Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Distria Krasniqi e mbyll 2025-ën si e para në botë

24 December 2025 at 15:30

PRISHTINË, 24 dhjetor/ATSH/ Distria Krasniqi e ka përmbyllur vitin 2025 në krye të renditjes botërore të xhudos, duke konfirmuar statusin e saj si atletja më e mirë e Kosovës.

Kampionia evropiane dhe finaliste e Kampionatit Botëror për seniorë këtë vit, e vlerëson sezonin si shumë të suksesshëm, pavarësisht sfidave gjatë rrugës. “Ky vit ka qenë një vit i shkëlqyer për mua. Në çdo garë që kam marrë pjesë, kam qenë në podium”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për EJU.

Xhudistja pejane ka theksuar se çelësi i suksesit është aftësia për të filluar gjithmonë nga e para, pavarësisht medaljeve të mëdha. “Nuk ka rëndësi nëse fitoj ari olimpik apo titull evropian, mundohem ta harroj dhe të jap njëqind për qind në çdo garë”, ka deklaruar ajo, duke nënvizuar edhe rolin vendimtar të trajnerit Driton Kuka në analizën e çdo detaji.

Duke folur për të ardhmen, Distria Krasniqi ka bërë të qartë se motivimi i saj vjen nga dashuria për garën dhe jo nga presioni. “Përpiqem të mos mendoj për pritjet e të tjerëve. Ajo që ka rëndësi është të jem e kënaqur me performancën time”, ka thënë numri një në botë, e cila synon Kampionatin Evropian dhe Botëror si objektivat kryesorë të sezonit të ardhshëm.

/KosovaPress/

The post Distria Krasniqi e mbyll 2025-ën si e para në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani uron Krishtlindjen: Paqe në shpirt dhe dashuri në familje

24 December 2025 at 13:11

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës uron besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

Osmani shpreh dëshirën që kjo Krishtlindje të sjellë paqe në shpirt dhe dashuri në familje në çdo shtëpi.

“Në këtë festë drite e shprese, uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë që Krishtlindja t’u sjellë paqe në shpirt, dashuri në familje dhe shëndet në çdo shtëpi.

Le të na bashkojë tradita jonë e respektit, solidaritetit dhe mikpritjes, duke na dhënë forcë të ecim përpara së bashku, me besim, shpresë dhe mirëkuptim. Gëzuar Krishtlindjen për shumë mot!” shkruan Presidentja Osmani në urimin e saj.

/KosovaPress/

The post Osmani uron Krishtlindjen: Paqe në shpirt dhe dashuri në familje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpërthimi në Ibër-Lepenc, sot seanca e parë gjyqësore

24 December 2025 at 11:52

PRISHTINË, 24 dhjetor/ATSH Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca fillestare në rastin e shpërthimit në kanalin Ibër–Lepenc në fshatin Varragë, në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviçit dhe Igor Dimoviçit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”, shkruan REL.

Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviç, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit”.

Ata, sipas aktakuzës, aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante që e kishin lidhur me litar për një shtyllë betoni, çka bëri që të dëmtohej rëndë struktura prej betoni e kanalit Ibër–Lepenc, të ndërpritej furnizimi me ujë të pijshëm, të rrezikohej prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa ndërmarrjes Ibër–Lepenc t’i shkaktohej dëm në vlerë prej gati 400 mijë eurosh.

Ndërmarrja kosovare Ibër–Lepenc, me seli në Prishtinë, furnizon me ujë të papërpunuar impiante industriale dhe shërben për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.

Kjo ndërmarrje furnizon me ujë edhe disa qytete në Kosovë nga liqeni i Ujmanit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.

Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967.

Ndërtimi i këtij hidrosistemi është zhvilluar në dy faza: faza e Ibrit, e cila përfundoi në vitin 1986, dhe faza

Sot, kjo ndërmarrje është shoqëri aksionare, 100 për qind në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Prokuroria Speciale Jovan Viqentijeviçin e akuzon gjithashtu për spiunazh, pasi, siç thuhet, deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim të përdorimit të tyre gjatë aktiviteteve të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Në hetimin e këtij rasti, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe amerikanë, ndërsa janë sekuestruar edhe armë dhe eksploziv.

