TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi sot në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend.
Kërkesa i është drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ku kërkohet përjashtimi nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare i disa deputetëve të opozitës.
Në një deklaratë për medie zëdhënësja e grupit parlamentar të PS-së, Erjona Ismaili u shpreh se gjatë seancës së sotme plenare u regjistruan shumë akte dhune dhe incidente të rënda deri në hedhje të lëndëve piroteknike në sallë dhe të sendeve të tjera të forta kundër Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
“Ky skenar dhe këto akte dhune kanë qenë të mirëorganizuara dhe të parapërgatitura më parë nga drejtuesit e grupit parlamentar të PD-së: deputetët Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Elda Hoti, Ledina Alolli dhe nga drejtues të subjektit politik Partia Demokratike deputetët Sali Berisha dhe Flamur Noka”, u shpreh Ismaili.
Ismaili theksoi se disa prej deputetëve kanë goditur punonjësit e shërbimit të Gardës së Republikës, kanë bllokuar foltoren e Kuvendit, hapësirën rreth saj dhe vendet e përcaktuara për anëtarët e Këshillit të Ministrave.
Ismaili solli në vëmendje se deputetët Klevis Balliu, Flamur Noka, Elda Hoti, Fidel Kreka kanë hedhur sende të forta dhe mjete të tjera drejt Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, kanë penguar anëtarët e Këshillit të Ministrave të marrin fjalën, kanë përdorur gjuhë joparlamentare, kanë cenuar seriozisht rendin në seancë dhe kanë shkaktuar kaos.
Po ashtu, Ismaili theksoi se deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi kanë penguar anëtarët e Këshillit të Ministrave të ulen në vendet e tyre, të marrin fjalën, kanë përdorur gjuhë joparlamentare, kanë cenuar seriozisht rendin në seancë dhe kanë shkaktuar kaos.
“Siç konstatohet qartazi nga pamjet filmike deputetët Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kanë futur dhe përdorur në seancë lëndë apo mjete piroteknike. Gjithashtu deputetët Gazment Bardhi dhe Sali Berisha kanë përdorur gjuhë diskriminuese, joparlamentare, kanë cenuar seriozisht rendin në seancë, kanë shkaktuar kaos, kanë zaptuar foltoren duke penguar deputetët të marrin fjalën dhe kanë cenuar personalitetin e drejtuesit të seancës, anëtarëve të Këshillit të Ministrave”, shtoi Ismaili.
Në këtë kuadër PS kërkon marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetëve Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët kanë futur dhe përdorur lëndë apo mjete piroteknike, tymuese brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit.
Gjithashtu, PD kërkon përjashtimin për 60 ditë ndaj deputetëve Klevis Balliu, dhe Flamur Noka, të cilët nuk kanë pranuar të dalin nga salla, kanë kryer veprime të qëllimshme duke dëmtuar pajisjet dhe hequr funksionalitetin e tyre në sallën e seancave.
Ps kërkon përjashtimin me 30 ditë për deputetët Sali Berisha, Elda Hoti dhe Gazment Bardhi dhe me 10 ditë për deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi, Saimir Korreshi, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.
/m.m/j.p/r.e/
The post Tensionet në seancë, PS kërkon përjashtimin deri në 60 ditë për 29 deputetë të PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.