Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 December 2025Main stream

Shëndetësia gjatë 2025-ës/ 5 përparimet mjekësore që japin shpresë

By: Fax Web
25 December 2025 at 20:11

Viti 2025 ka shënuar disa arritje të rëndësishme në shëndetësi. Shkencëtarët kanë bërë zbulime të reja, të cilat mund të jenë premtuese për trajtimin e shumë sëmundjeve.

Euronews Health” ka listuar pesë më të rëndësishmet.

Një nga zhvillimet më të bujshme ishte trajtimi i parë personalizuar në botë me redaktim gjenetik, i aplikuar te një foshnjë me një sëmundje të rrallë dhe shpesh fatale. Edhe pse foshnja do të duhet të monitorohet gjatë gjithë jetës, trajtimi përmirësoi ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijës, i cili tashmë ka nisur të ecë. Studiuesit thonë se suksesi i procedurës përbën një përparim madhor, duke treguar se edhe pacientë të tjerë me sëmundje gjenetike mund të përfitojnë nga kjo teknologji në të ardhmen.

Vaksinat që përdorën teknologjinë ARN dhe morën famë gjatë pandemisë së COVID-19 sot po testohen për gripin, HIV-in, sëmundje gjenetike dhe kancer. Studimet treguan se këto vaksina kundër HIV-it mund të nxisin prodhimin e antitrupave neutralizues.

Një tjetër hap i rëndësishëm ishte transplantimi i parë i një mëlçie derri të modifikuar gjenetikisht te një pacient i gjallë, i cili mbijetoi për 171 ditë, duke afruar më shumë realitetin e ksenotransplantimit.

Shkencëtarët përdorën gjithashtu ind të gjallë të trurit njerëzor për të studiuar fazat e hershme të demencës, një zhvillim që mund të ndihmojë në gjetjen e trajtimeve të reja.

Ndërkohë, barnat për humbje peshe kanë treguar potencial për trajtimin e sëmundjeve të tjera, megjithëse ekspertët theksojnë se ato nuk janë një zgjidhje universale.

Këto përparime ofrojnë shpresë për trajtime më efektive dhe një të ardhme më të mirë në shëndetësi.

OBSH: 1 në 3 vdekje me dëmtime vijnë nga alkooli

By: Fax Web
25 December 2025 at 18:57

Gjatë sezonit të festive shënohet një rritje e përdorimit të alkoolit, gjë që sipas ekspertëve mund të rrisë rrezikun e lëndimeve, duke përfshirë lëndimet si pasojë e aksidenteve rrugore, rrëzimet, djegiet, helmimet dhe dhunën.

Sipas OBSH në Europë, 1 në 3 vdekje me dëmtime fizike gjatë kësaj periudhe ka si shkak kryesor konsumin e alkoolit.

Në Rajonin Evropian afërsisht një në tre vdekje tek burrat dhe një në pesë vdekje tek gratë midis moshës 30 dhe 40 vjeç i atribuohen alkoolit thuhet ne raportin e OBSH. Midis njerëzve të moshës 20 deri në 24 vjeç, alkooli përbën 35% të të gjitha vdekjeve nga lëndimet.

Sipas OBSH, vdekjet ne Shqipëri për shkak të alkoolit kapin shifrën e 3 humbje jete për 100 mijë banorë, duke u renditur tek vendet me përqindje të ulët.

Shkalla e vdekshmërisë e standardizuar sipas moshës ishte më e larta në Evropën Lindore, veçanërisht në Letoni, Lituani dhe Federatën Ruse, ku vdekshmëria nga lëndimet që i atribuueshin alkoolit tejkaloi 22.6 për 100 mijë banorë, ndërsa vende të tilla si Azerbajxhani, Taxhikistani dhe Turqia dhe Shqipëria raportuan disa nga shkallët më të ulëta, shpesh nën 2.9 për 100 mijë banorë.

Një ndarje lindje-perëndim ishte e dukshme në përqindjen e të gjitha vdekjeve nga lëndimet që i atribuohen alkoolit, me shumë vende të Evropës Lindore që tejkalonin 60%, krahasuar me më pak se 20% në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Jugore.

OBSH: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen me alkoolin

24 December 2025 at 23:03

Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Kosto sociale dhe ekonomike

Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post OBSH: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Europë lidhen me alkoolin appeared first on Sinjali.

Before yesterdayMain stream

Rama në QSUNT: Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe

24 December 2025 at 21:04

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në mbyllje të këtij viti dhe në vigjilje të festës së Krishtlindjes, siç është kthyer në traditë tashmë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, për t’u përshëndetur me mjekë, dhe infermierë, por jo vetëm.

Pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë ishin të parët që u vizituan nga Kryeministri Rama, i cili shpërndau për ta dhurata me rastin e festave të fundvitit, duke iu uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në shtëpi.

“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë”, uroi Kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore.

Më tej, Kryeministri Rama, vijoi vizitën në Spitalin Onkologjik, i cili në muajt e fundit ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe ka rritur kapacitetet pritëse.

