TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë shqiptarë do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre më lehtë në vendet e rajonit, pa u përballur me procedura të përsëritura licencimi.
Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”.
Sipas relacionit shoqërues, vendimi synon që rregullat për ushtrimin e aktivitetit turistik të mos kthehen në barriera për tregtinë e shërbimeve, duke garantuar trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim për operatorët nga vendet e CEFTA-s.
Një element i rëndësishëm i vendimit është mundësia që shërbimet turistike të ofrohen edhe përkohësisht në vendet e tjera të rajonit, pa qenë e nevojshme hapja e një zyre apo marrja e një licence të re, çka pritet të rrisë konkurrencën dhe bashkëpunimin rajonal në turizëm.
Projektligji është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe zhvillimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, të modeluar sipas parimeve të Bashkimit Evropian. /j.p/
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Muaji nëntor shënoi një tjetër periudhë pozitive për aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke konfirmuar rolin e tij si porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe një nyje e rëndësishme lidhëse në rajon.
Gjatë këtij muaji, aeroporti përpunoi gjithsej 765 890 pasagjerë, ndërsa u realizuan 4 490 fluturime drejt 67 destinacioneve në 21 shtete. Rritja e fluksit lidhet drejtpërdrejt si me vijimin e kërkesës turistike edhe pas sezonit veror, ashtu si edhe me zgjerimin e rrjetit të lidhjeve ajrore.
Sipas të dhënave të TIA-s, destinacionet më të frekuentuara gjatë kësaj periudhe mbetën Milano, Londra, Roma, Bolonja dhe Pisa, duke reflektuar lidhjet e forta me tregjet kryesore europiane.
Kjo performancë e transportit ajror lidhet ngushtë me ecurinë pozitive të sektorit të turizmit, i cili ka shfaqur sezonalitet të theksuar në tremujorin e tretë të vitit 2025.
Për 11-mujorin e këtij viti, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë arritur në rreth 12 milionë, në rritje krahasuar me vitin 2024 dhe me vitet pararendëse. Të dhënat tregojnë një rritje progresive të qëndrueshme që nga viti 2021, tendencë që pritet të vijojë edhe në periudhat në vijim.
Një tjetër tregues domethënës për cilësinë e zhvillimit të turizmit janë netqëndrimet, të cilat janë rritur nga viti në vit. Për vitin 2025, një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë, çka reflekton rritje të ofertës turistike dhe diversifikim të produkteve.
Në aspektin ekonomik, sektori i akomodimit dhe aktivitetet e lidhura me hotelet dhe restorantet kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ky sektor është rritur me 16% në terma nominalë dhe me 3,43% në terma realë gjatë 9-mujorit të 2025.
Ecuria pozitive e turizmit konfirmohet edhe nga të dhënat e bilancit të pagesave. Në nivel nëntëmujor, shërbimet kanë sjellë rreth 6,5 miliardë euro në ekonominë shqiptare, me një rritje prej 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve janë rritur po ashtu me 14%, duke gjeneruar 4,4 miliardë euro të ardhura.
Rritja ekonomike e vendit gjatë këtij viti është mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe veçanërisht nga turizmi dhe udhëtimet, ku Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të luajë një rol kyç në lidhjen e Shqipërisë me tregjet ndërkombëtare. /j.p/
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, vizitoi sot, në ditën e Krishtlindjes, Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë.
Gjatë vizitës në institucionin ku qëndrojnë 138 fëmijë pa kujdes prindëror, Krishtlindja u festua mes buzëqeshjeve, përqafimeve dhe momenteve gëzimi, në kuadër të nismës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale “Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur”, e mbështetur nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Ministrja Sala theksoi rëndësinë e reformave të ndërmarra në fushën e mbrojtjes sociale, duke vënë në dukje miratimin e ligjit “Për kujdesin alternativ” i cili krijon të gjithë bazën ligjore që synon garantimin e së drejtës së fëmijëve për t’u rritur në një mjedis familjar.
Ajo nënvizoi se politikat sociale janë të orientuara drejt forcimit të sistemit të birësimit dhe kujdestarisë.
Përkushtimi maksimal i punonjësve në institucionet sociale është t’u ofrojnë fëmijëve dashuri dhe përkujdesje, por qëllimi kryesor mbetet garantimi i një familjeje për secilin fëmijë.
Në vijim të vizitës, ministrja Sala takoi edhe një familje që kishte birësuar dy vajza të vogla binjake, duke e cilësuar këtë shembull si dëshmi konkrete të funksionimit të politikave të reja sociale dhe të rëndësisë së familjes në jetën e fëmijëve.
TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, uroi sot të gjithë besimtarët që festojnë Krishtlindjen, duke përcjellë një mesazh paqeje, shprese dhe begatie.
Kreu i Shtetit shprehu urimet më të mira për komunitetin e krishterë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve.
