Normal view

Received — 21 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ulet ndjeshëm koha e pritjes për CT, MRI dhe koronarografinë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot, se reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin shëndetësor po sjellin rezultate konkrete për qytetarët.

Treguesit e 6-mujorit të parë të vitit 2026 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale konfirmojnë se reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin shëndetësor po japin rezultate konkrete, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes për disa nga shërbimet më të kërkuara diagnostikuese dhe procedurat e specializuara.

Sipas të dhënave, koha mesatare e pritjes për kryerjen e skanerit është ulur në 7.8 ditë, nga 24.3 ditë që ishte në vitin 2025.

Edhe për rezonancën magnetike, koha e pritjes është reduktuar nga 80.3 ditë në vitin 2025 në 72.3 ditë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.

Përmirësimi më i ndjeshëm është regjistruar në shërbimin e koronarografisë, ku koha e pritjes ka rënë nga 111 ditë në vitin 2025 në 46 ditë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.

Reduktimi i kohës së pritjes është rezultat i masave të ndërmarra për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e organizimit të shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit në sistemin shëndetësor, me qëllim garantimin e një aksesi më të shpejtë dhe cilësor për qytetarët.

/e.i/j.p/

The post Ulet ndjeshëm koha e pritjes për CT, MRI dhe koronarografinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjendet trupi i 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat, pranë Urës së Vashës, në bashkinë Klos.

Operacioni u zhvillua nën drejtimin e prefektit të Qarkut Dibër dhe koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me angazhimin e rreth 90 forcave dhe vullnetarëve nga strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor.

Në kërkime morën pjesë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, RENEA-s, polumbarë, zjarrfikës, ekipe të kërkim-shpëtimit, si dhe vullnetarë.

Mbështetje në operacion dhanë edhe ekspertë dhe forca të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

Pas kërkimeve intensive dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, trupi i 35-vjeçarit u gjet pranë Urës së Vashës.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, kur i riu Erkin Lika ishte duke kryer ngjitje me litar dhe dyshohet se ka humbur ekuilibrin, duke rënë në ujërat e lumit. 35-vjeçari ishte pjesë e ekipeve të shpëtimit për alpinistët dhe eksploruesit e shpellave.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, ndërsa falënderoi të gjitha strukturat, ekspertët dhe vullnetarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.

1 nga 5

/gj.m/r.e/

The post Gjendet trupi i 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

ISHP: Me rëndësi njohja e hershme e simptomave të depresionit

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik deklaroi ditën e sotme, se depresioni nuk shfaqet gjithmonë në forma të dukshme. Në shumë raste, vështirësitë emocionale mund të fshihen pas angazhimeve të përditshme, suksesit profesional apo një pamjeje të jashtme që duket normale për të tjerët.

Sipas ISHP-së, çrregullimi madhor depresiv dhe depresioni me funksionalitet të lartë ndryshojnë kryesisht në mënyrën se si shfaqen dhe sa të dukshme janë simptomat, dhe jo domosdoshmërisht në thellësinë e vuajtjes që përjeton personi.

Ndërsa, çrregullimi madhor depresiv mund të ndikojë më hapur në funksionimin e përditshëm, duke vështirësuar punën, marrëdhëniet sociale apo aktivitetet bazë, depresioni me funksionalitet të lartë shpesh mbetet i padukshëm.

“Personat që përballen me të mund të vazhdojnë rutinën e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të duken mirë në sytë e të tjerëve, ndërsa përjetojnë vështirësi të brendshme emocionale. Mosnjohja e këtyre formave të depresionit mund të sjellë vonesa në kërkimin e ndihmës, si dhe minimizimin e përvojës së personit që përballet me to”, thuhet në postimin e ISHP-së.

Pavarësisht mënyrës së shfaqjes, ISHP nënvizon se depresioni kërkon vëmendje, mbështetje dhe trajtim të përshtatshëm. Njohja e shenjave të para dhe konsultimi me profesionistë të shëndetit mendor mund të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e mirëqenies dhe cilësisë së jetës.

Sipas ISHP-së, ndërhyrja e hershme nuk lidhet vetëm me përballimin e simptomave, por edhe me rikthimin e ekuilibrit emocional, zhvillimin e potencialit personal dhe ndërtimin e një jete më të shëndetshme.

Në një kohë kur shëndeti mendor po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në politikat shëndetësore, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i paragjykimeve mbeten hapa të rëndësishëm për t’u siguruar njerëzve mbështetjen që u nevojitet.

/e.i/j.p/

The post ISHP: Me rëndësi njohja e hershme e simptomave të depresionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ndryshon edhe formati i Kategorisë së Parë duke nisur nga edicioni 2027/2028, KE aprovon vendimin

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv, një nga vendimet e miratuara lidhet me propozimin e ardhur nga Departamenti i Garave për ndryshimin e formatit të kampionatit “Kategoria e Parë” për sezonet futbollistike 2027/2028 dhe 2028/2029, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kampionateve dhe ruajtjen e interesit sportiv gjatë gjithë sezonit.

