Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Bojkot i Kupës së Botës? Kimmich flet qartë dhe rikthen në vëmendje Katarin

22 January 2026 at 15:24


Joshua Kimmich ka zgjedhur të qëndrojë jashtë debatit të rindezur së fundmi mbi një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës 2026.

Pas fitores 2-0 të Bayern Munich ndaj Union Saint-Gilloise në Ligën e Kampionëve, kapiteni i përfaqësueses gjermane mbajti një qëndrim të qartë, duke iu referuar drejtpërdrejt përvojës së tij gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar.

I pyetur për idetë politike që janë shfaqur sërish në lidhje me Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Kimmich reagoi me një buzëqeshje dhe një deklaratë të prerë:

“Nuk marr më pjesë në diskutime politike”.

Për futbollistin 30-vjeçar, ky qëndrim është rezultat i një procesi reflektimi.

Përvoja në Katar, sipas tij, tregoi se deklaratat politike të lojtarëve nuk japin gjithmonë efektin e dëshiruar.

“Ne e kuptuam se nuk është produktive që ne, si lojtarë, të shprehemi tepër politikisht”, shpjegoi hapur ylli i Bayern Munich.

“Sigurisht që kemi edhe një përgjegjësi për të folur në një masë të caktuar”, shtoi ai, por theksoi se pikërisht aty vendos tani një vijë të qartë.

“Mendoj se në Gjermani dhe në DFB ka persona të tjerë që janë më të përgatitur për këto çështje dhe që duhet të shprehen për to”, përfundoi Kimmich. /Telegrafi/

Një klub nga Serie A bën një ofertë të majme për të rikthyer Brahimin

22 January 2026 at 14:41


Brahim Diaz ndodhet sërish në qendër të vëmendjes te Real Madridi, teksa vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.

Sulmuesi që përfaqëson Marokun përballet me konkurrencë të fortë në repartin ofensiv, çka ka kufizuar rolin e tij në skuadër.

Megjithatë, klubi vlerëson cilësitë, polivalencën dhe kontributin e tij sa herë që ka pasur minuta në dispozicion.

Edhe pse nuk konsiderohet titullar i padiskutueshëm, Brahim ka lënë gjurmë me paraqitje pozitive në La Liga dhe në kompeticionet evropiane.

Real Madridi nuk e ka vendosur atë në listën e largimeve, por as nuk e konsideron të paprekshëm.

Një ofertë e rëndësishme financiare mund ta ndryshojë situatën, sidomos në kushtet e një skuadre të mbingarkuar.

Interesim konkret për lojtarin ka nga Liga Premier, ku profili i tij përshtatet mirë me intensitetin dhe ritmin e kampionatit anglez.

Flitet se oferta që mund të arrijnë rreth 60 milionë euro do ta vinin klubin madrilen përballë një vendimi të vështirë.

Një shumë e tillë do të përfaqësonte një mundësi ekonomike serioze për një lojtar me rol dytësor.

Ndërkohë, Milani po shtyn fort për rikthimin e Brahim Diaz në “San Siro”.

Kujtimet pozitive nga aventura e tij e mëparshme dhe dëshira e klubit italian për ta bërë pjesë kyçe të projektit e bëjnë këtë opsion shumë real.

Një ofertë rreth 50 milionë euro është në tryezë dhe nëse lojtari shpreh gatishmëri për t’u kthyer në Itali, marrëveshja mund të konkretizohet gjatë afatit kalimtar të verës. /Telegrafi/

Chelsea vendos një çmim për yllin kryesor dhe zgjedh një zëvendësues

22 January 2026 at 10:35


I përfshirë prej kohësh në listën e objektivave të klubeve të mëdha si Real Madrid dhe Paris Saint-Germain, Enzo Fernandez po kalon një moment shumë pozitiv te Chelsea.

Mesfushori argjentinas është kthyer në një pjesë kyçe të skuadrës londineze, por pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm, klubi anglez nuk e përjashton mundësinë e një largimi nëse vjen oferta e duhur.

Në moshën 25-vjeçare, Fernandez është një nga emrat që ndiqet me vëmendje nga Real Madridi, i cili po planifikon me kujdes përforcimet për sezonin 2026–2027.

Me 32 ndeshje të luajtura deri tani, ku ka realizuar 8 gola dhe ka dhënë 4 asistime, argjentinasi shihet si një profil ideal për të forcuar mesfushën e “Los Blancos”, repart që kërkon ndërhyrje të reja cilësore.

Sipas raportimeve të “Defensa Central”, Chelsea do të ishte i gatshëm të negociojë largimin e Enzo Fernandez nëse një klub vendos në tavolinë shumën prej 120 milionë eurosh, edhe pse lojtari ka kontratë deri në vitin 2031 dhe nuk konsiderohet zyrtarisht i transferueshëm.

Po ashtu, burimi në fjalë thekson se klubi londinez ka identifikuar tashmë një zëvendësues të mundshëm: Joao Neves.

