Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Main stream

Rama tre vjet në bordin për Gazën, Shtëpia e Bardhë sqaron kush paguan 1 mld dollarë

18 January 2026 at 15:42

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama ka marrë një ftesë zyrtare nga presidenti amerikan Donald Trump për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, një plan i ideuar për zgjidhjen e konfliktit dhe rindërtimit të Gazës.

Shtëpia e Bardhë konfirmon për A2 CNN se nëse një vend do të bëhet anëtar i përhershëm duhet të kontribuojë me 1 miliard dollarë, në rast të kundërt mandatin do ta ketë trevjeçar.

“Nuk ekziston asnjë kërkesë për të kontribuar 1 miliard dollarë, apo ndonjë shumë financiare për t’u bashkuar me BP. Dokumenti themeltar parashikon vetëm se, nëse një vend kontribuon 1 miliard dollarë, ai fiton statusin e anëtarit të përhershëm, në vend të anëtarësimit me afat trevjeçar”, iu përgjigj Shtëpia e Bardhë A2 CNN.

Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë sqaron edhe nismën e presidentit Donald Trump, duke theksur se paratë do të shkojnë direkt për përmbushjen e përpjekjeve për rindërtimin e Gazës.

“Bordi i Paqes ka një mandat shumë ambicioz për rindërtimin e plotë të Gazës, dhe fondet e mbledhura do të përdoren drejtpërdrejt për realizimin e këtij qëllimi. Bordi i Paqes do të veprojë si një aktor udhëheqës në këtë fushë, duke garantuar që pothuajse çdo dollar i mbledhur të shpenzohet drejtpërdrejt për zbatimin e mandatit të tij. Nuk do të ketë paga të fryra apo barrë të rëndë administrative, siç ndodh me shumë organizata të tjera ndërkombëtare”, vijon përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri Edi Rama, pak orë pasi mori ftesën e publikoi në rrjetet e tij sociale, duke theksuar që kjo do të jetë një mundësi e mirë për Shqipërinë.

“Dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falënderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve”, u shpreh Rama.

/r.e/

The post Rama tre vjet në bordin për Gazën, Shtëpia e Bardhë sqaron kush paguan 1 mld dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozita “Olbania”, udhëtim vizual mes Shqipërisë dhe Italisë në muzeun “Marubi”

18 January 2026 at 15:03

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të jetë e hapur ekspozita “Olbania”, një projekt i kolektivit artistik italian Alterazioni Video, që sjell një vështrim kritik mbi mënyrën se si imazhet dhe narrativat online ndërtojnë perceptime për identitetin dhe realitetin.

E kuruar nga Sara Dolfi Agostini, ekspozita ndërthur artin vizual me kërkimin digjital, duke u mbështetur në një arkiv prej qindra imazhesh të mbledhura gjatë tranzicionit mediatik të Shqipërisë drejt internetit global.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ftuar qytetarët dhe vizitorët që këtë fundjavë të vizitojnë ekspozitën, duke e cilësuar atë një përvojë reflektuese mbi kujtesën kolektive dhe lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, ministri Gonxhja ndau momente nga kjo ekspozitë, ku spikasin fotografi dhe imazhe që trajtojnë aspekte të ndryshme njerëzore, duke reflektuar mbi përvojat individuale dhe kolektive të shoqërisë.

Duke e cilësuar “Olbania” si një udhëtim vizual mes Shqipërisë dhe Italisë, Gonxhja theksoi se ekspozita sjell në vëmendje temat e kujtesës kolektive, migrimit dhe ndikimeve kulturore që kanë lidhur dy vendet ndër dekada. Sipas tij, këto narrativa vizuale krijojnë një dialog të hapur mbi identitetin, historinë e përbashkët dhe marrëdhëniet ndërkulturore.

Ekspozita “Olbania”, e realizuar nga kolektivi artistik Alterazioni Video, ofron një qasje bashkëkohore ndaj artit vizual, duke përdorur imazhin si mjet reflektimi dhe interpretimi mbi realitetet shoqërore dhe kulturore të rajonit.

“Alterazioni Video e konceptuan Olbania-n në vitin 2009, kur u ftuan të merrnin pjesë në Bienalen e 3-të të Tiranës. Si italianë, ata kishin disa ide paraprake për Shqipërinë. Dy vendet kanë qenë historikisht të lidhura – fillimisht nga pushtimi i Musolinit në vitin 1939, dhe më vonë në fillim të viteve 1990, pas rënies së regjimit komunist, në një periudhë trazirash civile dhe eksodi masiv që kulmoi në gusht 1991, kur anija Vlora mbërriti në portin e Barit me më shumë se 20,000 emigrantë shqiptarë në bordin e saj.

