Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 23 December 2025Main stream

JAPONI – Takaichi zotohet të mbrojë ujërat territoriale mes tensioneve me Kinën

23 December 2025 at 22:49

TOKIO, 23 dhjetor /ATSH/- Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi u zotua sot se do të mbrojë ujërat territoriale japoneze mes tensioneve të vazhdueshme të Tokios me Pekinin për shkak të deklaratave të saj për Tajvanin.

“Mjedisi i sigurisë në zonat detare përreth Japonisë po bëhet gjithnjë e më i ashpër”, tha Takaichi, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e saj të martën.

“Ne mbajtëm këshillin ministror për forcimin e aftësive të sigurisë detare dhe konfirmuam angazhimin tonë, me qëllim që të mbrojmë me vendosmëri territorin dhe ujërat territoriale të Japonisë, për të forcuar aftësitë e anijeve të mëdha patrulluese, për të rritur koordinimin midis Rojës Bregdetare të Japonisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Vetëmbrojtjes, dhe për të përmirësuar mjedisin e punës dhe trajtimin e oficerëve të Rojës Bregdetare të Japonisë”, shtoi ajo.

Deklarata e saj erdhi pasi Tokio pretendoi në fillim të dhjetorit se avionët kinezë J-15 nga transportuesi “Liaoning” bllokuan radarin në dy avionë japonezë F-15 mbi det të hapur, në juglindje të ishullit kryesor të Okinawa-s.

Megjithatë, Kina tha se manovrat ishin profesionale, të sigurta, të përmbajtura dhe përtej çdo diskutimi, duke shtuar se ishte “praktikë e zakonshme” që avionët e transportuesve të ndiznin radarin gjatë stërvitjes.

Tensionet midis Kinës dhe Japonisë janë përshkallëzuar që nga 7 nëntori, kur Takaichi tha se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të përbënte ligjërisht një “situatë kërcënuese për mbijetesën”, duke i lejuar potencialisht Japonisë të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive. /a.i/

 

The post JAPONI – Takaichi zotohet të mbrojë ujërat territoriale mes tensioneve me Kinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron i drejtohet Trump: Groenlanda i përket popullit të saj

23 December 2025 at 21:38

PARIS, 23 dhjetor /ATSH-ANSA/- Groenlanda i përket popullit të saj dhe Danimarka është garantuesi i saj, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron në një reagim ndaj deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të aneksuar territorin danez.

“Unë bashkohem me zërin e evropianëve në shprehjen e solidaritetit tonë të plotë”, shkroi presidenti francez në X.

Macron vizitoi në kryeqytetin, Nuuk në qershor për të konfirmuar mbështetjen e Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës dhe Groenlandës.

Presidenti amerikan, Donald Trump emëroi dje një të dërguar të posaçëm në Groenlandë, i cili menjëherë u zotua se do ta bënte territorin autonom danez pjesë të SHBA-së.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Trump ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja kishte nevojë për ishullin e pasur me burime Arktike për arsye sigurie duke refuzuar të përjashtonte përdorimin e forcës për ta siguruar atë.

Trump emëroi dje guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguarin e posaçëm në Groenlandë.

Groenlanda, e vendosur midis Amerikës së Veriut dhe Evropës, është një vend strategjik në interes të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë në Arktik, ndërsa gara për metalet e rralla nxehet dhe shkrirja e akullit e shkaktuar nga ngrohja globale po hap rrugë të reja transporti detar.

Vendndodhja e Groenlandës e vendos atë gjithashtu në rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së.

SHBA-ja ka bazën e saj ushtarake “Pituffik” në Groenlandë, një pjesë thelbësore e infrastrukturës së mbrojtjes nga raketat të Uashingtonit. Gjithashtu, ajo hapi një konsullatë në ishull në qershor 2020.

Vendosmëria e Trump për të marrë Groenlandën ka tronditur Danimarkën, një anëtare themeluese e NATO-s, e cila ka luftuar përkrah Amerikës në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak.

Në janar, Danimarka njoftoi planin prej 2 miliardë dollarësh për të rritur praninë e saj ushtarake në rajonin e Arktikut. //a.i/

The post PARIS – Macron i drejtohet Trump: Groenlanda i përket popullit të saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA vonon tarifat për çipat kinezë deri në 2027-n

23 December 2025 at 20:05

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Administrata Trump tha sot se do të vendosë tarifa për importet kineze të gjysmëpërçuesve për shkak të ndjekjes “të paarsyeshme” të Pekinit për dominim në industrinë e çipave, por do ta vonojë veprimin deri në qershor 2027, sipas “Reuters”.

Norma e tarifës do të shpallet të paktën 30 ditë më parë, sipas dosjes, e cila vjen pas një hetimi 1-vjeçar ndaj importeve të çipave të Kinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të iniciuar nga administrata Biden.

“Synimi i Kinës ndaj industrisë së gjysmëpërçuesve për dominim është i paarsyeshëm dhe ngarkon ose kufizon tregtinë amerikane dhe për këtë arsye është i zbatueshëm”, tha përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Tregtisë në një njoftim.

