Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

PRAGË – Babis: Do të vazhdojmë t’i dërgojmë armë Ukrainës

7 January 2026 at 15:56

PRAGË, 7 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri i ri i Republikes Çeke, populisti i djathtë, Andrej Babis tha sot se nuk do të ndërpresë një iniciativë për armë e municione për Ukrainën, pavarësisht premtimeve të tij gjatë fushatës elektorale për ta  ndërprerë këtë.

“Projekti do të vazhdojë  dhe Republika Çeke do të jetë në rolin e koordinatorit”, njoftoi Babis, 71 vjeç.

Por, ai tha se paratë e taksapaguesve çekë nuk do të investoheshin më në këtë projekt.

“Kjo është pak a shumë një çështje simbolike, pasi donatorët kryesorë kanë përfshirë vende si Gjermania, Danimarka dhe Holanda, ndërsa Praga ka dhënë vetëm një pjesë të vogël të fondeve”, tha Babis.

Miliarderi dhe lideri i partisë populiste të djathtë ANO kishte kritikuar ashpër projektin gjatë fushatës së tij dhe kërkoi ndërprerjen e tij, po ashtu si dy partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë u mblodh në Pragë për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Përveç shefave të ushtrisë dhe të zbulimit, pritej të merrte pjesë edhe presidenti Petr Pavel.

Ukraina ka një nevojë të vazhdueshme për armë e municion artilerie për t’u mbrojtur nga Rusia, e cila filloi një pushtim të gjerë pothuajse katër vjet më parë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post PRAGË – Babis: Do të vazhdojmë t’i dërgojmë armë Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Papunësia shënon rritjen më të lartë të 15 viteve të fundit

7 January 2026 at 14:45

NUREMBERG, 7 janar /ATSH-DPA/ – Papunësia në Gjermani u rrit në 2,9 milionë persona në dhjetor, me 23 mijë më shumë krahasuar me muajin paraardhës dhe me rritjen më të lartë të 15 viteve të fundit, treguan sot të dhënat zyrtare.

Sipas Agjencisë Federale të Punësimit (BA), ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga dhjetori i vitit 2010, kur 3,012 milionë persona ishin të regjistruar si të papunë.

Në krahasim me dhjetorin e vitit 2024, numri i të papunëve u rrit me 101 mijë, ndërsa norma e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje në baza mujore duke arritur në 6,2%.

Sipas agjencisë, shifrat bazohen në të dhënat e disponueshme deri më 11 dhjetor.

”Tregu i punës vazhdon të mos ketë vrull ekonomik”, deklaroi drejtuesja e BA-së, Andrea Nahles.

Rritja e papunësisë në dhjetor është e zakonshme, pasi më pak kompani punësojnë staf të ri dhe numri i vendeve të punës bie në sektorë si ndërtimi apo bujqësia për shkak të kushteve të ftohta të dimrit.

Megjithatë, Nahles theksoi se tregu i punës është përkeqësuar gradualisht gjatë vitit si pasojë e ngadalësimit ekonomik.

”Në përmbledhje, situata është më e dobët se një vit më parë. Megjithatë, ka shenja se kemi arritur pikën më të ulët”, shtoi ajo.

Kërkesa për fuqi të re punëtore vazhdoi të bjerë edhe në dhjetor, me agjencinë që regjistroi 619 mijë vende të lira pune, 35 mijë më pak krahasuar me një vit më parë.

Sipas institutit kërkimor të BA-së, IAB, nuk dallohen prirje të qarta për muajt në vijim./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post GJERMANI – Papunësia shënon rritjen më të lartë të 15 viteve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Pezeshkian: Forcat e rendit të mos ndërhyjnë ndaj protestuesve

7 January 2026 at 14:34

TEHERAN, 7 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti iranian, Massoud Pezeshkian u bëri thirrje sot forcave të rendit të mos ndërmarrin asnjë masë kundër protestuesve, duke bërë një dallim të qartë mes tyre dhe personave të dhunshëm, sipas deklaratave të raportuara nga agjencia e lajmeve Mehr.

”Sot, presidenti Pezeshkian ka urdhëruar që të mos merren masa sigurie ndaj protestuesve dhe personave që marrin pjesë në tubime”, deklaroi në një video të publikuar nga Mehr pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëspresidenti ekzekutiv, Mohammad Jafar Ghaempanah.

”Ata që mbajnë armë zjarri, thika apo mjete të tjera dhe që sulmojnë komisariate policie dhe objekte ushtarake janë persona që duan të shkaktojnë trazira, dhe duhet bërë dallim mes tyre dhe protestuesve”, shtoi Ghaempanah./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Pezeshkian: Forcat e rendit të mos ndërhyjnë ndaj protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën

7 January 2026 at 12:40

LONDËR, 7 janar /ATSH-AFP/ – Çmimet e naftës vijuan sot rënien, mes frikës për rritje të ofertës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Venezuela do t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara deri në 50 milionë fuçi naftë.

