Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 21 December 2025Main stream

SHBA – Trump do të ndërmarrë masa të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm

21 December 2025 at 18:05

UASHINGTON, 21 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përgatitet për një goditje më agresive ndaj emigracionit në vitin 2026 me miliarda dollarë fonde të reja, duke përfshirë edhe bastisjen e më shumë vendeve të punës, sipas “Reuters”.

Trump tashmë ka dërguar agjentë të emigracionit në qytetet kryesore të SHBA-së.

Ndërsa agjentët federalë këtë vit kryen disa bastisje të profilit të lartë në biznese, ata kryesisht shmangën bastisjen e fermave, fabrikave dhe bizneseve të tjera që janë ekonomikisht të rëndësishme, por të njohura për punësimin e emigrantëve pa status ligjor.

ICE dhe Patrulla Kufitare do të marrin 170 miliardë dollarë fonde shtesë deri në shtator 2029 – një rritje e fondeve mbi buxhetet e tyre vjetore ekzistuese prej rreth 19 miliardë dollarësh – pasi Kongresi i kontrolluar nga republikanët miratoi një paketë masive shpenzimesh në korrik.

Zyrtarët e administratës thanë se po planifikojnë të punësojnë mijëra agjentë të tjerë, të hapin qendra të reja paraburgimi, të marrin më shumë emigrantë në burgjet lokale dhe të bashkëpunojnë me kompani të jashtme për të gjurmuar njerëzit pa status ligjor.

Planet e zgjeruara të deportimit vijnë pavarësisht shenjave në rritje të reagimeve negative politike përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Miami, një nga qytetet më të prekura nga masat e rrepta të Trump – për shkak të popullsisë së madhe emigrante, zgjodhi kryetarin e parë demokrat në gati tre dekada javën e kaluar, në atë që kryetari i zgjedhur e quajti, pjesërisht, një pergjigje ndaj presidentit amerikan.

Zgjedhje dhe sondazhe të tjera lokale kanë sugjeruar shqetësim në rritje midis votuesve të kujdesshëm ndaj taktikave agresive të emigracionit.

Mbështetja ndaj Trump për politikën e emigracionit ra nga 50% në mars, përpara se ai të niste masa të rrepta në disa qytete të mëdha të SHBA-së, në 41% në mesin e dhjetorit.

Fokusi i administratës në vendet e punës gjatë vitit të ardhshëm mund të gjenerojë shumë më tepër arrestime dhe të ndikojë në ekonominë amerikane dhe pronarët e bizneseve me prirje republikane.

Zëvendësimi i emigrantëve të arrestuar gjatë bastisjeve në vendet e punës mund të çojë në kosto më të larta të punës, duke minuar luftën e Trump kundër inflacionit, të cilën analistët presin të jetë një çështje e madhe në zgjedhjet e nëntorit që po monitorohen nga afër, duke përcaktuar kontrollin e Kongresit. //a.i/

 

The post SHBA – Trump do të ndërmarrë masa të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Mbi 41 000 migrantë kaluan La Manshin në 2025-n

21 December 2025 at 16:13

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Më shumë se 41 000 migrantë kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla këtë vit.

Rreth 803 migrante ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në 13 gomone nga Francën veriore, gjatë natës së të premtes dhe deri të shtunën.

Numri i përgjithshëm i kalimeve në La Mansh për vitin 2025 ka arritur në 41 455 persona.

Kalimet e së shtunës përbëjnë numrin më të madh të migrantëve që nga 8 tetori, ku vetëm në një ditë kaluan 1 075 refugjatë.

Gjithashtu, ky ishte një numër rekord kalimesh për një ditë në dhjetor, krahasuar me të dhënat që shtrihen deri në vitin 2018.

Dhjetori është, tradicionalisht një nga muajt më të qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së dobët dhe motit me stuhi që e bën udhëtimin veçanërisht të vështirë.

Numri më i madh i mbërritjeve të regjistruara në muajin dhjetor ka arritur në 3 254, në vitin 2024.

Rreth 2 163 persona kanë mbërritur deri më tani, në dhjetor.

Këtë javë, Gjermania miratoi një ligj të ri që ndëshkon trafikantët e qenieve njerëzore me deri në 10 vjet burg për përpjekjen për të sjellë migrantë në Britaninë e Madhe.

Ndryshimi i ligjit, i cili do të hyjë në fuqi para fundit të vitit, synon t’u japë më shumë kompetenca zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve, dhe të rrisë shkëmbimin e informacionit midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, Franca planifikon të ndalojë anijet e vogla në det përpara se ato të marrin migrantë që shkojnë në Britaninë e Madhe. //a.i/

The post BM – Mbi 41 000 migrantë kaluan La Manshin në 2025-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky kërkon të konsultohet me Evropën pas bisedimeve në SHBA

21 December 2025 at 15:13

KIEV, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky foli sot në favor të një takimi të ri me aleatët evropianë pas bisedimeve midis delegacionit ukrainas dhe palës amerikane në Miami, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ekziston një ndjenjë e përbashkët se pas punës së ekipit tonë diplomatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani duhet të zhvillojmë konsultime me partnerët evropianë në një rreth më të gjerë”, shkroi Zelensky në X pasi zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store.

“Delegacioni ukrainas në Florida ka punuar me negociatorët amerikanë dhe ka patur progres të shpejtë”, shkroi Zelensky.

Ai foli për negociata “konstruktive”, por nuk dha asnjë detaj dhe falënderoi Norvegjinë për mbështetjen e saj.

Pas bisedimeve midis negociatorëve nga SHBA-ja, Evropa dhe Ukraina në Berlin të dielën e kaluar dhe të hënën, negociatat për një zgjidhje paqeje hynë në një raund të ri në Florida këtë fundjavë.

Negociatorët amerikanë donin t’ua transmetonin rezultatet nga Berlini përfaqësuesve rusë.

