Normal view

Apple mund ta shtyjë iPhone 18 bazë për vitin 2027, në shtator priten vetëm modelet premium

20 August 2026 at 21:50

Apple pritet të mbajë në shtator eventin e saj më të rëndësishëm të vitit, por këtë herë kompania mund të ndryshojë mënyrën tradicionale të prezantimit të gjeneratës së re të iPhone.

Sipas raportimeve që kanë qarkulluar muajt e fundit, modeli bazë iPhone 18 mund të mos prezantohet në shtator.

Në vend të tij, Apple pritet të fokusohet te modelet më të avancuara të linjës së re, përfshirë iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe iPhone Ultra.

Modeli standard iPhone 18 nuk pritet të anulohet, por prezantimi i tij mund të shtyhet për fillimin e vitit 2027, së bashku me iPhone 18e dhe iPhone Air 2.

Arsyet për këtë ndryshim nuk janë bërë të ditura zyrtarisht. Megjithatë, raportimet sugjerojnë se Apple mund të synojë shpërndarjen e lançimeve gjatë vitit dhe t’u japë më shumë vëmendje modeleve premium.

Një tjetër faktor i mundshëm lidhet me furnizimin me komponentë, veçanërisht me memorien, çka mund ta ketë shtyrë kompaninë të riorganizojë prodhimin.

Nëse raportimet konfirmohen, Apple do të kalojë në një strategji të re, me tre modele të nivelit të lartë në shtator dhe modelet e tjera disa muaj më vonë.

iPhone 18 bazë pritet të mbërrijë jo më vonë se marsi 2027, duke bërë që përdoruesit që kërkojnë një model të gjeneratës së re me çmim më të ulët se versionet Pro dhe Ultra të presin edhe disa muaj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Apple mund ta shtyjë iPhone 18 bazë për vitin 2027, në shtator priten vetëm modelet premium appeared first on Sinjali.

Serbia kërkon ndihmën e Rusisë për luftimin e zjarreve

20 August 2026 at 21:49

Serbia i është drejtuar Rusisë për ndihmë në luftimin e zjarreve në natyrë, pasi sipas autoriteteve serbe nuk ka aeroplanë me kapacitete të mjaftueshme në dispozicion nga Bashkimi Evropian.

Një aeroplan zjarrfikës i Ministrisë së Emergjencave të Rusisë, i tipit IL-76P, ka aterruar të mërkurën në mbrëmje në Nish dhe është angazhuar të enjten në luftimin e një zjarri në zonën e mbrojtur natyrore Deliblatska Pescara, i cili po vazhdon prej javësh.

Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por ka qasje në ndihmat emergjente të bllokut përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.

Megjithatë, zjarret e shumta që kanë përfshirë disa vende të Evropës gjatë kësaj vere kanë vënë nën presion kapacitetet e BE-së.

“Duke marrë parasysh se nuk ka aeroplanë zjarrfikës të këtij kapaciteti në dispozicion brenda BE-së, aeroplani rus që po arrin do t’i fuqizojë ndjeshëm kapacitetet tona në luftimin e zjarreve”, ka deklaruar Luka Causic, drejtor i Departamentit për Situata Emergjente në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

Ndërkohë, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se Serbia deri më tani nuk e ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Sipas tij, blloku është i gatshëm ta mobilizojë asistencën në përputhje me nevojat e Serbisë në terren.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Serbia kërkon ndihmën e Rusisë për luftimin e zjarreve appeared first on Sinjali.

Gjermania forcon mbrojtjen kundër dronëve, ministri paralajmëron për një “garë armatimesh”

20 August 2026 at 21:47

Gjermania po zgjeron kapacitetet për mbrojtjen kundër dronëve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se përballja me këtë teknologji mund të shndërrohet në një “garë armatimesh” mes sistemeve mbrojtëse dhe mjeteve që synojnë t’i anashkalojnë ato.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, ka deklaruar gjatë një vizite në njësinë e aviacionit të Policisë Federale në Fuldatal se mbrojtja kundër dronëve do të mbetet një detyrë e përhershme për Gjermaninë në vitet e ardhshme.

Njësia e posaçme e Policisë Federale për mbrojtjen kundër dronëve, e krijuar në dhjetor, aktualisht numëron rreth 70 efektivë. Sipas autoriteteve, deri në fund të vitit ky numër pritet të rritet në rreth 300.

Zgjerimi i kapaciteteve vjen pas një incidenti të rëndë të regjistruar më 4 gusht në aeroportin Leipzig/Halle, ku në zonën e sigurisë ishte zbuluar një dron i pajisur me eksploziv dhe mekanizëm shpërthimi, pranë avionëve ukrainas të transportit.

Prokuroria Federale gjermane e ka cilësuar rastin si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës në Gjermani”.

Disa politikanë gjermanë kanë ngritur dyshime për përfshirje ruse, por ministri Dobrindt ka shmangur akuzat e drejtpërdrejta, duke theksuar se duhet pritur përfundimi i hetimeve.

Gjatë vizitës në Fuldatal, ministrit iu prezantuan edhe teknologji të ndryshme me dronë që përdoren nga autoritetet për kërkimin e personave, monitorimin e linjave hekurudhore dhe identifikimin e zonave të prekura nga zjarret në pyje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjermania forcon mbrojtjen kundër dronëve, ministri paralajmëron për një “garë armatimesh” appeared first on Sinjali.

A është rikthyer Vine? Aplikacioni i ndarjes së videove të shkurtra Divine hapet për publikun

20 August 2026 at 21:42

Një aplikacion i ri, i konsideruar si pasardhës shpirtëror i platformës së videove të shkurtra Vine, është tashmë i disponueshëm për publikun.

