Normal view

Received — 9 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Një foto për Saks Fifth Avenue: Pak shi, pak elegancë… shumë Gjon Mili

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Rreth vitit 1946, Gjon Mili realizoi këtë fotografi për Saks Fifth Avenue, një nga emrat më të njohur të modës amerikane. Ajo që në fillim ishte menduar si një imazh publicitar, sot lexohet si një vepër arti.

Me mjeshtërinë e tij të dritës dhe kompozimit, Mili e shndërroi një skenë të zakonshme në një histori vizuale. Pikat e shiut ndriçojnë si yje, siluetat lëvizin me elegancë dhe qyteti bëhet skena ku moda, fotografia dhe kinemaja takohen.

Kjo fotografi, e sjellë nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, na kujton se Gjon Mili nuk ishte vetëm pionier i fotografisë së lëvizjes, por edhe një artist që dinte t’i jepte poezi edhe një reklame mode.

The post Një foto për Saks Fifth Avenue: Pak shi, pak elegancë… shumë Gjon Mili appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e 71-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 71-të.

Qytetarë të ndryshëm u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan “kastë e vjetër politike”.

Një qytetar tha nga protesta se gjendja ekonomike dhe sociale është shumë e vështirë dhe se të rinjtë nuk kanë asnjë mbështetje.

“13 vitet e fundit morëm dishesën me 200 km/orë. E mbyllëm aktivitetin. Shkuam në falimentin me këtë qeveri, që e ka mbytur paraja e pisët. Vajza është kthyer në Vlorë, por është jashtë mase e dëshpëruar”, tha ai.

Një i ri, nga protesta u ndal te drejtimi i Partisë Demokratike dhe faktit që Sali Berisha, si mjek i njohur nuk ka ngritur asnjëherë problemet e shëndetësisë në vend.

“Nuk ka skaner, ambulanca dhe ilaçe. Në spitalet rajonale dhe qendrore, ka problematika të mëdha. Që në hyrjen e spitalit, parkon makinën do paguash, fillon korrupsioni që tek dera e spitalit”, tha ai.

Nga podiumi i ngritur përpara Kryeministrisë, një qytetar bëri thirrje për mobilizim të gjerë të shoqërisë, duke iu drejtuar veçanërisht intelektualëve, mësuesve, bluzave të bardha dhe fermerëve.

“Më 14, 15, 16 diaspora në Tiranë dhe të gjithë qytetarët në Shqipëri të bashkohen në shesh”, u shpreh ai.

Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese, si dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

 

Pas fjalimeve te Kryeministria, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.

Dita e 71-të e protestës; Fotoreporter: Florian Abazi
1 nga 9

/e.i/r.e/

The post Protesta e 71-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Koncerti i Kanye West në Tiranë, leksion mbi ekonominë e eventeve

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sërish sot lidhur me debatet mbi organizimin dhe mbështetjen financiare të koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West (YE) në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e investimeve publike në ekonominë e eventeve të mëdha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja iu përgjigj kritikëve dhe skeptikëve të këtij organizimi, duke vënë në dukje se qasja ndaj këtij aktiviteti reflekton një mendësi bashkëkohore të zhvillimit ekonomik përmes kulturës.

Gonxhja ndau një analizë të ekspertes së industrisë kreative, Charmaine Hayden, e cila trajton ndikimin ekonomik dhe strategjik të koncertit të mbajtur më 11 korrik në kryeqytetin shqiptar.

Sipas analizës së cituar nga ministri, përzgjedhja e Shqipërisë jashtë metropoleve tradicionale si Nju-Jorku, Londra apo Parisi dhe ngritja e një infrastrukture të posaçme për këtë ngjarje tregoi një strategji të qartë të trajtimit të kulturës si aset ekonomik.

“Strategjia ishte e qartë: Shqipëria e trajtoi kulturën si infrastrukturë. Nëse ajo arrin të lëvizë njerëzit përtej kufijve, t’i sjellë në ekonominë vendase dhe të gjenerojë shpenzime, atëherë kultura shndërrohet në një formë eksporti,” theksohet në analizë, duke nënvizuar se ngjarja synoi të tërhiqte rreth 25 000 vizitorë të huaj nga afërsisht 80 vende të botës.

Përdorimi i parasë publike shkaktoi polemika, mos më keqkuptoni. Por strategjia, në fakt, ishte mjaft e qartë: Shqipëria po e trajtonte kulturën si një aset ekonomik. Ne kalojmë shumë kohë duke folur për infrastrukturën si rrugët, portet dhe aeroportet dhe me të drejtë, sepse ato janë infrastrukturë. Por edhe kultura mund të jetë infrastrukturë. Nëse ajo arrin të lëvizë njerëzit përtej kufijve, t’i sjellë ata në ekonominë tënde dhe t’i bëjë të shpenzojnë, atëherë kultura shndërrohet në një lloj eksporti”, vijon analiza.

Sipas analizës, aktiviteti tejkaloi përmasat e një koncerti të thjeshtë muzikor, duke u kthyer në një investim të drejtpërdrejtë për turizmin, vëmendjen ndërkombëtare dhe forcimin e markës kombëtare të Shqipërisë në tregjet globale.

/e.i/r.e/

The post Gonxhja: Koncerti i Kanye West në Tiranë, leksion mbi ekonominë e eventeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Situata nën kontroll, 227 forca dhe katër mjete ajrore të angazhuara për shuarjen e zjarreve

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për menaxhimin e vatrave të zjarrit vijojnë në disa zona të vendit, me angazhimin e të paktën 227 forcave operacionale, 16 mjeteve zjarrfikëse e mbështetëse dhe 4 mjeteve ajrore, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”.