Në një postim dje në platformën e tij Truth Social, Trump tha se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë SHBA-së nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar duke e paraqitur këtë veprim si përfitim për të dyja vendet.

Një fuçi përmban 159 litra.

Kjo sasi është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës të Venezuelës.

Nafta do të shitej me çmime tregu dhe të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për të garantuar se do të përdoreshin në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara, sipas Trump.

Një fuçi e naftës Brent të Detit të Veriut për dorëzim në mars u ul sot në mëngjes me 56 cent ose gati 1%, në 60,14 dollarë, pasi çmimi kishte rënë me afro 2% të martën.

Ndërkohë, çmimi i një fuçie të naftës amerikane WTI për dorëzim në shkurt u ul me 73 cent ose 1,3%, në 56,40 dollarë.

Fillimisht ishte e paqartë se për çfarë periudhe kohore do të vihej në dispozicion vëllimi i naftës së papërpunuar i përmendur nga Trump.

Nafta është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave dhe valutës së huaj për Venezuelën.

Udhëheqja e re në Karakas nuk reagoi menjëherë ndaj njoftimit të Trump. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – 2025-a viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji

7 January 2026 at 12:01

OSLO, 7 janar /ATSH-AFP/ – Viti 2025 ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji, me një verë të shënuar nga një valë e fortë të nxehti dhe një fillimdimri të vonuar e jashtëzakonisht të butë, njoftoi sot Instituti Meteorologjik Norvegjez.

Si një tjetër tregues i çrregullimeve klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore, termometri arriti në 4,0 gradë Celcius më 22 dhjetor në Longyearbyen, kryeqendra e arkipelagut të Svalbardit në zemër të Arktikut, më shumë se në Sevilje (3,0 gradë Celcius)  apo Ankara (1,0 gradë Celsius) në të njëjtën ditë.

“Është një vit rekord”, deklaroi klimatologu Hans Olav Hygen nga Instituti Meteorologjik Norvegjez.

“Shumë zona të Norvegjisë përjetuan një verë jashtëzakonisht të nxehtë, me një valë të fortë të nxehti në korrik. Kjo, sigurisht, ndikon në bilancin e gjithë vitit. Për më tepër, para Krishtlindjeve pamë një fund vjeshte dhe një fillim dimri relativisht të butë”, shtoi ai.

Në shkallë kombëtare, temperaturat mesatare vitin e kaluar rezultuan 1,6 gradë Celcius mbi normalen (mesatarja e periudhës 1991–2020) dhe 2,8 gradë Celcius mbi nivelet e periudhës paraIndustriale (1871–1900), sipas Institutit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post METEO – 2025-a viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: SHBA do të marrin 50 milionë fuçi nafte të sanksionuar venezueliane

7 January 2026 at 10:49

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar, një hap që ai e paraqiti si përfitim për të dy vendet.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se nafta do të shitej me çmime tregu dhe se të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për t’u siguruar që do të përdoreshin “në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara”.

“Kam kërkuar nga sekretari i Energjisë, Chris Wright, ta zbatojë këtë plan menjëherë. Nafta do të merret nga anije magazinimi dhe do të transportohet drejtpërdrejt në portet e shkarkimit në Shtetet e Bashkuara” , shtoi ai.

SHBA-ja  sulmoi objektiva në Venezuelë, duke kapur udhëheqësin autoritar Nicolás Maduro nën akuzat për vepra penale të lidhura me drogën dhe duke e larguar atë nga vendi. Pas operacionit, Trump deklaroi se SHBA-ja do ta administronte përkohësisht Venezuelën.

Presidenti amerikan kishte theksuar më herët potencialin ekonomik të industrisë së naftës së vendit, duke thënë se kompani të mëdha amerikane të naftës do të investonin miliarda dollarë për të riparuar infrastrukturën dhe për të zhvilluar prodhimin.

Disa demokratë e kanë akuzuar Trumpin se po e shënjestron Venezuelën vetëm për rezervat e saj të naftës, duke e quajtur arrestimin e Maduro thjesht një pretekst./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post UASHINGTON – Trump: SHBA do të marrin 50 milionë fuçi nafte të sanksionuar venezueliane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 January 2026Main stream

KOMENT – Tensionet SHBA-Europë rrezikojnë bisedimet për Ukrainën në Paris

6 January 2026 at 12:32

PARIS, 6 janar /ATSH/ – Aleatët e Ukrainës takohen sot në Paris për bisedime kyçe që mund të ndihmojnë në përcaktimin e sigurisë së vendit, pas një armëpushimi të mundshëm me Rusinë.

