LONDËR, 8 tetor /ATSH-AFP/ – Disa mijëra njerëz morën pjesë në protestat pro palestineze në Londër dhe qytete të tjera në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht kritikave nga kryeministri Keir Starmer, i cili kishte bërë thirrje që marshime të tilla të mos mbaheshin në përvjetorin e dytë të gjenocidit, më 7 tetor 2023.
Në Londër, disa qindra studentë nga disa universitete demonstruan, duke brohoritur “Lironi Palestinën”, “Izraeli, një shtet terrorist” dhe “Ndaloni gjenocidin në Gaza”.
Dy vjet pas sulmit të paprecedentë të kryer nga lëvizja islamiste Hamas në Izrael, i cili çoi në një luftë shkatërruese në Gaza, këto tubime, të mbajtura gjithashtu në Sheffield dhe Edinburg, ishin objekt i një paralajmërimi të ashpër nga Starmer.
“Nuk është britanike të kesh kaq pak respekt për të tjerët”, shkroi udhëheqësja e Partisë Laburiste në ”The Times”, duke denoncuar “mungesën e empatisë dhe humanizmit”.
“Mendoj se të qenit këtu sot është ajo që na bën britanikë”, u përgjigj Sim Junaid, një ish-studente 23-vjeçare e ”King’s College”.
“Kryeministri nuk e kupton se çfarë po ndodh këtu dhe mendoj se ne mund të tregojmë solidaritet (me viktimat) e 7 tetorit dhe të vazhdojmë të demonstrojmë për popullin palestinez”, tha ajo.
Disa ditë pas sulmit në një sinagogë në Mançester që la të vdekur dy besimtarë hebrenj, Keir Starmer tha gjithashtu se demonstratat pro palestineze, të mbajtura rregullisht në Mbretërinë e Bashkuar, po përdoreshin nga disa si “një justifikim i neveritshëm për të sulmuar hebrenjtë britanikë për diçka për të cilën ata nuk mbajnë përgjegjësi”.
“Është e rëndësishme të ngrihemi kundër mizorive që po ndodhin në Lindjen e Mesme dhe nuk është antisemite të denoncosh atë që po ndodh”, tha një student 19-vjeçar hebre.
David MacFadyen, një burrë 56-vjeçar nga Glasgou, i quajti komentet e Keir Starmer “të neveritshme” dhe akuzat për antisemitizëm “qesharake”.
Megjithatë, një grua 34-vjeçare izraelite, Emily Schrader, e cila erdhi për të vizituar familjen e saj në Londër, e konsideroi mbajtjen e këtyre demonstratave “vërtet të papërgjegjshme”.
“Fakti që po e bëjnë këtë më 7 tetor, ditën kur (Hamasi) rrëmbeu, vrau dhe përdhunoi njerëz, nuk ka asgjë pro palestineze në lidhje me të, sinqerisht”, tha ajo.
Pas sulmit në sinagogën e Mançesterit më 2 tetor, qeveria kishte bërë thirrje tashmë për shtyrjen e demonstratave pro palestineze, nga frika se ato do të “nxisnin tensione”.
Por, 1 000 protestues u mblodhën në Londër të shtunën në mbështetje të organizatës së ndaluar ”Palestina Action”, të cilën qeveria e klasifikon si “terroriste”.
Sulmi i Hamasit në tetor 2023 vrau 1 219 persona, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje bazuar në shifrat zyrtare izraelite.
Nga 251 personat e marrë peng atë ditë, 47 mbeten në Gaza, 25 prej të cilëve janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.
Fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit ka vrarë të paktën 67 160 palestinezë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, të cilin Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të besueshëm./ a.jor.
The post BM – Protesta pro palestineze, pavarësisht paralajmërimeve të Starmerit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.