Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vizituar sot qytetin e Gjilanit, ku paraditen e kaloi në takime me qytetarë në Tregun e Gjelbër.
Ismaili tha se gjatë bisedave me qytetarët, shqetësimi kryesor i tyre lidhet me rritjen e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike dhe çmimet e larta të produkteve bazike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për shumë familje, veçanërisht në këtë periudhë dimri.
Ai theksoi se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza ofron zgjidhje konkrete për këtë situatë.
“Me programin e Bedri Hamzës, do ta heqim TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike dhe nga produktet esenciale, në mënyrë që qytetarët të paguajnë më pak për rrymën dhe për gjërat bazike të përditshme”, tha Ismaili.
Sipas tij, këto masa synojnë uljen e kostos së jetesës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, duke i bërë ekonomitë familjare më të qëndrueshme.
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kujtuar 25-vjetorin e angazhimit të tij politik në këtë subjekt, duke theksuar bashkëpunimin e gjatë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Lekaj, i cili garon me numrin 7-të në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, ka kujtuar 25-vjetorin me një përshkrim interesant në foto, duke ndarë numrin 25 në mënyrë matematikore për të simbolizuar numrin me të cilin garon si kandidat për deputet.
“25 vite krah kryetarit Ramush Haradinaj. 25 vite Aleancë,” ka shkruar Lekaj në një postim në Facebook, duke nënvizuar vazhdimësinë dhe përkushtimin e tij ndaj partisë dhe lidershipit të saj.
Lekaj, i cili edhe më herët ka mbajtur funksione qeveritare dhe partiake, aktualisht është kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa AAK po zhvillon aktivitetet e saj zgjedhore në prag të procesit elektoral. /Telegrafi/
Inxhinieri i ndërtimtarisë dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Gega, ka kritikuar ashpër qeveritë e deritanishme, veçanërisht qeverinë e fundit, për neglizhencë të thellë ndaj menaxhimit të ujërave të zeza dhe ndotjes së lumenjve në Kosovë.
Në Podcast me Shkelzen Dakaj, Gega ka theksuar se një nga gabimet më të mëdha strategjike ka qenë varësia e plotë nga fondet dhe organizatat e huaja për trajtimin e ujërave të zeza.
“Një gabim që e kanë bërë qeveritë më herët është që trajtimin e ujërave të zeza në impiante ia kanë lënë organizatave të huaja. Tash presin fonde që janë të bllokuara nga sanksionet apo nga rrethana të tjera. Në këtë pikë, ne nuk duhet domosdoshmërisht me pritë ndihmë – kjo nuk është çështje ndihme, kjo është emergjencë”, ka deklaruar ai.
Gega ka theksuar se aktualisht në shumë zona të Kosovës, kanalizimi i ujërave të zeza dhe atyre atmosferike derdhet në të njëjtin sistem, duke shkaktuar ndotje të rëndë të lumenjve.
“Është për keqardhje që kanalizimi i ujërave të zeza dhe ai atmosferik derdhen në një vend. Kjo është ndotje tepër e madhe e lumenjve dhe ndikon drejtpërdrejt edhe në ujitjen e fushave, sepse nuk mundesh me ujit tokën bujqësore nga një lumë ku derdhen preparate kimike”, ka theksuar ai.
Ai ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë Kurti për mungesë totale të vëmendjes ndaj kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Infokus.
“Kësaj teme shumë pak, e sidomos në qeverinë e fundit fare, nuk i është kushtuar asnjë rëndësi. A e mban mend dikush kur janë pastruar për herë të fundit liqeni i Batllavës apo ai i Badovcit? Është për keqardhje sa bërllok dhe sa shishe plastike ka aty, e askush nuk merret me këtë punë”, ka deklaruar Gega.
Sipas tij, Kosova ka kapacitete profesionale, por ato nuk po shfrytëzohen.
“Tash për fat kemi edhe inxhinierë ambientalistë, gjeneratat e para që kanë dalë në tregun e punës, por askush nuk po e vlerëson profesionalizmin e tyre”, ka shtuar ai.
Gega ka theksuar se mungesa e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në lumenjtë kryesorë është pasojë direkte e politikave të gabuara qeveritare.