Ky veprim përfaqëson përpjekjen e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump për të ulur tensionet me Pekinin, i cili përballet me kufizimet e eksportit kinez të metaleve të rralla të tokës – mbi të cilat mbështeten kompanitë globale të teknologjisë dhe të cilat Kina i kontrollon.

Si pjesë e negociatave me Kinën për të vonuar këto kufizime, Trump shtyu rregullin për të kufizuar eksportet e teknologjisë amerikane – në njësitë e kompanive kineze që tashmë janë në listën e zezë.

Ka nisur gjithashtu një shqyrtim që mund të rezultojë në dërgesat e para në Kinë të çipave të dytë më të fuqishëm të kompanisë amerikane teknologjike “Nvidia”, pavarësisht shqetësimeve të mëdha nga mbështetësit e Kinës në Uashington, të cilët kanë frikë se çipat mund ta fuqizojnë ushtrinë e Kinës.

Industria e çipave është duke pritur rezultatin e një hetimi tjetër ndaj importeve të çipave – që mund të godasin mallrat kineze dhe të rezultojnë në tarifa për një gamë të gjerë teknologjish, por zyrtarët amerikanë po thonë privatisht se mund të mos i vendosin ato së shpejti. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA vonon tarifat për çipat kinezë deri në 2027-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani ndalon furnizimet me gaz në Irak

23 December 2025 at 19:50

TEHERAN, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Irani ka ndaluar furnizimet me gaz në Irak, njoftoi sot Ministria e Energjisë në Bagdad, një veprim që pritet të përkeqësojë ndjeshëm furnizimin me energji tashmë të brishtë të vendit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve irakiane INA, kjo do të thotë se rrjeti i gazit i vendit do të humbasë 4,000 deri në 4,500 megavat kapacitet gjenerimi.

Autoritetet iraniane informuan ministrinë në Bagdad për vendimin përmes një njoftimi me shkrim, duke përmendur si justifikim “rrethanat e paparashikueshme”.

Qeveria irakiane tha se ishte konsultuar me Ministrinë e Naftës për të zbatuar “masa alternative” për të minimizuar ndërprerjet në centrale.

Importet mbulojnë rreth një të tretën e konsumit kombëtar të energjisë elektrike në Irak.

Në vitet e fundit, Teherani ka ulur vazhdimisht furnizimet me gaz për të përmbushur kërkesën e brendshme, në rritje.

Shumica e eksporteve të naftës së Iranit aktualisht dërgohen në Kinë.

Pavarësisht se mban disa nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, Irani po përballet me një krizë të rëndë energjetike.

Vëzhguesit ia atribuojnë krizën sanksioneve ndërkombëtare, mungesës së investimeve në infrastrukturë, korrupsionit dhe keqmenaxhimit afatgjatë.

Ndërkohë, Iraku vazhdon të vuajë nga mungesa e energjisë elektrike pas disa dekadash lufte dhe konflikti, me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, veçanërisht në verë.

Në vitin 2019, ashtu si në vitet e mëparshme, kjo çoi në protesta masive në të cilat u vranë qindra njerëz dhe u plagosën mijëra të tjerë.

Ndërprerja e furnizimeve me gaz iranian ka ngritur shqetësime se trazira të ngjashme mund të shpërthejnë sërish nëse mungesat e energjisë përkeqësohen në javët e ardhshme. //a.i/

The post TEHERAN – Irani ndalon furnizimet me gaz në Irak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Ekonomia tejkalon pritshmëritë, rritet me 4,3% në tremujorin e tretë

23 December 2025 at 18:49

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Në periudhën korrik-shtator, ekonomia amerikane u rrit me një normë vjetore prej 4,3%, sipas të dhënave paraprake të qeverisë.

Shifra e tremujorit të tretë e raportuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë ishte shumë më e lartë se vlerësimi i ekonomistëve prej 3,3% dhe tejkaloi rritjen prej 3,8% të regjistruar në tremujorin e dytë.

Performanca më e fortë se sa pritej u nxit nga shpenzimet e larta të konsumatorëve gjatë verës, si dhe nga rritjet në eksporte dhe shpenzime qeveritare.

Publikimi i të dhënave u vonua për shkak të mbylljes 43-ditore te qeverisë që përfundoi më 12 nëntor.

“Pas kursit zigzag të gjysmës së parë të vitit, ka shumë indikacione të stabilizimit të ekonomisë amerikane”, tha Stephan Bales, ekspert në “KfW Research” të Gjermanisë.

Byroja zyrtare e Analizës Ekonomike tha se rritja e PBB-së reale në tremujorin e tretë pasqyroi rritjet në shpenzimet e konsumatorëve, eksportet dhe shpenzimet qeveritare që u kompensuan pjesërisht nga një rënie në investime.

