Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Dogana Shqiptare në gatishmëri të plotë gjatë festave, shërbim 24 orë në pikat kufitare

22 December 2025 at 14:36

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, autoritetet doganore kanë ndërmarrë masa të posaçme për të përballuar fluksin e shtuar të lëvizjes në pikat kufitare, që vjen si pasojë e kthimit të emigrantëve në vend, por edhe të rritjes së volumit të mallrave për shkak të intensifikimit të aktivitetit tregtar.

Dogana Shqiptare informon qytetarët dhe bizneset se strukturat doganore do të jenë në shërbim pa ndërprerje, 24 orë në ditë, gjatë festave të fundvitit duke synuar shmangien e pritjeve të gjata dhe garantimin e një shërbimi efikas për qytetarët dhe bizneset.

Sipas njoftimit të Doganës, funksionimi me kapacitete të plota është pjesë e një plani të veçantë masash, i cili përfshin rritjen e burimeve njerëzore dhe teknike, si dhe koordinim më të fortë mes strukturave doganore në të gjithë vendin.

Në fokus të këtij plani është përshpejtimi i procedurave doganore, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe përmirësimi i menaxhimit të flukseve të udhëtarëve, duke ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë dhe kontrollit.

Dogana Shqiptare vlerëson se këto masa do të ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e lëvizjes kufitare gjatë festave, si dhe në mbështetjen e aktivitetit ekonomik, veçanërisht për sektorët që varen nga import-eksporti, në një periudhë me rëndësi të veçantë për konsumatorët dhe tregun vendas.

/e.xh/a.f/

The post Dogana Shqiptare në gatishmëri të plotë gjatë festave, shërbim 24 orë në pikat kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EuroAgro Albania 2025-2030, platformë e re për asistencën e fermerëve

22 December 2025 at 10:57

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/  Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që kërkon përgatitje, angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit bujqësor.

Në takimin e organizuar sot me fermerë, Salla u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, bizneset, konsumatorët dhe ekonominë e vendit, por përfitimi nuk vjen automatikisht. Ai vjen vetëm kur të gjithë aktorët janë të përgatitur, me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit”, u shpreh ai.

Në lidhje me Kapitullin 11 dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, ministri theksoi se fermeri vendoset në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore. Ai bëri me dije se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë të përfitojnë nga fondet europiane, duke nënvizuar se në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermës dhe i blegtorisë, si dhe do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës.

Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut. Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.

Në Kapitullin 12, fokusi është siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin, ndërsa Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, me forcim të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit elektronik me strukturat europiane.

Në këtë kuadër, ministri prezantoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.

“Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare” u shpreh Salla. /e.xh/ /a.g/

The post EuroAgro Albania 2025-2030, platformë e re për asistencën e fermerëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria akordon 2,2 miliardë lekë për 148 mijë familje në nevojë

22 December 2025 at 10:50

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Sipas Malajt, fokusi kryesor i këtij akti normativ është mbështetja financiare për shtresat në nevojë, veçanërisht për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, si edhe për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha Malaj.

Ky vendim synon të lehtësojë barrën ekonomike për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, në prag të mbylljes së vitit dhe përballë rritjes së kostove të jetesës.

Ministri deklaroi se një nga vendimet më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

Sipas tij, është vendosur që të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, deklaroi Malaj.

/e.xh/a.f/

The post Qeveria akordon 2,2 miliardë lekë për 148 mijë familje në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktit Normativ i fundvitit, 18 milionë euro shtesë për barna në spitalet publike

22 December 2025 at 10:24

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se shëndetësia është një nga sektorët kryesorë që do të mbështetet përmes Aktit Normativ të fundvitit, të miratuar së fundmi nga qeveria, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Sipas tij, sektori i shëndetësisë do të përfitojë një mbështetje shtesë prej 18 milionë eurosh, fonde që do të përdoren kryesisht për sigurimin e barnave në spitalet publike, me qëllim përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se pushteti vendor do të përfitojë nga ky Akt Normativ, duke u mbështetur me rreth 1,2 miliardë lekë shtesë. Këto fonde do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve më të vjetra të prapambetura të bashkive.