Shumë u riatdhesuan, por disa mbetën, dhe fluksi vazhdoi – i qëndrueshëm por më pak dramatik – duke ushqyer narrativën e një marrëdhënieje të ngushtë dhe të ndërthurur mes dy vendeve. Që nga fillimi i viteve ’80, shqiptarët mund të shikonin televizion italian në shtëpi me antena të montuara në çati, kjo edhe për shkak të transmetimeve të kufizuara të RTSH-së. Kohët e fundit, shumë italianë po zhvendosen në Shqipëri të motivuar nga lidhjet kulturore, mundësitë e biznesit dhe kostoja më e ulët e jetesës, duke e përmbysur kështu rrjedhën migratore”, shprehet kuratorja Sara Dolfi Agostini.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, vijon të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e artit bashkëkohor dhe nxitjen e dialogut kulturor, duke i ofruar publikut ekspozita me vlera artistike dhe historike.

/e.xh/r.e/

The post Ekspozita “Olbania”, udhëtim vizual mes Shqipërisë dhe Italisë në muzeun “Marubi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Topuzi për ATSH: Pagesat elektronike në turizëm hap pozitiv, problem nivelet e larta të komisioneve bankare

18 January 2026 at 09:16

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit, bizneset e sektorit të turizmit, si edhe subjekte të tjera të shërbimeve, do të jenë të detyruara që, përveç pagesave kesh (cash), të garantojnë edhe forma alternative të pagesave elektronike, përfshirë pagesat me karta krediti, karta debiti dhe mjete të tjera elektronike.

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, në një prononcim për ATSH-në, e cilësoi këtë nismë të qeverisë si një hap pozitiv për vendin, duke theksuar se ajo ndikon drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë dhe në përmirësimin e shërbimit ndaj turistëve.

“Plani ambicioz i Kryeministrit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend me përdorim minimal të parasë kesh është interesant dhe i domosdoshëm. Është e sigurt që një nga sektorët kryesorë ku do të zbatohet kjo masë është turizmi dhe shërbimet”, u shpreh Topuzi.

Sipas tij, turizmi dhe transporti sigurojnë rreth 43,6% të totalit të eksporteve të vendit dhe përbëjnë një sektor strategjik për ekonominë shqiptare. Megjithatë, Topuzi vuri në dukje se industria e turizmit përballet me disa problematika serioze që e kanë vështirësuar deri më tani zbatimin e plotë të pagesave elektronike.

“Dy elementë thelbësorë nuk janë trajtuar mjaftueshëm. Arsyeja kryesore është niveli shumë i lartë i komisioneve që aplikojnë bankat e nivelit të dytë për pagesat me karta. Ndërkohë që në Bashkimin Europian komisionet variojnë nga 0,3 deri në 0,6% në Shqipëri ato shkojnë nga 1,8 deri në 5%”, theksoi ai.

Topuzi nënvizoi se për bizneset e vogla të shërbimit, që operojnë me marzhe fitimi 7 deri në 10 për qind, këto komisione e penalizojnë ndjeshëm aktivitetin. “Në këto kushte, banka kthehet në një aksionar kryesor, duke marrë deri në 30-40 për qind të të ardhurave të biznesit”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me faktin se komisionet për pagesat elektronike rëndojnë mbi subjektet dhe jo mbi klientët, ndërsa në transaksione të vogla kjo kosto bëhet e papërballueshme. “Nuk është normale që për një pagesë të vogël, siç është një kafe, të paguhen komisione shtesë”, u shpreh Topuzi.

Ai e cilësoi proces për pagesave elektronike si një “revolucion të përgjithshëm”, që nuk lidhet vetëm me vendosjen e pajisjeve POS në njësitë e shërbimit, por kërkon ndërhyrje rregullatore nga Banka e Shqipërisë. “Banka Qendrore nuk duhet të jetë vetëm rekomanduese, por vendimmarrëse për kufizimin e komisioneve, ashtu siç kanë vepruar shumë vende europiane”, tha Topuzi, duke përmendur shembuj nga Greqia dhe Zvicra, ku komisionet janë ulur në nivele minimale.

Një tjetër çështje e rëndësishme, sipas tij, është mundësia e dhënies së bakshishit (tips) përmes kartës bankare. “Turizmi është kthyer në një nga industritë më të rëndësishme në Shqipëri, me rreth 12 milionë turistë të huaj në vit. Sistemi aktual nuk e lejon që bakshishi të kalojë përmes kartës, gjë që penalizon punonjësit e shërbimit”, theksoi Topuzi.

