Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Greqi, fermerët vazhdojnë protestat me traktorë në rrugët kombëtare

22 December 2025 at 12:25

Fermerët në Greqi vazhduan protestat e tyre dhe mbetën në pikat strategjike të autostradave kombëtare, me traktorët e tyre, edhe dje përgjatë gjithë ditës.

Fermerët e Karditës dhe Trikalës parkuan traktorët e tyre përgjatë autostradës E65 në Greqinë Qendrore dhe vendosën të lënë një korsi të autostradës të lirë në secilin drejtim që nga e marta, 23 dhjetor, për të lehtësuar udhëtimin e njerëzve për festat e Krishtlindjeve.

Ata synojnë të heqin barrierat e kabinave të pagesës për të lejuar kalimin e makinave edhe të dielën, ndërsa traktorë të tjerë po mbërrijnë për të përforcuar numrin e tyre.

Në Larisa, fermerët nga e gjithë Thesalia mbeten në kryqëzimet e Nikaias, një nga qendrat kryesore të mobilizimeve kombëtare të fermerëve.

Të shtunën, ata kishin ngritur barrierat e kabinave të pagesës dhe kishin lejuar kalimin e makinave pa pagesë, ndërsa gjithashtu shpërndanë produkte bujqësore dhe fletëpalosje me kërkesat e tyre për shoferët që kalonin.

Ata kanë planifikuar një tjetër mbledhje të përgjithshme të fermerëve të bagëtive dhe të kulturave të dielën, ku do të vendosin për veprimet e tyre të ardhshme dhe nëse do të përshkallëzojnë dhe do të miratojnë forma të reja proteste. Ata gjithashtu synojnë të lejojnë kalimin pa pengesa të shoferëve nga e marta, 23 dhjetor, për të lehtësuar trafikun e festave përpara Krishtlindjeve, pa pezulluar luftën e tyre.

Në Janinë, fermerët planifikuan një mobilizim në pikat e pagesës në Tyria me sloganin “Ne nuk i mbyllim rrugët, ne i hapim ato”.

Ata synojnë të ngrenë barrierat në pikat e pagesës për katër orë, duke lejuar makinat të kalojnë pa paguar.

Megjithatë, në pikat e pagesës në Oreokastro, fermerët nuk vazhduan me planet për të ngritur barrierat e pagesës.

Në vend të kësaj, ata u shpërndanë produkte bujqësore shoferëve që kalonin dhe i informuan ata për kërkesat e tyre.

Autostrada kombëtare Athinë-Selanik mbeti e mbyllur në të dyja drejtimet në pikën e pagesës në Malgara, megjithatë, me fermerët që deklaruan se do ta hapin rrugën në të dyja drejtimet të martën.

“Do ndërtojmë laboratorë të akredituar nga BE”, Rama: Do finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve

22 December 2025 at 11:12

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, i pranishëm aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”  theksoi se do ndërtohen laboratorë, që janë të akredituar nga Bashkimi Evropian.

Ai garantoi fermerët se qeveria do vazhdojë t’i mbështesë dhe do t’u japë atyre informacionet e domosdoshme, me qëllimin për ta kthyer sektorin e bujqësisë në një peshë kryesore të ekonomisë.

“Ne do të bëjmë sistemin integruar të administrimit dhe kontrollit. Do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë.

Do të ndërtojmë deri në fund laboratorë të akredituar nga BE.

Ne do jemi të angazhuar që t’ju japim sa më shumë nga informacioni i domosdoshëm që duhet të merrni”, tha ai./abcnews.al

Mbështetja për bujqësinë/ Rama garanton fermerët: Çdo projekt që bazohet në dije, do të financohet me çdo mënyrë

22 December 2025 at 11:05

TIRANË– Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbështetja për bujqësinë shqiptare jo vetëm që nuk do të mungojë, por do të rritet vit pas viti, duke synuar forcimin e fermës shqiptare dhe nxitjen e investimeve në sektorin bujqësor.

Rama theksoi se mbështetja e drejtpërdrejtë për bujqësinë pritet të arrijë në 100 milionë euro.

Sipas tij, edhe Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, ndërsa instrumente financimi do të ofrohen edhe përmes agrokredisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Kryeministri u shpreh se synimi i qeverisë është që financimi të mos jetë më pengesë për fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi.

