Normal view

Received — 6 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Partia e Lirisë protestë para SPAK për arrestimin e Metës: Jo drejtësi me regji

6 December 2024 at 12:50

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Partia e Lirisë zhvilloi sot protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e para protestë politike e zhvilluar ndonjëherë më parë në Shqipëri para godinës së SPAK.

Protesta u thirr nga qelia e paraburgimit nga vetë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pas arrestimit të këtij të fundit nga SPAK në tetor të këtij viti, pasi ky i fundit e akuzon për tre vepra penale.

Me pankartat, të cilat ishin të shkruara edhe në gjuhën angleze, “Jo drejtësi me regji”, “Altin Dumani mercenar i Rilindjes”, “SPAK turpi i reformës në Drejtësi”, mbështetësit e Partisë së Lirisë protestuan para godinës së SPAK.

Protesta kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi, deputetja Erisa Xhixho si dhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj, njëkohësisht anëtar i kryesisë së PL-së.

Në fjalën e tij sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.

“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral”, tha Blushi.

Blushi akuzoi kreun e SPAK si mercenar të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.

“Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinjitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës””, tha Blushi.

Për të siguruar rendin dhe shmangur përshkallëzimin e situatës, forca të shumta policie kanë rrethuan godinën SPAK.

Në protestë u vu re mungesa e figurave kryesore politike nga radhët e Partisë Demokratike.

Protestë e PL para SPAK, foto: Florian Abazaj
1 nga 5

vijon….

The post Partia e Lirisë protestë para SPAK për arrestimin e Metës: Jo drejtësi me regji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 December 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Karamata: Përafrim me legjislacionin e BE-së

4 December 2024 at 14:46

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zëvendësministri i Drejtësisë Klajd Karameta, prezantoi projektligjin për  “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Karameta tha se “shpejtësia e zhvillimit teknologjik dhe globalizimi kanë ndryshuar në mënyrë thelbësorë, për mënyrën si mblidhen e transferohen të dhënat personale duke i bërë asete të rëndësishme për shumë biznese si pjesë të aktiviteteve ekonomike”.

Sipas zëvendësministrit, procesi ka “sjellë mundësinë dhe rrezikun që të dhënat personale të qytetarëve të bëhen të aksesueshme dhe të shpërndahen nga persona të paautorizuar”.

“Kuadri ligjor nuk është i përfaruar me legjislacionin e ri të BE-së “për mbrojtjen e të dhënave personale”, u shpreh zëvendësministri.

Zëvendësministri theksoi se objektiv i projektligjit është harmonizimi dhe zbatimi standardeve të BE-së në fushën e mbrojtës së të dhënave personale.

Një tjetër objektiv, shtoi Karamata është “garantimi ndaj qytetarëve i një niveli më të lartë kontrolli për të dhënat tyre personale”.

“Garantimi i mbrojtjes së të dhënave në mënyrë sa më efektive. Sigurimi i mbikëqyrjes efektive të zbatimit të legjislacionit nëpërmjet forcimit të rolit të zyrës së Komisionerit. Garantimi i një trajtimi më të mirë të mbrojtjes së të dhënave lidhur me sfida e privatësisë në botë digjitale. Krijimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës”, tha Karameta.

Sipas zëvendësministrit, synohet “përfshirja e Shqipërisë në listën e shteteve për të cilat Komisioni Europian ofron sistem të përshtatur të mbrojtjes së të dhënave me qëllim që importimi i të dhënave nga BE-ja të kryhet lehtësisht”.

Deputetja Ermonela Felaj, në cilësinë e relatores tha se ligji aktual është një ligj goxha i hershëm.

