gjatë kontrolleve në këto lokacione, policia ka sekuestruar:
Substancë narkotike e dyshuar marihuanë në disa qese plastike me peshë të përgjithshme rreth 508 gram.
Dy doza substancë e dyshuar e llojit kokainë me peshë rreth 2.05 gram.
Një peshore elektronike për matjen e narkotikëve.
Një pistoletë e tipit M57 me një karikator dhe 5 fishekë.
Dy automjete, një kamionetë VW dhe një veturë Peugeot.
Para të gatshme rreth 2500 euro, si dhe 500 franga zvicerane dhe 2400 euro shtesë të gjetura gjatë kontrollit.
Katër telefona mobil dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Pas bastisjeve, janë shoqëruar në polici dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës: Sylejman Kryeziu, Armend Kryeziu dhe Fatlum Fandaj, të cilëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq, edhe dy persona të tjerë, Betim Berisha dhe Elton Kabashi, janë proceduar në procedurë të rregullt për posedim të substancave narkotike.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar nga njësia antidrogë në Prizren dhe nuk përjashtohen veprime të tjera në vijim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së enjtes në fshatin Bajë të Skenderajt, ku një burrë i moshuar është gjetur pa shenja jete në stallën e bagëtive.
Siç mëson Sinjali, rreth orës 14:00, Policia ka pranuar informacion për një vdekje të dyshimtë në këtë fshat. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, bashkë me mjekun kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, Belko Simic, 73 vjeçar.
Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes dhe deklarimeve të personave që kanë qenë aty pranë, dyshohet se viktima ka pësuar goditje fatale në kokë nga një lopë, derisa ishte duke u kujdesur për bagëtinë në stallë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë hetimore dhe ekipi i mjekësisë ligjore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes. Hetimet janë në zhvillim.
TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder deklaroi sot se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara dhe të mos dramatizojë gjithçka me koktejle molotovi.
Në një konferencë për shtyp, Schieder u shpreh se aktorët politikë duhet të argumentojnë fort në skenën politike.
“Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Mbi 90% e qytetarëve shqiptarë duan integrimin në BE. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’i tregojë Shqipëria Europës, që është një vend i bashkuar dhe ka një qasje të bashkuar”, tha Schieder.
Schieder vlerësoi se aktualisht në Shqipëri ka unanimitet për disa çështje të politikës së jashtme, ndërsa theksoi se “do të donte shumë që unanimitet të ketë edhe për çështje të tilla europiane”.
Ndaj Schieder theksoi se nevojitet përmirësimi i kulturës politike.
“Në parlament ka hapësirë për deputetët e opozitës dhe të dhe mazhorancës të diskutojnë këto çështje. Pra, është demokraci normale ku ke mosdakordësi, por mos ta dramatizojmë situatën më shumë se sa duhet. Këtu mësova se situata është më pak dramatike se sa na duhet. Unë do të zgjidhja funksionimin normal të një demokracie”, shtoi ai. /j.p/
Raportuesi i PE për Shqipërinë, Andreas Schieder në Tiranë, foto: Andrin Hoxha
TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder bëri thirrje sot që institucionet të mbështesin punën e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në një konferencë për shtyp, Schieder u pyet nga mediet mbi çështjen për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë drejtim, Schieder u shpreh se PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore.
“Ky është edhe një standard i mirë europian por institucionet duhet të kryejnë punën e tyre. Në këtë rast SPAK duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre dhe gjithçka që mendojnë se është e nevojshme në bazë të legjislacionit. Ne kemi thënë që të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Por PE nuk mund të ndërhyjë dhe të bëjë komente për ndonjë rast specifik”, tha ai.
Schieder shprehu bindjen se në Kuvend do të bëhen diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura në bazë të Kushtetutës ose të rregullores. /j.p/
TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder vlerësoi se Shqipëria ka pasur një ecuri madhore në negociatat për integrimin në Bashkimin Europian, por nevojitet zbatimi i legjislacionit.
Gjatë një konference për shtyp, Schieder u shpreh se nëse vlerësimi i Komisionit do të ecë mirë, në pranverë do të fillojnë të mbyllen kapitujt dhe Shqipëria do të vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin.