Diplomatë amerikanë kanë deklaruar më herët se në hetim kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt edhe agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.

Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.

Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim.

/REL/

The post Shpërthimi në Ibër-Lepenc, sot seanca e parë gjyqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Osmani: Diskutuam me SHBA-në për rikthimin e dialogut strategjik

23 December 2025 at 16:01

PRISHTINË, 23 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të ShBA-së, Christopher Landau kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik.

Në një video në rrjete sociale, Osmani ka thënë po ashtu se me Landaun kanë diskutuar edhe për një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, ekonominë dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Ajo foli edhe për nënshkrimin e ligjit nga presidenti amerikan, Donald Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës, e i cili parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke përjashtuar ndryshimet e kufijve, dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

“Diskutuam edhe për një sërë çështjesh tjera për të cilat është e domosdoshme që të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik dhe në të njëjtën kohë hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që dialogu strategjik me SHBA të rikthehet”, tha ajo pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan.

Në takimin me zëvendëssekretarin, presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik. Ajo ka nënvizuar nevojën për koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleat strategjik dhe ka shprehur besimin e plotë në administratën e Presidentit Trump.

/KosovaPress/

The post Osmani: Diskutuam me SHBA-në për rikthimin e dialogut strategjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot, rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore

23 December 2025 at 07:30

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se të martën moti në vend do të jetë i paqëndrueshëm, me kthjellime dhe vranësira të shoqëruara herë pas here me reshje shiu, ndërsa në zonat malore priten reshje shiu dhe bore.

Temperaturat minimale do të regjistrohen në Peshkopi (-1°C), Kukës dhe Korçë (2°C). Ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 18°C, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, duke përfshirë Durrësin, Tiranën, Elbasanin dhe Gjirokastrën.

Temperaturat minimale dhe maksimale për disa qytete kryesore do të jenë:
Shkodër: 3°C / 15°C – diell, vranësira dhe shi
Kukës: 2°C / 3°C – diell, vranësira, shi/borë
Lezhë: 8°C / 14°C – diell, vranësira dhe shi
Peshkopi: -1°C / 3°C – diell, vranësira, shi/borë
Durrës: 5°C / 18°C – diell, vranësira dhe shi
Tiranë: 7°C / 18°C – diell, vranësira dhe shi
Elbasan: 10°C / 18°C – diell, vranësira dhe shi
Kuçovë: 5°C / 21°C – diell, vranësira dhe shi
Vlorë: 9°C / 17°C – diell, vranësira dhe shi
Korçë: 2°C / 5°C – diell, vranësira, shi/borë
Gjirokastër: 0°C / 18°C – vranësira dhe shi
Sarandë: 8°C / 18°C – vranësira dhe shi
Bajram Curri: -1°C / 3°C – diell, vranësira, shi/borë

/a.f/

The post Moti sot, rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Miratohet financimi për ndërtimin e fushës së re në Katund të Ri të Durrësit

20 December 2025 at 14:00

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Komiteti ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar propozimin e bashkisë së Durrësit për ndryshimin dhe zgjerimin e projektit, si edhe bashkëfinancimin për ndërtimin e një fushe të re futbolli në Katund të Ri.

Sipas projektit të rishikuar, fusha do të ndërtohet me bar natyral dhe do të pajiset me ambiente shtesë funksionale, përfshirë dhoma zhveshjeje dhe një tribunë me kapacitet prej 735 ulësesh, duke krijuar kushte bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Në kuadër të kësaj bashkëpunimi, Federata Shqiptare e Futbollit do të marrë përsipër rrethimin e fushës, mbjelljen e barit natyral, instalimin e sistemit të vaditjes, sigurimin e makinerive për mirëmbajtjen e fushës, si edhe vendosjen e portave.

Fusha do të jetë praktikisht një ministadium, që do të ofrojë të gjitha kushtet dhe facilitetetet e përshtatshme për zhvillimin e seancave stërvitore edhe të skuadrave profesioniste.

Ky investim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, në bashkëpunim me pushtetin vendor, me synim krijimin e kushteve më të mira për klubet, akademitë dhe komunitetin sportiv, si edhe nxitjen e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në futboll.

