Normal view

Received — 13 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rauf Fico, ndër figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare

13 March 2026 at 18:28

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përkujtoi sot Rauf Ficon në 145-vjetorin e lindjes (13 mars 1881), si një nga figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare dhe një prej arkitektëve që ndihmuan në ndërtimin e themeleve të shtetit shqiptar modern.

Në një kohë kur Shqipëria ishte ende një shtet i ri dhe i brishtë, Rauf Fico i dha diplomacisë shqiptare vizion, dinjitet dhe orientim europian.

Ai përfaqësoi vendin në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës dhe punoi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare si një shtet serioz dhe i respektuar.

Si ministër i Punëve të Jashtme, ai hodhi themelet institucionale dhe ligjore të shërbimit diplomatik shqiptar që orientuan shërbimin e jashtëm shqiptar për dekada me radhë,  si dhe kontribuoi në ndërtimin e një diplomacie moderne, të organizuar dhe të orientuar drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.  

Rauf Fico përfaqëson një brez burrash shteti që kaluan nga epoka e perandorive në epokën e shteteve kombëtare dhe që i shërbyen Shqipërisë me kulturë, integritet dhe vizion.

Kujtesa historike e diplomacisë shqiptare ruan në figurën e tij modelin e diplomatit me vizion, integritet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit kombëtar.

/gj.m/j.p/

The post Rauf Fico, ndër figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Nga Universiteti i Sporteve, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi se studentët e diplomuar për fizioterapi në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit mund të ushtrojnë profesionin e tyre, falë zgjidhjes së një problematike ligjore të kahershme me këtë fakultet.

Sipas vendimit të Këshilli të Ministrave, tashmë profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në programin “Shkenca Rehabilitimi”. Pas miratimit të ndryshimit të VKM-së, këto diploma njihet zyrtarisht si kualifikim për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit, duke u dhënë mundësi të diplomuarve të regjistrohen dhe të punojnë ligjërisht në profesion.

“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë, me ditë të tëra, me rektorin dhe me dekanin, me Urdhrin e i Infermierit i Shqipërisë, i cili është një hallkë shumë e rëndësishme, siç e dini, si edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shumë diskutimeve dhe shkresave, dhe pasi rishikuam ligjin, gjetëm mënyrën për ta zgjidhur këtë çështje. Vij sot me shumë kënaqësi, sepse në mbledhjen e javës së kaluar, më 6 mars, qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme në VKM për profesionet e rregulluara, duke përfshirë qartësisht për profesionin e fizioterapistit edhe të diplomuarit në Shkencat e Rehabilitimit që lëshohet nga ky universitet. Më vjen mirë që vijmë me këtë konkluzion dhe me këtë lajm të shumëpritur nga ju, duke ju dhënë mundësinë edhe brezave që janë diplomuar, edhe ju që jeni në proces diplomimi”, bëri me dije ministrja Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se ky ndryshim ligjor do të ketë impakt pozitiv edhe në regjistrimet e reja në Universitetin e Sporteve.

“Unë besoj se ky është një lajm i mirë edhe për studentët që do të zgjedhin të regjistrohen në këtë degë. Vjen në kohën e duhur, sepse regjistrimet janë në vazhdim, kështu që ju garanton juve dhe atyre që do të vijnë mundësinë e integrimit në tregun e punës, njësoj si kolegët tuaj që diplomohen për fizioterapi në institucionet e arsimit të lartë të shëndetësisë që ofrojnë këtë formim”, tha Kumbaro.

Para këtij ndryshimi ligjor, diploma “Shkenca Rehabilitimi” nuk ishte e përfshirë në listën e specialiteteve për profesionin e fizioterapistit, gjë që krijonte vështirësi për të diplomuarit për t’u regjistruar në Urdhrin e Infermierit dhe për të ushtruar profesionin. Tashmë, profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në këtë program. Në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit, në tre vitet e fundit akademike janë diplomuar 72 studentë, ndërsa në vitin akademik 2025–2026 janë aktualisht në proces studimi 256 studentë.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa vlerësoi angazhimin për zgjidhjen e kësaj problematike që u mundëson studentëve të diplomuar në shkencat e rehabilitmit të integrohen në tregun e punës.

Gjatë vizitës në Universitetin e Sporteve, ministrja Kumbaro tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë mbështetjen për Universitetin e Sporteve, duke e konsideruar atë aset kombëtar.

Nga takimi i ministres së Arsimit Mirela Kumbaro në Universitetin e Sporteve
1 nga 3

/e.i/a.f/

The post Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Reformat në tregjet financiare, Xhemali takim me përfaqësues të Bankës Botërore

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Adela Xhemali e shoqëruar nga ekipi drejtues i Autoritetit, zhvilloi një takim me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore kryesuar nga Rekha Reddy, përfaqësuese e sektorit financiar për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore e Bankës Botërore në Washington.

AMF, bën me dije se në fokus të këtij takimi ishin reformat në tregjet financiare dhe mbështetja për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, në kuadër të misionit për përgatitjen e një programi Financimi për Politikat e Zhvillimit (DPF).

Gjatë takimit u diskutuan fushat ku Banka Botërore mund të ofrojë mbështetje për avancimin e reformave prioritare në sektorin financiar.

