Normal view

Received — 27 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI për vetëvrasjen e djalit

27 August 2025 at 17:29

KALIFORNI, 27 gusht /ATSH-AA/ – Prindërit e një djali 16-vjeçar i cili vdiq nga vetëvrasja në prill kanë ngritur padi për vdekje të padrejtë kundër OpenAI, duke pretenduar se programi i saj ChatGPT inkurajoi vdekjen e tij, sipas një raporti.

NBC News raportoi se Matt dhe Maria Raine ngritën çështjen në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë në San Francisco të SHBA-së, duke paditur OpenAI, kompaninë pas ChatGPT dhe drejtorit ekzekutiv Sam Altman.

Sipas raportit, çifti pretendon se chatbot kaloi nga ndihma ndaj djalit të tyre Adam me detyrat e shtëpisë në shërbimin si një “trajner vetëvrasjeje”, duke e këshilluar atë mbi metodat dhe duke ofruar të hartonte shënime vetëvrasjeje.

“Ai do të ishte këtu po të mos ishte ChatGPT. Unë e besoj 100 për qind këtë”, tha Matt Raine.

Padia akuzon OpenAI për vdekje të padrejtë, defekte në dizajn dhe dështim për të paralajmëruar për rreziqet.

OpenAI i tha NBC se ishte “thellësisht i trishtuar” nga vdekja e Adam-it, duke thënë se ChatGPT përfshin masa mbrojtëse për të drejtuar njerëzit drejt burimeve të krizës, megjithëse mbrojtjet mund të bëhen “më pak të besueshme” në ndërveprime të gjata.   /os/

The post SHBA – Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI për vetëvrasjen e djalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra, spektakolar

24 August 2025 at 09:01

ROMË, 24 gusht /ATSH/- Vullkani “Kilauea” në Havai shpërtheu përsëri të premten, më 22 gusht, duke nxjerrë një hark lave rreth 30 metra të lartë dhe duke mbuluar një pjesë të dyshemesë së kraterit të tij në majë, sipas “Corriere della Sera”.

Ky është shpërthimi i 31-të i lavës që nga dhjetori i kaluar, një frekuencë që pasqyron natyrën e “Kilauea” – ndër vullkanet më aktivë në botë.

Dalja veriore e kraterit filloi të shpërthente në mëngjes – me spërkatje lave që u transformuan në shatërvane të vërteta inkandeshente deri në pasdite.

Aktiviteti mbeti i kufizuar në krater, duke mos paraqitur kërcënim për banesat.

“Kilauea” ndodhet në Ishullin e Madh, ishulli më i madh në arkipelagun Havaian, rreth 200 milje në jug të Honolulusë (Oahu).

Kjo është hera e katërt në 200 vjet që “Kilauea” ka prodhuar shatërvane të përsëritura lave: në vitet 1959, 1969 dhe midis viteve 1983 dhe 1986, kur u regjistruan 44 episode gjatë një periudhe 3-vjeçare.

Ai shpërthim më pas u transformua në një rrjedhë të vazhdueshme lave që zgjati, në faza të ndryshme, deri në vitin 2018.//a.i/

The post Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra, spektakolar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Strategjia Kombëtare 2025-2030, integrim i AI në energji, prokurime publike dhe kundër evazionit fiskal

21 August 2025 at 16:57

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Në Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale (AI) 2025-2030, Shqipëria synon të integrojë AI në sektorin e energjisë, prokurimeve publike si dhe për luftën kundër evazionit fiskal mes fushave të tjera.

Agjencia për Medie dhe Informim (MIA) ndau sot disa nga përfitimet nga përdorimi i AI, një sistem elektronik i drejtuar nga inteligjenca artificiale për automatizimin e plotë të proceseve të prokurimit.

Sipas MIA-s, përdorimi i AI thjeshton procedurat për bizneset kombëtare dhe ato europiane, rrit eficencën në sektorin energjetik, si dhe sjell zbulim të shpejtë të rasteve të evazionit fiskal.

Konkretisht në prokurimet publike, përdorimi i AI synon zhdukjen e korrupsionit dhe abuzimit, sigurimin e transparencës, si dhe nxitjen e konkurencës së ndershme.

Në sektorin e energjisë përdorimi i AI synon rritjen e eficencës së sistemit, si dhe përdorimin e burimeve energjetike në kohën dhe vendin e duhur.

Në luftën kundër evazionit fiskal përdorimi i AI synon zbulimin e anomalive në të dhëna fiskale dhe fatura; zbulimin e rasteve të evazionit fiskal apo krimit financiar; si dhe analizimin e faturave elektronike dhe deklaratave doganore.