Ai bëri të ditur se Shoqata e Operatorëve Turistikë ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe bankave për të mundësuar këtë proces, i cili është i aplikuar gjerësisht në vendet europiane dhe realizohet në mënyrë transparente përmes sistemit bankar dhe tatimor.

Ndër të tjera Topuzi gjithashtu theksoi rëndësinë e fushatave të informimit dhe trajnimeve për bizneset, veçanërisht për ato të vogla, si dhe zhvillimin e infrastrukturës teknike dhe teknologjike. “Është e vështirë që ky proces të realizohet plotësisht brenda gjashtë muajve pa mbështetje konkrete dhe pa uljen e komisioneve bankare”, tha ai.

Sipas tij, kjo masë do të ndikojë edhe në formalizimin e sektorit të akomodimit, ku aktualisht rreth 70 për qind e kapaciteteve janë apartamente dhe vila në formën B&B, ndërsa vetëm 22 për qind janë hotele. “Vendosja e pagesave elektronike do ta fusë këtë sektor në një regjim më të kontrolluar dhe më transparent”, përfundoi Topuzi.

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, foto: Florian Abazaj
1 nga 9

/e.xh/j.p/r.e/

The post Topuzi për ATSH: Pagesat elektronike në turizëm hap pozitiv, problem nivelet e larta të komisioneve bankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Denaj: Komisioni për Burimet Natyrore, adresim i integruar i politikave të sektorit

16 January 2026 at 15:18

TIRANË,16 janar /ATSh/ Kryetarja e komisionit parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, deklaroi se ky komision është një nga strukturat e reja parlamentare, i krijuar për t’u fokusuar në çështje strategjike që lidhen me energjinë, infrastrukturën dhe mjedisin, si sektorë thelbësorë për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Duke marrë fjalën në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, e cila hapi vitin e ri kuvendor, Denaj prezantoi punën e deritanishme të komisionit, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 25 mbledhje dhe janë shqyrtuar e miratuar 17 akte ligjore.

“Ky komision është ndërtuar për të adresuar në mënyrë të integruar politikat që lidhen me energjinë, infrastrukturën dhe mjedisin. Janë sektorë që kërkojnë vëmendje të veçantë, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, u shpreh Denaj.

Ajo veçoi ndër aktet ligjore më të rëndësishme ligjin për financimin e infrastrukturës hekurudhore, si dhe nismat që lidhen me investimet strategjike në këtë sektor. Sipas saj, një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe ligjit për financimin e Korridorit VIII, si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe rajonin.

Një tjetër fushë prioritare, sipas Denajt, ka qenë sektori minerar, ku ndryshimet ligjore synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori dhe rritjen e kontributit të tij në ekonomi, duke garantuar njëkohësisht standarde më të larta mjedisore.

Në kuadër të procesit të integrimit europian, Denaj theksoi se komisioni ka punuar intensivisht për përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht për Kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Kemi ndërmarrë nisma konkrete për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe për përcaktimin e përgjegjësive të subjekteve përpunuese. Ky proces është zhvilluar në bashkëpunim me pushtetin vendor, prodhuesit dhe bizneset, me qëllim ndarjen e mbetjeve në burim dhe zbatimin efektiv të ligjit”, tha Denaj.

Ajo solli si shembull pozitiv ndarjen e mbetjeve në burim në Bashkinë e Beratit, duke e cilësuar këtë praktikë si një model që mund të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit.

Denaj informoi gjithashtu se komisioni ka zhvilluar seanca të përbashkëta me komisione të tjera parlamentare, siç ishte rasti i diskutimeve për ligjin e gjuetisë, ku janë përfshirë në mënyrë konstruktive grupet e interesit.

Po ashtu, në punimet e komisionit kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të pavarura, si Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me fushat përkatëse të përgjegjësisë së tyre.

Në përfundim, Denaj vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional si një element kyç për hartimin e legjislacionit cilësor dhe për zbatimin e reformave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. /j.p/

The post Denaj: Komisioni për Burimet Natyrore, adresim i integruar i politikave të sektorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korniza e bashkëpunimit me OKB 2027–2031, Balluku: Përqendrohemi në forcimin e kapitalit njerëzor

15 January 2026 at 17:07

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, u vlerësua përmbushja e objektivave të kornizës 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.

Zëvëndëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bëri të ditur se ndërsa 2026 është viti përmbyllës i programit aktual, po përgatitet korniza e re 2027–2031, e cila synon të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OKB-së.

“Ky bashkëpunim do të përqendrohet në forcimin e kapitalit njerëzor, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, tha Balluku.