“Por nuk është vetëm çështja për miratimin e legjislacionit. Ideja e legjislacionit dhe miratimit të tij është t’i afrohemi standardeve europiane në zbatim dhe të kemi harmonizim më të mirë mes standardeve në Shqipëri dhe atyre në BE”, tha ai.
Schieder vlerësoi se Shqipëria ka vendosur që të jetë tejet e vetëdijshme dhe t’i përkushtohet reformave sidomos për luftën kundër krimit të organizuar.
“Që para 10 vitesh Shqipëria ka ndërmarrë hapin e paprecedentë për të bërë vetingun e gjyqtarëve. Kjo ka sjellë ndryshimin e perceptimit të publikut”, shtoi ai. /j.p/
TIRANE, 30 janar/ATSH/ Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projektet fituese të dy studiove prestigjioze nga Meksika, Taller Hector Barroso dhe Rojkind Arquitectos, të cilat morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve.
Juria ndërkombëtare vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej tyre nuk ishin plotësisht i suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve, Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore.
Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.
Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.
Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.
Ato janë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës publike nëpërmjet partneritetit publik-privat. Këto projekte synojnë të krijojnë kushte moderne dhe dinjitoze, veçanërisht për fëmijët në nevojë, si dhe hapësira funksionale për administratën shtetërore.
Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të këtij muaji, ndonëse deri pak ditë më parë sistemi SelfCare (SC), platforma përmes së cilës kryhen raportimet dhe komunikimi me Tatimet, ka qenë jashtë funksionit.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bizneset duhet të dërgojnë brenda 31 janarit 2026 të gjitha informacionet që lidhen me inventarët, përfshirë produktet, mallrat, çmimet dhe të dhëna të tjera përkatëse.
Në njoftimin zyrtar, Tatimet paralajmërojnë se mosdorëzimi i inventarit në afat, pasaktësitë apo mospërputhjet me të dhënat e fiskalizimit mund ta klasifikojnë tatimpaguesin si subjekt me risk. “Bazuar në analizën e riskut, duke marrë në konsideratë një sërë indikatorësh si mosdorëzimi në afat, pasaktësia e inventarit apo mospërputhja me të dhënat e fiskalizimit, tatimpaguesi mund të konsiderohet me risk dhe të bëhet objekt i verifikimit në vend për saktësinë e këtij inventari”, thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore.
Ndërkohë, që prej fillimit të këtij viti, sistemi SelfCare, ku bizneset raportojnë të dhënat e kërkuara dhe komunikojnë me Tatimet, nuk ka funksionuar për periudha të gjata, duke pamundësuar kryerjen e procedurave brenda afateve ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilirjan Binaj, u shpreh disa ditë më parë se probleme të tilla ndodhin kudo dhe se bizneset “mund t’i raportojnë të dhënat në një moment të dytë”. Megjithatë, sipas bizneseve, koha e mbetur deri në fund të afatit ligjor nuk është e mjaftueshme për të përmbushur detyrimet, veçanërisht pas bllokimit të sistemit.
Më 29 janar, Administrata Tatimore njoftoi se sistemi SelfCare ishte vënë sërish në funksion dhe këshilloi që, në rastet kur SC nuk punon, bizneset të lëshojnë fatura të pafiskalizuara, duke i raportuar ato më pas.
Në të njëjtën ditë kur Donald Trump po tërhiqej nga përpjekja e tij për të aneksuar Groenlandën, një mijë milje më larg, Ivanka Trump po i tregonte të atit se si bëhet kjo punë: duke marrë për vete një ishull.
Zonja Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, këshilltar jozyrtar i presidentit, kanë siguruar një marrëveshje për ta kthyer Sazanin, një nga ishujt e fundit të pabanuar në Mesdhe, në një resort turistik luksoz.
Ndërsa presidenti vlerësohet se ka fituar të paktën 1.4 miliardë dollarë (1 miliard paund) gjatë vitit të kaluar, sipas një analize të New York Times, edhe vajza dhe dhëndri i tij po ecin shumë mirë. Marrëveshja shqiptare, e ngritur gjatë periudhës kur Donald Trump ishte jashtë detyrës, është një tjetër shembull i familjes që pasurohet.
Zonja Trump, 44 vjeçe, ishte në humor të shkëlqyer të mërkurën e kaluar, ndërsa autokolona e saj hynte në qytetin turistik shqiptar të Orikumit, e shoqëruar nga Edi Rama, kryeministri jetëgjatë i vendit.
