Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

FOKUS – NATO: Rutte: Rusia mund ta mbajë Evropën ”të angazhuar” nëse Kina sulmon Tajvanin

22 December 2025 at 20:56

BRUKSEL, 22 dhjetor /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet ta mbajë Evropën ”të angazhuar” nëse Kina nis sulm ushtarak ndaj Tajvanit.

Në intervistën për gazetën gjermane “BILD” të dielën, Rutte tha se Pekini dhe Moska janë të lidhur ngushtë dhe se çdo përshkallëzim në Indo-Paqësor mund të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë evropiane.

“Ne shohim lidhjen globale midis Kinës dhe Rusisë. Kina po e shqyrton Tajvanin. Jam i bindur se nëse Kina ndërmerr veprime ushtarake atje, ajo do të ushtrojë presion mbi partnerin e saj të vogël, Rusinë, nën udhëheqjen e Putinit, që të na mbajë të zënë këtu në Evropë”, tha ai.

Rutte më tej tha se NATO duhet të forcojë urgjentisht mbrojtjen e saj, duke paralajmëruar se Moska mbetet e përgatitur të përballojë humbje të rënda.

“Arsyeja është Putini. Ai është i përgatitur të sakrifikojë 1.1 milion njerëz nga populli i tij. Dhe këtë vit ai ka bërë shumë pak përparim, fitime minimale territoriale, më pak se 1 për qind e territorit ukrainas krahasuar me fillimin e vitit”, shtoi ai.

Rutte nënvizoi se ishte thelbësore për sigurinë evropiane që Ukraina të mbahet e fortë.

“Nëse Rusia do të merrte kontrollin e të gjithë Ukrainës, kjo do të kishte pasoja të mëdha për NATO-n. Ne do të duhej të shpenzonim shumë më tepër sesa ajo për të cilën ramë dakord në Hagë”, tha ai.

Sipas tij, diskutimet ishin duke vazhduar rreth kontributeve të mundshme me trupa. “Disa vende evropiane kanë treguar se do të ishin të gatshme të kontribuonin me trupa, nëse dëshirohej”, tha Rutte duke shtuar se struktura e një vendosjeje të tillë ishte ende duke u përpunuar.

Kreu i NATO-s hodhi poshtë spekulimet se Washingtoni mund të shkëputet nga Evropa, duke vlerësuar rolin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Duhet të them: Trump është absolutisht i përkushtuar ndaj kësaj çështjeje. Ai është i përqendruar në përfundimin e kësaj lufte. Ai është i vetmi që arriti ta sillte Putinin në tryezën e negociatave dhe i vetmi që në fund të fundit mund ta detyrojë atë të bëjë paqe”, theksoi Rutte.    /os/

The post FOKUS – NATO: Rutte: Rusia mund ta mbajë Evropën ”të angazhuar” nëse Kina sulmon Tajvanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – BKA: Gjermania regjistroi mbi 1 000 fluturime të dyshimta me dronë në 2025

22 December 2025 at 20:23

BERLIN, 22 dhjetor /ATSH-AA/ – Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) regjistroi më shumë se 1.000 fluturime të dyshimta me dronë mbi vend deri në mesin e dhjetorit të këtij viti, raportuan mediat lokale.

“Që nga fillimi i vitit, ne kemi përpiluar një të ashtuquajtur raport situate me të gjitha të dhënat mbi rastet e dyshimta, që përfshijnë edhe Forcat e Armatosura Gjermane: Këtë vit, mbi 1.000 fluturime të dyshimta me dronë janë raportuar tashmë,” tha Presidenti i BKA-së, Holger Munch, për gazetën Bild.

“Zonat më të prekura në vendin tonë janë objektet ushtarake, aeroportet, por edhe infrastruktura të tjera kritike, siç janë prodhuesit e armëve dhe objektet portuale”, shtoi ai.

Kur u pyet nëse këto dronë mund të gjurmohen gjithmonë deri te aktorët rusë, Munch tha: “Ne nuk e dimë këtë me 100 për qind siguri. Kjo është gjithashtu për shkak të vështirësisë së kapjes dhe marrjes në pyetje të pilotëve të dronëve”.

Javën e kaluar, qeveritë federale dhe shtetërore përuruan një Qendër të Përbashkët të Mbrojtjes nga Dronët (GDAZ) në Berlin për të zbuluar dhe neutralizuar më mirë dronët e paautorizuar.

Në fillim të muajit, policia federale porositi një njësi të specializuar për mbrojtjen nga dronë për t’iu kundërvënë kërcënimeve në rritje nga dronë, e cila së shpejti do të përbëhet nga 130 forca speciale.

Ajo do të vendoset në aeroporte, në kryeqytet dhe në të gjithë vendin pranë objekteve të rëndësishme për sigurinë. Ndër të tjera, do të përdorë sisteme bllokimi të mbështetura nga inteligjenca artificiale dhe dronë automatikë përgjimi.