Në një deklaratë fillestare, negociatori i Moskës, Kirill Dmitriev foli për diskutime konstruktive. //a.i/

The post KIEV – Zelensky kërkon të konsultohet me Evropën pas bisedimeve në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas 400 vitesh shërbim, Danimarka nuk do të dërgojë më letra me postë

21 December 2025 at 14:54

KOPENHAGË, 21 dhjetor /ATSH/- Kompania daneze e shërbimeve postare do të shpërndajë letrat e fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur mbi katër shekuj, sipas “The Guardian”.

Vendimi i kompanisë “PostNord”, e krijuar në vitin 2009 nga bashkimi i ofruesve të shërbimeve postare suedeze dhe daneze, shënon një kthesë historike për vendin që sot konsiderohet ndër më të digjitalizuarit në botë.

PostNord njoftoi se do të shkurtojë 1500 vende pune dhe do të heqë 1500 kuti postare të kuqe, duke u fokusuar vetëm tek shpërndarja e pakove.

Kërkesa për letra ka rënë me mbi 90% gjatë 25 viteve të fundit, ndërsa blerjet online janë rritur ndjeshëm.

Kutia postare e kuqe, simbol i postës daneze, është kthyer në një objekt nostalgjie.

Vetëm në tre orë, jane shitur 1000 kuti postare të kuqe – me çmime që varionin nga 1500 deri në 2000 korona daneze.

Ndërsa 200 kutitë e tjera pritet të dalin në ankand në janar.

Megjithatë, dërgimi i letrave nuk do të zhduket plotësisht.

Kompania “Dao” do të marrë përsipër këtë shërbim duke zgjeruar kapacitetin e saj nga 30 milionë letra në vit në 80 milion.

Klientët do të duhet t’i dorëzojnë letrat në dyqanet e “Dao” ose të paguajnë ekstra për t’ua mbedhur ato në shtëpi, ndërsa pullat do të blihen online ose përmes aplikacionit.

Ligji danez kërkon që mundësia për të dërguar letra të ekzistojë gjithmonë.

Kjo do të thotë se nëse “Dao” ndalon shërbimin, qeveria do të duhet të caktojë një kompani tjetër.

Ministria e Transportit ka theksuar se ndryshimi është më shumë “sentimental” sesa praktik, pasi qytetarët do të vazhdojnë të kenë mundësi të dërgojnë e marrin letra. //a.i/

The post Pas 400 vitesh shërbim, Danimarka nuk do të dërgojë më letra me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – San Francisko në errësirë, rreth 130 000 banorë pa energji elektrike

21 December 2025 at 14:30

SAN FRANCISKO, 21 dhjetor /ATSH/- Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka prekur rreth 130,000 shtëpi dhe biznese në San Francisko, sipas “Pacific Gas and Electric Co”, raportoi AP.

Ndërprerja filloi në pjesën veriore të qytetit, duke përfshirë lagjet Richmond dhe Presidio, si dhe zonat përreth Golden Gate Park, dhe u përhap dje shpejt gjatë gjithë pasdites.

Ndërprerja preku rreth një të tretën e klientëve të PG&E, në qytet.

Raportet ne media sociale treguan mbyllje të restoranteve dhe dyqaneve dhe semaforë të fikur.

Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave paralajmëroi për ndërprerje të mëdha te energjise elektrike në transportin publik dhe u bëri thirrje banorëve të shmangnin udhëtimet jo thelbësore dhe të ishin të kujdesshëm në semaforët me katër drejtime.

Zyrtarët e zjarrfikësve konfirmuan se një pjesë e ndërprerjes së energjisë ishte shkaktuar nga një zjarr në një nënstacion të PG&E dje rreth orës 15:15 pasdite.

Rreth orës 16:00 pasdite, PG&E tha se rrjeti ishte stabilizuar dhe se nuk pritej të kishte ndërprerje të mëtejshme. //a.i/

The post SHBA – San Francisko në errësirë, rreth 130 000 banorë pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron mirëpret gatishmërinë e Putinit për të zhvilluar bisedime mbi Ukrainën

21 December 2025 at 14:00

PARIS, 21 dhjetor /ATSH/- Presidenca franceze ka mirëpritur gatishmërinë e presidentit rus Vladimir Putin për të biseduar me presidentin Emmanuel Macron mbi luftën në Ukrainë, duke shtuar se kushtet për bisedime të tilla do të përcaktohen në ditët në vijim, sipas “France24”.

Zëdhënësi i Kreminit tha sot në mëngjes se presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog me homologun e tij francez, Macron.

“Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm për dialog me homologun e tij francez Emmanuel Macron nëse ekziston vullneti politik për këtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Deklarata e Peskov erdhi pasi Macron tha pas samitit të BE-së, se ishte i gatshëm të bisedonte me presidentin rus, Vladimir Putin.

Të dërguarit e Donald Trump kanë zhvilluar një sërë takimesh të ndara me Moskën dhe zyrtarët ukrainas dhe evropianë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Negociatorët nga Ukraina, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takuan këtë javë në Miami, Florida. //a.i/

The post PARIS – Macron mirëpret gatishmërinë e Putinit për të zhvilluar bisedime mbi Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Miratohen 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor

21 December 2025 at 13:09

TEL AVIV, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Izraeli ka miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha sot ministri i Financave, Bezalel Smotrich në X.

Smotrich, një ministër i krahut të djathtë, tha në X se Kabineti Izraelit kishte miratuar propozimin për të shpallur dhe organizuar 19 vendbanimet e reja.

Këtë javë, media izraelite raportoi se Kabineti Izraelit i Sigurisë kishte vendosur të ngrinte 19 vendbanime të reja, por nuk kishte pasur konfirmim zyrtar nga qeveria.

Më shumë se 700 000 kolonë hebrenj vlerësohet se jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, i cili u pushtua nga forcat izraelite në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967.