Ashtu si Vine, Divine u mundëson përdoruesve të krijojnë dhe shpërndajnë video vetëm gjashtë sekonda të gjata, të cilat përsëriten në mënyrë të vazhdueshme.

Aplikacioni i ri gjithashtu përmban më shumë se dy milionë video origjinale të Vine, ndërsa, në përpjekje për t’u dalluar nga platformat e tjera, ndalon përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale (AI).

Themeluesi i Divine, ish-punonjësi i Twitter, Evan Henshaw-Plath, i tha BBC-së se vendosi ta krijojë aplikacionin pasi mendon se rrjetet sociale kanë nevojë për “një rivendosje”.

“Dua ta shoh duke konkurruar me aplikacionet e tjera, sepse mendoj se kemi devijuar”, tha ai në një intervistë të dhënë disa javë para lançimit publik.

Ai tha se ishte e rëndësishme që në Divine të mos kishte përmbajtje të krijuar me AI, duke shtuar se ishte “lodhur dhe ngopur duke parë video dhe duke mos ditur nëse janë reale”.

“Dua të jem në gjendje të argëtohem dhe të mos më duhet t’i vë vazhdimisht në dyshim këto gjëra”, tha ai.

Në kulmin e saj, Vine kishte më shumë se 200 milionë përdorues aktivë në muaj dhe ndihmoi në nisjen e karrierës së disa prej yjeve më të mëdhenj të internetit. Jake Paul dhe Lele Pons janë dy prej tyre, pasi u bënë të njohur në këtë platformë para se ajo të mbyllej nga pronari i saj, Twitter, në vitin 2017.

Divine mbështetet nga bashkëthemeluesi i Twitter, Jack Dorsey, i cili kishte një rol drejtues në platformë kur Twitter bleu Vine në vitin 2012.

Aplikacioni është ndërtuar mbi një sistem të decentralizuar të quajtur Nostr, që do të thotë se nuk kontrollohet nga një kompani e vetme, siç ndodh me platforma si TikTok apo Instagram.

Kjo u mundëson përdoruesve që potencialisht të marrin llogaritë dhe përmbajtjet e tyre me vete edhe në shërbime të tjera që përdorin të njëjtin sistem, në vend që të mbeten të lidhur vetëm me një platformë.

Një qasje e ngjashme është përdorur edhe nga rivalët e X, Bluesky dhe Mastodon.

Divine ka përcaktuar disa mënyra për të siguruar që videot në platformë të jenë të krijuara nga njerëzit dhe jo nga AI.

Për shembull, përdoruesit duhet t’i regjistrojnë videot drejtpërdrejt përmes aplikacionit, në vend që t’i ngarkojnë ato nga burime të tjera. Platforma do të përdorë gjithashtu një mjet verifikimi të quajtur ProofMode, i cili funksionon si një lloj dëftese digjitale për një material.

Kur përdoruesit regjistrojnë diçka me një pajisje që mbështet ProofMode, sistemi mund të bashkëngjisë të dhëna që ndihmojnë në verifikimin e elementeve si koha kur është realizuar videoja dhe nëse skedari është ndryshuar më pas.

Përdoruesit gjithashtu do të mund të raportojnë përmbajtje të dyshuara të krijuara me AI, ndërsa në identifikimin e tyre do të përfshihen sisteme të automatizuara dhe njerëz.

Megjithatë, përpjekja e Divine për të funksionuar ndryshe mund të jetë edhe sfida e saj më e madhe, sipas analistit të rrjeteve sociale Matt Navarra.

“Mekanizmat që njerëzit nuk i pëlqejnë në rrjetet sociale moderne janë shpesh të njëjtët që i kanë bërë këto platforma jashtëzakonisht të afta për t’i mbajtur njerëzit aty”, tha ai.

“Prandaj, Divine tani duhet të dëshmojë se mund të heqësh një pjesë të varësisë pa hequr magjinë.”

Përveç përmbajtjeve dhe veçorive të reja, një tjetër tërheqje për përdoruesit mund të jetë arkiva e videove të vjetra të Vine, të krijuara nga disa prej yjeve më të mëdhenj të platformës.

Henshaw-Plath tha se fillimisht kishte synuar vetëm të rikrijonte formatin e videove të shkurtra të Vine, por më pas pyeti veten nëse mund të rikthente edhe videot e vjetra.

Ai zbuloi se Internet Archive kishte ruajtur një kopje të të dhënave të Vine dhe kaloi disa muaj duke i rindërtuar ato.

“Thashë me vete: ‘Oh, kjo është vërtet interesante’”, tregoi ai, duke thënë se fillimisht priste që vetëm disa mijëra njerëz të ishin të interesuar.

Por, në vend të kësaj, 10 mijë persona e instaluan aplikacionin vetëm gjatë orëve të para, duke mbingarkuar serverët.

“Atëherë thashë: ‘Oh, këtu ka diçka më shumë’”, tregoi Henshaw-Plath.

Sa i përket arsyes pse njerëzit mund të jenë ende të interesuar për përmbajtjet e shkurtra, në një kohë kur platforma si YouTube dhe TikTok po orientohen gjithnjë e më shumë drejt videove më të gjata, ai e krahasoi formatin e Vine me haikun.

“Ne mund të shkruanim prozë pa kufizime. Megjithatë, poezia është një formë që e vlerësojmë dhe që ka kuptim. Dhe në shumë mënyra, Vine ishte poezi”, tha ai.

Sfida kryesore për Divine do të jetë që nostalgjinë për Vine ta shndërrojë në një platformë që funksionon edhe për gjeneratën e re të përdoruesve të rrjeteve sociale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post A është rikthyer Vine? Aplikacioni i ndarjes së videove të shkurtra Divine hapet për publikun appeared first on Sinjali.