Por, perspektivat për përparim janë të pasigurta, ndërsa administrata e Trumpit po e zhvendos fokusin tek Venezuela, ndërkohë që sugjerimet për një pushtim të Groenlandës po shkaktojnë tension me Evropën, sipas AP.

Para kapjes nga SHBA e liderit venezuelian Nicolas Maduro, presidenti francez Emmanuel Macron kishte shprehur optimizëm për takimin e fundit të ashtuquajtur “koalicion i të gatshëmve”.

Për muaj me radhë, ata kanë eksploruar mënyrat për të penguar çdo agresion të mëtejshëm rus nëse do të pranojë të ndalojë luftën kundër Ukrainës.

Në një fjalim më 31 dhjetor, Macron tha se aleatët do të “marrin angazhime konkrete” në samit “për të mbrojtur Ukrainën dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Zyra e presidentit  Macron tha se takimi i sotëm do të mblidhte një numër të paprecedent të zyrtarëve të pranishëm personalisht, me 35 pjesëmarrës duke përfshirë 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish.

SHBA-ja do të përfaqësohet nga të dërguarit  e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Zyra e Macron tha se delegacioni i SHBA-së fillimisht ishte planifikuar të udhëhiqej nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili ndryshoi planet për arsye të lidhura me ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë.

 Rritet tensioni mbi komentet për Groenlandën

Witkoff dhe Kushner udhëtuan drejt kryeqytetit francez pas ripërsëritjes të dielën nga presidenti Trump të thirrjes për të marrë kontrollin e Groenlandës, një ishull strategjik dhe i pasur me minerale në Arktik.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe homologu i saj i Groenlandës Jens Frederik Nielsen, kritikuan  presidentin Trump për komentet e tij dhe paralajmëruan për pasoja katastrofike nga çdo përpjekje e SHBA-së për të marrë kontrollin e ishullit, duke thënë se kjo do të përbënte fundin e aleancës ushtarake NATO.

Shumë liderë evropianë i dhanë mbështetje atyre, por kontinenti gjithashtu ka nevojë për fuqinë ushtarake të SHBA-së për të mbështetur çdo garanci sigurie për Ukrainën dhe për të penguar ambiciet territoriale të Rusisë. Kjo mund të kërkojë një balancim të hollë diplomatik në Paris.

Pjesëmarrësit synojnë rezultate konkrete mbi pesë prioritete kryesore pas përfundimit të luftimeve: mënyrat për të monitoruar një armëpushim; mbështetjen për forcat e armatosura të Ukrainës; vendosjen e një force shumëkombëshe në tokë, në det dhe në ajër; angazhimet në rast të një agresioni tjetër rus; dhe bashkëpunim afatgjatë në mbrojtjen me Ukrainën.

Ukraina kërkon garanci të forta nga Uashingtoni për mbështetje ushtarake dhe të tjera, të cilat shihet si të domosdoshme për sigurimin e angazhimeve të ngjashme nga aleatët e tjerë.

Kievi ka qenë i kujdesshëm ndaj çdo armëpushimi që mund të japë kohë Rusisë për t’u rigjeneruar dhe për të sulmuar përsëri.

Progresi i fundit në bisedime

Para operacionit ushtarak të SHBA-së që synonte Maduron, Witkoff kishte treguar përparim në bisedimet mbi mbrojtjen dhe sigurimin e Ukrainës.

Në një postim më 31 dhjetor, Witkoff shkroi në Twitter se diskutimet “produktive” me të, Rubion dhe Kushner nga ana e SHBA-së dhe, nga ana tjetër, këshilltarët e sigurisë kombëtare të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës, kishin fokusuar mbi “forcimin e garancive të sigurisë dhe zhvillimin e mekanizmave efektivë të dekonfliktimit për të ndihmuar në përfundimin e luftës dhe për të siguruar që ajo të mos rifillojë.”

Franca, e cila së bashku me Britaninë e Madhe ka koordinuar përpjekjen shumëkombëshe muaj pas muaji për të mbështetur armëpushimin, ka dhënë vetëm detaje të përgjithshme mbi shkallën e planit. Ajo thotë se linja e parë e mbrojtjes së Ukrainës kundër rifillimit të luftës nga Rusia do të jetë ushtria ukrainase dhe se koalicioni ka për qëllim ta forcojë atë me trajnime, armë dhe mbështetje të tjera.

Macron ka folur gjithashtu për mundësinë e vendosjes së forcave evropiane larg vijave të frontit të Ukrainës për të ndihmuar në pengimin e agresionit të ardhshëm rus.

Detajet e rëndësishme ende të pafinalizuara

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha gjatë fundjavës se vendosja e mundshme të trupave evropiane ende përballen me pengesa, detaje të rëndësishme mbeten të pafinalizuara dhe “jo të gjithë janë gati” të angazhojnë forcat.