Në takim u trajtuan mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, implementimin e kuadrit rregullator në fushën e kripto-aseteve, përmirësimin e kuadrit ligjor për pensionet private, si dhe zhvillimet ligjore në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve.

Xhemali theksoi rëndësinë e vijimësisë së mbështetjes së Bankës Botërore, jo vetëm gjatë transpozimit të direktivave sektoriale europiane, në kuadrin ligjor dhe rregullator të Autoritetit, por veçanërisht në fazën e implementimit për të siguruar zbatimin efektiv të këtyre ndryshimeve ligjore, si nga ana e Autoritetit ashtu edhe nga operatorët e tregjeve nën mbikëqyrje.

Drejtuesja e AMF-së, njëherësh vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore, duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e vazhdueshme e këtij institucioni kanë qenë një kontribut i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave.

/e.i/j.p/

The post Reformat në tregjet financiare, Xhemali takim me përfaqësues të Bankës Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjendet trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj në liqenin e Urakës pas një muaji kërkimesh

7 February 2026 at 12:58

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Pas pothuajse një muaji kërkimesh intensive në të gjithë basenin e lumit Mat, ditën e sotme është konstatuar në sipërfaqe një trup i pajetë në liqenin e Urakës, rreth dy milje larg urës së Rrethabazit.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, pas sinjalizimit nga ekipet e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Dibrës kanë kryer verifikimet përkatëse, duke konfirmuar se trupi i përket shtetasit Jurgen Karaj, 30 vjeç, i shpallur i humbur që prej datës 10 janar.

Në operacionin e kërkimit dhe mbështetjes në terren vijojnë të jenë të angazhuar 18 efektivë të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me autoritetet kompetente.

Autoritetet shprehin ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimës në këtë moment të vështirë.

/a.f/

The post Gjendet trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj në liqenin e Urakës pas një muaji kërkimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të Veriut

22 January 2026 at 08:00

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Një element i trashëgimisë kulturore jomateriale që ruhet dhe transmetohet sot nga një numër i kufizuar artizanesh të Shkodrës, Tropojës dhe Kukësit, është qëndistaria tradicionale me dorë, dhe veçanërisht punimi me oje.

Punimi me oje (ojna) është një teknikë që realizohet përmes gjilpërës dhe perit dhe karakterizohet nga hollësia e punimit, kompleksiteti i motiveve dhe vlera e lartë estetike e simbolike që mbart.

Kjo është një nga format më të veçanta dhe të rralla të qëndistarisë tradicionale me dorë. Tradita e qëndistarisë ka qenë historikisht e zhvilluar dhe e lidhur ngushtë me identitetin kulturor lokal. Tradicionalisht, punimi me oje përdorej si element dekorues në shamitë e kokës së grave, duke pasur funksion estetik dhe simbolik në veshjet tradicionale femërore.
Në kontekstin bashkëkohor, artizanet po përpiqen ta përshtatin këtë teknikë në produkte të reja artizanale, duke respektuar format dhe parimet tradicionale, me synimin për ta mbajtur gjallë dhe për ta transmetuar këtë element elitar të trashëgimisë kulturore brezave të ardhshëm.

/r.e/a.f/

The post Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonomi lokale të qëndrueshme

17 January 2026 at 14:34

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, se bashkitë duhet të luajnë një rol aktiv në procesin e rritjes ekonomike në vend.

Demo ishte i pranishëm në takimin e thirrur nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët, ku u diskutuan sfidat e bashkive për vitin 2026, sezoni turistik dhe betejat e përbashkëta politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Ministri Demo, gjatë fjalës së tij tha se qasja e qeverisë është qasje e një partneriteti të sigurt me autoritetet lokale.

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kërcyer lartësi të cilat do të krijonin një transformim rrënjësor jo vetëm ekonomik, por edhe social. Në këtë kuadër, bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm pasi energjia që çlirohet në nivel lokal është shumë e rëndësishme. Burimet e rritjes ekonomike janë ato ku bashkitë duhet të luajnë një rol proaktiv në këtë kontekst”, tha Demo, ndërsa theksoi se duhet një ndryshim rrënjësor për sa i përket asaj që ndodh në territor dhe rritjes ekonomike në nivel vendor.

“Sfidat me të cilat bashkitë përballen janë dinamike, diverse për shkak të arsyeve që mund të vijnë nga elemente që janë të paparashikueshëm siç janë edhe përmbytjet e ditëve të fundit, por besoj që ne të gjithë duhet të bëjmë shumë për parandalimin e këtyre situatave. Ndihma që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore do të bëjë të mundur që jo thjesht të jemi të përgatitur për situata emergjente, mbi të gjitha për t’i parandaluar ato dhe për të krijuar zhvillim territoral, sidomos kur flasim për logjistikë, për mirëmbajtje infrastukture rurale”, theksoi ai.

Ministri Demo u ndal edhe te Paketa e Maleve, Granti i Performancës, për rolin që ka Akademia e Pushtetit Vendor, për Strategjinë Kombëtare të Turizmit, për rregulloren e plazheve dhe një përgatitje më të mirë, edhe një qasje më të lehtë të qytetarit në plazhet e jashtëzakonshme të vendit.