Qeveria dhe partnerët e OKB-së theksuan angazhimin për të vijuar punën e përbashkët për një Shqipëri më moderne, më të fortë dhe më afër Bashkimit Europian, duke shfrytëzuar përvojat dhe mësimet e nxjerra nga korniza aktuale të bashkëpunimit.

Ministrja Balluku nënvizoi se rezultatet e arritura deri tani tregojnë një avancim të dukshëm në kapacitetet institucionale, implementimin e politikave sociale dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e projekteve të qëndrueshme që fuqizojnë komunitetet lokale dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, i pranishëm në këtë aktivitet bëri të ditur se përmes konsolidimit fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe zgjerimit të hapësirës buxhetore, garantohet që më shumë fonde t’i dedikohen mbrojtjes sociale, mbështetjes së pensioneve, shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.

Malaj po ashtu siguroi për angazhimin për adresimin e prioriteteve edhe në kuadër të agjendës së re 2027-2031, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.

/e.xh/j.p/a.f/

The post Korniza e bashkëpunimit me OKB 2027–2031, Balluku: Përqendrohemi në forcimin e kapitalit njerëzor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AZHBR përforcon digjitalizimin e bujqësisë me sistemin LPIS

15 January 2026 at 15:50

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përshpejton digjitalizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke implementuar Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Ky sistem siguron administrim më të saktë dhe transparent të fondeve të Bashkimit Evropian, përmirëson mbështetjen për fermerët dhe lehtëson menaxhimin e skemave bujqësore në përputhje me standardet evropiane.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi tha se LPIS, bazohet në imazheri satelitore dhe standard të avancuara të BE-së.

E pranishme në takimin e organizuar sot në Tiranë, me ekspertë vendas dhe të huaj, ajo vuri theksin në përfshirjen më të gjerë të fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare.

Gjatë takimit u prezantuan përvoja nga vendet e Bashkimit Evropian, ecuria e projektit pilot në Shqipëri dhe roli i LPIS në rritjen e efikasitetit të administrimit të skemave të mbështetjes bujqësore.

“Pas përfundimit të fazës së parë të projektit pilot LPIS në Qarkun e Beratit. AZHBR përgatitet për fazën e dytë të zbatimit, me fokus përfshirjen e fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare, të përftuara nga interpretimi i imazherisë satelitore”, tha Kuçi.

Projekti EU4Property Rights financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe AZHBR, duke kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të pronave dhe mbështetjen e fermerëve shqiptarë.

1 nga 4

e.xh/j.p/

The post AZHBR përforcon digjitalizimin e bujqësisë me sistemin LPIS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra nis regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të bashkisë Has

15 January 2026 at 15:25

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare ka nisur afishimin publik për regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të Bashkisë Has, duke garantuar transparencë dhe mundësi për verifikim të të dhënave nga banorët.

Sipas njoftimit të Kadastrës, gjatë kësaj faze, afishohen listat e pronave me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale të zonave të përfshira në proces.

Zonat kadastrale ku po zhvillohet procesi janë: ZK 2463, Liqeni i Kuq, Njësia Administrative Fajzë; ZK 3911, Zgjec, Njësia Administrative Golaj; ZK 2983, Plani i Pates, Njësia Administrative Golaj; ZK 2950, Perollaj, Njësia Administrative Golaj dhe ZK 1278, Brenogë, Njësia Administrative Fajzë.

Banorët e këtyre zonave mund të verifikojnë me kujdes të dhënat e publikuara gjatë fazës së afishimit publik. Për çdo paqartësi, pretendim ose nevojë për saktësim, qytetarët mund të paraqesin kërkesë me shkrim pranë zyrës ku është bërë afishimi publik ose pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Kukës.

Vendndodhjet e afishimit publik janë: godinat e Njësisve Administrative Golaj dhe godina e Njësisë Administrative Fajzë, në Has.

Pas përfundimit të fazës së konsultimit publik dhe mbylljes së procesit të regjistrimit fillestar, banorët do të kenë mundësi të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës përmes portalit zyrtar e-Albania.

Ky proces synon të përmirësojë shërbimet e regjistrimit të pronave, të rrisë sigurinë juridike për qytetarët dhe të mundësojë akses më të lehtë dhe më të shpejtë në certifikatat e pronës.

e.xh/j.p/

The post Kadastra nis regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të bashkisë Has appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlera më e lartë e investimeve sllovene, 48 milionë euro në shtator 2025

15 January 2026 at 13:46

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Investimet sllovene në Shqipëri kanë shënuar një trend të qëndrueshëm rritjeje gjatë viteve të fundit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, referuar statistikave zyrtare, bëri të ditur se gjatë vitit 2024, stoku i investimeve sllovene arriti vlerën më të lartë prej 44 milionë eurosh, duke shënuar një rritje prej 7,3% krahasuar me vitin 2023.