Parlamenti i Gjermanisë miratoi më shumë se 100 milionë euro për vitin 2025 dhe 2026 për të blerë teknologji mbrojtëse nga dronë nga prodhuesit gjermanë dhe izraelitë, me sisteme shtesë të planifikuara për muajt e ardhshëm.

Qeveria ka filluar gjithashtu reforma në Aktin e Sigurisë Ajrore, duke i dhënë policisë federale dhe ushtrisë kompetenca të reja ligjore për t’iu përgjigjur aktiviteteve të dyshuara të dronëve.

Sipas këtyre reformave, nëse teknologjia policore rezulton e pamjaftueshme kundër dronëve të mëdhenj ose të përparuar, forcat e armatosura gjermane do të ndërhyjnë përmes ndihmës administrative.

The post BERLIN – BKA: Gjermania regjistroi mbi 1 000 fluturime të dyshimta me dronë në 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VATIKAN – Leone XIV: Do të ndryshojmë formimin priftëror për të evituar humbjen e besimit tek kisha

22 December 2025 at 20:18

VATIKAN, 22 dhjetor /ATSH/ – Papa Leo XIV ka publikuar një letër apostolike mbi priftërinë, duke bërë thirrje për ndryshime në formimin priftëror.

Letra, e publikuar të hënën, thotë se ‘’ky formim nuk duhet të kufizohet vetëm në kohën e kaluar në seminar’’.

Formimi duhet të vazhdojë edhe pas shugurimit për të lejuar ripërtëritje të vazhdueshme njerëzore, shpirtërore, intelektuale dhe baritore, shpjegoi Papa.

Papa trajtoi edhe çështjen e abuzimit nga priftërinjtë duke pranuar se “kriza e besimit në Kishë e shkaktuar nga abuzimi i kryer nga anëtarët e klerit na ka mbushur me turp dhe na ka thirrur për përulësi”.

‘’Bashkësia brenda Kishës mbetet gjithmonë një sfidë’’, deklaroi Papa.

Ai bëri thirrje për promovimin e “bashkëpunimit më të mirë midis priftërinjve për t’i mbrojtur ata nga rreziqet e mundshme që rrjedhin nga vetmia”.

Kuria Romake përfshin organet drejtuese dhe administrative të Selisë së Shenjtë.

Në fillim të fjalimit të tij drejtuar Kurisë, Papa kujtoi paraardhësin e tij, Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë në prill.

Ai kishte ndikuar në rrugën e Kishës në vitet e fundit dhe e kishte inkurajuar atë të vendoste përsëri mëshirën në qendër të çdo debati.  /os/

 

The post VATIKAN – Leone XIV: Do të ndryshojmë formimin priftëror për të evituar humbjen e besimit tek kisha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – IOM: Të paktën 1 200 të vdekur ose të zhdukur në Mesdheun Qendror në 2025-ën

22 December 2025 at 18:47

ROMË, 22 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Të paktën 1 190 persona kanë vdekur ose janë të zhdukur në rrugën qendrore të Mesdheut që nga fillimi i vitit, deri më 20 dhjetor.

Alarmi u dha nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në përditësimin e saj të fundit të publikuar në X.

Gjatë së njëjtës periudhë, specifikon agjencia e OKB-së, 26 635 migrantë u kapën në det dhe u kthyen në Libi, përfshirë 23 126 burra, 2 336 gra, 965 të mitur dhe 208 të tjerë , të dhënat gjinore të të cilëve nuk dihen.   /os/

The post ROMË – IOM: Të paktën 1 200 të vdekur ose të zhdukur në Mesdheun Qendror në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Istat: Gjithnjë e më pak njerëz duan të kenë fëmijë

22 December 2025 at 18:11

ROMË, 22 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Në vitin 2024, vetëm 21.2% e personave të moshës 18 deri në 49 vjeç kanë ndërmend të kenë një fëmijë brenda tre viteve të ardhshme (krahasuar me 25% në vitin 2003), sipas raportit të Istat mbi qëllimet e fertilitetit.

Mbi 10.5 milionë njerëz nuk duan të kenë fëmijë ose fëmijë të tjerë në tre vitet pas anketës ose në të ardhmen.

Një e treta përmendin arsyet ekonomike për këtë vendim, 9.4% përmendin kushtet e papërshtatshme të punës dhe 8.6% përmendin mungesën e një partneri.

Midis grave, gjysma besojnë se të paturit e një fëmije do të përkeqësojë mundësitë e tyre të punësimit.    /os/

The post ITALI – Istat: Gjithnjë e më pak njerëz duan të kenë fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BE konfirmon integritetin territorial të Danimarkës pas emërimit të të dërguarit të SHBA në Grenlandë

22 December 2025 at 16:35

BRUKSEL, 22 dhjetor /ATSH-AA/ – Ruajtja e integritetit territorial të Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për Bashkimin Evropian, tha sot një zëdhënës i BE-së, duke iu përgjigjur zhvillimeve të fundit diplomatike të SHBA-së lidhur me Grenlandën.

Duke folur në një konferencë për mediat në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar el Anouni nuk komentoi drejtpërdrejt vendimet e SHBA-së, por theksoi qëndrimin e hershëm të BE-së për këtë çështje.