“Suksesi i Shqipërisë sa i përket turizmit në 12 muaj të vitit, është jo vetëm nga bregdeti. Të 61 bashkitë e vendit duhet të jenë të përgatitura. Kjo tregon potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të gjitha bashkitë, për të krijuar ekonominë lokale të qëndrueshme. Pasi në çdo cep të territorit ne mund të kemi një aktivitet ekonomik”, tha Demo.

Demo shtoi se viti 2026 mbart shumë sfida për Shqipërië, edhe në aspektin e punës për procesin e integrimit, ndërsa tha se të gjitha bashkitë duhet të jenë të përgatitura për një “cunami” nga pikëpamja rregullative që bashkitë do kenë në jetën administrative dhe që këto të përkthehen në shërbime në territor për qytetarët.

/e.i/j.p/

The post Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonomi lokale të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re

31 December 2025 at 12:33

KIRITIMAT, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Viti 2026 ka nisur zyrtarisht – pasi rreth 7 300 banorë të Kiritimatit në Paqësorin Jugor – e pritën Vitin e Ri në mesnatë.

Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve, është një atol në Oqeanin Paqësor në Ishujt veriorë Line. Është pjesë e Republikës së Kiribatit. Emri i tij rrjedh nga fjala angleze “Christmas” e shkruar në gjuhën gilberteze.

Atoli me 320 kilometra katrorë sipërfaqe toke dhe laguna, i përket republikës ishullore të Kiribatit, e cila ka disa zona kohore dhe shtrihet përgjatë ekuatorit në mes të Paqësorit Jugor.

Vetëm 15 minuta më vonë, Ishujt Chatham, të cilët i përkasin Zelandës së Re, ishin të radhës që festuan Vitin e Ri.

Ishujt, me një popullsi prej pak më shumë se 700 banorësh, ndodhen rreth 800 kilometra në lindje të Zelandës së Re dhe kanë zonën e tyre kohore.

Në orën 11:00, Zelanda e Re dhe kombet ishullore të Samoas dhe Tongës gjithashtu ndezën fishekzjarrët.

Në Zelandën e Re, monumentet e qytetit më të madh, Auckland, ishin në qendër të shfaqjeve të hollësishme të dritave dhe fishekzjarrëve – më së shumti Kulla e Qiellit – 328 metra e lartë – kulla më e lartë në hemisferën jugore.

Shfaqje dritash dhe muzika shënuan gjithashtu ardhjen e vitit të ri në kryeqytetin Wellington.

Festimet në plazhin Bondi në Sidnej u anuluan

Në orën 13:00, është radha e Sidnejit. Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë do të hidhen në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi dy javë më parë, festimet në plazhin e famshëm janë anuluar.

Samoa Amerikane, e vendosur vetëm 220 kilometra në lindje të Samoas në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datave, do të jetë vendi i fundit i banuar në Tokë që do të mirëpresë Vitin e Ri. //a.i/

The post Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Çfarë është virusi A dhe cilat janë simptomat e tij?

5 December 2025 at 15:54

ROMË, 5 dhjetor /ATSH/ – Gripi po fillon të japë ndikimin e tij ku miliona evropianë kanë qenë të shtrirë në shtrat për shkak të infeksioneve të frymëmarrjes, shkruan salute.eu.

Kolla dhe ethet po përhapen me shpejtësi, dhe disa janë të detyruar të pushojnë në shtëpi.

Fajtorët janë viruse të ndryshme që qarkullojnë në dimër, nga rinoviruset te SARS-CoV-2.

Megjithatë, në javët e fundit, viruset e gripit kanë parë gjithashtu një rritje të ndjeshme, dhe këtë vit, pjesërisht për shkak të variantit të ri të virusit të gripit A/H3N2 (nënklada K), sezoni ka filluar 3-4 javë më herët, siç është raportuar së fundmi nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Gripi karakterizohet nga një fillim i menjëhershëm i simptomave të përgjithshme dhe të frymëmarrjes.

Periudha e inkubacionit është përgjithësisht mjaft e shkurtër (rreth 1-2 ditë), dhe simptomat zakonisht zgjasin 3-4 ditë, por mund të vazhdojnë për një ose dy javë.

Ethet zakonisht shfaqen papritur, të shoqëruara me të dridhura, dhimbje kockash dhe muskujsh, dhimbje koke, keqtrajtim të përgjithshëm të rëndë, asteni, mialgji, dhimbje fyti, hundë që rrjedh, kollë jo-katarale dhe konjuktivit./   /os/

The post FOKUS – Çfarë është virusi A dhe cilat janë simptomat e tij? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekspozitë e qilimave tradicionalë e bashkëkohorë në GAT

20 November 2025 at 07:40

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Një koleksion i qilimave të traditës dhe atyre bashkëkohorë u prezantua nga Galeria e Artit Tiranë, përmes ekspozitës me titull “Qoftë e shëndetshme dora që krijon – Arti i qilimave: Azerbajxhan & Shqipëri”.

Ekspozita sjell traditën e endjes përmes historive, teknikave dhe mjeshtërisë së artizanëve që e mbajnë gjallë këtë trashëgimi. Qilimat shumëngjyrësh vijnë si një takim kulturash ku artizanët nga Shqipëria dhe Azerbajxhani ndanë punimet, përvojat dhe pasionin që transmetohet brez pas brezi.