Në një përditësim të situatës rreth vatrave të zjarrit në gjithë vendin, MM deklaron se në qarkun Tiranë, në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri, ku po vijon ndërhyrja dhe monitorimi. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

MM informon se në Cikallesh, Kavajë, vatra ka rënë ndjeshëm në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes ajrore të FA-së.

Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Sipas MM në qarkun Fier, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Vatra në zonën Koilac–Greshicë është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze (Krujë), situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla në terren të vështirë. Në terren vijojnë të punojnë strukturat e Emergjencave Civile, Bashkisë Krujë, MZSH-së, shërbimit pyjor dhe Prefekturës së Qarkut Durrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

MM njofton se në Vilëz (Kurbin), ku zjarri u riaktivizua në një sipërfaqe pyjore dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe erës rrezikonte kishën, varrezat dhe disa banesa, janë angazhuar rreth 50 forca nga MZSH, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndërprerë avancimin e zjarrit, duke shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth. Vatra vijon të jetë aktive dhe po mbahet nën ndërhyrje.

Strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile vijojnë pa ndërprerje operacionet në terren dhe nga ajri për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.

/e.i/r.e/

The post MM: Situata nën kontroll, 227 forca dhe katër mjete ajrore të angazhuara për shuarjen e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konjufca i reagon Zelenskyt: Keqardhje për riafirmimin e mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina

PRISHTINË, 9 gusht /ATSH/ Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konufca, reagoi sot ndaj deklaratës së një dite më parë të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Beograd.

Ai shprehu keqardhje për riafirmimin e mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga Ukraina, duke theksuar se Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës, vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, ndihmat humanitare, strehimin për gazetarët ukrainas dhe ndihmën dhe trajnim ushtarak në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.

“Ne i marrim në konsideratë me keqardhje komentet e Presidentit Zelenskyy në Beograd, të cilat riafirmojnë mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Që nga dita e parë e agresionit në shkallë të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës. Ne e dënuam pushtimin, në përputhje të plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, vendosëm sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, ofruam ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarët ukrainas dhe kontribuam me ndihmë dhe trajnim ushtarak në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Ne e bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij është çështje parimore. Është po aq e rëndësishme të kujtojmë një dallim të qartë: ndërsa Kosova ka vendosur sanksione kundër Rusisë, Serbia nuk është në përputhje me sanksionet e BE-së të vendosura në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Konjufca

Ai rikujtoi se Republika e Kosovës është një shtet sovran dhe i pavarur, i lindur nga lufta e popullit të saj për liri dhe nga çlirimi i tyre në vitin 1999 pas viteve të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit.

Konjufca tha se ajo që pasoi nuk ishte një akt aneksimi, pushtimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe vite të tëra negociatash të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht mbi statusin përfundimtar të Kosovës.

“Kur këto negociata kishin shteruar çdo mundësi për një zgjidhje të dakorduar, i Dërguari Special i OKB-së Martti Ahtisaari rekomandoi pavarësinë si status përfundimtar të Kosovës dhe paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri, duke përfshirë disa nga garancitë më të gjera kushtetuese për komunitetet jo-shumicë në Evropë. Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008 si kulminacionin e këtij procesi politik dhe historik, mori përgjegjësitë e saj si një shtet demokratik dhe multietnik dhe hyri në një periudhë pavarësie të mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare, ndërsa mbikëqyrja ndërkombëtare përfundoi zyrtarisht në vitin 2012”.

Në këtë kontekst, Konjufca vuri në dukje se sot, Republika e Kosovës njihet nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe e ka ndërtuar shtetësinë e saj fort mbi parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut, paqes dhe integrimit euroatlantik.

“Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për ta thirrur Kosovën si precedent ose justifikim për pushtimin, pushtimin ose përpjekjen e saj për aneksim të territorit ukrainas janë historikisht dhe ligjërisht të rreme. Nuk ekziston një paralele e tillë. Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne me respekt, por me vendosmëri, hedhim poshtë çdo përcaktim të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë. Ne do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do të forconte vetë parimet e lirisë, demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, shtoi Konjufca.

Një ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

/KosovaPress/

The post Konjufca i reagon Zelenskyt: Keqardhje për riafirmimin e mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Elon Musk projekton fabrikën më të fuqishme të çipave në botë, 50 herë më e madhe se Pentagoni

LOS ANXHELES, 9 gusht /ATSH/ – Elon Musk ka njoftuar “Terafab”, një fabrikë çipash në Teksas që do të ndërtohet së bashku nga Tesla dhe SpaceX. Impianti do të prodhojë gjysmëpërçues për inteligjencën artificiale dhe robotikën, shkruan il messaggero.it.

Musk deklaroi se “Terafab Texas” do të bëhet, me një diferencë të madhe, ndërtesa me vlerën më të lartë në botë.

Tesla dhe SpaceX parashikojnë të investojnë 16.8 miliardë dollarë për të nisur ndërtimin. Sipas dokumenteve të paraqitura pranë autoriteteve rregullatore dhe të bëra publike këtë javë, shpenzimi total mund të arrijë deri në 119 miliardë dollarë, të shpërndara në disa faza.