“Krishtlindje të gëzuara, plot shpresë e begati për të gjithë miqtë tanë të krishterë! Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”, uroi Presidenti Begaj.
Ai nënvizoi vlerat universale që përçon Krishtlindja, si solidariteti, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa, duke i konsideruar ato themel i harmonisë shoqërore dhe i forcimit të lidhjeve njerëzore.
Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit. /j.p/
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur se me aktin normativ të fundvitit mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025 arrin në 6,4 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 20,8% krahasuar me një vit më parë.
Me këtë akt normativ janë alokuar 2 miliardë lekë shtesë për Skemën Kombëtare, drejtpërdrejt në shërbim të fermerëve.
Sipas Ministrit Salla, kjo mbështetje e shtuar synon uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e vijimësisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale “Made in Albania”.
Ai theksoi se Skema Kombëtare mbetet një nga instrumentet kryesore të qeverisë për forcimin e prodhimit vendas dhe për mbështetjen konkrete të ekonomisë rurale.
Ministri Salla informoi se deri tani 65 mijë fermerë kanë përfituar nga Skema Kombëtare, ndërsa 49 800 prej tyre janë mbështetur me naftë në masën 100%.
Sipas tij, Akti Normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi dhe transparencë në zbatimin e skemës.
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston asnjë vendim i Bashkimit Europian apo i organeve të tij ndaj Shqipërisë në lidhje me sektorin energjetik.
MIE në një deklaratë për medie i cilëson dezinformimin keqdashës dhe lajme tërësisht të pavërteta dhe të qëllimshme për sa i përket sektorit energjetik.
“Sqarojmë prerazi se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë. Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik. Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE”, bën të ditur MIE.
Shqipëria, theksohet më tej në deklaratë është një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, vlerësim i reflektuar qartë në raportet ndërkombëtare përkatëse. Përpjekjet për ta paraqitur vendin si problematik janë të rreme dhe dashakeqe.
“Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE-se, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa të miratuara. Paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” apo “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i pastër, i qëllimshëm, dhe i koordinuar ndaj sektorit energjitik shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Deklaratat dhe shkrimet e publikuara në orët e fundit, citohet deklarata, përbëjnë shpifje të qëllimshme, me synim baltosjen e një prej sektorëve më të suksesshëm të Shqipërisë. Ky sukses është i dokumentuar qartë edhe nën Kapitullin 15 të negociatave me Bashkimin Europian, ku sektori i energjisë konsiderohet ndër fushat me progres real dhe të matshëm.
“Theksojmë me forcë se në asnjë raport zyrtar të Komunitetit të Energjisë nuk përmenden ndëshkime apo shkaqe për mospërmbushje detyrimesh për TEC-in e Roskovecit, termocentralet lundruese, rrjetin e interkonjeksioni apo të tjera. Përfshirja e tyre në këto lajme përbën një manipulim të qëllimshëm, i cili nuk ka asnjë bazë faktike dhe synon vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në fushën energjetike dhe në procesin e integrimit europian, duke realizuar qartazi planin dashakeqës të faktorëve të ndryshëm që janë aktive në këto momente”, citohet deklarata.
MIE siguron se institucionet përgjegjëse nuk do të tolerojnë keqinformimin dhe do të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për dezinformim publik dhe baltosje, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe vijimësi të reformave në sektorin energjetik.
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen e qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar performancë pozitive në shumicën e sektorëve kryesorë dhe një interes të shtuar të investitorëve vendas e të huaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot gjatë një konference në medie treguesit më të fundit ekonomikë, si dhe pritshmëritë për vitin 2026, me fokus rritjen ekonomike, inovacionin dhe përafrimin me standardet europiane.
Duke iu referuar raportit të publikuar nga INSTAT, ministrja informoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2025 u rrit me 3,75%, një nivel që sipas saj, është brenda parashikimeve të qeverisë dhe dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 1,6%, si edhe mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 3,4%.
Në nivel nëntëmujor, ministrja tha se rritja ekonomike arriti 3,73%, ndërsa pritshmëritë janë që në fund të vitit 2025 rritja të përmbushë objektivin prej 3,9%.
Ministrja renditi edhe sektorët kontribues në rritje.
“Analiza sipas sektorëve tregon se ekonomia është mbështetur kryesisht nga shërbimet dhe investimet publike e private. Ndërtimi shënoi një rritje prej 4,75%, ndërsa tregtia, transporti dhe akomodimi, sektorë të lidhur ngushtë me turizmin, u rritën me 2,62%”, tha ajo.
Më tej, ministrja shtoi se sektori i informacionit dhe komunikacionit vijoi të forcojë rolin e tij në ekonomi, me një rritje të ndjeshme prej 10,4%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme u rritën me 10,55%.
Një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, të cilat së bashku kontribuuan me 1,68 pikë përqindje në rritjen ekonomike prej 3,75%, duke reflektuar efektet pozitive të investimeve dhe rritjes së pagave në këta sektorë.