Kombet e Bashkuara i shohin vendbanimet si një pengesë të madhe për një marrëveshje paqeje, pasi njohja e tyre do të pengonte në mënyrë efektive territorin e vazhdueshëm palestinez në Bregun Perëndimor – në rast se arrihet një zgjidhje me dy shtete.

“Organizata Paqe Tani” e Izraelit, e cila mbështet një zgjidhje me dy shtete, tha se Kabineti i Sigurisë e kishte marrë vendimin më 11 dhjetor.

“Disa nga vendbanimet janë planifikuar në zona ku Izraeli nuk ka pasur më parë prani, ndërsa të tjerat do të ndërtohen në zona palestineze me popullsi të dendur”, tha arganizata në një njoftim.

Ajo shtoi se disa nga vendbanimet do të ndërtoheshin në Bregun Perëndimor verior, në vendet e vendbanimeve që u evakuuan sipas planit të shkëputjes së vitit 2005 dhe se disa nga vendbanimet e reja do të ngriheshin në vendet nga të cilat ishin dëbuar komunitetet palestineze. //a.i/

The post IZRAEL – Miratohen 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Witkoff takon ndërmjetësuesit për fazën e dytë të planit paqes në Gaza

21 December 2025 at 12:45

FLORIDA, 21 dhjetor /ATSH/- Përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti, Katari dhe Turqia u takuan në Miami të Floridës për të diskutuar hapat e ardhshëm në planin e paqes për Rripin e Gazës, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, sipas “TRT World”.

Takimi u fokusua në vlerësimin e zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes, e cila parashikonte kthimin e pengjeve të gjalla dhe dorëzimin e trupave, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli, si dhe në përgatitjet për nisjen e fazës së dytë të planit

Në një postim në X, Witkoff tha se të gjitha palët kishin rikonfirmuar angazhimin e tyre për të zbatuar planin e paqes prej 20-pikash të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Ne vazhduam diskutimet mbi hapat e ardhshëm për zbatimin gradual të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes për Gazën. Konsultimet e mëtejshme do të vazhdojnë në javët e ardhshme për të avancuar në fazën e dytë”, thuhet në deklaratë.

Katër ndërmjetësuesit dhe garantuesit i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të respektonin angazhimet e tyre dhe të tregonin vetëpërmbajtje.

Faza e dytë e planit kërkon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga territori, krijimin e një autoriteti qeverisës të përkohshëm dhe dislokimin e një force ndërkombëtare.

Ndërkohë, armëpushimi në Gaza mbetet i brishtë, pasi Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje.

“Gjashtë persona u vranë të premten në një sulm izraelit ndaj një shkolle të shndërruar në një strehë për personat e zhvendosur”, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës.

Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi raportoi se të paktën 401 palestinezë ishin vrarë nga sumet izraelite – që kur armëpushimi kishte hyrë në fuqi.

Tre ushtarë izraelitë janë vrarë gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë. //a.i/

The post SHBA – Witkoff takon ndërmjetësuesit për fazën e dytë të planit paqes në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

A po i dëmton inteligjenca artificiale aftësitë tuaja të të menduarit?

21 December 2025 at 11:55

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH/-  Cila ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju? Ndoshta i kërkuat të hartonte një ese, apo një analizë të thellë të të dhënave, sipas BBC.

Disa ekspertë shqetësohen se realizimi i detyrave nga IA-ja do të thotë që truri juaj po punon më pak – dhe madje mund të dëmtojë aftësinë e të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve.

Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) publikoi këtë vit, një studim që tregonte se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese – treguan më pak aktivitet në rrjetet e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv gjatë kryerjes së ushtrimit.

Këta njerëz gjithashtu nuk mund të përshkruanin esetë e tyre aq lehtë sa personat që nuk përdorën një chatbot të inteligjencës artificiale.

Hulumtuesit thanë se studimi tregoi një rënieje të aftësive të të nxënit.

Të gjithë 54 pjesëmarrësit u rekrutuan nga MIT dhe universitetet aty pranë. Aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua duke përdorur elektroencefalografi (EEG), e cila përfshin vendosjen e elektrodave në kokë.

Disa nga kërkesat e pjesëmarrësve përfshinin pyetjen ndaj IA-së për të përmbledhur pyetjet e eseve, për të gjetur burime, si dhe për të përmirësuar gramatikën.

IA-ja u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe artikuluar ide – por disa përdorues menduan se ajo nuk ishte shumë e mirë në këtë.

IA-ja e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve

Universiteti “Carnegie Mellon” dhe “Microsoft” zbuluan se aftësitë e njerëzve për zgjidhjen e problemeve mund të zvogëloheshin nëse ata bëheshin shumë të varur nga IA-ja.

Ata anketuan 319 punonjës të mjekësisë që përdorën mjete IA për punët e tyre të paktën një herë në javë.

Ata shqyrtuan 900 shembuj të detyrave të dhëna për IA-në, duke filluar nga analizimi i të dhënave për njohuri të reja deri te kontrolli nëse puna përmbushte rregulla të caktuara.

Studimi zbuloi se besimi më i lartë në aftësinë e IA-së për të kryer një detyrë lidhej me përpjekje më të vogla të të menduarit të rëndësishëm.

Ndërsa GenAI mund të përmirësojë efikasitetin e punonjësve, ai mund të pengojë angazhimin e rëndësishëm. me punën dhe potencialisht mund të çojë në mbështetje të tepruar afatgjatë në inteligjencën artificiale dhe aftësi të reduktuar për zgjidhjen e pavarur të problemeve.

Nxënësit e shkollave në Britaninë e Madhe u anketuan në mënyrë të ngjashme për një studim të botuar në tetor nga “Oxford University Press” (OUP).

Ai zbuloi se gjashtë në 10 nxënës mendonin se IA-ja kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me punën shkollore.

Pra, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a rrezikojnë të dobësohen aftësitë tona njohëse?

“Jo domosdoshmërisht”, tha Dr. Alexandra Tomescu, një specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP e cila punoi në anketën shkollore.