Ai shtoi se çdo projekt i qëndrueshëm, i mbështetur me dije dhe plan të qartë nga aplikantët, do të financohet, në një formë ose në një tjetër. Ai  garantoi fermerët me akses më të gjerë në burime financiare për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

“Mbështetja jo vetëm nuk do mungojë, por do rritet vit pas viti. Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë, që duam ta çojmë në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit, e cila tashmë është regjistruar dhe ka gati planin për të filluar të jetësojë aktivitetin e vet. Me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, me mbështetjen e agrokrediti, që është vënë në lëvizje dhe me mbështetjen e AZHBR dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes AZHBR, ne do të arrijmë t’i vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare dhe fermës shqiptare dhe të gjithë ata që duan të jetojnë me tokën një fakt: për askënd nuk do jetë çështje lekësh, nuk do jetë çështje fondesh për gjithkënd do jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijeve për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do jetë i duhur dhe që do mbështetet me dije nga çdo aplikant, nuk diskutohet që do financohe , në një rrugë ose në një tjetër”, tha kryeministri Rama/abcnews.al

“Do rrisim eksportet”, Rama: Produktet tona, në 80 vende të botës

22 December 2025 at 10:59

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në eksportet dhe në raportin e deficitit tregtar, krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas Ramës, dikur eksportet ishin një aktivitet i kufizuar vetëm për një numër shumë të vogël fermerësh, ndërsa deficiti tregtar ishte në nivele “katastrofike” në krahasim me vendet e rajonit.

I pranishëm në aktivitetin “me fermerët në Shqipërinë 2030”, kryeministri pohoi se sot eksportet shqiptare janë prezente në 80 vende të botës.

“Eksportet ishin thjesht dhe vetë aktivitet i një grushti njerëzish fermerësh, që ia kishin dalë deri aty dhe deficit tregtare ishte katastrofë unikale në rajon se në euros nuk po hymë fare të bëjmë krahasime.

Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro në ushqim, ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe ekspertët kanë kaluar gjysmë miliardë euro dhe ndërkohë deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe përpjekja jonë është që të shkojmë 1 me 2”, tha Rama./abcnews.al

Masat e Policisë për festa/ Shtohen patrullat dhe prania e efektivëve në rrugë dhe sheshe

22 December 2025 at 10:18

TIRANË– Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të vitit të Ri 2026. Ky plan parashikon shtimin e forcave të efektivëve në rrugë e sheshe, si dhe shtim i kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.

Njoftimi mbi masat e marra: 

Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave të rëndësishëm, si dhe parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të mirëpërcaktuara për çdo strukturë policore vendore dhe qendrore.
Masat konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;

-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;

-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.

(Në këtë kuadër, sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative.
Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve)

-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;

-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;

-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;

-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;

-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;

-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.

Festat, bonus për disa kategori/ Qeveria jep 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe

22 December 2025 at 10:06

TIRANË- Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë bonuese për disa kategori të shoqërisë. Lajmi u dha nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha ministri Malaj.

Ministri u shpreh se një nga vendimet e Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

Ai pohoi se të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, u shpreh Malaj./abcnews.al

 

I dërguari special i SHBA: Bisedimet e paqes për Ukrainën produktive dhe konstruktive

22 December 2025 at 09:23

Gjatë tri ditëve të negociatave në Florida, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë zhvilluar bisedime me dhe pa përfaqësues evropianë mbi mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

”Diskutimet midis negociatorëve ukrainas dhe amerikanë mbuluan garancitë shumëpalëshe të sigurisë, si dhe garancitë e sigurisë amerikane”, shkruan në mënyrë identike në X i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov.

Ata thanë se bisedimet trajtuan gjithashtu zhvillimin e mëtejshëm të planeve për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, ndërsa vendi vazhdon të mbrohet nga pushtimi i Rusisë.

“Gjatë tri ditëve të fundit në Florida, delegacioni ukrainas zhvilloi një sërë takimesh produktive dhe konstruktive me partnerët amerikanë dhe evropianë”, thanë postimet.

“Ukraina mbetet plotësisht e përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtuan ato.

Delegacionet ukrainase, ruse dhe evropiane ishin në Miami gjatë fundjavës për të vazhduar negociatat për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia rreth katër vjet më parë, megjithëse nuk u zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë.