/m.m/j.p/

The post Strategjia Kombëtare 2025-2030, integrim i AI në energji, prokurime publike dhe kundër evazionit fiskal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Portet në të gjithë Havain u mbyllën, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8,8 ballë Rihter që goditi Paqësorin pranë gadishullit të Kamçatkas, në Lindjen e Largët ruse.

Roja bregdetare ka udhëzuar anijet tregtare që drejtohen për në portet e Havait që të qëndrojnë në det për momentin.

Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Havain, me televizionet lokale që transmetojnë pamje të kamerave në plazhe që monitorojnë vijën bregdetare.

Një tërmet me magnitudë 8,8 ndodhi në orën 23:24 GMT, rreth 136 kilometra në juglindje të gadishullit Kamçatka, në detin Bering në një thellësi prej rreth 20 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

USGS fillimisht kishte raportuar magnitudë si 8,0.

Sipas USGS, tërmeti ishte më i forti në botë që nga katastrofa e Fukushimës, në mars 2011, dhe është tejkaluar vetëm nga pesë tërmete që nga fillimi i matjeve.

Japonia, Rusia dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara lëshuan paralajmërime për cunami pas tërmetit të fuqishëm nënujor./  a.jor.

The post SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekstradohet nga Dubai një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, rreth orës 16:30, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Bajri 37 vjeç. 

Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. 

Në njoftim thuhet se “Denis Bajri, në përfundim të procedurave iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve”. 

/e.i//r.e/

The post Ekstradohet nga Dubai një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionin policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

The post Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Në shtator, start up-et e shqiptarëve do të ndryshojnë botën e arkitekturës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Në përmbyllje të një takimi maratonë me aktorët kryesorë të sektorit të teknologjisë, inovacionit dhe ekosistemit të start up-eve në vend, u ndanë konkluzionet kyçe mbi rrugën e deritanishme, sfidat dhe mundësitë që e presin Shqipërinë në kuadër të vizionit Shqipëria 2030 dhe integrimit europian.

Kryeministri Rama ndër të tjera theksoi se “në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitektëve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama

Shumë faleminderit për këtë ditë, shumë intensive por njëkohësisht edhe plot me gjëra të reja dhe frymëzuese për pjesën tonë, që i përkasin botës reale, jo kësaj botës së re digjitale dhe nga ana tjetër, shumë faleminderit dhe një publicitet 30 sekonda për mikpritësin tonë, kantinën Pupa, që u përpoq sot të tregonte sa të lehtë e ka dorën e që na ofroi gjithë këto faciliteti, ndërkohë që duke qenë se jemi dhe në sezonin turistik, do të përfitoj nga rasati t’ju them të gjithë dashamirësve apo kuriozëve që shtohen dita ditës, të verës shqiptare, se vetëm nga kjo kantinë kanë kaluar 30 mijë degustatorë dhe ndërkohë kjo zonë, Kuçova dhe Berati janë bërë një destinacion i shumë më tepër vizitorëve vetëm për rrugën e kantinave të verës. Publiciteti mbaroi, kthehemi të japim lajmet.

Në radhë të parë dua të them që realisht sot ka pasur shumë brumë në tryezë dhe që realisht nëse do arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe pastaj bashkërisht të ndjekim një hartë veprimesh, do të arrijmë të krijojmë më të mirën duke u bazuar tek kapaciteti i progresit eksponencial që na ka sjell bota e re e teknologjisë për ta çuar vendin në një nivel krejt tjetër.

Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, siç u bë një diskutim midis fjalës inovator dhe novator edhe më prezantuan edhe një dokument të vjetër që ishte shumë tërheqës për qendrën e mendimit novator dhe ka qenë shumë impresionuese të njihesha me disa prej jush në aspektin e aktivitetit aktual, gjëra shumë interesante dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një sërë eventesh të tjera që ne do të realizojmë, qoftë për të prezantuar inovacionet tuaja me sektorin e investitorëve, në sektorin e investimeve në ndërtim, në turizëm, qoftë për të pasur një ballafaqim me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë për të përcjellë mesazhin tek bankat që janë në kushtet e një prapambetjeje që po e kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër një prapambetje tërësisht e pajustifikuar po të kemi parasysh se tanimë gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar. Të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por dëmton në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare.

Nga ana tjetër është po kaq e rëndësishme që në Tiranë, në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitekteve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht.

Nuk janë pak këto ashtu sikundër me shume gëzim dhe me shumë përgjegjësi unë do të angazhohem personalisht, natyrisht edhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re të propozuar nga start-upi në fjalë, muzeun e parë tërësisht me inteligjencën artificiale.