“Tarifat janë përgjegjëse për shifrat e shkëlqyera ekonomike të SHBA-së që sapo u publikuan… dhe ato vetëm do të përmirësohen”, shkroi presidenti i SHBA-së,Donald Trump në “Social Truth” – duke pretenduar se politika e tij tarifore fshihej pas rezultatit pozitiv. //a.i/

 

 

The post SHBA – Ekonomia tejkalon pritshmëritë, rritet me 4,3% në tremujorin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kievi konfirmon tërheqjen e trupave nga Siversku në rajonin e Donetskut

23 December 2025 at 18:31

KIEV, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Ushtria ukrainase njoftoi sot se është tërhequr nga qyteti i Siverskut në rajonin lindor të Donetskut.

“Luftime të ashpra kanë vazhduar në zonën e Siverskut”, tha sot ne media sociale Shtabi i Përgjithshëm.

“Por, për të shpëtuar jetën e ushtarëve tanë dhe për të ruajtur forcën luftarake të njësive”, trupat ukrainase janë tërhequr”, thuhet në deklaratë.

Para se të fillonte pushtimi rus, Siversku kishte një popullsi prej pak më shumë se 10 000 banorësh.

Për një kohë të gjatë, vija e frontit në zonë konsiderohej relativisht e qëndrueshme, por kohët e fundit presioni nga sulmuesit rusë është intensifikuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi pushtimin e qytetit më pak se dy javë më parë gjatë një takimi të transmetuar pjesërisht me shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov. Kievi e mohoi këtë pretendim, në atë kohë.

Siversku konsiderohet strategjikisht i rëndësishëm pasi është pjesë e një linje mbrojtjeje që mbron zonën e fundit të madhe urbane në rajonin e Donbasit – të kontrolluar nga forcat ukrainase.

Pas marrjes së kontrollit të Siverskut, sulmuesit rusë tani mund të avancojnë drejt qyteteve të Slovianskut dhe Kramatorskut.

Ukraina ka qenë duke u mbrojtur nga pushtimi rus në shkallë të plotë – që nga shkurti i vitit 2022 me ndihmën masive të aleatëve perëndimorë. //a.i/

The post FOKUS – Kievi konfirmon tërheqjen e trupave nga Siversku në rajonin e Donetskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në samitin e G20 vitin e ardhshëm

23 December 2025 at 18:20

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se kishte biseduar me presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit dhe se i kishte ftuar të dy udhëheqësit në samitin e G20 vitin e ardhshëm në Miami, Florida, sipas “Reuters”.

“Diskutuam rëndësinë e sjelljes së paqes në konfliktet e vazhdueshme dhe rritjen e tregtisë dhe bashkëpunimit midis kombeve tona”, tha Trump në një postim në “Truth Social”, duke iu referuar dy bisedave telefonike të tij me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev dhe presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të presin Samitin e G20 vitin e ardhshëm dhe do t’u bëjnë ftesa të dy udhëheqësve që të bashkohen me ne si të ftuar”, tha ai.

Ndërsa asnjëri vend nuk është pjesë e G20, është e zakonshme që organizatori i samitit të ftojë shtetet jo-anëtare të marrin pjesë në diskutime.

Muajin e kaluar, Tokayev dhe Mirziyoyev udhëtuan në Uashington për diskutime së bashku me udhëheqës nga Kirgistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani.

Vëmendja në rritje e administratës amerikane në Azinë Qendrore lidhet me burimet e bollshme minerale të rajonit, veçanërisht ndërsa SHBA-ja kërkon të sigurojë metale të rralla tokësore që janë thelbësore për aplikimet e teknologjisë së lartë, duke përfshirë telefonat inteligjentë, automjetet elektrike dhe avionët ushtarakë. //a.i/

 

The post SHBA – Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në samitin e G20 vitin e ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Komediani Russell Brand akuzohet për dy krime të tjera seksuale

23 December 2025 at 18:11

LONDËR, 23 dhjetor /ATSH/- Policia britanike tha sot se komediani, Russell Brand është akuzuar për dy krime të tjera seksuale, një akuzë të re për përdhunim dhe një tjetër për ngacmim seksual, sipas “Reuters”.

Akuzat e reja lidhen me dy gra që pasuan pesë akuza të ngritura në prill që përfshinin katër gra të tjera: dy akuza për përdhunim, një për ngacmim të pahijshëm dhe dy për ngacmime seksuale.

Brand, 50 vjeç, do të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster më 20 janar në lidhje me akuzat e reja.

Një gjyq për akuzat e mëparshme është planifikuar në Gjykatën “Southwark Crown” më 16 qershor. //a.i/

The post KINEMA – Komediani Russell Brand akuzohet për dy krime të tjera seksuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE mbështetje financiare për industritë që kërkojnë shumë energji

23 December 2025 at 18:00

BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka miratuar një ndryshim në Udhëzimet e Ndihmës Shtetërore të Sistemit të Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS), duke u lejuar vendeve anëtare të ofrojnë më shumë mbështetje financiare për një gamë më të gjerë industrish që kërkojnë shumë energji.

KE do të lejojë që industritë më intensive në energji të marrin kompensim për të kompensuar kostot e përmbushjes së rregullave të BE-së për emetimet, ndërsa kërkon të parandalojë kompanitë nga zhvendosja e operacioneve jashtë bllokut.