/a.f/r.e/

The post Miratohet financimi për ndërtimin e fushës së re në Katund të Ri të Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë arrin në nivelet më të larta historike

20 December 2025 at 13:57

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë dekadës së fundit, duke arritur nivelet më të larta në vitet 2022–2024, sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), që mbulojnë periudhën 1962–2024.

Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi i energjisë elektrike ka filluar në vitin 1962 me kapacitete shumë të kufizuara, kryesisht nga njësitë e Termocentralit Kosova A. Gjatë dekadave në vijim, prodhimi ka shënuar rritje graduale, me zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe vënien në funksion të njësive të reja.

Një rritje e dukshme vërehet pas vitit 1984, kur prodhimi realizohej nga pesë njësitë e TPP Kosova A dhe dy njësitë e TPP Kosova B, duke arritur mbi 5.600 GWh në fund të viteve ’80. Megjithatë, periudha e viteve ’90 dhe fillimi i viteve 2000 karakterizohet nga luhatje dhe rënie të prodhimit, si pasojë e faktorëve teknikë dhe zhvillimeve të përgjithshme ekonomike.

Nga viti 2009 e tutje, prodhimi i energjisë elektrike hyn në një fazë të re rritjeje, me funksionimin e tri njësive të TPP Kosova A dhe dy njësive të TPP Kosova B. Kulmi është arritur në vitin 2022, me një prodhim prej rreth 6.663 GWh, ndërsa nivele të larta mbi 6.000 GWh janë ruajtur edhe në vitet pasuese.

Në këtë grafik mund të shihni një pasqyrim të prodhimit të energjisë elektrike gjatë viteve 1962–2024:

/KosovaPress/

The post Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë arrin në nivelet më të larta historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq

20 December 2025 at 13:40

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me kryeministrin Philip Davis, nënshkruan edhe marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Presidentja Osmani thekson se “Kosova ecën përpara duke fituar miq!”

“Përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me Kryeministrin Philip Davis, nënshkruam edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, përfundon Osmani.

/Kosovapress/

The post Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një pasuri kombëtare e shpëtuar, ATSH nis digjitalizimin e arkivit

20 December 2025 at 16:52

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), institucioni i parë i shtypit të shkruar në Shqipëri, ka ndërmarrë një nga proceset më të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë mediatike dhe historike të vendit: digjitalizimin dhe indeksimin e arkivës së saj fotografike.

Arkiva e ATSH-së, me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, përbën një pasuri të rrallë dhe një dokumentim unik të të gjitha etapave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Ky fond fotografik është njëkohësisht dëshmi e punës së palodhur dhe profesionale të brezave të fotoreporterëve të ATSH-së, të cilët kanë fiksuar në imazh momentet kyçe të historisë shqiptare.

Nisja e këtij procesi shënon një hap thelbësor për ruajtjen afatgjatë të kujtesës historike dhe vizuale të Shqipërisë, si një proces dokumentimi dhe reflektimi mbi të gjitha etapat e historisë së vendit.

Prej vitesh, ky fond i paçmueshëm ndodhej në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe ishte realisht në rrezik shkatërrimi. Fotografi dhe negativë të rrallë, të ekspozuar ndaj lagështirës, amortizimit dhe kalimit të kohës, po degradonin gradualisht, duke rrezikuar humbjen e një pjese të pazëvendësueshme të historisë kombëtare.

Ndërhyrja për shpëtimin e arkivës nuk ishte më një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Digjitalizimi i arkivës fotografike të ATSH-së përfaqëson sot një ndërhyrje të drejtë, të përgjegjshme dhe të kryer me standarde profesionale, që synon jo vetëm ndalimin e degradimit, por edhe rikthimin e dinjitetit të një pasurie kombëtare të lënë për vite me radhë në kushte të papranueshme.

Ruajtja, sistemimi dhe shpëtimi i këtij fondi ka qenë një nga prioritetet kryesore të drejtoreshës së përgjithshme të ATSH-së, Valbona Zhupa, e cila ka vënë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e arkivës si një detyrim institucional ndaj historisë dhe brezave që vijnë.