Tërmet i fortë godet Perunë jugore, magnituda 7.2 ballë

20 August 2026 at 21:26

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.2 ballë goditi sot pjesën jugore të Perusë, njoftoi Instituti Gjeofizik Peruan.

Epiqendra e tërmetit u lokalizua rreth 35 kilometra në veri të qytetit Coracora, në departamentin Parinacochas, ndërsa thellësia fokale u vlerësua në rreth 108 kilometra.

Ndërkohë, Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) raportuan një magnitudë prej 6.7 ballësh.

Deri më tani, nuk janë raportuar viktima apo informacione për dëme të shkaktuara nga tërmeti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tërmet i fortë godet Perunë jugore, magnituda 7.2 ballë appeared first on Sinjali.

Beshiktashi një hap larg Ligës së Evropës, Rashica e Kastrati në fushë

20 August 2026 at 21:21

Beshiktashi ka shënuar fitore të thellë 3:0 ndaj Kauno Zhalgirisit të enjten mbrëma, në ndeshjen e parë të plejofit për kualifikim në Ligën e Evropës.

Me këtë rezultat, skuadra turke ka bërë një hap të madh drejt sigurimit të kualifikimit në fazën e ardhshme të garës.

Beshiktashi e kontrolloi ndeshjen dhe arriti të shënojë dy gola në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë realizoi edhe një herë për të vulosur fitoren bindëse 3:0.

Milot Rashica u inkuadrua në lojë për Beshiktashin në minutën e 72-të, ndërsa Lirim Kastrati luajti gjatë gjithë pjesës së dytë për skuadrën lituaneze.

Ndeshja e kthimit do të përcaktojë skuadrën që do të avancojë në fazën tjetër të Ligës së Evropës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Beshiktashi një hap larg Ligës së Evropës, Rashica e Kastrati në fushë appeared first on Sinjali.

Ministri izraelit: Erdogan po tërheq Turqinë në aventura të rrezikshme në Siri

20 August 2026 at 21:17

Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë janë përshkallëzuar pas zhvillimeve të fundit në Siri, me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, që ka akuzuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për “tërheqjen e Turqisë në aventura të rrezikshme në Siri”.

Katz e bëri deklaratën të enjten përmes një reagimi në X, duke paralajmëruar se Izraeli nuk do të lejojë asnjë veprim që, sipas tij, kërcënon sigurinë e vendit.

“Izraeli nuk do të lejojë asnjë entitet të kërcënojë sigurinë e tij”, shkroi Katz në X.

“Është e preferueshme që Erdogan të vazhdojë të mbajë fjalime boshe dhe iluzive kundër Izraelit në parlamentin turk sesa të testojë vendosmërinë e Izraelit për të mbrojtur veten”, tha Katz.

Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli kundërshton vendosjen e trupave turke në Siri.

“Ne nuk do të tolerojmë një prani ushtarake turke në Siri që kërcënon Izraelin. Ne e bëmë të qartë mesazhin: Mos. Me sa duket, ata nuk e dëgjuan mjaftueshëm qartë, kështu që u siguruam që ata ta kuptonin më mirë”, tha Netanyahu.

Presidenca turke, në reagimin e saj, tha se “nuk do të bjerë në kurthin” e ngritur nga Izraeli.

Drejtori i komunikimit i presidencës turke tha se Ankaraja ka përvojë të mjaftueshme për të mos rënë në kurthin e figurave si Netanyahu, “të cilët synojnë të minojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.

Ndërkohë, në Tel Aviv, Yair Golan, udhëheqësi i demokratëve të opozitës së qendrës së majtë, e quajti sulmin izraelit në Siri “provokues dhe të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se e çon Izraelin “më pranë një përballjeje me Turqinë” dhe thellon përçarjen me aleatët e Tel Avivit, kryesori midis tyre Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni po punon për krijimin e një mekanizmi për çaktivizimin e konfliktit mes Izraelit, Turqisë dhe Sirisë. Këtë e ka konfirmuar i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, pasi Izraeli goditi një bazë ajrore siriane pranë kufirit me Turqinë.

Barrack, i cili është gjithashtu ambasador i SHBA-së në Turqi, tha se Turqia nuk ishte paralajmëruar për sulmet izraelite.

“Dhe si pasojë e vëzhgoi avionin që po shkonte në veri drejt territorit të saj dhe për këtë arsye mund të kishte përgatitur në mënyrë të arsyeshme përgjigjen e vet”, tha ai, duke iu referuar një reagimi të mundshëm ushtarak turk.

“Për fat të mirë, mendjet e qeta arritën të parandalonin përkeqësimin e mëtejshëm të situatës,” tha Barrack për Reuters në një intervistë telefonike.

“Prioriteti tani është ulja e tensioneve dhe lejimi i hapësirës për një qasje më të matur,” deklaroi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ministri izraelit: Erdogan po tërheq Turqinë në aventura të rrezikshme në Siri appeared first on Sinjali.

Thaçi tregon çka i tha Rugova në Rambuje

20 August 2026 at 21:12

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rrëfyer për takimet e tij me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë Konferencës së Rambujesë në vitin 1999.

Në intervistën ekskluzive për Debat Plus me Ermal Pandurin, Thaçi ka treguar se me ftesën e Rugovës kishte zhvilluar tri takime në Kështjellën e Rambujesë.

Sipas Thaçit, takimet zhvilloheshin në mbrëmje, në dhomën e Rugovës, në kohën kur pjesëtarët e tjerë të delegacionit ishin duke darkuar.