Ky dialog, mes artit azerbajxhanas e shqiptar të qilimave, mirëpret publikun deri më 20 janar 2026.

Ekspozita “Qoftë e shëndetshme dora që krijon!” është kuruar nga Edit Pula dhe Azerkhalcha.

GAT thotë se ky është një bashkëpunim i rëndësishëm, i nisur nëntë muaj më parë, mes Galerisë së Artit Tiranë dhe Azerkhalcha, me mbështetjen e Ambasadës së Azerbajxhanit.

/a.f/r.e/

The post Ekspozitë e qilimave tradicionalë e bashkëkohorë në GAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kostani: Shqipëria avancon prokurimin publik me Inteligjencë Artificiale

10 November 2025 at 13:23

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, si edhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), morën pjesën në Konferencën Ndërkombëtare për Prokurimin Publik të zhvilluar në Romë.

AKSHI bën me dije në një njoftim, se kjo konferencë, vjen në kuadrin e prezantimit të rrugëtimit të Shqipërisë nga digjitalizimi drejt një administrate publike të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale, deri te reforma aktuale në Prokurimin Publik, një nga proceset më strategjike të qeverisjes elektronike.

Romina Kostani, drejtuese e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja pranë AKSHI-t, theksoi se Shqipëria është sot një nga historitë më të suksesshme të digjitalizimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer teknologjinë në një mjet thelbësor për efikasitet, transparencë dhe shërbim më të afërt me qytetarin.

Në fokus të prezantimit ishin hapat që po ndërmerr vendi ynë për të ndërtuar një ekosistem tërësisht digjital të prokurimit publik, të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, ku çdo proces është i gjurmueshëm, i automatizuar dhe transparent.

Sipas AKSHI-t, ky model i ri do të garantojë transparencë të plotë dhe akses në kohë reale në të dhënat e prokurimit për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë civile, efikasitet të lartë përmes automatizimit të proceseve dhe reduktimit të burokracisë dhe integrim të plotë me standardet evropiane, përmes platformave si, e-Certis dhe e-Forms.

Në njoftimin e AKSHI-t thuhet se me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria po forcon gjithnjë e më tepër themelet e transparencës, efikasitetit dhe integritetit publik.

/e.i/a.f/r.e/

The post Kostani: Shqipëria avancon prokurimin publik me Inteligjencë Artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Voton kandidatja e pavarur në Mat, Pasha: Proces i qetë dhe i barabartë

9 November 2025 at 11:43

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidatja e pavarur për kryetare bashkie në Mat, Suzana Pasha vlerësoi sot se procesi zgjedhor në Mat është i qetë dhe i barabartë.

Në një prononcim për mediet pas ushtrimit të së drejtës së votës, Pasha falënderoi qytetarët e Matit për mbështetjen.

“Faleminderit qytetarëve të Matit. U kam kërkuar mbështetjen derë më derë. Jam krejt e qetë, vota është e lirë. E shoh që procesi është i qetë dhe mendoj të jetë edhe i barabartë, dhe i falenderoj. Fitoftë më i miri për drejtimin e bashkisë Mat, se është bashkia jonë, qyteti ynë, jeta jonë dhe e fëmijëve tanë,” tha Pasha.

Pasha theksoi se ka vendosur të kandidojë si e pavarur, por do të vazhdojë të mbetet pjesë e Partisë Socialiste, të cilën e konsideron “parti e zemrës”.

“Falenderoj PS-në, PD-në dhe të gjithë zgjedhësit e Matit,” përfundoi ajo.

Në Bashkinë Mat garojnë Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe kandidatja e propozuar nga zgjedhësit, Suzana Pasha.

/m.m/a.f/

The post Voton kandidatja e pavarur në Mat, Pasha: Proces i qetë dhe i barabartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Voton kandidati i PS -së në Mat, Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve

9 November 2025 at 09:29

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Mat, Altin Bojni votoi sot në qendrën e votimit 0930, në shkollën fillore “Lagjja e Re”.

Në një prononcim për mediet, Bojni u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë me qetësi dhe dinjitet.

“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë sonë. E diela është dita e votuesve, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni në votime me qetësi dhe dinjitet”, tha ai për mediet.

Në Bashkinë Mat garojnë Altin Bojni nga Partia Socialiste, Eduart Brahilika i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga opozita dhe kandidatja e propozuar nga zgjedhësit, Suzana Pasha.

/m.m/a.f/

The post Voton kandidati i PS -së në Mat, Bojni: Sot është dita e fjalës së qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 308 mijë zgjedhës u drejtohen sot kutive të votimit, procesi mbyllet në 18:00

9 November 2025 at 06:32

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Sot në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetar bashkie.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 18:00, kjo pasi sipas Kodit Zgjedhor kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.

Numri total i qytetarëve me të drejtë vote në këto 5 bashki, referuar zgjedhjeve të 11 majit të publikuara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është 308 987 zgjedhës.

Përkatësisht në Vlorë janë 160 424 zgjedhës, në Tepelenë 11 658 zgjedhës, në Mat 26 765 zgjedhës, në Cërrik 35 380 zgjedhës dhe në Berat 74 760 zgjedhës.

