Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve

23 December 2025 at 12:48

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje ndërtuesve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Në një takim me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm, ku u diskutua mbi Paqen Fiskale, Rama u shpreh se “Çfarë mbështetje kërkoni akoma kur deklaroni punonjës me 50 mijë lekë. E dimë shumë mirë se nuk ekziston punonjës me 50 mijë lekë, me pagë minimale në ndërtim, jo në Tiranë por askund. Nuk të vjen njeri me 50 mijë lekë të të shtrojë një pllakë jo më të marri rrogë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se sektori i ndërtimit vijon ende të deklarojë paga minimale.

“Nuk keni faj ju, na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa viteve që ka vendosur që ne nuk mund t’ju vendosim tavan dhe ju luani. Por bëjini deklarimet dhe jo vetëm paguajini njerëzit, por i deklaroni me ato paga”, iu drejtua Rama ndërtuesve.

Sipas tij, sektori i ndërtimit është sektori me më shumë fitim në Shqipëri dhe sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë se në çdo sektor tjetër.

“Tani keni filluar ta kuptoni, pak si vonë, se nuk luhet me punonjësit sepse nuk gjen punonjës. Tani që mos t’ju ngelen ndërtimet pa bërë, shkundini mirë xhepat se i keni të fryrë shumë dhe paguani punonjësit me 2000 euro apo 2500 euro rrogë”, tha Rama.

/a.f/

 

The post Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Çdo vendim për taksën e infrastrukturës do të lidhet me performancën e kompanive

23 December 2025 at 12:45

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ende nuk është marrë një vendim lidhur me kërkesën e ndërtuesve për pagesën e taksës së infrastrukturës.

Në një takim me sipërmarrës ku u diskutua Paqja Fiskale, Rama iu përgjigj interesimit të një sipërmarrësi i cili kërkoi që taksa e infrastrukturës të paguhet me këste.

Rama tha se kjo gjë po diskutohet, por në çdo rast do të jetë e lidhur me performancën e kompanive.

“Pagesa e taksës së infrastrukturës po diskutohet. Nuk kemi marrë ende një vendim, por në të gjitha rastet duhet të jetë e lidhur përsëri edhe kjo me performancën e kompanive. Në të kundërt ne nuk mund të marrim dot përsipër aventura që të lejojmë këstet dhe të gjendemi pastaj përballë kompanish që e kanë hapur gropën dhe ngrenë duart lart dhe thonë nuk paguajmë dot”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria nuk mund ta marrë përsipër këtë risk.

“Lidhur me pagesën e taksës me këste, kjo është një gjë që po e diskutojmë, por për momentin nuk kemi asnjë ndryshim”, shtoi Rama.

/a.f/

 

The post Rama: Çdo vendim për taksën e infrastrukturës do të lidhet me performancën e kompanive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nuk ka paqe me ndërtuesit për standardet, respektoni lejet e ndërtimit

23 December 2025 at 12:30

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te problematikat e ndeshura në sektorin e ndërtimit, ndërsa paralajmëroi se nuk do të ketë paqe me ndërtuesit për standardet në zbatimin e projekteve.

Në një takim me sipërmarrës mbi Paqen Fiskale, Rama kërkoi që sektori i ndërtimit të performojë me maksimumin e përgjegjshmërisë.

“Paqe me ndërtuesit nuk ka. Ka Paqe Fiskale për të gjithë, por paqe për standardet me ndërtuesit nuk ka. Më keni mbrapa këmba-këmbës mua edhe gjithë çfarë janë që varen nga unë. Pastaj keni ca bashki që mund të bëni letra çfarë të doni, vazhdoni bëjini, por po u kapët nuk j’ua ka fajin njeri. Paqe me ndërtuesit nuk ka dhe nuk ka për të pasur pikërisht se është sektori kryesor dhe duhet të performojë me maksimumin e përgjegjshmërisë”, tha Rama.

Rama paralajmëroi po ashtu ndërtuesit që shkelin lejet e ndërtimit që do të hyjnë në listën e zezë , duke mos përfituar më leje ndërtimi për shumë vite.

“Fatkeqësisht vetëdijësimi i ndërtuesve për ligjin dhe për përgjegjësinë e tyre shumë të madhe në raport me shoqërinë dhe vendin është ende në shkallë shumë të ulët. Standardet e zbatimit të projekteve janë ende larg asaj që duhet të jenë dhe dëmet që shkaktohen si dëme kolaterale vazhdojnë të jenë prezente”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se blloku i ri i masave ligjore lidhur me ndërtimin do të ndihmojë për të rritur cilësinë në ndërtim.

/a.f/

 

The post Rama: Nuk ka paqe me ndërtuesit për standardet, respektoni lejet e ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Shkodrës, atraksion edhe në dimër për sportet ujore dhe hiking

23 December 2025 at 09:38

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Liqeni i Shkodrës, i konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, vijon të zgjojë kureshtjen e turistëve vendas e të huaj.