“Në total, vlera që po i alookojmë pushtetit vendor është e barasvlefshme me rreth 40 për qind të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se këto janë vetëm disa nga politikat e parashikuara në Aktin Normativ, të cilat synojnë garantimin e përdorimit të fondeve publike aty ku nevoja është më e madhe.

Sipas ministrit, Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe për të zbatuar politika që synojnë rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit.

/e.xh/a.f/

The post Aktit Normativ i fundvitit, 18 milionë euro shtesë për barna në spitalet publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama organizon pritjen tradicionale me trupin diplomatik: Krenarë për Shqipërinë

20 December 2025 at 22:30

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, organizuan me rastin e festave të fundvitit, pritjen tradicionale me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo pritje. “Krenarë për Shqipërinë”, shprehet Ramas krahas videokartolinës së darkës tradicionale të fundvitit me ambasadorët e vendeve të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama përcolli urimet për festat e fundvitit.

“Me lejoni të ngre këtë dolli për shëndetin e mirë të familjeve tuaja, për harmoninë në familjet tuaja dhe falenderime për secilin prej jush për gjithçka keni bërë”, u shpreh Rama.

Darka e fundvitit me trupin diplomatik është kthyer tashmë në një traditë, duke shërbyer si një moment reflektimi për vitin që po mbyllet dhe forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

/r.e/

The post Rama organizon pritjen tradicionale me trupin diplomatik: Krenarë për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Panairi “Verë dhe Traditë” shton gjallërinë e festave në Durrës

20 December 2025 at 18:36

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Panairi “Verë dhe Traditë” që është çelur në Durrës ka sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe festive për qytetarët dhe vizitorët në prag të festave të fundvitit.

Kryetarja e bashkisë, Emirjana Sako ndau pamje nga ambientet e panairit, që zhvillohet në sheshin kryesor të qytetit, ku prodhues dhe biznese prezantojnë produktet tradicionale, të cilat janë veçanërisht të kërkuara gjatë kësaj periudhe.

Vizitorët po shijojnë muzikën, produktet tipike të zonës dhe programin artistik, që përfshin performanca për fëmijët, valle nga ansambli i këngëve dhe koncerte të ndryshme, duke krijuar një atmosferë festive dhe plot gjallëri në shesh.

Panairi do të vazhdojë edhe nesër, duke ofruar jo vetëm mundësinë e degustimit dhe blerjeve të produkteve të ndryshme që prodhohen në vend, por gjithashtu edhe të bëhen pjesë e kësaj feste që promovon traditën dhe kulturën lokale.

Panairi “Verë dhe Traditë” zhvillohet deri të dielën.

/r.e/

The post Panairi “Verë dhe Traditë” shton gjallërinë e festave në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konispoli zbukurohet për festat e fundvitit

20 December 2025 at 18:18

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Atmosfera e festave të fundvitit ka përfshirë qytetin e Konispolit në jug të vendit, i cili është zbukuruar me drita dhe dekorime shumëngjyrëshe, duke krijuar një ambient të ngrohtë dhe festiv për banorët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga qendra e Konispolit, të zbukuruar anekënd, ku pema e Vitit të Ri, e ndriçuar me drita, është kthyer në qendër të gëzimit për fëmijët.

Shkëlqimi i dekorimeve dhe atmosfera festive kanë sjellë momente gëzimi, veçanërisht për më të vegjlit.

Atmosferës festive i është shtuar edhe prania e plakut të Vitit të Ri, që ka krijuar çaste të gëzueshme për fëmijët në sheshin e qytetit.

Bashkia e Konispolit është zbukuruar me drita dhe ornamente festive, duke i dhënë qytetit një pamje të veçantë në këtë periudhë të fundvitit.