Ky koment vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të dielën emërimin e një të dërguari të posaçëm në territorin autonom.

“Nuk është për mua të komentoj vendimet e SHBA-së, por ajo që mund të them për qëndrimin e BE-së është se, ai ka qenë qëndrimi ynë i hershëm për këtë çështje dhe ruajtja e integritetit territorial të Mbretërisë së Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për BE-në”, tha El Anouni.

Më herët gjatë ditës, Danimarka njoftoi se do të thërriste Kenneth A. Howery, ambasadorin e SHBA-së në Kopenhagë, për një shpjegim pasi Trump emëroi Jeff Landry, guvernatorin e shtetit amerikan të Luizianës, si të dërguarin e posaçëm të Washingtonit në Grenlandë, raportoi DR News.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen e përshkroi veprimin e SHBA-së si “krejtësisht të papranueshëm” dhe se vendimi për të thirrur ambasadorin e SHBA-së u mor në konsultim me autoritetet e Grenlandës.

Ai tha se Danimarka kërkon shpjegim të plotë se pse Washingtoni emëroi të dërguar të posaçëm në Grenlandë, pavarësisht se tashmë ka ambasador në vend.

Trump e ripërtëriu interesin e tij për Grenlandën pas rizgjedhjes së tij si president i SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale. Ai më parë e përshkroi pronësinë e Grenlandës si “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar blerjen me një “marrëveshje të madhe pasurish të paluajtshme”.

Megjithatë, as Danimarka dhe as Grenlanda nuk janë të gatshme t’i japin “dritën e gjelbër” pronësisë amerikane të ishullit, siç është shprehur vazhdimisht në përgjigje të propozimeve të Trumpit.

Grenlanda, ish-koloni daneze, arriti qeverisjen vendase në vitin 1979 dhe mbetet territor i Danimarkës. Në vitin 2009, një referendum miratoi Aktin e Vetëqeverisjes, duke i dhënë Grenlandës autonomi më të madhe ndërsa Danimarka mban kontrollin mbi politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë.   /os/

The post FOKUS – BE konfirmon integritetin territorial të Danimarkës pas emërimit të të dërguarit të SHBA në Grenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

FOKUS – Solstici i dimrit, fundi i errësirës së gjatë

21 December 2025 at 07:30

NJU JORK, 18 dhjetor /ATSH/ – Dita më e errët e vitit ka mbërritur, por kjo do të thotë se ditë më të ndritshme na presin, shkruan AP.

E diela është dita më e shkurtër e vitit në veri të ekuatorit, ku solstici shënon fillimin e dimrit astronomik.

Në Hemisferën Jugore, është e kundërta, ku është dita më e gjatë e vitit dhe fillimi i verës.

Fjala “solstic” vjen nga latinishtja “sol” për diell dhe “stitium”, që mund të thotë “pauzë” ose “ndalim”.

Solstici shënon fundin e rrugëtimit vjetor të diellit, duke u ngritur ose duke rënë në qiell.

Solstici i dimrit është momenti kur dielli përfundon harkun e tij më të shkurtër dhe më të ulët. Lajmi i mirë për adhuruesit e diellit: ai më pas fillon të lindë përsëri dhe ditët do të zgjasin pak çdo ditë deri në fund të qershorit.

Për mijëvjeçarë, solsticat janë festuar me festime dhe monumente si Stonehenge, të projektuara për t’u përshtatur me rrugën e diellit gjatë solsticave.

Çfarë është solstici?

Ndërsa Toka rrotullohet rreth diellit, e bën këtë në një kënd të caktuar, duke bërë që nxehtësia dhe drita e diellit të bien në mënyrë të pabarabartë në gjysmën veriore dhe jugore të planetit për pjesën më të madhe të vitit.

Solstici shënon kohën kur pjerrësia e Tokës drejt ose larg diellit është më e madhe. Kjo do të thotë që hemisferat marrin sasi shumë të ndryshme të dritës së diellit, dhe ditët dhe netët janë në nivelin e tyre më të pabarabartë.

Në solsticin e dimrit në Hemisferën Veriore, gjysma e sipërme e Tokës është në pjerrësinë e saj më të madhe në krahasim me diellin, duke rezultuar në ditën dhe natën më të shkurtër të vitit.

Solstici i dimrit mund të bjerë midis 20 dhe 23 dhjetorit; këtë vit, është data 21.

E kundërta ndodh gjatë solsticit të verës në Hemisferën Veriore: gjysma e sipërme e Tokës anohet drejt diellit, duke krijuar ditën dhe natën më të shkurtër të vitit. Ky solstic bie midis 20 dhe 22 qershorit.

Çfarë është ekuinoksi?

Gjatë ekuinoksit, boshti i Tokës dhe orbita e saj rreshtohen në mënyrë që të dy hemisferat të marrin të njëjtën sasi të dritës së diellit.

Fjala ekuinoks vjen nga dy fjalë latine që do të thotë “i barabartë” dhe “natë”.