Drejtuesja e QSUNT Anxhela Paparizo, e cila shoqëronte Kryeministrin në këtë vizitë, informoi se është realizuar rikonstruksioni i një sërë ambienteve, mes të cilave sallat e kemioterapisë ditore, që janë pajisur edhe me aparatura të teknologjisë moderne.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala shtoi se është realizuar edhe rregullimi i fashave orare, duke i dhënë përparësi pacientëve të ardhur nga rrethet për kemioterapinë ditore, për të cilën është hapur dhe një sallë e dytë me kapacitet më të madh, me poltrone dhe sistem monitorimi bashkëkohor.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u shpreh se synimi është që shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe nëpër rrethe, në mënyrë që të shmanget fluksi i shtuar në QSUNT.

Në vijim, Kryeministri Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë.

/k.s/j.p/

 

The post Rama në QSUNT: Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOTO/ Kujdes çfarë konsumoni! AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kg fileto pule

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:01

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë konstatuar shkelje ligjore në një subjekt ushqimor.

Inspektorët kanë bllokuar 5 ton djathë “Gouda” dhe 944 kg fileto pule për mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe.

Subjekti mori gjobë dhe produktet mbeten të bllokuara deri në rregullimin e dokumentacionit dhe etiketimit.

“AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre”, thuhet në faqen zyrtare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është kritikuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Fatjon Pasholli dha dorëheqjen pas vetëm 4 muajsh në postin e drejtuesit të AKU. Vendin e tij e zuri Alketa Hoxha.

Viti 2025 numëron problematika në këtë fushë që në nisje, që me mandarinat me pesticide, tonelatat e mishit me salmonelë nga Brazili, luleshtrydhet greke apo specat dhe qumështin.

Rama: Indeksim vjetor i pagës së mjekëve dhe infermierëve mbi bazën e vjetërsisë në punë

24 December 2025 at 17:41

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë gjatë 2026 do të fillojë edhe indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë.

Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e sotëm me personelin shëndetësor në QSUNT u ndal edhe tek rritja e pagave për mjekët dhe infermierët.të cilët do të përfitojnë rritje të re përveç indeksimit vjetor.

“Do të vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët, edhe patjetër do vazhdojmë të rrisim pagat edhe për infermierët. Faktikisht do të rritet 135 euro në muaj dhe në ndërkohë është vendosur edhe diçka tjetër për herë të parë, që nuk e kemi pasur mundësinë ta vendosim përpara, që do të bëjmë dhe një vlerësim në punë”, tha Rama.

Kryeministri Rama informoi se “do të bëhet faktikisht indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë dhe kjo do të jetë një shtesë tjetër që do të vlejë, qoftë për mjekët, qoftë për infermierët apo për teknikët e shkencave mjekësore, gjë që shkon plus asaj rritjes për të cilën unë fola”.

Gjithashtu, shtoi Rama, do të rritet digjitalizimi, për të futur sa më shumë dhe sa më shpejt edhe inteligjencën artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve nga ana e shërbimit shëndetësor.

/k.s/j.p/

The post Rama: Indeksim vjetor i pagës së mjekëve dhe infermierëve mbi bazën e vjetërsisë në punë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike

24 December 2025 at 17:22

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e sotëm me personelin shëndetësor në QSUNT vuri në dukje se 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike janë parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Po ashtu, ndërsa informoi se shëndetësia në buxhetin 2026 ka marrë 50 milionë euro më shumë sesa këtë vit, Rama tha se kjo shumë nuk është pak për buxhetin.

Kreu i Qeverisë u ndal posaçërisht tek buxhetin për barnat onkologjike, duke theksuar se  15 milionë euro të tjera do të shtohen në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një rimbursim domethënës të barnave onkologjike, në shërbimin parësor dhe për ta siguruar mbulimin me barna në të gjithë sistemin onkologjik.

Rama u zotua për transformim të sistemit onkologjik në mënyrë që gjithë presioni i madh që vjen mbi onkologjikun në Tiranë, të shpërndahet me rijetësimin e sistemit në spitalet rajonale, duke garantuar që protokollet dhe i gjithë mbulimi me barna, të jenë garanci për pacientët në të gjithë territorin.

Faktikisht, vijoi Rama, kemi vendosur në buxhet kapacitet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë. “Flasin shumë njerëzit, “jo po kur është shëndetësia falas”, “jo ku është shëndetësia falas”, po faktikisht gjithë këto gjëra që ndodhin këtu janë pjesë e këtij vizioni edhe faktikisht janë krejt ndryshe nga si ndodh në vende të tjera”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë po ashtu garantoi se do të vijojë transformimi i QSUNT-së për të mbyllur edhe çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që bëhet gjithmonë e më i madh, jo në Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithmonë e më shumë njerëz.

/k.s/j.p/

The post Rama: 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 95 mijë operacione të suksesshme në vit në shërbimin shëndetësor

24 December 2025 at 17:03

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë, të cilët i vlerësoi për sakrificën dhe përkushtimin në shërbim të qytetarëve.

Në fjalën e tij, Rama tha se nuk duhet harruar sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, infermierëve, punonjësve të Urgjencës Kombëtare, të gjithë stafit që mbështet për çdo orë e çdo ditë të vitit pa pushim, duke shpëtuar jetë, duke shëruar njerëz të sëmurë dhe duke kryer një shërbim jetik për shoqërinë dhe për vendin.