Përfaqësuesit ukrainas, amerikanë dhe evropianë kishin zhvilluar bisedime të dielën dhe të hënën e kaluar në Berlin, mes një shtytjeje të intensifikuar diplomatike për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

Negociatori rus Kirill Dmitriev, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, i përshkroi bisedimet në Miami si konstruktive pas raundit të parë të së shtunës, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

“Gjatë dy ditëve të fundit në Florida, i Dërguari Special rus Kirill Dmitriev zhvilloi takime produktive dhe konstruktive me delegacionin amerikan për të çuar përpara planin e paqes të presidentit Trump për Ukrainën”, tha Witkoff në një postim në X.

Asnjë nga palët e përfshira nuk zbuloi nëse ishte bërë përparim i vërtetë.

Rivaliteti/ Firmat evropiane bien dakord për bashkimin e satelitëve për t’iu kundërvënë Starlink

22 December 2025 at 08:51

Grupet evropiane të hapësirës ajrore zbuluan një marrëveshje fillestare të enjten për të bashkuar aktivitetet e tyre të prodhimit të satelitëve që sjellin humbje, duke kombinuar forcat pas muajsh negociatash për t’iu kundërvënë rritjes marramendëse të rivalëve të udhëhequr nga Starlink i Elon Musk.

Marrëveshja e shumëpritur midis Airbus, Thales dhe Leonardo, synon të krijojë një sipërmarrje të re duke filluar nga viti 2027, në varësi të miratimit nga rregullatorët evropianë që kanë rezistuar ndaj lëvizjeve të tilla në të kaluarën.

Entiteti i ri pa emër do të punësojë 25,000 njerëz në të gjithë Evropën me të ardhura vjetore prej 6.5 miliardë eurosh (7.58 miliardë dollarë), bazuar në shifrat e vitit 2024, thanë kompanitë në një deklaratë.

Airbus do të mbajë 35%, ndërsa Thales dhe Leonardo do të mbajnë secila 32.5%, tha deklarata, duke shtuar se do të operojë nën kontroll të përbashkët “me një strukturë të ekuilibruar qeverisjeje”.

Kombinimi hapësinor pritet të gjenerojë miliona euro sinergji mbi të ardhurat operative në vit, duke filluar pas pesë vitesh, thanë kompanitë.

Me emrin e koduar “Projekti Bromo”, bisedimet midis tre grupeve hapësinore filluan vitin e kaluar në një përpjekje për të kopjuar modelin e bashkëpunimit të prodhuesit evropian të raketave MBDA, i cili është në pronësi të Airbus, Leonardo dhe BAE Systems.

Prodhuesit kryesorë të satelitëve në Evropë kanë konkurruar prej kohësh për të ndërtuar anije kozmike komplekse në orbitën gjeostacionare, por janë goditur nga mbërritja e satelitëve të vegjël të lirë në orbitën e ulët të Tokës.

Drejtorët ekzekutivë të tre kompanive thanë në një deklaratë të përbashkët, se bashkimi do të ndihmonte qeveritë të siguronin “autonominë e Evropës në të gjithë fushën strategjike hapësinore”.

Marrëveshja do të kombinojë aktivitetet e prodhimit dhe shërbimeve të Thales Alenia Space dhe Telespazio – dy sipërmarrje të përbashkëta midis Leonardo dhe Thales – si dhe biznese të ndryshme hapësinore dhe digjitale të Airbus, aktivitetet e mbetura hapësinore në pronësi të Leonardo dhe Thales SESO.

Kompanitë, të cilat tashmë kanë shkurtuar një total prej rreth 3,000 vendesh pune në hapësirë, nuk përmendën ndonjë shkurtim të mëtejshëm të vendeve të punës, por thanë se sindikatat do të konsultoheshin për projektin.

Reuters raportoi më parë këtë javë se tre grupet hapësinore kishin arritur një marrëveshje kornizë mbi një bashkim të propozuar të bizneseve të tyre satelitore.

Marrëveshja midis tre kompanive – secila prej të cilave ka pasur periudha marrëdhëniesh të vështira në të kaluarën – u shpëtua pasi burime të njohura me çështjen thanë se bisedimet kishin hasur pengesa në qeverisje dhe vlerësim gjatë verës./abcnews.al

SHBA, Roja Bregdetare “shigjeton” një tjetër anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës

22 December 2025 at 08:38

Zyrtarët e Rojës Bregdetare Amerikane thanë se po “ndjekin” një anije cisternë nafte në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, sipas raportimeve të medias, duke shënuar veprimin e dytë të tillë gjatë fundjavës dhe të tretin brenda javës së kaluar.