‘Terafab Texas” synon të bëhet ndërtesa më e vlefshme në botë

Musk e bëri këtë deklaratë në një postim në X, ku gjithashtu vlerësoi projektimin e parashikuar për fabrikën.

Sipas vlerësimeve të analistëve, struktura mund të gjenerojë çdo vit më shumë se një trilion njësi kapaciteti përpunues për inteligjencën artificiale.

Në fabrikë do të përdoret teknologjia e çipave 2 nanometra, një nga teknologjitë më të avancuara që ekzistojnë sot.

Përdoruesit e rrjeteve sociale nisën menjëherë të krahasonin përmasat e “Terafab” me disa prej strukturave më të mëdha në planet.

Imazhe të vendosura krah për krah e tregonin fabrikën përballë Gigafactory-t të Tesla-s në Austin, ndërtesave qeveritare, kampuseve të kompanive dhe qendrave tregtare të ndërtuara për të pritur miliona vizitorë çdo vit.

Një prej këtyre krahasimeve mblodhi miliona shikime brenda vetëm një dite.

Fabrika e çipave “Terafab” do të zërë më shumë se 9 milionë metra katrorë. Musk ka deklaruar gjithashtu, në një rast tjetër, se kompleksi, pasi të përfundojë, do të jetë rreth 50 herë më i madh se Pentagoni, selia e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.

Këto krahasime kanë ardhur në një kohë kur janë shtuar spekulimet për një bashkim të mundshëm mes Tesla-s dhe SpaceX.

Dy kompanitë po ndajnë gjithnjë e më shumë infrastrukturë, drejtues dhe kapital.

Ndërkohë, zërat për shitjen e Gigafactory-t të Tesla-s në Shangai, të cilat Musk i mohoi javën e kaluar, tregojnë se sa nga afër investitorët po ndjekin zhvillimet në perandorinë e tij industriale.  /os/

The post FOKUS – Elon Musk projekton fabrikën më të fuqishme të çipave në botë, 50 herë më e madhe se Pentagoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Xhenxhefili “ngroh” trupin, por çfarë përfitimesh ka realisht?

ROMË, 9 gusht /ATSH/ – Xhenxhefili përmban përbërës bioaktivë, sidomos gingerole dhe shogaole, të cilët i japin shijen pikante dhe ndjesinë e “nxehtësisë”, shkruan mondosanita It.

Pjesa që konsumojmë teknikisht nuk është rrënjë, por rizomë, pra një kërcell nëntokësor.

Ku janë provat më të forta? – Te përzierat.

Studimet tregojnë se xhenxhefili mund të ndihmojë në reduktimin e të përzierave dhe të vjellave gjatë shtatzënisë.

Për të përzierat pas operacionit ose gjatë kimioterapisë, provat janë më të paqarta. Për sëmundjen e makinës ose detit, rezultatet e studimeve janë të ndryshme.

Tretja.

Xhenxhefili mund të ndihmojë në disa shqetësime të lehta gastrointestinale  veçanërisht fryrjen dhe gazrat.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se një çaj me xhenxhefil trajton gastritin apo një sëmundje të aparatit tretës.

Dhimbja dhe inflamacioni.

Përbërësit e xhenxhefilit kanë veprim interesant në studimet laboratorike.

Te njerëzit, disa studime sugjerojnë se mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve menstruale dhe ndoshta në simptomat e artrozës së gjurit, por provat nuk janë aq të forta sa për ta konsideruar ilaç.

Sheqeri në gjak dhe kolesteroli.

Disa studime të fundit kanë gjetur përmirësime në disa tregues metabolikë, por zakonisht janë përdorur suplementë me doza të përcaktuara, jo thjesht pak xhenxhefil në ushqim.

Prandaj xhenxhefili nuk zëvendëson dietën, aktivitetin fizik apo ilaçet.

Edhe pse është natyral, xhenxhefili mund të shkaktojë te disa persona: djegie stomaku, shqetësime abdominale, diarre, irritim të gojës ose fytit.

Pra, nëse dikush ka stomak të ndjeshëm, gastrit ose urth, xhenxhefili mund t’ia shtojë djegien, sidomos në sasi të mëdha ose në formë suplementi.

Përfundimi: Xhenxhefili është një ushqim i dobishëm dhe interesant, veçanërisht për disa lloje të përzierash, por pretendimet se “detoksifikon”, “shkrin dhjamin” ose parandalon sëmundjet kronike nuk janë të mbështetura në atë nivel që shpesh pretendohet në reklama. /os/

The post FOKUS – Xhenxhefili “ngroh” trupin, por çfarë përfitimesh ka realisht? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mokra n’Fest”, mijëra vizitorë festuan traditat, kulturën dhe historinë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Mokra mirëpriti edicionin e shtatë të festivalit “Mokra n’Fest”, duke ofruar një ftesë të hapur për të përjetuar nga afër një traditë të ruajtur me krenari dhe të transmetuar brez pas brezi.

Ky aktivitet, i cili për vite me radhë ka bashkuar njerëz nga Mokra dhe e gjithë Shqipëria, e ka transformuar rajonin e bukur malor në një qendër tradite, kulture dhe mikpritjeje.

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se “Mokra N’Fest 7 mblodhi mijëra vizitorë për të festuar traditat, kulturën, mikpritjen, historinë dhe identitetin unik të Mokrës, duke e kthyer këtë ngjarje në një simbol të bashkimit, rikthimit në vendlindje dhe promovimit të një prej zonave më autentike të Shqipërisë”.