“I ke lumenjtë e mëdhenj – Lumbardhin e Prizrenit, të Pejës, Toplluhën, të Suharekës – dhe nuk ka impiante për me i ndarë kanalizimet. Nuk është e thënë që çdo fshat me pasë impiant, por mundet me u ndërtu një impiant i madh që e pastron ujin para se të derdhet në Drin. Kësaj nuk i është ushtruar rëndësi fare”, ka theksuar ai.
Në përfundim, Gega ka paralajmëruar se situata me ndotjen e ujërave është jashtëzakonisht alarmante.
“Pastrimi dhe mirëmbajtja e lumenjve është emergjencë. Ndotja është jashtëzakonisht e madhe dhe pasojat po i paguajnë qytetarët çdo ditë”, ka përfunduar ai.
Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjakovës organizoi një aktivitet të veçantë për fëmijët nën përkujdesjen e familjeve strehuese, ku 8 fëmijë morën dhurata simbolike, duke përjetuar gëzim dhe vëmendje nga komuniteti.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, së bashku me zyrtarë të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, uroi fëmijët dhe familjet e tyre për festat e fundvitit. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për këto familje:
“Familjet strehuese luajnë një rol të veçantë dhe ofrojnë kontribut të pazëvendësueshëm në jetën dhe mirëqenien e fëmijëve. Është detyrë jonë të jemi gjithmonë pranë tyre, veçanërisht në ditët festive”, u shpreh Gjini.
Ky aktivitet synon të forcojë solidaritetin dhe të përkujdeset për fëmijët që jetojnë nën kujdesin e komunitetit, duke krijuar një atmosferë festive dhe të ngrohtë për ta. /Telegrafi/
Blloku B1 i Termocentralit Kosova B ka dalë jashtë funksionit që nga mëngjesi i së mërkurës, sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit për Energji Elektrike (ENTSO-e).
Të dhënat tregojnë se gjatë mëngjesit kanë qenë në operim blloqet A3, A4, A5 dhe B2, ndërsa B1 nuk ka prodhuar energji. Një ditë më parë, ky bllok kishte kapacitet prodhues mbi 200 megavat për orë, shkruan Telegrafi.
Foto: entsoe.eu/Prsc
Rënia e B1 ndodh në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar kursime dhe reduktime të energjisë për shkak të mbingarkesës së sistemit.
Kandidati për deputet nga LDK-ja, Janina Ymeri, ka reaguar në Facebook: “Bjen Blloku B1 prapë. Ditë me fat dhe festë për Vuk Hamovic, Martin Berishaj, biznese greke, etj përveç neve, që paguajmë”.
Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e KEK-ut, Skender Bucolli, por deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/
Kosova ka shënuar përparim në Indeksin e Pasaportave Henley, një renditje ndërkombëtare që mat fuqinë e pasaportave, duke u renditur tani në vendin e 62-të globalisht.
Sipas këtij indeksi, qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë pa vizë në 81 vende të botës, shkruan Telegrafi.
Ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2024, kur pasaporta kosovare ishte në vendin e 68-të, derisa matjet e fundit janë kryer më 10 dhjetor.
Foto: henleyglobal.com
Rritja reflekton përpjekjet diplomatike të Kosovës dhe avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare që lehtësojnë lëvizshmërinë e qytetarëve.
Në rajon, Kroacia vazhdon të mbetet lider, duke zënë vendin e shtatë me 184 vende të aksesueshme pa vizë, në të njëjtin nivel me vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Singapori vazhdon të kryesojë listën me 193 vende, duke ruajtur pozitën e tij si pasaporta më e fuqishme në botë, falë lidhjeve të forta diplomatike dhe fuqisë ekonomike.
Ky përparim i pasaportës kosovare konsiderohet një lajm i mirë për qytetarët, duke i mundësuar udhëtime më të lehta dhe zhvillim të mundësive të reja për biznes, arsim dhe turizëm. /Telegrafi/
KRU “Gjakova” njofton konsumatorët se për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, disa zona janë përballur me mungesa të furnizimit me ujë.
Sistemi i ujësjellësit në këto zona funksionon me pompa elektrike, të cilat aktualisht nuk mund të operojnë për shkak të tensionit të ulët ose ndërprerjeve të përsëritura të energjisë.
“Sapo energjia elektrike të stabilizohet, furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve të prekur për këtë situatë të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e KRU-së.
Aktualisht, janë të prekur Zona 3 – Rahovec, si dhe fshatrat Polluzhë dhe Pastasel. KRU “Gjakova” po monitoron situatën dhe apelon për kujdes në përdorimin e ujit deri në normalizimin e furnizimit.