Sipas mediave amerikane, një zyrtar tregoi se cisterna është subjekt i sanksioneve, por nuk i dha vendndodhjen e saktë të anijes.

Një zyrtar gjithashtu konfirmoi ndjekjen e së dielës për Associated Press dhe tha se ajo përfshinte “një anije të flotës së errët të sanksionuar që është pjesë e shmangies së paligjshme të sanksioneve nga Venezuela”.

Donald Trump kohët e fundit kishte deklaruar një “bllokadë” që synonte të gjitha cisternat e naftës të sanksionuara që udhëtonin drejt ose jashtë Venezuelës.

Fushata e presidentit amerikan për të rritur presionin mbi presidentin autoritar venezuelian Nicolás Maduro ka përfshirë një prani të forcuar ushtarake amerikane në rajon, së bashku me më shumë se dy duzina sulme ushtarake kundër anijeve në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve pranë vendit të Amerikës së Jugut.

Këto sulme kanë rezultuar në të paktën 100 vdekje./abcnews.al

Britani e Madhe, mbi 41 000 emigrantë kaluan kanalin La Mansh në 2025

22 December 2025 at 08:10

Më shumë se 41 000 emigrantë kanë kaluar kanalin e La Mansh me varka të vogla këtë vit. Rreth 803 emigrantë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në 13 gomone nga Francën veriore, gjatë natës së të premtes dhe deri të shtunën.

Numri i përgjithshëm i kalimeve në La Mansh për vitin 2025 ka arritur në 41 455 persona.

Kalimet e së shtunës përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve që nga 8 tetori, ku vetëm në një ditë kaluan 1 075 refugjatë.

Gjithashtu, ky ishte një numër rekord kalimesh për një ditë në dhjetor, krahasuar me të dhënat që shtrihen deri në vitin 2018.

Dhjetori është, tradicionalisht një nga muajt më të qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së dobët dhe motit me stuhi që e bën udhëtimin veçanërisht të vështirë.

Numri më i madh i mbërritjeve të regjistruara në muajin dhjetor ka arritur në 3 254, në vitin 2024.

Rreth 2 163 persona kanë mbërritur deri më tani, në dhjetor.

Këtë javë, Gjermania miratoi një ligj të ri që ndëshkon trafikantët e qenieve njerëzore me deri në 10 vjet burg për përpjekjen për të sjellë emigrantë në Britaninë e Madhe.

Ndryshimi i ligjit, i cili do të hyjë në fuqi para fundit të vitit, synon t’u japë më shumë kompetenca zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve, dhe të rrisë shkëmbimin e informacionit midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, Franca planifikon të ndalojë anijet e vogla në det përpara se ato të marrin emigrantë që shkojnë në Britaninë e Madhe.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

Aksident në Cerrik, makina përplas të moshuarën

21 December 2025 at 14:45

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të diel rreth orës 14:05 në aksin rrugor Cërrik-Belsh. Një autoveturë ka përplasur një grua të moshuar, e cila po kalonte rrugën në vijat e bardha nga njëra anë në tjetrën.

Sipas të dhënave paraprake, drejtuesja e mjetit dyshohet se nuk ka qenë e vëmendshme në momentin e ngjarjes, duke përplasur të moshuarën dhe duke i shkaktuar plagë të rënda. Si pasojë e goditjes, e dëmtuara ka humbur edhe ndjenjat.

Menjëherë pas aksidentit, autoambulanca dhe shërbimet e policisë, të njoftuara nga dëshmitarë të ngjarjes, kanë mbërritur në vendngjarje. E moshuara është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

A po i dëmton inteligjenca artificiale aftësitë e të menduarit?

21 December 2025 at 14:35

Cila ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot me inteligjencë artificiale të bënte për ju? Ndoshta i kërkuat të hartonte një ese, apo një analizë të thellë të të dhënave, sipas BBC.

Disa ekspertë shqetësohen se realizimi i detyrave nga IA-ja do të thotë që truri juaj po punon më pak – dhe madje mund të dëmtojë aftësinë e të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve.

Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) publikoi këtë vit, një studim që tregonte se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese – treguan më pak aktivitet në rrjetet e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv gjatë kryerjes së ushtrimit.

Këta njerëz gjithashtu nuk mund të përshkruanin esetë e tyre aq lehtë sa personat që nuk përdorën një chatbot të inteligjencës artificiale.

Hulumtuesit thanë se studimi tregoi një rënieje të aftësive të të nxënit.