Ai vuri në dukje se shumë vende do të kishin nevojë për miratimin e parlamentit edhe nëse liderët ranë dakord për mbështetje ushtarake për Ukrainën. Por ai e njohu se mbështetja mund të vijë edhe në forma të tjera përveç trupave, si “përmes armëve, teknologjive dhe inteligjencës”.

Zelensky tha se vendosja pas armëpushimit në Ukrainë nga BM dhe Franca, dy vendet e vetme evropiane me armë bërthamore, do të jenë “thelbësore” sepse disa anëtarë të tjerë të koalicionit “nuk mund të sigurojnë ndihmë ushtarake në formën e trupave, por ofrojnë mbështetje përmes sanksioneve, ndihmës financiare, ndihmës humanitare dhe të tjera”./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KOMENT – Tensionet SHBA-Europë rrezikojnë bisedimet për Ukrainën në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – 25 500 familje ende pa energji elektrike, katër ditë pas sulmit në rrjet  

6 January 2026 at 12:05

BERLIN, 6 janar /ATSH-DPA/ – Punimet për rikthimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes në disa zona të jugperëndimit të Berlinit po vazhdojnë dhe sot, ndërsa dhjetëra mijëra banorë mbetën pa furnizim për të katërtën ditë radhazi, në një kryeqytet të mbuluar nga bora.

Rreth 45 000 familje dhe mbi 2 200 biznese në lagjet ”Nikolassee”, ”Zehlendorf”, ”Wannsee” dhe ”Lichterfelde” mbetën pa energji elektrik të shtunën, pasi kabllo të tensionit të lartë që çojnë drejt një centrali elektrik u  përfshinë nga zjarri.

Autoritetet e Berlinit besojnë se pas sulmit qëndron një grup militantësh të majtë.

Deri tani, energjia elektrike u është rikthyer rreth 19 500 familjeve dhe rreth 1 000 bizneseve, por operatori “Stromnetz Berlin” njoftoi se mund të duhen deri të enjten që të gjithë përdoruesit të rilidhen me rrjetin, pasi riparimet janë komplekse.

Policia, zjarrfikësit dhe ushtria janë angazhuar në zonat e prekura për të ndihmuar personat që nuk kanë mundur të strehohen te familjarë apo miq në pjesë të tjera të Berlinit, ku temperaturat kanë qenë nën zero.

Spitalet arritën të vazhdojnë funksionimin falë gjeneratorëve të emergjencës dhe tashmë u është rikthyer furnizimi me energji. Ndërkohë, 72 nga 74 shtëpitë e kujdesit të prekura po furnizohen sërish me energji, sipas ”Stromnetz Berlin”./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BERLIN – 25 500 familje ende pa energji elektrike, katër ditë pas sulmit në rrjet   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Groenlanda nuk do të sjellë konflikt ushtarak

6 January 2026 at 10:41

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-DPA/ – Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë kontrollin e Groenlandës përbëjnë qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane, duke hedhur poshtë mundësinë e një konflikti ushtarak për ishullin arktik.

I pyetur nga CNN nëse Uashingtoni do të përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën, Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit të presidentit amerikan Donald Trump, tha se ”askush nuk do të luftojë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e Groenlandës”.

Ai shtoi se ishulli duhet të jetë pjesë e SHBA-së dhe se Trump e ka bërë të qartë këtë qëndrim që nga fillimi i mandatit të tij, gati një vit më parë.

Sipas Miller, si fuqia kryesore ushtarake e NATO-s, SHBA-ja ka nevojë për kontroll mbi Groenlandën për të garantuar sigurinë e rajonit Arktik.

Miller vuri gjithashtu në dyshim sovranitetin e Danimarkës mbi territorin, duke pyetur mbi çfarë baze ligjore Groenlanda i përket Danimarkës dhe pse ishulli duhet të mbetet një ”koloni e Danimarkës”.

Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon autonomi të gjerë dhe nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.

Ajo ka rëndësi strategjike për shkak të pasurive të saj me lëndë të para dhe rolit si bazë për kontrollin ushtarak të Arktikut.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja duhet të kontrollojë Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare, një qëndrim që e përsëriti edhe gjatë fundjavës.

Të shtunën, një postim në rrjetet sociale nga ish-këshilltarja qeveritare Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller, shfaqi një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan dhe fjalën ”Së shpejti”.

Danimarka, vendet nordike, Britania e Madhe , Gjermania dhe Bashkimi Evropian i hodhën poshtë dje pretendimet amerikane.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se kërcënimet e Trump duhet të merren seriozisht dhe paralajmëroi se, nëse SHBA-ja zgjedh të sulmojë një vend të NATO-s, ”gjithçka ndalet”./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Groenlanda nuk do të sjellë konflikt ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Nuk priten zgjedhje në Venezuelë në 30 ditët e ardhshme

6 January 2026 at 10:10

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk pret që në Venezuelë të mbahen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve të ardhshme.