Në total janë 474 qendra votimi dhe 9 Komisione të Zonës së Administrimit Zgjedhor.
Në Vlorë: KZAZ 4, QV 232; Tepelenë: KZAZ 1, QV 22; Mat: KZAZ 1, QV 47; Cërrik: KZAZ 1, QV 57; Berat: KZAZ 2, QV 116.

Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 474 qendra votimi në 5 bashki, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Të gjithë qendrat e votimit janë të mbuluara me operatorë, të cilët janë trajnuar.

Zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.

Procesi do të monitorohet nga vëzhgues të organizatave vendase dhe ndërkombëtare. Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.

Gjithashtu edhe Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e këtij procesi. Në total, 612 efektivë dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e qendrave të votimit dhe objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore. Strukturat hetimore do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsimin e votës.

/m.q/j.p/r.e/

The post Mbi 308 mijë zgjedhës u drejtohen sot kutive të votimit, procesi mbyllet në 18:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dokumenti i parë i gjuhës shqipe i shkruar 563 vite më parë në Mat

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/- Në Kishën e Shën Trinisë në Mat, 563 vite më parë është shkruajtur “Formula e pagëzimit”, dokumenti i parë i gjuhës shqipe.

Më 8 Nëntor të vitit 1462, u mbajt një kuvend kishtar i kryesuar nga Arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtori i ngushtë i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Pushtimi osman në viset shqiptare shkaktoi një shtyrje dhe çrregullime jo vetëm në organizimin fetar, por në tërësi në të gjithë fenë katolike.

Kuvendi pati qëllimin kryesor të diskutohej dhe të merreshin vendime e urdhëresa të rëndësishme për të rregulluar gjendjen ekzistuese në të gjithë besimin katolik.

Në kuvend morën pjesë një shumicë klerikësh të Shqipërisë së Mesme dhe Veriore, peshkopi i dioqezës Lisit, Andrea, paraja e vendit dhe një mori e panumërt e popullsisë së kësaj zone. Ndër të tjera, krahas rregullave dhe urdhëresave që u miratuan në kuvend, Pal Engjëlli, la të shkruar në gjuhën shqipe formulën e pagëzimit, në mënyrë që të lexohej nga priftërinjtë gjatë pagëzimit të fëmijëve, në mungesë të priftërinjve të shqiptohej kjo formulë edhe nga prindërit e fëmijëve.

Mbajtja e këtij kuvendi është e dokumentuar, brenda një regjistri prej 37 fletësh prej pergamene, që është gjetur në bibliotekën Laurentina të Firences në Itali në vitin 1916 nga studiuesi rumun Nikolla Jorga. Shtatë fletë të këtij regjistri përmbajnë vendimet, urdhëresat, rregullat e shpallura nga Pal Engjëlli si dhe formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe që përkon edhe me dialektin matjan.

Më konkretisht: “V’NTE PAGHEZONIT PREMENIT ATIT ET BIRIT ET SPERTIT SENIT”, dhe shqipërimi “UN TË PAGËZOJ PËR EMËNIT ATIT E T’BIRIT E T’SHPIRTIT SHENJT”.

Formula e pagëzimit, edhe pse një fragment i shkurtër, përbën një rëndësi të veçantë pasi është një monument i shqipes së hershme mesjetare. Është një dëshmi e re mbi shkrimin e gjuhës shqipe në një datim më të hershëm se Meshari i Gjon Buzukut (vitit 1555), që ishte konsideruar si dëshmia e vetme dhe më e hershme e shkrimit të shqipes.

E pra mbi këtë bazë mund të themi se Mati është vendi i shkrimit të parë të shqipes, i “Formulës së Pagëzimit”, dokumenti i parë të gjuhës shqipe i datuar në vitin 1462.

Sot në rrënojat e Shën Trinisë, që gjenden në fshatin Dazjan të Matit, në Njësinë Administrative Macukull qëndron edhe një memorial kushtuar këtij kuvendi të rëndësishëm kishtar.

The post Dokumenti i parë i gjuhës shqipe i shkruar 563 vite më parë në Mat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonzato: Shqipëria angazhim të fortë politik për integrimin, të përshpejtohet ritmi i reformave

5 November 2025 at 16:35

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato i dorëzoi sot kryeministrit Edi Rama, progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili u bë publik ditën e djeshme.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Gonzato u shpreh se dje Komisioni Evropian miratoi edhe paketën e zgjerimit për vitin 2025, ku përfshihet edhe Shqipëria.

“Raporti i këtij viti publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Pesë nga gjashtë grup-kapitujt negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grup-kapitullit të fundit. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer”, tha Gonzato.

Gonzato u shpreh se ky moment tashmë duhet të shfrytëzohet si një mundësi unike në procesin e negocimit, pasi po hyhet në një fazë vendimtare.

“Është një fazë ku do të testohet vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për t’u afruar me legjislacionin e BE-së. Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në zbatimin e agjendës së reformave të BE-së, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përmbushur 21 masa reformuese ndërmjet dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025. Një rezultat i shkëlqyer që bëri që Komisioni Evropian të disbursojnë 99,3 milionë euro për Shqipërinë, një tregues i prekshëm i angazhimit të BE-së për të stimuluar edhe më tej ritmin e reformave të shpejta në Shqipëri”, theksoi ai.