Të gjithë 54 pjesëmarrësit u rekrutuan nga MIT dhe universitetet aty pranë. Aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua duke përdorur elektroencefalografi (EEG), e cila përfshin vendosjen e elektrodave në kokë.

Disa nga kërkesat e pjesëmarrësve përfshinin pyetjen ndaj IA-së për të përmbledhur pyetjet e eseve, për të gjetur burime, si dhe për të përmirësuar gramatikën.

IA-ja u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe artikuluar ide – por disa përdorues menduan se ajo nuk ishte shumë e mirë në këtë.

IA-ja e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve

Universiteti “Carnegie Mellon” dhe “Microsoft” zbuluan se aftësitë e njerëzve për zgjidhjen e problemeve mund të zvogëloheshin nëse ata bëheshin shumë të varur nga IA-ja.

Ata anketuan 319 punonjës të mjekësisë që përdorën mjete IA për punët e tyre të paktën një herë në javë.

Ata shqyrtuan 900 shembuj të detyrave të dhëna për IA-në, duke filluar nga analizimi i të dhënave për njohuri të reja deri te kontrolli nëse puna përmbushte rregulla të caktuara.

Studimi zbuloi se besimi më i lartë në aftësinë e IA-së për të kryer një detyrë lidhej me përpjekje më të vogla të të menduarit të rëndësishëm.

Ndërsa GenAI mund të përmirësojë efikasitetin e punonjësve, ai mund të pengojë angazhimin e rëndësishëm. me punën dhe potencialisht mund të çojë në mbështetje të tepruar afatgjatë në inteligjencën artificiale dhe aftësi të reduktuar për zgjidhjen e pavarur të problemeve.

Nxënësit e shkollave në Britaninë e Madhe u anketuan në mënyrë të ngjashme për një studim të botuar në tetor nga “Oxford University Press” (OUP).

Ai zbuloi se gjashtë në 10 nxënës mendonin se IA-ja kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me punën shkollore.

Pra, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a rrezikojnë të dobësohen aftësitë tona njohëse?

“Jo domosdoshmërisht”, tha Dr. Alexandra Tomescu, një specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP e cila punoi në anketën shkollore.

“Hulumtimi ynë na tregon se nëntë në 10 studentë thonë se IA-ja i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me detyrat shkollore – qoftë zgjidhja e problemeve, kreativiteti apo rishikimi.

“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i IA-së ua bëri shumë të lehtë kryerjen e punës”, shtoi ajo.

ChatGPT, e cila ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë javorë – sipas shefit Sam Altman, ka publikuar një set prej 100 pyetjesh për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.

Por, Prof. Wayne Holmes, i cili kryen studime të rëndësishme të inteligjencës artificiale dhe arsimit në |University College London” (UCL), tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Duhet të bëhen shumë më tepër kërkime akademike rreth efekteve të mjeteve të IA-së në të nxënë – përpara se nxënësit dhe studentët të nxiten për t’i përdorur ato”, tha ai.

“Sot nuk ka prova të pavarura në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, ose për sigurinë e tyre, apo edhe për idenë se ato kanë një ndikim pozitiv”, tha Holmes.

Prof. Holmes theksoi hulumtimin rreth atrofisë konjitive, ku aftësitë dhe shkathtësitë e dikujt përkeqësohen pas përdorimit të inteligjencës artificiale.

“Ky ka qenë një problem për radiologët që përdorin mjete të inteligjencës artificiale për t’i ndihmuar të interpretojnë rrezet X para se të diagnostikojnë pacientët”, tha ai.

Një studim nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e inteligjencës artificiale përmirësoi performancën e disa klinicistëve, por dëmtoi të tjerët për arsye që studiuesit nuk i kuptojnë plotësisht.

Prof. Holmes ka frikë se studentët, qofshin në shkollë apo universitet, mund të bëhen shumë të varur nga inteligjenca artificiale duke mos zhvilluar aftësitë themelore që ofron një arsim.

Franca mirëpret gatishmërinë e Putin për të zhvilluar bisedime me Macron

21 December 2025 at 14:20

Presidenca franceze mirëpriti gatishmërinë e Moskës për të zhvilluar bisedime me presidentin Emmanuel Macron, duke sinjalizuar se detajet e mëtejshme do të përcaktohen në ditët në vijim.