Për të pasionuarit e sporteve ujore, hiking, por edhe për vëzhgimin e shpendëve, ky liqen ofron kushtet e duhura për të provuar një eksperiencë të paharrueshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet e këtij liqeni këtë fund dhjetori, të mbushur me kajakë, kanoe e mjete pedaluese ujore, ndërsa vizitorët shijojnë një ditë ndryshe.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv.

Ai është liqeni më i madh në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë.

Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra, ndërsa në skajin juglindor të tij shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.

/m.m/a.f/

The post Liqeni i Shkodrës, atraksion edhe në dimër për sportet ujore dhe hiking appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Berisha: Bojkotojmë komisionet e reformave, por jo parlamentin

22 December 2025 at 16:43

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita do të vazhdojë betejën në të gjitha format, në parlament, në shesh, në protesta dhe greva, duke përjashtuar bojkotin e Kuvendit.

Në një konferencë për shtyp, Berisha paralajmëroi se parlamenti do të shndërrohet në “tempullin e lirisë” dhe se lufta politike do të intensifikohet.

I pyetur nëse do të rikthehet opozita në tryezën e reformës territoriale, Berisha tha se “Parlamenti do shndërrohet në tempullin e lirisë të shqiptarëve, siç është në Kushtetutë”.

“Beteja jonë vazhdon në parlament, rreth tij, jashtë tij dhe kudo. Thashë, kurrë ndonjëherë nuk jemi gjetur kaq rrugështruar dhe punëmbaruar, po të themi këtu, si kësaj here, për të nisur betejën tonë. Në parlament, ajo që patë ju, erdhi pasi u mbyll çdo hapësirë ndaj deputetëve të opozitës. Edi Rama, pasi mori pushtetin gjyqësor me Gjykatën Kushtetuese, mori parlamentin”, u shpreh Berisha.

Berisha siguroi se opozita nuk do të bojkotojë parlamentin, por luftën do ta bëjmë brenda në parlament me të gjithë fuqinë tonë, me të gjithë mbështetjen tonë.

Por, Berisha theksoi se PD nuk do të marrë pjesë në asnjë nga komisionet në të cilat negocioheshin reformat me narkomazhorancën.

“Por parlamentin nuk e bojkotojmë, do zhvillojmë luftë dhe betejë aty, sikundër në shesh, në rrugë, në greva, në demonstrata, në të gjitha format”, theksoi ai.

/m.m/a.f/

The post Berisha: Bojkotojmë komisionet e reformave, por jo parlamentin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mucunski: Vitin e ardhshëm hapim Konsullatën në Korçë

22 December 2025 at 14:24

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski njoftoi sot hapjen e konsullatës së Maqedonisë së Veriut në Korçë, në vitin 2026.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shkup me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri Mucunski u ndal te marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimin rajonal.

“Dialogu politik mes dy vendeve tona po zhvillohet në nivel të lartë dhe konstruktiv. Ne jemi fqinjë, aleatë në NATO dhe vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi po ashtu 100% të harmonizuar për sigurinë e jashtme të BE-së”, tha ai.

Duke folur për bashkëpunimin dypalësh, Mucunski nënvizoi rëndësinë e Korridorit 8 për dy vendet.

“Do të bashkëpunojmë për më tepër iniciativa dhe nisma të ndryshme që do t’i paralajmërojmë në tryezën e ardhshme mes nesh dhe kolegëve të tjerë të vendeve anëtare të BE-së”, tha ministri Mucunski.

“Para disa muajsh Republika e Shqipërisë hapi një Konsullatë të Përgjithshme në Strugë. Jemi të lumtur që në vitin 2026 do të hapim Konsullatë në Korçë. Biseduam për bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, për fqinjësinë e mirë, shkëmbimin e projekteve të ndryshme. Bashkërisht konstatuam se lidhjet kulturore janë të fuqishme dhe këtë dëshmojnë më tepër aktivitete të realizuara gjatë vitit të kaluar”, tha ai.

Mucunski vlerësoi po ashtu edhe angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e pakicës maqedonase.

“Pata nderin të marr pjesë në në manifestim kulturor, një organizim të pakicës kombëtare të Maqedonisë së Veriut në Pustec. Prandaj shpreh falënderimin për bashkëpunimin që kemi në planin bilateral për mbrojtjen e pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri”, shtoi ai.

Ndërsa ministrja Spiropali bëri të ditur se gjatë takimit me homologun e saj, Mucunski, është diskutuar edhe hapja e një Konsullate të Republikës së Shqipërisë në qytetin e Manastirit.

Ajo theksoi se Manastiri mbart një simbolikë të veçantë për shqiptarët, pasi aty, në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, u mor vendimi historik për njehsimin e gjuhës shqipe.