Thënë të gjitha këto, besoj që është e udhës që nga tryezat të bëhen referimet e përmbledhura të temave që u diskutuan. Unë po e nis me tryezën ku mora pjesë, por jo si referenti, por si një nga dëgjuesit dhe natyrisht duke pasur parasysh pjesën që na takon ne si qeveri. Së pari, kemi parë me shumë kënaqësi që ky sektor po bën një përpjekje që mungon ndjeshëm në sektorin privat në tërësi që është përpjekja për ta kuptuar në brendësi dhe për të përfituar në brendësi nga afrimi me BE dhe nga anëtarësimi në BE.

Organizata e krijuar brenda sektorit me një numër të konsiderueshëm anëtarësh po bën një punë domethënëse për të marrë ekspertizën e duhur në mënyrë që t’i krijojë sektorit mundësi përfitimi nga fondet e BE duke paraqitur projekte dhe aplikime të besueshme. Ky është një shembull fantastik për të gjithë sektorin privat që është po aq i prapambetur sa bankat kur vjen puna tek raporti me BE, bankat tek raporti me digjitalizimin dhe sektori privat në raport me BE.

Tjetra që kemi rënë dakord është që do të kemi një Kuvend të përbashkët, një forum të përbashkët, të paktën një herë në katër muaj, për të gjitha problematikat, jo vetëm për problematikat por edhe për risitë e sektorit edhe për të gjitha piketat që duhen vizituar dhe duhen ndryshuar apo duhen shtuar në rrugën e mëtejshme. Duke thënë këtë dua që të them se nga ana jonë e, ministria e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin si dhe ministrja e Arsimit do të angazhohen me ju për të hartuar marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe sektorit tuaj pasi unë besoj shumë që duhet të hapim një kapitull të ri në sensin që juve duhet të keni akses në gjithë strukturat e qeverisë për të pasur të mundur që të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave për të ndërtuar proceset që pastaj do të na sjellin modelet e Inteligjencës Artificiale që do të na shërbejnë ne për ti shërbyer publikut dhe do tju shërbejnë patjetër edhe juve në punën tuaj, e pastaj dhe do të na shërbejnë bashkërisht për të bërë atë që u propozua këtu në pjesën e parë, duke promovuar produktet tona.

Jemi në kushtet kur nuk është aspak mungesë modestie që ne të pretendojmë të krijojmë dhe të promovojmë produkte edhe përtej kufijve të vendit, duke pasur parasysh se çfarë brumi është krijuar dhe çfarë talentesh kemi në dispozicion dhe pastaj një sërë gjërash të tjera janë diskutuar. Unë nuk do të zgjatem më tutje, por do them vetëm që i kam kërkuar pjesëmarrësve në atë tryezë ku ishte edhe një kandidat potencial për president i shoqatës duke qenë edhe IT në moshën më të thyer dhe e kam si dëshmitar aty, dëshmitar dhe bashkëmoshatar. Po të paktën unë nuk i përkas asaj bote kështu që nuk jam aq i pashpresë sa je ti, se aty dukesh edhe dy herë më i vjetër se ç’je.

Ramë dakord që edhe unë kam, unë kam atë aty si agjentin tim, ramë dakord që me koordinimin e shoqatës, si thoni ju, të organizatës, të aktit, të gjithë ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që janë në sektor dhe që duan të japin kontributin e tyre të na ofrojnë draft sipas tyre, draft programin e “AI Albania 2030”, ku do të jetë Shqipëria, Inteligjenca Artificiale në 2030-ën, për të na e prezantuar, për ta diskutuar, për ta miratuar dhe pastaj ne për ta marrë dhe për ta çuar në Parlament si pjesë të programit të qeverisë dhe për ta kthyer në një program pune të qeverisë në bashkëpunim me ju.

Shtoj këtu se Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI, aty pastaj do kalojmë në nivel tjetër, se do punojë AI edhe të gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën, pa pas mundësi që të marrim asnjë vendim.

Këto ishin pak a shumë nga ana ime dhe po ia kaloj Delinës për të moderuar pjesën tjetër, duke iu dhënë fjalën secilit sipas tryezës, secilit ose secilës. Kam njohur edhe një protagoniste shumë interesante që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara që ka lënë një nga kompanitë më të mëdha të botës për të ardhur për tu bashkuar këtu në një kompani relativisht të vogël, por shumë premtuese, edhe nuk e dëgjova si flet anglisht, po shqipen e fliste si një AI i pa kolauduar, edhe i paautorizuar për të dalë në treg akoma.