Nën presionin e industrive dhe disa vendeve anëtare, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa të gjerë për të lehtësuar barrën e legjislacionit që synon të trajtojë ndryshimet klimatike për të siguruar që kompanitë evropiane të mbeten konkurruese.

Qëllimi është të forcohet konkurrueshmëria e industrisë së BE-së, të parandalohen kompanitë nga zhvendosja e prodhimit jashtë BE-së (e njohur si “rrjedhje karboni”) dhe të nxitet dekarbonizimi.

“Sektorët që do të marrin mbështetje, si industritë e çelikut dhe kimike, do të jenë gjithashtu të kualifikuar për të marrë më shumë ndihmë shtetërore”, njoftoi sot komisioni në Bruksel.

Në mënyrë specifike, i ashtuquajturi kompensim i çmimit të energjisë elektrike do të zgjerohet. Kjo do t’i lehtësojë në mënyrë indirekte kompanitë nga kostot e tregtimit të emetimeve të CO2.

Komisioni tha se rritjet e çmimeve paraqesin rrezikun që industritë me intensitet të lartë energjie të zhvendosin prodhimin e tyre në vende jashtë BE-së që kanë kufizime më të ulëta të emetimeve.

Ekziston gjithashtu frika se importet që janë më të dëmshme për klimën do të zëvendësojnë produktet e BE-së, të cilat komisioni thotë se “çojnë në më pak aktivitet ekonomik në BE dhe nuk ulin emetimet e gazrave serrë në nivel global”.

Në përgjigje të rritjes së çmimit të certifikatave të gazrave serrë, industri të tjera si qeramika, qelqi dhe bateritë tani do të jenë gjithashtu të kualifikuara për mbështetje.

Për industritë ekzistuese, subvencioni maksimal do të rritet gjithashtu nga 75% në 80% të kostove indirekte të energjisë elektrike.

Në të njëjtën kohë, përfituesit e mëdhenj të ndihmës duhet të investojnë një pjesë të parave në projekte që kontribuojnë në uljen e kostove të sistemit të energjisë elektrike. //a.i/

The post BRUKSEL – BE mbështetje financiare për industritë që kërkojnë shumë energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump thirrje Maduro të largohet me dëshirë nga pushteti

23 December 2025 at 16:59

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të ishte e mençur që presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, të largohej nga pushteti dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta mbanin ose ta shisnin naftën që kishin konfiskuar në brigjet e Venezuelës në javët e fundit, sipas “Reuters”.

Presioni i Trump ndaj Maduro ka përfshirë një prani ushtarake të shtuar në rajon dhe më shumë se dy duzina sulme ushtarake ndaj anijeve që dyshohet se trafikojnë drogë në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve pranë kombit të Amerikës së Jugut.

Të paktën 100 persona janë vrarë në këto sulme.

“Mendoj se do të ishte e zgjuar nga ana e Maduro, nëse e bënte këtë,” u tha Trump gazetarëve në resortin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, kur u pyet nëse qëllimi i tij ishte të detyronte presidentin e Venezuelës të largohej nga pushteti.

“Nëse ai luan ashpër, do të jetë hera e fundit që ai do të jetë në gjendje të luajë ashpër”, shtoi ai.

Trump konfirmoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndiqnin një anije cisternë të sanksionuar gjatë fundjavës.

Shumë media amerikane raportuan të dielën se Roja Bregdetare e SHBA-së “është në ndjekje aktive” të anijes cisternë “Bella 1” në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës, ndërsa ajo ishte në rrugën drejt Venezuelës për të ngarkuar naftë.

“New York Times” raportoi dje se anija cisternë ishte arratisur në Oqeanin Atlantik.

Nëse kapet, kjo do të shënonte anijen cisternë të tretë të kapur me sukses nga SHBA-ja pranë Venezuelës në më pak se dy javë.

Javën e kaluar, Trump urdhëroi një “bllokim të plotë dhe total” të të gjitha anijeve cisternë të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela, duke e shpallur qeverinë e Maduro një organizatë të huaj terroriste.

Pentagoni ka vendosur rreth një duzinë anijesh luftarake, përfshirë “USS Gerald R. Ford”, një aeroplanmbajtëse e madhe, dhe rreth 15,000 trupa në Detin e Karaibeve – i cili ndan një pjesë të konsiderueshme të vijës bregdetare me Venezuelën.

Rajoni nuk ka parë një prani kaq masive ushtarake amerikane për të paktën tre dekada.//a.i/

The post SHBA – Trump thirrje Maduro të largohet me dëshirë nga pushteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump ofron 3,000 dollarë për emigrantët që largohen vetë nga SHBA-ja

23 December 2025 at 16:23

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar një program të ri që u ofron emigrantëve pa dokumente deri në 3,000 dollarë për t’u larguar vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara fundit të vitit, sipas VOX.

Sipas autoriteteve amerikane, personat që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo ofertë mund të regjistrohen përmes një aplikacioni të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ku duhet të japin të dhënat personale për të përfituar udhëtimin falas drejt vendit të origjinës.

Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem deklaroi se emigrantët pa dokumente duhet të përfitonin nga kjo mundësi dhe të vetëdeportoheshin – duke paralajmëruar se ata që nuk i bashkoheshin nismës do të përballeshin me arrestime.

Masa është pjesë e politikave të ashpra të administratës Trump për emigracionin dhe synon të ulë numrin e emigrantëve të parregullt në vend. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Trump ofron 3,000 dollarë për emigrantët që largohen vetë nga SHBA-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media britanike “Saga”: Shqipëria mes destinacioneve kryesore për të udhëtuar në 2026-n

23 December 2025 at 07:34

LONDËR, 23 dhjetor /ATSH/- Pallate të lashta, dete të kristalta dhe plazhe të pazbuluara me çmime të përballueshme – ekspertët tanë të udhëtimit rekomandojnë destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, shkruan Elle Hammond në të përditshmen britanike “Saga”.

Po kërkoni alternativa të përballueshme për të kaluar pushimet tuaja në vitin 2026, ekspertët e “Saga Holidays” ju sugjerojnë shtatë destinacionet kryesore për të vizituar këtë vit.

Nëse ju pëlqejnë aventurat e guximshme në një vend të largët apo një vendpushim i qetë diku më familjar, këto shtatë destinacione të rekomanduara ofrojnë diçka për çdo lloj vizitori!

Shqipëria

Shqipëria rekomandohet si një nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, falë plazheve të pazbuluara, ujërave ngjyrë bruz dhe çmimeve të përballueshme.

Ekspertët e udhëtimit e kanë krahasuar Shqipërinë me Kroacinë.

Shqipëria po bëhet me shpejtësi një nga vendet më të njohura në Evropë.

Vendi i bukur mesdhetar i ka të gjitha – nga plazhet te kultura bizantine por me një çmim të shkëlqyer.

Vendet kryesore përfshijnë:

  • Plazhet me ujërat ngjyrë bruz të Ksamilit – të cilin mund ta vizitoni duke bërë një udhëtim me traget nga Korfuzi.
  • Berati – i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve” është i famshem për arkitekturën e tij osmane dhe shqiptare.
  • Gjithashtu, mos humbisni një vizitë në kryeqytetin plot jetë të Shqipërisë, Tiranën.

Ndërsa popullariteti i Shqipërisë rritet, kjo është koha e përkryer për ta eksploruar atë përpara se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Pse duhet ta vizitoni Shqipërinë në vitin 2026?

Interesi për Shqipërinë vazhdon të rritet, ku sipas një raporti, turizmi u rrit me 5% në fillim të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Shqipëria është aktualisht një nga vendet më të lira në Evropë.

Vendi mesdhetar tërheq turistë nga e gjithë bota falë akomodimit, ushqimit dhe transportit cilësor dhe të përballueshëm.

Revista britanike e udhëtimeve “Saga” e ka renditur Shqipërinë ndër shtatë vendet më të mira për pushime në vitin 2026:

1. Shqipëria
2. Japonia
3. India
4. Afrika e Jugut
5. Kosta Rika
6. Uzbekistani
7. Italia    //a.i/

The post Media britanike “Saga”: Shqipëria mes destinacioneve kryesore për të udhëtuar në 2026-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Ndalohet zierja e karavidheve të gjalla si pjesë e masave kundër mizorisë ndaj kafshëve

22 December 2025 at 23:03

LONDËR, 22 dhjetor /ATSH/- Zierja e karavidheve ndërsa janë të gjalla do të ndalohet si pjesë e një strategjie qeveritare për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve në Angli, sipas “The Guardian”.

Praktika është tashmë e paligjshme në Zvicër, Norvegji dhe Zelandën e Re.

Organizatat bamirëse për mirëqenien e kafshëve thonë se trullosja e karavidheve me një pistoletë elektrike ose ftohja e tyre në ajër të ftohtë ose akull para zierjes është më humane.

Ndalimi do të mbështetej në një ligj të paraqitur nga Konservatorët në vitin 2022, i cili thekson se jovertebrorët, përfshirë oktapodët, gaforret dhe karavidhet, janë të ndjeshëm dhe ndiejnë dhimbje po aq sa kafshët e tjera.

“Kur kafshët e gjalla dhe të vetëdijshme vendosen në ujë të valë, ato durojnë dhimbje të tmerrshme për disa minuta. Kjo është torturë dhe plotësisht e shmangshme. Alternativat humane, si trullosja elektrike, janë lehtësisht të disponueshme”, tha Ben Sturgeon, drejtor ekzekutiv i organizatës bamirëse “Crustacean Compassion”.

Ndryshime të tjera në strategjinë e shumëpritur të Partisë Laburiste të njoftuar sot përfshijnë ndalimin e kafazeve të pulave dhe arkave të pjelljes së derrave, ndërprerjen e mbarështimit të këlyshëve, konsultimin mbi ndalimin e jakave me elektroshok për qentë dhe futjen e kërkesave humane për therjen e peshqve të kultivuar.

Propozimet gjithashtu shtrëngojnë rregullat e gjuetisë, me një ndalim për të gjuajtur lepujt gjatë sezonit të shumimit dhe ndalimin e gjuetisë në shtigje.

