Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në mbledhjen e radhës orarin e numërimit të votave gjatë natës së ndërrimit të moteve, duke vendosur që më 31 dhjetor procesi të zhvillohet deri në ora 12:00 dhe më pas të ndërpritet, ndërsa të rifillojë më 1 janar nga ora 16:00,.
Çështja ka nxitur diskutime mes anëtarëve të KQZ-së lidhur me angazhimin e ekipeve gjatë festave të fundvitit dhe nevojën për vazhdimësi të procesit zgjedhor, në mënyrë që rezultatet të publikohen sa më shpejt dhe të ruhet integriteti i procesit.
Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, tha se vendimi është marrë në Këshillin për Operacione Zgjedhore, por hapi dilemë lidhur me punën më 1 janar.
“Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se procesi zgjedhor nuk duhet të ndalet për shkak të festave.
“Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se për këtë orar tashmë janë njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore.
“Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai. /EkonomiaOnline/
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, të cilat tregojnë se deficiti tregtar i Kosovës ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, deficiti tregtar në nëntor 2025 arriti në 469,9 milionë euro, që paraqet një ndryshim minimal prej 0,0% krahasuar me nëntorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 470,0 milionë euro.
Në këtë periudhë, eksporti mbuloi importin me 15,7%. Vlera e eksporteve të mallrave në nëntor 2025 ishte 87,7 milionë euro, ndërsa importet arritën në 557,6 milionë euro.
Krahasuar me një vit më parë, eksportet shënuan rënie prej 9,5%, ndërsa importet ranë për 1,6%.
Në strukturën e eksporteve, peshën më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 20,3%, të pasuara nga produktet minerale (15,4%), plastika dhe goma (11,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,1%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,2%).
Ndërkohë, importet dominoheshin nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,1%, produktet minerale me 13,0% dhe mjetet e transportit me 12,4%.
Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 26,6 milionë euro, ose 30,3% të eksporteve totale, duke shënuar rënie prej 20,9%.
Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.
Importet nga BE-ja kapën vlerën 240,3 milionë euro, apo 43,1% të importeve të përgjithshme, me rënie prej 0,9%.
Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 42,8 milionë euro, ose 48,8% të eksporteve totale, me rënie prej 6,1%.
Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Ndërkaq, importet nga CEFTA shënuan rritje prej 6,2%, duke arritur në 76,5 milionë euro.
Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 18,3 milionë euro, ose 20,9%, ku Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë. Importet nga këto vende kapën vlerën 240,8 milionë euro, me Turqinë dhe Kinën si burimet kryesore të importit.
Për më shumë informacione rreth Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, ASK njofton se të dhënat e detajuara janë të publikuara në faqen zyrtare të institucionit. /Telegrafi/
Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftuar se ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të shërbimeve në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente, për periudhën nga 23 dhjetori 2025 deri më 15 janar 2026.
Sipas njoftimit, shërbimet do të ofrohen deri në ora 18:00, ndërsa edhe dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune me orar të zgjatur.
Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime për qytetarët dhe bashkatdhetarët, duke pasur parasysh fluksin e shtuar gjatë festave të fundvitit dhe kthimit të bashkatdhetarëve në vendet e tyre.
Agjencia ka bërë të ditur se, në koordinim me njësitë përkatëse në nivel lokal, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore, me korrektësi dhe brenda afateve ligjore.
ARC ka ritheksuar përkushtimin e saj për ofrimin e shërbimeve sa më të qasshme dhe efikase për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/
Një rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur para pak çastesh në Pejë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas tij, me autorizimin e prokurorit të shtetit, janë duke u grumbulluar të gjitha provat relevante dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Ndryshe, Spitali i Pejës ka njoftuar se i plagosuri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë. /Telegrafi/
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, lidhur me padinë e iniciuar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin është shpallur i paligjshëm vendimi i datës 17 janar 2025 për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e Kryetarit të KPM-së.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore theksohet se nuk janë pranuar pretendimet e KPM-së për pavarësinë e saj kushtetuese dhe organizative. Sipas Gjykatës, pavarësia e institucioneve të pavarura nuk nënkupton përjashtim nga zbatimi i ligjit.
“Pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
IKD kishte kërkuar përmes padisë shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo çështje ishte fituar më herët edhe në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.
Sipas IKD-së, vendimi i sotëm i Gjykatës së shkallës së parë përbën një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe funksionimit të rregullt të KPM-së, duke forcuar besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues.
IKD ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se do të vazhdojë të avokojë si për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, ashtu edhe për respektimin e ligjshmërisë së brendshme, e cila, sipas tyre, nuk është respektuar në këtë rast. /Telegrafi/
Besim Kelmendi ka paraqitur kërkesë përmes së cilës ka kërkuar që të lirohet nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo kërkesë e Kelmendit të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin është anuluar vendimi i Këshillit Prokurorial, me të cilin ishe shkarkuar nga kjo pozitë. Ndërsa, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit është konfirmuar vendimi i Themelores, e cila ka theksuar se çështja është e gjykuar.