Unë nuk hyra në disa nga propozimet që ishin pak më në detaje po themi sepse besoj se ato do t’i trajtoni ju dhe do ti hidhni në atë dokumentin programatik, por një gjë që do ta sjell këtu për ata që na ndjekin dhe posaçërisht për sektorin privat ishte një propozim për të imponuar me ligj që çdo kompani shqiptare me 100 punonjës të ketë një bërthamë R&D, kërkim dhe zhvillim. Dhe besoj që është një propozim shumë largpamës, me një kosto tërësisht të papërfillshme në raport me benefitet dhe patjetër që ne do ta mirëpresim këtë dhe disa propozime të tjera që u bënë në rast se do të vijnë nga ju përmes atij dokumentit pak më të artikuluar.

Kështu që e bëra këtë ndërhyrje më shumë për të dëgjuar sektori privat domosdoshmërinë e hapjes së mendjes dhe hapjes së syve ndaj teknologjisë edhe jo më thjeshte ndaj teknologjisë digjitale, po ndaj Inteligjencës Artificiale që siç është shumë e qartë nga të gjithë që dëgjova unë sot dhe siç është e qartë nga gjithçka që lexojmë dhe dëgjojmë përditë, është një mundësi e artë historike që ne të bëjmë një kapërcim shumë të madh nëse do të jemi të zotë, natyrisht dhe të vendosur për ta bërë.

***

Në fund fare pak, shumë pak gjëra, duke pasur parasysh çfarë u tha nga pjesa tjetër që unë nuk e dëgjova në kohë reale, për sa i përket asaj që u tha për harmonizimin e legjislacionit, keni parasysh që ne kemi një model shumë efikas për AI për harmonizimin e legjislacionit tonë me legjislacionin e BE, e përmendi dhe Linda në hyrje të takimit dhe nëse është nevoja mund të përdoret pa asnjë problem. Përsa i përket çështjes së ndërveprimit, ajo që ne na takon, është të strukturojmë si duhet një proces kanalizimi të të gjithë nevojave të dyanshme në mënyrë që të mos ketë barrierë midis shtetit dhe sektorit në kuptimin e aksesit në institucione dhe të aksesit në proceset e institucioneve sepse përndryshe kjo nuk është e mundur dhe për këtë duhet që të kalojmë në një nivel tjetër Agjencinë e Inovacionit dhe të Ekselencës, ku të gjitha ato nuklet që janë krijuar për çdo sektor, të kthehen nga nukle të mbyllura në nukle të hapura dhe të jenë të gatshme që të integrojnë sipas nevojës në kohë, të gjithë ata nga sektori që duan të hyjnë dhe të punojnë me proceset e asaj fushe të caktuar dhe këtu besoj që kemi dakordësi të plotë.

Ajo që mbeti pa u thënë me sa unë pashë, është që ne kemi edhe një ambicie tjetër, që deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë “cashless”, pra që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim, teknologjia nuk mungon, ka nevojë për të tu “upskill”-ur, por nuk mungon dhe besoj që nëse do të dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës që do të ecim, kjo është plotësisht e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme.

Dhe e fundit që kam, është që do t’ju lutesha shumë që në atë dokumentin që do përgatisni të jeni sa më të lirë dhe sa më kreativë, pra nuk do vendosur limit. Në fund të ditës ja ku na keni ne për t’i vënë kufijtë, për të thënë ‘’kjo s’bëhet; këtë s’na lë ky, këtë s’na lë ai; këtu Europa, këtu Kombet e Bashkuara”, etj, por është shumë e rëndësishme që ju të shkrini gjithë telat e fantazisë tuaj duke patur parasysh natyrisht dhe eksperienca të cilat i keni njohur në ndërveprimet  tuaja me botën jashtë, duke pasur parasysh dhe çfarë mund të bëni në pikëpamje të “research”-it në tema të caktuara edhe pastaj ne do ulemi, do diskutojmë bashkërisht dhe do jemi  shumë të drejtpërdrejtë për t’ju thënë; “këtu mund të ecim me këtë shpejtësi, këtu duhet të jemi realistë që nuk ecim dot për momentin e kështu me radhë”, por ama ta kemi një program ambicioz për  Shqipërinë 2030 në aspektin e AI sepse siç ramë të gjithë dakord, aty është edhe si të thuash “goli” në këtë lojë.

Shumë, shumë faleminderit. Më vjen shumë mirë që biseda ishte goxha intensive dhe e larmishme. Besoj që u shkrinë të gjithë akujt, besoj që tani portalet e humbën influencën kështu që ndihuni plotësisht të lirë që edhe në këtë periudhë të na drejtoheni me çfarëdolloj nevoje dhe shqetësimi ndërkohë që siç e thashë, të paktën tre evenimente i kemi në plan.