Ky festival është një udhëtim në zemër të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, ku mikpritja tradicionale shfaqet në formën e saj më të mirë, peizazhet ndërthuren me historinë dhe vallëzimi bëhet një gjuhë e përbashkët gëzimi.

Ky edicion i 7-të solli gjithçka, që nga historia e gurit të Mokrës, peizazhet fantastike të kësaj treve, dollinë qindra vjeçare, gatimet tradicionale, punimet e dorës, këngët, vallet deri edhe tek sportet ujore.

Gjatë festivalit, vizitorët patën mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale të zonës, të përgatitura nga duart e grave të Mokrës.

Aktivitetet, si pjesë e festivalit përfshinë kanotazh në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, punëtori artistësh, një ekspozitë fotografike dhe argëtim për fëmijë dhe të rinj.

Ky festival folklorik përfaqëson rikthim te rrënjët, një festë të vlerave dhe identitetit kulturor, si dhe një ftesë për të përjetuar shpirtin e Mokrës nga afër.

Mokra n'Fest 7; Fotot: Bashkia Pogradec
1 nga 20

/e.i/r.e/

The post “Mokra n’Fest”, mijëra vizitorë festuan traditat, kulturën dhe historinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Një “zinxhir” brenda aortës: ndërhyrja e rrallë që rikthen qarkullimin e gjakut

ROMË, 9 gusht /ATSH / – Një tel metalik jashtëzakonisht i hollë që kalon brenda aortës, një rrymë elektrike e kontrolluar dhe një prerje e kryer me saktësi milimetrike në një prej arterieve kryesore të trupit. Nuk është fantashkencë kirurgjikale: kjo është ajo që ndodhi në Molinette, Qyteti i Shëndetit dhe Shkencës së Torinos, ku një burrë rreth 40 vjeç, i prekur nga sindroma Marfan, u shpëtua nga pasojat e një diseksioni shumë të rëndë të aortës.

Trajtimi u krye në dy faza.

Fillimisht u realizua një ndërhyrje urgjente kardio-kirurgjikale; më pas një procedurë endovaskulare me saktësi shumë të lartë: një septotomi aortike me udhëzues të elektrizuar, e aplikuar me sukses në Itali te një pacient me brishtësi gjenetike të murit të aortës.

Zgjedhja u bë pasi zemra ishte vënë nën kontroll, por problemi ende nuk ishte zgjidhur plotësisht.

Për ta kuptuar situatën, mund ta imagjinojmë aortën si autostradën kryesore të gjakut: ajo nis nga zemra, kalon përmes kraharorit dhe barkut dhe, nëpërmjet degëve të saj, furnizon me gjak trurin, veshkat, zorrët dhe gjymtyrët.

Në rastin e diseksionit të aortës, shtresa e brendshme e murit të aortës çahet dhe gjaku depërton midis shtresave të murit, duke krijuar një kanal të dytë paralel.

Gjendja është jashtëzakonisht e rrezikshme: lumi i vërtetë mund të ngushtohet ose të shtypet, disa arterie mund të marrin shumë pak gjak dhe muri i aortës mund të çahet, duke shkaktuar një hemorragji potencialisht fatale.

Gjithçka nisi me një shenjë që nuk lejon vonesa: dhimbje të papritur dhe shumë të fortë në kraharor dhe bark.

40-vjeçari mbërriti në Urgjencën e Molinette, të drejtuar nga profesor Enrico Lupia.

Ekzaminimet zbuluan një diseksion të gjerë të aortës, me zgjerim të pjesës më pranë zemrës. Prioriteti ishte një: të parandalohej çarja e aortës dhe të mbrohej zemra.

Pacienti u transferua në Kardio-Kirurgji, ku profesor Mauro Rinaldi dhe ekipi i tij kryen riparimin e valvulës së aortës dhe valvulës mitrale, si dhe zëvendësimin e aortës ngjitëse dhe harkut të aortës.

Operacioni ishte i suksesshëm, por diseksioni vazhdonte drejt pjesës së poshtme të aortës dhe, mbi të gjitha, veshkat dhe zorrët ende nuk po merrnin mjaftueshëm gjak.

Brenda aortës së disekuar ishte formuar një lamelë, e cila ndante dy kanalet, si një lloj perdeje e vendosur përpara një dere: gjaku arrinte deri aty, por pengesa bllokonte hyrjen e tij në disa degëzime shumë të rëndësishme, duke rrezikuar furnizimin me gjak të veshkave dhe organeve të barkut.

Një ndërhyrje e re ishte e domosdoshme, por operimi nga jashtë i një aorte të prekur nga sindroma Marfan do të nënkuptonte përballjen me një mur jashtëzakonisht të brishtë. Prandaj duhej gjetur një mënyrë tjetër.

Kirurgjia Vaskulare Universitare, e drejtuar nga profesor Fabio Verzini, zgjodhi një teknikë shumë inovative: septotominë aortike endovaskulare me udhëzues të elektrizuar.

Pa hapur barkun, mjekët hynë përmes arterieve inguinale dhe, nën drejtimin e imazherisë radiologjike, arritën nga brenda te membrana që ndante lumin e vërtetë nga lumi fals.

Këtu hyri në veprim elementi më i jashtëzakonshëm: një udhëzues metalik shumë i hollë, i elektrizuar, u përdor si një lloj bisturi endovaskulare, për të prerë në mënyrë të kontrolluar septumin.

