Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Duka: Bashkëpunim me Kosovën për zhvillimin e futbollit shqiptar

22 December 2025 at 10:30

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në mbrëmjen gala “Laureatët 2025”, organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, një event tradicional përmes të cilit u vlerësuan individët, klubet dhe institucionet që kontribuuan në zhvillimin dhe avancimin e futbollit kosovar gjatë vitit 2025.

Gjatë ceremonisë, Duka dorëzoi çmimin “Futbollisti i Vitit 2025” në futbollin kosovar, i cili u fitua nga sulmuesi i FC Dritës, Arb Manaj, për paraqitjet dhe kontributin e tij gjatë vitit. Ai shoqërohej në këtë ceremoni nga Zv.Presidenti i FSHF, Lutfi Nuri dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Në fjalën e mbajtur gjatë eventit, Presidenti i FSHF-së vlerësoi zhvillimin e ndjeshëm të futbollit në Kosovë, veçanërisht pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, duke theksuar progresin e dukshëm të viteve të fundit.

“Është një mbrëmje unike, sepse futbolli flet zakonisht në fushë. Çunat dhe gocat që do të laurohen sonte kanë folur në fushë, kanë derdhur djersë dhe kanë sakrifikuar për një vit. Kjo mbrëmje nuk është vetëm për të marrë tituj, por edhe për të festuar atë çka është bërë në një vit futbolli në Kosovë”, u shpreh Duka.

Ai nënvizoi se zhvillimi i futbollit kosovar gjatë dhjetë viteve të anëtarësimit në UEFA dhe FIFA ka qenë i jashtëzakonshëm, duke shtuar se vitet e fundit përfaqësojnë “qershinë mbi tortë”, si për rezultatet sportive, ashtu edhe për përmirësimet në infrastrukturë.

“Rezultati i ekipit kombëtar është më i rëndësishmi. Jam shumë i lumtur që përfaqësuesja e Kosovës, nën drejtimin e stafit teknik dhe të futbollistëve, sot lufton për të qenë një nga ekipet pjesëmarrëse në finalet e Kupës së Botës. Performanca e ekipit në vitin 2025 ka qenë fantastike dhe ka kënaqur tifozët kudo ku jetojnë shqiptarë”, theksoi kreu i FSHF-së.

Në vijim, Duka garantoi mbështetjen e vazhdueshme të FSHF-së dhe të UEFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke theksuar se sot Kosova është një partnere e barabartë në familjen europiane të futbollit.

“Deri dje thuhej se ne, si vëllai i madh, do të mbështesnim vëllain e vogël. Sot ky mision ka përfunduar. Kosova është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s dhe një partner i rëndësishëm për të gjitha federatat europiane. Si dy partnerë të UEFA-s, do të bashkëpunojmë maksimalisht për zhvillimin e futbollit shqiptar kudo ku jetojnë shqiptarë”, shtoi  Duka.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti i FSHF-së uroi të gjithë komunitetin e futbollit kosovar për festat e fundvitit dhe shprehu urimet më të mira për vitin 2026.

“Gëzuar Festat, Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në vitin 2026 për secilin nga ju dhe familjet tuaja. Dhe në sport, ajo që presim me shumë dëshirë është ta shohim Kosovën në Kupën e Botës 2026”, përfundoi Duka.

1 nga 5

/gj.m/a.f/

The post Duka: Bashkëpunim me Kosovën për zhvillimin e futbollit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Amir Rrahmani shpallet “Lojtari i Vitit”, fiton çmimin “Fadil Vokrri”

21 December 2025 at 19:39


Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2026.

Rrahmani kaloi një tjetër sezon të jashtëzakonshëm, ku ndihmoi Napolin që ta fitojë titullin kampion, i dyti në tre vitet e fundit – ndërsa ishte edhe në formacionin më të mirë në Serie A.

FFK-ja në ceremoninë “Laureatët e Vitit” e shpallën Rrahmanin si më të mirin, por ky i fundit nuk kishte si të ishte i pranishëm shkaku që do të luajë në finalen e Superkupës së Italisë me Napolin, kundër Bolognas.

Në anën tjetër, sulmuesi i Ballkanit Valentin Serebe e fitoi çmimin “Golashënuesi më i mirë i vitit”, të cilit ia dha ish lojtari i “Xhebrailave” Albion Rrahmani.

Rrahmani ndër të tjera deklaroi se për të është shumë i rëndësishëm ky çmim pasi e kishte fituar në dy vitet e fundit.

“Ky çmim që po e dhuroi është me shumë rëndësi për mua sepse e kam fituar në dy vitet e fundit”./Telegrafi/

FFK-ja ndan çmime për më të mirët në futsall, si dhe në futboll te femrat

21 December 2025 at 19:10


Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur ceremoninë “Laureatët e Vitit”, ku çmimet u ndanë për më të mirët.