Megjithatë, largimi i mesfushorit portugez nga Paris Saint-Germain nuk pritet të jetë aspak i lehtë, çka e bën situatën edhe më komplekse në afatet kalimtare. /Telegrafi/

Gabimi i madh i Luis Enriques te PSG-ja

22 January 2026 at 10:03


Luis Enrique ka marrë një vendim kyç disa muaj më parë që sot po rëndon ndjeshëm mbi Paris Saint-Germain, si në kampionatin francez ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Humbja 2-1 ndaj Sporting Lisbonës në xhiron e parafundit të fazës së ligës ka rikthyer dyshime serioze mbi projektin parisien dhe ka vështirësuar ndjeshëm kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ve.

Ky rezultat e detyron PSG-në të luajë gjithçka në ndeshjen e fundit ndaj Newcastle, në një atmosferë presioni maksimal.

Paraqitja ndaj Sportingut tregoi mungesë stabiliteti, humbje kontrolli në momente vendimtare dhe gabime që u ndëshkuan shtrenjtë.

Për më tepër, skuadra nuk varet më vetëm nga vetja për të qenë mes tetë më të mirave, çka ka hapur sërish debate të forta brenda dhe jashtë klubit.

Në qendër të kritikave është vendosur portieri Lucas Chevalier, i transferuar verën e kaluar për 40 milionë euro.

Performanca e tij ka ngritur pikëpyetje për mungesë autoriteti dhe pasiguri në ndeshje të nivelit të lartë.

Edhe pse konsiderohet një investim për të ardhmen, Liga e Kampionëve po rezulton një skenë tepër e rëndë për një portier ende në fazë konsolidimi, ku çdo gabim amplifikohet.

Debati bëhet edhe më i ashpër duke kujtuar largimin e Gianluigi Donnarummas, i cili u përjashtua nga projekti dhe më pas iu bashkua Manchester Cityt.

Vendimi i Luis Enrique për t’ia besuar portën Chevalierit, në vend të një portieri të provuar në nivelet më të larta, po shihet gjerësisht si një gabim strategjik.

Përballja vendimtare me Newcastle nuk do të përcaktojë vetëm fatin evropian të PSG-së, por edhe drejtimin e diskutimit mbi menaxhimin e skuadrës dhe zgjedhjet e trajnerit spanjoll. /Telegrafi/

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Barcelona i vendos dy kushte Lewandowskit për vazhdimësinë

21 January 2026 at 16:14


Robert Lewandowski po përballet me një moment vendimtar në aventurën e tij te Barcelona, pasi klubi i ka komunikuar qartë kushtet për vazhdimësinë e kontratës.

Në zyrat e klubit nuk ka dëshirë për ta detyruar largimin e tij, por rinovimi nuk do të jetë as automatik dhe as pa kushte.

Drejtuesit kanë përcaktuar një kornizë të re sportive dhe financiare, në përputhje me realitetin aktual të projektit blaugrana.

Nga ana sportive, Barcelona i ka kërkuar sulmuesit polak të pranojë një rol të ri brenda skuadrës.

Në moshën 36-vjeçare, ai nuk konsiderohet më titullar i padiskutueshëm në çdo ndeshje.

Ideja e stafit teknik është që Lewandowski të shfrytëzohet si një armë strategjike, duke i menaxhuar minutat dhe duke e aktivizuar në ndeshje kyçe, ku përvoja dhe instinkti i tij mbeten vendimtare.

Çështja më delikate lidhet me aspektin financiar

Aktualisht, paga e tij arrin rreth 26 milionë euro në vit, një barrë e madhe për kufijtë e rreptë të pagave të klubit.

Për këtë arsye, drejtuesit i kanë kërkuar një ulje shumë të ndjeshme të pagës, pothuajse përgjysmim, në përputhje me rolin e ri që i propozohet në skuadër.

Presidenti Joan Laporta dhe drejtuesit theksojnë se kjo qasje nuk është personale, por strukturore.

Lewandowski vlerësohet për profesionalizmin, lidershipin dhe ndikimin pozitiv në një dhomë zhveshjeje me shumë lojtarë të rinj.

Edhe me më pak minuta, klubi beson se ai mund të vazhdojë të jetë një garanci golash dhe një shembull për të ardhmen.

Tani vendimi i takon vetë lojtarit, ai duhet të zgjedhë mes pranimit të rolit dhe pagës së re ose kërkimit të një aventure tjetër për të ruajtur statusin aktual.

Barcelona nuk do ta pengojë nëse vendos të largohet, por as nuk do të devijojë nga kufijtë e vendosur.

Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të sqaruar të ardhmen e sulmuesit polak. /Telegrafi/

Chelsea vëzhgon situatën e yllit të Real Madridit, transferimi i mundshëm vetëm për shifrat rekord

21 January 2026 at 15:45


Dy klube të mëdha të Ligës Premier vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim situatën e Arda Guler.

Arsenali dhe Chelsea po shqyrtojnë mundësinë që të ndërmarrin hapa konkretë në fund të këtij sezoni për sulmuesin turk të Real Madridit.