Evenimentin me  ndërtuesit e infrastrukturave të mikpritjes, hoteleve, rezorte për të prezantuar qasjen komplet të re lidhur me financimin e tyre;

Me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë për të diskutuar si duhet lidhur me zbatimin si duhet të ligjit;

Me start up-et e arkitekturës që shpresoj të jemi në gjendje të organizojmë një event ndërkombëtar në Tiranë.

E patjetër që qershia mbi tortë është që deri në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit, të mund të firmosim marrëveshjen kuadër me qeverinë për bashkëpunimin mes nesh.

Nuk besoj se u harrua ndonjë gjë, por edhe nëse u harrua, dikush me siguri e mban mend dhe do na e kujtojë.

Për çdo gjë tjetër, ju lutem, nëpërmjet “kandidatit për president nderi të shoqatës” mund të më çoni fjalë.

Faleminderit!

The post Rama: Në shtator, start up-et e shqiptarëve do të ndryshojnë botën e arkitekturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërtojmë në Shqipëri muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot gjatë një takimi me aktorët kryesorë të sektorit të teknologjisë, inovacionit dhe ekosistemit të start up-eve në Berat, se po shqyrtohet mundësia për ndërtimin në Shqipëri të muzeut të parë në botë tërësisht me inteligjencë artificiale.

Rama theksoi se zhvillimet në fushën e teknologjisë nuk janë më ide të largëta, por realitete të prekshme që nxisin transformim të thellë social, ekonomik dhe kulturor.

“Me shumë gëzim dhe me shumë përgjegjësi unë do të angazhohem personalisht, së bashku me strukturat përkatëse, për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri, me këtë teknologji të re të propozuar nga një start-up shqiptar, muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale”, u shpreh Kryeministri.

Ai foli për mundësinë e dhënies botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës, një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh, në shtator. Sipas Ramës, nëse ky produkt rezulton i suksesshëm ashtu siç parashikohet, ai ka potencialin të ndryshojë mënyrën sesi funksionon sektori i arkitekturës në mbarë botën.

“Në Tiranë, në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitekteve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht”, vuri në dukje ai.

/a.f/

 

 

 

The post Rama: Ndërtojmë në Shqipëri muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Punësimi i të huajve, 85,980 aplikime deri më sot në e-Albania

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në portalin e qeverisë e-Albania janë regjistruar në total 85,980 aplikime për “leje unike”.

Shërbimi elektronik “Aplikim për leje unike” u mundëson shtetasve të huaj që kërkojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga e- Albania, vetëm gjatë vitit 2022 janë regjistruar 36,700 aplikime, ndërsa gjatë vitit 2023 shënohen 36,348 aplikime dhe në vitin 2024 janë 12,932 aplikime.

Paralelisht me kërkesën e bizneseve për të pasur mundësi të punësojnë të huaj në kushtet e mungesë së krahut të punës në vend, ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm dhe është lehtësuar procesi i aplikimit në sistemin online, nga bizneset për lejeve unike. /j.p/

The post Punësimi i të huajve, 85,980 aplikime deri më sot në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vëllai i Liridona Ademajt dëshmon në Gjykatë

PRISHTINË, 14 korrik/ATSH/ Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë gjykimit ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, të hënën dëshmoi vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj.

Duke folur para trupit gjykues, Ademaj përshkroi momentin kur kuptoi vrasjen e motrës.

Ai tha se ishte në punë kur bashkëshortja e telefonoi, duke i thënë që të shkonte në shtëpi, sepse Liridona ishte vrarë.

Fillimisht tha se i mori prindërit dhe shkuan në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, ku kërkoi qetësues për ta.

Më pas u nisën për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku tha se panë shumë policë, të cilëve iu drejtua për informacione.

Ata e udhëzuan të shkonte në stacionin policor në Dragodan, ku një police ua kumtoi lajmin për vdekjen e Liridonës.

Ademaj tha se, kur kishte pyetur për Naimin, i ishte thënë se ai po jepte deklaratë në polici.

Rreth një orë e gjysmë më vonë, Naimi kishte dalë nga stacioni.

“Për ne, ajo natë nuk ishte e lehtë se i kishim edhe fëmijët [e Liridonës]. Kemi qëndruar zgjuar deri në mëngjes”, tha Ademaj.

Ai tregoi se, pasi kishte kontaktuar shoferin me të cilin ishte Naimi, kishte mësuar se ai ndodhej në hotelin “Swiss” në Prishtinë.