Pas paraqitjes së jashtëzakonshme këtë vit, si dhe e fituan titullin kampion – FC Prishtina 01 u shpall klubi më i mirë i vitit 2025.

Ndërsa, ylli i skuadrës Fitim Krasniqi, u shpall “Futbollisti më i mirë për 2025” në futsall.

FFK-ja ndau çmime edhe për kategorinë e femrave, ku “Shpresa e Vitit 2025”, u shpall talentja e 2 Korrikut, Anisa Mehmeti.

Kampionja në fuqi KFF Mitrovica u shpall klubi më i mirë për femra, ndërsa çmimin e futbollistes më të mirë e fitoi Aurora Mulliqi.

Në fund, FFK-ja ndau edhe një çmim gjyqtares Florentina Kallaba për “Arritjet ndërkombëtare 2025”.

Ndërsa, gjyqtari më i mirë i vitit 2025 ishte Alban Shala./Telegrafi

FFK bashkëpunon me OKB-në për zhvillim të qëndrueshëm përmes futbollit

11 December 2025 at 22:40


Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm strategjik duke u bashkuar zyrtarisht me iniciativën globale të OKB-së “Football for the Goals”.

Kjo platformë ndërkombëtare synon të mobilizojë botën e futbollit, nga federatat dhe klubet, te lojtarët dhe komunitetet, për t’i përkrahur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG) dhe për të përdorur popullaritetin dhe ndikimin e këtij sporti si forcë pozitive për shoqërinë.

Me aderimin në këtë iniciativë, FFK merr përsipër të promovojë parime kyçe si barazia gjinore, respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirja sociale dhe mbrojtja e mjedisit.

Përmes projekteve konkrete, fushatave dhe aktiviteteve komunitare, futbolli pritet të shndërrohet në një platformë edukimi dhe ndërgjegjësimi, ku vlerat shoqërore të kultivohen paralelisht me zhvillimin sportiv.

Ky hap i ri krijon mundësi të gjera bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare, institucione vendore dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm.

Ai gjithashtu e vendos Kosovën në mesin e vendeve që e shohin sportin si motor të progresit shoqëror, duke e forcuar rolin e futbollit si urë lidhëse mes komuniteteve dhe si mjet transformues për brezat e rinj.

Pritet që përmes kësaj nisme të ndërmerren programe të reja edukative, aktivitete për mbrojtjen e mjedisit, si dhe fushata që nxisin barazinë dhe përfshirjen në futboll, duke krijuar ndikim të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm në shoqërinë kosovare./Telegrafi/

Agim Ademi zbulon nisjen e projektit “FIFA Arena” në Prishtinë: Dy fusha të reja moderne për fëmijët dhe komunitetin

8 December 2025 at 16:45


Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti i rëndësishëm “FIFA Arena”, një donacion i çmuar nga FIFA me synimin për të masovizuar futbollin dhe për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët, ka nisur zbatimin në Komunën e Prishtinës.

Dy shkollat e para të përzgjedhura për të përfituar nga ky projekt janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina” në kryeqytet.

Fushat e reja moderne do t’i shërbejnë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit përreth, duke krijuar hapësira të reja cilësore për lojë, aktivitet fizik dhe zhvillim të talentit të ri.

Sipas Ademit, fushat janë donacion i FIFA-s, ndërsa instalimi i tyre po realizohet në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. E gjithë procedura e furnizimit dhe montimit po menaxhohet drejtpërdrejt nga FIFA. Njëra prej fushave tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe komunitetit të futbollit, falënderoj sinqerisht FIFA-n për këtë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në Kosovë”, ka deklaruar Ademi.

Projekti “FIFA Arena” do të shtrihet edhe në shtatë regjionet tjera të vendit, me synim krijimin e më shumë hapësirave ku fëmijët dhe komuniteti mund të luajnë futboll, të zhvillohen dhe të zbulojnë talentin e tyre.

Trajnerët e FFK-së do të jenë të pranishëm në këto fusha me qëllim identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt klubeve dhe shkollave të futbollit.


Ky projekt është pjesë e strategjisë së FFK-së për masovizimin e futbollit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për gjeneratat e reja.

“Bashkë për futbollin!”, ka përmbyllur Ademi. /Telegrafi/

Arlind Veliu më i miri i javë së 16-të në Superligë

8 December 2025 at 10:55


Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e gjashtëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes.