Kjo ndodh sepse gjatë ekuinoksit, dita dhe nata zgjasin pothuajse të njëjtën kohë, megjithëse mund të keni disa minuta më shumë, varësisht se ku ndodheni në planet.

Ekuinoksi vjeshtor në Hemisferën Veriore mund të ndodhë midis 21 dhe 24 shtatorit, varësisht nga viti. Ekuinoksi pranveror mund të ndodhë midis 19 dhe 21 marsit.   /os/

 

The post FOKUS – Solstici i dimrit, fundi i errësirës së gjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SHBA – Inteligjenca amerikane: Putin dëshiron të gjithë Ukrainën dhe po synon vendet baltike

20 December 2025 at 13:20

UASHINGTON, 20 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-perandorisë sovjetike.

Raportet paraqesin “një pamje krejtësisht të ndryshme” nga ajo e paraqitur nga Donald Trump dhe negociatorët e tij, të cilët pretendojnë se presidenti rus synon t’i japë fund konfliktit.

Ato gjithashtu kundërshtojnë mohimet e udhëheqësit rus në lidhje me akuzat se ai përbën një kërcënim për Evropën.

Gjetjet e inteligjencës amerikane “janë kryesisht në përputhje me pikëpamjet e udhëheqësve evropianë dhe agjencive të inteligjencës”, sipas të cilave Putini lakmon të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e NATO-s, sipas burimeve.

“Inteligjenca ka treguar vazhdimisht se Putini dëshiron më shumë”, theksoi Mike Quigley, një anëtar demokrat i rangut të lartë i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, në një intervistë me Reuters.

“Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur për këtë. Vendet baltike mendojnë se janë të parët”, shtoi ai.

Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luganskut dhe Donetskut, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, dhe të gjithë Krimenë.

Putin pretendon se Krimea dhe të katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që është ende nën kontrollin e tij, si pjesë e një marrëveshjeje të propozuar paqeje.

Dje, Putin, megjithëse deklaroi se ishte gati të diskutonte paqen, tha se kushtet e tij do të duhej të respektoheshin, duke pretenduar se forcat e tij kanë përparuar 6,000 kilometra katrorë këtë vit. /os/

The post SHBA – Inteligjenca amerikane: Putin dëshiron të gjithë Ukrainën dhe po synon vendet baltike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – OKB: Në Gaza 1,6 milion njerëz ende përballen me pasiguri ushqimore

20 December 2025 at 11:09

NJU JORK, 20 dhjetor /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi sot se, ndonëse zia e bukës në Rripin e Gazës është shmangur, situata humanitare mbetet jashtëzakonisht e brishtë, me më shumë se 75 për qind të popullsisë që përballet me pasiguri akute ushqimore dhe rreziqe kritike të kequshqyerjes.

“Zia e bukës është shtyrë mbrapa. Shumë më tepër njerëz janë në gjendje të kenë qasje në ushqimin që u nevojitet për të mbijetuar”, tha Guterres në një konferencë për shtyp në selinë e OKB-së në Nju Jork. “Arritjet janë të brishta, jashtëzakonisht të rrezikuara”, shtoi ai.

Ai tha se 1,6 milion njerëz në Gaza, më shumë se 75 për qind e popullsisë, pritet të përballen me “nivele ekstreme të pasigurisë akute ushqimore dhe rreziqe kritike të kequshqyerjes”.

Guterres përsëriti gjithashtu thirrjet për një “armëpushim të qëndrueshëm”, duke theksuar: “Na duhen më shumë pika kalimi, heqje e kufizimeve për artikujt kritikë, eliminim i burokracive, rrugë të sigurta brenda Gazës, financim i qëndrueshëm dhe qasje e papenguar, përfshirë edhe për OJQ-të”.

Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC) publikoi sot gjetjet e tij të reja, duke vënë në dukje se kushtet e urisë në enklavë janë zbutur përkohësisht pas uljes së luftimeve dhe përmirësimit të qasjes për dërgesat humanitare dhe tregtare të ushqimit. Megjithatë, raporti i fundit paralajmëroi se situata e përgjithshme në Gaza mbetet kritike.

Kreu i OKB-së foli gjithashtu mbi refuzimin e Izraelit për të kaluar në fazën e dytë të planit të armëpushimit në Gaza deri në kthimin e eshtrave të pengut të fundit të vdekur.

“Është thelbësore të kalohet në fazën e dytë dhe nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pretekst për ta shmangur këtë”, tha Guterres.

“Është shumë e rëndësishme të ecet përpara me procesin e paqes në tërësi. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për fazën e dytë; por për të siguruar që faza e parë, dhe veçanërisht armëpushimi, të zbatohen plotësisht”, shtoi ai.

– Vendimi i GJND-së për Bregun Perëndimor të pushtuar “duhet të zbatohet”

Duke folur për situatën në Bregun Perëndimor, Guterres paralajmëroi se “nuk mund ta humbasim nga vëmendja përkeqësimin e shpejtë të situatës” në territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli.