Kreu i qeverisë u shpreh se janë rreth 60 mijë operacione të suksesshme që bën shërbimi ynë shëndetësor në vit edhe plus 35 mijë ndërhyrjet mikro-kirurgjikale, që së bashku bëjnë 95 mijë ndërhyrje në trupin e njerëzve mesatarisht në vit dhe që janë të suksesshme.

“Përderisa nuk bëjnë lajm të keq – nuk bëjnë lajm të mirë dhe mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi për t’u kthyer në të kundërt, për të gjithë, për të gjithë trupën e mjekëve, për të gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor”, vuri në dukje Kryeministri.

“Kur ndodh pastaj që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që e njollosin bluzën e bardhë, atëherë sigurisht që kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe pavarësisht se totalisht e pamerituar për të tjerët, janë të gjithë që paguhen. Por, në fund të ditës për të gjithë ata që e dinë se çfarë do të thotë të shërbesh në sistemin shëndetësor, për të gjithë ata që marrin shërbim, pjesa pozitive është pozitive, është ajo që dominon”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek Spitali Onkologjik dhe investimet që janë kryer aty.

“Përpara se të vinim këtu, vizituam Onkologjikun, që siç e dimë shumë mirë, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë së bashku përballë faktesh që nuk nderojnë askënd. Takuam disa pacientë, të cilët ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe që dukej që ishin tërësisht të sinqertë në fjalët e tyre dhe unë po i thosha drejtores dhe ministrit, që opinioni ushqehet me negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata dhe prej atyre, që fatmirësisht nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim në spital. Sepse po të pyesësh ata që kanë marrë shërbim në spital, pjesa dërrmuese, jo të gjithë patjetër, pjesa dërrmuese kanë marrë një shërbim që e kujtojnë për mirë,  edhe i kujtojnë mjekët për mirë, nuk i kujtojnë për keq. Dhe ju këtë e dini shumë mirë, sepse keni pacientë që kanë kaluar në kujdesin tuaj dhe ju jam mirënjohës, edhe ju kujtoj për mirë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se gjithsesi, duhet vazhduar të adresohen problemet dhe të ngrihet niveli i shërbimeve.

Rama tha se ndërtesa e re e parkimit do të zgjidhë përfundimisht gjithë problematikën e lëvizjes së makinave dhe parkimit të makinave mbi lulishte, sepse do të akomodojë të gjitha makinat që hyjnë në territorin e QSUNT-së.

“Janë rreth 700 e ca makina që parkojnë gjatë ditës nëpër territor, ndërkohë që parkingu ka 1400 vende, kështu që do të akomodojë të gjitha makinat. Plus do të shërbejë edhe për komunitetin rreth e rrotull, duke krijuar të ardhura që do të ndahen midis QSUNT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Dhe kjo do të bëjë që ndërkohë gjithë territori i QSUNT-së sot, që është faktikisht rreth 80 mijë metra katrorë territor i lirë, të bëhet parku më i madh urban i Tiranës, duke krijuar një atmosferë tërësisht tjetër, ku rrugët e makinave të ndahen midis rrugë këmbësorësh edhe rrugë për makinat e shërbimit”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: 95 mijë operacione të suksesshme në vit në shërbimin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INTERVISTA/ Flet mjekja e njohur: Ja si ndikoi COVID-19 tek rritja e sëmundjeve të zemrës

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:48

Edhe COVID-19 ka lënë pasoja sa i përket shëndetit të zemrës.

Kështu tha në një intervistë për Fax News mjekja e njohur kardiologe, Engjëllushe Hasani.

Sipas mjekes, përdorimi i shumtë i korizonikëve, ka çuar edhe në shtim të të sëmurëve me diabet.

“Absolutisht që, edhe sëmundjet virale kanë ndikimin e tyre në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Dhe një nga këto ishte COVID-19. Sepse një nga karakteristikat e kësaj viroze ishte që vetë COVID-i shkaktonte aritmi. Por edhe medikamentet që u përdorën mund të shkaktonin efekte anësore. 

Gjithashtu dihet që është përdorur shumë kortizonikë dhe kjo ka ndikuar edhe në shfaqjen e diabetit“, tha për Fax News mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani.

LEXO EDHE: Flet kardiologia: Si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular, ja shenjat e para

INTERVISTA E PLOTË:

Flet kardiologia: Si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular, ja shenjat e para

By: Fax Web
24 December 2025 at 17:14

E ftuar në Fax News, mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani ka folur lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shndërruar në një problem serioz për shëndetin publik, jo vetëm në botë por edhe në vendin tonë.

Specialistja i konsideroi sëmundjet e zemrës si “vrasës të heshtur”, ndërsa shtoi se ato janë rritur edhe tek moshat e reja.

Gjatë intervistës me gazetaren Eliana Hoxha, kardiologia shpjegoi me detaje se si të dallojmë një shqetësim real kardiovaskular dhe cilat janë shenjat, të cilat duhet të na shqetësojnë.

Si dallohet një shqetësim real kardiovaskular? Kur duhet të shqetësohemi?