Partia Laburiste u zotua në manifestin e saj të zgjerojë ndalimin e gjuetisë së dhelprave në vitin 2005 në shtigje.

Organizatat bamirëse për mirëqenien e kafshëve thonë se gjuetia në shtigje po përdoret për të vazhduar vrasjen e dhelprave. //a.i/

 

The post BM – Ndalohet zierja e karavidheve të gjalla si pjesë e masave kundër mizorisë ndaj kafshëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

VENEZUELË – Maduro: Burimet energjetike nuk duhet të përdoren si instrument i konfrontimit ushtarak

22 December 2025 at 22:42

BUENOS AIRES, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Bllokada dhe pirateria kundër burimeve energjetike të Venezuelës do të ketë një ndikim negativ në eksportin e naftës dhe burimeve të energjisë, do të rrisë paqëndrueshmërinë në tregjet globale dhe do të ketë një efekt negativ në ekonomitë e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, paralajmëroi udhëheqësi venezuelian, paralajmëroi presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro.

Ai iu referuar pranisë së madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Karaibe dhe operacioneve të Rojës Bregdetare të SHBA-së – që synojnë cisternat e naftës të sanksionuara në rajon.

“Burimet energjetike nuk duhet të përdoren si instrument i konfrontimit ushtarak dhe presionit politik”, tha Maduro në një letër drejtuar shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, të cilën ministri i Jashtëm Yván Gil e lexoi sot në një konferencë për shtyp.

Në letër, Maduro dënoi sulmet e SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge, – për të cilat tha se ishin vrarë mbi 100 persona në muajt e fundit – si dhe bllokadën e anijeve cisternë që udhëtojnë për në ose nga Venezuela.

“Nëse përdorimi i njëanshëm i forcës, ekzekutimi i civilëve, pirateria dhe plaçkitja e burimeve të shteteve sovrane tolerohen, bota po shkon drejt një përballjeje globale me përmasa të paparashikueshme”, thuhej në letër.

Roja Bregdetare e SHBA-së, që vepron nën drejtimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, kohët e fundit ka sekuestruar dy anije cisternë në Karaibe.

“Që nga e diela, ajo ka qenë duke ndjekur edhe një anije të tretë, e cila thuhet se është pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” – që Venezuela po përdor për të anashkaluar sanksionet”, sipas raportimeve të medias.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi së fundmi se do të vendoste një bllokadë të plotë për të gjitha anijet cisternë të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Trump e justifikoi këtë veprim duke pretenduar se vendi i Amerikës së Jugut kishte vjedhur naftë, tokë dhe asete të tjera nga SHBA-ja, të cilat duhej të ktheheshin. //a.i/

The post VENEZUELË – Maduro: Burimet energjetike nuk duhet të përdoren si instrument i konfrontimit ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Debati për buxhetin, përplasje fizike midis mazhorancës dhe opozitës

22 December 2025 at 21:00

STAMBOLL, 22 dhjetor /ATSH/- Gjatë raundit të fundit të diskutimeve për buxhetin, deputetët e partisë në pushtet AKP dhe partisë më të madhe opozitare CHP u përleshën me grushte brenda sallës së Kuvendit dhe seanca u desh të ndërpritej, sipas “Türkiye Today”.

Për rreth 10 minuta, deputetët e mbledhur rreth podiumit kryesor në qendër të sallës, u përplasën me njëri tjetrin fizikisht dhe verbalisht.

Sipas medias turke, incidenti nisi pas një debati të ashpër mes deputetit të partisë në pushtet, AKP nga qyteti i Bursës, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të opozitës, CHP-së, Gökan Günaydin.

Nga foltorja, Varank kritikoi drejtimin e CHP-së dhe politikat e bashkive të drejtuara nga opozita, deklarata që u konsideruan provokuese nga deputetët opozitarë.

Reagimi i Günaydin ishte i menjëhershëm, duke akuzuar mazhorancën për nxitje të tensioneve dhe sulme të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor të opozitës.

Situata u përkeqësua edhe më tej me përfshirjen e Ali Mahir Başarır, një tjetër nënkryetar i grupit parlamentar të CHP-së, gjë që shërbeu si katalizator i përleshjes fizike mes deputetëve të dy krahëve.

Në sallë ndodheshin edhe kryetari i CHP-së, Özgür Özel, si dhe kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahçeli, por asnjëri prej tyre nuk ndërhyri drejtpërdrejt për të ndalur incidentin.

Kryetari e Parlamentit, Numan Kurtulmus u detyrua të ndërpresë seancën ndërsa forcat e sigurisë e patën të vështirë të ndalnin deputetët e zemëruar të përfshirë në konflikt.

Përplasjet vazhduan edhe gjatë pezullimit të përkohshëm të seancës. Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, Kuvendi miratoi projektligjet kryesore.