Sipas të dhënave më të fundit, shtatori 2025 shënoi një stok prej 48 milionë eurosh, ndërsa fluksi i investimeve për periudhën janar–shtator 2025 ishte 4 milionë euro. “Ky trend rritës tregon besimin e investitorëve sllovenë dhe potencialin për zhvillimin e partneriteteve të reja biznesi me Shqipërinë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja, Agjencia për Investime dhe Zhvillim (AIDA) organizon Forumin e Biznesit Shqipëri–Slloveni, i cili do të zhvillohet më 5 shkurt 2026 në Tirana Innovation Hub.

Forumi synon të lidhë kompani dhe institucione nga të dy vendet në sektorë të ndryshëm: Ndërtim; Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK); Agro-ushqim; Inovacione në bujqësi dhe Turizëm.

Sipas saj, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zgjerojnë rrjetin e kontakteve, të identifikojnë partnerë strategjikë dhe të krijojnë bashkëpunime ndërkombëtare.

“Ky forum përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe për të fuqizuar lidhjet mes biznesit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe Sllovenisë”, u shpreh Ibrahimaj. e.xh/j.p/

The post Vlera më e lartë e investimeve sllovene, 48 milionë euro në shtator 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Euroja nuk ndryshon, dollari forcohet me 0,13 lekë

15 January 2026 at 13:19

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten euroja nuk ka ndryshuar vlerë në raport me lekun, duke u këmbyer në të njëjtën kuotë sa një ditë më parë, me 96,53 lekë.

Ndërkohë, monedha e gjelbër amerikane u forcua me 0,13 lekë dhe këmbehet me 82,94 lekë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, paundi britanik humbi terren me 0,11 lekë dhe këmbehet me 111,31 lekë.
Franga zvicerane këmbehet me 103,65 lekë ose 0,22 lekë më shumë se një ditë më parë.
Banka e Shqipërisë e vlerëson këmbimin valutor të qëndrueshëm brenda pritshmërive të saj. Sipas BSH-së, luhatjet reflektojnë ecurinë e kërkesë ofertës, por edhe trendin në bursat ndërkombëtare. /j.p/
Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.94 +0.13
Euro EUR 96.53 0.00
Poundi Britanik GBP 111.31 -0.11
Franga Zvicerane CHF 103.65 +0.22
Jeni Japonez (100) JPY 52.35 +0.15
Dollari Australian AUD 55.56 +0.18
Dollari Kanadez CAD 59.67 +0.03
Korona Suedeze SEK 9.03 +0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.24 +0.01
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.20 +0.11
Ari(OZ 1) XAU 383091.57 -843.75
Argjend(OZ 1) XAG 7558.50 +60.31
Juani Kinez (onshore) CNY 11.90 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.91 +0.03
Lira Turke TRY 1.92 0.00

The post Euroja nuk ndryshon, dollari forcohet me 0,13 lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prodhimi ditor në kaskadën e Drinit arrin 26.000 MWh

15 January 2026 at 11:48

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Reshjet gjatë të ditëve të fundit kanë rritur nivelet e liqeneve, duke përmirësuar kapacitetin prodhues të HEC-eve.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi sot në mesditë se prodhimi ditor i energjisë elektrike nga të tre hidrocentralet në kaskadën e Drinit: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës, ka arritur 26.000 MWh.

Sipas KESH, nivelet aktuale të kaskadës në lumin Drin janë: HEC Fierzë 292,4 metra mbi nivelin e detit (mmnd), HEC Koman 170,7 mmnd dhe HEC Vau i Dejës 73,4 mmnd.

Ndërsa prurjet natyrore në kaskadë janë: HEC Fierzë 400m3/s; HEC Koman 230m3/s dhe  HEC Vau i Dejës 30m3/s. e.xh/j.p/

 

The post Prodhimi ditor në kaskadën e Drinit arrin 26.000 MWh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis regjistrimi fillestar i pronave në tre fshatra të bashkive Elbasan, Gjirokastër e Këlcyrë 

14 January 2026 at 17:26

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) njofton se ka nisur faza e afishimit publik për regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të vendit, në kuadër të procesit të formalizimit dhe regjistrimit të pronësisë.

Sipas njoftimit, procesi po zhvillohet në këto zona kadastrale: ZK 2707, fshati Mlizë (bashkia Elbasan); ZK 3622, fshati Tranoshisht (bashkia Gjirokastër) dhe ZK 3007, fshati Podgoran Mal (bashkia Këlcyrë).

Gjatë kësaj faze, e cila do të zgjasë 45 ditë, janë të afishuara për qytetarët listat e pronave, me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale përkatëse.