“Arkiva fotografike e ATSH-së është një pasuri kombëtare me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare. Për vite me radhë, një pjesë e këtij fondi është përballur me rrezikun e degradimit. Ndërhyrja për digjitalizimin e saj ishte e domosdoshme për të garantuar ruajtjen afatgjatë, sistemimin profesional dhe aksesin e kontrolluar të këtij materiali, në funksion të publikut, studiuesve dhe brezave të ardhshëm”, u shpreh Zhupa.

Materialet e fazës së parë të digjitalizimit po i nënshtrohen skanimit profesional, për t’u pasuar nga një proces i detajuar inventarizimi dhe indeksimi. Digjitalizimi i arkivës nuk synon vetëm mbrojtjen e materialeve origjinale, por edhe modernizimin e mënyrës së menaxhimit dhe shfrytëzimit të tyre.

Pas përfundimit të kësaj faze, ATSH do të vijojë me një tjetër etapë të rëndësishme, atë të publikimit online të arkivës fotografike. Ky hap do t’i japë mundësi publikut të gjerë, studiuesve, historianëve, gazetarëve dhe institucioneve të kenë akses në një fond të pasur imazhesh me vlera të veçanta historike dhe kulturore.

Publikimi online i arkivës së ATSH-së do ta shndërrojë këtë fond në një burim të rëndësishëm referimi për studime, dokumentarë, botime dhe projekte kërkimore, duke kontribuar në forcimin e kujtesës kolektive dhe në ruajtjen e historisë shqiptare përmes imazhit.

Me këtë projekt, ATSH hedh një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe përafrimit me standardet bashkëkohore të arkivimit mediatik, duke garantuar që trashëgimia vizuale e Shqipërisë të ruhet, të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.

/a.f/r.e/

The post Një pasuri kombëtare e shpëtuar, ATSH nis digjitalizimin e arkivit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor

20 December 2025 at 09:18

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Më 20 dhjetor festohet Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e solidaritetit, veçanërisht në arenën globale.

Kjo ditë shërben si një kujtesë se duke punuar së bashku në solidaritet, ne mund të krijojmë një botë më të mirë për të gjithë dhe të arrijmë qëllime të përbashkëta, duke përfshirë paqen, drejtësinë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor thekson besimin se veprimet tona kolektive mund të kenë një ndikim pozitiv në botë. Është një ditë për të reflektuar mbi rëndësinë e solidaritetit dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur ata që kanë nevojë dhe për të kontribuar në një botë më të drejtë.

Festimi i Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor përfshin angazhimin në aktivitete që promovojnë unitetin, empatinë dhe bashkëpunimin. Ja disa mënyra për të festuar:

-Mbështetni Kauzat Bamirëse: Kontribuoni në organizata dhe iniciativa bamirëse që adresojnë çështje globale si varfëria, uria, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

-Bëhuni vullnetarë: Ofroni kohën dhe aftësitë tuaja për të ofruar vullnetarizëm për organizatat lokale dhe ndërkombëtare që punojnë drejt qëllimeve humanitare.

-Përkrahni për ndryshim: Rritni ndërgjegjësimin rreth çështjeve të rëndësishme globale dhe shtyni për politika që promovojnë drejtësinë sociale, barazinë dhe të drejtat e njeriut.

-Organizoni ngjarje komunitare: Planifikoni ngjarje dhe aktivitete në komunitetin tuaj që nxisin një ndjenjë uniteti, përfshirjeje dhe solidariteti midis grupeve të ndryshme të njerëzve.

-Mësoni rreth sfidave globale: Edukoni veten dhe të tjerët rreth sfidave urgjente globale dhe ndikimit të solidaritetit në adresimin e tyre.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005 për të promovuar konceptin e solidaritetit si një vlerë themelore për përparimin e njerëzimit. Ajo njeh rolin e solidaritetit në arritjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

/KosovaPress/

The post Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot, diell dhe rënie e lehtë e temperaturave

20 December 2025 at 07:30

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e shtunë moti parashikohet kryesisht me diell dhe vranësira të pakta.

Temperaturat do të shënojnë një rënie të lehtë në krahasim me ditët e fundit. Vlerat minimale pritet të regjistrohen në Dibër, Korçë dhe Gjirokastër, duke zbritur deri në -2 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 17 gradë Celsius në Berat dhe Elbasan.