Mjekja: Dhimbjet e zemrës janë dhimbje që nuk zgjasin shumë. Është një nga ato elementët që kur ne pyesim individin se si ankohet, sa zgjatën dhimbjet, çfarë intensiteti ka, në ç’pozicion shfaqet, në çfarë pozicioni shfaqet,  a shfaqet kur ai bën një aktivitet? Nëse dhimbjet janë të zgjatura dhe kanë lidhje me pozicionin, atëherë na orientojnë që këto dhimbje nuk janë kardiake.

Po shenjat e para, cilat janë?

Mjekja: Zakonisht nuk është një shenjë e vetme. Mund të kemi dhimbje të gjoksit, të cilat mund të përhapen në shpatullën e majtë. Mund të kemi mpirje të krahut… Këto elementë mund të shoqërohen me një rritje të tensionit. Mund të shoqërohen edhe me lëvizje të ritmit. Mund të shoqërohen me të vjella. Mjafton që individi ta vlerësojë ankesën që ka dhe ti drejtohet një mjeku. Qoftë edhe mjekut të familjes, i cili mund ta drejtojë tek një specialist kardiolog.

Ndiqni intervistën e plotë:

Asnjë bazë shkencore për mjekësinë kuantike të njeriut

24 December 2025 at 17:29

Pretendimi: Shërimi kuantik nxjerr jashtë loje spitalet, doktorët e farmacitë

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullojnë pretendime mbi të ashtuquajturin “shërim kuantik,” versioni më i fundit i kurave çudibërëse që parashikohet se do të nxjerrin mjekësinë dhe farmaceutikën jashtë loje.

Deepak Chopra e prezantoi termin “shërim kuantik” në librin e tij me të njëjtin emër, të botuar për herë të parë në vitin 1989. Ekspertiza e Chopras është vënë në pikëpyetje për shkak të nënkuptimit se metodat e tij bazohen në fizikën kuantike

Shërimi kuantik ka një numër mbështetësish të zëshëm, por komuniteti shkencor e konsideron gjerësisht si të pakuptimtë. Kritika kryesore ka të bëjë me keqinterpretimin sistematik të fizikës moderne, veçanërisht të faktit se objektet makroskopike (si trupi i njeriut ose qelizat individuale) janë shumë të mëdha për të shfaqur veti kuantike të natyrshme si interferenca dhe kolapsi i funksionit të valës.

Sipas encyclopedia.com, “premisa e tij themelore që postulon një lidhje të thellë midis ideve të fizikës kuantike dhe marrëdhënies mendje-trup është shumë e diskutueshme. Edhe më spekulative është hipoteza e tij se fizika kuantike ofron një shpjegim shkencor për mënyrën se si transformimet e thella në vetëdije prodhojnë forma të jashtëzakonshme shërimi në trup.”

Sadri Hassani, profesor emeritus i fizikës në Universitetin Shtetëror të Illinois, tha për Lead Stories: “Fizika moderne është abuzuar që nga fillimi. Meqenëse nuk i ndjejmë efektet e saj ‘të çuditshme’, ajo është shumë e prirur ndaj abuzimit mistik.

“Ajnshtajni u tërbua kur Arthur Eddington, fizikani britanik dhe mistik, e lidhi relativitetin me vetëdijen. Ai u tërbua gjithashtu kur Bohr dhe Heisenberg e lidhën fizikën kuantike me misticizmin lindor – po, edhe shkencëtarët e mëdhenj mund të ishin mistikë – nëpërmjet parimit të komplementaritetit, të cilin Ajnshtajni e quajti “feja Bohr-Heisenberg”. Për shkak të përfshirjes së fizikantëve të mëdhenj të fillimit të shekullit të 20-të në lidhjen e fizikës moderne – veçanërisht fizikës kuantike për shkak të shkallës së saj më të lartë të kundërintuitivitetit – me misticizmin, shkëputja e tyre ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë,” shpjegoi Hassani, i cili mban një doktoraturë në fizikë teorike nga Universiteti i Princetonit dhe është autor i disa librave, kryesisht mbi fizikën matematikore.

Fizikani dhe komunikuesi shkencor Brian Cox argumenton se keqpërdorimi i fjalës “kuantik”, siç është përdorimi i saj në frazën “shërim kuantik”, ka një efekt negativ në shoqëri pasi minon shkencën e vërtetë dhe i shkurajon njerëzit të angazhohen me mjekësinë. Ai pohon se “për disa shkencëtarë, shtrembërimi dhe përvetësimi i pafat i ideve shkencore që shpesh shoqëron integrimin e tyre në kulturën popullore është një çmim i papranueshëm për t’u paguar”.

The post Asnjë bazë shkencore për mjekësinë kuantike të njeriut appeared first on Faktoje.al.

Operim i suksesshëm në QKUK, qytetari falënderon mjekët: Ma kthyen qetësinë e shpresën

24 December 2025 at 13:24

Qytetari Anton Cena ka njoftuar se sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka përfunduar me sukses operimin për largimin e perdes (kataraktit) edhe në syrin e dytë.

Përmes një postimi në Facebook, Cena ka bërë të ditur se me këtë ndërhyrje është lehtësuar një brengë e madhe që e kishte prej një kohe të gjatë, duke shprehur mirënjohje për stafin mjekësor që u përkujdes për shëndetin e tij.

“Sot, në QKUK, me sukses u krye operimi për largimin e perdes (kataraktit) edhe në syrin e dytë. Me këtë ndërhyrje, u çlirua një brengë e madhe që e kisha në zemër prej një kohe shumë të gjatë”, ka shkruar ai.