Ndonëse mbrojtës, ai ka shënuar dy gola, duke qenë vendimtar në fitoren e skuadrës së tij kundër FC Drenica, e cila përfundoi me rezultat 2:0.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit .Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:

“Nuk e kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por megjithatë me trajnerin e ri po mundohemi të përmirësojmë lojën dhe të kuptojmë filozofinë e tij. Ambiciet tona janë tre vendet e para të tabelës dhe dalja në Evropë.E kemi ditur që kemi pasur një ndeshje të vështirë kundër Drenicës dhe mendoj se ia kemi dalë ta përgatisim mirë dhe të shënojmë fitore".

"Në aspektin personal, gëzohem që kam mundur të ndihmoj ekipin me dy gola dhe për këtë i falënderoj bashkëlojtarët e mi për angazhimin.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/

Kupa e Kosovës: Sot zhvillohen 10 duele interesante

3 December 2025 at 08:48


Skuadrat kosovare nga Superliga, Liga e Parë dhe Liga e Dytë do të zbresin në fushë për të zhvilluar duelet e 1/16 në Kupën e Kosovës.

Ditën e sotme në program janë për t'u zhvilluar 10 ndeshje, derisa nesër (e enjte) do të luhen edhe gjashtë sfida të tjera.

Fituesi aktual i Kupës së Kosovës, Prishtina do të ketë punë me skuadrën modeste Top Futbolli, ndërsa Ballkani kërkon hakmarrje ndaj Rilindjës.

Dukagjini para adhuruesve të vet pret Ramiz Sadikun, derisa Drita do të ndeshet me Besën e Pejës në Gjilan.

Drenica në 'Bajram Aliu' përballet me Prizrenin, ndërsa Prishtina e Re do të ndeshet me Lepencin.

Katër duelet tjera të ditës së sotme në Kupën e Kosovës janë: Gjilani - Istogu, Llapi - Vjosa, Trepça - Malisheva dhe Ferizaj - Tefik Çanga.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme në Kupën e Kosovës fillojnë nga ora 12:30. /Telegrafi/


Hapet procesi i aplikimit për kurset e Licencave A, B dhe C për trajnerë

2 December 2025 at 13:39


Federata e Futbollit të Kosovës njofton të gjithë të interesuarit se aplikimet për kurset e licencave për trajnerë për vitin 2026 janë të hapura.

Kursi kërkon pjesëmarrjen aktive në teori dhe praktikë, gjithashtu trajnerët duhet ta përgatisin vetveten fizikisht për kurse.

Kursi do të përfundojë me provime në fund të fazës mësimore. Trajnerët të cilët i përfundojnë me sukses provimet do të pajisen me Licencë.

Pagesa e kursit është:

• UEFA C ( 350 ) EURO

• UEFA B ( 700 ) EURO

• UEFA A ( 2500 ) EURO

Trajnerët e interesuar janë të obliguar të aplikojnë online, deri më 19.12.2025

Ju lutemi që në email kur të aplikoni ta cekni licencën për të cilën aplikoni. Dokumentet dërgohen në: departamentiteknik@ffk-kosova.com

Në total 24 do të jetë numri i të pranuarve për një kurs. Aplikimet e mëvonshme dhe të pakompletuara nuk do të merren parasysh.

Më poshtë gjeni datat e fillimit për secilën licencë:

Licenca C –Datat e fillimit

• Licenca C : 19.01.2026

Licenca B –Datat e fillimit

• Licenca B : 26.01.2026

Licenca A –Data e fillimit

• Licenca A : 09.02.2026

Kriteret e aplikimit

UEFA C

• Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuara

• Dy fotografi me dimensione të pasaportës

• Çertifikata shëndetësore( jo më e vjetër se gjashtë muaj)

• Dëshmi që aplikanti nuk është i dënuar dhe nuk është nën hetime

• Dëshmi mbi edukimin (së paku diploma e shkollës e mesme)

• Minimumi i moshës së kandidatit duhet të jetë 18 vjet.

UEFA B

• Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuara

• Dy fotografi me dimensione të pasaportës

• Çertifikata shëndetësore(jo më e vjetër se gjashtë muaj)

• Dëshmi që aplikanti nuk është i dënuar dhe nuk është nënhetime

• Dëshmi mbi edukimin (së paku diploma e shkollës emesme)

• Kopje e Licencës C

UEFA A

• Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuara

• Dy fotografi me dimensione të pasaportës

• Çertifikatë shëndetësore (jo më e vjetër se gjashtë muaj)

• Dëshmi që aplikanti nuk është i dënuar dhe nuk është nën hetime

• Kopje valide e Licencës B

• Kopje e diplomës së shkollimit –Bachelor në Shkenca Sportive

Kosova ngritet për dy pozita në renditjen e UEFA-s

28 November 2025 at 13:52


Fitorja e madhe e FC Drita mbrëmë (e enjte) ndaj Shkëndijës së Tetovës në Ligën e Konferencës ka sjellë jo vetëm entuziazëm te tifozët, por edhe një përfitim konkret për futbollin kosovar në arenën evropiane.