Era parashikohet të fryjë me drejtim verilindje–veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa në dete parashikohet valëzim i ulët, i forcës 1 ballë.

/a.f/r.e/

The post Moti sot, diell dhe rënie e lehtë e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tifozët futen në fushë në sfidën Flamurtari-Teuta, ndeshja mbyllet në barazim

19 December 2025 at 22:17

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, që mbylli ditën e parë të javës së 17-të të Superligës, përfundoi në barazim 2-2. Një ndeshje që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit të lojës dhe që u shoqërua edhe me një ndërprerje për afro 30 minuta, pasi tifozët vendas hynë në fushë duke shkaktuar problematika.

Ndeshja mes dy skuadrave bregdetare nisi me avantazhin e durrsakëve, të cilët gjetën golin në minutën e 21-të përmes Muço Bocit. Teksa loja vijonte me raste nga të dyja anët, në minutën e 69-të disa tifozë vendas kapërcyen gardhet rrethuese të tribunës përballë dhe u përleshën me disa futbollistë të Teutës. Në fushë pati tension të shtuar dhe ndeshja u ndërpre për afro 30 minuta, me policinë që mori nën kontroll situatën.

Arbitri Eldorian Hamiti u tërhoq në dhomat e zhveshjes dhe kushti për rinisjen e sfidës, edhe sipas delegatit të ndeshjes, ishte zbrazja e tribunës përballë nga tifozët.

Pas largimit të tifozëve nga stadiumi dhe pas rreth 30 minutash ndërprerje, sfida rinisi. Me rifillimin e lojës, në minutën e 78-të Flamurtari barazoi shifrat me Çatakias, ndërsa Oshafios në minutën e 90-të i dha avantazhin vendasve. Ky avantazh zgjati vetëm shtatë minuta, pasi në sekondat e fundit të sfidës Jazxhi shënoi golin e barazimit për durrsakët.

Ky barazim i lë skuadrat në të njëjtat pozicione në renditje: Flamurtarin në vendin e parafundit me 14 pikë dhe Teutën në vendin e pestë me 25 pikë.

Java e 17-të e Superligës
Ora 16:30, Egnatia – Partizani 2-1
Ora 16:30, Dinamo City – Vora 2-1
Ora 19:30, Flamurtari – Teuta  2-2

Të shtunën
Ora 13:30, Bylis – Elbasani
Ora 13:30, Tirana – Vllaznia

Klasifikimi:
Egnatia 34 pikë
Elbasani 32 pikë
Dinamo City 29 pikë
Vllaznia 26 pikë
Teuta 25 pikë
Partizani 23 pikë
Vora 16 pikë
Bylis 15 pikë
Flamurtari 14 pikë
Tirana 8 pikë

*Egnatia, Partizani, Vora, Dinamo City, Flamurtari dhe Teuta kanë një ndeshje më shumë.

The post Tifozët futen në fushë në sfidën Flamurtari-Teuta, ndeshja mbyllet në barazim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Themeli: Kredia në lekë ka arritur në nivelin 60%

19 December 2025 at 21:08

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kredia në monedhën vendase lek dominon tregun, duke arritur në nivelin 60%, ndërsa ajo në euro zë 40% të totalit.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, i cili gjatë emisionit “Sheshi i Dollari” u shpreh se rritja e kredive në lekë është tregues i një ndryshimi të rëndësishëm në strukturën e financimit në ekonomi.

Sipas Themelit, një nga faktorët që ka ndikuar është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të marrë kredi në monedhën me të cilën marrin pagat.

“Leku është forcuar edhe gjatë vitit 2025. Arsyeja kryesore ka qenë përmirësimi i bilanceve të jashtme të ekonomisë shqiptare. Shqipëria ka pasur një bilanc pozitiv të pagesave. Po ashtu, qytetarët po kërkojnë kredi në monedhën ku kanë të ardhurat e tyre, duke treguar një ndërgjegjësim të shtuar. Rënia e euros do të ishte më e shpejtë pa këtë faktor. Rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ka ndikuar në zbutjen e situatës. BSH ka ndjekur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ndërhyrjet në tregun valutor duhej konceptuar si ndërhyrje jo të zakonshme”, tha ai.