“Kjo kërkesë vjen në vijim të hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë më 8 korrik dhe vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të hapur një Konsullatë të Përgjithshme në qytetin e Korçës”, tha Spiropali.

/a.f/

The post Mucunski: Vitin e ardhshëm hapim Konsullatën në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Berisha: Revolta qytetare, zgjidhja e vetme ligjore kundër kësaj qeverie

20 December 2025 at 13:58

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se revolta qytetare mbetet zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese kundër kësaj qeverie.

Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u ndal te hetimi që po kryhet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Rama rrugën ligjore e mbylli. E mbylli sepse në këtë vend, si fjalë e fundit është Gjykata Kushtetuese të cilën ai, po të përdor një term figurativ, e ekzekutoi të parën dhe e asgjësoi me korrupsion të paimagjinueshëm. Kështu që zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese është qytetari shqiptar me revoltën dhe zemërimin e tij”, tha Berisha.

Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë në ligj, Kushtetutë e moral të ndërmarrin çdo hap dhe të përdorin çdo mjet për largimin e kësaj qeverie.

Duke folur mbi protestën e paralajmëruar nga opozita në 22 dhjetor, Berisha theksoi se të hënën qytetarët i japin ultimatum Edi Ramës.

“Nga protesta e të hënës, qytetarët shprehin revoltën e tyre dhe i japin ultimatum Edi Ramës. Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen që meriton”, shtoi ai.

Berisha theksoi se “këto abuzime të paimagjinueshme janë një thirrje për çdo shqiptar që të ngrihet kundër kësaj organizate kriminale”.

“Ky është një proces shumë i vështirë, proces në vazhdim, në të cilin Balluku po mbrohet nga Edi Rama në mënyrë që të prishë çdo lloj dokumentacioni, por nuk ka dyshim se ato do sekuestrohen dhe do t’u kthehen qytetarëve”, tha Berisha.

Berisha tha se protesta të hënën ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës.

“Ne dalim në protestë të hënën për të shënuar fillimin e revoltës popullore për largimin e Edi Ramës”, u shpreh ish-kryeministri.

/m.m/a.f/r.e/

The post Berisha: Revolta qytetare, zgjidhja e vetme ligjore kundër kësaj qeverie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të hapur ndaj partive të Lapajt dhe Shehajt, por janë pseudo-opozitë

20 December 2025 at 13:33

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se është i hapur për partitë e drejtuara nga Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, ndërsa u shpreh se “në fakt ata janë në pozicionin e opozitës sonë”.

Gjatë një komunikimi me mediet, Berisha tha se “ne kemi ftuar të gjitha partitë”.

“Ka një problem, opozitë dhe pseudo-opozitë apo opozitë e opozitës. Ju e patë ku përfundoi Shabani, në gjirin e Edi Ramës. Pretendonte se është opozitë”, shtoi ai.

Berisha përshëndeti protestën e Lapajt, pasi sipas tij, jep shembull personal.

“Jemi të hapur ndaj partisë së tij, jemi të hapur ndaj partisë së zotit Shehaj, por ambiguiteti i tyre dhe krahasimi që bëjnë midis PD dhe PS, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, dëshmon se janë në një pozicion opozitë e opozitës. Se të krahasosh PD-në apo udhëheqjen e PD me të PS-së, në një farë mënyrë direkt apo indirekt, i bën shërbim asaj partie në një kohë kur ke qenë në këtë parti dhe i njeh shumë mirë gjërat”, u shpreh Berisha.

Duke folur mbi zhvillimet e tensionuara në seancën e fundit plenare të Kuvendit, Berisha tha se “media dhe komuniteti ndërkombëtar po priste pikërisht zërin e opozitës”.

“Natyrisht, jehona jashtëzakonisht e fuqishme e aktit të deputetëve të PD në parlament, në mediat më të mëdha në botë, siç është FoxNews, CNN, Al Jazera, dhe media të tjera, është njëkohësisht një mbështetje e fuqishme për forcat demokratike, është dëshmi e faktit se këto media dhe komuniteti ndërkombëtar, atë që po priste”, shtoi Berisha.

Ndërkohë, Berisha theksoi se “nëse pranojmë se për hir të një ministri të korruptuar të shtypet opozita për të krijuar barazi, ne pranojmë vendosjen e regjimeve autoritare”.

“Asnjë opozitar nuk ka imunitet, njëlloj si qytetarët e tjerë, por kur arreston në vit elektoral liderët e partive kryesore opozitare dhe tjetrin e vë në ndjekje penale, ti dëshmon se zgjedhjet do t’i marrësh me çdo kusht. Unë u arrestova si person nën hetim pa asnjë akuzë. Masat ndaj meje u vendosën pa më thirrur kurrë për të bërë ndonjë pyetje.
Ilir Meta u grabit dhe u keqtrajtua në mes të autostradës si person nën hetim, pa asnjë akuzë”, u shpreh Berisha.