Gonzato nënvizoi faktin se Komisioni Evropian është gati të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të synimit ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të 2027-ës.

“Shqipëria duhet jo vetëm të ruajë, por të përshpejtojë ritmin e reformave, ndërkohë që përmbushja e piketave të ndërmjetme që janë hapa konkretë që shtetet anëtare i kanë përcaktuar si kërkesa themelore që çdo vend aspirant duhet të plotësojë”, vijoi Gonzato.

“Këto piketa konsiderohen aq të rëndësishme sa pa përmbushjen e tyre nuk mund të mbyllet as provizorisht ndonjë kapitull tjetër. Raporti i vitit 2025 i publikuar dje është faktik dhe gjithëpërfshirës. Ne shpresojmë që të gjithë forcat politike, mediet, qytetarët, aktorët e biznesit do ta konsultojnë atë, pasi jep një vlerësim të drejtë për ecurinë e vendit, por thekson edhe fushat ku Shqipëria ka ngecje”, tha Gonzato.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, pohoi se periudha e raportit përfshin 1 shtatorin 2024, deri 1 shtator 2025. Sipas Gonzatos, gjetjet e këtij raporti nuk duhet të jenë surprizë pasi ato tregojnë përparësitë dhe sfidat gjatë gjithë vitit.

“Raporti i zgjerimit për Shqipërinë është pozitiv dhe konfirmon angazhimin e fortë politik të Shqipërisë ndaj integrimit në BE si prioritet kombëtar. Raporti vlerëson angazhimin për të ecur përpara në negociata, qasje që vazhdon të ruhet në nivel të njëjtë. Po ashtu dinamika aktuale duhet të përkthehet në reforma më të shpejta me BE”, tha Gonzato.

“Në përgjithësi raporti i për Shqipërinë është pozitiv, konfirmon angazhimin e plotë politik vlerëson nivelin e lartë të dëshirës dhe ambicies për të ecur përpara, ndërsa dinamika aktuale duhet të përkthehet në reforma më të shpejta. Shqipëria ka filluar të jetë në përputhje me politikat e jashtme dhe me sigurinë. Raporti vlerëson që funksionimi i institucioneve demokratike është sfiduar nga polarizimi politik, moszbatimi i disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, apo mungesës së konsultimeve publike. Zgjedhjet ishin konkurruese, por u shënjuan nga mangësi të konsiderueshme, përfshirë abuzimet me burimet publike që çoi në mosbarazi në garë. Përshëndes krijimin e komisionit të përbashkët parlamentar për Reformën Zgjedhore”, tha Gonzato.

“Shqipëria ndodhet ndërmjet një niveli të moderuar në fushën e gjyqësorit. Rezultate ka në zbatimin e reformës në drejtësi dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Raporti vëren miratimin e strategjisë antikorrupsion. Korrupsioni mbetet i hapur në sektorë të ndjeshëm duke ndikuar në sferat publike dhe private dhe masat e marra kanë pasur reagim të pjesshëm. Shqipëria është e përgatitur për luftimin e krimit të organizuar. Është krijuar një zyrë për rikuperimin e pasurive, por do të donim të shihnim rezultate konkrete. Përparime  ka në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Shqipëria ka bërë përparim të kufizuar në lirinë e shprehjes. Urgjenca e reformave, me konsultime publike dhe debate në Kuvend”, pohoi Gonzato.

/e.i/j.p/r.e/

The post Gonzato: Shqipëria angazhim të fortë politik për integrimin, të përshpejtohet ritmi i reformave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

HELSINKI – Finlanda zvogëlon përfitimet e papunësisë për imigrantët

29 September 2025 at 16:09

HELSINKI, 29 shtator /ATSH-AA/ – Finlanda planifikon të ulë përfitimet e papunësisë për imigrantët që nuk kanë njohuri të gjuhës finlandeze ose suedeze, raportoi sot gazeta “Helsingin Sanomat”.

Përfitimet e papunësisë për imigrantët në Finlandë do të ulen deri në rreth 50 euro në muaj nëse ata nuk zotërojnë njohuri të mjaftueshme të finlandishtes ose suedishtes.

Mbështetja mund të rritet sërish në nivelin aktual të ndihmës së tregut të punës nëse imigrantët demonstrojnë aftësi të mjaftueshme gjuhësore ose kryejnë sasi të mjaftueshme pune.

Nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim do të zbatohet vetëm për imigrantët e ardhshëm apo edhe për ata që tashmë jetojnë në Finlandë.

“Mbështetja për integrim do të zëvendësojë mbështetjen e tregut të punës për disa imigrantë. Kjo ndihmë mund të ulet në nivelin e komponentit bazë aktual të ndihmës së të ardhurave”, shpjegoi gjithashtu ministrja e Financave, Riikka Purra në X./   /os/

The post HELSINKI – Finlanda zvogëlon përfitimet e papunësisë për imigrantët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Çfarë janë tiroidet dhe cili është funksioni i tyre?