“Siç jeni në dijeni më Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.124/2025 të datës 16.12.2025 është anuluar Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK.nr.1056/20 i datës 20.11.2025, ndërsa më Aktvendimin e Gjykatës së Apelit A.nr.1210/25 i datës 19.12.2025, është konfirmuar së cështja e ngritur sipas padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës është cështje e gjykuar sipas Aktgjykimit të më sipërm të Gjykatës Supreme. Bazuar në vendimet e sipërcekura gjyqësore dhe në situatën e krijuar në Këshillin Prokurorial pas nxjerrjes së vendimit të anuluar nga Gjykata Supreme, përmes këtij emailit zyrtar ua përcjellë Kërkesën time për të më liruar nga Pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokuroit të Shtetit, të cilën detyrë e kam ushtruar nga data 22 prill 2022”, thuhet në kërkesë.
Kelmendi ka theksuar se nuk ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe se ishte kërkesë e anëtarëve të Këshillit ta pranonte pozitën e U.D.
“Përmes kësaj kërkese ua rikujtoj edhe një here, juve dhe të gjithë qytetarëve, së unë nuk kam aplikuar fare për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe së në asnjë rast nuk kam shpreh interesim për të marr as pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, përkundrazi ishte kërkesë e anëtarëve të Këshillit që unë ta pranoja ketë detyrë deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe si rezultat i këtyre kërkesave, më datë 22 prill 2022, në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e pranishëm të Këshillit, jam caktuar si Ushtrues i Detyrës ë Kryeprokuroit të Shtetit”, thuhet më tej.
Ndërsa, ai theksoi se pas gjithë situatës së krijuar në KPK dhe pasi konsideron që me vendimin e Supremes është arritur vendosja e ligjshmërisë dhe respektimit të standardeve ligjore, kërkon të lirohet nga detyra.
“Andaj pas analizimit të te gjitha rrethanave dhe situatës së krijuar në Këshillin Prokurorial, dhe në vecanti pas nxjerrjes dhe shpalljës së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.124/2025 të datës 16.12.2025, konsideroj së është arritur vendosja e ligjshmërisë dhe respektimi i standardeve ligjore të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Kjo arritje nuk është vetëm e imja por e të gjithë individëve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, të cilët kanë kërkuar respektimin e ligjshmërisë. Kërkesa ime për të më liruar nga pozita e Ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është një reflektim i vullnetit tim për të mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial dhe për të kontribuar në përmirësimin e gjendjës së krijuar në Këshill, andaj shpresoj dhe besoj së të gjithë ju anëtarët e Këshillit do të gjeni forcën dhe vullnetin, jo vetëm për të aprovuar kërkesën time por edhe për të krijuar kushte normale për funksionimin e Sistemit Prokurorial”, thuhet më tutje..
Kelmendi zotohet se do të punojë me përkushtim për të mirën e sistemit prokurorial.
“Dhe krejtë në fund, unë, si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, do të punoj më përkushtimin tim më të madh për të mirën e Sistemit Prokurorial, i pavarur, i pa anshëm dhe me profesionalizëm, ashtu siç më ka vlerësuar Këshilli Prokurorial kur më ka propozuar për të marr çmimin më të rëndësishëm të karrierës time – çmimin më emrin e heroit tonë kombëtar “Sali Çekaj”, si dhe në ditën kur ky Këshill Prokurorial më ka caktuar si Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në kërkesën e Kelmendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar padinë e OJQ-së Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke e shpallur të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të datës 17 janar 2025.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, i cili ka theksuar se vendimi i gjykatës konfirmon shkeljet ligjore gjatë procesit të vendimmarrjes.
“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar padia e IKD-së dhe është deklaruar i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së,” ka deklaruar Bajraktari.
Sipas tij, aktgjykimi rikonfirmon rëndësinë e respektimit të ligjit në proceset institucionale.
“Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës dhe rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë gjatë marrjes së vendimeve të tilla,” ka shtuar ai.
Vendimi i gjykatës pritet të ketë ndikim në funksionimin dhe vendimmarrjen e ardhshme të Komisionit të Pavarur të Mediave. /Telegrafi/
Ambasada e Kosovës në Zagreb ka njoftuar se po e ndjek me kujdes situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë dhe Malin e Zi. Situata aktualisht konsiderohet stabile.
"Pas bisedës telefonike mes ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe ministrit kroat, Davor Božinović, u vendos që të gjitha sportelet në kalimet kufitare të Kroacisë të jenë të hapura, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve", thuhet në njoftim.
Megjithatë, Ambasada paralajmëron se procedurat mund të jenë më të ngadalta për shkak të hyrjes në fuqi të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (EES) më 12 tetor 2025, një sistem digjital që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen.
Ambasada u uron të gjithë qytetarëve që udhëtojnë drejt Kosovës për festat e fundvitit rrugë të mbarë, shëndet dhe festa të gëzuara. /Telegrafi/
Gjatë administrimit të provave materiale në seancën ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur video nga restauranti "Etnokuqa", ku pasi Liridona, Naimi dhe fëmijët hyjnë, pas pak minutave në të kundërtën e tyre ulet edhe Granit Plava.