Nga ana tjetër, ministrja informoi se bujqësia, pyjet dhe peshkimi shënuan një rënie prej 1,73%, ndërsa industria në tërësi u ngadalësua me 4,75%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese e tekstileve.
Ministrja Ibrahimaj e cilësoi turizmin si motori i rritjes ekonomike.
“Turizmi vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Për 11-mujorin e vitit 2025, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në rreth 12 milionë, me rritje të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme. Netqëndrimet u rritën nga viti në vit, ndërsa një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë”, tha Ibrahimaj.
Akomodimi, hotelet dhe restorantet shtoi Ibrahimaj, shënuan rritje prej 16% në terma nominalë dhe 3,43% në terma realë.
Ndër të tjera ministrja nënvizoi se në nivel nëntëmujor, shërbimet sollën në ekonomi 6,5 miliardë euro, me rritje 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimit gjeneruan 4,4 miliardë euro të ardhura.
Duke u ndalur në treguesit e konsumit, ministrja shpjegoi se konsumi i familjeve u rrit me 1,25%, duke reflektuar stabilitet dhe inflacion të kontrolluar, nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, vijoi Ibrahimaj, kemi një përmirësim të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
“Importet neto dhe eksportet neto janë rritur respektivisht eksportet me 12.55 5% ndërsa importet me 5.47%. Kjo do të thotë që pra përmirësimi i pozicionit të jashtëm dhe rezultati pozitiv për për tremujorin e tretë të vitit i cili ka rezultuar me sufiçit prej 658 miliard eurosh, do të thotë që në Shqipëri është gjeneruar më shumë valutë sa më parë. Në nivel nëntë mujor jemi gjithashtu në sufiçit rreth 50 miliard euro. Sufiçiti në nivel munjor. ë ndodh për herë të parë nëntë mujor pasi në mujorin e katërt të vitit të kaluar në nivelin nëntëmujor neve vijonim të ishim me një defiçit. Megjithatë sa i takon tregtisë së mallrave defiçiti i mallrave është i ndikuar nga rritja kryesisht nga rritja e importeve të energjisë dhe nga rënia e eksporteve të metaleve bazë. Ndërkohë që në total siç e shpjegova dhe më parë eksportet e shërbimeve janë ditur dhe kanë dhënë një kon kontribut të madh pozitiv duke i dhënë peshën kryesore në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, shërbimeve dhe turizmi”, deklaroi ministrja
Po ashtu sipas saj, investimet shënuan rritje prej 4,78% në tremujorin e tretë, duke treguar besim të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare.
“Investimet e huaja direkte për nëntëmujorin e vitit 2025 arritën në 1,2 miliardë euro, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Sektorët kryesorë përfituese janë pasuritë e paluajtshme me 31%, ndërmjetësimi financiar me 16%, hidrokarburet, energjetika dhe komunikacioni”, u shpreh ministrja.
Në tregun e punës, ministrja bëri të ditur se papunësia zbriti në 8,1%, ndërsa paga bruto mesatare arriti në 83,300 lekë, me rritje 7,25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se të dhënat flasin për një ekonomi të qëndrueshme, me tregues makroekonomikë të fortë dhe perspektivë pozitive edhe për vitin 2026.
Ajo nënvizoi se, pavarësisht pasigurive globale, ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë, ndërsa raporti i fundit i FMN-së konfirmon stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.
“Nga ana tjetër sot është publikuar gjithashtu dhe raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu nënvizon një rritje ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe tregues makroekonomik të fortë dhe të qëndrueshëm. Si risk kryesor për ekonominë jo vetëm shqiptare, por të rajonit theksohet paqëndrueshmëria e situatës globale dhe risqet që mund të vijnë nga kërkesa e huaj, të cilat për tremujorin e tretë të vitit nuk janë materializuar”, deklaroi ministrja.
Konferencë për mediet e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Foto: Andrin ...
1 nga 7
Delina Ibrahimaj - Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Foto: Andrin Hoxha
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Shqipëria vazhdon të shënojë një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, e mbështetur nga turizmi, inflacioni i ulët, borxhi publik në rënie dhe rezerva të forta valutore, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundim të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025.
Sipas vlerësimit të Bordit Ekzekutiv të FMN-së, rritja ekonomike pritet të mbetet e qëndrueshme në nivelin 3,5% në vitin 2025 dhe 3,6% në vitin 2026, e nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe mbështetja e vazhdueshme e sektorit të turizmit. FMN thekson se ekonomia shqiptare ka tejkaluar tashmë nivelin e saj para pandemisë, falë një kombinimi të përshtatshëm të politikave fiskale dhe monetare.
Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht nga 2,2% në vitin 2025 drejt objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të shtrënguar dhe rritjes së pagave.
Ndërkohë, deficiti i llogarisë korrente pritet të jetë 2,8% e PBB-së në vitin 2025 dhe të zgjerohet gradualisht në rreth 3,5% të PBB-së në afatin e mesëm, si pasojë e rritjes së importeve të nxitura nga të ardhurat më të larta dhe investimet publike kapitale.