“Me Rugovën, me ftesën e tij, kisha zhvilluar tri takime, në Kështjellën e Rambujesë; më ftonte në dhomën e tij në mbrëmje, kur të tjerët po darkonin e disa vazhdonin edhe me ndonjë gotë alkooli apo pirje duhani. Më tha: “Po më duhet me pasë pak kujdes prej këtyre të mive, po flasin kapak si tepër nëpër korridore, syri dhe shpirti i keq është çdo kund, po ti grahi me kërkesat tuaja, unë jam gati”, ka rrëfyer Thaçi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Thaçi tregon çka i tha Rugova në Rambuje appeared first on Sinjali.

Thaçi: Armën e kam urryer gjithmonë – por çka të bëjmë, Serbinë e kishim mbi kokë

20 August 2026 at 21:07

Ish-presidenti, Hashim Thaçi ka rrëfyer një nga momentet e udhëtimit të tij nga Kosova drejt Parisit, në mars të vitit 1999, për të marrë pjesë në procesin e negociatave për marrëveshjen e Rambujesë.

Thaçi ka treguar se, para nisjes, e kishte informuar ekipin amerikan që vepronte në Kosovë për vendimin e tij për të udhëtuar drejt aeroportit përmes territorit të kontrolluar nga forcat serbe.

Sipas tij, ai kishte vendosur vetëm një kusht për këtë udhëtim.

“Për vendimin tim, shpejt e informova ekipin amerikan që vepronte në Kosovë. Por me një kusht: gjatë rrugës do të jem i pajisur me teknikën time vetëmbrojtëse, amerikanëve kjo çështje nuk u prishi fare punë”, ka rrëfyer Thaçi për TV Dukagjini.

Ai ka treguar se amerikanët kishin kërkuar vetëm që ai të ishte i veshur me rroba civile.

“Edhe ashtu isha veshur në xhinse dhe me xhaketë”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për raportin e tij me armët dhe uniformën ushtarake, ai ka deklaruar se nuk kishte qenë ithtar i tyre.

“Personalisht kurrë nuk kam qenë ithtarë i uniformës ushtarake; armën e kam urryer gjithmonë, por çka të bëjmë, Serbinë e kishim mbi kokë. U bëmë luftëtarë, segmentet e gjithë shoqërisë kosovare, me ose pa”, është shprehur Thaçi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Thaçi: Armën e kam urryer gjithmonë – por çka të bëjmë, Serbinë e kishim mbi kokë appeared first on Sinjali.

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim

20 August 2026 at 21:04

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej momenteve më të rëndësishme të procesit të Rambujesë, kthimit të tij në Kosovë gjatë luftës dhe rrugës drejt nënshkrimit të marrëveshjes.

Kjo është intervista e fundit e Thaçit para 16 shtatorit, datës kur pritet të shpallet aktgjykimi në procesin ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Duke folur për Rambujenë, Thaçi ka thënë se në fillim të konferencës çështjet e referendumit për Kosovën dhe transformimit të UÇK-së ishin të papranueshme për faktorët ndërkombëtarë.

Sipas tij, vetëm pak orë para përfundimit të konferencës, delegacioni kosovar arriti të siguronte nga Shtetet e Bashkuara zotimin se pas tri vitesh populli i Kosovës do të mund të shprehte vullnetin për të ardhmen e vendit.

“Deri pak orë para përfundimit të pjesës së konferencës në Rambuje, ishte iluzion se diçka e tillë mund të realizohej”, ka thënë Thaçi për TV Dukagjini.

Ai ka vlerësuar se kombinimi i referendumit, dislokimit të NATO-s dhe transformimit të UÇK-së krijoi bazën për zhvillimet që pasuan.

“Referendumi për popullin e Kosovës siguronte pavarësinë pas tri vitesh. Dislokimi i NATO-s nënkuptonte se siguria dhe mbrojtja po kalonin nën autoritetin ndërkombëtar. Transformimi i UÇK-së krijonte mundësinë e themelimit të Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Thaçi ka thënë se Serbia e kishte kuptuar se marrëveshja po e çonte Kosovën drejt pavarësisë dhe për këtë arsye e kishte refuzuar atë.

“Nuk isha i sigurt nëse po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim”

Duke folur për vendimin për pranimin e marrëveshjes, Thaçi e ka cilësuar atë si një prej vendimeve më të vështira dhe njëkohësisht më krenare të jetës së tij.

“Vendimi për pranimin e marrëveshjes në Rambuje ishte prej më të rëndëve, por edhe më krenari në jetën time. Pothuajse i pamundshëm, por i domosdoshëm. Nuk isha i sigurt a po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim, apo të dyja së bashku”, ka deklaruar ai.

Sipas Thaçit, delegacioni kosovar nuk mund të kërkonte që marrëveshja të plotësonte menjëherë të gjitha kërkesat e Kosovës.

“Pranuam marrëveshjen, edhe pse nuk i plotësonte aty për aty të gjitha kërkesat tona legjitime. Përfundimi i procesit u tregua i përkryer”, ka thënë ai.

Rrëfimi për kthimin nga Shqipëria në Kosovë

Thaçi ka treguar edhe për kthimin e tij në Kosovë pas Rambujesë, duke thënë se për të mos humbur mundësinë e krijuar në konferencë, në fillim të marsit 1999 kishte kaluar rreth 40 orë në këmbë nëpër terren malor nga Shqipëria drejt Kosovës.

Ai ka deklaruar se në atë kohë Serbia kishte shpallur një urdhër-arrest për të dhe kishte ofruar shpërblim për kapjen e tij.

“Serbia ato ditë kishte lëshuar publikisht urdhër-arrestin-poternicën e radhës, të bashkëngjitur me një fotografi time nga koha e gjimnazit; më kërkonte të gjallë apo të vdekur”, ka rrëfyer Thaçi.