/r.e/

The post Konispoli zbukurohet për festat e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla dhe Manastirliu: Bonusi i fundvitit, mbështetje për mbi 700 mijë pensionistë

20 December 2025 at 17:12

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me drejtuesen politike të PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu, zhvilluan një vizitë në prag të festave në familjen Shkurti, në Njësinë 5 në kryeqytet, duke ndarë urimet për festat e fundvitit.

Gjyshe Naxhije dhe gjysh Hatipi sapo kanë përfituar bonusin e fundvitit për pensionistët, një mbështetje e akorduar nga qeveria për mbi 700 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Bonusi synon të lehtësojë shpenzimet e kësaj kategorie sociale gjatë periudhës së festave dhe të ofrojë një ndihmë konkrete për të moshuarit.

Balla dhe Manastirliu theksuan rëndësinë e rolit të gjyshërve në ruajtjen e vlerave familjare dhe bashkimit shoqëror, duke nënvizuar se pensionistët do të vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe mbështetjes institucionale.

Vizita u shoqërua me mesazhe solidariteti dhe përkushtimi ndaj njerëzve, në frymën e festave të dhjetorit.

1 nga 3

/r.e/

The post Balla dhe Manastirliu: Bonusi i fundvitit, mbështetje për mbi 700 mijë pensionistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festohet në Tiranë Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe

20 December 2025 at 17:05

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe u shënua në Tiranë me një ceremoni festive të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, trupit diplomatik, akademikëve, studiuesve dhe figurave të jetës kulturore.

Qeveria shqiptare u përfaqësua nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Miriam Shyti, si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore. Të pranishëm ishin gjithashtu rektorë dhe pedagogë nga universitete publike, anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe studiues dhe përkthyes të gjuhës arabe.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Botërore të Gjuhës Arabe, nën temën “Rrugë të reja për gjuhën arabe: politika dhe praktika për një të ardhme gjuhësore më gjithëpërfshirëse”, duke theksuar rolin e arabishtes si trashëgimi historike dhe gjuhë bashkëkohore që nxit dialogun dhe zhvillimin.

Në fjalën e hapjes, atasheu kulturor i Ambasadës saudite, Muteb Alharithi, vlerësoi arabishten si një gjuhë qytetërimi dhe komunikimi ndërkulturor. Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Faisal Ghazi Hifzi, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës arabe si një përgjegjësi e përbashkët, në përputhje me progresin shkencor dhe teknologjik.

Ambasadori Hifzi nënvizoi angazhimin e Arabisë Saudite për promovimin e arabishtes përmes Akademisë Globale të Gjuhës Arabe “Mbreti Salman”, si dhe bashkëpunimin kulturor në rritje mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë.

Nga ana e tij, ministri Andis Salla vuri në dukje kontributin e gjuhës arabe në qytetërimin botëror dhe rëndësinë e saj në përcjelljen e vlerave universale të paqes dhe bashkëjetesës.

Në emër të Akademisë Globale të Gjuhës Arabe “Mbreti Salman”, Faisal Al Harbi prezantoi iniciativat ndërkombëtare të Akademisë në fushën e arsimit, politikave gjuhësore dhe bashkëpunimit global.

Ceremonia u mbyll me ndarjen e çmimeve dhe vlerësimeve për personalitete dhe institucione që kontribuan në promovimin e gjuhës arabe.

Dita Botërore e Gjuhës Arabe festohet çdo vit më 18 dhjetor dhe synon të promovojë diversitetin gjuhësor dhe dialogun kulturor, duke forcuar mirëkuptimin mes popujve.

1 nga 5

/r.e/

The post Festohet në Tiranë Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Velivari i mbuluar nga dëbora, ftesë për sporte dimërore

20 December 2025 at 16:37

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Velivari i Dibrës, një nga zonat më piktoreske malore në verilindje të vendit, është mbuluar nga dëbora, duke u shndërruar në një destinacion tërheqës për alpinistë, sportistë dhe vizitorë të apasionuar pas sporteve dimërore.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga kjo zonë malore, duke vënë në dukje bukuritë natyrore që ofron Velivari gjatë sezonit dimëror. Peizazhe të mbuluara nga dëbora krijojnë kushte të përshtatshme për aktivitete në natyrë, si alpinizmi, ecjet malore dhe eksplorimi i terreneve dimërore.