Ky paralajmërim vjen në një periudhë kur ndërprerjet e energjisë elektrike në Rahovec po ndodhin 3–4 herë në ditë, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e pompave dhe stabilitetin e sistemit të ujësjellësit. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se roli dhe ndikimi i mërgatës së kësaj partie po nënvlerësohet nga kundërshtarët politikë, duke theksuar se diaspora ka qenë dhe mbetet mbështetëse e rëndësishme e LDK-së.
Në një paraqitje në emisionin “Pressing” në televizionin T7, Abdixhiku u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Mërgata është e mirëseardhur për të votuar më 28 dhjetor”, u shpreh ai.
Sipas tij, pretendimet për ndikim të vogël të votës së diasporës në favor të LDK-së nuk qëndrojnë.
“E kanë nënvlerësuar mërgatën e LDK-së”, tha Abdixhiku, duke rikujtuar se edhe në zgjedhjet e fundit lokale, votat e diasporës kanë qenë kryesisht për këtë parti.
Ai theksoi se mbështetja e mërgatës po reflektohet edhe në terren gjatë fushatës.
“Po i takojmë në çdo tubim në Kosovë. Ata po ndikojnë edhe te familjet e tyre në Kosovë për të votuar LDK-në”, deklaroi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së vlerësoi se angazhimi i diasporës është faktor i rëndësishëm në procesin zgjedhor dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Alban Zogaj ka deklaruar se zhvillimi ekonomik për qytetarin e zakonshëm nënkupton më shumë se rritje statistikore.
Sipas tij, zhvillimi duhet të reflektohet në punësim më të madh, të ardhura më të larta dhe shërbime publike më cilësore.
Ai ka theksuar se infrastruktura rrugore, shëndetësia, sporti dhe kultura janë pjesë e domosdoshme e zhvillimit ekonomik, duke shtuar se Kosova duhet të afrohet më shumë me standardet evropiane të jetesës.
Më poshtë mund të shihni mesazhin e kandidatit për deputet nga radhët e LDK (123), me numrin 20 në këto zgjedhje, Dr. Alban Zogaj.
Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar publikimin e një serie të veçantë videosh, përmes së cilës adreson tema të rëndësishme politike dhe ekonomike.
Përmes këtyre videove, PDK jo vetëm që shpalos arsyet pse Bedri Hamza duhet të votohet për Kryeministër të Republikës së Kosovës, por edhe kritikon Albin Kurtin dhe qeverinë e tij për dështimet gjatë mandatit.
Veçantia e kësaj serie qëndron në vazhdimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në komunikimin e fushatës, një qasje që PDK e ka shfrytëzuar edhe më herët, përfshirë edhe në krijimin e këngës së fushatës We Rise Together.
Videot janë shumë të shkurtra, me kohëzgjatje prej rreth 10 sekondash, me pothuajse vetëm një pamje dhe të shoqëruara me dy fjali të qarta, duke përcjellë mesazhe direkte dhe lehtësisht të kuptueshme për qytetarët.
Videoja e publikuar sot nga PDK, i referohet kritikës ndaj qasjes përçarëse dhe polarizuese të instaluar në shoqëri nga Kurti.
Në video shihen dy individë duke debatuar ashpër me njëri-tjetrin dhe mesazhi shoqërues thotë: “Përçarja – projekti i vetëm nacional i këtij pushteti. Keq, Albin!.”
Për shkak të kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, është ndërprerë seanca fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq, akuzohen për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq tha se nuk ka vërejtje në përbërjen e trupit gjykues, por në prokurorin Bekim Kodraliu, për të cilin kërkoi që të përjashtohet nga lënda, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Vllajiq kërkoi që Kodraliu mos ta marrë këtë personale.
Sipas tij, i mbrojturi i tij është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm 6 ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhje të provave më 6 dhjetor. Thotë se këtë kërkesë ia parashtroi prokurorit të shtetit dhe gjykatës, dhe se provat ua dorëzoi të dyja palëve.
Avokati thotë se prokurori i atëhershëm ka qenë Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu. Vllajiq pretendon se asnjë veprim nga provat që i ka propozuar, nuk është ndërmarrë.
“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me 4 persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale- kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, u shpreh Vllajiq.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Ai tha se prokurori e ka shkelur dispozitën e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.