Sipas njoftimit të AShK-së, banorët e këtyre zonave njoftohen se mund të konsultojnë në çdo kohë materialet e afishuara dhe, për çdo pretendim apo nevojë për saktësim, mund të paraqesin kërkesa me shkrim pranë drejtorive vendore përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës .

Vendndodhjet ku janë afishuar materialet janë: Njësia administrative Shushicë (bashkia Elbasan); njësia administrative Antigone (bashkia Gjirokastër) dhe njësia administrative Sukë (bashkia Këlcyrë).

Pas përfundimit të fazës së afishimit publik, banorët do të kenë mundësinë të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës përmes portalit “e-Albania”, sipas procedurave në fuqi.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Nis regjistrimi fillestar i pronave në tre fshatra të bashkive Elbasan, Gjirokastër e Këlcyrë  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berat, shiten 8,3 tonë plastikë dhe 80 tonë karton e letër në ankandin e parë të riciklimit

14 January 2026 at 15:18

TIRANË, 14 janar /ATSh/  Bashkia Berat vijon të promovojë menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve përmes projektit të riciklimit, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Projekti synon të rrisë ndarjen e mbetjeve në burim, të mbështesë ekonominë qarkulluese dhe të ulet sasia e mbetjeve të depozituara në landfill, duke përfshirë qytetarët dhe bizneset në procesin e riciklimit dhe duke krijuar mundësi të reja për tregun lokal të materialeve të ricikluara.

Në kuadër të këtij projekti, u zhvillua me sukses ankandi i parë i shitjes së plastikës, ku u shiten 8,3 tonë mbetje plastike të ndara nga qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, gjatë ankandit u shiten rreth 80 tonë karton dhe letër, duke dëshmuar funksionimin e procesit të ndarjes së mbetjeve dhe aktivitetin e ekonomisë qarkulluese.

Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca, u shpreh se, rezultatet e këtij ankandi tregojnë se ndarja e mbetjeve në burim po funksionon; uljen e sasisë së mbetjeve në landfill dhe mbështetjen e ekonomisë qarkulluese dhe ndërgjegjësimin për riciklimin.

Sipas tij, bashkia synon që procesi të vazhdojë dhe të zgjerohet për të përfshirë më shumë qytetarë dhe biznese, duke forcuar mbrojtjen e mjedisit dhe promovuar praktika të qëndrueshme në menaxhimin e mbetjeve. /j.p/

The post Berat, shiten 8,3 tonë plastikë dhe 80 tonë karton e letër në ankandin e parë të riciklimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BB: Ekonomia e Shqipërisë, rritje 3,5% në 2026

14 January 2026 at 15:09

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv edhe në vitin 2026, me një rritje prej 3,5%, duke konfirmuar projeksionin e saj të mëparshëm dhe duke e pozicionuar Shqipërinë mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në raportin “Global Economic Prospects”, Banka Botërore parashikon se i njëjti nivel rritjeje, 3,5%, do të ruhet edhe gjatë vitit 2027, duke reflektuar qëndrueshmëri makroekonomike dhe ecuri pozitive të sektorëve kryesorë të ekonomisë.

Sipas institucionit financiar ndërkombëtar, mesatarja e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vitin 2026 parashikohet në 3,1%, pas një performance më të moderuar në vitin 2025. Në këtë kontekst, Shqipëria renditet ndër ekonomitë me rritje më të lartë në rajon.

Raporti evidenton se edhe Kosova pritet të regjistrojë normën më të lartë të rritjes, me 3,8% në vitin 2026 dhe 3,9% në vitin 2027. Ndërkohë, ekonomia e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës parashikohet të rritet me rreth 3%, ajo e Malit të Zi me 3,2%, ndërsa Kroacia me 2,9%.

Vlerësimet e Bankës Botërore pasqyrojnë pritshmëri pozitive për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, në një mjedis rajonal dhe global të karakterizuar nga pasiguri dhe ritme të moderuara rritjeje. /j.p/

 

The post BB: Ekonomia e Shqipërisë, rritje 3,5% në 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis evidentimi i pasojave të përmbytjeve në Maliq, dëme në të mbjellat e drithërave

14 January 2026 at 13:12

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Në Bashkinë Maliq ka nisur puna e komisionit për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga reshjet intensive të shiut që përfshinë vendin tonë gjatë ditëve të fundit.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Bujqësinë në qarkun Korçë, Vullnet Gjolla, informoi për ATSH se procesi i vlerësimit po zhvillohet në terren dhe po ndiqet nga afër nga strukturat përkatëse.