FMN vlerëson se disiplina fiskale ka çuar në një ulje të ndjeshme të borxhit publik, i cili pritet të bjerë nën 50% të PBB-së, ndërsa rezervat e forta valutore kanë përmirësuar ndjeshëm pozicionin e jashtëm të vendit. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare po avancon reforma të guximshme me synimin për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Megjithatë, FMN paralajmëron se rreziqet për perspektivën ekonomike janë zhvendosur drejt kahut negativ, për shkak të një mjedisi të jashtëm më të paqëndrueshëm. Tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, luhatjet e çmimeve të mallrave dhe paqëndrueshmëria në tregjet financiare globale mund të ndikojnë negativisht te partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe kërkesa e jashtme. Në planin e brendshëm, rënia e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesat në tregun e punës dhe të ushtrojë presione inflacioniste.
Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të mbyllur boshllëqet e reformave me Bashkimin Evropian, FMN thekson se reformat e brendshme në kohë janë thelbësore.
Prioritet mbetet ruajtja e rezervave fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, përmirësimit të administrimit tatimor dhe modernizimit të sistemit të taksës së pronës, si dhe rritja e transparencës dhe cilësisë së shpenzimeve publike.
Në lidhje me politikat fiskale, FMN vlerëson se rritja e presioneve mbi shpenzimet, nëse nuk adresohen në kohë, mund të rrezikojë qëndrueshmërinë fiskale, veçanërisht përtej vitit 2030, për shkak të ndryshimeve demografike, detyrimeve për mbrojtjen dhe shpenzimeve që lidhen me klimën. Për të ruajtur rezervat fiskale, FMN rekomandon reforma të favorshme për rritjen në anën e të ardhurave, përmirësim të cilësisë së shpenzimeve dhe rritje të transparencës fiskale.
Në këtë kuadër, FMN komenton edhe nismën e “Paqes Fiskale”.
“Marrëveshja ‘Paqja Fiskale’, e cila ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore”, thuhet në deklaratëne Bordit të FMN-së.
Në fushën e politikës monetare, FMN vlerëson se qëndrimi aktual i Bankës së Shqipërisë është i përshtatshëm, por thekson se banka qendrore duhet të jetë e gatshme të reagojë shpejt ndaj zhvillimeve të tregut, veçanërisht nëse efektet dytësore nga rritja e pagave rezultojnë më të forta se sa pritej. FMN rekomandon gjithashtu fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit dhe mbështetje më të madhe te normat e interesit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Sa i përket sektorit financiar, FMN nënvizon nevojën për monitorim të kujdesshëm të rreziqeve që lidhen me kreditimin në pasuri të paluajtshme, ekspozimet ndaj valutës së huaj dhe borxhin sovran, si dhe forcimin e kuadrit prudencial dhe të mbikëqyrjes bankare.
Në planin afatmesëm, FMN thekson se arritja e konvergjencës së të ardhurave me Bashkimin Evropian kërkon reforma të thella strukturore, veçanërisht në rritjen e produktivitetit, zhvillimin e kapitalit njerëzor, përmirësimin e tregut të punës, forcimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit.
Konsultimi i ardhshëm sipas Nenit IV pritet të zhvillohet sipas ciklit standard 12-mujor.
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Bizneset e lidhura në nivel tensioni 6 kilovolt do të duhet të sigurojnë vetë furnizimin me energji elektrike në tregun e lirë, duke kontraktuar një furnizues privat, duke nisur nga 1 janari 2026.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) u ka bërë thirrje këtyre klientëve që të marrin masat e nevojshme për t’u përshtatur me fazën e fundit të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Sipas ERE-s, nga 1 janari 2026, klientët e lidhur në nivelin e tensionit 6 kV, të cilët plotësojnë kriteret ligjore dhe teknike për dalje në tregun e liberalizuar, kanë detyrimin të gjejnë dhe të kontraktojnë furnizuesin e tyre në tregun e lirë.
Në faqen zyrtare të ERE-s janë të publikuara listat e furnizuesve të licencuar, si dhe mënyrat e kontaktimit dhe kontraktimit të tyre.
Gjithashtu, konsumatorët mund të përdorin platformën e krahasimit të çmimeve PCT (Price Comparison Tool), të ndërtuar nga ERE, në adresën https://pct.ere.gov.al/, për të gjetur ofertat më të përshtatshme të furnizimit sipas kategorisë përkatëse.
Rregullatori thekson se konsumatorët që kanë plotësuar kriteret për daljen në treg të lirë, por që nuk kanë arritur të kontraktojnë një furnizues ose kanë humbur furnizuesin aktual, mund të përfitojnë përkohësisht nga shërbimi i “Furnizuesit të Mundësisë së Fundit”.