Velivari është maja më e lartë e vargmalit të Deshatit që ndan Dibrën nga Maqedonia e Veriut. Banorët e zonës e njohin me emrin Hinoska. Hartat çeke dhe sllovene, që përdoren nga turistët, e njohin si Velivar. Kjo bjeshkë është e butë dhe ngjitja relativisht e lehtë. Maja e Velivarit ofron pamje të qytetit dhe liqenit të Dibrës, qytetit të Peshkopisë, liqenit të Ohrit në distancë, luginave të Drinit të Zi dhe Rudokës, dhe maleve të Mavrovës, Shebenikut, Martaneshit, Balgjave, Lurës, Oroshit, Korabit nga ana jugore.

Velivari njihet për natyrën e paprekur dhe panoramat mbresëlënëse, ndërsa gjatë dimrit shndërrohet në një atraksion të veçantë për vizitorët vendas dhe të huaj. Kjo zonë po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi për zhvillimin e turizmit malor dhe atij të aventurës, duke kontribuar në promovimin e potencialeve natyrore të Dibrës.

Promovimi i destinacioneve të tilla, jo vetëm ofron përvoja unike për vizitorët, por edhe ndikojnë pozitivisht në ekonominë lokale, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.

/r.e/

The post Velivari i mbuluar nga dëbora, ftesë për sporte dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transaksionet bankare nëpërmjet internetit, mbi 2 miliardë lekë

20 December 2025 at 16:53

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Numri i transaksioneve të realizuara me home banking arriti në 9,4 milionë gjatë periudhës janar-tetor 2025, duke shënuar rritje krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2024, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të BSH-së, paralelisht me numrin e transaksioneve, rritje ka shënuar edhe shuma e transaksioneve, e cila kapi një vlerë rekord prej 2,3 miliardë lekësh.

Referuar statistikave fluksi më i lartë i transaksioneve dhe pagesave home banking në shifrën mbi 1 miliard lekë u realizuan gjatë sezonit veror, që përkon dhe me ardhjen më të madhe të numri të turistëve dhe vizitorëve të huaj, në vendin tonë.

Home banking, i quajtur ndryshe si bankingu në shtëpi, përdoret për të kryer transferta parash për të paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, të ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Klientët e bankave mund të kenë qasje në këto shërbime bankare kudo që ndodhen për sa kohë që kanë internet.

Rritja e transaksioneve që kryhen përmes aplikacioneve ose faqeve online të bankave është një tregues i digjitalizimit të shërbimeve bankare, ndërsa rrit edhe më tepër përfshirjen financiare të qytetarëve, si dhe transparencën e veprimeve bankare.

 

/e.xh/r.e/

The post Transaksionet bankare nëpërmjet internetit, mbi 2 miliardë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Monedhat e huaja forcohen kundrejt lekut

19 December 2025 at 13:19

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Monedhat e huaja kanë forcuar pozitat e tyre në raport me lekun në tregun valutor vendas.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye këtë të premte me 82,438 lekë, duke shënuar një rritje prej 0,15 lekësh krahasuar me një ditë më parë.

Ndërkohë, monedha europiane u këmbye me 96,56 lekë, ose 0,05 lekë më shumë se kursi i një dite më parë.

Në rritje ishte edhe paundi britanik, i cili u këmbye sot me 110,27 lekë, ose 0,49 lekë më tepër, ndërsa franga zvicerane u këmbye me 103,69 lekë, ose 0,28 lekë më shumë kundrejt lekut.