Me koeficientet e reja të llogaritura pas këtij suksesi, Kosova është ngjitur për dy vende, duke u pozicionuar tani në vendin e 35-të në ranglistën e përgjithshme të UEFA-s. Ky është një avancim tepër i rëndësishëm, që dëshmon se klubet tona po bëhen gjithnjë e më konkurruese në garat ndërkombëtare.

Ky progres nuk vjen rastësisht. Ai është rezultat i paraqitjeve solide të klubeve kosovare në Evropë gjatë viteve të fundit – nga Drita, Ballkani dhe deri diku Prishtina, të cilat kanë grumbulluar pikë të vlefshme dhe kanë forcuar koeficientin e kampionatit tonë.

Gjithashtu, duhet theksuar edhe puna e vazhdueshme e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila ka investuar në infrastrukturë, zhvillim të klubeve dhe rritje të standardeve organizative. Kombinimi i këtyre faktorëve po e shtyn futbollin kosovar drejt një kapitulli të ri konkurrueshmërie.

Me ritmin aktual të paraqitjeve pozitive, hapësira për të ngjitur edhe më lart është reale. Çdo fitore e klubeve tona në Evropë e afron Kosovën edhe më shumë me ligat e mesme të kontinentit, duke krijuar kushte më të mira për shorte më të favorshme në të ardhmen. /Telegrafi/

Qeveria e Kosovës ndanë 250 mijë euro për ekipin kombëtar pas kalimit në ‘play-off’, premton edhe premio tjera për kualifikim

27 November 2025 at 12:44


Sot (e enjte), 27 nëntor, Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur mbledhjen e 277-të duke ndarë premio edhe për ekipin e Kombëtares së Kosovës pas sigurimit të fazës ‘play-off’ për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Kombëtarja e Kosovës i ka mbyllur kualifikueset për Kampionatin Botëror në pozitën e dytë të Grupit B, pas Zvicrës, duke siguruar kështu fazën ‘play-off’.

Pas shortit të hedhur para disa ditësh në Cyrih të Zvicrës, Dardanët do të ndeshen me Kombëtaren e Sllovakisë në gjysmëfinale, ndërsa në rast fitoreje në finalen e madhe për kualifikim do të luajnë me fituesin e takimit Turqi-Rumani.

Për këtë sukses të ekipit kombëtar, Qeveria e Kosovës në detyrë ka vendosur t’i ndajë një premio prej 250 mijë eurosh dhe këtë e ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 277-të.

“Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026 kalimi në fazën e play-off-it me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim”, ka thënë fillimisht Kurti.

“Në fazën e radhës hymë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tona për ta. Së pari, në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim prej 500 mijë euro dhe së dyti në rast kualifikimi në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milionë euro tjera shpërblim”, përfundoi kryeministri në detyrë. /Telegrafi/

Hidhet shorti i Kupës së Kosovës, këto janë çiftet

26 November 2025 at 13:23


Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, është hedhur shorti për Kupën e Kosovës.

Skuadrat elitare kanë shmangur përballjet mes vete, derisa në letër të gjitha 10 ekipet e Superligës janë favorite për të kaluar tutje.

Fituesi në fuqi i Kupës së Kosovës, Prishtina do të përballet me Top Football. Ballkani do të pres Rilindjen, skuadër që e kishte eliminuar befasisht.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita do të ketë punë në udhëtim te BEsa e Pejës, derisa Gjilani takohet me Istogun.

Llapi para adhuruesve të vet pret Vjosën, ndërsa Ferizaj luan derbin lokal me Tefik Çangën.

Drenica do të ndeshet me Prizrenin, Prishtina e Re me Lepencin derisa Dukagjini pret Ramiz Sadikun.

Përballje e vështirë e pret Malishevën që luan në udhëtim te Trepça.

Çiftet komplete:

Dukagjini – Ramiz Sadiku

2 Korriku – Dinamo

Ballkani – Rilindja 1987

Flamurtari – Vushtrria

Drenica – Prizreni

KEK-u – Vëllaznimi

Prishtina e Re – Lepenci

Kika – Trepça ‘89

Liria – Suhareka

Istogu 03 – Feronikeli ‘74

Top Football – Prishtina

Gjilani – Istogu

Besa – Drita

Llapi – Vjosa

Trepça – Malisheva

Ferizaj – Tefik Çanga

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbanë mbledhjen e radhës - diskutime dhe vlerësime për futbollin kosovar dhe Kombëtaren e Kosovës

24 November 2025 at 15:19


Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e futbollit kosovar dhe performancën e ekipeve kombëtare.

Mbledhja, e udhëhequr nga presidenti Agim Ademi, u fokusua në analizimin e garave, shqyrtimin e kërkesave të klubeve dhe përcaktimin e prioriteteve për fazën e ardhshme të punës.