Më tutje, avokati tha se disa prova janë humbur përgjithmonë. Dhe se askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet një vit nëse dikush nuk e urdhëron këtë. Andaj, sipas tij, janë shkel dispozitat e nenit 3 dhe 5 të KPP-së, të cilat fkasin për një proces të drejtë dhe të drejtën për mbrojtje.
Sipas tij, me gjithë shkeljet e pretenduara, nxiten dyshime për paanshmëri të prokurorit të shtetit, ngase sic thotë ai, veprimi i deritashëm nuk ka qenë i paanshëm.
Vllajiq shtoi se gjyqtari posa ta pranojë kërkesën për përjashtim, është i obliguar që të ndërpresë punën në lidhje me lëndën.
Po ashtu, ai theksoi se kërkesën për përjashtim e prokurorit Kodraliu, e ka dërguar edhe tek kryeprokurorit, ndërsa sot tek prokrori në fjalë dhe gjykatës, duke konsideruar se është kërkesë e bazuar dhe se pas vendimit të gjyqtarit do të vazhdojnë me procedurën.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq tha se i bashkëngjitet kërkesës së kolegut të tij. Tha se ka parashtruar kërkesë tek prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.
Por, sipas Deleviq, deri sot prokrurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje. Tha se krahas neneve të përmendura nga Vllajiq, prokrori ka shkel edhe nenin 47 të KPP-së.
Bazuar në të gjitha këto, tha se konsideron që kërkesa e avokatit Vllajiq është tërësisht e bazuar dhe i propozoi Gjykatës ta ndërpres këtë seancë derisa të sqarohet kërkesa.
Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, avokatja Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet.
Më pas, prokurori Kodraliu tha se ndoshta mbrojtjes nuk iu pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se ai sulm ka qenë i përgatitur profesionalisht dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.
Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe dëgjuat edhe sot. Tha se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se ju kanë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.
Por, prokurori thotë se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.
“Ka qenë sulm që ka cenu direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush vshtë i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvillu me partnerë ndërkombëtarë”, tha Kodraliu.
Më tej, ai theksoi se kanë konsideruar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.
“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh 5 arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, tha ai, duke sqaruar këto rrethana.
Në fund, tha se i mbetet në kompetencë gjyqtarit nëse vendos për ndërprerjen e seancës.
Më pas, gjykatësi Vesel Ismaili mori vendim që të ndërpritet seanca, pasi tha se janë të obliguar të ndërpesin cdo veprim procedural derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të japë përgjigje. Andaj, për caktimin e seancës së radhës, presin deri në vendim të kryeprokurorit lidhur me kërkesën.
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj dy vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq, lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq kërkoi përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu nga kjo lëndë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.
Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.
Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.
E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.
Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.
“Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.
Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.
Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.
“Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.
Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.
Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qeveria në detyrë ka dështuar t’i sigurojë siguri energjetike vendit.
Sipas tij, vetëm për gjatë këtij mandati, Kosova ka blerë rrymë jashtë vendit mbi 800 milionë euro.
“Vetëm për kohën e qeverisjes së Albin Kurti, Kosova i ka ble 800 milionë euro rrymë. Vetëm këtë vit 250 milionë. As s’kemi kapacitete të reja, as nuk janë duke u ndërtuar kapacitete të reja. Derisa s’ka kapacitete të reja do të vazhdojmë të blejmë rrymë”, ka thënë Abdixhiku.
Me këto miliona sipas Abdixhiku, do të përfundonin shumë projekte të mëdha e të nevojshme në Kosovë.
“Me këto para do të mund të rregullohej Unaza e Jashtme e Prishtinës, do të ndërtohej spitali i ri, do të ndërtohej centrali me gaz, do të realizohej mësimi tërëditor në të gjithë Kosovën”, ka thënë Abdixhiku në emisionin Pressing në T7.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar videon e radhës në kuadër të zotimeve të tij kryesore, ku fokusi është ulja e kostos së energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.
Në mesazhin e tij, Hamza thekson se çmimet e energjisë janë shndërruar në një barrë serioze për familjet dhe sektorin privat, duke theksuar se rritja e faturave nuk po shoqërohet me rritje të pagave, çka sipas tij përbën padrejtësi sociale.
“Çmimet e energjisë janë bërë një prej barrëve më të rënda për familjet dhe bizneset. Faturat po rriten, ndërsa paga nuk po mjafton. Kjo është padrejtësi sociale”, deklaron Hamza.