Ligji i buxhetit të vitit 2026 u miratua me 320 vota pro dhe 249 kundër; projektligji përfundimtar për vitin 2024 u miratua me 316 vota kundër dhe 247 kundër. //a.i/

The post TURQI – Debati për buxhetin, përplasje fizike midis mazhorancës dhe opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUMANI – Dan zotohet të hetojë akuzat për abuzime sistemike në gjyqësor

22 December 2025 at 18:53

BUKURESHT, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i Rumanisë, Nicuşor Dan u zotua se do të hetojë pretendimet për abuzime sistemike në gjyqësor, pasi u takua sot me gjyqtarë dhe prokurorë, duke thënë se integriteti i sistemit të drejtësisë ishte vënë në dyshim, sipas “Reuters”.

Dan tha se qindra magjistratë kishin përshkruar një klimë frike dhe ndikimin e tepruar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, organi më i lartë mbikëqyrës i drejtësisë në vend, të cilin e akuzuan se po vepron në interes të një grupi të zgjedhur dhe jo të publikut.

“Situata në të cilën ndodhemi është serioze, pasi ekziston ky dyshim për integritetin e sistemit gjyqësor”, tha ai në një deklaratë, duke shtuar se pretendimet do të hetoheshin.

“Përfundimi … është se ekziston një kategori magjistratësh … gjyqtarë të lartë të gjykatave që nuk veprojnë në interes të publikut, por që veprojnë në interes të një grupi”, tha Dan.

Takimi pasoi ftesën e hapur të Dan për anëtarët e gjyqësorit për të paraqitur ankesa, pasi ai tha dje se kishte marrë afërsisht 2 000 faqe me shembuj të problemeve të integritetit që kërkonin hetim dhe veprime të mëtejshme.

Presidenti emëron kryetarët e gjyqtarëve dhe prokurorët dhe mund të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të lartë gjyqësor, por nuk ka kompetencat ligjore për t’i zëvendësuar ata.

Megjithatë, ligjvënësit e ekstremit të djathtë kanë akuzuar Dan, për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe kanë kërkuar që ai të shkarkohet nga detyra.

Akuzat për abuzime në sistemin e drejtësisë erdhën pasi media e pavarur “Recorder” transmetoi një dokumentar që tregonte se si kryetarët e gjyqtarëve përdornin boshllëqet ligjore për praktika joetike, duke përfshirë lirime të dyshimta.

Mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin Bukuresht dhe në të gjithë Rumaninë në fillim të dhjetorit kundër abuzimeve të dyshuara.

Rumania është një nga shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian.

Brukseli e mbajti sistemin e drejtësisë të vendit nën monitorim të veçantë pasi u bashkua me BE-në në vitin 2007.

Që kur misioni i BE-së përfundoi në vitin 2023, ritmi i hetimeve kundër korrupsionit është ngadalësuar. //a.i/

The post RUMANI – Dan zotohet të hetojë akuzat për abuzime sistemike në gjyqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për bisedime mbi konfliktin kufitar

22 December 2025 at 18:36

BANGKOK, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet për një armëpushim të përhershëm pas luftimeve të ripërtërira në kufirin e tyre të përbashkët.

“Negociatat janë planifikuar të zhvillohen të mërkurën”, tha sot ministri i Jashtëm i Tajlandës, Sihasak Phuangketkeow.

Sipas burimeve, propozimi fillestar u bë nga Kamboxhia.

Ministri tajlandez njoftoi bisedimet pas një takimi të posaçëm të ministrave të Jashtëm nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Malajzisë.

Takimi trajtoi konfliktin kufitar midis dy shteteve anëtare.

Bisedimet e planifikuara u konfirmuan nga ASEAN. Ministrat e Jashtëm të grupit mirëpritën marrëveshjen për një takim të komitetit kufitar dhe rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe respektimin e një kufiri ndërkombëtar dhe të ligjit ndërkombëtar.

Luftimet në disa zona përgjatë kufirit të dy vendeve tani po hyjnë në javën e tretë.

Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur nga të dyja palët.

Konflikti rrjedh nga një mosmarrëveshje prej disa dekadash që lidhet me pretendimet territoriale. //a.i/

 

The post FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për bisedime mbi konfliktin kufitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAMASKË – Fidan: SHBA-ja do të njoftojë fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën në javët e para të 2026-s

22 December 2025 at 18:23

DAMASKË, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha sot se pret që presidenti i SHBA-së Donald Trump të njoftojë fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza në “javët e para” të vitit të ri.

“Ne presim që faza e dytë të fillojë në javët e para të vitit të ri, me një deklaratë të presidentit amerikan, Donald Trump”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij sirian, Asaad al-Shaibani, në Damaskë.

Fidan tha se SHBA-ja kishte paraqitur studime paraprake të projektit mbi rindërtimin e Gazës gjatë bisedimeve në Miami në fundjavë, të cilat përfshinin përfaqësues nga Turqia, Katari dhe Egjipti.

Fidan u takua sot me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, i shoqëruar nga shefi i inteligjencës turke dhe ministri i Mbrojtjes, për të diskutuar bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe rajon.

Një çështje kyçe është zbatimi i një marrëveshjeje të marsit për të integruar Forcat Demokratike Siriane (SDF) – të udhëhequra nga kurdët në strukturat e sigurisë shtetërore të Sirisë – një shqetësim thelbësor për sigurinë kombëtare turke.