“Duhet ta rregullojmë fillimisht vendin. Nuk mund të zhvillohen zgjedhje”, i tha ai transmetuesit amerikan NBC News.

”Kjo do të marrë një periudhë kohe dhe ne duhet të rikthejmë qetësinë në vend”, shtoi ai.

Qeveria e Venezuelës vazhdon ta konsiderojë Nicolas Maduro, i cili u ndalua nga forcat amerikane të shtunën, si presidentin legjitim të vendit.

Sipas Kushtetutës së Venezuelës, në rast të mungesës së përhershme të presidentit, detyrën e merr zëvendëspresidenti dhe duhet të organizohen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse udhëheqja e re e konsideron situatën aktuale si mungesë të përhershme.

Delcy Rodríguez, e cila kishte shërbyer si zëvendëspresidente e Maduros që nga viti 2018, bëri dje betimin si  presidente në detyrë.

Gjykata e Lartë e kishte ngarkuar atë gjatë fundjavës me marrjen përkohësisht të detyrave të kreut të shtetit.

Forcat amerikane sulmuan objektiva në Venezuelë gjatë fundjavës dhe arrestuan Maduron./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Nuk priten zgjedhje në Venezuelë në 30 ditët e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KINEMA – Mickey Rourke hap GoFundMe për t’i shpëtuar dëbimit nga shtëpia

5 January 2026 at 16:00

NJU  JORK, 5 janar /ATSH/ – Aktori i njohur amerikan Mickey Rourke , 73 vjeç, po përballet me rrezikun e dëbimit nga banesa e tij në Los Anxheles, pasi nuk ka paguar qiranë, sipas “ The Hollywood Reporter” .

Sipas dokumenteve ligjore, Rourke ka grumbulluar rreth 59 100 dollarë qira të papaguara për një shtëpi me tre dhoma gjumi që e ka marrë me qira në vitin 2025.

Për këtë arsye, pronari i banesës ka nisur procedurat për dëbim dhe po kërkon gjithashtu mbulimin e shpenzimeve ligjore.

Fushatë GoFundMe me miratimin e aktorit

Për të shmangur dëbimin, është hapur një fushatë GoFundMe me titull “Help Mickey Rourke Stay in His Home” (“Ndihmoni Mickey Rourke të qëndrojë në shtëpinë e tij”).

Fushata është hapur nga Liya-Joelle Jones, pjesë e ekipit të tij të menaxhimit, me miratimin e plotë të aktorit.

Qëllimi i fushatës është mbledhja e 100 000 dollarëve, shumë që do të shërbejë për të mbuluar borxhin e qirasë dhe për t’i dhënë aktorit një stabilitet të përkohshëm financiar. Brenda një kohe të shkurtër, janë mbledhur dhjetëra mijëra dollarë nga fansa dhe mbështetës.

Rourke kishte marrë shtëpinë me qira në muajin mars 2025, me një pagesë fillestare prej rreth 5 200 dollarësh në muaj, e cila më vonë u rrit në afro 7 000 dollarë./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KINEMA – Mickey Rourke hap GoFundMe për t’i shpëtuar dëbimit nga shtëpia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Petro: Gati të marrim sërish armët përballë kërcënimeve të Trump

5 January 2026 at 15:28

BOGOTA, 5 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti kolumbian Gustavo Petro, ish-guerrilas, deklaroi sot se do të marrë sërish armët, në përgjigje të kërcënimeve të homologut të tij amerikan Donald Trump, në një klimë tensioni në rritje mes dy vendeve pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë.

”Kam bërë betim të mos prek më armë që nga marrëveshja e paqes e vitit 1989, por për atdheun do t’i marr sërish armët”, shkroi presidenti i majtë kolumbian në platformën X.

Donald Trump deklaroi të dielën, në bordin e ”Air Force One”, se një operacion në Kolumbi, i ngjashëm me atë të zhvilluar në Venezuelë, i dukej ”një ide e mirë”.

Ai akuzoi Gustavo Petro për trafik droge drejt Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se ai ”nuk do ta bënte këtë për shumë gjatë”./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KOLUMBI – Petro: Gati të marrim sërish armët përballë kërcënimeve të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Dëbora dhe akulli shkaktojnë kaos në Europë

5 January 2026 at 14:41

LONDËR, 5 janar /ATSH-DPA/ – Dëbora, shiu dhe temperaturat e ulëta shkaktuan sot kaos në shumë vende të Evropës, ndërsa njerëzit u kthyen në punë pas pushimeve.

Rreth 450 fluturime u anuluan në aeroportin ”Schiphol” të Amsterdamit, dhe shërbimet e trenave në kryeqytetin holandez dhe rajonin e Utrehtit u pezulluan, njoftuan operatorët.