Ky furnizim ofrohet për një periudhë të kufizuar prej 60 ditësh, në kushte të rregulluara, në përputhje me legjislacionin e sektorit të energjisë elektrike.
Në çdo rast, ERE nënvizon se subjektet kanë të drejtë ligjore të ndryshojnë furnizuesin pa pagesë.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri nisi në 2018-ën, fillimisht me bizneset e lidhura në tension 35 kV. Më pas, në faza të njëpasnjëshme, në tregun e lirë kanë kaluar edhe bizneset e lidhura në tension 20 kV dhe 10 kV. /j.p/
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndërsa po zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, nënkryetarin Bujar Osmani, si dhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Takimi u fokusua në kontributin domethënës të opozitës shqiptare në artikulimin dhe avancimin e kauzave shqiptare dhe të proceseve integruese euroatlantike.
Shqipëria, tha Spiropali, do të vijojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare, në pozitë dhe në opozitë, veçanërisht në funksion të ruajtjes së stabilitetit, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të progresit të integrimit të dy vendeve tona.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut vizitoi komunën e Tetovës.
Gjatë vizitës zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut, kryediplomatja shqiptare u takua me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministrin Hristijan Mickosk dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit fqinj. /j.p/
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar trendin pozitiv gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga primet dhe zgjerim të numrit të kontratave të sigurimit, ndërsa niveli i dëmeve të paguara ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën në 24,2 miliardë lekë, ose 10,17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Paralelisht, numri i kontratave të sigurimit të lidhura u rrit me 4,69%, duke arritur në 1,506,529 kontrata, çka tregon një zgjerim të bazës së klientëve dhe rritje të kërkesës për produkte sigurimi.
Struktura e tregut mbetet e dominuar nga sigurimet e Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91,54% të totalit të primeve të shkruara bruto. Sigurimet e Jetës zënë 8,43% të tregut, ndërsa risigurimi mbetet në nivele minimale me 0,028%. Këto të dhëna konfirmojnë orientimin tradicional të tregut shqiptar drejt sigurimeve Jo-Jetë, veçanërisht atyre motorike.
Nga këndvështrimi i ndarjes sipas llojit të sigurimit, primet e sigurimit të detyrueshëm vijojnë të kenë peshën kryesore në treg, duke zënë 62,42% të totalit, ndërsa sigurimet vullnetare përbëjnë 37,58%.
Në anën tjetër, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë janar-nëntor 2025 arritën në rreth 7,4 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 3,61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik, që përbëjnë pjesën më të madhe të dëmeve totale, kapën vlerën 5,7 miliardëë lekë, me një rritje të lehtë prej 0,31% në krahasim me një vit më parë. /j.p/
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun e transportit urban në zonën e Kamzës, pas ankesave dhe shqetësimeve të ngritura nga publiku lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është hapur ndaj shoqërisë SHPRESA-AL SHPK, e cila operon në linjat Kamzë-Tiranë-Kamzë dhe Paskuqan-Babrru-Tiranë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se SHPRESA-AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në tregun përkatës.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se, nga vlerësimi fillestar, mungojnë analizat ekonomike dhe financiare që do të justifikonin rritjen e tarifave të aplikuara për shërbimin e transportit urban.
Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën 1 janar 2025-12 dhjetor 2025, gjatë së cilës Autoriteti do të analizojë nëse ka shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. /j.p/
TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Vetëpunësimi po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një rrugë reale për ndërtimin e karrierës së të rinjve në Shqipëri, ndërsa interesimi për programet mbështetëse ka arritur nivelin më të lartë ndër vite.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në kuadër të Programit të Vetëpunësimit, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi historitë konkrete të të rinjve që kanë zgjedhur të kthejnë një ide të thjeshtë në një aktivitet të qëndrueshëm ekonomik. Ajo theksoi se zgjedhja për të ndërtuar një biznes, kërkon guxim dhe përkushtim, veçanërisht në fazën fillestare, ku ideja duhet të strukturohet dhe të kthehet në punë të përditshme.
Sipas të dhënave të bëra publike, këtë vit Programi i Vetëpunësimit ka regjistruar interesin më të lartë që nga nisja e tij, me 233 aplikantë të shpallur përfitues. Ndërkohë, në total, që nga fillimi i programit, mbështetje kanë përfituar 670 persona. Ministrja theksoi se pas këtyre shifrave qëndrojnë histori personale, përpjekje konkrete dhe angazhim i vazhdueshëm.
Garancia Rinore vijon të luajë një rol kyç, duke mbështetur vetëpunësimin për të dytin vit radhazi. Për tre vitet e ardhshme, mbi 500 të rinj pritet të përfitojnë mbështetje të dedikuar.
Ibrahimaj nënvizoi se politikat publike nuk do të ndalen vetëm në fazën e nisjes së aktivitetit, por do të shtrihen edhe gjatë rritjes dhe zgjerimit të tij, duke u përmirësuar mbi bazën e përvojës reale të vetë të rinjve.