Zonja Trump u pa me një buzëqeshje të madhe në fytyrë dhe, si gjithmonë, shumë elegante, e veshur me një pallto të gjatë ngjyrë bezhë, taka të larta dhe me një çantë dore firmato në dorë.
Nuk është çudi që zonja Trump po buzëqeshte. Madje, ajo mund të jetë duke qeshur deri në bankë, pasi ka marrë shembull nga libri i të atit i vitit 1987, “Art of the Deal”.
Ivanka Trump dhe Edi Rama të fotografuar së bashku në Shqipëri
Marrëveshja e arritur, përmes subjektit të zotit Kushner, Atlantic Incubation Partners LLC, vlerësohet rreth 1 miliard paund (1.4 miliardë dollarë). Ky subjekt nga ana tjetër, është i lidhur me Affinity Partners, një fond kapitali privat i krijuar nga Kushner në muajt pas largimit nga detyra si këshilltar i vjehrrit të tij në vitin 2020. Fondi tërhoqi miliarda dollarë, një pjesë e madhe e të cilave nga një fond pasurie sovran saudit.
Marrëveshjet e Kushner kanë ngritur vetulla, ashtu si edhe ato të djemve të presidentit. Eric dhe Donald Junior, që drejtojnë The Trump Organisation (të dy janë zëvendëspresidentë ekzekutivë), mbikëqyrin portofolin e gjerë të pronave, hoteleve dhe fushave të golfit të babait të tyre dhe kanë nisur sipërmarrje fitimprurëse në kriptomonedha, të cilat kanë gjeneruar qindra miliona dollarë në vitin e parë të mandatit të dytë të babait të tyre.
Por është shkruar pak për syrin e zonjës Trump për marrëveshje. Udhëtimi i saj në Shqipëri javën e kaluar hedh pak më shumë dritë mbi aktivitetet e saj për të bërë para.
Ambiciet e saj dhe të bashkëshortit nuk ndalen vetëm te një ishull shqiptar. Zonja Trump ka hedhur sytë edhe nga Zvërneci, i lidhur me tokën nga një urë druri rreth 400 metra e gjatë, ku ndodhet një manastir dhe një fshat piktoresk.
Edhe pjesë të tjera të afërta të bregdetit, një nga zonat e fundit të paprekura të Mesdheut, thuhet se janë tërheqëse për çiftin.
Ivanka Trump, nënë e tre fëmijëve, kaloi tre ditë në Shqipëri javën e kaluar. Dikur shteti më i ashpër komunist i Europës, vendi është transformuar gjatë 13 viteve të drejtimit të Rama. Socialist në letër, ai e kupton mirë mençurinë e afrimit me vajzën dhe dhëndrin e presidentit amerikan.
Marrëveshja që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë ndërtuar ka qenë një sukses i madh për Rama. “Na duhet superluksi siç i duhet ujë shkretëtirës,” ka deklaruar ai, duke përqafuar vizionin Kushner/Trump.
Komiteti për Investimet Strategjike i Shqipërisë, të cilin zoti Rama e kryeson si kryeministër, i dha dritën jeshile projektit për zhvillimin e ishullit të Sazanit më 30 dhjetor 2024, disa javë pasi zoti Trump fitoi Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë dhe tre javë përpara se të merrte detyrën.
Komiteti shqiptar pranoi propozimin për ndërtimin e një resorti luksoz me hotel dhe vila private në ishullin ish-ushtarak, i cili deri në fund të Luftës së Ftohtë kishte qenë bazë sekrete ushtarake për nëndetëse.
Marrëveshja pritet të krijojë rreth 1,000 vende pune në rajon dhe ta shndërrojë ishullin, i cili nuk ka ujë të pijshëm, në një parajsë turistike luksoze.
Atlantic Incubation Partners regjistroi “Sazan” si markë tregtare në tetor 2024 për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh, përfshirë parfume, peshqirë, veshje plazhi dhe klube nate.
Vendimi me shkrim i komitetit thoshte se korporata shtetërore shqiptare e investimeve do të krijonte një “entitet të përbashkët ligjor” me mjetin Kushner/Trump për të realizuar punimet masive të ndërtimit.