Edhe pse fillimi i tij në “Santiago Bernabeu” nuk ishte i lehtë, Guler ka arritur gradualisht të fitojë një rol të rëndësishëm në skemat e skuadrës madrilene, duke iu afruar ëndrrës së tij të deklaruar hapur për të ndërtuar një karrierë afatgjatë te gjigantët spanjollë.

Në këtë kontekst, as lojtari dhe as drejtuesit e Real Madridit nuk duken të gatshëm të konsiderojnë një largim në këtë fazë.

Sipas raportimeve të “Caught Offside”, interesi i Arsenalit dhe Chelseat mbetet aktiv, por çdo ndryshim i mundshëm i situatës do të kërkonte kushte shumë specifike.

Së pari, vetë futbollisti do të duhej të shprehte dëshirë të qartë për t’u larguar nga Madridi, ndërsa më pas klubet e interesuara do të duhej të paraqisnin oferta financiare shumë të larta, në vlerat 90 ose 100 milionë euro.

Kujtojmë se Real Madridi pagoi rreth 26 milionë euro te Fenerbahçe për transferimin e tij.

Burime pranë Arsenalit kanë konfirmuar se klubi londinez po e ndjek nga afër zhvillimin e Guler, por e pranon se sfida kryesore do të ishte bindja e lojtarit, i cili aktualisht nuk po mendon të largohet nga Real Madridi.

Një lëvizje në afatin e janarit përjashtohet, ndërsa vera mbetet periudha e vetme ku një skenar i tillë mund të rishqyrtohet, nëse shumat e ofruara do ta detyronin Real Madridin ta mendonte seriozisht një shitje. /Telegrafi/

Carragher kritikon ashpër Vinicius Junior, e lidh me shkarkimin e Xabi Alonsos

21 January 2026 at 15:08


Legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, ka kritikuar ashpër Vinicius Junior, duke e akuzuar për sjellje egoiste dhe duke e konsideruar si një nga faktorët kryesorë që çuan në shkarkimin e trajnerit Xabi Alonso.

“Arsyeja pse flas për Viniciusin është sepse ai është problemi më i madh. Ai është një nga turpet më të mëdha që çuan në humbjen e vendit të punës së trajnerit”, ka thënë ish-mbrojtësi anglez.

Carragher nuk i kurseu as kritikat ndaj presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, të cilin e akuzoi se u ka dhënë lojtarëve fuqi të tepruar në dhomat e zhveshjes, duke i kthyer trajnerët në figura të zëvendësueshme.

Duke dhënë më shumë detaje, ish-ylli i “The Reds” shtoi:

“Në ndeshjen kundër Barcelonës, të cilën Real Madridi e fitoi, ai u zëvendësua në minutat e fundit. Trajneri po përpiqej të siguronte rezultatin dhe fitoren”.

“Viniciusi u zemërua, filloi të reagonte dhe të shprehte pakënaqësinë, duke thënë se nuk do të rinovonte kontratën për sa kohë Alonso ishte trajner. Më pas publikoi një deklaratë pas ndeshjes, ku kërkonte falje tifozëve dhe lojtarëve, por jo trajnerit”.

Carragher theksoi se ky episod ishte vendimtar për largimin e Alonsos.

“Kjo është arsyeja pse Alonso humbi vendin e punës, sepse Perez, presidenti i klubit, ka frikë se një nga lojtarët më të mirë në botë mund të mos rinovojë kontratën”.

Në përfundim, ai nënvizoi realitetin e njohur në klubin madrilen.

“Dhe ne e dimë shumë mirë se te Real Madridi, trajneri është i zëvendësueshëm, jo lojtarët. Kështu funksionon ky klub”, përfundoi Carragher. /Telegrafi/

Alexander-Arnold nuk dëshiron të qëndrojë te Real Madridi, synon largimin drejt Bundesligës

21 January 2026 at 14:35


Trent Alexander-Arnold po kalon një nga momentet më të ndërlikuara të karrierës së tij.

Alexander-Arnold i ardhur te Real Madridi me pritshmëri shumë të larta dhe si një transferim strategjik, nuk ka arritur të gjejë rolin dhe rëndësinë e premtuar në projektin sportiv të klubit.

Situata aktuale ka krijuar pakënaqësi të dukshme te lojtari, i cili ndjen se pritshmëritë e tij nuk janë përmbushur.

Pavarësisht cilësive dhe reputacionit të ndërtuar ndër vite, Alexander-Arnold nuk ka arritur të konsolidohet si titullar i padiskutueshëm.

Problemet fizike dhe konkurrenca e brendshme kanë ndikuar në minutazhin e tij, ndërsa ndikimi në lojë ka qenë më i kufizuar nga sa pritej.

Në rrethin e lojtarit flitet për zhgënjim dhe mungesë harmonie me projektin aktual të Real Madridit.

Në këtë kontekst, afati kalimtar i verës po merr formë dhe Bundesliga po shfaqet si një opsion serioz.