Në një periudhë ku futbolli i Kosovës po përballet me sfida, por edhe me mundësi të rëndësishme, veçanërisht pas kualifikimit të Kombëtares A në “play-off”-in e Botërorit 2026, KE vlerësoi nevojën për organizim të qëndrueshëm, investime të vazhdueshme dhe fokus të shtuar në përgatitjet për ndeshjet vendimtare që e presin ekipin kombëtar.

Gjatë takimit u morën disa vendime me peshë strategjike, të cilat synojnë të forcojnë futbollin vendor, të përmirësojnë kushtet infrastrukturore dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e aktiviteteve të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Njoftimi i plotë nga FFK për mbledhjen e KE:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Gjatë këtij takimi u analizua rrjedha e garave në të gjitha rangjet dhe u shqyrtuan një sërë kërkesash dhe propozimesh të paraqitura nga klubet e futbollit, me synim analizimin e sfidave, nevojave dhe prioriteteve të tyre për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e garave.

Po ashtu, KE diskutoi dhe vlerësoi paraqitjet e ekipeve kombëtare, veçanërisht të Kombëtares A, duke konstatuar se kualifikimi në “play-off” të Botërorit 2026 përbën një arritje tejet të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe për progresin e kombëtares sonë. U theksua se fokusi në vijim duhet të jetë tek dy ndeshjet e “play-off”-it, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ.

KE miratoi gjithashtu vazhdimin e investimeve kapitale në infrastrukturë në të gjitha rajonet e vendit, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe avancimin e mëtejshëm të futbollit vendor.

Në fund, Komiteti Ekzekutiv vendosi për grupin punues të ceremonisë tradicionale të shpalljes së më të mirëve “Laureatët e vitit 2025".

Ademi flet pas shortit të hedhur: Besoj se do të kalojmë hapin e parë

20 November 2025 at 15:22


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë deklaratën e parë pas shortit të hedhur sot në Cyrih, ku Kosova ka mësuar kundërshtarin e gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Dardanët në gjysmëfinale do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë.

Lidhur me këtë, Ademi theksoi se në këtë fazë çdo ndeshje është si finale, duke pasur parasysh nivelin dhe forcën e ekipeve pjesëmarrëse, por ka shprehur optimizëm për sukses.

“Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shoh si favorit, por e shoh në faktin se nëse japim 100 përqindshin ne e kalojmë këtë hap për të shkuar deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë".



"E përsëris, po të japim 100 përqindshin me këta futbollistë që i kemi dhe nëse ata të janë mirë e pa ndonjë lëndim, sigurisht se do ta arrijmë më të mirën”, tha Ademi.

Tutje i pari i futbollit të Kosovës shprehu besimin se Dardanët do ta kalojnë hapin e parë për të siguruar biletën e finales së madhe të “Play-Off”-it, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumani.

“Besoj se hapin e parë do ta kalojmë”, ka nënvizuar Ademi.

Kosova ndeshjen kundër Sllovakisë do ta zhvillojë më 26 mars 2026 në Bratislavë, kurse finalen eventuale më 31 mars 2026 në Prishtinë. /Telegrafi/

Kosova është në 'play-off' – Agim Ademi reagim të fortë kundër urrejtjes, mbrojtje për Xhakën dhe lavdi për djemtë e Dardanisë

19 November 2025 at 14:46


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi reagon fuqishëm pas kualifikimit historik të Kosovës në Play-Off, duke goditur propagandën, shpifjet dhe narrativat e rreme që tentuan të errësojnë suksesin e kombëtares. Ai mbron djemtë e Dardanisë, Granit Xhakën dhe kontributin e diasporës, duke theksuar se realiteti është vetëm një: Kosova po shkruan histori.

Agim Ademi, ka publikuar një reagim të ashpër dhe emocional pas ndeshjes ndaj Zvicrës, ku Dardanët siguruan për herë të parë ‘Play-Off’-in për Kupën e Botës.

Në këtë adresim publik, ai shpreh krenari për paraqitjen e ekipit dhe zhgënjim për përpjekjet e disa mediave e individëve që, sipas tij, tentuan të devijojnë vëmendjen nga suksesi historik.

I pari i FFK-së denoncon propagandën, shpifjet dhe negativitetin që rrethuan ndeshjen, duke i cilësuar ato si përpjekje të kota për të errësuar arritjet e Kombëtares.

Ai mbron fuqishëm kontributin e futbollistëve, përfshirë Granit Xhakën dhe diasporën shqiptare, dhe rikujton se Kosova, pavarësisht kritikave, po ecën me hapa të sigurt drejt ëndrrës së Botërorit.