Ai ka falënderuar në veçanti doktorin Florim Zejnullahu, të cilin e cilëson si më të fortin në Kosovë, si dhe mikun e tij Roni Daci, doktorin Afrim Vuciterrna, doktorin Krenar Berisha dhe gjithë stafin mjekësor për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar.

“Me mirënjohje të thellë falënderoj doktorin Florim Zejnullahu, si me i forti ne Kosovë, mikun tim të dashur Roni Daci, doktorin Afrim Vuciterrna, doktorin Krenar Berisha dhe gjithë stafin mjekësor të jashtëzakonshëm, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm ma kthyen qetësinë dhe shpresën. Faleminderit nga zemra – jeni vërtet për çdo lavdatë”, ka përfunduar Cena.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Operim i suksesshëm në QKUK, qytetari falënderon mjekët: Ma kthyen qetësinë e shpresën appeared first on Sinjali.

“Memoriali”, mbi 250 ndërhyrje të avancuara për sëmundjet vaskulare të trurit gjatë 2025

24 December 2025 at 09:56

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, vazhdojnë të realizohen me sukses procedura nga më të avancuarat sa i përket sëmundjeve vaskulare të trurit.

Prej më shumë se tre vitesh, në këtë spital, është ngritur një nga shërbimet më moderne për diagnostifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve vaskulare të trurit.

Gjatë vitit 2025, janë kryer mbi 250 procedura me rezultate të suksesshme, falë teknologjisë së përparuar dhe aparaturave të imazherisë së gjeneratës së fundit, ku ekipi mjekësor arrin të diagnostikojë në kohë, duke realizuar ndërhyrjen e menjëhershme dhe jetëshpëtuese.

DSA-ja cerebrale i lejon mjekët të shohin me saktësi enët e gjakut të trurit dhe të identifikojnë aneurizmat, stenozat dhe çdo problem tjetër që mund të çojë në komplikacione serioze për jetën e pacientit.

Ndërkohë, prej një viti në këtë spital realizohet procedura e trombektomisë mekanike e cila është trajtimi më efektiv i goditjeve ishemike në tru. Me anë të katetereve arrihet ena e gjakut e bllokuar dhe realizohet heqja e gjakut të mpiksur duke i dhënë pacientit mundësinë e një rikuperimi të plotë. Mjekët shpjegojnë se, kjo është një ndërhyrje që shpëton jetë dhe ul ndjeshëm pasojat e invaliditetit.

/a.f/

The post “Memoriali”, mbi 250 ndërhyrje të avancuara për sëmundjet vaskulare të trurit gjatë 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

11-vjeçari nga Kamenica diagnostifikohet me leukemi akute, ka nevojë urgjente për ndihmë financiare

23 December 2025 at 14:34

Lavdim Mavriqi nga Kamenica është diagnostifikuar me leukemi akute.

Për 11-vjeçarin nevojitet trajtim urgjent jashtë vendit.

Familja ka kërkuar ndihmë financiare nga të gjithë pasi e ka të pamundur e vetme të mundësojë trajtimin e djalit të tyre.

Për trajtimin e tij nevojiten rreth 174 mijë euro.

Familja ka hapur një GOFUNDME ku të gjithë qytetarët mund të kontribuojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 11-vjeçari nga Kamenica diagnostifikohet me leukemi akute, ka nevojë urgjente për ndihmë financiare appeared first on Sinjali.

Miratohet për përdorim pilula e re e dobësimit, deri në 20% humbje peshe

23 December 2025 at 09:53

Autoriteti amerikan i Barnave dhe Ushqimit (FDA) ka miratuar versionin në formë pilule të ilaçit për humbje peshe Wegovy, duke shënuar një hap të rëndësishëm në trajtimin e obezitetit.

Lajmi u bë i ditur nga kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk, prodhuesja e këtij ilaçi, e cila e cilësoi pilulën si një alternativë më të përshtatshme ndaj injeksionit të deritanishëm,

Sipas Novo Nordisk, pilula Wegovy merret një herë në ditë dhe ofron të njëjtin efekt në humbjen e peshës si forma injektuese. Gjatë provave klinike, pacientët që përdorën pilulën arritën një humbje mesatare peshe prej 16.6%, ndërsa rreth një e treta e 1300 pjesëmarrësve humbën 20% ose më shumë të peshës trupore.

Miratohet për përdorim pilula e re e dobësimit, deri në 20%

Wegovy ishte miratuar më herët nga FDA posaçërisht për humbje peshe, ndryshe nga ilaçe të ngjashme si Ozempic, i cili fillimisht u aprovua për trajtimin e diabetit të tipit 2, por më pas u përdor gjerësisht edhe për rënie në peshë.

Pilula e re pritet të hidhet në tregun amerikan në fillim të janarit 2026. Sipas drejtuesve të kompanisë, kjo risi mund të rrisë ndjeshëm shitjet e Novo Nordisk, e cila gjatë vitit të fundit ka përballuar konkurrencë të fortë nga kompani rivale si Eli Lilly.