14 August 2025 at 19:19

MILANO, 14 gusht /ATSH/ – Tiroidja, sëmundje që mbartin mijëra njerëz luan një rol negativ në jetën e përditshme, por çfarë është ato dhe cili është funksioni i tyre?, shkruan melarossa.it.

Tiroidja është një gjëndër jetësore për shëndetin tuaj sepse vepron si një qendër kontrolli, duke rregulluar organet dhe funksionet kryesore në trupin tonë, siç është metabolizmi dhe sistemi kardiovaskular, përmes prodhimit të hormoneve tiroide.

Simptomat e një tiroideje joaktive, siç janë hipotiroidizmi, hipertiroidizmi, tiroiditi i Hashimotos ose struma, mund të shkaktojnë shumë probleme, duke përfshirë shtimin ose humbjen në peshë, vështirësinë në humbjen e peshës, pagjumësinë, nervozizmin dhe takikardinë.

Dieta mund të luajë një rol të rëndësishëm dhe ndjekja e planeve specifike ushqyese, siç është dieta e hipotiroidizmit, është sigurisht e dobishme.

Cilat janë shenjat paralajmëruese që mund të tregojnë se diçka nuk po funksionon siç duhet në tiroide? Si mund të bëjmë një diagnozë të saktë dhe çfarë testesh nevojiten?

Tiroidja: Çfarë është dhe cili është funksioni i saj?

Tiroidja është një gjëndër endokrine e vogël, në formë fluture, e vendosur në bazën e qafës, përpara trakesë. Përbëhet nga dy lobe të bashkuara nga një urë e hollë indi e quajtur istmus.

Funksioni i saj kryesor është prodhimi i hormoneve tiroide: tiroksinës (T4) dhe triiodotironinës (T3), të cilat rregullojnë metabolizmin, duke ndikuar në nivelet e energjisë, temperaturën e trupit dhe aktivitetin e organeve të tilla si zemra dhe muskujt.

Tiroidja përdor jodin, një mineral thelbësor që merret përmes dietës, dhe tirozinën, një aminoacid që gjendet në proteina, për të sintetizuar hormonet. Jodi përfshihet në strukturën e hormoneve T3 dhe T4, ndërsa tirozina është pika fillestare për formimin e tyre.

Prodhimi i hormoneve rregullohet nga gjëndra e hipofizës përmes hormonit TSH (hormon stimulues i tiroides), i cili vepron për të ruajtur nivele të ekuilibruara të hormoneve tiroide.

Marrja adekuate e jodit dhe një sistem endokrin i shëndetshëm janë thelbësore për funksionin e tiroides.

Sëmundjet e tiroides: Simptomat

Sëmundjet më të zakonshme të tiroides, të cilat mund të çojnë në një tiroide të zmadhuar (një tiroide e zmadhuar, strumë ose nyje tiroide), janë hipertiroidizmi dhe hipotiroidizmi, si dhe tiroiditi autoimun siç është ai i Hashimotos.

Hipertiroidizmi

Nëse tiroidja është tepër aktive dhe prodhon sasi të tepërta hormonesh, diagnoza është hipertiroidizmi. Kjo gjendje shoqërohet me një metabolizëm të përshpejtuar. Simptomat tipike përfshijnë:

  • Humbje peshe.
  • Nervozizëm.
  • Pagjumësi.
  • Djersitje të tepërt.
  • Takikardi.

Tek ata që vuajnë nga hipertiroidizmi, shpenzimi i energjisë rritet krejtësisht në mënyrë joproporcionale me nevojat.

Energjia humbet si nxehtësi, gjë që mund të shkaktojë një rritje të temperaturës së trupit dhe një rritje pasuese të djersitjes.

Hipotiroidizmi

Nëse tiroidja është nënaktive, duke prodhuar shumë pak ose shumë pak hormon, diagnoza është hipotiroidizëm. Simptomat tipike përfshijnë asteni, përqendrim të dobët, ndjenjë të të ftohtit, përgjumje dhe shtim në peshë.

Hipotiroidizmi, i cili shkakton një ngadalësim të përgjithshëm në trup, shpesh shoqërohet me ënjtje të syve, duarve dhe këmbëve, veçanërisht në mëngjes.

Nyjet e tiroides

Nyjet e tiroides janë rritje anormale që zhvillohen brenda tiroides. Ato mund të jenë të ngurta ose të mbushura me lëng (ciste) dhe, në shumicën e rasteve, janë beninje. Megjithatë, është e rëndësishme t’i monitoroni ato sepse një përqindje e vogël mund të jetë malinje.

Shpesh, nyjet nuk shkaktojnë simptoma dhe zbulohen rastësisht gjatë një ekzaminimi rutinë ose ultratingullit të qafës. Kur janë të pranishme, simptomat mund të përfshijnë:

Ënjtje ose zmadhim të dukshëm në bazën e qafës.
Ndjesi presioni ose shqetësimi në zonën e tiroides.
Vështirësi në gëlltitje ose frymëmarrje.
Ndryshime në zë, siç është ngjirja e zërit.

Nëse nyjet ndikojnë në funksionin e tiroides, mund të shfaqen shenja të hipertiroidizmit (si rrahje të shpejta të zemrës, humbje peshe, ankth) ose hipotiroidizmit (si lodhje, shtim në peshë, lëkurë e thatë).