“Hulumtimi ynë na tregon se nëntë në 10 studentë thonë se IA-ja i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me detyrat shkollore – qoftë zgjidhja e problemeve, kreativiteti apo rishikimi.

“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i IA-së ua bëri shumë të lehtë kryerjen e punës”, shtoi ajo.

ChatGPT, e cila ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë javorë – sipas shefit Sam Altman, ka publikuar një set prej 100 pyetjesh për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.

Por, Prof. Wayne Holmes, i cili kryen studime të rëndësishme të inteligjencës artificiale dhe arsimit në |University College London” (UCL), tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Duhet të bëhen shumë më tepër kërkime akademike rreth efekteve të mjeteve të IA-së në të nxënë – përpara se nxënësit dhe studentët të nxiten për t’i përdorur ato”, tha ai.

“Sot nuk ka prova të pavarura në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, ose për sigurinë e tyre, apo edhe për idenë se ato kanë një ndikim pozitiv”, tha Holmes.

Prof. Holmes theksoi hulumtimin rreth atrofisë konjitive, ku aftësitë dhe shkathtësitë e dikujt përkeqësohen pas përdorimit të inteligjencës artificiale.

“Ky ka qenë një problem për radiologët që përdorin mjete të inteligjencës artificiale për t’i ndihmuar të interpretojnë rrezet X para se të diagnostikojnë pacientët”, tha ai.

Një studim nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e inteligjencës artificiale përmirësoi performancën e disa klinicistëve, por dëmtoi të tjerët për arsye që studiuesit nuk i kuptojnë plotësisht.

Prof. Holmes ka frikë se studentët, qofshin në shkollë apo universitet, mund të bëhen shumë të varur nga inteligjenca artificiale duke mos zhvilluar aftësitë themelore që ofron një arsim. //a.i/

 

 

 

The post A po i dëmton inteligjenca artificiale aftësitë tuaja të të menduarit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Kate Winslet: Fama pas “Titanic” dhe përballja me presionin e medias

21 December 2025 at 11:24

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH/- Kate Winslet ka folur për mënyrën se si u përball me raportimet dhe ndërhyrjet “e tmerrshme” të medias, pasi u bë e famshme si Rose në filmin epik “Titanic” me regji të James Cameron në vitin 1997, sipas BBC.

Aktorja dhe regjisorja e njohur britanike tha se ndiqej nga paparacët dhe se telefoni i përgjohej, madje njerëzit kontrollonin në kazanët e saj të plehrave dhe pyesnin dyqanet lokale se çfarë ushqimesh blinte për të kuptuar nëse mbante dietë apo jo.

Disa vite më vonë, ajo tërhoqi sërish vëmendjen e medias pas ndarjes nga bashkëshorti.

Winslet tha se mënyrat për t’u përballur me ndërhyrjet e medias ishin “një vakt i mirë, një bisedë e ngrohtë, një filxhan kafe e mirë dhe pak muzikë nga “Radiohead”.

“Jeta është shumë më e mirë nëse i bëni këto”, tha ajo.

“Ndërsa xhiroja filmin “Titanic” në të 20-at e mia të hershme, nuk isha në një gjendje, kryesisht të mirë mendore, me trupin tim”, tha ajo.

“Edhe pse përvoja e realizimit të filmit ishte e pabesueshme, bota ime u kthye plotësisht përmbys sapo “Titanic” u shfaq në kinema. Nuk isha gati për atë botë”, tha Winslet.

“Kam marrë komente negative për pamjen time që në moshë të re, kujtoj nofkën  “balenë” nga bashkëmoshatarët e mi në shkollën fillore, dhe më vonë kur një mësues i dramës më tha do të më duhej të pranoja vetëm rolet e vajzave të shëndosha nëse doja të bëhesha aktore”, tha sjo.

Nga mosha 15 deri në 19 vjeç, Winslet tha se ka mbajtur herë pas here dietë.

“Ishte vërtet e pashëndetshme”, tha ajo.

Sapo u lançua filmi “Titanic”, ajo filloi ta shihte veten në kopertinën e gazetave dhe revistave.

“Ishte e tmerrshme. Kishte njerëz që më përgjonin telefonin. Ishin kudo. Dhe unë isha vetëm. Isha e tmerruar ndërsa flija”, tha ajo.

Mbështetja nga miqtë dhe personat që ishin afër saj – ishte mënyra se si ajo e përballoi periudhën e vështirë atëherë.

Duke folur më tej rreth portretizimit të saj në media në atë kohë, Winslet kujtoi se si imazhet e saj në kopertinat e revistave u modifikuan pa dijeninë e saj – diçka për të cilën ajo foli gjithashtu në fillim të viteve 2000.

Duke parë këto lloj imazhesh mendova: “Nuk dukem kështu. Barku im nuk është i sheshtë. Këmbët e mia nuk janë aq të gjata, gjoksi im nuk është aq i madh. Krahët e mi nuk janë aq të tonifikuar. Çfarë dreqin po ndodh?”.

“Nuk doja që asnjë grua e re, qoftë edhe vetëm një, ta shihte atë imazh dhe të mendonte: ‘O Zot, dua të dukem kështu. Nuk isha unë ajo”, tha Winslet.

Winslet foli gjithashtu për titujt që u botuan pasi doli se ajo ishte gati të divorcohej nga bashkëshorti i saj i dytë, regjisori i filmave Sam Mendes, në vitin 2010.

“Më ndiqnin paparacët në Nji Jork me dy fëmijët e mi të vegjël, të cilët donin të dinin arsyen pse unë dhe Sam ishim ndarë”, tha ajo.

“Thjesht e mban gojën mbyllur, ul kokën dhe vazhdon të ecësh. Dhe përpiqesh t’i vësh duart mbi veshët e fëmijëve të tu. Mbështetesh te miqtë e tu, thjesht vazhdon”, tha Winslet e pyetur se si e përballoi atë kohë.