Bayern Munich po ndjek nga afër situatën dhe e vlerëson shumë profilin e anglezit, duke e parë atë si një përforcim ideal për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Klubi bavarez beson se stili i lojës në Gjermani mund të nxjerrë në pah aftësitë e tij teknike dhe ndikimin ofensiv.

Edhe Real Madridi është i vetëdijshëm për situatën dhe nuk përjashton mundësinë e një largimi, nëse pakënaqësia vazhdon dhe mbërrin një ofertë bindëse.

Mbajtja e një lojtari të pakënaqur nuk shihet si zgjidhje afatgjatë, ndërsa një transferim mund të ndihmojë në rregullimin e balancave në skuadër dhe shmangien e tensioneve të panevojshme.

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të ardhmen e Alexander-Arnold.

Lojtari po shqyrton me kujdes hapin e radhës, duke kërkuar një ambient ku të ndihet i vlerësuar dhe protagonist.

Nëse transferimi te Bayern Munich realizohet, do të ishte një nga lëvizjet më befasuese të afatit kalimtar veror dhe një pikë kthese në karrierën e tij. /Telegrafi/

Real Madridi dhe Liverpooli interesohen, Bayerni vepron për të mbajtur yllin e tyre

21 January 2026 at 13:20


Drejtuesit e Bayern Munich kanë nisur negociatat për të zgjatur dhe siguruar kontratën e sulmuesit francez Michael Olise, duke qenë të vetëdijshëm për interesin që ai ngjall tek klube të tilla si Real Madrid dhe Liverpool.

Futbollisti 24-vjeçar është bërë tashmë një nga transferimet më të spikatura të klubit bavarez në vitet e fundit, duke regjistruar shifra mbresëlënëse këtë sezon: 13 gola dhe 20 asistime në 28 ndeshje zyrtare.

Progresi i tij nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane, gjë që ka shtyrë Bayernin të veprojë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e tij afatgjatë.

Sipas Sport Bild, drejtuesit e klubit synojnë të mbyllin marrëveshjen e rinovimit para Botërorit, turne që mund të rrisë edhe më shumë popullaritetin e lojtarit.

Olise erdhi te Bayern verën e vitit 2024 nga Crystal Palace për 53 milionë euro, një shans që në atë kohë konsiderohej i rrezikshëm.

Më pak se dy vite më vonë, insistimi i drejtorit sportiv Max Eberl, mbështetësi i tij kryesor, ka dhënë rezultate, duke e konsoliduar sulmuesin e ri si një pjesë kyçe të ekipit. /Telegrafi/

"Nënshkrimi i pamundur" për Real Madridin

21 January 2026 at 12:22


Paris Saint-Germain ka reaguar qartë ndaj interesimit të Real Madridit për Vitinhan, duke e mbyllur çdo derë për një transferim të mundshëm.

Mesfushori portugez është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të futbollit evropian falë paraqitjeve të tij të nivelit të lartë dhe aftësisë për të drejtuar lojën me inteligjencë dhe qetësi.

Performancat e tij e kishin futur prej kohësh në radarët e klubeve më të mëdha, përfshirë edhe klubin madrilen.

Në Paris, Vitinha konsiderohet një shtyllë e projektit sportiv të drejtuar nga Luis Enrique.

Trajneri spanjoll e sheh atë si element kyç në organizimin e lojës, si në fazën ofensive ashtu edhe në balancën taktike të ekipit.

Roli i tij ka evoluar ndjeshëm dhe sot ai është referencë absolute në mesfushën e PSG-së, duke diktuar ritmin dhe strukturën e çdo ndeshjeje.

Sipas raportimeve të The Athletic, drejtuesit e PSG-së i kanë përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë Real Madridit: Vitinha nuk është në shitje.

Qëndrimi i klubit francez është i prerë dhe nuk lidhet me aspektin financiar, por me rëndësinë strategjike që lojtari ka për të tashmen dhe të ardhmen e ekipit.

Edhe nga rrethi i lojtarit është bërë e qartë se largimi nga Parisi është i pamundur në këtë fazë.

Kjo situatë e detyron Real Madridin të rishikojë planet e tij për përforcimin e mesfushës.

Interesimi për Vitinhan ishte pjesë e strategjisë për të gjetur një dirigjent loje, por refuzimi i PSG-së e bën këtë të parealizueshme.

Klubi madrilen tashmë po orienton vëmendjen drejt objektivave të tjerë, ndërsa Vitinha vazhdon të jetë lideri dhe simboli i projektit ambicioz parisien. /Telegrafi/

Vinicius Junior hyn në top 10 asistuesit më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve

21 January 2026 at 10:13


Real Madrid dhuroi një mbrëmje spektakolare në ‘Santiago Bernabeu’ me fitoren bindëse 6–1 ndaj Monacos, por vëmendja kryesore e ndeshjes shkoi te Vinicius Junior.

Ylli brazilian ishte protagonist absolut, duke realizuar një gol dhe duke dhënë dy asistime, në një paraqitje që konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një nga lojtarët më vendimtarë të futbollit evropian.