Pallati Elize njoftoi se gatishmëria e presidentit rus Vladimir Putin për të biseduar me Macronin është “e mirëpritur” dhe se Parisi do të vendosë për detajet “në ditët në vijim”, sipas transmetuesit francez BFMTV.

Reagimi erdhi pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha të shtunën vonë agjencisë ruse të lajmeve RIA se Putin është i gatshëm të angazhohet në dialog me Macronin.

Macron u tha gazetarëve pas takimit të Këshillit Evropian të premten se do të “bëhej sërish e dobishme” që ai dhe evropianët të flasin me Putinin, në vazhdën e përpjekjeve aktuale të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës mes Moskës dhe Kievit.

“Mendoj se ne, evropianët dhe ukrainasit, kemi interes të gjejmë një kornizë për t’u rikthyer në këto diskutime në mënyrë të duhur. Përndryshe, përfundojmë duke folur mes nesh, ndërsa negociatorë të tjerë shkojnë më vete për të biseduar me rusët, gjë që nuk është optimale” tha Macron.

Mbappe barazon legjendën CR7/ Real, ylli madrilen arrin në 59 gola në një vit kalendarik

21 December 2025 at 13:35

Nuk ishte fitorja që pritej. Tifozët ende nuk janë të kënaqur me Realin, përkundrazi, por gjithsesi ata përjetuan barazimin e një rekordi në “Santiago Bernabeu”.

Kilian MBape shënoi në fitoren 2-0 ndaj Seviljes dhe arriti në 59 gola të një viti kalendarik, aq sa është niveli më I lartë që ka mbërritur ndonjë yll merenges.

Në 2013, 59 rrjeta kishte shënuar Kristiano Ronaldo.

Kapiteni I Francës mund ta kishte thyer rekordin nëse do të kishte realizuar dy herë, por Sevilja ishte rival I fortë dhe ishte pozitiv fakti që ai arriti ta tundte rrjetën.

Fitore mes vërhsëllimash, – ishte titulli I pamëshirshëm I “Markës”, që ka në kopertinë Mbapenë që feston si Ronaldo, e vazhdon: Mbape barazon rekordin e portugezit në një triumph gri të Madridit”.

“Shumë gola dhe shumë vërshëllima, – titullon e përditshmja tjetër madrilène, “AS”, – Mbape barazon 59 golat e Kristianos dhe ia dedikon atij rekordin”.

Goli tjetër për ekipin e trajnerit Shabi Alonso u shënua nga Xhud Belingham, madje ishte I pari, në fitoren 2-0 në La Liga.

Reali ende shpreson për titullin, duke mos qenë shumë larg Barcelonës, ndonëse forma e deritanishme nuk ka qenë aspak bindëse.

 

Juventus, “zonjë” në Serie A / Skuadra bardhezi kalon testin e forcës, mundi 2-1 Romën

21 December 2025 at 13:32

Juventus gjen vazhdimësinë në Serie A me fitoren e dytë radhazi në kampionat. “Zonja e Vjetër” mundi 2-1 Romën, duke kaluar një test të vërtetë force, që e kthen sërish në garë për një vend në Champions League dhe pse jo në atë për titullin kampion.

Përveç suksesit, skuadra e drejtuar nga Luçiano Spalletti bëri një paraqitje të shkëlqyer nga një prej ekipeve më në formë të këtij sezoni.

Pas shumë përpjekjesh, të zotët e shtëpisë gjetën epërsinë vetëm në limitet e pjesës së parë.

Francisco Conceicao ndali topin në rrjetë në minutën e 44-rt.

Pas pushimit, rezultati qëndroi gjatë I pandryshuar.

Vetëm në minutën e 70, Openda dyfishoi shifrat, me golin e qetësisë për “Zonjën e Vjetër”.

Gjithsesi, Roma rihapi sfidën vetëm 5 minuta më vonë.

Baldanzi ngushtoi diferencën, por vetëm kaq.

Roma nuk arriti të prishë festën e Juventus dhe tifozëve të tij në “Allianz Stadium”, ndërsa me këtë fitore skuadra bardhezi ngitet në vendin e pestë të klasifikimit në Serie A, me vetëm një pikë larg zonës Champions.

Po ashtu, edhe diferenca me kryesuesit është zbutur ndjeshëm dhe nëse ruan ritmin shumë shpejt Juventus mund të kthehet bindshëm edhe në garën për titull.