Lidhur me debutimin e saj si regjisore në filmin “Goodbye June”, të shkruar nga djali i saj, Joe Anders, ajo tha se kishte dëgjuar një numër gjërash që nuk do t’i thuheshin kurrë një regjisori (burrë). //a.i/

 

 

The post KINEMA – Kate Winslet: Fama pas “Titanic” dhe përballja me presionin e medias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjurmët më të hershme kimike të jetës në Tokë zbulohen në shkëmbin 3,3 miliardë vjeçar

21 December 2025 at 08:55

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/- Shkencëtarët kanë zbuluar “jehona” kimike 3,3 miliardë vjeçare të jetës së lashtë, sipas “ScienceAlert”.

“Jehonat kimike” në Shkencën Mjedisore i referohen pranisë së vazhdueshme dhe të dallueshme të substancave sintetike ose antropogjene në një mjedis shumë kohë pasi lirimi ose përdorimi i tyre fillestar ka ndaluar.

Karboni i fosilizuar i ruajtur në shkëmbin 3,33 miliardë vjeçar “Josefsdal Chert”, në Afrikën e Jugut ka dhënë provat kimike më të hershme dhe më të sigurta të jetës – të zbuluara deri më tani në Tokë.

Duke përdorur të dhënat nga piroliza-kromatografia e gazit-spektrometria masive (Py-GC-MS), studiuesit identifikuan modele delikate dhe karakteristike të fragmenteve organike që dallojnë karbonin e prodhuar biologjikisht nga materiali jo-biologjik.

I trajtuar në 406 mostra që përfshijnë organizma modernë, fosile të reja, stromatolite dhe karbon të lashtë të ndryshuar – algoritmi arriti saktësinë mbi 90% – në identifikimin e nënshkrimeve biotike, edhe kur fosilet e dukshme mungonin ose degradimi ishte ekstrem.

Kjo tregon se jeta e lashtë mund të lërë pas “jehona kimike” të qëndrueshme që vazhdojnë shumë kohë pasi strukturat fosile konvencionale janë fshirë.

Studimi, gjithashtu zbuloi prova më të hershme të forta të fotosintezës, duke gjetur sinjale biotike në shkëmbinj 2,52 dhe 2,3 miliardë vjeçarë nga Afrika e Jugut dhe Kanadaja, përkatësisht, duke zgjatur afatin kohor të dokumentuar të këtij metabolizmi me më shumë se 800 milionë vjet.

Ndërsa ende nuk është në gjendje të konfirmohet jeta në mostra edhe më të vjetra – siç janë karboni i Groenlandës 3,7 miliardë vjeçar dhe stromatolitet australiane 3,5 miliardë vjeçare – puna tregon se jeta ishte shfaqur në Tokë 3,33 miliardë vjet më parë dhe se gjurma e saj biokimike mund të deshifrohet përmes mjeteve moderne të inteligjencës artificiale.

Duke kombinuar analizën kimike të avancuar me të mësuarit automatik, shkencëtarët po përdorin një mënyrë të re për të lexuar “fantazmat molekulare” te shkëmbinjtë më të vjetër të Tokës, me ndikime jo vetëm për jetën e hershme në planetin tonë, por edhe për zbulimin e jetës së kaluar në botë të tjera.//a.i/

The post Gjurmët më të hershme kimike të jetës në Tokë zbulohen në shkëmbin 3,3 miliardë vjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkencëtarët krijojnë “nanopika” nazale që zhdukin plotësisht tumoret e trurit

21 December 2025 at 08:14

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/- Studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Saint Louis, në bashkëpunim me Universitetin Northwestern, kanë zhvilluar një terapi jo-invazive të bazuar në nanoteknologji – që zhduku tumoret e glioblastomës te minjtë – duke përdorur pika të thjeshta nazale, sipas “ScienceDaily”.

Gjatë trajtimit u përdorën acide nukleike sferike – bërthama nanopjesëzash ari të veshura me fije të shkurtra ADN-je, të dizajnuara për të aktivizuar rrugën imune cGAS-STING brenda trurit.

Vargu “cGAS” i referohet rrugës së sinjalizimit cGAS-STING, një komponent thelbësor i sistemit imunitar të lindur.

Kjo rrugë vepron si sensori kryesor i trupit për zbulimin e ADN-së me dy fije të huaja ose të vendosura gabimisht (dsDNA) brenda citoplazmës së qelizës, gjë që në përgjithësi tregon një infeksion (viral ose bakterial) ose dëmtim qelizor.

Të administruara intranazalisht, këto “nanopika” udhëtojnë përgjatë rrugëve nervore nga zgavra e hundës në tru, duke anashkaluar barrierën gjak-tru pa ndërhyrje kirurgjikale.

Gjatë testimit te minjtë, nanoterapia i shndërroi me sukses këto tumore tipike “të ftohta” – që zakonisht i shmangen zbulimit imunitar – në tumore “të nxehta”, që i përgjigjen imunitetit, duke shkaktuar një sulm imunitar lokal të fokusuar – me përhapje minimale në pjesën tjetër të trupit.

Për të rritur efektin anti-tumor, studiuesit kombinuan nanopikat që aktivizojnë STING me barna që rrisin aktivitetin e Qelizave T.

Qelizat T janë qelizat e bardha të gjakut të quajtura limfocite.

Ky kombinim me dy doza eliminoi tumoret e trurit te minjtë dhe gjeneroi memorie imunitare afatgjatë – që parandaloi përsëritjen e tumorit.

Ekipi tani po eksploron mënyra për të integruar karakteristika shtesë aktivizuese imunitare në nanostruktura, në mënyrë që objektiva të shumëfishta të imunoterapisë të mund të adresohen në një trajtim të vetëm, jo-invaziv.