I vërshëllyer fillimisht nga një pjesë e tifozëve, Vinicius arriti t’i kthejë fishkëllimat në duartrokitje përmes lojës së tij elektrizuese dhe ndikimit direkt në rezultat.

Përveç kontributit vendimtar në fitoren e thellë, 23-vjeçari shënoi edhe një arritje historike personale.

Me dy asistimet kundër Monacos, Vinicius Junior arriti kuotën e 30 asistimeve në Ligën e Kampionëve, duke u ngjitur në vendin e tetë në renditjen e asistuesve më të mirë të të gjitha kohërave në këtë kompeticion prestigjioz.

Top 10 asistuesit më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve:

Cristiano Ronaldo – 42 asistime

Angel Di Maria – 41 asistime

Lionel Messi – 40 asistime

Neymar – 33 asistime

Kevin De Bruyne – 31 asistime

Ryan Giggs – 31 asistime

Xavi Hernandez – 30 asistime

Vinicius Junior – 30 asistime

Thomas Muller – 30 asistime

Karim Benzema – 29 asistime

Ngjitja e Vinicius Junior në këtë listë elitare dëshmon jo vetëm talentin e tij individual, por edhe pjekurinë që ka fituar vitet e fundit në fanellën e Real Madridit.

Me ritmin aktual dhe moshën e re që ka, braziliani ka të gjitha mundësitë që në vitet në vijim të ngjitet edhe më lart në këtë renditje historike. /Telegrafi/

Liverpooli përgatit goditjen e madhe, synon yllin e madh anglez

21 January 2026 at 09:25


Liverpooli e ka vendosur mesfushorin anglez Adam Wharton si objektivin kryesor për të përforcuar repartin e mesfushës në sezonin e ardhshëm.

Talenti 21-vjeçar i Crystal Palace ka tërhequr vëmendjen e skautëve evropianë me paraqitjet e tij të pjekura dhe ndikimin në lojë, duke u kthyer në një nga emrat më të kërkuar të Ligës Premier.

Klubi nga Merseyside po kërkon një organizator loje që të marrë përgjegjësi në qendër të fushës dhe të sjellë qartësi në ndërtimin e aksioneve.

Crystal Palace është i vetëdijshëm për interesimin e madh dhe e ka vlerësuar kartonin e Wharton rreth 65 milionë euro, shifër që mund të rritet përmes bonuseve të lidhura me performancën dhe arritjet sportive.

Nga ana taktike, Wharton shihet si një përshtatje ideale për stilin e lojës së Liverpoolit, duke plotësuar mesfushorë si Alexis Mac Allister dhe Ryan Gravenberch.

Aftësia e tij për të thyer linjat me pasime të sakta dhe për të ruajtur ekuilibrin defensiv e bën atë një element kyç për tranzicionin e shpejtë dhe presionin e lartë që karakterizon skuadrën.

Pavarësisht interesimit nga klube të tjera të mëdha angleze, Liverpooli duket se ka avantazhin falë projektit afatgjatë dhe ambicies sportive.

Investimi në një talent të ri vendas shihet si një hap strategjik për stabilitet dhe konkurrencën në vitet në vijim, ndërsa vera pritet të jetë vendimtare për finalizimin ose jo të kësaj lëvizjeje të madhe në afatin kalimtar. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Milot Rashica kritikohet ashpër nga ish-futbollisti i Besiktasit

20 January 2026 at 15:52


Fitorja minimale e Besiktasit ndaj Kayserisporit nuk e ka bindur ish-futbollistin e njohur turk, Nihat Kahveci, i cili ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij për paraqitjen e skuadrës bardhezi, pavarësisht tri pikëve të fituara.

Besiktasi të hënën triumfoi 1:0 ndaj Kayserisporit, falë golit të shënuar nga El Bilal Toure në minutën e 95-të të ndeshjes.

Megjithatë, sipas Kahvecit, loja e zhvilluar nga ekipi nuk ishte në nivelin e duhur dhe shfaqi shumë mangësi, veçanërisht në repartin ofensiv.

Ish-sulmuesi i kombëtares turke dhe i Besiktasit ndali vëmendjen edhe te sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, për të cilin pati kritika të drejtpërdrejta.

Kahveci e krahasoi paraqitjen e Rashicës me periudhën kur Ricardo Quaresma ishte pjesë e Besiktasit, duke lënë të kuptohet se ndikimi i tij në lojë nuk po është ai që pritej.

“Duke e parë Rashicën sot, disa mund të thonë se Quaresma duhet të kthehet në futboll. Rashica mund të jetë i dobishëm si lojtar mbështetës në një ekip të fortë, por nëse i jepet rol udhëheqës, ai nuk arrin të japë maksimumin. Është e pamundur të kuptohet pse trajneri Sergen Yalçin e mbajti Rashicën në lojë deri në minutën e 71-të, kur ai nuk po paraqitej mirë”, ka thënë Kahveci.