Aty kishte shkuar bashkë me disa të afërm dhe e kishin gjetur Naimin të shtrirë në krevat, me ushqime në tavolinë dhe me drekë të porositur.

Ata menduan se sjellja e tij pasqyronte tronditjen, tha Ademaj, raporton Betimi për Drejtësi.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava.

Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.

Murseli dhe Kokalla u deklaruan të pafajshëm, ndërsa Plava nuk pranoi të deklarohej për fajësinë.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim.

Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra – shumica nga bashkëshortët e tyre.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve – gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit. /rel/

The post Vëllai i Liridona Ademajt dëshmon në Gjykatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Karçanaj: Shqipëria, nënkampione bote në kategorinë e-Government

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në një nga ngjarjet më prestigjioze globale të teknologjisë dhe inovacionit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “WSIS Prizes 2025” që u mbajt në Gjenevë të Zvicrës, drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, tërhoqi çmimin në emër të Shqipërisë.

Projekti fitues i mundësuar nga inteligjenca artificiale ishte ai me titull “Harmonizimi i Legjislacionit Shqiptar me Acquis të BE-së”.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u shpreh se ajo që nisi nga vullneti i Kryeministrit për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, sot është konkretizuar në këtë modul inovativ që bën të mundur: përkthimin me saktësi mbi 95% dhe përafrimin me AI të legjislacionit kombëtar me atë evropian, krahasimin me AI për mbivendosje apo kontradikta të akteve në proces përafrimi dhe krijimin automatik të tabelave të përputhshmërisë.

“Çka më parë kërkonte muaj të tërë pune manuale, sot realizohet për pak minuta”, thotë Karçanaj në një postim në rrjetet sociale.

Drejtuesja e AKSHI-t tha se si bashkënegociatore e Kapitullit 10 “Transformimi Digjital dhe Media”, ky çmim është një moment krenarie të dyfishtë për të.

“Modeli i inteligjencës artificiale që mori këtë vlerësim është ideuar që në krye të herës nga Kryeministri Edi Rama, me një qëllim të qartë: përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përkthimi i legjislacionit që realizohet me saktësi mbi 95% dhe krijimi automatik i tabelave të përputhshmërisë kanë reduktuar ndjeshëm kohën dhe punën e strukturave tona të integrimit. Ajo që më parë kërkonte muaj pune, tani realizohet shumë shpejt, në vetëm pak minuta, me shumë saktësi, me shumë integritet. Ky është një shembull konkret se si inovacioni dhe vizioni na ndihmojnë të jemi më pranë Bashkimit Evropian”, u shpreh Karçanaj.

/e.i/j.p/

The post Karçanaj: Shqipëria, nënkampione bote në kategorinë e-Government appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 June 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekstradohen nga Dubai tre shtetas shqiptarë të kërkuar për ngjarje të rënda kriminale

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Vijon bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të operacioneve për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Tre shtetas shqiptarë, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO), janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë. Ata akuzohen për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe përkrahje të një shtetasi të shumëkërkuar.

Ekstradimi u bë i mundur pas shkëmbimit të informacioneve mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Dubait, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, si dhe në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interpol Abu Dhabin.

Shtetasit e ekstraduar janë:

E. D., 38 vjeç, ndaj të cilit GjKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim” (mbetur në tentativë), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;

M. K., 39 vjeç, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, gjithashtu pjesë e një grupi të strukturuar kriminal;

A. Xh., 40 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Pas mbërritjes në Shqipëri, tre shtetasit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ekzekutimin e vendimeve përkatëse të GjKKO-së. /a.f/

The post Ekstradohen nga Dubai tre shtetas shqiptarë të kërkuar për ngjarje të rënda kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Bashkëpunim në inovacion dhe IA me Malin e Zi

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në një takim miqësor, ministrin për Administratën Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, së bashku me Sekretarin e Shtetit, Naim Gjokaj.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrit Gonxhja, duke ndarë foto nga takimi bëb të dotur se u diskutua mbi mundësinë e shkëmbimit të përvojës ndërmjet dy ministrive në fushat prioritare të inovacionit dhe inteligjencës artificiale, si pjesë thelbësore e agjendave qeveritare.

