Protokolli i vitit 1958 mes Shqipërisë dhe Greqisë për sigurinë detare
TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Më 8 shkurt 1958 në Sarandë u nëshkrua protokolli për minat në Kanalin e Korfuzit.
Protokolli i 8 shkurtit 1958 midis Shqipërisë dhe Greqisë erdhi si pasojë e Incidentit të Kanalit të Korfuzit të vitit 1946, ku anijet britanike u përfshinë në dy incidente: fillimisht u qëlluan nga artileria bregdetare shqiptare dhe më pas u goditën nga mina detare, duke shkaktuar 44 viktima. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpalli Shqipërinë përgjegjëse për pasojat e incidentit, por qeveria shqiptare nuk e njohu këtë vendim.
Minat që gjendeshin në Kanalin e Korfuzit që prej Luftës së Dytë Botërore, nisën të spastroheshin sipas koordinatave të përcaktuara të ujërat territoriale të Shqipërisë dhe të Greqisë, bazuar në një protokoll dypalësh të nënshkruar më 8 shkurt 1958. Në emër të qeverisë së RPSH-së nënshkroi kapiteni i rangut të parë të Marinës, Abdi Mati, ndërsa për palën greke nënshkroi i barazvlefshmi i tij, Emanuel Dhimotaqis.
Protokolli i nënshkruar u përpilua në përputhje me disa konventa që parashikonin marrëveshje të kësaj natyre, sikurse ishin: Konventa mbi detin territorial dhe zonën speciale dhe Konventa mbi detin e hapur. Për një periudhë afro katërmujore, prej datës 15 mars deri më 7 korrik 1958, secila prej palëve kreu punimet sipas detyrimeve. Pas përfundimit të kësaj kohështrirjeje, prej datës 30 korrik e deri më 2 gusht, përfaqësues të qeverisë shqiptare, së bashku me homologët e tyre në kabinetin grek, u mblodhën në qytetin e Sarandës për të shqyrtuar punimet e kryera.
Në një deklaratë të tyren të përbashkët, ata komunikuan nënshkrimin e një protokolli përfundimtar, i cili do të mundësonte që duke filluar nga mesdita e datës 4 gusht 1958, Kanali i Korfuzit të ishte “i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë mbeteshin të tensionuara për shkak të “gjendjes së luftës”, si dhe për pretendimet territoriale greke. Megjithëse mungonin marrëdhëniet diplomatike dhe të dyja vendet i përkisnin blloqeve ushtarake kundërshtare, NATO dhe Traktatit të Varshavës, nevoja për një lundrim të sigurt në Kanalin e Korfuzit i shtyu ato drejt bashkëpunimit teknik dhe nënshkrimit të Protokollit më 8 shkurt 1958.
Gjatë muajve mars–korrik, të dyja vendet çminuan ujërat e tyre territoriale dhe më 4 gusht 1958 kanali u hap zyrtarisht.
The post Protokolli i vitit 1958 mes Shqipërisë dhe Greqisë për sigurinë detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.