Ai paralajmëron se një nga vendimet e tij të para si Kryeministër do të jetë heqja e TVSH-së për energjinë elektrike, një masë që, sipas tij, do të reflektohet drejtpërdrejt në uljen e faturave mujore dhe në lehtësimin e jetës së qytetarëve.
“Kjo do të thotë faturë më të ulët çdo muaj, më shumë qetësi për familjet dhe më shumë lehtësi për secilin prej jush. Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike, dhe unë do ta trajtoj si të tillë", thekson kandidati i PDK-së.
Në fund të videos, Hamza riafirmon angazhimin e tij politik dhe misionin për ndryshim: “Unë jam Bedri Hamza, dhe ky është misioni im. Bashkë. Përpara”.
Zotimi për heqjen e TVSH-së nga energjia elektrike është pjesë e platformës ekonomike të PDK-së, e cila synon uljen e kostos së jetesës, mbështetjen e familjeve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë është pajisur me një autoambulancë të re, e cila është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së kapaciteteve për intervenim të shpejtë emergjent.
Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se kjo autoambulancë paraqet një ndihmë të rëndësishme, duke pasur parasysh numrin e madh të banorëve dhe nevojat e shtuara për shërbime shëndetësore në komunë. Sipas njoftimit, pajisja e re do të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin më efikas dhe më cilësor të shërbimeve mjekësore për qytetarët.
“Duke marrë parasysh ngarkesën dhe kërkesat e vazhdueshme për shërbime emergjente, kjo autoambulancë është një ndihmë e mirëseardhur dhe e domosdoshme për QKMF-në dhe për qytetarët e Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Komuna e Fushë Kosovës ka shprehur falënderim ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se investime të tilla janë në funksion të drejtpërdrejtë të përmirësimit të shëndetit publik dhe shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/
Shqipëria ka përforcuar kapacitetet e saj mbrojtëse me marrjen e sistemeve raketahedhës Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një ndihmese për Forcat e Armatosura Shqiptare në prag të Vitit të Ri.
Lajmi u bë i ditur nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili theksoi se kjo mbështetje rrit nivelin e parandalimit, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Vengu konfirmoi se tashmë ka përfunduar dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin, duke nënvizuar se ndihmesa përfshin edhe Kosovën, në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Shtetet e Bashkuara.
“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi me SHBA-në, përfshirë edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, u shpreh ministri.
Sipas Vengut, rëndësia e këtij zhvillimi qëndron në tri aspekte kryesore. Ai tha se, së pari, bëhet fjalë për një kërkesë të kahershme të Forcave të Armatosura, e cila më në fund po konkretizohet.
Së dyti, ky bashkëpunim konfirmon rolin kyç të Shteteve të Bashkuara në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë. Ndërsa, si aspekt të tretë, ministri veçoi rëndësinë e aftësimit të personelit ushtarak për përdorimin e sistemeve dhe teknologjive moderne.
“Janë sisteme antitank që mund të përdoren edhe për neutralizimin e kërcënimeve në distanca të shkurtra, ndërkohë që kanë një domethënie të trefishtë për sigurinë dhe profesionalizmin e forcave tona”, theksoi Vengu.
Ministri i Mbrojtjes nuk dha detaje për numrin e raketahedhësve të pranuar, por bëri të ditur se gjatë vitit 2026 pritet edhe një dërgesë tjetër e këtyre sistemeve. /Telegrafi/
Një person është raportuar i zhdukur mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, kanë bërë të ditur burime policore.
Sipas njoftimit, ankuesi, burrë kosovar, ka informuar policinë se viktima, po ashtu burrë kosovar, është larguar nga banesa rreth orës 19:00 dhe nuk është kthyer më.
Rasti është duke u trajtuar nga ekipet relevante të Policisë së Kosovës, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e zhdukjes dhe për të lokalizuar personin e raportuar.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e personit të zhdukur, t’i raportojnë ato tek organet kompetente. /Telegrafi/
Komuna e Kaçanikut ka përfunduar Fazën II të projektit “Ndërtimi i trotuarit në rrugën regjionale Ahmet Kaçiku”, në segmentin Restorant Natyra – Fusha e Pajtimit, investim ky i realizuar nga buxheti komunal.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, me këtë fazë është kompletuar ndërtimi i trotuarit dhe shtegut të çiklizmit, së bashku me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, përfshirë kanalizimin atmosferik për largimin e ujërave dhe ndriçimin publik.