Po ashtu pati vonesa të shumta në shërbimet hekurudhore në Poloni.

Në Republikën Çeke, temperaturat u ulën në minus 30,6 gradë celsius në pyjet bohemiane, në kufi me Gjermaninë.

Aksidente të shumta  ndodhën në rrugët e ngrira, sidomos në zonat e ulëta malore.

Në Skoci, qindra shkolla mbetën të mbyllura në mëngjes për shkak të kushteve të pafavorshme.

Ndërprerje lokale u shënuan edhe në Francë, ndërsa dëbora e madhe mbuloi Ballkanin, veçanërisht Bosnje-Hercegovinën dhe Rumaninë.

Në rajonin e Karpateve, në Transilvani, disa fshatra mbetën të izoluar për shkak të rrugëve të bllokuara nga bora.

Në Suedi, fluturimet u anuluan gjithashtu në aeroportin e Stokholmit, dhe parashikohen reshje të reja dëbore në mbrëmje.

Në Austri, meteorologët paralajmërua për mot të ftohtë për pjesën perëndimore të vendit, me temperatura që mund të arrijnë nesër në minus 17 gradë Celsius./   /Ad.Ab./

The post METEO – Dëbora dhe akulli shkaktojnë kaos në Europë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – 10 të dënuar për ngacmim kibernetik kundër Brigitte Macron

5 January 2026 at 13:00

PARIS, 5 janar /ATSH-AFP/ – Dhjetë persona që ngacmuan në internet Brigitte Macron, të akuzuar për përhapjen ose transmetimin e fyerjeve dhe thashethemeve në lidhje me gjininë e saj dhe diferencën në moshë me presidentin francez, u dënuan sot në Paris me burgim deri në gjashtë muaj, shumica prej të cilëve morën dënime me kusht.

”Tetë të pandehur u dënuan me burgim me kusht nga katër deri në tetë muaj për qëllim për të dëmtuar paditësen, duke përdorur terma keqdashëse, degraduese dhe fyese në lidhje me pedofilinë e saj të dyshuar”, shpjegoi kryetari i trupit gjykues, Thierry Donnard.
Një dënim me gjashtë muaj burg iu dha njërit prej të pandehurve për shkak të mungesës së tij në seancën dëgjimore.

Vendimi i sotëm në Francë është një pararendës i një gjyqi shumë më të madh që pritet të zhvillohet në SHBA, ku familja Macron ka ngritur një padi për shpifje kundër influencueses së krahut të djathtë Candace Owens, e cila gjithashtu ka shprehur teori konspiracioni në lidhje me gjininë e Zonjës së Parë, sipas BBC.

Ata pretenduan se ajo “shpërfilli të gjitha provat e besueshme që hedhin poshtë pretendimin e saj në favor të platformës së teoricienëve të njohur të konspiracionit dhe shpifësve të provuar”.

Owens i ka përsëritur rregullisht pretendimet në podkastet e saj dhe kanalet e mediave sociale, dhe në mars 2024 deklaroi se do të vinte “të gjithë reputacionin e saj profesional” në besimin e saj se zonja Macron “është në fakt burrë”.

Një teori konspiracioni që pretendon se Brigitte Macron është një grua transgjinore ka qarkulluar që kur burri i saj u zgjodh për herë të parë në vitin 2017.

Brigitte Macron u takua për herë të parë me bashkëshortin e saj të tanishëm kur ajo ishte mësuese në shkollën e tij të mesme.

Çifti u martua në vitin 2007, kur presidenti i ardhshëm francez ishte 29 vjeç dhe ajo ishte në mesin e të 50-ave./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post PARIS – 10 të dënuar për ngacmim kibernetik kundër Brigitte Macron appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Meloni: Pa Maduron, një shpresë e re për Venezuelën

5 January 2026 at 12:33

ROMË, 5 janar /ATSH-ANSA/ – Një faqe e re shprese për popullin venezuelian me largimin e Maduros, u shpreh kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë një bisede telefonike me lideren e opozitës venezueliane dhe fituesen e çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado.

Biseda vjen pas kontaktit që Machado pati edhe me presidentin francez Emmanuel Macron, lidhur me perspektivat për një tranzicion paqësor dhe demokratik në Karakas.

”Largimi i Maduros përfaqëson për qytetarët e Venezuelës shpresën për t’u rikthyer te gëzimi i parimeve bazë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, ishte bindja e përbashkët e dy lidereve.

”Telefonata me Machado (së fundmi e përjashtuar nga Trump për sa i përket udhëheqjes së mundshme të vendit) tregon afërsinë e Italisë me popullin venezuelian dhe vëmendjen ndaj zhvillimeve të çështjes”, theksojnë burime nga partia në pushtet.