Ndërsa gjetjet janë ende paraklinike, ato shënojnë një hap të rëndësishëm drejt imunoterapive më të sigurta dhe më efektive për glioblastomën dhe potencialisht kanceret e tjera që i rezistojnë trajtimeve aktuale të bazuara në imunitet. //a.i/

The post Shkencëtarët krijojnë “nanopika” nazale që zhdukin plotësisht tumoret e trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

POLONI – Zelensky dhe Nawrocki tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike

19 December 2025 at 15:20

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u prit sot nga homologu i tij polak, Karol Nawrocki, në Pallatin Presidencial në Varshavë, sipas AP.

Vizita e Zelensky synon të sigurojë që marrëdhëniet me aleatin kryesor, Poloninë të mbeten të qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në pushtet, në Varshavë.

Duke folur gjatë një konference për shtyp të premten, Nawrocki sinjalizoi se ishte i kënaqur me vizitën e Zelensky.

“Në çështjet strategjike, bashkëpunimi ynë në fushën e çështjeve të sigurisë, Polonia, Ukraina, vendet e rajonit, vendet me vlera demokratike janë së bashku dhe kjo nuk ka qenë kurrë në dyshim”, tha Nawrocki.

Nawrocki tha se Polonia kishte mbështetur përpjekjet për të transferuar asetet e ngrira ruse në Ukrainë, si dhe sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe veprime kundër “flotës hije”.

Zelensky tha se Ukraina ishte e gatshme të ndante ekspertizën e saj në mbrojtjen nga dronët dhe mirëpriti bizneset polake të merrnin pjesë në rindërtimin e Ukrainës.

Qeveria aktuale e Polonisë është një mbështetëse e fortë e Ukrainës, me kryeministrin Donald Tusk që vepron si një nga mbrojtësit më të vendosur të Kievit në forumet ndërkombëtare.

Por, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale tregojnë se partia e mëparshme nacionaliste në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi”, mund të kthehet në pushtet në vitin 2027.

Duke mbrojtur qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Nawrocki tha se priste që Zelensky të shprehte mirënjohje për ndihmën e rëndësishme ushtarake dhe humanitare që Polonia i kishte ofruar Ukrainës.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht simetri në marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës”, tha ai në fillim të dhjetorit.

Nawrocki tha se pranimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk mund të ishte pa kushte dhe se Polonia po shpenzonte shumë burime për refugjatët ukrainas në kurriz të polakëve. //a.i/

 

The post POLONI – Zelensky dhe Nawrocki tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina merr trupat e mbi 1000 ushtarëve nga Rusia

19 December 2025 at 14:06

MOSKË/ KIEV, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë trupat e 1003 ushtarëve nga Rusia, njoftoi sot Shtabi Koordinues Ukrainas për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës dhe kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky.

“Pala ruse mori në këmbim eshtrat e 26 ushtarëve rusë”, tha Medinsky.

Zyra për të burgosurit e luftës në Kiev falënderoi Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për mbështetjen e tij.

Pavarësisht luftimeve të vazhdueshme, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer rregullisht trupat e ushtarëve. Sot ishte shkëmbimi i 16-të i këtij lloji vetëm këtë vit.

Kievi ka marrë tashmë eshtrat e më shumë se 15 000 ushtarëve. //a.i/

 

The post KIEV – Ukraina merr trupat e mbi 1000 ushtarëve nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjermania miraton ligjin historik për shërbimin ushtarak

19 December 2025 at 13:55

BERLIN, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Ligji i ri gjerman për shërbimin ushtarak do të hyjë në fuqi më 1 janar, pasi u miratua sot nga Dhoma e Lartë e parlamentit, Bundesrat.

Projektligji parashikon që të rinjtë t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe të regjistrohen në një listë për shërbim ushtarak, ndërsa shërbimi aktiv mbetet vullnetar.

Sipas legjislacionit, parlamenti mund të vendosë për futjen e rekrutimit të detyrueshëm nëse objektivat për zgjerimin e forcave të armatosura nuk arrihen vetëm përmes masave vullnetare.

Qëllimi i ligjit është të rrisë numrin e ushtarëve në Forcat e Armatosura Gjermane ose Bundeswehr nga 184 000 që janë aktualisht në 255 000 dhe 270 000 deri në vitin 2035.

Nga viti i ardhshëm e tutje, të gjithë të rinjtë dhe të rejat e lindura në vitin 2008 ose më vonë do të marrin një pyetësor personal që pyet për motivimin e tyre për të ndërmarrë shërbim ushtarak.

Burrat e kanë të detyrushme t’i përgjigjen këtij pyetësori, pasi kushtetuta gjermane nuk parashikon shërbim ushtarak të detyrueshëm për gratë.

Për të gjithë burrat e lindur më 1 janar 2008 ose më pas, ekzaminimi mjekësor do të jetë i detyrueshëm. //a.i/

The post FOKUS – Gjermania miraton ligjin historik për shërbimin ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska i bën thirrje SHBA-së për vetëpërmbajtje në konfliktin me Venezuelën

19 December 2025 at 13:41

MOSKË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Rusia i bëri thirrje dje në mbrëmje, administratës Trump për vetëpërmbajtje në konfliktin me Venezuelën, duke i thënë asaj të mos bënte gabime që mund të ishin fatale, sipas “TRT World”.

Moska, gjithashtu tha se ishte në “kontakt të vazhdueshëm” me aleatin e saj, Maduro.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi këtë javë bllokimin e cisternave të naftës të sanksionuara në Venezuelë, duke shënuar një përshkallëzim të ri midis Uashingtonit dhe vendit të Amerikës së Jugut të udhëhequr nga Nicolas Maduro.

Venezuela ka këmbëngulur se eksportet e saj të naftës bruto nuk do te prekeshin nga njoftimi, duke treguar sfidë.

Maduro është një mik i Kremlinit dhe ka qenë një mysafir i rregullt në Moskë për vite me radhë.

Ministria e Jashtme ruse tha se shpresonte që Shtëpia e Bardhë të shmangte “një gabim fatal” dhe të përmbahej nga përshkallëzimi i konfliktit – në një situatë që kërcënon me pasoja të paparashikueshme për të gjithë Hemisferën Perëndimore.