Arsenal, tjetër hap drejt titullit/ “Topçinjtë” mundën 0-1 Everton dhe ruajnë kreun e Premier League

21 December 2025 at 13:29

Në futboll, e rëndësishme është fitorja. Pastaj nëse ajo vjen me spektakël dhe shumë gola, akoma më mirë. Këtë duket se e kanë kuptuar më së miri te Arsenal, që pas më shumë se dy dekadash pritje kanë të gjitha shanset për t’u kthyer te titulli kampion në Premier League.

“Topçinjtë” e Londrës fituan 1-0 në transfertën kundër Everton, duke ruajtur kreun e renditjes dhe duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit më të rëndësishëm të sezonit.

Suksesi i skuadrës së Mikel Arteta u vendos nga një 11 metërsh I kthyer në gol nga Viktor Gyokeres.

Sulmuesi suedez, një nga notat stonuesë të Arsenal në këtë sezon mori përsipër penalltinë në minutën e 27-të, duke ndalur topin në rrjetë.

Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, “Topçinjtë” nuk arritën të mbyllnin ndeshjen, pavarësisht dominimit në të gjithë komponentët e lojës.

Londinezët mbajtën bindshëm topin në këmbët e tyre, ndërsa provuan në të gjitha mënyrat të dyfishonin shifrat, por pa sukses.

Nga ana tjetër, Everton nuk u ngjit asnjëherë në nilevin e duhurt për të rrezikuar epërsinë minimale të rivalëve.

Në fund, e gjithë festa ishte për Arsenal, që mban vendin e parë në renditjen e përgjithshme të Premier League, me dy pikë më shumë se ndjekësit më të afërt dhe rivalët e mëdhenj të Manchester City.

Vrenozi lë protestën për Big Brother/ Militanti simbol i PD: Tani pres Ramën për kafe

21 December 2025 at 13:07

TIRANË- Një lajm i keq për doktorin, vetëm 1 ditë para protestës kombëtare të së hënës. Revolta ka humbur pa filluar, simbolin e saj. Superstari demokrat, Ilir Vrenozi, do të mungojë, por me arsye.

Mbrëmjen e së shtunës, ai u fut në shtëpinë e madhe të Big Brother VIP. Statusin e ka fituar si opozitari më i famshëm në rrjetet sociale.

Por, kjo nuk është një humbje e pakët për doktorin, pavarësisht se kohët e fundit Vrenozi, përveçse kritik ndaj Berishës, po ia bojkotonte foltoret modeste para Kryeministrisë.

Tashmë një më pak, dhe edhe për këtë fajin me siguri e ka Ervini dhe Grida. Por, pasi doktori ia dha duart, Salianji ka reflektuar.

Ndonëse nga organizimi i partisë është përjashtuar, ish-deputeti ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në protestë. Një shenjë kjo se, me shumë gjasë, do të jetë dhe vetë.

Salianji hyri në burg si hero dhe doli si tradhëtar. Të njëjtin fat, mesa duket, do të ketë edhe Ilir Vrenozi në izolimin e Big Brother.

“Kush do çuditet më shumë? Edi Rama. Ka 6 muaj më kërkon të pimë kafe. Gjithmonë ai është 1 hap para. Nuk çuditem edhe po erdhi.”

Zvicra “foli” shqip në minifutboll/ Mbahet edicioni i dytë i Kupës “Roha Eagles”

21 December 2025 at 12:56

Po flasim për atë që njihet si Sent Galen, në gjermanisht, pra edhe në gjuhën e zviceranëve vendas, Zankt Galen. Në këtë qendër të banuar mbi njëmijë e dyqind vjeçare, ndërtuar rreth njërës prej Katedraleve më të famshme të botës, sot monument I trashëgimisë kulturore I nivelit më të lartë mbrojtur nga UNESKO, në mes rreth 76 000 banorëve, jetojnë edhe qindra e mijëra shqiptarë.

Pikërisht, patriotët tanë nga Kosova, që jo vetëm kanë ndërtuar jetën si sipërmarrës të suksesshëm, por edhe janë bërë pjesë e traditës kultuore dhe sportive të qendrës më të madhe të Zvicrës lindore.

Njëri prej tyre, Leo Krasniqi, pronar dhe drejtor I përgjithshëm në kompaninë Roha Keramik, ka krijuar tashmë një turne futbolli në sallë, apo siç e quan ai, “futbolli I vogël”.

Leo është edhe pronari I klubit të futbollit, Roha Igëlls, ku rrokjet Roha janë për krahinën e Kosovës, Rogova e Hasit, e padyshim nuk mund të mungonte simboli I shqiponjës.