Milot Rashica, 29 vjeç, ka regjistruar dy gola dhe tri asistime në të gjitha garat me fanellën e Besiktasit.

Pavarësisht kritikave, ai mbetet një nga lojtarët më të përfolur në skuadër. /Telegrafi/

Man City bën një ofertë 150 milionë euro për yllin e Real Madridit

20 January 2026 at 14:04


Vinicius po përgatitet për një verë që mund të shënojë një pikë kthesë të rëndësishme në karrierën e tij te Real Madridi.

Pas viteve të një marrëdhënieje të ngushtë me klubin, situata duket se është prishur, duke krijuar një skenar që aktualisht shihet si shumë i vështirë për t’u rikthyer.

Lidhja e brazilianit me tifozët e Real Madridit ka arritur në pikën më të ulët.

Sjelljet e tij dhe disa episode të fundit kanë shkaktuar një largim të dukshëm nga ‘Bernabeu’, ndërsa performanca e tij ka qenë e papërputhshme me pritshmëritë.

Në të njëjtën kohë, negociatat për rinovimin e kontratës janë bllokuar, duke e lënë klubin përballë një vendimi kritik: të shesë tani apo të rrezikojë të humbasë një nga lojtarët më të vlefshëm pa kompensim.

Klubet e mëdha ndërkombëtare kanë shfaqur interes për situatën e tij, duke përfshirë Chelsean dhe Bayern Munich, ndërsa skuadrat nga Arabia Saudite janë të gatshme të ofrojnë shuma të jashtëzakonshme.

Megjithatë, favoriti kryesor mbetet Manchester City, i cili raportohet se ka dorëzuar një ofertë prej rreth 150 milionë eurosh, një shifër që konsiderohet e përshtatshme për të siguruar një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë.

Nga ana e Real Madridit, shuma dhe konteksti i kontratës e bëjnë të vështirë refuzimin e ofertës.

Një shitje e tillë jo vetëm që sjell përfitime financiare, por gjithashtu hap mundësinë për të ristrukturuar skuadrën dhe për të përforcuar pozicione të tjera kyçe.

Largimi i brazilianit, megjithëse i dhimbshëm nga perspektiva emocionale, mund të ofrojë një fillim të ri për projektin sportiv të klubit.

Për momentin, duket se e ardhmja e Vinicius është larg ‘Santiago Bernabeu’.

Përveç tensionit me tifozët dhe bllokimit të rinovimit, presioni i tregut dhe oferta e Manchester Cityt sugjerojnë se Real Madridi do të pranojë transferimin.

Kjo do të shënojë fundin e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një aventure të re për sulmuesin në Ligën Premier. /Telegrafi/

Barcelona ringjall interesin për yllin kryesor të Juventusit

20 January 2026 at 13:30


Kenan Yildiz, talenti turk i Juventusit, po shkëlqen këtë sezon dhe po tërheq vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane.

Në moshën 20-vjeçare, sulmuesi ka lënë pas fazën e premtimit, duke u bërë një lojtar vendimtar për ekipin e tij.

Me performancë të qëndrueshme dhe ndikim të drejtpërdrejtë në lojën sulmuese, Yildiz po konsolidon reputacionin si një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij.

Këtë sezon, ai ka regjistruar tetë gola dhe tetë asistime në të gjitha kompeticionet, duke treguar jo vetëm statistikë, por edhe maturi dhe siguri në ndeshje me presion të lartë.

Lëvizjet e tij mes linjave, aftësia në një kundër një dhe mençuria taktike e bëjnë një lojtar të veçantë në Torino.

Stafi dhe shokët e skuadrës e shohin Yildiz si një pjesë thelbësore të projektit të Juventusit për të ardhmen.

Performanca e tij ka aktivizuar tregun e transferimeve, dhe shumë klube të mëdha evropiane po monitorojnë situatën.

Çmimi i tij pritet të jetë mbi 100 milionë euro, një shifër që reflekton talentin, ndikimin dhe potencialin e madh që ka, Juventusi nuk është e detyruar të shesë, por një ofertë e tillë mund ta shtyjë drejt negociatave serioze.

Barcelona është ndër klubet që e ndjek me kujdes Yildiz, duke e parë si një lojtar ideal për stilin e tyre të lojës.

Përtej sfidës financiare, katalanasit shpresojnë të përdorin projektin sportiv si argument për ta bindur sulmuesin.

Sezoni i ardhshëm pritet të jetë vendimtar për Kenan Yildiz, ndërsa tregu i transferimeve është në lëvizje rreth tij.

Juventusi synon ta mbajë, ndërsa klubet e mëdha evropiane po përgatiten për një ofertë të mundshme.

Projekti i Barcelonës mund të jetë elementi që do ta tërheqë turkun drejt ‘Camp Nou’, duke e bërë një nga protagonistët kryesorë të afatit kalimtar të verës. /Telegrafi/

Atletico Madrid ka vendosur yllin e madh në listën e transferimeve

20 January 2026 at 12:46


Atletico Madridi po shqyrton seriozisht mundësinë e shitjes së Julian Alvarez gjatë afatit kalimtar të verës, duke qenë i vetëdijshëm për interesin e madh që sulmuesi argjentinas vazhdon të ketë në tregun evropian.