Ajo bëri thirrje për një shmangien e përshkallëzimit dhe shprehu mbështetje për qeverinë e Maduro.

Kremlini tha se ishte në “kontakt të vazhdueshëm” me vendin aleat dhe partner, Venezuelën.

“Sigurisht, ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rajonit të tregojnë vetëpërmbajtje për të shmangur çdo zhvillim të paparashikueshëm të situatës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Nuk është e qartë se si do të zhvillohet bllokada, pas dislokimit të anijeve luftarake amerikane në Karaibe.

Në njoftimin e tij, këtë javë, Trump tha gjithashtu se Venezuela ishte e rrethuar plotësisht nga Armata më e madhe e mbledhur ndonjëherë në Historinë e Amerikës së Jugut – duke ngritur frikën e një ndërhyrjeje të mundshme të SHBA-së.

Udhëheqësi rus, Vladimir Putin rikonfirmoi mbështetjen e tij për Maduro në një bisedë telefonike, këtë muaj. //a.i/

The post RUSI – Moska i bën thirrje SHBA-së për vetëpërmbajtje në konfliktin me Venezuelën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB: Milicia vrau mbi 1000 civilë në Sudan brenda tre ditësh

19 December 2025 at 13:39

GJENEVE, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Milicia e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), e cila ka luftuar kundër trupave qeveritare në Sudan për dy vjet e gjysmë, vrau më shumë se 1 000 civilë gjatë një ofensive treditore në prill, sipas një raporti të OKB-së.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) tha në raport se kishte dokumentuar vrasjen e të paktën 1013 civilëve në kontekstin e ofensivës së RSF-së në kampin e personave të zhvendosur brenda vendit, “Zamzam” midis 11-13 prillit.

OHCHR tha se më shumë se 400,000 banorë të kampit u zhvendosën gjithashtu gjatë ofensivës treditore.

RSF sulmoi dhe shkatërroi kampin e refugjatëve “Zamzam” pranë El Fasher në prill.

Në atë kohë, disa qindra mijëra njerëz jetonin në atë që ishte kampi më i madh i refugjatëve në Darfurin e Veriut.

RSF nisi sulme ndaj objektivave ushtarake dhe civile në prill 2023 pasi i rezistoi integrimit në ushtri.

Lufta brutale për pushtet ka krijuar atë që OKB-ja e përshkruan si kriza më e madhe humanitare në botë.

Sipas shifrave të OKB-së, luftimet kanë zhvendosur rreth 12 milionë njerëz në vend, ndërsa çdo banor i dytë kërcënohet nga uria.

Në të njëjtën kohë, situata e rëndë në Sudan po merr shumë më pak vëmendje ndërkombëtare sesa, situata në Rripin e Gazës.

Raporti i OHCHR-së rendit vrasjet, përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale, torturat dhe rrëmbimet gjatë ofensivës treditore në kamp. //a.i/

The post GJENEVË – OKB: Milicia vrau mbi 1000 civilë në Sudan brenda tre ditësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Ndryshohen rregullat për blerjen e armëve, pas sulmit terrorist në Bondi Beach

19 December 2025 at 11:41

KANBERRA, 19 dhjetor /ATSH/- Australia do të nisë zbatimin e një skeme të rreptë kombëtare për blerjen e armëve, pas të shtënave masive në Sidnej, tha sot kyeministri australian, Anthony Albanese gjatë një konference për shtyp, sipas “NBC News”.

Vendimi erdhi pas masakrës në vitin 1996 në Port Arthur të Tasmanisë – ku një person i vetëm i armatosur – vrau 35 persona, gjë që i shtyu autoritetet të zbatojnë disa nga ligjet më të ashpra për armët, në botë.

Në përgjigje, kabineti australian ka vendosur të shtrëngojë rregulloret për armët.

Masat përfshijnë rregulla më të ashpra për blerjen e armëve të tepërta, vendosjen e kufizimeve në numrin e armëve që një individ mund të zotërojë, rregulla më të rrepta licensimi dhe kufizimin e llojeve të armëve të lejuara.

Një projekt për një regjistër kombëtar të armëve do të vihet së shpejti në zbatim, ndërsa rregullatorët do të kenë akses më të madh në informacionin kriminal.

Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të dielën në Bondi, pasi dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj njerëzve që festonin Hanukkah, festivalin hebraik të dritave.

Një person i armatosur 50-vjeçar, i cili u vra në vendngjarje, mbante një leje për armë zjarri dhe kishte gjashtë armë të regjistruara, duke tërhequr kritika se ligjet e armëve në Australi kishin nevojë për një rishikim.

“Rreth katër milionë armë zjarri janë aktualisht në vend”, tha Albanese.

“Qeveria do të synojë armët e zjarrit, të ndaluara rishtazi dhe të paligjshme, me kostot që do të ndahen midis qeverive federale dhe shtetërore”, tha ai.

Pas masakrës në Port Arthur, Australia njoftoi një skemë të re për blerjen e armëve dhe siguroi dorëzimin e rreth 640,000 armëve të zjarrit të ndaluara në të gjithë vendin.

Kostoja totale e kompensimit për pronarët ishte rreth 201 milionë dollarë.

Zelanda e Re fqinje njoftoi reforma të gjera për armët, duke përfshirë skemat e blerjes së armëve, pas sulmit terrorist në Christchurch në vitin 2019.

Albanese – nën presionin e kritikëve – që thonë se qeveria e tij e qendrës së majtë nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar rritjen e antisemitizmit – që nga fillimi i luftës në Gaza, tha se qeveria do të forconte gjithashtu ligjet e gjuhes së urrejtjes.

Qeveria tha se ka denoncuar vazhdimisht antisemitizmin gjatë dy viteve të fundit dhe ka miratuar legjislacionin për të kriminalizuar gjuhën e urrejtjes.