Fidan akuzoi sot SDF-në për zvarritje të marrëveshjes dhe tha se koordinimi i saj me Izraelin përbënte një pengesë të madhe në bisedimet me Damaskun.

Më herët, Ankaraja i bëri thirrje SDF-së të përshpejtonte integrimin.

Al-Shaibani tha se Damasku po shqyrtonte një përgjigje që SDF-ja kishte dërguar në fundjavë, por e kritikoi grupin për vonesat në rindërtimin e Sirisë verilindore.

Afati i fundit për të zbatuar marrëveshjen e marsit ishte fundi i vitit 2025, dhe Ankaraja ngriti mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake nëse ajo zvarritej më tej.

Turqia kontrollon zonat në Sirinë veriperëndimore. Ajo e konsideron SDF-në – e mbështetur nga SHBA-ja – një grup terrorist për shkak të lidhjeve të saj me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e ndaluar, duke ndërlikuar dinamikën rajonale. //a.i/

The post DAMASKË – Fidan: SHBA-ja do të njoftojë fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën në javët e para të 2026-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIGË – Letonia zgjat mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë deri në mesin e vitit të ardhshëm

22 December 2025 at 18:08

RIGË, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Letonia do të zgjasë mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë fqinje deri në mesin e vitit të ardhshëm, për arsye sigurie.

Ministria e Brendshme njoftoi sot në Rigë – se arsyeja e vendimit të qeverisë së vendit të BE-së dhe NATO-s – ishte numri i vazhdueshëm disproporcionalisht i lartë i përpjekjeve për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ministria tha se më shumë se 12,000 përpjekje nga emigrantët – për të kaluar kufirin ilegalisht nga vendi fqinj i sunduar nga autoritarizmi – ishin parandaluar deri më tani këtë vit.

Rregullorja speciale, e cila është zgjatur disa herë dhe duhej të mbetej në fuqi deri në fund të vitit, tani do të vazhdojë të jetë në fuqi deri më 30 qershor 2026.

Kjo do t’u japë rojeve kufitare letoneze kompetenca më të gjera në zonat në lindje të shtetit baltik.

Në të njëjtën kohë, kufiri do të pajiset me infrastrukturë teknike shtesë deri në fund të vitit 2026.

Letonia ndan një kufi me aleatin e ngushtë të Rusisë, Bjellorusinë, në lindje, që shtrihet për rreth 172 kilometra.

Shteti baltik, ashtu si Polonia dhe Lituania, akuzon udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko për organizimin e transportit të migrantëve drejt kufirit të jashtëm të BE-së me qëllim që të ushtrojë presion mbi Perëndimin. //a.i/

The post RIGË – Letonia zgjat mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë deri në mesin e vitit të ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Chris Rea, i njohur për hitin e Krishtlindjeve “Driving Home for Christmas”

22 December 2025 at 16:44

LONDËR, 22 dhjetor /ATSH/- Këngëtari britanik, Chris Rea, i njohur për hitet e tij, përfshirë “Driving home for Christmas” ka vdekur në moshën 74 vjeç, sipas BBC.

Përveç hitit të tij shumë të dashur të Krishtlindjeve, Rea pati sukses në fund të viteve ’70 dhe ’80 me hitet “Fool” (If You Think It’s Over), “Let’s Dance” dhe “The Road To Hell”.

Muzikanti i lindur në Middlesbrough ishte diagnostikuar me kancer në pankreas dhe i ishte hequr pankreasi në vitin 2001.

Chris Rea regjistroi 25 albume solo, dy prej të cilave kryesuan listën e albumeve në Britaninë e Madhe.

Zëri i tij dallues dhe interpretimi i kitarës slide janë ruajtur në këngë të tilla si “Road to Hell”, “Auberge”, “On the Beach” dhe “Driving Home for Christmas”.

Christopher Anton Rea lindi në Middlesbrough në vitin 1951 nga një baba italian dhe një nënë irlandeze dhe ishte një nga shtatë fëmijët.

Chris bleu kitarën e tij të parë, një “Hofner V3” të vitit 1961, në fillim të të 20-ave.

Albumi i tij i parë – i titulluar “Whatever Happened To Benny Santini?”, u publikua në vitin 1978. Kënga “Fool (If You Think It’s Over)” u nominua për një çmim “Grammy”.

Albumi i tij i parë u rendit në vendin e parë në vitin 1989 me “The Road to Hell”, dhe albumi “Auberge” i publikuar në vitin 1991 gjithashtu u rendit në vendin e parë.

Rea u bë sinonim i dhjetorit me hitin festiv “Driving Home for Christmas”, i publikuar për herë të parë në vitin 1986.

Kënga arriti në vendin e 30-të në listën e këngëve për Krishtlindje, javën e kaluar dhe dëgjohet shpesh në radio dhe televizion çdo dhjetor. //a.i/

 

The post Vdes Chris Rea, i njohur për hitin e Krishtlindjeve “Driving Home for Christmas” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