/m.m/a.f/

The post Berisha: Të hapur ndaj partive të Lapajt dhe Shehajt, por janë pseudo-opozitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prishet karburanti pa leje, nuk ndalet puna për lirimin e hapësirave publike

20 December 2025 at 13:17

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Pikat e shitjes së karburanteve të ndërtuara pa leje pranë qendrave të banuara përveç uzurpimit të hapësirave publike përbëjnë kërcënim edhe për jetën e banorëve.

Në fokus të nismës së ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike kanë qenë po ashtu edhe pikat e karburanteve dhe lavazhot e makinave të ndërtuara në shkelje të ligjit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga aksioni për prishjen e një karburanti pa leje, ndërsa theksoi se puna për lirimin e hapësirave publike vijon në çdo ditë të javës.

Sipas ligjit, pikat e karburanteve duhet të marrin një licencë të posaçme që lëshohet nga autoritetet vendore dhe certifikon plotësimin e kushteve teknike për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Subjekti i interesuar duhet të paraqesë ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ku të ketë të përcaktuar veprimtarinë e tregtimit të nënprodukteve të naftës bruto.

Po ashtu, nga subjekti kërkohet certifikata e përdorimit të objektit të lëshuar nga institucionet përkatëse, si dhe vërtetimi për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike.

/m.m/a.f/

The post Prishet karburanti pa leje, nuk ndalet puna për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dron për monitorimin inteligjent të kulturave bujqësore në Fushë-Krujë e Shkodër

20 December 2025 at 16:55

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Për herë të parë një dron bujqësor është vënë në dispozicion si mjet pune për monitorimin në kohë reale të kulturave bujqësore në zonën e Fushë-Krujës dhe Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë risi që po përdoret në bujqësi, duke u ardhur në ndihmë fermerëve.
Rama theksoi se droni ndihmon në vlerësimin e shëndetit të bimëve dhe përdorimin më efikas të inputeve, duke ulur kostot, rritur rendimentin dhe cilësinë e prodhimit.
Ky dron, sipas tij, do t’u shërbejë fermerëve dhe Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë dhe Shkodër.
“Bujqësia inteligjente është pjesë e vizionit tonë Bujqësia 2030, për një sektor më të qëndrueshëm dhe konkurrues, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, tha Rama.

Bujqësia inteligjente është ende një nocion i ri për vendin tonë, por që shihet me shumë interes nga sipërmarrjet bujqësore.

Në Shqipëri kanë filluar të aplikohen elementë të bujqësisë precize. GPS dhe imazhet satelitore për hartëzimin e tokave bujqësore po përdoren nga fermerët për një trajtim të personalizuar të sipërfaqes së tokës.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë teknologjinë më të re në shërbim të bujqësisë shqiptare.

Gjatë aktivitetit, ministri Salla theksoi rëndësinë e këtij investimi për modernizimin e sektorit bujqësor dhe mbështetjen konkrete për fermerët.

Sipas tij, përdorimi i dronit do të mbulojë një sërë procesesh të rëndësishme në bujqësi, duke rritur efikasitetin dhe duke ulur kostot për fermerët. “Shpresoj që të avancojmë më tej dhe ta shtojmë flotën e dronëve, në mënyrë që kjo teknologji të shtrihet edhe më gjerë në shërbim të fermerëve”, shtoi ministri Salla.

Investimi realizohet në kuadër të projektit TYPIC-AL, i financuar nga qeveria italiane, zbatuar nga CIHEAM Bari dhe në partneritet me AICS, me qëllim modernizimin e sektorit bujqësor përmes teknologjisë së avancuar. Droni bujqësor do të shërbejë si mjet pune për monitorimin në kohë reale të kulturave, vlerësimin e shëndetit të bimëve dhe përdorimin më efikas të inputeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit.

Ky mjet do të vihet në dispozicion të QTTB Fushë-Krujë, QTTB Shkodër dhe fermerëve, si pjesë e një pakete më të gjerë investimesh që përfshin edhe mekanikë bujqësore moderne, si traktorë, freza, pompa spërkatëse, kultivatorë dhe korrëse.

Ministri Salla nënvizoi se bujqësia inteligjente është një nga shtyllat kryesore të vizionit “Bujqësia 2030”, duke synuar një sektor më të qëndrueshëm, më konkurrues dhe tërësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në Qendrën e Transferimit të Teknologji...
1 nga 8
Dron për monitorimin inteligjent të kulturave bujqësore në Fushë-Krujë e Shkodër

/m.m/a.f/r.e/

The post Dron për monitorimin inteligjent të kulturave bujqësore në Fushë-Krujë e Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Analiza e investimeve të huaja nuk duhet të kufizohet vetëm te mediat

20 December 2025 at 10:45

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, reagoi sot ndaj nismës së qeverisë për të kryer një analizë të burimeve të investimeve të huaja në vend.