Lamelë u hap në drejtim gjatësor. Siç shpjeguan mjekët, ishte “si të hapësh një zinxhir përgjatë një rrudhe që është formuar në vendin e gabuar”.

Milimetër pas milimetri, të dy rrjedhat e gjakut filluan të komunikonin përsëri dhe pengesa nuk e bllokoi më furnizimin me gjak të arterieve që ushqejnë organet e barkut.

Ky ishte momenti më kritik, sepse te personat me sindromën Marfan, muri i aortës është veçanërisht i brishtë.

Një lëvizje e pakontrolluar mund të shkaktonte pikërisht komplikacionin që duhej shmangur: çarjen e aortës.

Për këtë arsye, procedura u planifikua në detajet më të vogla, edhe falë një bashkëpunimi shkencor me qendrën e Houstonit, të drejtuar nga profesor Gustavo Oderich, ndërsa ekipi i Kardio-Kirurgjisë së Molinette ishte gati të ndërhynte në rast emergjence.

Aorta nuk u ça dhe objektivi u arrit: rrjedhja e gjakut drejt veshkave dhe zorrëve u rikthye.. /os/

The post FOKUS – Një “zinxhir” brenda aortës: ndërhyrja e rrallë që rikthen qarkullimin e gjakut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Krujë, Rama ndan mesazhe të qytetarëve: Është bërë një punë heroike

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Banorët e zonave të prekura nga zjarri në Krujë kanë shprehur mirënjohje për forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, për ndërhyrjen gjatë situatës së krijuar nga flakët.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama publikoi dëshmi të banorëve të Krujës, të cilët flasin për situatën e vështirë të përjetuar gjatë natës dhe për ndërhyrjen e forcave të angazhuara në terren.

Një prej banorëve tha se zjarri rrezikoi banesën dhe lagjen e tij, duke vlerësuar ndërhyrjen e strukturave shtetërore për evakuimin dhe mbrojtjen e banorëve.

“Këtu ka qenë shteti mbrëmë në këmbë, duke filluar nga ministri i Brendshëm te Hita, gjithë punonjësit e Policisë. Nëse nuk do ishin ata, shtëpia ime ishte djegur. Jua bëftë Zoti hallall atyre zjarrfikësve, policisë, emergjencave, të gjithëve! Mbrëmë kemi dëgjuar erë shteti”, u shpreh ai.

Një tjetër banor e cilësoi situatën si një prej momenteve më të vështira të përjetuara, duke falënderuar forcat zjarrfikëse, ushtrinë dhe Emergjencat Civile për gatishmërinë dhe ndërhyrjen.

Banorët vlerësuan gjithashtu punën e helikopterëve që ndërhynë për disa orë në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

“Helikopterët kanë punuar katër orë pa pushim për të fikur zjarrin. Nuk e besoj akoma që e kam shtëpinë gjallë. Këtu ka qenë një tmerr i vërtetë”, tha një tjetër banor.

Një tjetër dëshmi vlerëson ndërhyrjen e strukturave shtetërore për mbrojtjen e banesave, duke e cilësuar punën e forcave në terren si heroike.

“Falënderoj ministrin e Brendshëm, forcat e policisë, zjarrfikësit. Është bërë një punë heroike”, u shpreh banori.

Ndërsa një tjetër banor theksoi se situata ishte veçanërisht e rrezikshme për shkak të përmasave të zjarrit, por ndërhyrja e strukturave të Policisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave ajrore bënë të mundur, sipas tij, shmangien e viktimave dhe dëmeve në banesa.

“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Qeverinë për masat që mori që ne sot jemi gjallë, që banesa është e paprekur dhe objekti ku jetoj unë është i paprekur”, tha ai.

Banorët shprehën mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, ndërsa situata në zonat e prekura po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

/e.i/r.e/

The post Zjarri në Krujë, Rama ndan mesazhe të qytetarëve: Është bërë një punë heroike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flukse të larta udhëtarësh dhe mjetesh në porte dhe pikat e kalimit kufitar

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Flukset e larta të udhëtarëve vijojnë në portet dhe pikat kufitare të vendit në kulmin e sezonit turistik, ku me mijëra qytetarë dhe automjete kanë hyrë e dalë nga Shqipëria gjatë orëve të fundit.

Në Portin e Vlorës, vetëm gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijnë rreth 2700 pasagjerë me tre tragete të linjës Brindizi-Vlorë, ndërsa numri i automjeteve që pritet të hyjnë në port llogaritet në rreth 700.

Për përballimin e fluksit dhe për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, Policia Kufitare ka shtuar sportelet e kontrollit, nga 8 në 12.

Mes udhëtarëve që mbërrijnë në Vlorë ka edhe një numër të konsiderueshëm turistësh italianë, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Një pjesë e tyre qëndrojnë në Vlorë, ndërsa të tjerë vijojnë udhëtimin drejt destinacioneve turistike të jugut.

Flukse të shtuara janë regjistruar edhe në Portin e Durrësit. Gjatë paradites së sotme kanë mbërritur katër tragete, me 5359 pasagjerë dhe 1564 automjete, ndërsa gjatë mbrëmjes pritet mbërritja e dy trageteve të tjera.

Në pikën e kalimit kufitar të Morinës, vetëm në orët e para të mëngjesit janë regjistruar mbi 19 mijë udhëtarë dhe rreth 4 mijë automjete.