"Në orën 18:32 dhe 44 sekonda, kamera e Etnokuqes e kanë inicizuar ardhjen nga kamerat e brendshme në restorant, shihet se si familja Murseli vjen, ja vetura e markës Seat… Në orën 18:35, hyrja e Granit Plavës në restaurantin Etno Kuqa i cili do të ulet në të kundërtën e familjes Murseli", tha ajo.
Në pamje shihet edhe Naim Murseli, lëviz brenda restaurantit dhe i drejtohet tavolinës së Granit Plavës.
Po ashtu, janë shfaqur video edhe nga shtëpia kur së bashku me fëmijët dalin nga aty dhe hypin në makinë./kp/
Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së.
Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e migrimit nga Kosova.
Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.
Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.
Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.
Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.
Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.
Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.
Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.
Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.
Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.
Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.
Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.
Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE./REL/
Sot në orën 09:30 po mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Seanca do zhvillohet në Gjykatën Themelore ku pritet shqyrtimi i provave dhe procedurave lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria.
Të akuzuarit po përballen me drejtësinë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast të rëndë penal, i cili ka ngjallur interes të madh publik.
Seanca e kaluar e planifikuar të mbahej më 12 dhjetor u anulua dhe e njëjta u vendos që të zhvillohet sot.
Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. /Telegrafi/
Gjatë kësaj jave mbi vendin tonë do të mbretërojë mot i ndryshueshëm, ku parashihet të ketë vranësira me interval të shkurta diellore.
Nga dita e mërkurë do të ketë riga shiu në viset e ulëta dhe në viset mbi 1600 metra lartësi mbidetare parashihen fjolla bore.
Ndërkaq sipas IHMK sot moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të luhaten nga -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 5-7 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4 metër për sekondë. /Telegrafi/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se mashtrimi përmes martesës për qëllime emigrimi përbën krim federal në SHBA.
Në njoftimin e saj, ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin vetëm rrugë të ligjshme për të hyrë dhe qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze. Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ambasada rikujton se shkeljet e ligjeve të emigracionit mund të kenë pasoja të rënda ligjore dhe të ndikojnë negativisht në mundësitë e ardhshme për udhëtim apo qëndrim në SHBA. /Telegrafi/
Një sherr mes disa personave ka ndodhur këtë të diel në Kukës. Sipas policisë, dy shtetas janë plagosur me armë zjarri.
Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Të plagosur kanë mbetur një 36 vjeçar dhe një 65-vjeçar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, për dokumentimin ligjor të rastit./abcnews/
Si rezultat i hetimeve të kryera nga Drejtoria Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit K. L., 20-vjeç, banues në fshatin Mgull; V. K., 43-vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, për veprat penale vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim; mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme./Telegrafi/
Kryeministri Rama gjatë podkastit “Flasim”, foli për vizitën e tij në Hagë dhe takimin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së buron nga një “farsë” e nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kreu i qeverisë u shpreh se e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur, duke e cilësuar këtë si qëndrim të një njeriu të pafajshëm me karakter të fortë.
Rama deklaroi se i mungojnë fjalët për të përshkruar atë që e quajti një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës demokratike.
Sipas Ramës, kjo situatë nuk përbën vetëm një padrejtësi ndaj disa individëve, por ndaj vetë popullit të Kosovës, i cili luftoi për lirinë e tij. Ai theksoi se drejtuesit e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, kanë luajtur rol vendimtar jo vetëm në çlirimin e Kosovës, por edhe në heqjen e asaj që ai e quajti një njollë të rëndë historike për Europën.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Rama u shpreh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen prej më shumë se pesë vitesh në paraburgim në Hagë, duke i cilësuar si pengje të një padrejtësie.
“Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandantin e Luftës Çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë dhe vëllaun tim matanë bjeshkëve, ishte një moment shënjues i javës që shkoi.Ai u rrëmbye, u rrëmbye pa gjyq, u rrëmbye pa akuzë, nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, me vullnetin e vet të lirë. U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij. Nuk di, realisht nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi dhe sot gjenden në këtë situatë ku në fakt, padrejtësia nuk u bëhet thjeshtë disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por po i bëhet vetë atij populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por që falë ushtrisë çflirimtare të Kosovës, falë Hashim Thaçit, falë Kadri Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve, çliroi edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë.
Zoti qoftë me burgosurit pa gjyq të Kosovës, në Hagë, që prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, janë pengje, pengje të një padrejtësie, një padrejtësie në Europën e lirisë demokracisë e shtetit ligjor.
Dhe le të lutemi që viti i ri të sjellë edhe fundin e këtij turpi në kurriz të luftës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, të Republikës së Kosovës, përveçse të disa individëve të pafajshëm.”/abcnews/
Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën - është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.
NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?
Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.
Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.
Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende - Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja - që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.
Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.
Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.
Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.
Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.
Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.
Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë - anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën - ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.
“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor - Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës - për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.
Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.
“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.
Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë - ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.
Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.
“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.
Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.
Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.
“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.
“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO - proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.
Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.
E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike. /REL/