Lëvizjet në kursin e këmbimit vijnë në një periudhë tipike fundviti, e karakterizuar nga rritja e kërkesës për monedha të huaja dhe dinamika sezonale e tregut financiar.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.43 +0.15
Euro EUR 96.56 +0.05
Poundi Britanik GBP 110.27 +0.49
Franga Zvicerane CHF 103.69 +0.28
Jeni Japonez (100) JPY 52.39 -0.38
Dollari Australian AUD 54.45 +0.13
Dollari Kanadez CAD 59.76 +0.05
Korona Suedeze SEK 8.86 +0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.10 +0.03
Korona Daneze DKK 12.92 +0.01
SDR SDR 112.68 +0.26
Ari(OZ 1) XAU 356574.05 +730.33
Argjend(OZ 1) XAG 5441.83 +5.85
Juani Kinez (onshore) CNY 11.71 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.72 +0.02
Lira Turke TRY 1.93 0.00

The post Monedhat e huaja forcohen kundrejt lekut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë

19 December 2025 at 17:45

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Qeveria miratoi sot rritjen e pagës minimale mujore, duke e çuar atë nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, si pjesë e angazhimeve të ndërmarra ndaj qytetarëve dhe punëmarrësve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se, vendimi prek rreth 307 850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat dhe synon mbrojtjen e nivelit të jetesës, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare.

Sipas saj, rritja e pagës minimale pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në uljen e informalitetit në tregun e punës, si dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore dhe të të drejtave të punonjësve.

“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore. Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike”, deklaroi Ibrahimaj.
1 nga 2
/j.p/r.e/

The post Qeveria miraton rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektligj i ri për administrimin e pasurive të sekuestruara, përfshin edhe monedhat virtuale dhe ndërtimet pa leje

19 December 2025 at 11:30

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe Kryeadministratori do t’i kryejë vetë procedurat e shitjes për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe lidhjen në vijim të kontratave përkatëse, referuar ligjit për ankandin publik.

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që synon përmirësimin e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Ndryshimet përfshijnë pasuritë e sekuestruara/konfiskuara jo vetëm nga organet e drejtësisë, por edhe nga vendimet e pushtetit vendor dhe të organeve administrative, duke përfshirë ndërtime pa leje dhe monedha virtuale.

Qëllimi i projektligjit është të rrisë eficiencën dhe transparencën në menaxhimin e këtyre pasurive, të garantojë përdorimin e tyre ekonomik dhe social, dhe të sigurojë rikthimin e përfitimeve në komunitet. Ndër masat e propozuara është që procesi i shitjes së pasurive të kryhet drejtpërdrejt nga AAPSK, duke reduktuar burokracinë dhe vonesat që janë shkaktuar nga përfshirja e institucioneve të shumta.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një fondi të posaçëm për ndërtimet pa leje dhe përcakton rregulla të qarta për administrimin e monedhave virtuale të sekuestruara/konfiskuara. Sipas planit, ligji do të përmbajë 14 nene dhe do të zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe AAPSK, me mbështetje nga ministritë përkatëse në procesin e zbatimit.

Ky hap pritet të forcojë mbrojtjen e interesit publik, të përmirësojë menaxhimin e pasurive dhe të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit, duke siguruar një sistem më efikas dhe transparent të administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. /j.p/

The post Projektligj i ri për administrimin e pasurive të sekuestruara, përfshin edhe monedhat virtuale dhe ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis monitorimi i çmimeve të mallrave të shportës gjatë festave të fundvitit

19 December 2025 at 10:58

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës nisi proces monitorimi të posaçëm në tregun e mallrave të shportës, që do të vijojë deri më 15 janar, me fokus të veçantë periudhën e festave të fundvitit.

Qëllimi i këtij monitorimi është verifikimi i ecurisë së çmimeve dhe i sjelljes së ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, me synim parandalimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve.

Monitorimi përfshin mallrat bazë të shportës së konsumatorit, konkretisht: makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal.

Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në tregjet përkatëse të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo sjellje që mund të cenojë funksionimin normal të tregut.

Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë ndjekjen nga afër të zhvillimeve në treg dhe do të informojë publikun për çdo gjetje apo masë që do të ndërmerret në përfundim të këtij monitorimi. e.xh/j.p/

The post Nis monitorimi i çmimeve të mallrave të shportës gjatë festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë rrit rezervën valutore, planifikon blerjen e 450 milionë eurove në 2026

18 December 2025 at 15:20

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Banka e Shqipërisë publikoi kalendarin e ndërhyrjeve në tregun valutor për vitin 2026, duke parashikuar blerje eurosh në vlerë 330–450 milionë euro, një rritje me rreth 100 milionë euro krahasuar me objektivin e këtij viti. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është përforcimi i rezervës valutore dhe stabilizimi i kursit të këmbimit në tregun e brendshëm.

Nga 26 ankandet e planifikuara, më shumë ndërhyrje pritet të kryhen gjatë muajve të verës, kur fluksi i turistëve rrit disponueshmërinë e euros në vend. Muaji korrik shënon numrin më të lartë të ankandeve, me 5 ankande, ndërsa gjatë sezonit veror priten gjithsej 12 ndërhyrje.

Blerjet e planifikuara ndahen në dy lloje: 9 ankande FORWARD, ku euro blihen në një datë të ardhshme me kurs të përcaktuar paraprakisht, dhe 17 ankande SPOT, ku euro blihen sipas kursit të ditës së ankandit.

Sipas Bankës Qendrore, këto masa synojnë stabilitet të kursit, mbrojtjen e rezervës valutore dhe një ambient financiar të qëndrueshëm, duke përgatitur tregun për sfidat dhe nevojat e vitit të ardhshëm.

e.xh/j.p/

The post Banka e Shqipërisë rrit rezervën valutore, planifikon blerjen e 450 milionë eurove në 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 16 mijë aplikime për vërtetime elektronike tatimore përmes e-Albania

18 December 2025 at 11:48

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Qytetarët dhe bizneset shqiptare po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë mundësitë e dixhitalizimit të shërbimeve publike përmes platformës e-Albania, duke aplikuar për vërtetimin elektronik të përgjegjësive tatimore, i pajisur me vulë elektronike. Dokumenti gjenerohet në kohë reale dhe ofron një zgjidhje të thjeshtë dhe të shpejtë për çdo subjekt tatimpagues, duke lehtësuar procedurat administrative dhe garantuar besueshmëri ligjore.

Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në nëntor 2025 janë regjistruar 16,487 aplikime, duke reflektuar një trend të qartë rritjeje të përdorimit të shërbimeve dixhitale në sektorin fiskal. Ky rritje tregon gjithashtu besimin në sistemin elektronik dhe rëndësinë e tij në përshpejtimin e proceseve për qytetarët dhe bizneset.

Vërtetimi elektronik i përgjegjësive tatimore mund të përdoret për çdo qëllim ligjor, duke përfshirë procedurat për tendera, aplikimet për financime, ose për realizimin e detyrimeve administrative ndaj institucioneve publike. Dokumenti është i pajisur me vulë elektronike, që garanton autenticitetin dhe vlefshmërinë ligjore në çdo rast.

Shërbimi i ofruar nga e-Albania është pjesë e strategjisë për modernizimin e administratës publike dhe dixhitalizimin e shërbimeve, duke synuar lehtësimin e qasjes në dokumente zyrtare, reduktimin e kohës dhe kostove për qytetarët, si dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve shtetërore.

Ky trend tregon se dixhitalizimi i shërbimeve publike po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përmirësimin e ndërveprimit midis qytetarëve, biznesit dhe administratës.

e.xh/j.p/

The post Mbi 16 mijë aplikime për vërtetime elektronike tatimore përmes e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Tregu i ri në Mallakastër lidh prodhimin vendas me konsumatorin

18 December 2025 at 09:37

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Tregu i ri i gjësë së gjallë dhe vajit të ullirit në Mallakastër është një mbështetje konkrete për fermerët e zonës për nxitjen e tregtimit të prodhimeve bujqësore.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u shpreh se ky treg përfaqëson një hallkë të munguar deri dje dhe një hap të domosdoshëm sot për lidhjen e prodhimit vendas me konsumatorin, në kushte të përshtatshme tregtimi.