Përmes një videomesazhi, Tabaku u shpreh se ky është një legjislacion që pak muaj më parë e ka propozuar në parlament, ndërkohë që sipas saj në nismën e propozuar nga qeveria “djalli ndodhet në detaje”.

Tabaku tërhoqi vëmendjen për dy elementë kryesorë të kësaj nisme ligjore. Së pari, ajo nënvizoi se analizë e sigurisë së burimeve të kompanive që do të vijnë këtu në Shqipëri do ta bëjë vetë qeveria, që sot zyrtarisht është nën akuzë dhe nën hetim si grup i strukturuar kriminal.

“Së dyti kjo analizë do të fokusohet vetëm tek medie. Po çfarë do të ndodhë me gjithë sektorët e tjerë, me infrastrukturën, me energjinë, me teknologjinë e informacionit? A do të hetohen, do të analizohen investitorët e huaj që vijnë në këto sektorë?”, u shpreh Tabaku.

Ajo mori si shembull projektin e fundit që qeveria po zhvillon për sa i përket kamerave “smart city”.

“Cilët janë nënkontraktorët dhe si do të sigurohemi ne që këta investitorë që po vijnë janë nga burime dhe vende të sigurta. Pra, një grup i cili zyrtarisht është nën akuzë si grup i strukturuar kriminal, përveçse të dhënave të gjendjes civile, e-Albania, dosjeve hetimore, mund të ketë nesër edhe këto të kamerave të qytetarëve”, tha ajo.

Ky, sipas Tabakut, është një problem i jashtëzakonshëm sepse lidhet jo vetëm me një angazhim për procesin e integrimit dhe për një ligj që na duhet për procesin e integrimit për analizën e investimeve të huaja, por lidhet edhe me një detyrim, me norma, standarde dhe vlera që duhet të ketë Shqipëria.

/a.f/

The post Tabaku: Analiza e investimeve të huaja nuk duhet të kufizohet vetëm te mediat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga panoramike e Shirokës në fazën përfundimtare

20 December 2025 at 09:05

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Rruga panoramike e Shirokës, një investim strategjik që do të krijojë një lidhje të re mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, është tashmë drejt përfundimit.

Pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, ky segment rrugor e kthen po ashtu qytetin në një pikë të rëndësishme si kryeqendër e rajonit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të kësaj rruge, e cila është në fazën përfundimtare të saj.

Përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale, rruga pritet të rrisë turizmin në zonë.

Rruga ka një gjatësi totale prej 6,5 kilometrash, ku 4,5 km e parë të këtij segmenti janë zgjerimi i rrugës ekzistuese që është buzë liqenit.

Bashkë me bajpasin në qendër të fshatit Zogaj, rruga panoramike e Shirokës është një segment kyçe për lehtësimin e qarkullimit, duke e kthyer fshatin Zogaj në korridor të rëndësishëm turistik dhe ekonomik.

/m.m/a.f/

The post Rruga panoramike e Shirokës në fazën përfundimtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj liron nga detyra ambasadorin në NATO, Ilir Gjoni

19 December 2025 at 15:53

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot lirimin nga detyra të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, Ilir Gjoni.

Gjoni mbante këtë detyrë nga shtatori 2023, ndërkohë që në periudhën 2014-2023 ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane dhe Principatën e Lihtenshtajnit.

Ai ka shërbyer, po ashtu, si drejtor i kabinetit të Kryeministrit (1999-2000) dhe si ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm përkatësisht në periudhën 2000-2002. Gjoni ka mbajtur po ashtu mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë në dy legjislatura (2001- 2005 dhe 2009-2013).

/m.m/j.p/

The post Begaj liron nga detyra ambasadorin në NATO, Ilir Gjoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Mbrojtje reale ligjore për fëmijët pa kujdes prindëror

19 December 2025 at 14:23

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu bëri të ditur sot se ligji “Për Kujdesin Alternativ në Familje” vendos në qendër interesin e fëmijës, duke garantuar standardet më të larta europiane në këtë drejtim.

Përmes një videomesazhi, Gogu solli në vëmendje disa nga risitë e këtij ligji, i cili u miratua në seancën e djeshme plenare.

Kujdesi alternativ, sipas ministrit, do të thotë se kur një fëmijë mbetet pa kujdes prindëror, ose rrezikon ta humbasë atë, ai duhet të rritet në një familje të sigurt, me kujdes alternativ profesional ose vullnetar.

Në këtë drejtim, Gogu u shpreh se ligji garanton që fëmija të ketë arsim, shëndet, privatësi, e pjesëmarrje.

“Në bazë të tij, krijohet një regjistër elektronik i kujdesit, transparencë institucionale dhe gjurmueshmëri, por edhe monitorim i rregullt”, u shpreh ai.