Fluks i lartë është evidentuar edhe në Kakavijë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 12 273 kalime, prej të cilave 8523 udhëtarë në hyrje dhe 3750 në dalje. Në këtë pikë kufitare janë regjistruar gjithashtu 3735 mjete.

Fluksi i automjeteve në drejtim të Shqipërisë nga Greqia ka sjellë radhë të gjata në anën greke të kufirit, ndërsa koha mesatare e pritjes për kalimin e Kakavijës arrin rreth dy orë.

Në Kapshticë janë regjistruar 8630 hyrje dhe 3769 dalje, ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 6174 shtetas dhe kanë dalë 5070.

Në total, vetëm në Kapshticë dhe Qafë Thanë janë regjistruar 14 804 hyrje dhe 8839 dalje, ose 23 643 lëvizje në të dyja drejtimet.

Autoritetet kufitare kanë shtuar masat dhe sportelet e kontrollit në pikat me fluks të lartë, me synim përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve dhe lehtësimin e lëvizjes gjatë kulmit të sezonit turistik.

/e.i/r.e/

The post Flukse të larta udhëtarësh dhe mjetesh në porte dhe pikat e kalimit kufitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA- Pentagoni u kërkon industrive të mbrojtjes të përshpejtojnë prodhimin e armëve

UASHINGTON, 9 gusht /ATSH -ANSA/ – Pentagoni u ka kërkuar industrive amerikane të mbrojtjes që të përshpejtojnë ndjeshëm prodhimin dhe dorëzimin e armëve, pasi është shfaqur një mungesë e madhe e armatimeve për shkak të luftës me Iranin.

Këtë e zbulon një memorandum i brendshëm i Departamentit të Mbrojtjes, të cilin e ka parë Washington Post.

Të mërkurën, zëvendëssekretari i Mbrojtjes Steve Feinberg u ka shkruar drejtuesve të industrisë së mbrojtjes, duke u bërë të ditur se ata do të kenë maksimumi 21 ditë për të paraqitur plane që synojnë të garantojnë “afate dorëzimi shumë më të shpejta dhe agresive dhe/ose rritje të prodhimit për kapacitetet kritike”.

“Ciklet e prodhimit që zgjasin me vite nuk janë të pranueshme”, shkroi Feinberg.

“Duhet të përshpejtojmë në mënyrë drastike afatet e programeve tona dhe të zgjerojmë menjëherë kapacitetin tonë prodhues”, shtoi ai.

Direktiva vjen në një moment kur mungesa e armëve është kthyer në një pikë tensioni mes Donald Trump dhe Pentagonit.

Të enjten, presidenti Trump mohoi se ekziston një mungesë armatimesh, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë në dispozicion “sasi të jashtëzakonshme” municionesh dhe armësh.  /os/

The post SHBA- Pentagoni u kërkon industrive të mbrojtjes të përshpejtojnë prodhimin e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grafia digjitale Shimadzu, ekzaminime radiologjike të shpejta në dispancerinë e Spitalit Rajonal Vlorë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Vlorës, në shërbimin e dispancerisë pacientët diagnostikohen përmes teknologjisë moderne të grafisë digjitale Shimadzu, që vijon të ofrojë ekzaminime radiologjike të shpejta dhe cilësore ndaj tyre.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur se aparatura digjitale mundëson imazhe me rezolucion të lartë dhe përdoret për diagnostikimin e patologjive respiratore, si dhe për shërbimin ambulator të specialiteteve të ndryshme të spitalit.

Tekniku i imazherisë në dispancerinë e Spitalit Rajonal Vlorë, Emiliano Haruni, tha se aparatura është instaluar pas rikonstruksionit të ambienteve të këtij shërbimi dhe është një pajisje digjitale e markës japoneze “Shimadzu”, e prodhuar në vitin 2022.

“Ky repart mbulon shërbimin e të gjithë të sëmurëve respiratorë. Gjithashtu mbulon shërbimin ambulator të të gjitha specialiteteve, në mënyrë 100% shërbimin e pediatrisë, të patologjisë, të kirurgjisë, të ORL-së dhe të gjitha pavijonet e tjera që kanë nevojë për ekzaminime specifike”, u shpreh Haruni.

Sipas tij, gjatë sezonit turistik është rritur ndjeshëm fluksi i pacientëve që paraqiten nga shërbimi i urgjencës, por kapacitetet e dispancerisë kanë bërë të mundur përballimin e këtij fluksi.

“Jemi në pikun e sezonit turistik dhe këtë periudhë kemi pasur një prurje goxha të shtuar nga urgjenca, të cilën ne e kemi përballuar me shumë sukses”, tha Haruni.

Investimi në teknologjinë e imazherisë synon të përmirësojë shërbimin diagnostik dhe të garantojë ekzaminime më të shpejta e më cilësore për pacientët e Vlorës dhe zonave përreth, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik.

/e.i/r.e/

The post Grafia digjitale Shimadzu, ekzaminime radiologjike të shpejta në dispancerinë e Spitalit Rajonal Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kombëtarja U-16 do të luajë dy miqësore ndaj Malit të Zi më 25 dhe 27 gusht

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Kombëtarja U-16 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Malit të Zi U-16, në kuadër të përgatitjeve dhe vlerësimit të grupit të lojtarëve për fazën e ardhshme.

Takimi i parë do të luhet më 25 gusht, në ora 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Kjo përballje do t’i japë mundësinë stafit teknik të vlerësojë gjendjen e lojtarëve dhe të testojë skuadrën në një ndeshje përballë bashkëmoshatarëve të tyre.