Sipas Gjollës, zonat më të prekura në qarkun Korçë janë fusha e Maliqit, e cila paraqet problematika të përsëritura për shkak të strukturës së tokës torfike, e cila mban ujë në sipërfaqe gjatë reshjeve intensive.

Ai sqaroi se dëmet janë evidentuar në disa njësi administrative, përfshirë Pojanin, Pirgun, Vreshtasin dhe bashkinë Maliq.

“Dëmet janë konstatuar kryesisht në të mbjellat bujqësore, veçanërisht në drithërat e mbjella gjatë muajit nëntor, të cilat janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të rëna gjatë këtij muaji” bëri të ditur Gjolla.

Sa i përket sektorit të blegtorisë, drejtori i Drejtorisë Rajonale për qarkun Korçë theksoi se nuk janë konstatuar dëme.

Procesi i evidentimit të dëmeve vijon dhe të dhënat përfundimtare do të përpilohen pas përfundimit të verifikimeve në terren, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile. e.xh/j.p/

The post Nis evidentimi i pasojave të përmbytjeve në Maliq, dëme në të mbjellat e drithërave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet dollari, bie lehtë euroja

14 January 2026 at 13:09

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën dollari amerikan forcoi pozitat në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja shënoi rënie.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 82,81 lekë ose 0,06 lekë më shumë ndërsa euroja zbriti me 0,02 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 96,53 lekëve.

Paundi britanik këmbehet me 111,42 lekë, ose 0,04 lekë më pak se ditën e martë dhe franga zvicerane zbrit me 0,24 lekë duke u këmbyer sot me 103,43 lekë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.81 +0.06
Euro EUR 96.53 -0.02
Poundi Britanik GBP 111.42 -0.04
Franga Zvicerane CHF 103.43 -0.24
Jeni Japonez (100) JPY 52.20 +0.12
Dollari Australian AUD 55.38 -0.05
Dollari Kanadez CAD 59.64 +0.02
Korona Suedeze SEK 9.01 0.00
Korona Norvegjeze NOK 8.23 +0.02
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.09 +0.01
Ari(OZ 1) XAU 383935.32 +4,452.92
Argjend(OZ 1) XAG 7498.19 +412.20
Juani Kinez (onshore) CNY 11.88 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.88 +0.01
Lira Turke TRY 1.92 0.00

The post Forcohet dollari, bie lehtë euroja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE

13 January 2026 at 23:08

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryepeshkopi i Shqipërisë, imzot Joani zhvilloi sot në Bruksel një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në institucionet europiane.

Gjatë kësaj vizite, kryepeshkopi Joan u takua me komisionerin europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së kryepeshkopit të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij për të ardhmen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kryepeshkopi theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm, i pavarur dhe aktiv në shoqërinë shqiptare, e cila përballet me sfida të rëndësishme si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike.

Gjithashtu, Fortlumturia e Tij u takua me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio, takim që mbart rëndësi të veçantë për shkak të rolit kyç që ky delegacion luan në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në vijim, kryepeshkopi Joan zhvilloi një takim me bashkëkryetaren e grupit të punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko, gjatë të cilit u diskutuan çështje që lidhen me lirinë fetare në Europë. Gjatë bisedës u theksua modeli i bashkëjetesës harmonike ndërfetare në Shqipëri, si dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet fetare, veçanërisht në lidhje me çështjet pronësore.

Në të gjitha takimet, Fortlumturia e Tij nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për komunitetet fetare dhe Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për popullin shqiptar dhe për vetë Europën.

Këto takime u zhvilluan në kuadër të vizitës së kryepeshkopit Joan në Bruksel, nga 12 deri më 15 janar 2026, me rastin e konferencës që do të mbahet më 14 janar në Parlamentin Europian, me temë “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Kryepiskopit të lumur Anastas”, e organizuar nga Parlamenti Europian në nderim të kryepeshkopit Anastas, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.

Prania e kreut të Kishës Ortodokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane vlerësohet si e rëndësishme në këtë moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, përmes veprimtarisë së saj të gjerë sociale, arsimore dhe shpirtërore, vazhdon të mbetet një urë lidhëse e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Europës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji

13 January 2026 at 22:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kreu i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, deklaroi se Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit operon me nivel të lartë sigurie, falë sistemeve të kamerave, kontrollit të aksesit dhe protokolleve të avancuara të sigurisë.

Në një intervistë televizive ai njoftoi se vitin e ardhshëm Aeroporti do të ketë gjashtë porta të reja dhe 17 kabina check-in, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve.