Turneu I mbajtur këto ditë në Sankt Galen quhej “Kupa Roha Igëlls”, dhe u organizua në bashkëpunim me klubin tjetër sportiv shqiptar,FC Besa, tek I cili kanë kontribuuar biznesmenët e suksesshëm Burim Kastrati dhe Muhamet Muki Krasniqi.

Janë ata, pronarë të fabrikës së prodhimi të dritareve “K2 Fenster AG”, që dhanë rreth 100 000 franga zvicerane apo më shumë për të dëmtuarit nga tërmeti I vitit 2019 në Shqipëri. Duke u kthye tek turneu “Roha Igëlls Kap”, mund të themi me plot gojën se ky qytet zviceran foli shqip për dy ditë me radhë.

Leo Krasniqi foli paraprakisht për Abc News për turneun, sesi lindi ideja për të dhe çfarë statusi ka.

Shpërblimet, sipas tij, janë ndër më të mëdhatë në Europë, siç thotë Leo. Turneu u mbajt në Qendrën Atletike në Sankt Galen, Arena sportive e mbyllur e qytetit, dhe pati pjesëmarrje të gjerë.

Në edicionin e dytë morën pjesë plot 48 skuadra nga të katër anët jo vetëm të Zvicrës, por edhe të Ballkanit, Europës e më tej. Në konkurrim edhe skuadra si Bashkim Bujupi nga Kosova, apo Ilirians, ekipi I shqiptarëve të Zvicrës nga qyteti Friburg. Secili klub pagoi 500 franga zvicerane për pjesëmarrjen, ndërsa në total ishin disa qindra futbollistë të sallës, kryesisht amatorë, ndërsa pati edhe skuadra të formuara pikërisht për këtë turne.

Objektivi ishte për të arritur deri në 60 skuadra apo më shumë, por kjo mbetet për t’u bërë herën e ardhshme. Pjesëmarrja ishte e kënaqshme në tribunat e Qendrës Atletike, ku nuk munguan shqiptarë, zviceranë apo edhe njerëz të kombësive të tjera. Nuk mund të mungonte një shfaqje artistike e Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore “Iliria” të Sankt Galenit.

Pas një gare të ashpër, me dhjetëra ndeshje, në gjysmëfinale arritën një skuadër e krijuar nga kompania zvicerane “Fajnëns Skaj AG”, me pronarë shqiptarë, një ekip I krijuar nga kompania austriake “Tim Uork 24”, ekipi shqiptar “Bashkim Bujupi”, si dhe ekipi Ilirians I Friburgut.

Të dyja gjysmëfinalet ishin shumë të forta dhe u vendosën vetëm nga gjuajtjet e penalltive. Finalja pritej e ekuilibruar, por ndodhi krejt ndryshe. Skuadra “Finance Sky AG”, e krijuar nga futbollistë të sallës nga vende të ndryshme të Europës pati epërsi të thellë ndaj rivalit, Tim Uork 24, që kishte më shumë lojtarë me origjinë boshnjake, duke u bere fitues me merite me rezultatin 5-0, shifra që mund të kishin qenë më të thella.

Më I miri I finales ishte Nabil Al Kasun, lojtar me origjinë arabe.

“Padyshim që jam i lumtur sepse është hera e parë që jam në këtë turne. Këtu janë miqtë e mi nga Zvicra, dhe ata më ftuan. Unë luaj futboll në Holandë. Unë erdha dhe ne fituam. Ne jemi gati për turneun tjetër, vitin tjetër. Këtu morën pjesë shumë lojtarë të mirë. Çdo ndeshje ishte e vështirë, por ne luajtëm gjithmonë shumë mirë”.

“Finance Sky AG” u themelua nga kompania me të njëjtën emër, e cila ka disa pronarë me origjinë shqiptare nga Kosova si Arbër Palushi, Shqiprim Arllati apo Kastriot Bytyçi.

Pikërisht Shqiprimi foli për Abc News.

Organizatori, Leo Krasniqi, ishte padyshim I lumtur.

A doli gjithçka siç e priste? Pse të mos e kemi një turne të tillë në Shqipëri apo Kosovë? Në pritje të një turneu në Tiranë apo Prishtinë, edicioni i radhes pritet te mbahet ne shkurt 2026, nen organizimin e klubeve FC Besa dhe Roha Eagles.

❌
❌