Ndeshja e dytë do të zhvillohet më 27 gusht, në ora 11:00, në Mal të Zi. Edhe ky takim do të shërbejë për të provuar alternativa të ndryshme dhe për të vijuar konsolidimin e grupit në kuadër të aktiviteteve të ardhshme.

Dy ndeshjet miqësore janë pjesë e programit të ekipeve kombëtare të moshave dhe synojnë t’i japin stafit teknik një panoramë më të qartë mbi formën e futbollistëve të rinj.

/e.i/r.e/

The post Kombëtarja U-16 do të luajë dy miqësore ndaj Malit të Zi më 25 dhe 27 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari dhe Hita falënderojnë 300 efektivët që luftuan me flakët në Krujë: Respekt për guximin dhe profesionalizmin

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita shprehën mirënjohjen për rreth 300 punonjësit e Policisë së Shtetit, zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura, të angazhuar në operacionin për përballimin e zjarrit në Krujë.

Në fjalën e tij drejtuar forcave të angazhuara në operacion, Lamallari vlerësoi punën e tyre në evakuimin e banorëve dhe përballimin e situatës së krijuar nga zjarri, i favorizuar nga era e fortë.

“Ju bëtë të mundur evakuimin e banorëve në kushte tensioni dhe në garë me kohën, duke qëndruar me guxim, profesionalizëm dhe mirësi deri në fund”, u shpreh Lamallari.

Ministri Lamallari tha se, për përballimin e situatës, u angazhuan forcat speciale dhe të ndërhyrjes së shpejtë, autobotet dhe makinat ujëhedhëse të Policisë së Shtetit, krahas kapaciteteve të tjera të emergjencave.

Ai vlerësoi veçanërisht mënyrën se si efektivët e Policisë komunikuan me banorët që refuzonin të largoheshin nga banesat, për shkak të frikës për ruajtjen e pronave të tyre.

Lamallari theksoi se operacioni tregoi rëndësinë e profesionalizmit dhe empatisë së strukturave të sigurisë në situata kritike.

“Ju gjithmonë meritoni respekt, meritoni mbështetjen maksimale jo vetëm të ministrisë së Brendshme, të Qeverisë Shqiptare, por mbi të gjitha të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita vlerësoi angazhimin e strukturave në përballimin e zjarrit, duke theksuar se operacioni u zhvillua në kushte të vështira terreni dhe moti.

Hita tha se, pavarësisht përmasave të situatës dhe afërsisë së flakëve me qytetin, operacioni përfundoi pa humbje jete dhe pa djegie banesash apo përhapje të zjarrit në zonat e qytetit.

“Vendosmëria, përkushtimi, guximi juaj bëri të mundur që gjatë këtij operacioni të mos kishim asnjë humbje jete dhe asnjë djegie banese apo përfshirje të zjarrit në zonat e qytetit”, u shpreh Hita.

Ai falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara, përfshirë zjarrfikësit dhe Emergjencat Civile, duke theksuar se zjarri u vu nën kontroll falë bashkëpunimit dhe angazhimit të tyre.

Operacioni në Krujë vijon me monitorimin e situatës dhe marrjen e masave për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

/e.i/r.e/

The post Lamallari dhe Hita falënderojnë 300 efektivët që luftuan me flakët në Krujë: Respekt për guximin dhe profesionalizmin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Netanyahu: Sa të jem kryeministër, nuk do të ketë shtet palestinez

TEL AVIV, 9 gusht /ATSH -ANSA/ – Izraeli ka refuzuar dokumentin me 15 pika për Gazën, të prezantuar nga SHBA-ja, dhe nuk ka ndërmend të tërheqë forcat e ushtrisë izraelite (IDF) nga Rripi i Gazës derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht dhe në mënyrë efektive, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Deklarata e Netanyahu te vjen në fillim të mbledhjes së sotme të kabinetit, në deklaratën e tij të parë publike lidhur me planin e veprimit me 15 pika, të paraqitur nga Board of Peace.

Netanyahu shtoi se, për sa kohë ai do të jetë kryeministër i Izraelit, nuk do të ketë shtet palestinez, as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor.

“Nuk do të ketë as ‘Fatahstan’ dhe as ‘Hamastan’”, deklaroi Netanyahu, duke iu referuar mundësisë së kontrollit të territoreve palestineze përkatësisht nga Fatah ose Hamasi.  /os/

The post FOKUS – Netanyahu: Sa të jem kryeministër, nuk do të ketë shtet palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulohet trung peme 8 m në kolektorin e ujërave të zeza në Kashar, Rama: Kujtesë pse vendit i duhej Reforma Territoriale

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Një trung peme rreth 8 metra i gjatë është zbuluar brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në bulevardin e Kasharit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se kjo problematikë kishte shkaktuar prej më shumë se një dekade përmbytje dhe daljen e ujërave të zeza në rrugë, sa herë kishte reshje.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se shkaku i bllokimeve të vazhdueshme u evidentua përmes kamerave speciale nëntokësore, të cilat zbuluan një trung peme të shtrirë brenda tubacionit kryesor.

“Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit”, tha ai.

Rama nënvizoi se “kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza. Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit”, vijoi ai.

“Se çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale”, tha Rama.

Rama theksoi se trungu tashmë është nxjerrë dhe kolektori është çliruar, duke u dhënë fund, sipas tij, një problematike që kishte prekur banorët e Kasharit për më shumë se dhjetë vjet.