“Më duket më se e arsyeshme që Këshilli i Ministrave dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të paraqiten me një ligj. Synohet që qytetarëve shqiptar t’u garantohen standarde më të larta në fushën e mbrujtjes së të dhënave personale”, tha Felaj. /j.p/

The post Projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Karamata: Përafrim me legjislacionin e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sulmet në veri të Kosovës, Meta: BE dhe SHBA të ushtrojnë presion ndaj Beogradit

30 November 2024 at 14:19

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar “sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka theksuar se këto sulme janë të orkestruara nga bandat e dirigjuara nga Serbia, duke nënvizuar se Serbia ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, në Komunën e Zveçanit dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe Korporata Energjitike e Kosovës. Ky sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe ndër më të rëndësishmet të Kosovës, vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, që ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale”, shkruan Meta.

Meta akuzon Serbinë për mbështetje të strukturave kriminale dhe për mungesë të vullnetit për të respektuar marrëveshjet me Prishtinën.

“Fajin dhe përgjegjësinë për këto sulme terroriste nuk e ka formati ekzistues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por mungesa e plotë e vullnetit të Beogradit zyrtar për respektimin e marrëveshjeve me Prishtinën zyrtare, si edhe marrja zyrtarisht në mbrojtje nga Serbia të strukturave kriminale, me në krye Millan Radojçiçin, që mbështeten nga institucionet serbe, që kanë glorifikuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, si edhe nga ata shqipfolës, që i mbajnë ison Serbisë, që mbështesin dhe implementojnë nisma proserbe si “Ballkani i Hapur” apo që fajësojnë dhe penalizojnë qëndrimet parimore dhe patriotike të Qeverisë së Kosovës, siç ka vepruar dhe vepron çdo ditë Edi Rama”, shkruan Meta.

Meta i ka kërkuar faktorit ndërkombëtar që të ushtrohet presion ndaj Beogradit për të hequr dorë nga këto akte kriminale, që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Partia e Lirisë, në mbështetje të palëkundur të popullit dhe institucioneve, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t’i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, e përmbyll Meta reagimin. /j.p/

The post Sulmet në veri të Kosovës, Meta: BE dhe SHBA të ushtrojnë presion ndaj Beogradit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta uron 80-vjetorin e Çlirimit: Të rinjtë të marrin më shumë përgjegjësi për të garantuar të ardhmen

29 November 2024 at 11:16

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.

“Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, mirënjohja dhe respekti i pakufijshëm shkon për të gjithë martirët e luftës për liri, për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët megjithëse në moshë tepër të re sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë”, shkruan Meta në mesazhin e tij në rrjetet sociale, ndërkohë që ndodhet në qeli pas vendimit të GJKKO-së për “arrest me burg”.

Meta theksoi se të rinjtë duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut.

“Sot të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht në këto kohë jo të lehta për vendin, kanë një detyrë po aq të madhe dhe historike, sa edhe bashkëmoshatarët e tyre tetë dekada më parë, që të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut, të rrezikuar nga tradhtarët e kombit që shesin kufijtë e Shqipërisë, që dëshmorët i mbrojtën me gjak, nga grabitqarët e pashpirt të pronës dhe interesit publik, si dhe nga kolonizatorët e rinj të juntës sorosiane që kërkojnë të zhbëjnë vlerat kombetare, familjare dhe të shtetit të së drejtës”, u shpreh Meta në mesazhin e tij.

/m.m/r.e/

The post Meta uron 80-vjetorin e Çlirimit: Të rinjtë të marrin më shumë përgjegjësi për të garantuar të ardhmen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta uron 28 Nëntorin: Të bashkuar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa

28 November 2024 at 09:39

TIRANË, 28 Nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar sot nga burgu të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Meta përkujton figurat historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari, duke theksuar rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe mbrojtjes së idealeve të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, shkruan Meta.

“Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit”, tha Meta.

Ai bëri thirrje për angazhim dhe patriotizëm në mbrojtjen e vlerave dhe realizimin e aspiratave të nisura nga etërit e Pavarësisë për të ndërtuar një Shqipëri si gjithë Europa.

“Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.
Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ata ndodhen!”, përfundon Meta.