Gogu theksoi se ky ligj, integrimin europian e bën shumë konkret jo më përmes kapitujve e standardeve në letër, por si një realitet që i mbron fëmijët në jetën e vërtetë.

Sipas ministrit, ligji siguron një plan monitorimi dhe mbështetje. “Pra fëmija nuk duhet të jetë i izoluar në institucione. Ky ligj e vendos interesin më të lartë të fëmijës në qendër dhe krijon dy rrugë kujdesi: kujdesin alternativ profesional dhe kujdesin alternativ vullnetar, qoftë me rregulla të qarta për përzgjedhjen e familjeve, por edhe për trajnimin e familjeve dhe për certifikimin e tyre”, shtoi ai.

Thelbësore, sipas Gogut është që fëmija dëgjohet, mendimi i tij merret dhe kjo bëhet në një mënyrë të përshtatshme për moshën.

“Nëse nevojitet një psikolog duhet të sigurohet prania e tij dhe të dokumentohet ajo bisedë. Me pak fjalë ky ligj garanton që fëmija të ketë një kujdes alternative si në arsim, shëndet, privatësi e pjesëmarrje. Madje edhe ruajtjen e ligjeve familjare të gjakut, kur kjo është në interesin e tij”, shtoi Gogu.

Por sipas tij, ligji nuk do të mjaftonte nëse kujdesi sigurohet vetëm me fjalë ndaj ndaj edhe parashikohet mbështetje financiare, madje për ato profesionale, edhe pagë mujore.

“Ne votojmë për një Shqipëri më europiane te fëmijët sepse një vend matet na mënyra se si trajton fëmijët dhe jo thjesht duke iu dhënë atyre një strehë, por një shtëpi që i bën ata më të mirë”, shtoi Gogu. /j.p/

The post Gogu: Mbrojtje reale ligjore për fëmijët pa kujdes prindëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Smart City”, në ndihmë të të gjithë punonjësve të ndershëm të policisë

19 December 2025 at 13:26

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot për rëndësinë e projektit “Smart City Albania”, jo vetëm për monitorimin e elementëve kriminalë, por edhe në drejtim të monitorimit të vetë punonjësve të Policisë së Shtetit.

Rama tha se falë këtij projekti punonjësit e Policisë shohin në kohë reale elementet e kriimalitetit të rrugës që janë të skeduar.

Në këtë mënyrë këta elementë, sipas Kryeministrit, e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan dhe të bëjnë keq sepse janë në sytë e policisë gjatë gjithë kohës.

Nga ana tjetër, Rama tha se kjo është një sfidë menaxhimi.

“E kam kuptuara edhe mesazhin e një pjese të atyre që duhet ta kishin çuar para këtë projekt. Është normale që një pjesë në Policinë e Shtetit të mos e dojë këtë projekt që do të bëjë të mundur që shumë nga ato gjëra që janë shqetësim për drejtuesit e policisë, për ne dhe për qytetarët të bëhen të pamundura”, tha Rama.

Sipas tij, “bëhet e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale”.

“Do të jetë e pamundur që një makinë policie të shkojë të parkohet te shtëpia apo para restorantit dhe punonjësit me uniformë të ulen të hanë. Dhe këtu po flas për gjërat më të thjeshta. E kuptoj shumë mirë që ata që bënë çmos ta shtyjnë dhe sabotojnë këtë projekt i kuptojnë këto shumë më mirë se sa unë, sepse dinë shumë më mirë se sa unë se sa hile dhe poshtërsi mund të bëhen duke njollosur Policinë e Shtetit”, tha Rama.

Ky projekt, sipas tij, “ndihmon të gjithë drejtuesit e ndershëm dhe punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit duke ua larguar të gjitha hijet tunduese të së keqes”.

“Kush do të dojë t’i shmanget syrit të Policisë së Shtetit për të bërë keq do të duhet të mbulohet me ferexhe, përndryshe nuk ikën dot asgjëkundi. Nuk mund të ketë më makina që ikin në drejtime të paditura”, shtoi Rama. /j.p/

The post Rama: “Smart City”, në ndihmë të të gjithë punonjësve të ndershëm të policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Smart City Albania”, identifikim në kohë reale i shkelësve të ligjit

19 December 2025 at 18:27

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se projekti “Smart City Albania” e rendit Shqipërinë në nivelin më të lartë të përdorimit të teknologjisë në drejtim të standardeve të sigurisë.

Në aktivitetin e organizuar me rastin e nisjes së zbatimit të këtij projekti, Rama u ndal te ndikimi që do të ketë instalimi i sistemit të sigurisë përmes kamerave inteligjente në monitorimin e rrugëve të qyteteve, shkollave, mjediseve të tjera publike dhe mjedisit po ashtu.