Sa i përket linjave të reja të fluturimeve, Ethemaj bëri të ditur se Shqipëria do të ketë fluturime direkte me Kanadanë, me fluturimin e parë jashtë Europës që pritet në qershor. Po ashtu, nga Kopenhaga do të ketë fluturime të përditshme, ndërsa do të shtohen linjat drejt disa qyteteve të Suedisë.

Ethemaj njoftoi se po zhvillohen negociata me Marokun, Norvegjinë, Katarin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve.

Kreu i Aviacionit Civil theksoi se në rastet e motit të keq, fluturimet nuk kryhen, pasi prioritet është siguria e udhëtarëve. Ai shtoi se anulimet për shkak të kushteve atmosferike nuk konsiderohen të shkaktuara nga linjat ajrore dhe udhëtarët nuk kompensohen, duke u bazuar në parimin e force majeure.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Aviacionit Civil, 12 milionë turistë vizituan Shqipërinë, duke rritur numrin e udhëtarëve në Aeroportin e Rinasit dhe duke konfirmuar rëndësinë e zgjerimit të linjave ajrore.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“24 orë nga jeta e një votuesi”, premierë në Teatrin Kombëtar ArTurbina

13 January 2026 at 20:47

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Teatri Kombëtar ArTurbina solli sot për artdashësit premierën e  komedisë satirike “24 orë nga jeta e një votuesi”, një vepër që përmes humorit të mprehtë dhe satirës godet realitetin e përditshëm të qytetarëve.

Spektatorët që kishin mbushur sallën, patën mundësinë të përjetojnë një kombinim unik të humorit dhe kritikës shoqërore, në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe të qeshura.

Në skenë luajtën aktorët Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj, të shoqëruar nga tre muzikantë.

Vepra u realizua nga dhe nën regjinë e Driada Dervishi, bazuar në motive të Naun Shundit, me tekstin “E të tjera, e të tjera” nga Teodor Keko, dhe muzikë të kompozuar nga Aulon Naçi.

Për gjashtë mbrëmje, nga 13 deri më 18 janar, shikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin këtë komedi çdo ditë, në orën 20:00.

Ky produksion ofron një eksperiencë teatrale të mbushur me humor, satirë dhe reflektim mbi jetën e përditshme të votuesit shqiptar.

1 nga 10
"24 orë nga jeta e një votuesi" në ArTurbina, foto: Andrin Hoxha

/e.xh/r.e/a.f/

The post “24 orë nga jeta e një votuesi”, premierë në Teatrin Kombëtar ArTurbina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FA vazhdon evakuimet e banorëve në Fier

13 January 2026 at 20:17

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Forcat Tokësore (FT) vijojnë me angazhimin në terren për evakuimin e banorëve dhe të gjësë së gjallë nga zonat e përmbytura në bashkinë Fier, ku reshjet intensive kanë krijuar situata emergjente.

Efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Jugut janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit në evakuimin e popullsisë dhe sigurimin e zonave të rrezikuara, duke punuar në kushte të vështira dhe duke garantuar mbështetje të menjëhershme për komunitetet e prekura.

Në kuadër të operacionit, Forcat Tokësore kanë organizuar: Transportin e banorëve drejt zonave të sigurta; evakuimin e gjësë së gjallë; dhënien e ndihmave emergjente, përfshirë ushqime, ujë dhe strehim të përkohshëm.

Operacionet zhvillohen në koordinim të ngushtë me autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile, për të siguruar që ndërhyrjet të jenë të shpejta dhe efektive.

Forcat Tokësore vijojnë patrullimet dhe monitorimin e zonave të rrezikuara, duke u siguruar që çdo qytetar i prekur nga përmbytjet të marrë ndihmën e nevojshme dhe duke minimizuar pasojat e situatës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post FA vazhdon evakuimet e banorëve në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave

13 January 2026 at 22:20

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), i cili po zhvillohet në Vjenë, Austri.

Në kuadër të këtij forumi, Guvernatori prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të huaja direkte si një faktor kyç në mbështetje të rritjes ekonomike dhe forcimit të qëndrueshmërisë makroekonomike.

Gjatë fjalës së tij, Sejko u ndal edhe në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, duke nënvizuar se treguesit financiarë konfirmojnë një sistem bankar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj goditjeve të jashtme, i cili është i aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare, përfshirë përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian.

Në këtë kontekst, Sejko vuri në dukje se aderimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) përbën një hap të rëndësishëm strategjik, duke e pozicionuar vendin në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave dhe duke lehtësuar transaksionet financiare për qytetarët dhe bizneset.

Forumi i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore mbledh përfaqësues të lartë institucionalë, ekspertë ekonomikë dhe drejtues të institucioneve financiare, duke shërbyer si një platformë diskutimi mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik në rajon dhe më gjerë.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