/a.f/

The post Meta uron 28 Nëntorin: Të bashkuar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lirimi i Berishës, Meta: Përgëzime për liderin e PD-së

27 November 2024 at 11:50

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të liruar nga arresti shtëpiak, kreun e PD-së, Sali Berisha. Meta përshëndet vendimin e GJKKO-së dhe thotë se “Berisha, por edhe qytetarët duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës”.

“Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës!

Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA”, shprehet Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Meta thekson se vendimi i Strasburgut e ka klasifikuar “rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme”.

“Desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare”, thekson Meta.

/r.e//a.f/

The post Lirimi i Berishës, Meta: Përgëzime për liderin e PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta, letër shtabit të PL-së për Tiranën: Bashkëveprim me të gjithë opozitarët e vërtetë

25 November 2024 at 21:06

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu drejtua pasditen e sotme me një letër publike shtabit drejtues të Tiranës, duke u ndalur tek Reforma në Drejtësi, që sipas tij, pësoi metamorfozë nga e votuar me 140 vota në një Ramaformë që instaloi grushtin e shtetit.

Ky grusht shteti, sipas Metës, ekzekutohet çdo ditë jo vetëm përmes një qeverie arbitrare, të dhunshme e bullizuese ndaj qytetarëve, por edhe përmes një junte spakistësh të cilët dhunojnë Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kanë asgjësuar pavarësinë e gjykatave në çdo nivel, përfshirë edhe atë të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Metës,  edhe buxheti 2025 është më antisociali dhe mizori për shumicën e qytetarëve e sidomos për 700.000 pensionistët që do të varfërohen më tej, për shumicën dërrmuese të punonjësve dhe një goditje e pamëshirshme ndaj bujqësisë dhe prodhimit vendas.

“Është thjesht një projekt për megavjedhje të reja të parave publike përmes disa klientëve”, u shpreh ai.

Ndaj, sipas Metës, edhe Partia e Lirisë ka përgatitur amendamentet për rishikimin e buxhetit.

Sipas Metës, e vetmja rrugë që mundëson programin e Partisë së Lirisë është përballja me atë që e cilësoi narkoregjim.

“Të shumëfishojmë forcat dhe bashkëveprimin me njëri tjetrin dhe të gjithë opozitarët e vërtetë për të shporrur këtë pakicë të instaluar përmes krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Meta.

The post Meta, letër shtabit të PL-së për Tiranën: Bashkëveprim me të gjithë opozitarët e vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Basha: Berisha dhe Meta vetëdolën në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia

24 November 2024 at 16:10

TIRANE, 24 nëntor/ATSH/ Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha bëri thirrje për një bashkim të të gjithëve që duan të largojnë Ramën dhe të ndërtojnë një alternativë të vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë, duke ofruar programin dhe ekipin e Demokratëve Euroatlantikë si një mundësi për të zhbërë çdo marrëveshje të korruptuar.

Në një intervistë për televizionin MCN, Basha theksoi se qëndrimet e tij dhe të partisë së tij nuk vijnë nga interesat e askujt, por janë parimore dhe të vërtetuara nga koha.

Basha e përjashtoi kategorikisht koalicionin me Berishën. “Dera e Demokratëve Euroatlantikë mbetet e hapur për çdo faktor opozitar që refuzon qeverisjen e korruptuar dhe marrëveshjet e fshehta me disa pjesë të opozitës”, tha ai.

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL, Ilir Meta, kanë dalë në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia, dhe nuk janë të izoluar nga SPAK-u.

Basha shtoi se ata që mbështesin Berishën dhe Metën shpresojnë të përfitojnë nga situata e tyre në raport me drejtësinë dhe faktorët ndërkombëtarë, duke theksuar se shqiptarët nuk mund të mashtrohen nga këto veprime.

Ai gjithashtu nënvizoi se është një pjesë e opozitës që është marrë peng nga individë me probleme me drejtësinë.

The post Basha: Berisha dhe Meta vetëdolën në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Londra ‘vishet’ kuqezi në boks, Alban Bermeta dhe Nelson Hysa fitojnë me ‘K.O.’