Një ilustrim se si mund të duket resorti në Sazan
Deputetë të opozitës kanë vënë në dyshim marrëveshjen dhe kanë ngritur shqetësime për transparencën e saj. Nuk është e qartë nëse biznese të tjera patën mundësi të konkurrojnë.
Redi Muçi, deputet nga Lëvizja Bashkë, një parti opozitare e majtë, tha: “Procesi i shndërrimit të ishullit të Sazanit në një zonë ku do të ndërtohet një resort luksoz ka qenë i njëjtë me shumë raste të ngjashme ku të ashtuquajturit ‘investitorë strategjikë’ janë përzgjedhur personalisht nga kryeministri Edi Rama: marrëveshje të mbyllura, të bëra në ambiente private, të arritura plotësisht larg syrit të publikut.”
Edhe ambientalistët janë të alarmuar. Javën e kaluar, 41 organizata i dërguan një letër proteste zotit Rama duke kërkuar pezullimin e marrëveshjes për Sazanin.
Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, tha se plani ishte “krejtësisht i papranueshëm”, pasi si zhvillimi në Sazan ashtu edhe ai në Zvërnec ndodhen në “zona që janë pjesë e trashëgimisë natyrore të vendit dhe kanë status të mbrojtur ligjor pikërisht për shkak të vlerës së tyre unike ekologjike”.
Marrëveshjet në Shqipëri kanë ngritur tashmë pikëpyetje edhe në Uashington, ashtu si edhe një tjetër e planifikuar në Serbi. Sërish përmes Atlantic Incubation Partners, qeveria serbe ra dakord për një sipërmarrje të përbashkët për rizhvillimin e kompleksit të ish-shtabit të forcave të armatosura në Beograd, i bombarduar nga NATO në vitin 1999.
Marrëveshja, e nënshkruar në shkurt 2024, u bë publike vetëm nga një revistë investigative e pavarur në Serbi në nëntor të vitit të kaluar. Kushner planifikon ta kthejë zonën në një kompleks hotelesh me një muze kushtuar “viktimave të agresionit të NATO-s”.
Zoti Kushner po ecën me vrull. Sipas Forbes, ai dhe bashkëshortja e tij tani vlerësohen rreth 1.1 miliardë dollarë (797 milionë paund), duke e bërë çiftin anëtarët e dytë më të pasur të familjes Trump pas presidentit.
Çifti mendohet se vlen rreth 1.1 miliardë dollarë
Kushner ka duart në shumë projekte, duke punuar për vjehrrin e tij në një rol këshillues jozyrtar, njeriu i besuar i zotit Trump për të zgjidhur paqen botërore. Nëse zoti Kushner arrin diçka me planet e tij për Gazën dhe bisedimet me Vladimir Putinin, ai do të shpresojë t’i sjellë zotit Trump atë që presidenti duket se e dëshiron më shumë se gjithçka tjetër: Çmimin Nobel për Paqen.
Në Davos, ndërsa bashkëshortja e tij po shijonte bukuritë e Shqipërisë, zoti Kushner, 45 vjeç, po prezantonte “planin e tij madhor” për ta kthyer Gazën në një resort turistik me 180 rrokaqiej buzë detit.
Më pas ai zhvilloi një takim ballë për ballë me Putinin në Kremlin për të shtyrë përpara një marrëveshje paqeje në Ukrainë, i shoqëruar nga Steve Witkoff, një tjetër zhvillues pasurish të paluajtshme dhe i dërguar special i zotit Trump për Lindjen e Mesme.
Ka pasur shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi, kryesisht nga demokratët, megjithëse ka edhe pakënaqësi mes mbështetësve brenda administratës Trump. Një burim i afërt tha: “Kjo ka krijuar një farë ndjenje shqetësimi. Por Jared ka botën e tij të biznesit për të ndërtuar dhe ka të drejtë ta bëjë.”
Zoti Kushner ishte zyrtar dhe këshilltar i lartë në presidencën e parë të Trump, duke punuar në një sërë çështjesh, nga zhvillimi i vaksinave kundër Covid-19 deri te reforma e drejtësisë penale, si edhe duke qenë negociatori kryesor dhe arkitekti i Marrëveshjeve të Abrahamit, që normalizuan marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe disa vendeve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.