Ai theksoi se palestinezët po përballen me “dhunë në rritje nga kolonët izraelitë, konfiskime tokash, prishje banesash dhe kufizime të shtuara të lëvizjes”.

“Dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur pas operacioneve të forcave izraelite në veriun e Bregut Perëndimor”, shtoi ai.

Guterres theksoi se masat e përkohshme të treguara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) janë “detyrueshme dhe duhet të zbatohen”.   /os/

The post FOKUS – OKB: Në Gaza 1,6 milion njerëz ende përballen me pasiguri ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Rubio: Armëpushimi në Sudan, përparësi e menjëhershme e SHBA-së

20 December 2025 at 09:37

UASHINGTON, 20 dhjetor /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se përparësia e menjëhershme e Washingtonit në Sudan është ndalimi i luftimeve, ndërsa vendi po përballet me një krizë humanitare gjithnjë e më të thellë.

“Qëllimi ynë i menjëhershëm është një ndërprerje e luftimeve, një armëpushim humanitar drejt vitit të ri dhe që u lejon organizatave humanitare të dërgojnë ndihmë për njerëzit që janë në gjendje shumë të rëndë”, u tha Rubio gazetarëve në Departamentin e Shtetit gjatë konferencës së tij të fundvitit për shtyp.

Rubio tha se situata në terren mbetet kritike, duke theksuar se shpërndarja e ndihmave aktualisht “nuk është e mundur”.

“Po dëgjojmë dhe vazhdojmë të shohim raportime se autokolona humanitare po goditen realisht gjatë rrugës së tyre”, tha ai.

Duke e përshkruar konfliktin si thellësisht shqetësues, Rubio vuri në dukje rolin e aktorëve të jashtëm në nxitjen e përplasjes mes Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Ai tha se SHBA-ja ka qenë në kontakt me vendet e rajonit për të nxitur një armëpushim humanitar, duke luajtur “një rol bashkërendues për t’i sjellë palët në tryezë”, por pranoi se ka pasur pengesa të përsëritura.

“Një nga sfidat dhe zhgënjimet në Sudan ka qenë se njëra palë ose tjetra angazhohet për gjëra të caktuara, dhe më pas nuk i përmbush ato angazhime”, tha ai.

RSF-ja është në luftë me ushtrinë sudaneze që nga prilli i vitit 2023, pas kolapsit të tranzicionit drejt sundimit civil. Më 26 tetor, forcat e RSF-së pushtuan El Fasherin, kryeqytetin e Darfurit të Veriut, pas një rrethimi 500-ditor, duke shkaktuar zhvendosje masive dhe duke lënë civilët të bllokuar me shumë pak qasje në ushqim.  /os/

The post UASHINGTON – Rubio: Armëpushimi në Sudan, përparësi e menjëhershme e SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA godet 70 objektiva të ISIS-it në Siri

20 December 2025 at 08:58

UASHINGTON, 20 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka goditur më shumë se 70 objektiva në sulmet e saj kundër ISIS-it në Siri.

“Forcat amerikane goditën më shumë se 70 objektiva në vende të shumta në Sirinë qendrore me avionë luftarakë, helikopterë sulmi dhe artileri”, theksoi ajo.

Forcat e Armatosura të Jordanisë gjithashtu ofruan mbështetje me avionë luftarakë”, thuhet në një postim në X nga Admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM.

“Ne do të vazhdojmë të ndjekim pa pushim terroristët që kërkojnë të dëmtojnë amerikanët dhe partnerët tanë në rajon”, theksohet në të. /os/

The post UASHINGTON – SHBA godet 70 objektiva të ISIS-it në Siri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – IA mund të zëvendësojë vende pune, ashtu si gjatë Revolucionit Industrial

20 December 2025 at 07:37

LONDËR, 19 dhjetor /ATSH-AA/ – Përhapja e gjerë e inteligjencës artificiale ka të ngjarë të zhvendosë njerëzit nga vendet e punës në një mënyrë ashtu si gjatë Revolucionit Industrial, paralajmëroi guvernatori i Bankës së Anglisë, ndërsa rriten shqetësimet në lidhje me ndikimin e teknologjisë tek të rinjtë që hyjnë në tregun e punës.

Andrew Bailey tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të ketë “trajnimin, arsimimin (dhe) aftësitë e nevojshme” për të ndihmuar punëtorët të kalojnë në punë që përdorin inteligjencën artificiale.

Duke folur për BBC Radio 4, Bailey tha se njerëzit që kërkojnë punë do të gjenin punë “shumë më lehtë” nëse do t’i kishin këto aftësi.

Megjithatë, ai paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund ta bëjë më të vështirë për profesionistët më të rinj dhe pa përvojë të sigurojnë role të nivelit fillestar.

“Duhet të mendojmë: çfarë po i bën kjo rrjedhës së njerëzve? A po e ndryshon apo jo?” tha ai duke shtuar se “mendoj se nëse janë njerëz që punojnë me inteligjencën artificiale, nuk jam i sigurt nëse do ta ndryshojë rrjedhën e punës, por mendoj se kemi të drejtë ta kemi parasysh këtë pikë”.