Pas njoftimit, aksionet e Novo Nordisk shënuan rritje prej rreth 10% në tregjet financiare të Nju Jorkut. 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Miratohet për përdorim pilula e re e dobësimit, deri në 20% humbje peshe appeared first on Sinjali.

Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor

22 December 2025 at 10:25

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Historia e tretë e kopertinës e “World Health Voices” i është kushtuar Profesoreshë Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një eksperte e njohur ndërkombëtarisht në imazherinë onkologjike, karriera e së cilës ka përfshirë Universitetin e Cambridge-it (Mbretëri e Bashkuar), Memorial Sloan Kettering Cancer Center (Nju Jork, SHBA), Policlinico Gemelli (Romë, Itali)  dhe tani drejtimin kombëtar për shëndetësinë.

Gjatë kësaj bisede, ministrja Sala reflekton mbi thirrjen e saj të hershme drejt mjekësisë, rrugëtimin shkencor të bazuar në inovacion dhe kërkimin onkologjik, si dhe angazhimin për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të barabartë, modern dhe të përqendruar te pacienti për Shqipërinë.

Si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala mbulon jo vetëm shëndetësinë, por edhe mirëqenien sociale, një portofol që ajo e përshkruan si “gjigant”.

Në sektorin e shëndetësisë, Sala ka përcaktuar tre fusha të mëdha, Onkologjia dhe Rrjeti Shqiptar i Kancerit, Një sistem i unifikuar diagnostik si dhe Inteligjenca artificiale dhe integrimi digjital.

Duhet të përmirësojmë shërbimet e kancerit në Shqipëri”, shprehet Sala e cila planifikon krijimin e Rrjetit Shqiptar të Kancerit, me një Institut Onkologjik në Tiranë në qendër.

Rrjeti është në ndërtim e sipër dhe do të krijohet në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe instituti do të vijojë gjatë vitit pasues”, vijon ajo duke shtuar se “ne duam ta çojmë mjekësinë e kancerit te pacienti, jo pacientin te mjekësia”.

Kjo do të shoqërohet me standardizimin e protokolleve onkologjike dhe hedhjen e bazave, brenda rreth dy vitesh, për kapacitetet e provave klinike në Shqipëri.

Ministrja deklaron se: “ne duam që Shqipëria të ketë kapacitet për të zhvilluar prova klinike, për të hapur derën e inovacionit në mënyrë të strukturuar”.

Diagnostika është  një tjetër fushë e lidhur ngushtë me formimin e saj profesional dhe Sala synon që të ndërtojë një sistem sistem diagnostik të integruar mirë në të gjithë vendin. 

Me një popullsi rreth 2.4 milionë banorë, ajo vëren se “Shqipëria është si një qytet i madh, madje jo shumë i madh, po të mendosh për disa qendra urbane globale”.

Kjo shkallë, sipas saj, është avantazh. “Shqipëria mund dhe do të ketë një sistem diagnostik të unifikuar në afat të mesëm dhe të gjatë”.

Shtylla e tretë është inteligjenca artificiale dhe shëndetësia digjitale, e lidhur ngushtë si me onkologjinë ashtu edhe me diagnostikën.

Ne duam të krijojmë një sistem bazë të integruar, një ‘backbone’, që lidh sisteme të ndryshme dhe siguron ndërveprueshmëri”, deklaron ministrja Sala.

Ajo sqaron se: “në afat të shkurtër, ne tashmë po përmirësojmë kushtet dhe protokollet në onkologji. Në tre muaj nuk mund të ndryshosh gjithçka, por mund të fillosh”. 

Në fillim të vitit të ardhshëm, ajo pret të ketë një hartëzim të plotë të këtyre tre fushave strategjike dhe plane konkrete veprimi. “Do t’i kemi hartëzuar fushat, do të kemi përcaktuar veprimet, do të kemi identifikuar ekipet dhe do të kemi planifikuar financimin, sepse financimi duhet planifikuar paraprakisht”, nënvizon ministrja e Shëndetësisë. 

Përtej shëndetësisë, ministrja Sala është shumë e vetëdijshme për sfidat dhe mundësitë në fushën e mirëqenies sociale.

Shqipëria po përgatitet për një hap historik: anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. “Këto katër vite janë një moment shumë historik për ne, për t’u përqendruar njëkohësisht si në shëndetësi ashtu edhe në mirëqenie sociale”, deklaron Sala ku një fokus kryesor është përafrimi ligjor, veçanërisht në fushën e mirëqenies sociale.

Kur pyetet posaçërisht për onkologjinë pediatrike, Sala shprehet se “kur them onkologji, kjo përfshin onkologjinë pediatrike dhe sëmundjet hematologjike malinje. Gjithçka.”

Brenda Rrjetit të ardhshëm Kombëtar të Kancerit, tre qendra kryesore do të funksionojnë nën ombrellën e Institutit Onkologjik në Tiranë, Hemato-onkologjia, Onkologjia pediatrike dhe Onkologjia e përgjithshme.

Integrimi i kërkimit shkencor në zemër të sistemit shëndetësor është një prej sfidave shprehet Sala dhe shtyllë kyçe e kësaj strategjie është AI dhe inovacioni i drejtuar nga të dhënat.

Ne do të inkurajojmë shumë ‘spin-off’ të AI-së të vijnë në Shqipëri dhe të punojnë me ne, sepse do të krijojmë një dataset kombëtar që është mjaft specifik mesdhetar, për sa i përket stilit të jetesës dhe modeleve të sëmundjeve”, deklaron ministrja. 