23 November 2024 at 17:10

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Në ‘York Hall Arena’ të Londrës dy boksierët nga Shqipëria, Alban Barmeta dhe Nelson Hysa fituan ndeshjen respektive me knockout, duke veshur kuqezi arenën, me shumë bashkëkombas që i mbështetën.

Nelson Hysës i mjaftoi vetëm një raund e gjysmë për të gjunjëzuar me knockout kundërshtarin e tij për peshat super të rënda, argjentinasin Brakamonte. Një super paraqitje kjo e Nelsonit i cili mbi 90% të ndeshjeve të tij që janë të gjitha fitore, i ka me knockout.

Pasi e rrëzoi dy herë kundërshtarin, për argjentinasin ishte e pamundur për të qëndruar në superndeshjen e mbrëmjes së gjatë, që startoi në arenën më të famshme të boksit në Londër.

Boksieri nga Tirana, Alban Bermeta arriti të fitojë po me knockout përballë kampionit të Bullgarisë Mario Verger. Pas 4 raundesh nga 8 që do të zhvilloheshin, Bermeta arriti të hedh me knockout kampionin e Bullgarisë në Your Hall Arena duke e çuar në 14 numrin e fitoreve me KO nga 18 ndeshjeve të fituara, ndërkohë që nuk ka asnjë humbje.

The post Londra ‘vishet’ kuqezi në boks, Alban Bermeta dhe Nelson Hysa fitojnë me ‘K.O.’ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita e Alfabetit, Meta: Gjuha shqipe u shkrua me gërma gjaku

22 November 2024 at 10:59

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përcolli sot urimin me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Gëzuar të gjithë shqiptarëve Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë më të bukur në botë, të shkruar me gërma gjaku dhe plot sakrifica heroike të intelektualëve dhe patriotëve tanë!”- shkruan Meta.

“Mirënjohje përjetë kolosëve të gjuhës shqipe dhe Rilindasve të vërtetë të kombit, që në Kongresin e Manastirit, njehsuan 116 vite më parë elementin më të rëndësishëm përbashkues të shqiptarëve duke i paraprirë shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë”- shkruan kreu i Partisë së Lirisë.

Kjo është hera e parë që 22 Nëntori festohet si festë zyrtare dhe iniciativa u mor në vijim të diskutimeve në samitin e diasporës, që zhvilloi punimet në Tiranë në nëntor të vitit të shkuar.

Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti. Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare.

Kjo ditë vjen në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908. Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. /j.p/

The post Dita e Alfabetit, Meta: Gjuha shqipe u shkrua me gërma gjaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta thirrje simpatizantëve të PL-së: Protesta paqësore para SPAK

20 November 2024 at 18:04

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për tre vepra penale, u ka bërë thirrje nga burgu simpatizantëve të tij që të protestojnë para Prokurorisë së Posaçme.

Nëpërmjet një letre, e cila u bë publike për mediat, nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, Meta u ka kërkuar anëtarëve, simpatizantëve dhe Kryesisë së Partisë së Lirisë që të nisin protestat paqësore periodike para SPAK.

Sipas Metës protestat do të zhvillohen për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të SPAK në dosjen kundër tij dhe për të denoncuar aferat skandaloze të Edi Ramës që SPAK nuk i heton.

Letra vjen një ditë pasi Apeli i GJKKO-së vendosi ta lërë në burg Metën, i cili u arrestua më 21 tetor, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

/a.f/

The post Meta thirrje simpatizantëve të PL-së: Protesta paqësore para SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Asnjë fakt penal ndaj Ilir Metës, procesi tërësisht politik

20 November 2024 at 15:16

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se sot, procesi gjyqësor ndaj presidentit të kësaj partie, Ilir Meta është politik. Sipas Blushit, është e nevojshme që shqiptarët të sqarohen për këtë dosje, edhe pse hetimi është i paligjshëm dhe izolimi tërësisht politik.