AI po integrohet gjithnjë e më shumë në të gjithë ekonominë, duke i mundësuar kompjuterëve të përpunojnë sasi të mëdha të dhënash, të identifikojnë modele dhe të ndjekin udhëzime komplekse.

Ndërsa shumë e shohin potencialin e saj për të rritur produktivitetin, ka frikë në rritje për efektin e saj në vende pune.

Shifrat zyrtare të publikuara këtë javë treguan se shkalla e papunësisë në Mbretërinë e Bashkuar u rrit në 5,1 për qind në tre muajt deri në tetor, me të rinjtë që u goditën më rëndë.

Zyra për Statistikat Kombëtare raportoi se numri i të papunëve të moshës 18-24 vjeç u rrit me 85 000 gjatë kësaj periudhe, rritja më e madhe që nga nëntori i vitit 2022.

Disa kritikë kanë fajësuar rritjet e pagës minimale dhe taksat më të larta për shkak se i kanë bërë firmat më të ngurruara për të punësuar staf të ri.

Të tjerë pohojnë se inteligjenca artificiale po e zvogëlon tashmë nevojën për punëtorë të nivelit fillestar, veçanërisht në profesione të tilla si drejtësia, kontabiliteti dhe administrata./  /os/

The post FOKUS – IA mund të zëvendësojë vende pune, ashtu si gjatë Revolucionit Industrial appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin: Kemi 700 000 ushtarë në zonën e operacioneve speciale

19 December 2025 at 16:55

MOSKË, 19 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në konferencën e tij të fundvitit se “aktualisht ka afërsisht 700 000 personel ushtarak rus në zonën e operacioneve speciale”.

Ai saktësoi se këta janë kryesisht “të rinj, përfshirë anëtarë të gjeneratës së viteve 1990”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi para disa ditësh  se Rusia po përgatitej të zhvillonte një vit të ri lufte në Ukrainë gjatë vitit 2026, pas deklaratës së homologut të tij rus, Vladimir Putin, se objektivat e Moskës do të arriheshin pa asnjë dyshim.

“Ne dëgjuam një sinjal të ri nga Moska që ata po përgatiten ta bëjnë vitin e ardhshëm një vit të ri lufte”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të përditshëm.

“Eshtë e rëndësishme që partnerët ndërkombëtarë ta kuptojnë këtë dhe të reagojnë, veçanërisht partnerët në Shtetet e Bashkuara, të cilët shpesh deklarojnë se Rusia pretendon të dëshirojë të ndalojë luftën”, shtoi ai.   /os/

 

 

The post RUSI – Putin: Kemi 700 000 ushtarë në zonën e operacioneve speciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump nënshkruan NDAA prej 901 miliardë dollarësh

19 December 2025 at 14:59

UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi të enjten Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) një masë prej 901 miliardë dollarësh që përshkruan politikat dhe shpenzimet e Pentagonit për vitin 2026.

Në një deklaratë të gjatë nënshkrimi të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se legjislacioni do të çonte përpara axhendën e tij “Paqe Përmes Forcës”, do të forconte sigurinë e atdheut dhe bazën industriale të mbrojtjes, duke eliminuar “programet e kota dhe radikale” që dëmtojnë karakterin e luftës së ushtrisë.

Legjislacioni autorizon 8 miliardë dollarë mbi nivelin e kërkuar nga administrata e Trumpit.

Dispozitat kryesore në projektligjin prej 3.086 faqesh përfshijnë 800 milionë dollarë për Ukrainën, 400 milionë dollarë për secilin nga dy vitet e ardhshme, si pjesë e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës dhe shfuqizimin e sanksioneve të Cezarit ndaj Sirisë nën ish-regjimin e Bashar al-Assadit.

Projektligji i ndan 600 milionë dollarë Izraelit, përfshirë fonde për iniciativa të përbashkëta të mbrojtjes nga raketat, siç është sistemi “Kupola e Hekurt”. Ai kundërshton kërcënimet nga Kina dhe siguron suksesin e misioneve Indo-Paqësore. Projektligji përfshin gjithashtu një buxhet prej 1 miliard dollarësh për Iniciativën e Bashkëpunimit për Sigurinë në Tajvan.

NDAA autorizon Departamentin e Mbrojtjes të mbledhë fonde nga aleatët e NATO-s për të kompensuar koston e qëndrimit të forcave të SHBA-së në Evropën Lindore. Ai kërkon që komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) të bëjë një vlerësim vjetor se si SHBA-ja dhe NATO po ruajnë një avantazh ushtarak krahasues kundër Rusisë.

Ai kërkon që Pentagoni të analizojë efektin në sigurinë e SHBA-së përpara se të zvogëlojë strukturën e forcave të saj në Evropë nën 76 mijë. Ndërsa shprehu mbështetje për objektivat kryesore të projektligjit, Trump tha se shumë seksione ngritën shqetësime kushtetuese.