Si Jared ashtu edhe Ivanka ishin këshilltarë të lartë gjatë mandatit të parë të Trump. Zonja Trump u largua nga politika gjatë mandatit të dytë për t’u fokusuar te familja.
Pak pas humbjes së zotit Trump në vitin 2020, Kushner krijoi Affinity Partners, një kompani kapitali privat me seli pranë Majamit (ku jetojnë ai dhe zonja Trump), që menaxhon 3 miliardë dollarë fonde, përfshirë 2 miliardë dollarë nga fondi publik i investimeve i Arabisë Saudite. Deri në vitin 2024, Affinity kishte përfituar 157 milionë dollarë në tarifa menaxhimi. Atlantic Incubation Partners është e regjistruar në të njëjtën adresë në Florida.
Miqtë e Jared Kushner nuk shohin asnjë problem me konfliktet e mundshme. Ata besojnë se ai është një njeri që di t’i çojë punët deri në fund, qoftë rindërtimi i Gazës sipas vizionit të tij dhe të vjehrrit, apo ndërtimi i resorteve në Shqipëri.
“Jared është një negociator i shkëlqyer,” tha një mik. “Ai e di çfarë do dhe shkon drejt saj. Nuk flet kot; është shumë i qetë dhe nuk humbet kurrë toruan.”
Ivanka Trump në një restorant në Shqipëri
Në Shqipëri, të mërkurën e kaluar, Ivanka Trump dhe Rama diskutuan planet për rizhvillimin e bregdetit gjithnjë e më në modë të vendit gjatë një vakti në resortin luksoz Bojo.
Rama mund të kishte qenë në Davos. Ai pritej të prezantohej si anëtar i Bordit të ri të Paqes të presidentit Trump (ku zoti Kushner është në bordin ekzekutiv), por preferoi të qëndronte në Shqipëri.
“Duhej të bëja një zgjedhje: t’i përgjigjesha babait apo ta prisja vajzën këtu në Shqipëri, dhe zgjodha vajzën,” u tha Rama deputetëve shqiptarë, duke shtuar: “Dhe sigurisht e zgjodha vajzën me lejen e babait.”
Ivanka, e cila u konvertua në judaizëm në vitin 2009 përpara se të martohej me Kushner, nip i të mbijetuarve të Holokaustit, kishte kërkuar një vakt kosher, tha shefi i kuzhinës Henri Fejzulla, i cili u njoftua vetëm disa orë përpara se të mbërrinte shoqëria.
“Menyja e përzgjedhur u përgatit me një procedurë të veçantë, ne ndoqëm metodën kosher,” tha ai, duke shtuar: “U njoftuam rreth mesditës. Më herët, dikush nga stafi i Ivanka Trump na tha se mishi ishte i ndaluar, skuqja ishte e ndaluar dhe enët duhej të ishin shumë të pastra. Na kërkuan disiplinën më të lartë.”
“Kërkuan një sallatë jeshile me perime vendase, makarona paccheri të ziera dhe të marinuara me borzilok dhe vaj ulliri. Receta të thjeshta, sepse skuqja ishte e ndaluar, si edhe fileto peshku me perime. Ishte e vështirë për nga metoda e gatimit, por me produkte të thjeshta, natyrale.”
“Mora përshtypjen nga salla e ngrënies, më thanë se ishte shumë mirë. Ivanka ishte e thjeshtë, shumë modeste,” tha shefi i kuzhinës më pas.
Ivanka duket se e shijoi vizitën. “Shqipëria është magjike!” shkroi ajo në Instagram, duke shoqëruar postimin me një foto të gjurmëve në rërë që çonin drejt ujërave ende të ngrohta të Mesdheut në dimër.
Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duket se asgjë nuk do t’i ndalë Kushner dhe Ivankën në tre vitet e ardhshme e më tej. Me zgjuarsinë e tij në biznes dhe sharmin e saj, çifti mund të pushtojë botën.
Tre persona të arrestuar për laboratorin e drogës, i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë–Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç (babë e bir), si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërsa për punonjësin e OSHEE-së, Gjon Doda, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Laboratori i drogës u zbulua mbrëmjen e së hënës, ku nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.
Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive. /Tch/Telegrafi/
Dollari i SHBA-së po vazhdon të humbasë vlerën kundrejt monedhave të tjera të rëndësishme duke ndjekur kësisoj tendencën e vitit 2025. Vitin e kaluar monedha amerikane shënoi humbjen më të fuqishme që prej gati një dekade.