Në një konferencë për mediet së bashku me anëtarin e Kryesisë Av.Genc Gjokutaj, Blushi sqaroi ato që i cilësoi argumente të pakundërshtueshme pse hetimi i paligjshëm, rrëmbimi kriminal dhe izolimi politik me masë ekstreme i Presidentit të Partisë së Lirisë, partisë së dytë opozitare në vend dhe partisë së tretë prej 20 vitesh, Ilir Meta është kryekëput një proces i neveritshëm politik.

“Tërësisht i papranueshëm dhe totalisht mafioz, i pabazuar në ligj, në shkelje flagrante të Kushtetutës, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, krejtësisht i pambështetur në asnjë dokument, në asnjë fakt penal dhe në asnjë provë, në dhunim brutal dhe të plotë të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të një procesi të rregullt ligjor”, u shpreh Blushi.

Për Blushin, dosja hetimore ndaj Metës është e sponsorizuar nga armiqtë e mëdhenj të Shqipërisë kundër Presidentit Meta, pa asnjë fakt apo provë.

“Dosja e fëlliqur dhe e sponsorizuar nga armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar kundër Presidentit Meta, që nuk ka asnjë fakt penal dhe asnjë provë ndaj tij, vërteton botërisht se drejtësia e sorosifikuar nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial”, vijoi ai.

“Presidenti i Partisë së Lirisë është sot i burgosur politik vetëm për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë”, tha Blushi. /j.p/

The post Blushi: Asnjë fakt penal ndaj Ilir Metës, procesi tërësisht politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ankimuan masat e sigurisë, Meta e Kryemadhi në Apelin e GJKKO

19 November 2024 at 12:12

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Në Gjykatën e Posaçme të Apelit zhvillohet këtë të martë seanca për shqyrtimin e ankimit të bërë nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

E paraqitur në Apelin e GJKKO, Kryemadhi u tha gazetarëve “u mësuam tani” ndërsa ata i kërkuan koment për paraqitjen e saj sot.

Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është me masë sigurie arrest në burg, ndërsa Kryemadhi me masë detyrim paraqitje. Të dy i kanë ankimuar masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre, duke kërkuar lirinë.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare. /j.p/

The post Ankimuan masat e sigurisë, Meta e Kryemadhi në Apelin e GJKKO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Kam qenë koherent me Reformën në Drejtësi përballë grushtit të shtetit

15 November 2024 at 20:08

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga ambientet e burgut 313 përmes një shkrimi në rrjetet e tij sociale. Meta theksoi në shkrim se “tymnajat e propagandës rilindase, nuk mbulojnë dot faktet dhe të vërtetat që provojnë qëndrueshmërinë e Metës përballë Reformës në Drejtësi gjatë roleve publike që ka pasur në politikën shqiptare ndër vite”.

“Tymnajat nuk mbulojnë dot faktet dhe të vërtetat e mëdha, që provojnë koherencën e Ilir Metës në raport me Kushtetutën në çdo kohë e sidomos me Reformën në Drejtësi, që në mënyrë antikushtetuese u kthye në Ramaformë si një kobure në duart e tij për të asgjësuar kundërshtarët kryesorë politikë dhe garantuar pandëshkueshmërinë e tij”, tha Meta.

Ai e përshkroi rolin e tij si kryetar i Kuvendit dhe kryetar i LSI-së, si faktor përcaktues i mazhorancës në atë periudhë. “U ra dakord për Reformën në Drejtësi me kusht që ajo të ekzaminohej dhe certifikohej nga Komisioni i Venecias”, shtoi Meta.

“Edhe kështu u bë dhe u votua, pavarësisht nga lojërat e Edi Ramës dhe McGonigalëve nga të dyja brigjet e Atlantikut. Edhe kur Edi Rama bashkë me ata e prishi konsensusin që ishte arritur më parë falë insistimit tim dhe bllokuan Komisionin e Reformës Zgjedhore të mblidhej për të reflektuar konsensusin që ishte arritur, përsëri i keni të dokumentuara me zë e figurë momentet kur unë si Kryetar i Kuvendit ndërpreva seancën plenare dhe i thirra të dy ambasadorët që ishin në lozhë (të SHBA dhe BE), si edhe Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për t’u takuar për të kuptuar se kush po prishte konsensusin. Dihet se i vetmi që nuk erdhi ishte Edi Rama pasi ai qëndronte pas gjithë kësaj intrige, që synonte kapjen e sistemit të drejtësisë direkt përmes ndryshimeve kushtetuese, gjë që nuk e arriti dot atëherë, ndaj u votua me 140 vota”, theksoi Presidenti i PL-së.