Trump kundërshtoi dispozitat që ai tha se përpiqen të diktojnë qëndrimet e SHBA-së në çështjet e jashtme dhe ushtarake, kërkojnë zbulimin e informacionit të privilegjuar ose të ndjeshëm të sigurisë kombëtare në Kongres, ose kufizojnë autoritetin presidencial mbi vendosjen e trupave, burimet ushtarake dhe menaxhimin e degës ekzekutive.

Ai shtoi se administrata e tij do të zbatojë dispozitat “në përputhje me autoritetin kushtetues të presidentit” si komandant suprem dhe drejtor ekzekutiv, përfshirë autoritetin mbi çështjet e jashtme, informacionin e sigurisë kombëtare, vendimet e personelit dhe rekomandimet për Kongresin.

“Disa nene do të interpretohen në një mënyrë që nuk dëmton aftësinë e presidentit për të kryer misione ushtarake, për të menaxhuar strukturat organizative të lidhura me energjinë bërthamore, për të kontrolluar informacionin e klasifikuar ose për të përcaktuar kohën dhe fizibilitetin e njoftimeve për Kongresin lidhur me veprimet ushtarake dhe diplomatike”, tha Trump.   /os/

The post SHBA – Trump nënshkruan NDAA prej 901 miliardë dollarësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – 1.4 milionë euro donacione për heroin e Bondi Beach

19 December 2025 at 13:47

SIDNEJ, 19 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Heroi i masakrës në Bondi Beach të Australisë, Ahmed al Ahmed, ka marrë 2.5 milionë dollarë australianë (rreth 1.4 milionë euro) në donacione nga komuniteti, ndërsa ai mbetet i shtruar në spital për lëndime të marra gjatë të shtënave.

Një video e publikuar nga BBC e tregon atë në shtratin e spitalit duke marrë çekun mëse të merituar.

Gjatë masakrës së Hanukkah në Sydney të dielën, Ahmedi u hodh nga pas një makine dhe çarmatosi njërin nga sulmuesit.

Ai u qëllua disa herë dhe mund të humbasë një krah.

Të paktën 15 persona u vranë në sulmin e së dielës në Bondi Beach, por numri i të vdekurve besohet të ketë qenë më i lartë nëse nuk do të ishte Ahmedi.

Kryeministri australian Anthony Albanese vizitoi babanë e dy fëmijëve, duke e quajtur atë “babai më i mirë i vendit të tij”.   /os/

 

The post AUSTRALI – 1.4 milionë euro donacione për heroin e Bondi Beach appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Nuk përjashtoj mundësinë e një konflikti me Venezuelën

19 December 2025 at 13:31

UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një konflikt me Venezuelën.

“Nuk e kam diskutuar ende. Ndërhyrja ushtarake kundër regjimit të Karakasit është ndër opsionet në tryezë’’, theksoi ai.

Trump gjithashtu nuk përjashtoi sulme të reja kundër anijeve që besohet se janë trafikantë droge në Detin e Karaibeve dhe sekuestrime të mëtejshme të cisternave të naftës.

Lidhur me Maduron, presidenti amerikan shtoi më pas se “ai e di saktësisht se çfarë dua unë”.   /os/

 

The post SHBA – Trump: Nuk përjashtoj mundësinë e një konflikti me Venezuelën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Putin: Përdorimi i aseteve tona është grabitje, do të mbrohemi ligjërisht!

19 December 2025 at 11:21

MOSKË, 19 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti rus Vladimir Putin e quajti idenë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse një “grabitje’’.

‘’Udhëheqësit evropianë nuk ishin të aftë të arrinin një marrëveshje për luftën. Pasojat për grabitësit mund të jenë vërtet të ashpra”, shtoi ai.

“Pavarësisht se çfarë vjedhin, herët a vonë do të duhet ta kthejnë atë dhe, më e rëndësishmja, ne do të shkojmë në gjykatë për të mbrojtur interesat tona.

‘’Ne do të bëjmë çmos për të gjetur një juridiksion të pavarur nga konteksti politik”, paralajmëroi ai në konferencën për shtyp në fund të vitit.   /os/

 

The post MOSKË – Putin: Përdorimi i aseteve tona është grabitje, do të mbrohemi ligjërisht! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM-Greqi, nënshkruhet pakti për të luftuar kontrabandën e qenieve njerëzore

19 December 2025 at 10:27

LONDËR, 19 dhjetor /ATSH-AA/ – Britania e Madhe ka nënshkruar një pakt të ri migracioni me Greqinë që synon forcimin e sigurisë kufitare dhe ndërprerjen e bandave të kontrabandës së qenieve njerëzore që veprojnë në të gjithë Evropën dhe Mesdheun.

Sekretarja e jashtme britanike, Yvette Cooper, nënshkroi marrëveshjen gjatë një vizite në Athinë, ku po takohet me homologun e saj grek, George Cerapetritis.

Partneriteti do të rrisë bashkëpunimin mbi kthimet, zbatimin e ligjit dhe adresimin e nxitësve të migracionit.