Minusi kundrejt një grupi monedhash të tjera më 2025 përbënte rreth 10 për qind. Që nga fillimi i vitit 2026 rënia ka qenë edhe me minus 2,6 për qind të tjera.
Humbja e vlerës së dollarit ka pasoja ndaj euros dhe monedhave të tjera. Monedha e përbashkët evropiane për herë të parë që nga viti 2021 ka arritur vlerën 1,20 dollarë të SHBA-së. Edhe funta britanike dhe yeni japonez janë rritur kundrejt dollarit në nivelet më të larta.
Disa ekonomistë dhe analistë i shpjegojnë humbjet e vazhdueshme të vlerës së dollarit me mungesën e besimit të investitorëve tek monedha e SHBA-së, sepse paparashikueshmëria e politikës së presidentit amerikan, Donald Trump vazhdon të japë shkas për shqetësime.
Ka edhe një tjetër këndvështrim, sipas të cilit vet Trump dhe shumë pjesëtar të ekipit të tij për ekonominë e dëshirojnë një humbje vlere të dollarit, me shpresën, që eksportet nga SHBA të jenë me çmime më të favorshme dhe në këtë mënyrë të rritet aftësia e konkurrencës.
Trump nuk është përpjekur ta hedhë poshtë këtë hamendësim. Përkundrazi, kur e pyetën këtë javë, nëse shqetësohet për dollarin e dobët, ai u përgjigj: "Jo, kështu është shumë mirë."
Stephen Miran, ish-kryetar i shtabit të këshilltarëve ekonomik të Trumpit dhe tani anëtar i këshillit administrativ të Bankës së Rezervave të SHBA-së, Fed, në nëntor 2024 publikoi një "Udhëzues për ristrukturimin e sistemit global të tregtisë". Doganat dhe zhvleftësimi i dollarit u paraqitën si instrumenta të rëndësishme, për ta ulur deficitin tregtar të SHBA-së.
Përse e prek kjo Evropën?
Dobësimi i dollarit ka efekt jo vetëm ndaj ekonomisë së SHBA-së, por ka edhe pasoja për ekonominë e eurozonës dhe për euron. Monedha e përbashkët në 2025 ka fituar 13 për qind vlerë kundrejt dollarit - rritja më e fuqishme që nga viti 2017.
Forcimi i euros luan "një rol të rëndësishëm për rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe gjendjen financiare të buxheteve" në BE, thotë Jack Allen-Reynolds, zëvendës-kryeekonomist për eurozonën në Capital Economics.
"Një euro më e fuqishme ul aftësinë konkurruese të eksporteve, gjë që dëmton prodhuesit në rajon", thotë për DW Allen-Reynolds. "Nga ana tjetër importet janë më të lira, gjë çon në uljen e çmimeve për konsumatorët."
Ricardo Amaro, kryeekonomist për eurozonën në Oxford Economic tërheq vëmendjen, se një rritje e mëtejshme e euros kundrejt dollarit mund të prekë gjithnjë e më shumë aftësinë e konkurrencës të sipërmarrjeve evropiane, të cilat eksportojnë në SHBA.
Kjo vërtetë kompensohet nga çmimi i favorshëm i produkteve të SHBA-së në Evropë, sipas Amaros. Por në përgjithësi kursi aktual i këmbimit, nëse mbetet kështu, do të kishte efekt negativ ndaj rritjes ekonomike në Evropë.
"Sipas llogarive tona produkti bruto në vend i eurozonës sivjet do të ishte rreth 0,2 përqind më i ulët, nëse kursi i këmbimit euro-dollar mbetet në nivelin aktual (1,20 USD), në vend të normës 1,16 dollar, që ka shërbyer si pikë reference në marrëveshjen e tregtisë BE-SHBA në fund të korrikut", thotë Amaro për DW.
A duhet të ndërhyjë BQE?
Rritja e euros kundrejt dollarit ka nxitur spekulimet, nëse është e nevojshme ndërhyrja e Bankës Qendrore Evropiane.
Martin Kocher, guvernator i Bankës Qendrore të Austrisë e konsideron rritjen aktuale të euros si të "moderuar". Nëse vlera e euros do të vazhdojë të rritet, duhet të ndërhyjë BQE-ja.