Klubi madrilen synon të përfitojë financiarisht nga një lojtar që, pavarësisht emrit të madh, nuk po kalon momentin më të mirë sportiv në “Metropolitano”.

Julian Alvarez po përjeton sezonin më të vështirë që nga transferimi i tij te Atletico.

Forma e dobët, mungesa e golave dhe ndikimi i kufizuar në ndeshjet vendimtare kanë ndikuar negativisht në lojën e skuadrës.

Diego Simeone ka nisur ta zëvendësojë shpesh para kohe, një sinjal i qartë se besimi ndaj tij ka pësuar lëkundje.

Rënia e sulmuesit argjentinas ka pasur efekt të drejtpërdrejtë në performancën kolektive të ekipit.

Atletico ka humbur forcë në sulm, thellësi dhe aftësinë për të zgjidhur ndeshje të vështira.

Kur lojtari kryesor nuk arrin të bëjë diferencën, ekipi e ndien mungesën, veçanërisht në ndeshjet e mëdha.

Pavarësisht vështirësive aktuale, vlera e Julian Alvarez në treg mbetet shumë e lartë, klube të mëdha nga Liga Premier dhe Barcelona po ndjekin nga afër situatën, duke e konsideruar si një mundësi të favorshme.

Ofertat potenciale mund të arrijnë shifra mbi 100 milionë euro, çka e bën largimin një opsion serioz për klubin.

Në zyrat e Atletico Madridit po pranohet gjithnjë e më shumë se një shitje në verë mund të jetë zgjidhja më e mirë për të dyja palët.

Të ardhurat nga një transferim i madh do t’i mundësonin klubit të rifreskojë skuadrën dhe të hapë një cikël të ri sportiv, ndërsa Julian Alvarez do të kishte mundësinë të ringjallë karrierën në një ambient tjetër. /Telegrafi/

Arsenali dëshiron të nënshkruajë me një yll të Serie A për 50 milionë euro

20 January 2026 at 11:13


Arsenali ka vënë në shënjestër një nga futbollistët më të spikatur të futbollit italian aktual, Federico Dimarco.

Afati kalimtar dimëror ka nisur të gjallërohet në Londër, ku klubi londinez po kërkon të forcojë krahun e majtë të mbrojtjes.

Mbrojtësi i Interit, një figurë kyçe në skemat e zikaltërve, ka tërhequr vëmendjen e Mikel Artetës falë kontributit të madh ofensiv dhe intensitetit fizik.

Dimarco po kalon një nga momentet më të mira të karrierës, me statistika që e rendisin mes më të mirëve në Evropë në pozicionin e tij.

Kontrata e tij me Interin skadon në vitin 2027, çka ka shtuar presionin në “San Siro” përballë interesimit nga Liga Premier.

Arsenali e sheh italianin si një përforcim ideal për filozofinë e tij dinamike, pasi ai mund të luajë si mbrojtës i majtë apo edhe më përpara në fushë.

Sipas burimeve nga Italia, drejtuesit e Arsenalit janë të gatshëm të bëjnë një investim të konsiderueshëm për të realizuar transferimin.

Vlera e kartonit të Dimarcos vlerësohet rreth 50 milionë euro, shifër që pasqyron statusin e tij aktual.

Pavarësisht interesimit edhe nga klube të tjera angleze, projekti sportiv i Artetës shihet si destinacioni më joshës në rast largimi nga Serie A.

Nga ana tjetër, Interi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej liderëve të skuadrës dhe një simbol i identitetit aktual të klubit.

Drejtuesit zikaltër po përgatisin një ofertë rinovimi deri në vitin 2029 me rritje page, për ta blinduar lojtarin.

Megjithatë, vendimi final pritet të varet nga dëshira e vetë Dimarcos, i cili ka një lidhje të fortë emocionale me klubin e tij të zemrës.

Për Arsenalin, afrimi i Dimarcos do të ishte një sinjal i qartë ambicieje në garën për tituj.

Në moshën 28-vjeçare, italiani ndodhet në pjekurinë ideale për një sfidë të re ndërkombëtare dhe për të provuar veten në kampionatin më konkurrues në botë.

Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse ky interes do të konkretizohet në një ofertë zyrtare që mund të tronditë tregun e transferimeve. /Telegrafi/

Perez përjashton mundësinë e nënshkrimit të yllit portugez

20 January 2026 at 10:44


Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka refuzuar mundësinë e transferimit të mesfushorit portugez Ruben Neves.

Futbollisti 28-vjeçar do të ishte i gatshëm të vishte fanellën e “Los Blancos” që në këtë afat kalimtar, por drejtuesit e klubit madrilen mbeten të palëkundur në vendimin e tyre për të mos ndërhyrë në tregun dimëror.