Ai ka treguar se në mars të vitit 1999, senatori amerikan Robert Dole e kishte kërkuar për një takim në Shkup, me mision të dërguar nga presidenti Bill Clinton dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Por Thaçi thotë se në atë kohë ishte fizikisht në bjeshkët e Sharrit dhe nuk kishte mundësi të udhëtonte drejt Shkupit.

Nga Drenica drejt aeroportit të Sllatinës

Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit lidhet me udhëtimin e tij drejt aeroportit të Sllatinës për të udhëtuar në Paris.

Thaçi ka thënë se udhëtimi u bë nën shoqërimin e pjesëtarëve të misioneve amerikane dhe franceze, ndërsa rruga kalonte nëpër pika të kontrolluara nga forcat serbe.

“Sa më shumë i afroheshim forcave serbe, aq më shumë rritej tensioni në botën time të brendshme. Po shkoja drejt e në gojë të ujkut”, ka rrëfyer ai.

Sipas tij, në një nga postblloqet serbe, forcat e atëhershme të Beogradit hapën rrugën për eskortën ndërkombëtare.

Thaçi ka treguar se gjatë rrugës kishte me vete emblemën e UÇK-së.

“E futa në xhepin e këmishës, ngjitur me zemrën”, ka thënë ai.

Takimet me Rugovën dhe Kadarenë

Në rrëfimin e tij, Thaçi ka folur edhe për takimet me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë konferencës së Rambujesë.

Sipas tij, Rugova i kishte thënë të vazhdonte të këmbëngulte për kërkesat e delegacionit kosovar, duke shprehur mbështetjen e tij.

Thaçi ka përmendur edhe takimin me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris dhe ka sjellë pjesë nga libri i tij “Ra ky mort e u pamë”, ku përshkruhet një takim mes tyre në mars të vitit 1999.

“PO-ja shqiptare në Rambuje tregoi përgjegjësi kombëtare”

Në fund të rrëfimit, Thaçi e ka cilësuar pranimin e marrëveshjes së Rambujesë si një moment vendimtar për Kosovën.

“PO-ja shqiptare në Rambuje tregoi përgjegjësi kombëtare dhe emancipim perëndimor. Perëndimi mbajti fjalën. Filluan bombardimet e NATO-s, UÇK-ja vazhdoi rezistencën. NATO-ja hyri. Serbia u dëbua. Kosova u çlirua. Refugjatët u kthyen. Në Kosovë filloi jeta e re”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka përfunduar rrëfimin e tij për Rambujenë duke e cilësuar procesin si “fitore të dinjitetshme”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim appeared first on Sinjali.

Arrestohet në Shtime 49-vjeçari i kërkuar për mashtrim, dërgohet në vuajtje të dënimit

20 August 2026 at 19:58

Një 49-vjeçar është arrestuar pasditen e së enjtes në Shtime, pasi rezultoi se ndaj tij kishte urdhërarrest aktiv për veprën penale “Mashtrimi”.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 20 gusht 2026, rreth orës 17:20, kur Njësia e Trafikut Rajonal, gjatë patrullimit, ka ndaluar një automjet të tipit Opel Combo, me targa vendore.

Pas verifikimit të shoferit, A.D., 49 vjeç, është konstatuar se ai kërkohej me urdhërarrest aktiv.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Shtime për procedura të mëtejshme.

Pas kompletimit të dokumentacionit dhe procedurave policore, 49-vjeçari është dërguar në vuajtje të dënimit prej një viti e 215 ditësh burgim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arrestohet në Shtime 49-vjeçari i kërkuar për mashtrim, dërgohet në vuajtje të dënimit appeared first on Sinjali.

Katër punëtorë të KEK-ut humbën jetën këtë vit, Sindikata: Duam veprime para tragjedisë së radhës

20 August 2026 at 19:50

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas aksidenteve tragjike në vendin e punës, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të kalojnë nga reagimi pas ngjarjeve te parandalimi i tyre.

Sipas Sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

Në reagimin e publikuar në Facebook, Sindikata ka kritikuar faktin që pas çdo aksidenti tragjik ka ngushëllime dhe premtime për masa, por, sipas saj, mungon një sistem që do t’i identifikonte dhe eliminonte rreziqet para se ato të merrnin jetë.

“Problemi është se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme. Nuk po ndërtohet një sistem që e identifikon dhe eliminon rrezikun para se ai të marrë jetë”, thuhet në reagim.

Sindikata ka theksuar se çështja e sigurisë në punë nuk lidhet vetëm me aspektin teknik, por edhe me mënyrën e menaxhimit dhe kulturën e punës në KEK.

Sipas saj, punëtorët që përballen me kushte të rrezikshme duhet të ndihen të lirë t’i raportojnë ato pa pasur frikë nga pasojat.

“Punëtori duhet të dëgjohet para se të ndodhë aksidenti, jo vetëm të kujtohet pasi të ndodhë tragjedia”, thuhet më tej në reagim.

Sindikata ka kërkuar nga menaxhmenti i KEK-ut, Bordi, ministria dhe strukturat e tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete parandaluese.

“Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë. Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti nuk duhet të bëhen vetëm pjesë e një komunikate ngushëllimi dhe më pas të harrohen”, thuhet në reagim.

Në fund, Sindikata ka kërkuar ndryshim në mënyrën e menaxhimit të sigurisë në punë.

“Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, përfundon reagimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Katër punëtorë të KEK-ut humbën jetën këtë vit, Sindikata: Duam veprime para tragjedisë së radhës appeared first on Sinjali.

Djegia e hamulloreve shkakton zjarr të madh pranë Varrezave të Qytetit në Prishtinë, disa shtëpi ishin në rrezik – lokalizohen flakët

20 August 2026 at 19:48

Një zjarr i madh fushor ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe të konsiderueshme pranë Varrezave të Qytetit në Prishtinë, duke rrezikuar edhe disa shtëpi në zonën përreth.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga djegia e hamulloreve.