Sipas marrëveshjes, Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë trajnime për agjencitë greke të zbatimit të ligjit për të ndihmuar në luftimin e krimit të organizuar të imigracionit dhe për të ndërprerë zinxhirët e furnizimit të përdorur për të lehtësuar kalimet me anije të vogla.

Pakti bazohet në operacionet e përbashkëta të kohëve të fundit midis autoriteteve greke dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Kalimet e paligjshme dhe të rrezikshme me anije po dëmtojnë sigurinë kufitare si në Kanal ashtu edhe në Mesdhe. Përballimi dhe parandalimi i migracionit të paligjshëm dhe ndjekja e bandave kriminale të kontrabandistëve me vlerë shumë milionë funtash është një përparësi kryesore si për Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe për Greqinë”, tha Cooper, duke shtuar se krimi i organizuar i imigracionit është një kërcënim global.

Ajo gjithashtu tha se marrëveshja do të ndihmojë në trajtimin e rritjeve të kontrabandës më herët përgjatë rrugëve të migracionit, duke ndihmuar në “adresimin e këtyre problemeve para se të arrijnë në brigjet tona”.

Vizita përfshin edhe një njoftim për financim të ri të Mbretërisë së Bashkuar për projekte në Algjeri, Egjipt dhe Tunizi.

Financimi do të mbështesë krijimin e vendeve të punës dhe do të ndihmojë në devijimin e mijëra migrantëve potencial drejt punësimit më afër shtëpisë, duke reduktuar presionet që çojnë në kalime të rrezikshme të Mesdheut.

Pakti me Greqinë vjen pas një serie marrëveshjesh të fundit të Mbretërisë së Bashkuar mbi migracionin, duke përfshirë një marrëveshje kthimi me Francën dhe partneritete të reja me Gjermaninë, Irakun dhe vendet në Ballkanin Perëndimor.  /os/

The post LONDËR – BM-Greqi, nënshkruhet pakti për të luftuar kontrabandën e qenieve njerëzore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump pezullon Lotarinë Amerikane pas të shtënave në Brown dhe MIT

19 December 2025 at 10:17

UASHINGTON, 19 dhjetor /ATSH/ – Presidenti Donald Trump ka pezulluar programin e lotarisë amerikane, e cila lejoi të dyshuarit për të shtënat në Universitetin Brown dhe MIT të hynin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan AP

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem deklaroi në një postim në platformën e mediave sociale X se, me udhëzimin e Trump, ajo po udhëzon Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së që ‘’të pezullojnë programin’’.

“Ky individ i urryer nuk duhej të ishte pranuar kurrë në vendin tonë”, tha ajo, duke iu referuar të dyshuarit, shtetasit portugez Claudio Neves Valente.

Neves Valente, 48 vjeç, dyshohet për të shtënat në Universitetin Brown, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, dhe për vrasjen e një profesori të MIT.

‘’Ai u gjet i vdekur të enjten në mbrëmje nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vetë’’, thanë autoritetet.

Neves Valente kishte studiuar në Universitetin Brown me vizë studentore që nga viti 2000. Në vitin 2017, atij iu dha një vizë emigrimi dhe muaj më vonë mori statusin e qëndrimit të përhershëm.

Programi i Vizave të Diversitetit ofron deri në 50 000 karta jeshile çdo vit nëpërmjet një llotarie për njerëzit nga vendet e nën-përfaqësuara në Shtetet e Bashkuara, shumë prej tyre në Afrikë.

Lotaria u krijua nga Kongresi dhe ky veprim me siguri do të rezultojë në sfida ligjore.

Gati 20 milionë njerëz kanë aplikuar për lotarinë e vizave të vitit 2025. Personat fitues duhet t’i nënshtrohen një procesi shqyrtimi për të fituar pranimin në Shtetet e Bashkuara.

Qytetarët portugezë fituan vetëm 38 vende.

Fituesit e lotarisë ftohen të aplikojnë në konsullata dhe i nënshtrohen të njëjtave kërkesa dhe shqyrtim si aplikantët e tjerë të kartës jeshile.   /os/

The post SHBA – Trump pezullon Lotarinë Amerikane pas të shtënave në Brown dhe MIT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ODESA – Dronë rusë pushtojnë qiellin e qytetit

19 December 2025 at 09:44

ODESA, 19 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Forcat ruse kanë nisur një sulm me dron Shaheed në qytetin e Odesës në jug të Ukrainës.

Dronët ruse u vunë re në lagje të shumta. Banorët raportuan një zjarr të madh dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qytetit.

“Një pjesë e një prej zonave me popullsi të dendur të qytetit ishte përkohësisht pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje.

Specialistët tashmë po punojnë për rivendosjen e situatës. Aktualisht kemi informacione për një person të plagosur në gjendje mesatarisht të rëndë.

Ai është transportuar në një strukturë mjekësore”, tha Serhiy Lysak, kreu i administratës ushtarake të Odesës.   /os/

The post ODESA – Dronë rusë pushtojnë qiellin e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