Si një lidere globale në imazherinë onkologjike, Evis Sala pyetet shpesh për një shqetësim që shumë në këtë fushë e kanë në heshtje: A do t’i zëvendësojë AI radiologët?

Ajo përgjigjet pa hezitim: “Nëse do ta rimendoja veten sot, me AI-në që po merr përsipër disa detyra, mendoj se radiologu do të jetë më shumë si një dirigjent orkestre, që orkestron mjete të ndryshme të AI-së”. 

Ajo e hedh poshtë kategorikisht idenë se radiologjia si specialitet do të zhduket.

Geoffrey Hinton e kishte gabim, dhe kjo është provuar, pavarësisht ndikimit të tij në nivel Nobeli dhe mendjes së tij brilante. AI nuk do ta zëvendësojë radiologun. Por me siguri do ta zëvendësojë radiologun që nuk përdor AI”, shprehet Sala.

Mesazhi i saj për brezin e ri është i qartë dhe shkon përtej imazherisë: “Nëse nuk di të përdorësh AI-në, nëse nuk e përdor AI-në, je i vjetëruar. Kjo vlen për onkologjinë dhe për çdo fushë tjetër”.

Sala e sheh AI-në si një forcë çliruese, jo si kërcënim. “Shumë detyra janë të mërzitshme dhe përsëritëse. Kush dëshiron të numërojë më nyjet pulmonare? Të gjitha këto do t’i bëjë AI, e integruar në sistemet tona”, vijon ajo.

Motivimi i saj në krye të Ministrisë së Shëndetësië është të përdorë gjithë përvojën e saj, gati 30 vjet në vende, sisteme shëndetësore dhe rrethana të ndryshme, për të bërë ndryshim në atdhe.

Nëse do të mbahet mend për diçka si ministre, ajo shpreson të jetë për tre fushat që ka zgjedhur si shtylla. “Nëse arrij të bëj ndryshim, bashkë me ekipin, në onkologji, AI digjitale dhe diagnostikë, atëherë do ta kem bërë mirë punën”, shprehet Sala.

Kur pyetet se çfarë do t’u thoshte të rinjve në fillim të karrierës, Sala rikthehet te temat që kanë formësuar jetën e saj: mentorët, lëvizshmëria, rezistenca dhe karakteri. “Duhet ta shihni botën. Ishte një hap i madh kur shkova për felloëship në Sloan Kettering, djali im ishte 11 vjeç. Kur bëra specializimin, ai ishte katër. Është e vështirë, sidomos me familje. Por shihni botën. Mos qëndroni në të njëjtin vend”, apelon ministrja Sala. 

Këshilla e saj është praktike dhe filozofike njëkohësisht: ndërto rezistencë; shko dhe shih si bëhen gjërat diku tjetër, si mirë ashtu edhe keq; dhe mëso nga ajo që nuk bëhet mirë, për të mos e përsëritur.

https://oncodaily.com/magazine/evis-sala-albania-minister-of-health-2025

The post Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktit Normativ i fundvitit, 18 milionë euro shtesë për barna në spitalet publike

22 December 2025 at 10:24

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se shëndetësia është një nga sektorët kryesorë që do të mbështetet përmes Aktit Normativ të fundvitit, të miratuar së fundmi nga qeveria, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Sipas tij, sektori i shëndetësisë do të përfitojë një mbështetje shtesë prej 18 milionë eurosh, fonde që do të përdoren kryesisht për sigurimin e barnave në spitalet publike, me qëllim përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se pushteti vendor do të përfitojë nga ky Akt Normativ, duke u mbështetur me rreth 1,2 miliardë lekë shtesë. Këto fonde do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve më të vjetra të prapambetura të bashkive.

“Në total, vlera që po i alookojmë pushtetit vendor është e barasvlefshme me rreth 40 për qind të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se këto janë vetëm disa nga politikat e parashikuara në Aktin Normativ, të cilat synojnë garantimin e përdorimit të fondeve publike aty ku nevoja është më e madhe.

Sipas ministrit, Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe për të zbatuar politika që synojnë rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit.

/e.xh/a.f/

The post Aktit Normativ i fundvitit, 18 milionë euro shtesë për barna në spitalet publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ajri i ndotur në Kosovë, këshillohet që personat e ndjeshëm të shmangin daljet

21 December 2025 at 23:08

Sipas platformës “IQAir”, ku bëhen matjet e cilësisë së ajrit në të gjitha vendet e botës, Prishtina është renditur si qyteti i 13-të me ajrin më të ndotur, me indeks të cilësisë së ajrit 158, që konsiderohet “i pashëndetshëm”.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme, në vendet e ulëta, do të ketë mjegull të dendur. Prandaj, këshillohet që personat e ndjeshëm të shmangin daljet e panevojshme, ndërsa drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

Prishtina ka zënë vendin e 13-të në botë si qyteti me ajrin më të ndotur. Sipas platformës “IQAir”, ku bëhen matjet e cilësisë së ajrit në të gjitha vendet e botës, Prishtina është renditur si qyteti i 13-të me ajrin më të ndotur, me indeks të cilësisë së ajrit 158, që konsiderohet “i pashëndetshëm”.