Ndërkohë, më shumë se 24 orë pas sulmit amerikan ndaj Venezuelës, Matteo Salvini thyen heshtjen.

Në pak rreshta të publikuara në Instagram, ai shpreh një qëndrim të ndryshëm nga pozicioni zyrtar i qeverisë.

”Askush nuk do të ndiejë nostalgji për Maduron, përgjegjës për varfërimin dhe shtypjen e popullit të tij për vite me radhë”, nis deklarata e Salvinit.

”Megjithatë rruga kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfundimin e konflikteve duhet të kthehet te diplomacia, duke respektuar të drejtën e popujve për të vendosur për të ardhmen e tyre”, shton ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ITALI – Meloni: Pa Maduron, një shpresë e re për Venezuelën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump paralajmëron lideren e re të Venezuelës, Rodriguez, përpara betimit

5 January 2026 at 10:41

UASHINGTON, 5 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump i ka lëshuar një paralajmërim të ashpër udhëheqëses së re të Venezuelës, Delcy Rodríguez, përpara betimit të saj në detyrë, duke thënë se ajo mund të “paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro”, nëse “nuk bën atë që është e drejtë”, sipas BBC.

Në një intervistë për “The Atlantic”, Trump shtoi se për Venezuelën “ndryshimi i regjimit, sido që ta quani, është më i mirë se ai që keni tani”.

Nga ana e saj, në mbledhjen e parë të kabinetit, Rodríguez, e cila pritet të betohet sot, iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit me një apel.

“Popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë”, tha ajo.

Ndërkohë, ish-presidenti Nicolas Maduro pritet të dalë para një gjykate në Nju Jork, pasi u kap së bashku me bashkëshorten e tij gjatë sulmeve ajrore amerikane në Venezuelë të shtunën.

Ai përballet me akuza që lidhen me trafik droge, të cilat i mohon.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara janë në luftë “kundër organizatave të trafikut të drogës”, dhe jo kundër vetë Venezuelës. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump paralajmëron lideren e re të Venezuelës, Rodriguez, përpara betimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Një avion i ”Air France” bën ulje të detyruar në Mynih

5 January 2026 at 09:49

MYNIH, 5 janar /ATSH-DPA/ – Një avion i “Air France”, që po fluturonte drejt Parisit, u detyrua të bëjë një ulje të paplanifikuar në Mynih dje në mbrëmje, pasi në bord u ndje një erë djegieje, bëri të ditur sot një zëdhënës i aeroportit.

”Askush nuk u lëndua”, tha zëdhënësi, duke shtuar se ”avioni arriti të lëvizë vetë drejt vendit të parkimit”.

Pasagjerët u dërguan në hotele .

Numri i saktë i tyre nuk ishte menjëherë i qartë, por zëdhënësi theksoi se në bord ndodheshin me siguri më shumë se 200 persona, duke pasur parasysh tipin e avionit.

Fluturimi ishte nisur nga Bejruti dhe ishte planifikuar fillimisht të ulej në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris.

Shkaku i erës së djegies nuk ishte menjëherë i qartë.

“Avioni ndodhet ende këtu”, tha zëdhënësi sot në mëngjes, duke shtuar se linja ajrore do të merret tani me rastin./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Një avion i ”Air France” bën ulje të detyruar në Mynih appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump ripohon dëshirën e tij për një Groenlandë amerikane, pas kundërshtimit të Danimarkës

5 January 2026 at 09:40

UASHINGTON, 5 janar /ATSH-AFP/ – Donald Trump riafirmoi dje në mbrëmje dëshirën e tij për të parë Groenlandën të vihet nën kontrollin amerikan, pasi kryeministri danez i kërkoi Shteteve të Bashkuara të “ndërpresin kërcënimet” e tyre për të aneksuar territorin.

Ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë, e cila nxori në pah interesin e Donald Trump për burimet e saj të mëdha të naftës në vend, ka ringjallur frikën për Groenlandën, e cila lakmohet nga presidenti amerikan për burimet e saj të rëndësishme minerale dhe vendndodhjen strategjike.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën nga një këndvështrim i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për të,” përsëriti presidenti amerikan për gazetarët në bordin e “Air Force One”, dje në mbrëmje.

“Do të kujdesemi për Groenlandën pas rreth dy muajsh… le të flasim për Groenlandën pas 20 ditësh”, shtoi ai.

Më parë, Donald Trump e kishte nxitur kryeministren daneze Mette Frederiksen të thyente heshtjen e saj.