“Në fokus ishte koordinimi i një takimi të ardhshëm në Tiranë, për të ndarë ide mbi përshtatjen e programeve të inovacionit mes dy vendeve, në funksion të planit të ri të veprimit, me të cilin Shqipëria synon të bëhet qendër evropiane për AI të gjelbër dhe inovacion të qëndrueshëm”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Nga takimi i ministrit të MEKI-t, Blendi Gonxhja me ministrin për Administratën Publike të M...
1 nga 10

The post Gonxhja: Bashkëpunim në inovacion dhe IA me Malin e Zi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Akuzohen si bashkëpunëtorë të Talo Çelës, 3 të arrestuar në Dubai

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Tre shtetas shqiptarë, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale dhe bashkëpunëtorë të të shumëkërkuarit Talo Çela, janë arrestuar në Dubai si rezultat i një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, të koordinuar nga Interpol Tirana. Arrestimet u kryen në kuadër të 3 fazave të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Konkretisht, sipas policisë “u kapën shtetasit: E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

“Ai akuzohet se: ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij; ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.; ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç”, njoftoi policia.

Në pranga ka rënë edhe “M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”.

“Ai akuzohet se: ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.; ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.; ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur”, njoftoi policia.

Po ashtu është arrestuar edhe “A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se: për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë; ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç”.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri. /j.p/

The post Akuzohen si bashkëpunëtorë të Talo Çelës, 3 të arrestuar në Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekstradohet nga Dubai i dënuari me burgim të përjetshëm Florenc Çapja

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot, se në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted” u ekstradua në Shqipëri i shumëkërkuari Florenc Çapja.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ky operacion u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar.

““The Wanted”, u finalizua me sukses, arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Florenc Çapja 44 vjeç, lindur në Elbasan”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, 44-vjeçari është me masë sigurie “arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në njoftim cilësohet se 44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve.

Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar Florenc Çapja është dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar, për vijimin e operacioneve policore me objektiv lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. /j.p/

The post Ekstradohet nga Dubai i dënuari me burgim të përjetshëm Florenc Çapja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekstradohet sot nga Dubai Florenc Çapja

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted” pritet të ekstradojë pasditen e sotme të shumëkërkuarin Florenc Çapja, 44 vjeç, banues në Elbasan.

“Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted””, njoftoi Policia.

Policia bëri të ditur se “në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan”.

Për informacion më të detajuar, Policia bëri të ditur se do të njoftojë në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas.

/a.f/r.e/

The post Ekstradohet sot nga Dubai Florenc Çapja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Thaçi viziton varrin e babait

21 March 2025 at 11:39

PRISHTINË, 21 mars/ATSH/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po viziton varrin e babait të tij, në fshatin Burojë  të Skenderajt.

Nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u soll nga Haga në Kosovë pesë ditë pas vdekjes së babait të vet, Haxhi Thaçit, dhe tri ditë pas varrimit.

Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të vet të martën më 18 mars.

/Kosovapress/

The post Thaçi viziton varrin e babait appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Air Albania dy fluturime në javë drejt Vjenës

25 February 2025 at 17:29

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Ambasada shqiptare në Vjenë bën të ditur se kompania ajrore “Air Albania” ka nisur fluturimet e reja direkte midis Tiranës dhe Vjenës, duke e bërë udhëtimin më të shpejtë, më të rehatshëm dhe më të përshtatshëm për të gjithë qytetarët.

Fluturimet për dhe nga Vjena do të kryhen dy herë në javë, të enjte dhe të diel.

Nisja nga Tirana do të jetë në orën 20:15 dhe mbërritja në Vjenë parashikohet në 21:25.

Nisja nga Vjena në Tiranë do të kryhet në orën 22:25, ndërsa mbërritja në Tiranë parashikohet në 00:10 (të ditës së nesërme).

Fluturimet operohen me Airbus A320, një avion modern që garanton siguri, rehati dhe një shërbim cilësor për të gjithë pasagjerët.

Kjo linjë e re forcon më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë, duke lehtësuar shkëmbimet turistike, ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve tona.

Për shqiptarët që jetojnë, studiojnë apo punojnë në Austri, për bizneset dhe për të gjithë ata që udhëtojnë shpesh midis dy kryeqyteteve, kjo është një mundësi më shumë për të lëvizur më shpejt dhe me më shumë lehtësi.

Ambasada e Shqipërisë në Vjenë përshëndet këtë zhvillim dhe fton të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo linjë e re ajrore.

1 nga 2

/r.e/

The post Air Albania dy fluturime në javë drejt Vjenës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Karçanaj: Moduli i inteligjencës artificiale përkthen çdo akt të BE-së brenda disa minutash, dikur merrte kohë të pafundme

13 February 2025 at 13:58

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj u shpreh sot gjatë prezantimit të modulit AI të zhvilluar brenda platformës së integrimit evropian dhe anëtarësimit në ambientet e Kryeministrisë ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, se tashmë po ndodh një revolucion inteligjent brenda atij dixhital.