Kryeministri solli në vëmendje shembullin e Jordanisë, që renditet ndër tre vendet më të sigurta të botës, falë edhe zbatimit të këtij projekti.

“Kur fola me disa prej përfaqësuesve të lartë të atij vendi lidhur me sigurinë fjala e përbashkët dhe e parë në përgjigje ishte ‘Smart City’ me teknologjinë nga Abu-Dabi”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se ky nuk është një projekt kamerash dhe as një projekt mbikëqyrjeje me kamera apo mbikëqyrje e trupave të policisë përmes leximit të kamerës.

“Ky është një projekt që në sekondën kur fillon dhe vihet në jetë rrit në mënyrë eksponenciale kapacitetin policor në kohë reale. Ky është një projekt që i jep Policisë së Shtetit një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Është një projekt që ndihmon në mënyrë të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë, për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithandej”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se bëhet fjalë për identifikim në kohë reale të shkelësve të ligjit.

“Ky sy magjik e sheh, e identifikon dhe e regjistron duke e sjellë para syve të punonjësve të policisë. Ndërkohë që punonjësi i policisë është para ekranit mund të jetë duke parë trafikun në Rrugën e Kavajës, po në atë ekran i shfaqet shkelësi i rregullave të qarkullimit  në një rrugë të Kamzës apo Durrësit e Beratit”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë theksoi se syri i gjithë këtij sistemi shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe mbledh në të njëjtën kohë të gjithë informacionin e nevojshëm për të sinjalizuar problemin.

Në këtë mënyrë, tha ai, nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë të zbulojnë automjetet e paregjistruara apo me taksa të papaguara. Të gjitha këto informacione, sipas Kryeministrit, vijnë në kohë reale dhe Policia pastaj ndërhyn për të zbatuar ligjin.

/j.p/r.e/

The post Rama: “Smart City Albania”, identifikim në kohë reale i shkelësve të ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vjosa, mes mjegullës së mëngjesit dhe rrezeve të para të ditës

19 December 2025 at 09:27


TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Lumi Vjosa, i njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, mbetet një prej potencialeve më të mëdha të vendit për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Ecjet në natyrë, vëzhgimi i zogjve, shëtitjet me kajak dhe në natyrë u ofrojnë vizitorëve vendas dhe të huaj mundësinë për të shijuar bukurinë natyrore të paprekur të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një kartolinë të gjallë nga Vjosa, mes mjegullës së mëngjesit dhe rrezeve të para të ditës.

Me një biodiversitet të pasur Parku Kombëtar i Vjosës është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe ekoturizmit.

Lumi Vjosa u përfshi zyrtarisht në shtator 2025 në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore.

Njohja e lumit Vjosa nga UNESCO rrit ndikimin në nivel ndërkombëtar dhe e bën atë më tërheqës për ata që vizitojnë Shqipërinë për të përjetuar format e larmishme të relievit, jetën e egër dhe diversitetin kulturor të vendit.

Lumi Vjosa është shpallur “Park Kombëtar” nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2023, pas përpjekjeve disavjeçare të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare mjedisore për mbrojtjen e këtij lumi nga ndërtimi i digave për hidrocentrale.

Ai është ndër lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, sidomos për sa i përket prurjeve të shumta ujore.

Me një gjatësi prej 272 km, Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon territorin shqiptar deri në derdhjen në detin Adriatik.

/m.m/j.p/

The post Vjosa, mes mjegullës së mëngjesit dhe rrezeve të para të ditës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensionet në seancë, PS kërkon përjashtimin deri në 60 ditë për 29 deputetë të PD-së

18 December 2025 at 16:26

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi sot në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend.

Kërkesa i është drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ku kërkohet përjashtimi nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare i disa deputetëve të opozitës.

Në një deklaratë për medie zëdhënësja e grupit parlamentar të PS-së, Erjona Ismaili u shpreh se gjatë seancës së sotme plenare u regjistruan shumë akte dhune dhe incidente të rënda deri në hedhje të lëndëve piroteknike në sallë dhe të sendeve të tjera të forta kundër Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

“Ky skenar dhe këto akte dhune kanë qenë të mirëorganizuara dhe të parapërgatitura më parë nga drejtuesit e grupit parlamentar të PD-së: deputetët Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Elda Hoti, Ledina Alolli dhe nga drejtues të subjektit politik Partia Demokratike deputetët Sali Berisha dhe Flamur Noka”, u shpreh Ismaili.

Ismaili theksoi se disa prej deputetëve kanë goditur punonjësit e shërbimit të Gardës së Republikës, kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, hapësirën rreth saj dhe vendet e përcaktuara për anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Ismaili solli në vëmendje se deputetët Klevis Balliu, Flamur Noka, Elda Hoti, Fidel Kreka kanë hedhur sende të forta dhe mjete të tjera drejt Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, kanë penguar anëtarët e Këshillit të Ministrave të marrin fjalën, kanë përdorur gjuhë joparlamentare, kanë cenuar seriozisht rendin në seancë dhe kanë shkaktuar kaos.