Kur u pyet në një intervistë telefonike nga “The Atlantic” në lidhje me implikimet e operacionit ushtarak në Venezuelë për Groenlandën, Trump tha se u takon partnerëve të tij t’i vlerësojnë ata, sipas revistës.
“Ata do të duhet të vendosin vetë. Vërtet nuk e di”, tha Trump, duke shtuar se “ne absolutisht kemi nevojë për Groenlandën. Ne kemi nevojë për mbrojtjen tonë”./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump ripohon dëshirën e tij për një Groenlandë amerikane, pas kundërshtimit të Danimarkës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Pas kapjes, Maduro po mbahet në burgun famëkeq të Bruklinit

4 January 2026 at 22:21

NJU JORK, 4 janar /ATSH/ – Burgu i Bruklinit, që mban presidentin venezuelian, Nicolás Maduro është një strukturë kaq problematike, saqë disa gjyqtarë kanë refuzuar të dërgojnë njerëz atje, edhe pse aty janë mbajtur të burgosur të famshëm si yjet e muzikës R. Kelly dhe Sean “Diddy” Combs, sipas, AP.

E hapur në fillim të viteve 1990, Qendra Metropolitane e Paraburgimit, ose MDC Brooklyn, aktualisht strehon rreth 1 300 të burgosur.
Është vendi rutinë për njerëzit që presin gjyqin në gjykatat federale në Manhattan dhe Bruklin, ku mbahen të dyshuar gangsterë dhe trafikantë droge së bashku me disa njerëz të akuzuar për krime të jakës së bardhë.

Një turmë emigrantësh venezuelianë, shumë të mbështjellë me flamuj, u mblodhën në trotuaret jashtë burgut të shtunën në mbrëmje për të festuar kapjen e Maduros.

Turma brohoriti ndërsa autokolona e zbatimit të ligjit që besohet se mbante udhëheqësin e rrëzuar dhe gruan e tij mbërriti në burg.

Maduro nuk është presidenti i parë i një vendi që është mbyllur atje.
Juan Orlando Hernandez, ish-presidenti i Hondurasit, u burgos në MDC Brooklyn ndërsa ishte në gjyq për trafikimin e qindra ton kokainë në SHBA.

I dënuar me 45 vjet burg, Hernández u fal dhe u lirua nga presidenti Donald Trump në dhjetor./ /Ad.Ab./

The post SHBA – Pas kapjes, Maduro po mbahet në burgun famëkeq të Bruklinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fletoret e Camus, një dritare në mendimin e tij

4 January 2026 at 22:17

NJU JORK, 4 janar /ATSH/ – Botimi The Complete Notebooks” sjell për herë të parë të mbledhura në një vëllim të vetëm të gjitha shënimet e Albert Camus, nga viti 1935 deri më 1959, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi mendimin e brendshëm të shkrimtarit dhe filozofit francez, sipas “New York Times”.

Në artikull kritiku Dwight Gamer e përshkruan librin si një dokument thelbësor për të kuptuar jo jetën private të Camus, por procesin e tij intelektual dhe krijues.

Ndryshe nga ditarët klasikë, fletoret e Camus përmbajnë shumë pak elemente autobiografike.

Ato shmangin rrëfimin personal dhe fokusohen kryesisht në ide filozofike, shënime letrare dhe reflektime morale. Camus shfaqet si një njeri thellësisht privat, që e konsideronte rrëfimin intim dhe thashethemin si diçka të neveritshme.

Në këto shënime gjenden embrionet e veprave të tij më të njohura, si “I huaji”, “Mortaja” dhe “Rënia”.

Ato dëshmojnë për përpjekjen e vazhdueshme të Camus për të kuptuar absurditetin e ekzistencës, izolimin njerëzor, fajin dhe përgjegjësinë morale.

Sipas artikullit, romane të tilla mbeten forma më e plotë dhe më e qartë e mendimit të tij, krahasuar me fragmentet shpesh të thata të fletoreve.

Artikulli kujton edhe debatet e hershme kritike rreth këtyre shënimeve, nga vlerësimi entuziast i A.J. Liebling deri te kritika e ashpër e Susan Sontag, e cila vinte në dyshim peshën filozofike të Camus.

Vetë Garner pranon se, pas leximit të plotë, anon më shumë nga qëndrimi skeptik i Sontag-ut, duke i konsideruar fletoret interesante, por jo gjithmonë madhore.

Fletoret përfshijnë gjithashtu reflektime mbi politikën, kritikët letrarë dhe shoqërinë franceze, shpesh me ironi dhe sarkazëm. Krahas tyre, shfaqet edhe ana sensuale e Camus: dashuria për diellin mesdhetar, notin, udhëtimet e thjeshta dhe kafenetë modeste, larg luksit dhe pompozitetit.

Në përfundim, The Complete Notebooks” paraqitet si një vepër që kërkon durim dhe vëmendje nga lexuesi.

E  si sot më 1960 filozofi i shquar francez   humbi jetën në moshën 46-vjeçare në një aksident automobilistik pranë Villeblevin, në Francë. /Ad.Ab./

 

The post Fletoret e Camus, një dritare në mendimin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