Specialistë të cilësisë së ajrit thonë se gjendja është shqetësuese dhe se përkeqësimit të kësaj situate po i kontribuojnë edhe kushtet meteorologjike.

“Në bazë të matjeve që kemi marrë nga Instituti Hidrometeorologjik në kohë reale, kemi tejkalim të grimcave të pluhurit PM2.5 dhe PM10, të cilat qëndrojnë pezull në ajër. Ajo që po e përkeqëson këtë gjendje janë kushtet meteorologjike, si lagështia e madhe e ajrit, temperaturat e ulëta dhe mungesa e erës, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit”, tha për RTK-në Mentor Shala, specialist i cilësisë së ajrit.

Ai thotë se mbrojtja më e mirë në këtë situatë është reduktimi i daljeve jashtë, veçanërisht për disa kategori të ndjeshme.

“I rekomandojmë grupmoshat e ndjeshme, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, që t’i ulin frekuentimet jashtë dhe t’i reduktojnë sa më shumë daljet kur cilësia e ajrit nuk është e mirë. Nga monitorimi dhe mjegulla që vërejmë, konstatojmë gjendje jo të mirë kryesisht në mëngjes, në mbrëmje dhe gjatë natës”, shtoi ai.

Shala thotë se gjendja e cilësisë së ajrit pritet të përmirësohet nga dita e mërkurë, kur parashikohen reshje shiu dhe ndryshim i kushteve të motit.

Megjithatë, ai shpreh shqetësim për ditët festive të fundvitit, për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat, sipas tij, shkaktojnë ndotje të madhe përmes çlirimit të metaleve të rënda në ajër.

Ndryshe, qytetet me ajrin më të pastër janë renditur Berna në Zvicër, Roterdami në Holandë, San Francisko në SHBA, Melbourne në Australi, Vancouver në Kanada, Lisbona në Portugali, Helsinki në Finlandë, si dhe qytete të tjera.

Para Prishtinës, qytetet më të ndotura janë kryesisht nga Pakistani, India, Egjipti dhe Bangladeshi. Ndërsa nga rajoni, më të ndotura konsiderohen Beogradi dhe Sarajeva.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ajri i ndotur në Kosovë, këshillohet që personat e ndjeshëm të shmangin daljet appeared first on Sinjali.

Një student ndryshe tek sportet, 25-vjeçari Gersi Troka “mposht” sindromën “down”

By: A R
21 December 2025 at 16:46

Në Universitetin e Sporteve, një histori frymëzuese po shkon drejt finalizimit. Një student i veçantë, është gati të mbyllë studimet Bachelor këtë vit akademik. 25-vjeçari Gersi Troka, zgjodhi auditorët duke thyer barrierat dhe paragjykimet ndaj personave me aftësi ndryshe.

“Kisha shumë vullnet për të realizuar Universitetin e Sporteve dhe e realizova.Ka qenë e vështirë të thyeja barriera po tani jam përmirësuar.”

Ai tregon se ambientimi me jetën universitare dhe sportin ka qenë i natyrshëm, pasi aktiviteti fizik është pjesë e jetës së tij prej thuajse 15 vitesh.

“Më është dukur shumë mirë jam shumë i kënaqur me cdo gje nga petagogët dhe nga shokët që më kanë mirëpritur në universitet.
E kaloj syhumë mirë më afrohen, duan të hyjnë në bisedë pak a shumë, pyesin për orare mësimore.”

Por për Gersin, suksesi nuk është vetëm personal. Ai ka një mesazh të drejtpërdrejtë për prindërit.

“I bëj dhe një mesazh prindërve të mos i lini femijët tuaj pasiv në shtëpi, pasi duhet të stërviten të dalin të qarkullojnë, të stërviten edhe në kushtet e shtëpisë. Duhen të ndihmohen nga të gjitha anët, fizioterapike dhe ekonomike.”

Sipas tij, kjo kategori ka nevojë për më shumë politika mbështetëse, si në arsim ashtu edhe në sport, për të pasur mundësi të barabarta zhvillimi.

The post Një student ndryshe tek sportet, 25-vjeçari Gersi Troka “mposht” sindromën “down” first appeared on JavaNews.al.

Ministrja Sala takim me stafin e OSHKSH: Kujdes i shtuar gjatë sezonit të festave

By: A R
21 December 2025 at 12:31

Gjatë periudhës festive, sistemi shëndetësor parësor në të gjithë Shqipërinë vijon punën pa ndërprerje për të garantuar kujdes të menjëhershëm dhe cilësor për çdo qytetar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala zhvilloi një takim me stafin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) për koordinimin dhe masat e nevojshme për vijimin e shërbimit dhe kujdes të shtuar gjatë sezonit të festave.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor administron dhe koordinon një rrjet të gjerë kombëtar, me 4 drejtori rajonale, 36 njësi vendore, spitale rajonale, bashkiake dhe ditore, si dhe 362 qendra shëndetësore, duke qenë një shtyllë kyçe e funksionimit të sistemit shëndetësor.

The post Ministrja Sala takim me stafin e OSHKSH: Kujdes i shtuar gjatë sezonit të festave first appeared on JavaNews.al.

❌
❌