Postimi pa ndërhyrje i Agim Ademit

Të nderuar dashamirës të futbollit, tifozë dhe qytetarë të Kosovës,

Mbrëmë ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tjetër heroike dhe me shpirt të madh nga futbollistët tanë dardanë. Një lojë e shkëlqyer që solli një tjetër rezultat pozitiv në rrugëtimin tonë drejt ëndrrës së madhe.

Pavarësisht se nuk arritëm fitoren kundër Zvicrës (1:1), ne jemi kualifikuar për herë të parë në ‘Play-Off’ dhe kjo pa dyshim është një arritje historike e Kombëtares së Kosovës në vetëm 9 vjet të pranimit në UEFA e FIFA, për çka edhe u festua nga të gjithë ne.

Është për të ardhur keq që nga televizione e portale të caktuara dhe analistë që më së paku kanë të bëjnë me futbollin, suksesi dhe arritja historike e Kosovës u la në hije. Për fat të keq, vëmendja u zhvendos tek gjërat që s'kanë lidhje me futbollin dhe tek të pavërtetat, duke lënë mënjanë paraqitjen e mirë të Kombëtares sonë.

Mbizotëroi propaganda e urrejtja e atyre që nuk e duan ose iu dhemb suksesi i Kosovës, duke u marrë me pesimizëm dhe negativitet, e duke anashkaluar thelbin: futbollin dhe arritjet tona kulmore!

U krijuan narrativa të pavërteta, se ndeshja nuk do të zhvillohet, se gjendja e fushës është e keqe, por pikërisht ndeshja e mbrëmshme e vërtetoi se fusha u ndërtua në nivelin më të lartë, duke e përballuar me plot sukses shiun e pandërprerë të dy ditëve.

Mos mendoni se kritikat e njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me futbollin dhe që nuk ia duan të mirën sportit tonë kanë peshë.

Përkundrazi, raste të tilla vetëm sa e zbulojnë nivelin e ulët dhe keqdashjen e atyre që përpiqen të errësojnë sukseset tona.


Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve: Kthehuni njëherë e përgjithmonë tek realiteti! Mos shtini shpifje, defetizëm dhe urrejtje mes popullit e mes shteteve tona mike. Këta djem, gladiatorët e Dardanisë, janë krenaria dhe e ardhmja e Kosovës!

KOSOVA, miq e armiq, është në ‘Play-Off”! Realiteti po ndodh dhe ne jemi në mesin e ekipeve që kërkojnë një biletë për në Kampionatin Botëror deshët apo s’deshët ju.

Për dikë jemi shtet i vogël, por në fakt jemi komb i madh! Së bashku me bashkatdhetarët tanë kudo që veprojnë ne vazhdojmë të bëjmë krenar vendin tonë.

Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë.

Graniti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai kudo që të jetë është djali i Ragip Xhakës, një familje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme.

Disa po harrojnë një të vërtetë të madhe: Shumë prej rilindasve tanë kanë jetuar dhe vepruar në vende të ndryshme, por kontribuan për kombin në forma të ndryshme. Nga Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Isa Boletini, Sami e Naim Frashëri e shumë të tjerë që dhanë shpirtin dhe mendjen për çështjen kombëtare, e deri te patriotë të tjerë që jetuan jashtë vendit por punuan për të ardhmen e shqiptarëve. Ashtu siç ata kontribuuan nga diaspora, edhe sportistët tanë e bëjnë sot një gjë të tillë me punë, sakrificë dhe dinjitet.

Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifogrupi 'Dardanët', por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrerë edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore.

Në fund dua të shpreh një falënderim të veçantë për publikun e mrekullueshëm që përkundër propagandës së madhe për moszhvillim të ndeshjes dhe përkundër rrebeshit të shiut erdhi në stadium dhe nuk u ndal në asnjë moment së përkrahuri djemtë tanë.

Ju jeni zemra e suksesit tonë!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi drejt ëndrrës sonë,

Forca Kosova!

/Telegrafi/

Hajdari: Duam fitore ndaj Zvicrës

17 November 2025 at 12:57


Albian Hajdari ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes Kosovë - Zvicër që zhvillohet të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45.

Mbrojtësi dardan që më parë ka luajtur për Zvicrën ka thënë se e kanë instaluar një mentalitet që gjithmonë duan fitoren.

Ai ka thënë se pasi shkruan historinë me sigurimin e Play-Off-it, duan që të shkruajnë një tjetër histori që të marrin 13 pikë nga këto kualifikuese.

"Besoj që çdo ndeshje është e rëndësishme si çdo ndeshje tjetër. E kemi një mentalitet që ja fitojmë ja marrim një pikë".