Meta nuk i ndali akuzat për bashkëpunimet mes Prokurorëve, Këshillit të Lartë Drejtues dhe McGonigal.

“Por kuptohet, ai së bashku me McGonigalët e tij e arritën qëllimin më vonë dhe hap pas hapi”, tha Meta duke sjellë si argument, sipas tij, zgjedhjen antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku,

Sipas Metës, “opozita jo vetëm që nuk ndërmori asnjë hap për të parandaluar skenarin e lexueshëm të Ramës për kapjen e Prokurorisë, por edhe pasi hodhi shashka tymuese në sallën e Kuvendit kur u zgjodh Arta Marku me 69 vota, nuk u ankua në Gjykatën Kushtetuese edhe pse ajo ishte ende funksionale dhe shkelja e Kushtetutës ishte shumë flagrante”.

Meta theksoi se “zvarritja e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese prej vitesh, konfliktet e hapura e të panevojshme President-Parlament nuk ishin pasoja dhe cenimi i besueshmërisë të institucionit më të rëndësishëm që mund të ketë një vend demokratik i vërtetë, që është Gjykata Kushtetuese”.

Sipas tij, djegia e mandateve të opozitës e përshpejtoi kapjen totale jo vetëm të drejtësisë, por edhe të gjithë institucioneve të tjera të pavarura në vend.

“Ndaj për të gjithë ata që përrallisin se mirë t’i bëhet Ilir Metës se vetë e votoi Reformën, përgjigja ime është se jam krenar që kam kundërshtuar në çdo moment këtë grusht shteti që ndodhi në vendin tonë dhe këtë betejë do ta vazhdoj deri në çmontimin e tij. Denoncimet e mia të vazhdueshme ndaj kapjes së Reformës në Drejtësi dhe instalimit të grushtit të shtetit sigurisht që do kishin dhe do të kenë pasojat e tyre edhe për mua, të cilave as u jam shmangur dhe as do t’u shmangem ndonjëherë”, tha Meta.

Meta u ndal sërish te momenti i arrestimit të tij, duke e quajtur atë “një rrëmbim dhe tregues i grushtit të shtetit, ku SPAK nxjerr urdhër-arrestin të bazuar në një ligj që është shfuqizuar 4 vite më parë”.

Ai shtoi se SPAK pret që të shpërblehet pas zgjedhjeve në maj 2025 me një mandat tjetër 9-vjeçar. /j.p/

The post Meta: Kam qenë koherent me Reformën në Drejtësi përballë grushtit të shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta: Po synohet shkatërrimi i opozitës së vërtetë

14 November 2024 at 22:58

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se po synohet tjetërsimi i vullnetit politik të shqiptarëve dhe shkatërrimi i opozitës së vërtet.

Në një intervistë televizive nga ambientet e burgut 313 ndërsa është në hetim nga SPAK për tre vepra penale, Meta u shpreh se “edhe arrestimi i Berishës si lider i PD edhe rrëmbimi im politik janë pjesë e një skenari të vetëm, atij të tjetërsimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe shkatërrimit të opozitës së vërtetë, për të garantuar pandëshkueshmërinë e qeverisë më të korruptuar në kontinent”.

“SPAK është një kobure në duart e regjimit i cili është i pashpresë”, tha Meta.

I pyetur për akuzat që rëndojnë ndaj tij, Meta tha se nuk ka asnjë akuzë zyrtare të ngritur ndaj tij.