Qysh tani BQE përpiqet të influencojë pritshmëritë e tregut, kur përfaqësuesit e nivelit të lartë të BQE-së deklarojnë, se "po e vëzhgojnë situatën, dhe shprehin rezerva lidhur me zhvillimet e fundit", thotë Ricardo Amaro. "Kjo shtron temën e uljes së interesave për të frenuar rritjen e euros."
Edhe Jack Allen-Reynolds mendon, se nuk është e nevojshme ndërhyrja me nivelin aktual të ndryshimeve në kurset e këmbimit. Por ai beson, se ndryshime të mëtejshme mund ta venë në lëvizje BQE-në që gjatë vitit të ulë interesat.
Ndërsa Zsolt Darvas argumenton, se pasojat aktuale lidhur me inflacionin janë gati zero dhe asnjë sektor nuk është veçanërisht i ndjeshëm. "Kurset e këmbimit dekadat e fundit kanë pasur luhatje të fuqishme. Sipërmarrjet janë përgatitur për të përballuar luhatje edhe më të forta se këto që shohim aktualisht", vlerëson Darvas.
Trump Mobile ka njoftuar se po përgatit një model më të fuqishëm T1 Ultra edhe pse telefoni i parë T1 ende nuk ka arritur tek konsumatorët.
Shumë njerëz kishin rezervuar me entuziazëm telefonin T1, por deri më tani askush nuk e ka parë atë në dorë. Megjithatë, kompania nuk është ndalur, dhe një drejtues i Trump Mobile ka thënë se në zhvillim është edhe një model më i avancuar – T1 Ultra.
Në një intervistë për Wireless Dealer Magazine, drejtori ekzekutiv Don Hendrikson tha se hapi i radhës i madh do të jetë prezantimi i modelit T1 Ultra, duke e përshkruar atë si një pajisje premium që do të ndërtojë mbi “suksesin” e modelit origjinal T1.
Megjithatë, fjala “sukses” tingëllon ironike, sepse telefoni T1 nuk është parë jashtë imazheve reklamuese, dhe ai as nuk ka një datë të qartë të daljes në treg. Deri tani, ai ka tërhequr vetëm një numër të madh njerëzish që kanë paguar një depozitë prej 100 dollarësh, pa e marrë telefonin.
Hendrikson gjithashtu sugjeroi se blerësit janë “tërësisht të etur” për modelin T1 Ultra – edhe pse ky model nuk ishte fare përmendur deri në intervistë dhe telefoni origjinal duket se “është zhdukur në veprim”.
Përdorimi i emrit “Ultra” është i njëjti trend që shumë prodhues, si Samsung, përdorin për modelet e tyre më të fuqishme, kështu që ka kuptim që Trump Mobile dëshiron të ndjekë një strategji të ngjashme të markës.
Megjithatë, fakti që versioni bazë T1 ende nuk është dërguar, i bën plane për një version edhe më të shtrenjtë, si T1 Ultra, të duket mjaft i parakohshëm për momentin. /Telegrafi/
Ky qen e adhuron rërën dhe shëtitjet në plazhet e Virginia Beach, por pasi u ndalua në një zonë me borë për shkak të shërbimit ushtarak të familjes, pronarët e tij, Kelly dhe Cai, vendosën t’i blinin çizme të vogla për ta mbrojtur nga i ftohti dhe bora.
Megjithatë, sapo u përpoqën t’i vendosnin çizmet, Gill refuzoi të bënte edhe një hap - u ngrit si statujë, me bishtin pezull dhe pa lëvizur, vetëm duke fikur përpara.
Videoja e shpërndarë në Instagram me mbishkrimin “përqendruam te çizmet për borë” shpejt i bëri njerëzit të qeshin, me komentet që thonin se ai dukej sikur “shpirti i ishte larguar trupit”.
Ai nuk do të lëvizte fare derisa pronarët ia hoqën çizmet, duke i dhënë pamjen e një proteste të plotë.
Shikuesit komentuan edhe për “mannequin challenge,” dhe shumë pronarë qensh ndanë përvojat e tyre të ngjashme, duke konfirmuar reputacionin e kësaj race si shumë e fortë e qëndrueshme, sidomos kur bëhet fjalë për këmbët. /Telegrafi/