Po ashtu, Ismaili theksoi se deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi kanë penguar anëtarët e Këshillit të Ministrave të ulen në vendet e tyre, të marrin fjalën, kanë përdorur gjuhë joparlamentare, kanë cenuar seriozisht rendin në seancë dhe kanë shkaktuar kaos.

“Siç konstatohet qartazi nga pamjet filmike deputetët Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kanë futur dhe përdorur në seancë lëndë apo mjete piroteknike. Gjithashtu deputetët Gazment Bardhi dhe Sali Berisha kanë përdorur gjuhë diskriminuese, joparlamentare, kanë cenuar seriozisht rendin në seancë, kanë shkaktuar kaos, kanë zaptuar foltoren duke penguar deputetët të marrin fjalën dhe kanë cenuar personalitetin e drejtuesit të seancës, anëtarëve të Këshillit të Ministrave”, shtoi Ismaili.

Në këtë kuadër PS kërkon marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetëve Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët kanë futur dhe përdorur lëndë apo mjete piroteknike, tymuese brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit.

Gjithashtu, PD kërkon përjashtimin për 60 ditë ndaj deputetëve Klevis Balliu, dhe Flamur Noka, të cilët nuk kanë pranuar të dalin nga salla, kanë kryer veprime të qëllimshme duke dëmtuar pajisjet dhe hequr funksionalitetin e tyre në sallën e seancave.

Ps kërkon përjashtimin me 30 ditë për deputetët Sali Berisha, Elda Hoti dhe Gazment Bardhi dhe me 10 ditë për deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi, Saimir Korreshi, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.

/m.m/j.p/r.e/

The post Tensionet në seancë, PS kërkon përjashtimin deri në 60 ditë për 29 deputetë të PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Dhuna nuk është alternativë politike, ligjet nuk i bëjnë flakadanët

18 December 2025 at 13:38

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi sot pas seancës plenare me tensione në Kuvend, duke theksuar se mazhoranca ka përmbushur detyrimin kushtetues për të votuar ligje në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për bllokim të punimeve.

“Sot në Kuvend bëmë atë që qytetarët na kanë ngarkuar: të votonim ligje, duke debatuar e duke miratuar ligje që u shërbejnë atyre, për ekonominë e tyre, për mbrojtjen sociale dhe zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh Gogu në reagimin e tij.

Ministri kritikoi ashpër sjelljen e opozitës, duke theksuar se seanca nuk u shoqërua me debate parlamentare apo përplasje argumentesh, por me akte dhune dhe kaosi.

Ai nënvizoi se mazhoranca e ka bërë të qartë që në fillim të sesionit parlamentar se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë alternativë politike.

“Dhuna nuk është alternativë politike dhe ne nuk do rrimë as ta dëshmojmë; kaosi nuk e zëvendëson votën e shqiptarëve dhe flakadani nuk bën dot ligje. Ligjet i bëjnë njerëzit”, tha ai.

Sipas ministrit, projektligjet u miratuan sepse shteti nuk mund të ndalet dhe nuk mund të dorëzohet përballë papërgjegjshmërisë.

“Kjo opozitë është e dëshpëruar për një protestues më shumë ditën e hënë, për një kamerë më shumë. Për këtë është gati të djegë Kuvendin e shqiptarëve. Kur nuk bind dot me ide, përpiqet të imponohet me dhunë dhe me tym”, u shpreh Gogu.
.
Në fund të reagimit, ministri theksoi se mazhoranca ka zgjedhur një rrugë tjetër. “Ne kemi zgjedhur ligjet, punën dhe shërbimin për qytetarët. Ata kanë zgjedhur sherrin në ekran, ne zgjedhim vendimet për shqiptarët”, tha ai, duke shtuar se Parlamenti është shtëpia e demokracisë dhe nuk mund të kthehet në skenë dhune.

“Debati bëhet me fjalë, ku përplasen idetë. Vendimet merren me votë. Kështu ndërtohet shteti serioz dhe kështu mund të ecë Shqipëria përpara”, përfundoi Gogu.

/m.m/j.p/

The post Gogu: Dhuna nuk është alternativë politike, ligjet nuk i bëjnë flakadanët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Burgosja pa gjyq e Thaçit, padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës

18 December 2025 at 16:28

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mbahet në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se e ka gjetur Thaçin të qetë, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale.

Kryeministri e cilësoi mbajtjen e Thaçit dhe ish-liderëve të UÇK-së në paraburgim, “padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike”.

Reagimi i plotë i kryeministrit Rama: 

Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.

E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”.

Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartejdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.

Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”.

/m.m/j.p/r.e/

The post Rama: Burgosja pa gjyq e Thaçit, padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