Flakët kanë shkaktuar dëme materiale në disa parcela bujqësore, pemishte dhe objekte përcjellëse. Megjithatë, falë intervenimit të shpejtë të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar, duke u parandaluar përhapja e tij drejt shtëpive të banimit.

“Mirënjohje dhe falënderim për zjarrfikësit tanë, të cilët edhe një herë dëshmuan përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri në mbrojtje të jetës, pronës dhe mjedisit”, thuhet në njoftim.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka apeluar te qytetarët që të mos ndezin hamullore, barishte apo mbetje në hapësira të hapura, duke paralajmëruar se në kushtet aktuale një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe të rrezikojë jetën e pronën e qytetarëve

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Djegia e hamulloreve shkakton zjarr të madh pranë Varrezave të Qytetit në Prishtinë, disa shtëpi ishin në rrezik – lokalizohen flakët appeared first on Sinjali.

Ende s’ka katalog përfundimtar, prindërit të mos blejnë tekstet mësimore

20 August 2026 at 19:47

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.

Sipas njoftimit të Ministrisë, procesi i negocimit të çmimeve të teksteve mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.

Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar.

Ministria ka bërë të ditur se pas përfundimit të negociatave do të publikohet katalogu përfundimtar dhe do të përcaktohet shuma që do të ndahet për blerjen e librave për secilin nxënës.

MASh u ka kërkuar prindërve që të presin njoftimin zyrtar dhe të mos bëjnë blerje paraprake.

Po ashtu, librarive dhe shitësve të teksteve u është kërkuar që të mos fillojnë shitjen para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria.

Ministria ka theksuar se qytetarët duhet t’u referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare për informacionet e mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ende s’ka katalog përfundimtar, prindërit të mos blejnë tekstet mësimore appeared first on Sinjali.

KEK-u humb tre punëtorë për më pak se dy muaj, Kurti hesht për rastet

20 August 2026 at 19:47

Për më pak se dy muaj, tre punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për kushtet e sigurisë dhe masat që po ndërmerren për mbrojtjen e punëtorëve.

Rasti i parë kishte ndodhur më 8 korrik, kur punëtori Milazim Binaku kishte pësuar lëndime të rënda gjatë kryerjes së detyrave në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj.

Pas disa ditësh trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Binaku nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve, ndërsa vdekja e tij ishte konfirmuar më 16 korrik.

Një muaj më vonë, më 16 gusht, një tjetër punëtor i KEK-ut, Haxhi Gojnovci, humbi jetën në vendin e punës. Sipas njoftimit të Korporatës, aksidenti kishte ndodhur derisa ai po lëvizte në zonën e ekskavatorit.

Vetëm katër ditë më vonë, më 20 gusht, është shënuar viktima e tretë.

Arbenit Ahmeti humbi jetën pasi, sipas KEK-ut, gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV kishte rënë në kontakt me tensionin elektrik.

Ai ishte dërguar menjëherë për trajtim në Ambulancën e Obiliqit, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve.

“Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, kishte njoftuar KEK-u.

Tri vdekje brenda një periudhe kaq të shkurtër kanë shtuar pikëpyetjet për sigurinë e punëtorëve në KEK, funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe masat parandaluese në vendet me rrezik të lartë.

Deputetë nga LDK, PDK dhe AAK kanë ngritur shqetësime për sigurinë në punë, kushtet e punëtorëve dhe numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve.

Ndërkohë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë reagim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me tri rastet e vdekjes së punëtorëve të KEK-ut. Kjo ka marrë vëmendje edhe për faktin se Kurti kishte reaguar publikisht për një incident në Vlorë, ku disa pushues u lënduan pas përfshirjes së një hoteli nga zjarri.

Rastet e fundit kanë rikthyer në vëmendje nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sigurisë në punë dhe përgjegjësi institucionale për parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post KEK-u humb tre punëtorë për më pak se dy muaj, Kurti hesht për rastet appeared first on Sinjali.

SHBA-ja dërgon një aeroplanmbajtës afër Hormuzit

20 August 2026 at 19:29

Komanda Qendrore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se aeroplanmbajtësi, USS George Washington, ka arritur në Detin Arabik.

Deti Arabik lidh veriun e Gjirit të Omanit dhe më pas Ngushticën e Hormuzit.

Ky dislokim vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, pretedon se Uashingtoni ka kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, teksa Irani thotë se rruga jetike ujore do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të zbatojë disa kushte të Republikës Islamike, raporton REL.

CENTCOM publikoi më 20 gusht një fotografi në X të ekuipazhit të aeroplanmbajtëses në kuvertë, në Detin Arabik, dhe tha se Grupi Sulmues i Aeroplanmbajtëses George Washington kishte hyrë një ditë më parë në zonën e përgjegjësisë së komandës dhe do të operojë në rajon si pjesë e dislokimit të planifikuar.

The Wall Street Journal, CNN dhe NBC News raportuan se USS George Washington po dërgohej në Lindjen e Mesme për të zëvendësuar USS Abraham Lincoln. CNN, duke cituar një zyrtar amerikan, tha se rotacioni ishte planifikuar paraprakisht.

Kjo lëvizje vjen në mes të raportimeve për mungesa ushqimesh dhe furnizimesh, probleme teknike, rënie të moralit dhe shqetësime për shëndetin mendor në bordin e aeroplanmbajtësit Lincoln, pas muajsh qëndrimi në det.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se raportimet për kushtet e vështira në bordin e anijes ishin “krejtësisht të shtrembëruara” dhe se ushtria po bënte gjithçka të mundur për të mbështetur ekuipazhin.