"Ne duhet të fitojmë edhe ndaj Zvicrës. Ne shkruam historinë në ndeshjen e fundit, por duhet të shkruajmë histori edhe me pikë duke fituar dhe duke marrë më shumë pikë", tha Albian Hajdari. /Telegrafi/

“Bashkë të pathyeshëm”, faqja zyrtare e FFK-së publikon një video motivuese para ndeshjes me Slloveninë

13 November 2025 at 13:26


Faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar një video motivuese para përballjes së madhe të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Dardanët janë para një përballje vendimtare në udhëtim te Sllovenia, ndeshje e cila pritet të zhvillohet të shtunën në “Stadion Stožice” të Lubjanë, me fillim nga ora 20:45.

Për ekipin e Franco Fodas një barazim do ta siguronte vendin e dytë në Grupin B apo automatikisht një vend në ‘play-off’ për kualifikim për Kampionatin Botëror 2026.

Entuziazmi për këtë arritje është i madh te secili qytetar i Kosovës dhe për ta bërë këtë ndeshje edhe më të zjarrtë është përkujdesur faqja zyrtare e FFK-së duke postuar një video motivuese.

“Bashkë të pathyeshëm”, është fjalia e shkruar mbi një video të bukur, e cila sjell pamje të dy fitoreve të Kosovës ndaj Suedisë, por edhe festën dhe atmosferën e tifozëve kosovarë në stadium.

“Besa-besë, besën e kem dhanë, për Kosovë jetën dojmë me dhanë”, është kënga e cila e shoqëron dhe e bënë edhe më rrëqethëse këtë video.

Ndryshe, pas takimin me Slloveninë, Kosova do ta pres Zvicrën të martën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë. /Telegrafi/

Dardanët me përkushtim maksimal në stërvitje para përballjes me Slloveninë

12 November 2025 at 14:21


Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar edhe sot me intensitet të lartë përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.

Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, Dardanët zhvilluan një seancë stërvitore shumë dinamike në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke punuar me përkushtim maksimal në aspektin taktik dhe në filozofinë e lojës që synohet të aplikohet në ndeshjen e radhës.

Atmosfera në skuadër mbetet shumë pozitive, me besim të madh për rezultate të mira në përballjet e ardhshme.



Kombëtarja do të vazhdojë përgatitjet edhe në ditët në vijim, me synimin që të arrijë formën më të mirë të mundshme për ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë.

Dardanët do të përballen me Slloveninë të shtunën më 15 nëntor me fillim nga ora 20:45 në Lubjanë. /Telegrafi/

Kosova U17 realizon fitore bindëse ndaj Azerbajxhanit

27 October 2025 at 14:28


Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka vazhduar me formë të shkëlqyer në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2026, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në Grupin B të Ligës B.

Ndeshjet e këtij grupi po zhvillohen në Moldavi, ndërsa pas triumfit në ndeshjen hapëse ndaj Moldavisë, vajzat dardane të udhëhequra nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi kanë shënuar fitore plotësisht të merituar ndaj Azerbajxhanit, me rezultat 6:0.

Kosova dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke imponuar lojën e saj dhe duke krijuar shumë raste shënimi. Golat për Dardanet U17 i realizuan Anisa Meha (8’, 57’-p), Reina Halili, Jonida Godeni (33’), Krenare Kelmendi (34’) dhe Ema Maliqi (48’).

Pas ndeshjes, përzgjedhësja Sanije Krasniqi u shpreh tejet e kënaqur me performancën e vajzave:

“Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ekipi ynë. E dominuam kundërshtarin në çdo aspekt të lojës dhe e menaxhuam ndeshjen me pjekuri. Jam e kënaqur që vajzat reaguan mirë pas ndeshjes së parë dhe i përmirësuan dobësitë që i kishim vërejtur ndaj Moldavisë, ku humbëm shumë raste shënimi. Sot treguam efikasitet të lartë dhe disiplinë taktike. Më gëzon fakti që të gjitha vajzat patën mundësi të luajnë dhe të japin kontributin e tyre. Tani do të fokusohemi në ndeshjen e fundit ndaj Uellsit, ku do të kërkojmë maksimumin për ta siguruar kualifikimin tutje”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Anisa Meha, e cila realizoi dy gola në këtë fitore vuri në pah frymën ekipore në arritjen e këtij suksesi. “Ishte një ndeshje shumë e mirë për ne. Luftuam me zemër dhe për njëra-tjetrën në çdo moment të lojës. Ky përkushtim na ndihmoi ta arrijmë rezultatin që e dëshironim.

Jam shumë e lumtur për dy golat e shënuar, por mbi të gjitha për mënyrën se si luajti ekipi. Sot u treguam më të qeta dhe më efikase para portës kundërshtare. Besoj se edhe në ndeshjen e fundit kundër Uellsit do të japim maksimumin dhe do të arrijmë një tjetër fitore për ta përmbyllur këtë fazë me sukses”, tha ajo.