Një ekzaminim i plotë mjekësor, i cili mund të përfshijë ultratinguj, nivele hormonesh dhe, nëse është e nevojshme, aspiratë me gjilpërë të hollë, është thelbësor për të përcaktuar natyrën e nyjes dhe për të përcaktuar trajtimin më të përshtatshëm.

Mosfunksionimi i tiroides: Trajtimet

Shëndeti i tiroides është thelbësor, kështu që çrregullimet e funksionit të tiroides, të tilla si hipotiroidizmi dhe hipertiroidizmi, mund të kërkojnë terapi të personalizuara, diagnoza të sakta dhe ndërhyrje të synuara.

Terapitë me ilaçe

Hipotiroidizmi: Levotiroksina është trajtimi standard për mungesën e hormoneve të tiroides. Terapia zëvendësuese rikthen ekuilibrin hormonal dhe parandalon ndërlikimet.

Terapia me jod radioaktiv: Ky opsion përdoret për të shkatërruar qelizat e tiroides në rastet e hipertiroidizmit të vazhdueshëm ose për të eliminuar mbeturinat e tiroides pas heqjes së tumorit.  /os/

The post FOKUS – Çfarë janë tiroidet dhe cili është funksioni i tyre? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës njoftoi sot se ka vënë nën hetim tre punonjës të një subjekti të cilët po dëmtonin shtratin e lumit Mat.

Administratori i subjektit, sipas Policisë, është shpallur në kërkim.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, ushtruan kontroll përgjatë lumit Mat, ku konstatuan mjete të rënda të një subjekti që kryente aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe duke dëmtuar shtratin e lumit”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë, “në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast: u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të këtij subjekti, shtetasit M. L., 36 vjeç, V. L., 47 vjeç (vëllezër) banues në Pukë dhe F. L., 50 vjeç, banues në Tale, Lezhë; u shpall në kërkim shtetasi S. P., 39 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, administrator i subjektit. Punohet për kapjen e tij”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete të rënda (1 ekskavator dhe 3 kamionë) që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Manastirliu: Programe studimi universitare të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ U prezantua sot Raporti i Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë: “Arritjet dhe sfidat drejt Universitetit 4.0”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, drejtuesve të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, si dhe Rektorët e universiteteve publike dhe jopublike.

Ministrja Manastirliu në fjalën e saj foli për rëndësinë e procesit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe universiteteve është të rrisë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës.

Duke folur për arritjet e deritanishme, Manastirliu tha: “Kemi bërë të mundur që në këto vite të kemi një rritje të financimit në institucionet e arsimit të lartë me 40%, kemi 5-fishuar fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona përmes programeve, të cilat çdo vit zgjerohen në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe programeve të kërkimit shkencor, dhe gjithashtu lidhjeve me industrinë dhe biznesin, që është edhe në fokus të punës tonë në raport me programet e reja të studimit e gjithashtu edhe me fushat prioritare, stratgjike të zhvillimit të vendit”.

Duke folur për zhvillimet e fundit dhe standardet e reja europiane të universiteteve, për të shkuar drejt Universitetit 4.0, Ministrja Manastirliu tha: “Ekonomia 4.0 kërkon aftësi 4.0, që do të thotë që dalin përtej mureve të universiteteve tona, për të ndërtuar jo vetëm kampuse fizike, por kampuse online me universitetet në botë dhe për të krijuar mundësinë që të jemi të orjentuar drejt teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe shkencës së hapur, gjë e cila po ndodh me hapa të qëndrueshëm. Sot më shumë se kurrë ne jemi afër zhvillimit të inovacionit brenda institucioneve të arsimit të lartë dhe zhvillimit të programeve të studimit, në mënyrë që diplomat tona të mos jenë vetëm ato 4-vjeçaret. Pra Universiteti 4.0 kërkon që universiteti ti shërbejë të mësuarit përgjatë gjithë jetës, ndaj transfromimi i universiteteve tona duhet të fillojë pikërisht nga këto mësime të mësuara në këto vite, në zbatim të ligjit për arsimin e lartë, por edhe të instrumentave dhe institucioneve që janë krijuar, sikurse është edhe Bordi i Akreditimit”.

Raporti i prezantuar nga Bordi i Akreditimit dha një analizë të sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, që evidenton zhvillimet dhe sfidat kryesore në sektorin e arsimit të lartë, përfshirë ndryshimet në numrin e studentëve, cilësinë e kurrikulave, kualifikimin e stafit akademik, kërkimin shkencor dhe lidhjen me tregun e punës.

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Programe studimi universitare të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kryediplomati i Emirateve të Bashkuara Arabe viziton Tiranën

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Zëvendëskryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, Lartësia e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan vizitoi sot Tiranën.

Al Nahyan u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas nga zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara shkëmbyen në shkurt të këtij viti marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të bashkëpunimit midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe nënshkrimin e letrës së angazhimit për Projektin e Qytetit Inteligjent të Shqipërisë me “Presight AI Ltd” në prani të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi Tiranën, dhe kryeministrit Edi Rama.

1 nga 3

/k.s//a.f//r.e/

The post Kryediplomati i Emirateve të Bashkuara Arabe viziton Tiranën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