Abraham Lincoln u largua nga San Diego në nëntor të vitit 2025 dhe ka qëndruar për më shumë se tetë muaj i dislokuar, përfshirë më shumë se 200 ditë radhazi pa hyrë në një port për të bërë një ndalesë substanciale. Dislokimet e aeroplanmbajtësve amerikanë zakonisht zgjasin rreth gjashtë deri në nëntë muaj, megjithëse mund të zgjaten gjatë kohës së luftës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SHBA-ja dërgon një aeroplanmbajtës afër Hormuzit appeared first on Sinjali.

Turqia prezanton për herë të parë në ujë dronin detar kamikaz TUFAN

20 August 2026 at 19:22

Turqia ka prezantuar për herë të parë në ujë TUFAN Kamikaze USV, një mjet detar pa ekuipazh i zhvilluar nga kompania turke e mbrojtjes Aselsan.

Prezantimi është bërë në kuadër të TEKNOFEST Blue Homeland, aktivitet i fokusuar në teknologjitë detare dhe të mbrojtjes, që po mbahet në Komandën e Kantierit Detar të Gölcükut, në rajonin Marmara.

Aktiviteti katërditor ka mbledhur një numër të madh teknologjish të zhvilluara nga industria turke e mbrojtjes, përfshirë platforma detare, sisteme pa ekuipazh, teknologji nënujore, aeroplanë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa.

Aselsan e ka prezantuar TUFAN-in si një platformë që synon të sjellë një qasje të re në operacionet detare.

“TUFAN Kamikaze USV, i cili ndryshon rregullat e lojës në luftën detare, ndodhet për herë të parë në ujërat tona”, ka deklaruar kompania.

TUFAN është pjesë e zhvillimit të shpejtë të mjeteve detare pa ekuipazh, të cilat mund të përdoren në misione me rrezik të lartë pa ekspozuar drejtpërdrejt personelin ushtarak.

Debutimi i tij vjen në një kohë kur dronët dhe platformat autonome detare po marrin një rol gjithnjë e më të madh në konfliktet moderne, përfshirë operacionet e zbulimit dhe goditjen e objektivave detare.

TEKNOFEST Blue Homeland do të vazhdojë deri të dielën, ndërsa prezantimi i TUFAN-it shihet si pjesë e investimeve të vazhdueshme të Turqisë në sistemet autonome dhe teknologjitë ushtarake pa ekuipazh.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Turqia prezanton për herë të parë në ujë dronin detar kamikaz TUFAN appeared first on Sinjali.

Bilanc tronditës në Evropë, mbi 25 mijë vdekje nga vapa ekstreme

20 August 2026 at 19:20

Më shumë se 25,000 njerëz kanë vdekur nga valët e të nxehtit në katër vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian që nga fillimi i vitit 2026. Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit që kanë goditur Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën kanë shtyrë temperaturat mbi 35 gradë Celsius, duke ushtruar presion të madh mbi sistemet shëndetësore dhe duke shkaktuar alarme të vazhdueshme për shëndetin publik.

Gjermania po përballet me numrin më të lartë të vdekjeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Robert Koch, rreth 14,000 vdekje lidhen me nxehtësinë ekstreme gjatë vitit 2026. Ky është numër që tejkalon çdo rekord vjetor të regjistruar në vend që nga viti 2016.

Situata në Francë mbetet po ashtu tejet shqetësuese. Agjencia kompetente Santé Publique France ka regjistruar më shumë se 7,300 vdekje shtesë gjatë valëve intensive të të nxehtit të këtij viti. Autoritetet shëndetësore vijojnë të jenë në gatishmëri për shkak të ndikimit të temperaturave të larta në popullatë.

Në Spanjë, pothuajse 4,500 vdekje të lidhura me temperaturat e larta janë raportuar në periudhën nga 1 qershori deri më 19 gusht. Sipas Institutit Shëndetësor Carlos III dhe Sistemit të Monitorimit të Vdekshmërisë MoMo, ky është numri më i lartë i regjistruar për këtë periudhë që nga viti 2022.

Megjithëse sistemi MoMo nuk përcakton një lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore për çdo rast individual, të dhënat përbëjnë vlerësimin më të besueshëm të vdekjeve në të cilat temperaturat e larta kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Në Itali, ende nuk ka një numërim zyrtar të konsoliduar, pasi monitorimi kryhet kryesisht përmes treguesve në kohë reale. Në qershor është regjistruar një rritje prej 3% e vdekshmërisë te personat mbi 65 vjeç.

Drejtuesja e Departamentit të Parandalimit në Ministrinë Italiane të Shëndetësisë, Maria Rosaria Campitello, tha se të dhënat bazohen në informacionet aktuale nga komunat dhe se nuk janë regjistruar shpërthime ekstreme në fund të qershorit.

Megjithatë, vlerësimet shkencore për muajt në vijim mbeten shqetësuese. Epidemiologu Fabrizio Preliasco, drejtor i Higjienës dhe Mjekësisë Parandaluese në Universitetin e Milanos, vlerëson në deklarata për Ansa dhe Euractiv se numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë në Itali mund të arrijë në 5,000 deri në 8,000 deri në fund të verës.

Nëse kushtet aktuale klimatike vazhdojnë, rritja e vdekshmërisë mund të jetë 10% deri në 20% më e lartë se në verën e vitit 2025, që do të përkthehej në rreth 1,500 deri në 3,000 viktima më shumë.

Javët e ardhshme mbeten kritike. Gushti dhe shtatori konsiderohen historikisht ndër muajt më të rrezikshëm për pasojat shëndetësore të temperaturave të larta. Autoritetet paralajmërojnë se numri përfundimtar i vdekjeve mund të rritet më tej.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bilanc tronditës në Evropë, mbi 25 mijë vdekje nga vapa ekstreme appeared first on Sinjali.