Ministrja u shpreh se ndarja e historive personale të suksesit është një nga mënyrat më të forta për të nxitur të tjerë të ndërmarrin hapin e parë drejt sipërmarrjes.
Programi i Vetëpunësimit zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, si pjesë e politikave aktive për nxitjen e punësimit dhe sipërmarrjes tek të rinjtë. /j.p/
TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Ndërsa shkonte drejt përfundimit, protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike u tensionua ndërsa dhjetëra koktejle molotov janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë.
Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha. Ndërsa ai së bashku me drejtuesit e tjerë demokratë u larguan, nisi hedhja e molotovëve që kanë rrezikuar forcat e rendit që ishin mbledhur kordon në ruajtje të institucionit.
Po ashtu, edhe protestuesit rrezikuan nga hedhja e molotovëve ndërsa njëri prej tyre u përfshi nga flakët për disa momente.
Po ashtu protestuesit u përplasen me forcat e Policisë së Shtetit, pasi hoqën një pjesë të gardhit rrethues të vendosur provizorisht pranë godinës së qeverisë dhe vendosën foto të anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve.
Pas këtyre momenteve tensionesh, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në bulevard drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Tiranës duke iu drejtuar Kuvendit dhe duke e përfunduar në selinë e PD-së.
Kjo është protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë. Protesta e opozitës u thirr pas padisë së ngritur nga SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. /j.p/
Protestuesit hedhin molotovë ndaj Kryeministrisë, foto: Andrin Hoxha
TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë vijuar rritjen gjatë vitit 2025, duke forcuar qëndrueshmërinë financiare të skemës dhe garantimin e pensioneve dinjitoze për qytetarët.
Për periudhën 11-mujore të vitit 2025, të ardhurat e mbledhura nga kontributet arritën në rreth 158 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, janë arkëtuar 15,6 miliardë lekë më shumë, ndërsa realizimi ka tejkaluar planin për këtë periudhë me rreth 500 milionë lekë.
Rritja e të ardhurave është mbështetur kryesisht nga rritja e pagave në administratën publike, e shoqëruar me zgjerimin e fondit të pagave në sektorin privat, si dhe nga masat e ndërmarra në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit për vitin 2025, me fokus përmirësimin e administrimit tatimor.
Sipas listëpagesave të deklaruara në Administratën Tatimore për 9-mujorin e vitit 2025, rezultojnë rreth 751520 tatimpagues në listëpagesë, si dhe 12616 kontribues më shumë, ose 1,7% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërkohë, numri i vendeve të punës arriti në rreth 761362, me 12457 vende pune më shumë, ose 1,7% rritje vjetore.
Në vijim, për vitin 2026 parashikohet që të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore të arrijnë në rreth 196,9 miliardë lekë. Ky parashikim përfaqëson një rritje prej rreth 20,2 miliardë lekë krahasuar me të ardhurat sipas Aktit Normativ, ose rreth 11,4% më shumë.
Programimi i të ardhurave për vitin 2026 bazohet në parashikimet makroekonomike, si rritja e ekonomisë, si dhe në analizën e faktorëve që ndikojnë në zgjerimin e bazës së kontributeve. /j.p/
TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Aktori Xhenan Sylavej ndau rrugëtimin e tij artistik dhe përvojën profesionale mes Shqipërisë dhe Turqisë, gjatë pjesëmarrjes në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.
Ai u diplomua për aktrim në Universitetin e Arteve, nën drejtimin e regjisorit dhe pedagogut të njohur Zhevded Ferri.
Sylavej rrëfeu se ëndrra për t’u bërë aktor ka lindur që në moshën 5-vjeçare, ndërsa ndikim të veçantë kanë pasur edhe serialet turke dhe teknikat e interpretimit të aktorëve, të cilat e shtynë të mendojë për specializim në Turqi.
Pas përfundimit të Universitetit të Arteve, ai mori iniciativën për të vënë në skenë një shfaqje, por si aktor i ri ndjeu nevojën për më shumë përvojë dhe për këtë arsye vendosi të vijonte specializimin edhe për dy vite të tjera në Stamboll, me mbështetjen e familjes.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ai mori përsipër një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij, organizimin dhe realizimin e shfaqjes “Romeo dhe Zhuljeta”, në bashkëpunim me regjisorin e njohur turk Sakur Gülxümah. “Ishte një rrugë e re, pa garanci, pa shtigje të hapura, por e mbushur me sakrifica, emocione dhe mësime të vlefshme”, u shpreh ai.
Sylavej u rikthye në Shqipëri për arsye familjare, por edhe me një vizion më të gjerë për artin dhe kulturën. Sipas tij, shfaqja “Romeo dhe Zhuljeta” u soll në Shqipëri falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin e tij artistik.