Kreu i Qeverisë e lidh këtë ndërhyrje edhe me nevojën për adresimin e problematikave të trashëguara në infrastrukturën vendore, duke e paraqitur rastin si shembull të evidentimit dhe korrigjimit të defekteve të mbetura ndër vite.

“Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën”, u shpreh Rama.

/e.i/r.e/

The post Zbulohet trung peme 8 m në kolektorin e ujërave të zeza në Kashar, Rama: Kujtesë pse vendit i duhej Reforma Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tetë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në sulmet ajrore gjatë natës në Rusi dhe Ukrainë

KIEV, 9 gusht /ATSH/ – Moska dhe Kievi akuzuan të dielën njëri-tjetrin për kryerjen e sulmeve gjatë natës, ku janë vrarë tetë persona në total dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë në të dyja palët.

Në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, tre persona u vranë dhe 37 të tjerë u plagosën nga një sulm rus ndaj një ndërtese banimi, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov në Telegram.

Një sulm rus në qytetin bregdetar të Odesës plagosi 12 persona dhe dëmtoi automjete dhe ndërtesa banimi në disa zona, tha në Telegram guvernatori Oleh Kiper.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia kreu një sulm “absolutisht të lig” pranë një qendre tregtare dhe ndaj sektorit energjetik në qytetin Pavlohrad, ku u plagosën gjithsej nëntë persona, përfshirë katër fëmijë.

Ai shtoi se Moska goditi gjithashtu rajonet Zhytomyr, Mykolaiv, Kiev, Kherson, Sumy, Kharkiv, Dnipropetrovsk, Zaporizhia dhe Donetsk.

“Vetëm këtë javë, 61 raketa të llojeve të ndryshme u përdorën kundër Ukrainës, përfshirë 56 që godasin përgjatë një trajektoreje balistike. Gjithashtu pati më shumë se 1.560 dronë sulmues dhe 1.540 bomba ajrore”, shkroi Zelenskyy në platformën sociale amerikane X.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan në Telegram se Rusia ka shënjestruar rajonin e Odesës me raketa dhe ka lëshuar 202 dronë gjatë natës, nga të cilët 174 janë interceptuar ose janë neutralizuar mbi pjesët veriore, jugore dhe lindore të Ukrainës.

The post FOKUS – Tetë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në sulmet ajrore gjatë natës në Rusi dhe Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Largohet flamuri i Ukrainës në Prishtinë, Rama: Shteti i Kosovës duhet të respektohet

PRISHTINË, 9 gusht /ATSH/ Sot është larguar flamuri i shtetit të Ukrainës që po qëndronte në qendër të Prishtinës, me thirrjen “Free Ukraine”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se shteti i Kosovës duhet të respektohet, duke theksuar se kryeqyteti do të reagojë sa herë që cenohet respekti ndaj shtetësisë së vendit.

Rama ka thënë se Prishtina do të vazhdojë të tregojë solidaritet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim, por ka nënvizuar se asnjë kauzë nuk mund të përdoret për të nënçmuar Kosovën.

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës e njohin mirë rëndësinë e luftës për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet.

“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, i pari i Prishtinës ka theksuar se solidariteti me kauzat e popujve të tjerë nuk mund të jetë në kurriz të respektimit të shtetësisë së Kosovës.

“Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka përfunduar Rama.

Largimi i flamurit të shtetit të Ukranës që po qëndronte në qendër të Prishtinës, me thirrjen “Free Ukraine” erdhi pas deklaratës së presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelensky se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Zelensky deklaroi kështu gjatë vizitës në Serbi dhe takimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuqiq.

“Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë, pa dyshim, Krimenë. Ky qëndrim i Serbisë nuk po ndryshon, madje as në OKB”, tha Zelensky dje në Beograd.

Kujtojmë që Kosova nga fillimi i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë ka mbështetur shtetin ukrainas. /KosovaPress/

The post Largohet flamuri i Ukrainës në Prishtinë, Rama: Shteti i Kosovës duhet të respektohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama mirënjohje për pilotët e Forcës Ajrore dhe zjarrfikësit: Ia dolën me sukses një sfide të frikshme

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot mirënjohje dhe respekt të thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit si edhe trupave speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama tha se ata ia dolën me sukses një sfide të frikshme dhe nga Kruja në Kamzë, Tiranës dhe Vorës, luftuan pa ndërprerje me zjarret e këtij gushti përvëlues.

“Aktualisht, vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës vijon të mbetet aktive, por njëkohësisht mbeten burim krenarie e motivimi për trupat tona përgëzimet e mesazhet e panumërta të banorëve”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ndau gjithashtu një mesazh të një banori të Krujës.

“Zoti Kryeministër, unë jam nga qyteti i Krujës emigrant prej 30 vitesh në Belgjikë. Së pari të uroj shëndet, së dyti dua t’ju falënderoj juve personalisht për mbështetjen me ndërhyrjen ajrore dhe angazhimin e qeverisë në tragjedinë e ndodhur dhe së treti  djemtë e zjarrfikëseve të Krujës, u bë gjithçka që mund të bëhej për shuarjen e atij zjarri të paparë ndonjëherë. Me respekt””, thuhet në mesazhin e qytetarit nga Kruja.

/k.s/r.e/

The post Rama mirënjohje për pilotët e Forcës Ajrore dhe zjarrfikësit: Ia dolën me sukses një sfide të frikshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