“Çdo gjë bazohet vetëm në hamendësime dhe në deklarata dhe kallëzime të personave të inkriminuar dhe me probleme me drejtësinë. Po jua përsëris që nuk kanë asnjë akuzë, asnjë provë apo fakt penal kundër meje, prezumohem i pafajshëm dhe në këto kushte dënimi ekziston vetëm në mendjet perverse të atyre që e ideuan dhe ekzekutuan këtë plan rrëmbimi politik për të përjetësuar Shqipërinë si koloni të Sorosit dhe mafias ndërkombëtare”, tha ai.

I pyetur mbi qëndrimin e ashpër ndaj ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhi, Meta tha se “qëndrimet e mia për çështje parimore janë të prera dhe pa kompromis”.

“Lidhur me përgjegjësitë ligjore ato janë individuale dhe jo kolektive apo të transferueshme. Qëndrimet e saj mediatike dhe ligjore janë pjesë e konceptit të mbrojtjes së saj për mbrojtjen dhe nuk më shërbejnë aspak mua. Ajo që më shërben dhe më duhet mua është e vërteta dhe ajo është me mua”, shtoi ai. /m.m/j.p/

The post Meta: Po synohet shkatërrimi i opozitës së vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Komisioni Evropian gjobit “Meta” me afro 800 milionë euro

14 November 2024 at 17:55

BRUKSEL, 14 nëntor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka gjobitur “Meta” – kompaninë mëmë të “Facebook” – me 797,72 milionë euro, për shkelje të ligjit të konkurrencës të BE-së në përfitim të Facebook Marketplace.

“Shkeljet antitrust lidhen me abuzimin e “Meta” – me pozicionin e saj dominues në treg në rrjetet e medieve sociale dhe në reklamat në internet”, thuhet në një deklaratë të Bashkimit Evropian.

“Meta lidhi shërbimin e saj të reklamave të klasifikuara në internet “Facebook Marketplace” me rrjetin e saj personal social “Facebook” dhe vendosi kushte të padrejta tregtare ndaj ofruesve të tjerë të shërbimeve të reklamave të klasifikuara në internet”, tha komisionerja e Konkurrencës e BE-së, Margrethe Vestager.

“Kompania e bëri këtë për të përfituar nga shërbimi i vet “Facebook Marketplace”, shtoi Vestager.

“Kjo është e paligjshme sipas rregullave antitrust të BE-së. Meta tani duhet ta ndalojë këtë taktikë”, tha ajo. //a.i/

The post BRUKSEL – Komisioni Evropian gjobit “Meta” me afro 800 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karameta: Përmirësimi i kornizës ligjore, kyç për një konkurrencë më të fortë ekonomike në Evropë

14 November 2024 at 12:44

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Zv. Ministri i Drejtësisë, Klajd Karameta mori pjesë në konferencën “Konkurrenca Ligjore – Instrumentet e Ligjit për një Evropë më Konkurruese,” e organizuar nga Presidenca Hungareze, ku theksoi rëndësinë e përmirësimit të kornizës ligjore për një konkurrencë më të fortë ekonomike në Evropë.

Eventi u përqendrua në tema kyçe si përmirësimi i ligj-bërjes, lehtësimin e rregulloreve dhe integrimin e teknologjisë ligjore (LegalTech) dhe Inteligjencës Artificiale.

Konferenca bashkoi ministra të drejtësisë nga vendet e BE-së, përfaqësues të shteteve kandidate për anëtarësim, si dhe ekspertë të fushës ligjore, përfshirë gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut.

/a.f/

The post Karameta: Përmirësimi i kornizës ligjore, kyç për një konkurrencë më të fortë ekonomike në Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë ankimimin e masës së sigurisë ndaj Metës e Kryemadhit

11 November 2024 at 18:38

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar gjyqtaren e cila do të shqyrtojë ankimimin e masës së sigurisë ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta si dhe të deputetes Monika Kryemadhi.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Igerta Hysi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi”- njofton Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Ilir Meta, ish-president i vendit u arrestua me urdhër të SPAK më 21 tetor të këtij viti. Ndaj tij gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” dhe akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv si dhe mosdeklarim pasurie.