Sipas ministrit kjo qendër është një garanci për produktet “Made in Albania”, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, duke ofruar mbështetje konkrete për fermerët dhe prodhuesit vendas.

Ai theksoi se iniciativa përçon një sinjal të qartë se me më shumë organizim, mekanizim dhe mbështetje institucionale, prodhimi shqiptar mund të rritet dhe të konkurrojë denjësisht në tregjet europiane.

Fermeri Xhavai Avdia, i angazhuar në rritjen e gjelit të detit, u shpreh se tregu i gjësë së gjallë përbën një ndihmë të madhe për fermerët, pasi siguron kushte dhe standarde të përshtatshme tregtimi.

Nga ana e tij, Ilir Sula, prodhues i vajit të ullirit dhe bimëve mjekësore, vlerësoi rëndësinë e tregut si për tregtimin vendas, ashtu edhe për nxitjen e eksporteve.

Ai theksoi se produktet shqiptare janë të preferuara në tregjet e huaja.

“Para dy vitesh eksportonim në Itali, ndërsa sot eksportojmë në Maqedoninë e Veriut. Nëse mekanizohemi më tej, mund të konkurrojmë në tregjet ndërkombëtare”, tha Sula, duke vlerësuar impaktin pozitiv të tregut të ri për zhvillimin e sektorit bujqësor. e.xh/j.p/

The post Salla: Tregu i ri në Mallakastër lidh prodhimin vendas me konsumatorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluksi i fundvitit, Porti i Durrësit nis lundrimet e dyfishta të trageteve drejt Italisë

17 December 2025 at 15:59

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, Porti i Durrësit ka intensifikuar operacionet detare, duke nisur lundrimet e dyfishta të trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Duke filluar nga data 18 dhjetor, ky regjim i shtuar lundrimesh synon përballimin e fluksit sezonal të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit detar në kushte sigurie dhe eficience operative.

Autoritetet portuale bëjnë të ditur se në Terminalin e Trageteve të gjitha strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve. Paralelisht, po zbatohen masa shtesë sigurie dhe koordinimi operacional për garantimin e një shërbimi të rregullt dhe të sigurt.

Operacionet po zhvillohen normalisht, me fokus në respektimin e orareve të lundrimit, përpunimin në kohë të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe shmangien e vonesave gjatë kësaj periudhe festive.

Porti i Durrësit vijon të sigurojë funksionim të pandërprerë të linjave detare dhe shërbim të qëndrueshëm për operatorët dhe përdoruesit e portit gjatë festave të fundvitit. /j.p/

The post Fluksi i fundvitit, Porti i Durrësit nis lundrimet e dyfishta të trageteve drejt Italisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistrimi i gradave shkencore dhe titujve akademikë në e-Albania

17 December 2025 at 13:45

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Aplikimi për regjistrimin e gradave shkencore dhe titujve akademikë tashmë mundësohet online përmes portalit “e-Albania”.

Ky shërbim ofrohet për subjektet që veprojnë në fushën e arsimit të lartë dhe synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e regjistrimit të dokumentacionit akademik.

Për të përfituar nga shërbimi, aplikantët duhet të zgjedhin në portal shërbimin “Regjistrimi i gradave shkencore dhe titujve akademikë”. Regjistrimi i gradave apo titujve akademikë është i vlefshëm për një afat të pacaktuar.

Koha e marrjes së shërbimit është 15 ditë nga momenti i aplikimit.

Shërbimi online përmes e-Albania synon të rrisë transparencën, efikasitetin dhe aksesin e subjekteve të arsimit të lartë në shërbimet administrative.

/r.e/j.p/

The post Regjistrimi i gradave shkencore dhe titujve akademikë në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