Ajo dëboi ambasadorin iranian pasi akuzoi Teheranin për drejtimin e dy sulmeve zjarrvënëse antisemite.

Autoritetet kanë thënë se të shtënat e së dielës duket se janë frymëzuar nga Shteti Islamik dhe policia ka rritur patrullat në një përpjekje për të parandaluar dhunën e mëtejshme. //a.i/

The post AUSTRALI – Ndryshohen rregullat për blerjen e armëve, pas sulmit terrorist në Bondi Beach appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Rutte: NATO po harton garanci sigurie për të penguar sulmet ruse pas çdo marrëveshjeje paqeje në Ukrainë

19 December 2025 at 11:20

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH/- NATO po harton garanci sigurie për të penguar sulmet ruse në Ukrainë pas çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, duke paralajmëruar se Moska nuk duhet të ketë asnjë dyshim se çdo sulm i ripërtërirë do të shkaktonte një përgjigje “shkatërruese”, sipas “NATO News”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Poloni me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, Rutte tha se çështja e sigurisë së Ukrainës shkonte përtej përpjekjes së vazhdueshme për paqe dhe mbetej kryesore për strategjinë afatgjatë të NATO-s.

“Presidenti rus Vladimir Putin duhet ta dijë se pas një marrëveshjeje paqeje, nëse ai do të përpiqet të sulmojë sërish Ukrainën, përgjigja do të jetë shkatërruese dhe kjo është pikërisht mënyra se si po i hartojmë këto garanci sigurie”, tha ai.

Rutte përsëriti angazhimin politik të NATO-s për të ardhmen euroatlantike të Ukrainës, duke kujtuar se aleatët kishin rënë dakord në Samitin e Uashingtonit të vitit 2024 mbi “rrugën e pakthyeshme” të Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO.

Megjithatë, ai pranoi se, në terma praktikë, unanimiteti midis aleatëve, aktualisht mungonte.

“Duke pasur parasysh këto kufizime, aleatët po përqendrohen në garanci alternative për të penguar sulmet e ardhshme ruse, nëse anëtarësimi në NATO nuk ishte i realizueshëm pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje”, tha Rutte.

Ai përshkroi një arkitekturë sigurie me tre shtresa, duke filluar me forcat e armatosura të Ukrainës si vija e parë e mbrojtjes.

Shtresa e dytë do të përfshinte mbështetje nga “koalicioni i të vullnetshmëve”, i udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, me vendet evropiane dhe Kanadanë që kontribuojnë në ruajtjen e paqes.

Shtresa e tretë do të përfshinte SHBA-në, pasi presidenti Donald Trump sinjalizoi gatishmërinë e Uashingtonit për të qenë pjesë e garancive, me diskutime që vazhdojnë mbi formën e saktë të përfshirjes amerikane.

Rutte vlerësoi aftësitë ushtarake të Polonisë që po zgjerohen me shpejtësi, duke theksuar shpenzimet e mbrojtjes që tejkalojnë 4,5% të PBB-së, planet për të rritur numrin e trupave në 300 000 deri në vitin 2035 dhe dorëzimin e pritur të avionëve luftarakë F-35 duke filluar vitin e ardhshëm.

Kosiniak-Kamysz, duke e quajtur ditën “historike” për Poloninë dhe aleancën transatlantike, njoftoi se sistemi polak i mbrojtjes ajrore dhe raketore “Patriot” kishte arritur gatishmërinë e plotë luftarake. //a.i/

The post POLONI – Rutte: NATO po harton garanci sigurie për të penguar sulmet ruse pas çdo marrëveshjeje paqeje në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BULLGARI – Mijëra protestues kundër korrupsionit, thirrje për zgjedhje të ndershme

19 December 2025 at 10:58

SOFJE, 19 dhjetor /ATSH/- Dhjetëra mijëra njerëz mbushën dje rrugët e kryeqytetit të Bullgarisë dhe qyteteve të tjera të mëdha në vend, duke kërkuar zgjedhje të ndershme dhe një gjyqësor të pavarur – të aftë për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin e përhapur, sipas AP.

Demonstratat në Sofje dhe qytetet e tjera erdhën pas protestave të javës së kaluar – të nxitura nga planet buxhetore të qeverisë për taksa më të larta dhe rritje të shpenzimeve.

Qeveria më vonë tërhoqi planin e diskutueshëm të buxhetit të vitit 2026, por përfundimisht iu përul kërkesave të popullit dhe dha dorëheqjen.

Zhvillimet e fundit po e lënë vendin anëtar të Bashkimit Evropian pa buxhet për vitin e ardhshëm dhe pa një qeveri të rregullt, pak kohë përpara se Bullgaria të jetë gati të bashkohet me eurozonën.

Tani, presidenti Rumen Radev pritet të emërojë një qeveri të përkohshme dhe të caktojë datën për votimin e ardhshëm të parakohshëm – të tetat që nga viti 2021.

Njerëzit këmbëngulën dje për zgjedhje të ndershme dhe të lira – në vend të zgjedhjeve të kompromentuara nga manipulimi i votave, blerja e votave dhe falsifikimi i rezultateve të zgjedhjeve si në fushatën e mëparshme.

Në thelb të frustrimit të protestuesve është roli i politikanit dhe oligarkut bullgar Delyan Peevski, i cili është sanksionuar si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe nga Britania e Madhe dhe partia e të cilit “MRF New Beginning” mbështeti koalicionin në largim të udhëhequr nga partia GERB e ish-kryeministrit Boyko Borissov.

Vendi ballkanik me 6,4 milionë banorë do të bëjë kalimin nga monedha e tij kombëtare, leva, në euro më 1 janar, për t’u bërë anëtari i 21-të i eurozonës.

Bullgaria u bashkua me BE-në në vitin 2007. //a.i/

The post BULLGARI – Mijëra protestues kundër korrupsionit, thirrje për zgjedhje të ndershme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