Studimi i ri: Konsumuesit e kafesë mund të kenë më pak yndyrë dhe më shumë muskuj

20 August 2026 at 18:52

Një studim i ri nga Universiteti i Oulus në Finlandë sugjeron se njerëzit që konsumojnë më shumë kafe kanë tendencë të kenë më pak yndyrë trupore dhe abdominale, si dhe më shumë masë muskulore.

Studimi, për të cilin ka raportuar ScienceDaily, analizoi të dhënat e 2,264 personave, me moshë mesatare rreth 46 vjeç. Studiuesit krahasuan konsumin e zakonshëm të kafesë me përbërjen trupore, treguesit metabolikë dhe nivelet hormonale.

Sipas gjetjeve, personat që konsumonin më shumë kafe kishin nivele më të ulëta të yndyrës totale dhe yndyrës viscerale, e cila grumbullohet rreth organeve të brendshme.

Ata kishin gjithashtu më shumë masë muskulore, edhe pse indeksi i masës trupore (BMI) ishte i ngjashëm me atë të personave që konsumonin më pak kafe.

Konsumi më i lartë i kafesë u shoqërua gjithashtu me nivele më të ulëta të disa aminoacideve, të cilat kur janë vazhdimisht të larta, lidhen me rezistencën ndaj insulinës dhe rrezikun për diabetin e tipit 2.

Ndryshime më të dukshme hormonale te meshkujt

Studiuesit vunë re se ndryshimet hormonale ishin veçanërisht të dukshme te meshkujt.

Konsumi më i lartë i kafesë u lidh me një profil më të favorshëm të glukozës dhe insulinës, si dhe me nivele më të larta të testosteronit total dhe të proteinës SHBG.

Te gratë, lidhjet hormonale ishin më të kufizuara. Megjithatë, konsumi më i lartë i kafesë u shoqërua me nivele më të larta të SHBG-së dhe nivele më të ulëta të disa androgjeneve të lira.

“Kafeja konsumohet çdo ditë nga miliona njerëz, por ende dimë çuditërisht pak për mënyrën se si lidhet me metabolizmin dhe hormonet. Ajo që na ra më shumë në sy ishte një profil i veçantë hormonal, i cili vazhdonte të shfaqej edhe pasi morëm parasysh BMI-në dhe faktorët e stilit të jetesës”, ka thënë Luca Verroest, autori kryesor i studimit.

Kafeja nuk do të thotë domosdoshmërisht dobësim

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se kafeja shkakton humbjen e yndyrës apo rritjen e masës muskulore.

Studimi është vëzhgues dhe, për këtë arsye, nuk mund të përcaktojë një lidhje shkak-pasojë. Faktorë të tjerë mund të shpjegojnë një pjesë të ndryshimeve të vërejtura.

Studiuesit po vazhdojnë të hetojnë nëse vetë kafeja mund të shkaktojë këto ndryshime dhe cilat substanca të saj mund të jenë përgjegjëse.

Finlanda është ndër vendet me konsumin më të lartë të kafesë në botë, me rreth 11.8 kilogramë kafe për person në vit.

Për këtë arsye, studimi është interesant, por nuk përbën ende arsye që njerëzit të fillojnë të konsumojnë më shumë kafe me qëllim dobësimin apo rritjen e muskujve. Për të vërtetuar një efekt të drejtpërdrejtë, nevojiten studime të tjera, veçanërisht prova klinike te njerëzit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Studimi i ri: Konsumuesit e kafesë mund të kenë më pak yndyrë dhe më shumë muskuj appeared first on Sinjali.

Drejtori ekzekutiv që pushoi 900 punonjës, tani shkarkohet vetë nga kompania

20 August 2026 at 18:36

Vishal Garg, CEO dhe themeluesi i kompanisë fintech Better, është shkarkuar nga detyra dhe përkohësisht do të zëvendësohet nga menaxheri i fondeve të investimeve, Daniel Lewis.

Garg u bë i njohur në vitin 2021, kur pushoi nga puna rreth 900 punonjës gjatë një video-thirrjeje në Zoom, vetëm pak ditë para Krishtlindjeve. Në atë kohë, ai e kishte justifikuar vendimin me nevojën për të shmangur probleme financiare në kompani.

Sipas raportimeve, bordi i Better ka votuar unanimisht për shkarkimin e Garg-ut, duke përmendur humbje neto prej më shumë se 1.5 miliardë dollarësh që nga viti 2022, si dhe një rënie prej mbi 90 për qind të vlerës së aksioneve, raporton Metro.

Pas vendimit, Garg ka deklaruar se ndihet i mashtruar nga bordi dhe i ka kërkuar rikthimin në detyrë. Ai ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë të punojë për kompaninë me një pagë prej vetëm 1 dollari në vit, deri në rikthimin e saj në profitabilitet.

Ndërkohë, përplasja mes Garg-ut dhe kompanisë ka kaluar edhe në planin gjyqësor. Better e ka akuzuar atë në një ankesë gjyqësore për shkelje të ligjeve federale të letrave me vlerë, duke pretenduar se ai ka tentuar të krijojë një grup aksionarësh për të rikthyer veten në pozitën e CEO-s.

Garg ishte bërë figurë e njohur në mediat ndërkombëtare pas mënyrës së pazakontë të njoftimit për largimin masiv të punonjësve në vitin 2021, vendim që shkaktoi reagime të shumta në atë kohë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Drejtori ekzekutiv që pushoi 900 punonjës, tani shkarkohet vetë nga kompania appeared first on Sinjali.

❌