Do të jetë pikërisht ndeshja e fundit Kosovë-Uells, ajo që do të përcaktojë se cila prej këtyre dy kombëtareve do të arrijë pozitën e parë në grup.

Më meritori për fitoren e Malishevës, Altin Aliu 'ylli i javës' në Superligë

27 October 2025 at 11:22


Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e dhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Altin Aliut, i cili shënoi dy golat e vetëm në ndeshjen kundër FC Prishtina e Re, e cila përfundoi me rezultat 2:0, duke arkëtuar tri pikë të rëndësishme për skuadrën e tij.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Afrim Visoka, Agim Xhakolli dhe Fisnik Ademi.

Pasi mori këtë çmim, Aliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

“E kemi përgatitur këtë ndeshje në mënyrë shumë të mirë, duke e analizuar në detaje kundërshtarin. Malisheva është duke punuar në këndelljen e ekipit dhe shpresojmë që do të jemi në objektivat tona, si zakonisht".

"Objektivi i klubit tonë është dalja në Evropë.Kemi pasur një lodhje dhe jemi duke e rimarrë formën tonë.Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për ndihmën e dhënë gjatë lojës. Është ndjenjë e mirë të shpallesh lojtari më i mirë i javës dhe shpresoj që të shpërblehem më shpesh me këtë çmim”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/

FFK me hapa të rëndësishëm për sigurinë në futboll, shpërndan defibrilatorë modernë për klubet

22 October 2025 at 12:23



Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në kuadër të një projekti të mbështetur nga programi UEFA HatTrick, ka ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme që synon rritjen e sigurisë në fushat e futbollit. Nëpërmjet këtij projekti, të gjitha klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë, si dhe klubet e vajzave, janë pajisur me defibrilatorë të teknologjisë më të avancuar, të cilët mund të bëjnë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes në rastet e urgjencave shëndetësore.

Në dekadën e fundit, raste të rënda shëndetësore të ndodhura në fushën e gjelbër kanë nxjerrë në pah rëndësinë e pajisjeve mjekësore si defibrilatori, i cili mund të shpëtojë jetë në rast të arresteve kardiake.

Përveç shpërndarjes së pajisjeve, projekti është shoqëruar edhe me organizimin e trajnimeve dhe fushatave për ndërgjegjësim rreth përdorimit të saktë dhe të shpejtë të defibrilatorëve, ku ligjërues ishte stafi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës, duke ndarë eksperiencat e marra nga trajnimet e UEFA-s.

Trajnimet në fushën e shëndetit në futboll do të vazhdojnë dhe FFK do të punojë ngushtë me klubet për të siguruar që çdo ekip të ketë personel të trajnuar që di të reagojë menjëherë në raste emergjente.

Ky projekt është një hap domethënës jo vetëm për sigurinë, por edhe për profesionalizimin e mëtejshëm të futbollit kosovar, duke ndjekur standardet evropiane të kujdesit shëndetësor në sport. Mbështetja e UEFA-s përmes programit HatTrick është një konfirmim i mëtejshëm i besimit dhe përkushtimit që ky institucion ka ndaj zhvillimit të futbollit në Kosovë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e vlerësoi këtë projekt jo vetëm si investim në pajisje, por edhe si investim në jetë, në siguri dhe në të ardhmen e futbollit kosovar, meqë futbolli ynë është përballur me humbje jetësh në fushat e gjelbra.

“Në një kohë kur sporti gjithnjë e më shumë po konsiderohet jo vetëm si argëtim, por edhe si një aktivitet që kërkon kujdes të madh për mirëqenien fizike dhe psikologjike të sportistëve, ky projekt tregon qartë që siguria dhe shëndeti i lojtarëve janë prioritet absolut për Federatën e Futbollit të Kosovës”, tha ai.

Mjeku i Kombëtares A të Kosovës, Amir Vejseli, theksoi se defibrilatori është pjesë jetike dhe urgjente që duhet të jetë i pranishëm në çdo ndeshje futbolli.

“Defibrilatorët janë kërkesë urgjente, meqë kjo pajisje mund të jetë jetike për rastet e sulmeve kardiake që mund të ndodhin gjatë ndeshjeve dhe seancave stërvitore. Pjesa e organizimit mjekësor në një ndeshje futbolli është po aq e rëndësishme sa edhe organizimi sportiv”, u shpreh ai.

FFK mbetet e përkushtuar për të garantuar një ambient më të sigurt për të gjithë akterët e përfshirë në lojën e futbollit, që nga lojtarët e rinj e deri te ata profesionistë, përfshirë trajnerët, stafin teknik dhe zyrtarët e ndeshjeve. /Telegrafi/

❌
❌