Sot, sipas Karçanajt, moduli i inteligjencës artificiale, i zhvilluar në bashkëpunim me OpenAI dhe Microsoft, përkthen çdo akt të BE-së brenda disa minutash. “Me saktësi maksimale, mbi 97%! Dhe jo vetëm kaq: ai e krahason automatikisht me legjislacionin shqiptar, nxjerr mospërputhjet, krijon tabela krahasuese dhe-në fund-gjeneron tabelën e përputhshmërisë me një klikim të vetëm”, tha ajo.

Drejtuesja e AKSHI-t tha se ky realitet quhet Platforma e Integrimit Evropian dhe Anëtarësimi që vjen si një sistem elektronik nuk është thjesht një risi teknologjike, por një revolucion i vërtetë në mënyrën se si e menaxhojmë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Sepse le ta themi hapur: dikur, çdo raport, çdo shkresë, çdo dokument i kërkuar nga Komisioni Evropian ishte një udhëtim në një labirint pa fund. Email-e të panumërta, dokumente Word që qarkullonin sa andej këndej, excel-e që duheshin bashkuar, njerëz që harronin të hidhnin të dhënat…Rrëmujë totale! Dhe në fund, gjithçka përmblidhej me mund e djersë, me punë manuale, me vonesa, me gabime njerëzore”, shtoi ajo.

“E di që shumë prej jush e kanë provuar në vetë të parë: keni kaluar javë, muaj, ndoshta edhe vite duke përkthyer ligje e rregullore të BE-së, duke analizuar se ku përputhen dhe ku nuk përputhen me legjislacionin shqiptar. Një punë që ka marrë kohë të pafundme dhe ka kërkuar burime të panumërta njerëzore, financiare, energji… Epo kjo epokë mori fund”, theksoi Karçanaj.

Sipas saj, sot mjafton të ngarkosh raportin në platformë dhe sistemi bën të gjithë punën vetë, gjeneron dokumentin final, kujton afatet, sinjalizon nëse diçka mungon, dhe na ndihmon të monitorojmë çdo detyrim që kemi marrë përsipër.

“E gjitha në kohë reale, me transparencë të plotë, pa vonesa, pa stres. Ky është ndryshimi. Ky është përparimi. Ky është moment, kur ne nuk ecim më me hapin e vjetër të burokracisë, por me ritmin e teknologjisë më të avancuar që ekziston”, vijoi ajo.

“Më lejoni ta them troç: ky sistem nuk është thjesht një vegël teknike. Nuk është thjesht një aplikacion. Është një provë e qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Evropën, por është e aftë të jetë lider i inovacionit administrativ në rajon”, u shpreh Karçanaj.

“Sepse në fund të ditës, çfarë duam ne? Ne duam një administratë që nuk humbet kohë me letra dhe procedura të kota, por që fokusohet aty ku ka vërtet rëndësi: në analizë, në vendimmarrje, në zgjidhje konkrete”, theksoi Karçanaj në fjalën e saj.

Drejtuesja e AKSHI-t tha se kjo mundësi do të shfrytëzohet si një hapësirë për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së.

“Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Ky vend nuk ka më luksin të ecë me hapa të vegjël. Koha për të pritur ka mbaruar. Koha për të vepruar është tani”, përfundoi ajo. /j.p/

The post Karçanaj: Moduli i inteligjencës artificiale përkthen çdo akt të BE-së brenda disa minutash, dikur merrte kohë të pafundme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

RENEA në “Swat Challenge Dubai 2025”, garojnë 121 ekipe nga 50 vende

29 January 2025 at 21:49

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Forcat speciale RENEA do të jenë pjesëmarrëse në kompeticionin “Swat Challenge Dubai 2025”, që do të zhvillohet nga data 1 deri më 5 shkurt 2025, në Dubai.

Ekipi i forcave speciale RENEA ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Dubai dhe është pritur nga përfaqësues të Policisë së Dubait.

Policia e Shtetit njofton se për këtë vit janë regjistruar për të marrë pjesë 121 ekipe të forcave speciale nga 50 shtete të ndryshme nga e gjithë bota.

Në këtë kompeticion zhvillohen gara taktike, qitje dhe ushtrime fizike midis forcave speciale elitë të përfaqësuara në këtë kompeticion.

Kjo është hera e katërt që forcat speciale RENEA përfaqësojnë Policinë e Shtetit në këtë kompeticion.

/a.f/r.e/

The post RENEA në “Swat Challenge Dubai 2025”, garojnë 121 ekipe nga 50 vende appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