Aktualisht, ai ka nisur një projekt të ri, të cilin e ka dorëzuar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me titull “Viti kalendarik shekspirian”, një nismë që synon të përfshijë institucione të ndryshme kulturore në aktivitete kushtuar veprës së William Shakespeare. /j.p/
TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Rrugëtimi i regjisores së re Evi Gjoni në kinematografi është ndërtuar mbi pasionin e hershëm për rrëfimin vizual. Me dy filma të shkurtër të përzgjedhur në festivale jashtë vendit dhe me vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, ajo po afirmohet si një nga zërat e rinj të kinemasë shqiptare.
Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, regjisorja Gjoni tregoi se filmi për të është më shumë sesa profesion, duke e cilësuar atë si një mënyrë për të shprehur identitetin dhe për të ndërtuar ura komunikimi përmes artit.
“Filmi për mua është më shumë se profesion”, u shpreh ajo.
Bijë e Valter Gjonit, i njohur si një figurë emblematike e protokollit në Bashkinë e Tiranës, Evi Gjoni tregoi se lidhja me krijimtarinë ka nisur herët. Gjatë adoleshencës, ajo filloi të shkruante jo në formën e një ditari, por si skenarë me skena të shkurtra, shpesh të ndërthurura me pasionin për fotografinë, për të krijuar imazhe që pasqyronin botën e saj të brendshme dhe realitetin përreth.
Rrugëtimi profesional i saj u formësua nga bashkëpunimi dhe mësimi pranë emrave të njohur të kinemasë shqiptare, si Kristaq Mitro dhe Artan Minarolli, si dhe nga përgatitja në master me Mevlan Shanaj. Një moment i veçantë, sipas saj, ishte takimi me regjisorin Gjergj Xhuvani, pas përfundimit të maturës, i cili e orientoi në përgatitjen për konkursin e Akademisë së Arteve, konkurs që ajo e fitoi.
Gjoni rrëfeu gjithashtu pse Shqipëria mbetet vendi ku ajo synon të vijojë ndërtimin e karrierës së saj, pa pasur në plan largimin jashtë vendit. Ajo theksoi se, ndonëse problematikat profesionale janë të ngjashme kudo, ka zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri për shkak të vlerave morale dhe kulturore që, sipas saj, ruhen ende fort në vend. Ajo vlerësoi rolin e komunitetit dhe të familjes, duke i cilësuar si faktorë të rëndësishëm shoqërorë.
“Kam kuptuar se, edhe në raport me kolegët e mi që kam njohur në trajnime, festivale filmi apo aktivitete të tjera ndërkombëtare, ne jetojmë pothuajse njësoj. Kemi të njëjtat problematika dhe na gëzojnë të njëjtat gjëra. Megjithatë, një arsye pse më pëlqen Shqipëria dhe pse kam zgjedhur të mos largohem është fakti se ne nuk i kemi humbur disa vlera morale dhe kulturore, të cilat kolegët e mi që jetojnë në vende të tjera të Europës i kanë humbur. Jo vetëm ne, por edhe pjesa e Ballkanit dhe e Europës Lindore ruan ende disa vlera të rëndësishme. Shoh se ende bëjmë gjëra për komunitetin dhe për njëri-tjetrin, si dhe i kushtojmë një fokus shumë të fortë familjes. Këto janë gjëra që më pëlqejnë dhe ndoshta lidhen edhe me mënyrën se si jam rritur”, u shpreh ajo.
Ajo nënvizoi gjithashtu se perceptimi për Shqipërinë jashtë vendit po ndryshon dhe se ekziston interes i madh për historitë shqiptare. Sipas saj, Shqipëria vlerësohet tashmë shumë më tepër ndërkombëtarisht, duke i atribuar një meritë të veçantë edhe kryeministrit Rama.
“Pata fatin të realizoj dy filma të shkurtër dhe të kem mundësinë ta përfaqësoj Shqipërinë edhe jashtë vendit. Aty kam kuptuar se imazhi për Shqipërinë është ndryshe kudo që ne shkojmë dhe se, me kalimin e kohës, ky perceptim ka ndryshuar. Kjo besoj edhe falë punës suaj, kryeministër. Shoh se ka interes të madh për historinë shqiptare dhe për vendin tonë, kudo ku shkojmë. Në çdo moment që marr pjesë në një trajnim apo festival, nuk jam vetëm Evi, por jam Evi Gjoni nga Shqipëria dhe, dashje pa dashje, bëhesh ambasadore e vendit tënd. Kjo është gjithmonë një përgjegjësi e madhe”, tha ajo.
Regjisorja u shpreh optimiste për të ardhmen e sektorit të kinemasë në Shqipëri, duke përmendur nismat institucionale në fushën e kulturës dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, përfshirë edhe ardhjen e një grupi profesionistësh që punojnë në Hollywood, të cilat po krijojnë mundësi të reja për artistët e rinj dhe po e bëjnë vendin një hapësirë gjithnjë e më tërheqëse për krijimtarinë filmike.