/a.f/r.e/

The post Themeli: Kredia në lekë ka arritur në nivelin 60% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia fiton 2-1 ndaj Partizanit, Dinamo City përmbys Vorën

19 December 2025 at 19:11

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Egnatia arriti të marrë një fitore 2-1 ndaj Partizanit në ndeshjen që hapi javën e 17-të të Superligës shqiptare të futbollit. Me këtë fitore Egnatia ngjitet në vendin e parë me 34 pikë, duke kapërcyer me dy pikë Elbasanin, që luan të shtunën ndaj Bylisit në transfertë.

Ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë u zhbllokua në minutën e 42-të me golin e Nikola Buricc, pas asistimit të Aleksi. Në pjesën e dytë, kampionët e vendit mbetën me dhjetë lojtarë, pasi Xhemjli u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 86-të. Megjithatë, kjo nuk ndikoi në rezultat, pasi vendasit gjetën edhe golin e dytë në limitet e kohës së rregullt përmes Edison Ndrecës. Goli i vetëm për Partizanin u shënua në minutën e 92-të nga Ogunleye.

Paralelisht, në Tiranë u luajt sfida mes Dinamo City dhe Vorës, e cila u fitua nga vendasit me përmbysje. Fillimisht Vora shënoi në minutën e 23-të me Bardhin, ndërsa barazimi erdhi në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47-të, nga Teixeira. Goli i fitores u shënua nga Bregu në minutën e 64-t.

Ky tripikësh e ngjit Dinamon në vendin e tretë me 29 pikë, në pritje të sfidës klasike mes Tiranës dhe Vllaznisë. Ndërkohë, Vora mbetet me 16 pikë dhe rrezikon të bashkohet në garën për mbijetesë.

Java e 17-të e Superligës
Ora 16:30, Egnatia – Partizani 2-1
Ora 16:30, Dinamo City – Vora 2-1
Ora 19:30, Flamurtari – Teuta

Të shtunën
Ora 13:30, Bylis – Elbasani
Ora 13:30, Tirana – Vllaznia

Klasifikimi:
Egnatia 34 pikë
Elbasani 32 pikë
Dinamo City 29 pikë
Vllaznia 26 pikë
Teuta 24 pikë
Partizani 23 pikë
Vora 16 pikë
Bylis 15 pikë
Flamurtari 13 pikë
Tirana 8 pikë

*Egnatia, Partizani, Vora dhe Dinamo City kanë një ndeshje më shumë.

The post Egnatia fiton 2-1 ndaj Partizanit, Dinamo City përmbys Vorën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bahamas njeh Kosovën

19 December 2025 at 17:30

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Shteti i Kosovës njihet tashmë zyrtarisht edhe nga Bahamas.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Bahamasit, Philip Davis firmosën marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkruan Osmani në rrjetet sociale.

“Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë!

Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis”, vijon Osmani reagimin e saj.

Më poshtë deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

/r.e/

The post Bahamas njeh Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, shpërndahen 93% e pakove me fletëvotime për diasporën

19 December 2025 at 15:54

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se në tri ditë janë shpërndarë 93% e pakove të votimit me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka treguar të dhënat e fundit nga ky proces, i cili, sipas tij, është duke u kryer nga KQZ, përmes operatorit ekonomik.

Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri enjten në mesnatë, janë shpërndarë 93% e pakove me fletëvotime.

“Gjatë tri ditëve, më 16, 17 dhe 18 dhjetor 2025, nga gjithsej 57,829 dërgesa, 93% e tyre apo 53,660, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 50,462 (94%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq, 3,198 dërgesa (77%) janë dorëzuar te votuesit në shtete jashtë Evropës”, thuhet në përgjigjen e tij.

Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse votuesit do të ndodheshin në shtëpitë e tyre në kohën kur u janë dërguar pakot me fletëvotime.

“Këto statistika do të ishin edhe më të larta dhe përqindja do të arrinte në 98.73% nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 3,437 pakot tjera, por kjo s’ka ndodhur gjatë këtyre datave për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.

Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

/KosovaPress/

The post Zgjedhjet në Kosovë, shpërndahen 93% e pakove me fletëvotime për diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, akreditohen 276 vëzhgues dhe 15 organizata

19 December 2025 at 15:40

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar grupin e tretë të vëzhguesve prej 276 vëzhguesve të tjerë për zgjedhjeve e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në mbledhjen e sotme, kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së Besnik Buzhala ka bërë të ditur se janë akredituar gjithsej 15 organizata.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani është 862 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore/ ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

KQZ mori po ashtu vendim për caktimin e menaxherëve të Qendrave të Votimit jashtë Kosovës dhe autorizimin e stafit për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.

/KosovaPress/

The post Zgjedhjet në Kosovë, akreditohen 276 vëzhgues dhe 15 organizata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Momenti më i vështirë i jetës sime, beteja me sëmundjen e djalit

18 December 2025 at 23:21

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama rrëfeu se një nga momentet më të vështira të jetës së tij, ka qenë beteja me sëmundjen që preku djalin e tij, Gregorin.

Në në një intervistë në emisionin “Opinion”, Rama tha se ai moment përkonte dhe me betejën për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste.

“Momenti më i vështirë ka qenë momenti ku duhej të bëja luftën për të marrë drejtimin e PS dhe njëkohësisht duhej të ndiqja në distancë me shumë tension ecurinë e sëmundjes së djalit tim. Ishin të dyja bashkë në të njëjtën kohë dhe ishte shumë sfidë e madhe që nga një anë duhej të isha energjik, i qeshur, guximtar, i fortë, i vendosur për të marrë lidershipin e PS”, tha Rama.

Sipas tij, njerëzit që e rrethonin ishin vendimtarë për të kaluar momentin e vështirë dhe për të vijuar karrierën politike.

“Kanë qenë vendimtarë njerëzit, duke filluar nga ai vetë(Gregori), ishte i vogël, por ishte shumë i vendosur në atë luftë. Pastaj edhe ime më, Linda të gjithë. Ishte një gjë shumë e kombinuar”, tha Rama.

(Intervistë datë 4 dhjetor 2025)

/a.f/

The post Rama: Momenti më i vështirë i jetës sime, beteja me sëmundjen e djalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KFOR-i amerikan me prezencë të vazhdueshme për sigurinë në terren

18 December 2025 at 21:21

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ Trupat amerikane nga Komanda Rajonale e Lindjes (RC-E) e misionit KFOR, po vazhdojnë të zhvillojnë patrulla ditore në të gjithë zonën e përgjegjësisë.

Në një njoftim për media thuhet se aktivitete të tilla sigurojnë prezencë të vazhdueshme në terren dhe kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt.

Përmes qasjes së tyre të paanshme dhe të ekuilibruar, trupat e KFOR-it tregojnë përkushtimin e misionit për stabilitet, profesionalizëm dhe respekt për të gjithë banorët e Kosovës.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse.

1 nga 4
/KosovaPress//r.e/

The post KFOR-i amerikan me prezencë të vazhdueshme për sigurinë në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë

18 December 2025 at 19:07

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ Votimi i ish-krerëve të UÇK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ka ngjallur diskutime në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi propozoi një qendër të veçantë votimi për katërshen e UÇK-së dhe të tjerët të cilët po gjykohen në Hagë.

“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, kur them në Hagë them për Gjykatën në fjalë. Prandaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë keni vendosur komunikim me autoritetet atje edhe që mos të kemi nevojë që të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra”, u shpreh ai.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani.

“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë, kryetari mund të na i sqarojë më mirë këtë pjesë, që na i kanë dhënë edhe gjatë muajit shkurt, për zgjedhjet e shkurtit”, tha ai.

Diskutimi mes Krasniqit e Elshanit ka shkuar edhe më tej, ku anëtari i LVV-së tha se nuk është e rregulluar çështja e votimit në Hagë.

“Nuk është e rregulluar, nuk është mirë të gënjesh publikisht”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është votuar edhe ndryshimi i vendimit të KQZ-së, ku procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka njoftuar se sa është numri i pakove me fletëvotime që janë dorëzuar te votuesit jashtë vendit.

Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025.

Gjithashtu është bërë akreditimi edhe i grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

/KosovaPress//r.e/

The post Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