Drejtori i kësaj drejtorie, Arian Teneqja, ka bërë të ditur se projekti shtrihet nga Fusha e Pajtimit deri në fshatin Duraj, në një gjatësi prej rreth 3 mijë metrash, duke përfshirë një nga segmentet më të frekuentuara të kësaj rruge regjionale.
Sipas komunës, ky investim ka qenë tejet i nevojshëm dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët, nxënësit dhe studentët që e shfrytëzojnë këtë rrugë çdo ditë.
Nga Komuna e Kaçanikut theksohet se investimet në infrastrukturë rrugore dhe siguri publike do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku ka prezantuar raportin për punët, projektet dhe investimet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025.
Gjatë adresimit të tij, kryetari Aliu ka paraqitur projektet e përfunduara dhe ato në zhvillim në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe shërbimet publike. Ai theksoi se buxheti i Komunës së Shtimes për vitin 2025 ka qenë mbi 11 milionë euro, duke mundësuar realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Kjo ishte një periudhë e mbushur me angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete që kanë zgjidhur probleme dhe kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë. Ky ishte gjashtëmujori i fundit i kapitullit të punës në mandatin e parë, ndërsa mandati i ri na gjen me përgjegjësi edhe më të madhe dhe me shumë punë përpara”, ka deklaruar kryetari Aliu.
Në fushën e arsimit, ai njoftoi për rritjen e subvencioneve, funksionalizimin e katër çerdheve ku aktualisht përfitojnë rreth 250 fëmijë, si dhe investime pothuajse në të gjitha shkollat e komunës. Po ashtu, gjatë këtij viti janë ndarë 120 bursa për studentët nga Komuna e Shtimes.
Sa i përket infrastrukturës, kryetari Aliu veçoi projektet e kanalizimeve atmosferike, ndriçimit publik, realizimin e projektit të unazës së brendshme, si dhe ndërtimin dhe rivitalizimin e shumë rrugëve lokale, përfshirë rrugët e reja të Malësisë në fshatrat Topillë, Rancë dhe Devetak.
Një nga projektet më të rëndësishme, sipas tij, është rrënimi i objektit përpara ndërtesës së komunës, që do të hapë rrugë për realizimin e projektit të sheshit të qytetit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Kryetari Aliu foli gjithashtu për investimet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke përmendur vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e entit special, objektit të administratës komunale dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekte këto me vlera milionëshe.
Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, ai theksoi investimet në sallat sportive, subvencionimin e botuesve të rinj, organizimin e festivalit tradicional “FolkFest”, mbajtjen për herë të parë të festivalit për fëmijë në Shtime, si dhe themelimin e Korit të Qytetit, krahas aktiviteteve të tjera kulturore.
Po ashtu, kryetari njoftoi për fillimin e punimeve për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime, projekt ky me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Në përmbyllje, kryetari Qemajl Aliu ka ritheksuar përkushtimin e tij dhe të qeverisjes komunale për vazhdimin e punës në shërbim të qytetarëve dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës në Komunën e Shtimes. /Telegrafi/
Janë përditësuar të dhënat nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar lidhur me kolonat në pikat kufitare në Kosovë.
Sipas të dhënave të fundit, pritjet për hyrje dhe dalje nga Kosova janë të shkurta.
Raportohen pritje deri në 10 minuta në hyrje në Merdardë.
Ndërsa, deri 5 minuta raportohen pritje në, Bërnjak, Dheu i Bardhë, Glloboqicë, Stançiq, Mutivodë dhe Vërmicë, Han të Elezit, Jarinje dhe Kullë. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se reparti i hemodializës është furnizuar me karrige moderne për pacientët, investim ky që synon përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe rritjen e komoditetit gjatë trajtimit mjekësor.
Sipas njoftimit, pajisjet e reja do t’u ofrojnë pacientëve kushte më të rehatshme gjatë marrjes së shërbimeve të hemodializës, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit dhe mirëqenien e tyre.
Po ashtu, nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” është bërë e ditur se në fillim të vitit 2026 pritet të nisë renovimi i plotë i repartit të hemodializës.
Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore dhe funksionale, si për pacientët ashtu edhe për personelin shëndetësor.
Drejtuesit e spitalit theksojnë se këto investime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e standardeve të trajtimit për pacientët që kanë nevojë për shërbime të rregullta të hemodializës. /Telegrafi/