TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt ndjekësve në rrjetet sociale, se Partia Socialiste është shumica qeverisëse që nuk bën premtime elektorale në kohë fushatash, por ndan informacion rreth punëve të realizuara.
Një komentues shprehet se “të gjitha këto premtime para fushatës, në fakt duhet të bëhen mbrapa, pasi vetëm me gjobat e vendosura në Tiranë për parkimet në këto 13 vite do të ishte bërë Shqipëria lule”.
“I ke rënë lapsit, i ke parë sa janë? S’di çfarë të them, që të jemi shumë të qartë bashkë për një gjë, se kjo ka rëndësi: Ne jemi shumica që qeveris dhe do të vazhdojmë të qeverisim dhe ne nuk bëjmë premtime elektorale. S’kemi bërë as në 2021-shin, as në 2017-n, sepse në aspektin e punëve ne ndajmë informacion me publikun, është pjesë e punëve tona jo e ëndrrave tona”.
Sipas, kreut të qeverisë ëndrra është vetëm një: Shqipëria në BE. “Të gjitha të tjerat janë plane qeverisëse, nuk janë premtime në sensin që ta marrim njëherë votën pastaj shohim e bëjmë”, tha ai.
Një tjetër komentues i kujton Kryeministrit stilin e tij të veshjes. Rama thotë në përgjigjen e tij se çështja e stilit të tij të veshjes është e hershme, pasi nuk u bë 60 vjeç me kostume dhe tani ka vendosur të dalë me pizhame në rrugë për të manipuluar të rinjtë.
“Je komplet gabim dhe duhet të tërhiqesh mbrapa, jo shumë afër kënetës se kjo këneta këtu ka aftësinë që të thith dhe të bën qesharak”, tha Rama.
Komentuesi i radhës në platformat sociale, u shpreh Kryeministri “rri gjatë në pushtet, si fallxhori më i madh, por njerëzit duhet të hapin sytë”.
Kreu i ekzekutivit, në përgjigjen e tij ndaj komentuesit, e ftoi atë që të shohë rrotull dhe të gjejë një element ku Shqipëria është njësoj siç ka qenë kur qeverisa socialiste mori pushtetin.
“Më trego një gjë, ku Shqipëria është njësoj, se më keq, nuk ta pranoj fare. Po të ishte njësoj siç ishte, nuk ishim sot para derës së hapur të BE-së”, nënvizoi Rama.
“Mirë unë jam fallxhor dhe po të bëj ty magji, por është gjithë ajo strukturë, janë 1000 veta në Bruksel që lodhesh t’i numërosh, në të gjitha drejtoritë, sipas të gjitha fushave që merren me negociatat. 1000 nga ana jonë, 1000 nga ana tyre, ata nuk shohin atletet e mia, nuk dëgjojnë muhabetet e mia, ata shohin faktet, u referohen shifrave, ata kanë instrumente shkencore të matjes së progresit. Nuk merren me portale, prandaj thonë Shqipëria sot është “pararoja e Ballkanit””, pohoi Kryeministri.
/r.e//a.f/
The post Rama: Ne qeverisim, nuk bëjmë premtime elektorale. Ëndrra jonë është Shqipëria në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.