Në fund Gjoni i dhuroi kryeministrit rama librin e shkruar nga i ati, Valteri “Qytetarët e nderit të Tiranës”. /j.p/
TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Aeda Durishti, 20 vjeçe, aktualisht studente në Universitetin e Arteve në degën pikturë–tekstil–modë, ndau historinë e saj të rrugëtimit në art, si një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
E ftuar në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, Aeda tregoi se kontaktin e parë me botën e modës e pati që në moshën 11-vjeçare.
Sot, ajo zotëron një atelie veshjesh, punon si moderatore në televizion dhe jep mësim pikture, duke e shndërruar pasionin në profesion.
Sipas saj, prindërit luajtën një rol kyç në këtë rrugëtim, pasi vunë re herët prirjet e saj për pikturën dhe e mbështetën duke e regjistruar në një kurs arti.
“Punova shumë dhe, hap pas hapi, pa e kuptuar, e gjeta veten në liceun artistik”, rrëfeu Aeda, duke theksuar se kjo shkollë i dha jo vetëm formim artistik.
Ajo pranoi se ka qenë e dyzuar për zgjedhjen mes pikturës dhe dizajnit të modës, sidomos për shkak të paragjykimit se piktura nuk ofron siguri ekonomike.
Megjithatë, realiteti, sipas saj, ka qenë i kundërt. Edhe pse zgjodhi fashion design si degë studimi, të ardhurat kryesore i ka siguruar nga piktura.
Për këtë arsye, ajo apeloi prindërit që të mbështesin ëndrrat dhe talentet e fëmijëve të tyre, duke besuar se pasioni, kur shoqërohet me punë dhe përkushtim, mund të kthehet në një rrugë të qëndrueshme profesionale. /j.p/
TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Gjatë periudhës së festave të fundvitit, sistemi shëndetësor parësor në të gjithë vendin do të vijojë punën pa ndërprerje, me qëllim garantimin e shërbimeve të menjëhershme dhe cilësore për qytetarët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një takim pune me stafin drejtues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), ku u diskutuan masat organizative dhe koordinuese për përballimin e fluksit të shtuar të kërkesave gjatë sezonit festiv.
Në fokus të takimit ishte forcimi i gatishmërisë së strukturave shëndetësore, sigurimi i vijimësisë së shërbimeve dhe rritja e vëmendjes ndaj emergjencave shëndetësore që mund të shfaqen gjatë festave.
OSHKSH administron dhe koordinon një rrjet të gjerë kombëtar, i përbërë nga katër drejtori rajonale, 36 njësi vendore, spitale rajonale, bashkiake dhe ditore, si dhe 362 qendra shëndetësore, duke luajtur një rol kyç në funksionimin e sistemit shëndetësor parësor në vend.
Autoritetet shëndetësore sigurojnë se të gjitha strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë për t’u ofruar qytetarëve kujdes shëndetësor të vazhdueshëm dhe të sigurt gjatë gjithë periudhës së festave të fundvitit. /j.p/
TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Teatri Metropol hapi dyert për dy net me radhë në koncertin kushtuar muzikës së filmit shqiptar, duke sjellë në skenë tingujt që kanë shoqëruar disa prej veprave më të rëndësishme të kinemasë sonë.
Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe me interpretimin e orkestrës simfonike SinfoArt, publiku u përfshi në një atmosferë emocionesh, kujtimesh dhe nostalgjie.
Gjatë koncertit u interpretuan kolonat zanore që kanë bërë histori, duke rikthyer në vëmendje vepra të kompozitorëve të shquar shqiptarë.
Para një publiku të gjerë u interpretuan krijime të Çesk Zadeja nga “Skënderbeu – Suite”, muzika prekëse e Aleksandër Lalo për filmin “Dimri i fundit”, si dhe kompozimet e Robert Radojës në “Mëngjese lufte”.
Publiku dëgjoi gjithashtu veprat emblemë të Aleksandër Peçit për “Gjeneral Gramafoni”, meloditë e paharrueshme të Limoz Dizdarit nga “Rrugë të bardha” dhe “Mësuesja”, kompozimet plot ndjeshmëri të Hajg Zaharian nga “Besa e kuqe” dhe “Dora e ngrohtë”, si dhe kolona zanore e dashur e Agim Krajkës nga “Zonja nga qyteti”.
Një vend të veçantë në program zunë edhe veprat e Kujtim Laros nga filmat “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Lulëkuqe mbi mure”, të cilat u pritën me duartrokitje nga publiku.
Koncerti u shndërrua në një mbrëmje homazh për muzikën e filmit shqiptar, duke i dhënë tingujve të njohur një frymëmarrje të re përmes interpretimit simfonik dhe duke dëshmuar vlerën e tyre të qëndrueshme në kujtesën kulturore shqiptare.
Momente nga koncerti i muzikës së filmit shqiptar- Foto: Andrin Hoxha
1 nga 11
Momente nga koncerti i muzikës së filmit shqiptar- Foto: Andrin Hoxha