Pavarësisht se skuadra ka shfaqur disa dobësi të dukshme në pozicione të caktuara, bordi drejtues nuk është i gatshëm të shpenzojë gjatë kësaj periudhe.

Madje, gjatë ditëve të fundit, vetë Florentino Perez ka hedhur poshtë mundësinë e afrimit të një lojtari që mund t’i jepte një shtysë të rëndësishme mesfushës: Ruben Neves.

Sipas burimeve pranë klubit, edhe pse portugezi ka shprehur qartë dëshirën për t’u transferuar në “Santiago Bernabeu”, presidenti i Real Madridit i ka mbyllur derën.

Arsyeja lidhet me rrezikun e një investimi të konsiderueshëm për një lojtar që i përfundon kontrata në qershor, si dhe me paqartësitë rreth përshtatjes së tij të shpejtë dhe efektive në ekipin e parë.

Kështu, Real Madridi vijon strategjinë e tij për afatin kalimtar të janarit, duke shtyrë çdo vendim për përforcime të mundshme drejt afateve të ardhshme. /Telegrafi/

Klubi i Ligës Premier gati të shpenzojë miliona euro për huazimin e Luccas

19 January 2026 at 15:42


Skuadra e Ligës Premier, Nottingham Forest, ka bërë një ofertë zyrtare për të huazuar sulmuesin e Napolit, Lorenzo Lucca, deri në fund të sezonit.

Ky hap vjen pasi Forest synon të forcojë repartin ofensiv në mes të një sezoni të vështirë për skuadrën angleze.

Sipas raportimeve të gazetarit, Fabrizio Romano, Napoli ka rënë dakord të huazojë Luccan te Nottingham për një shumë prej 1 milion eurosh, me opsion blerjeje prej 35 milion eurosh.

Për më tepër, Forest ka rënë dakord të mbulojë të gjithë pagën e sulmuesit deri në fund të sezonit, që do të thotë se shpenzimet e klubit anglez për këtë transferim në janar do të kalojnë 2 milion euro.

Lucca gjithashtu ka pasur bisedime me disa klube të tjera, përfshirë Benfica, Al-Hilal dhe një nga klubet e tij të mëparshme, Pisa, duke e vendosur lojtarin përballë një zgjedhjeje të rëndësishme për karrierën e tij.

Burimet bëjnë me dije se prioritet i sulmuesit italian mbetet të qëndrojë në Serie A, por oferta e Forest mbetet shumë tërheqëse, sidomos për mundësinë e një aventure në Ligën Premier.

Tani vendimi përfundimtar i takon Luccas, i cili duhet të vendosë nëse do të pranojë sfidën angleze apo do të presë një mundësi tjetër në Itali.

Pisa mund të ofrojë vetëm një huazim deri në fund të sezonit, ndërsa ofertat nga jashtë i garantojnë më shumë stabilitet financiar dhe një eksperience të re në një nga ligat më të forta evropiane. /Telegrafi/

Cristiano Ronaldo fiton çështjen ligjore kundër Juventusit, përfiton shuma milionëshe

19 January 2026 at 13:45


Cristiano Ronaldo ka dalë fitues në çështjen ligjore kundër Juventusit lidhur me pagat e papaguara, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje që zgjati për disa vite mes palëve.

Siç raporton La Gazzetta dello Sport, gjyqtari i punës në Torino, Gian Luca Robaldo, ka rrëzuar apelimin e paraqitur nga Juventusi, duke konfirmuar se klubi bardhezi nuk ka të drejtë të rikuperojë shumën prej 9.8 milionë eurosh të paguara tashmë ndaj yllit portugez.

Çështja lidhet me pagat e prapambetura të Ronaldos gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Pas largimit nga Juventusi në vitin 2021 për t’u rikthyer te Manchester United, sulmuesi portugez pretendoi se klubi i detyrohej gjithsej 19.6 milionë euro.

Në vitin 2023, Ronaldo e çoi çështjen në arbitrazh.

Në prill të vitit 2024, paneli i arbitrazhit vendosi që Juventusi duhej t’i paguante Ronaldos gjysmën e shumës së kërkuar, pra 9.8 milionë euro, duke argumentuar se marrëveshja private mes klubit dhe lojtarit, e cila ishte gjithashtu nën hetim nga autoritetet italiane, nuk përmbante firmën e vetë Ronaldos.

Juventusi e apeloi këtë vendim, por me vendimin e fundit të gjykatës së punës, u konfirmua se klubi nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kthimin e shumës së paguar.

Përveç kësaj, bardhezinjtë do të duhet të mbulojnë edhe shpenzimet ligjore të procesit.

Sipas burimeve, vendimi nuk do të ketë ndikim në bilancin financiar të Juventusit, pasi shuma ishte paguar dhe ishte reflektuar tashmë në pasqyrat financiare të sezonit 2023/24.

Megjithatë, Juventusi pritet të analizojë me kujdes vendimin për të vlerësuar nëse ekzistojnë baza për një sfidë të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/

❌
❌