Për Kryemadhin gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim me paraqitje, ndërsa akuzohet për të njëjtat vepra penale si ish-bashkëshorti i saj.

Po ashtu e njëjta gjyqtare, Igerta Hysi, do të shqyrtojë edhe ankimimin ndaj masës së sigurisë për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja si dhe kunatit të tij Ahmet Masha. /j.p/

The post Caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë ankimimin e masës së sigurisë ndaj Metës e Kryemadhit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Meta: Buxheti 2025 shton varfërinë dhe korrupsionin

11 November 2024 at 16:54

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025, për të cilin thotë se është më antisociali, që shton varfërinë dhe korrupsionin.

Në një postim në rrjetet sociale, nga burgu ku ndodhet i arrestuar me urdhër të SPAK, Meta shkruan se pensionistët do të diskriminohen më tej me këtë buxhet.

“Fondi për politika të reja pensionesh për vitin 2025 parashikohet vetëm 1.6 miliard lekë ose rritje me 0.9% të fondit total të sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë se pensionet nuk do të rriten as 1% kur vetëm niveli i inflacionit i parashikuar për vitin 2025 është 3%”- shkruan Meta.

Më tej kryetari i PL-së, shkruan se me këtë buxhet do të ketë edhe ulje të fondeve të kujdesit social përfshi dhe për familjet në ndihmë ekonomike që jetojnë në varfëri të tejskashme.

“Nga 26,1 miliard lekë në vitin 2024, në 23,7 miliard lekë në vitin 2025”- shkruan Meta.

Sipas Metës, e gjithë rritja ekonomike që është kontribut i të gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve do të shkojë për investimet publike korruptive me kosto shumë herë mbi realen për të rritur korrupsionin.

“Rritja ekonomike do të shkojë për projektet PPP me mbështetje buxhetore për të vjedhur qytetarët, si dhe do shkojë për të rritur shpenzimet administrative të luksit”- shkruan Meta. /j.p/

The post Meta: Buxheti 2025 shton varfërinë dhe korrupsionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arrestimi i Metës, Blushi: Policia refuzoi të japë informacion, kallëzim penal për Prodën dhe Hoxhën

7 November 2024 at 16:05

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deklaroi se do të bëjnë një kallëzim penal kundër drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe ministrit të Brendshëm, pasi sipas tij kanë refuzuar që të japin informacion mbi arrestimin e Ilir Metës, kreut të partisë, më 21 tetor.

Blushi akuzoi policinë se po mbron veprimet e paligjshme dhe se nuk po ofron asnjë provë ose informacion mbi ngjarjen.

Blushi e cilësoi përgjigjen e drejtorit të policisë si të pamjaftueshme, duke theksuar se kjo fshehtësi dëmton sundimin e ligjit dhe demokracinë në vend.

“Kjo përgjigje që nuk vlen të merret në konsideratë, në fakt nuk është gjë tjetër veçse mbrojtja që narkodrejtori i Policisë së Shtetit do të duhet të bëjë nga sot e në vijim në Prokurori dhe në Gjykatë”- tha Blushi.

Sipas tij, Partia e Lirisë do të ndjekë hapa të tjerë ligjorë për t’i depozituar kallëzimet në organet e drejtësisë për të kërkuar hetim të plotë të kësaj çështjeje.

“Hetimi i plotë i kësaj çështjeje dhe respektimi i të drejtave kushtetuese janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Shqipëri. Ndaj në këto kushte, kur narkopolicia e Edi Ramës, refuzon të kthejë përgjigje për të gjitha kërkesat që ne i kemi parashtruar dhe i kemi bërë publike, kur refuzon te vendosë në dispozicion provat për gjoja faktet që ajo pretendon, jemi të detyruar që të vazhdojmë hapat e tjerë ligjorë, kallëzim penal”- tha Blushi. /j.p/

The post Arrestimi i Metës, Blushi: Policia refuzoi të japë informacion, kallëzim penal për Prodën dhe Hoxhën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