Departamenti i Garave ka propozuar që ky edicion mos të ketë asnjë ndryshim dhe kampionati të vazhdojë sipas formatit me 3 faza të rregullta dhe 33 javë kampionat.

Vendi i 1-rë dhe i 2-të i Kategorisë së Parë do të ngjiten automatikisht në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë play-off do të zhvillojnë fazën gjysmëfinale sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e çifteve do të përballen në finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kategorinë “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.

Ekipi finalist do të përballet në një takim vendimtar me vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore” play-out për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në elitën e futbollit në edicionin e ardhshëm.

Ndërkaq, për edicionet 2027/2028 dhe 2028/2029, është propozuar që skema e kampionatit të jetë e njëjtë si strukturë me skemën e kampionatit “Abissnet Superiore.

Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me 12 skuadra që do të luajnë përgjatë 22 javëve. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garë. Skuadra e renditur në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028 dhe do të ngjitet automatikisht në “Abissnet Superiore”. Edhe ekipi i renditur në vendin e dytë të play-off do të ngjitet në kampionatin elitë.

Po ashtu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy skuadrat e renditura në dy vendet e fundit  do të bien automatikisht në Kategorinë e Dytë për sezonin pasardhës.

Skuadrat e renditura në vendet 3 dhe 4 të parafundit të fazës play-out në Kategorinë e Parë do të zhvillojnë ndeshje me ekipet e play-off të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe B.

Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë play-off do të zhvillojnë fazën gjysmëfinale sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e çifteve do të përballen në finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të përballet në një takim vendimtar me vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore” play-out për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në elitën e futbollit në edicionin e ardhshëm.

The post Ndryshon edhe formati i Kategorisë së Parë duke nisur nga edicioni 2027/2028, KE aprovon vendimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita Botërore e Sklerozës Multiple, Kuqo apelon për vigjilencë: Prekë edhe fëmijët apo të rinjtë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Skleroza Multiple është një sëmundje kronike e sistemit nervor, e lidhur me çrregullimin e sistemit imunitar, që mund të prekë kryesisht të rinjtë, por edhe fëmijët apo personat mbi 50 vjeç.

Neurologu Dr. Altin Kuqo në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Ditën Botërore të Sklerozës Multiple, apelon për vigjilencë ndaj simptomave dhe thekson rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.

“Është një sëmundje që në bazë ka çrregullimin e sistemit imun, i cili krijon inflamacion dhe më pas pasohet nga një proces tjetër, neurodegjenerimi. Këto qeliza nervore fillojnë të dëmtohen”, shpjegon Kuqo.

Sipas tij, dëmtimi fillon nga mbështjellësi i mielinës dhe më pas prek vetë qelizat nervore, duke ulur numrin e tyre dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së pacientëve.

Skleroza Multiple konsiderohet një sëmundje multifaktoriale, pa një shkak të vetëm specifik. Në zhvillimin e saj ndikojnë faktorët gjenetikë, ambientalë dhe ata të stilit të jetesës, si duhanpirja, konsumimi i alkoolit, stresi dhe mënyra e ushqyerjes.

Neurologu rendit si shenja tipike të sëmundjes humbjen e shikimit, çrregullimet e të folurit, vështirësinë në shqiptimin e fjalëve të gjata, pamundësinë për të lëvizur gjymtyrët, si edhe çrregullimet urinare apo mosmbajtjen e urinës.

“Shenja të kësaj natyre janë tipike për Sklerozën Multiple”, thekson ai.

Lidhur me grupmoshat më të prekura, Dr. Kuqo shprehet se më shpesh sëmundja diagnostikohet tek të rinjtë në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës, megjithatë sot evidentohen edhe forma pediatrike apo raste pas moshës 50-vjeçare.

“Gama moshore është e gjerë, por më shumë se dy të tretat e pacientëve i përkasin grupmoshës 30–40 vjeç”, nënvizon neurologu.

Megjithëse është një sëmundje kronike, Skleroza Multiple është e trajtueshme dhe, sipas specialistit, trajtimi i duhur mundëson një cilësi shumë të mirë jete për pacientët.

“Mjafton të themi se jetëgjatësia e personave me këtë diagnozë mund të zgjasë edhe mbi 40 vite të tjera”, përfundon Dr. Altin Kuqo.

/e.i/a.f/

The post Dita Botërore e Sklerozës Multiple, Kuqo apelon për vigjilencë: Prekë edhe fëmijët apo të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Livadhet e Ketit” perlë natyrore në Mat

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Livadhet e Ketit në Mat janë kthyer në një destinacion të kërkuar për vizitorë vendas e të huaj, të cilët zgjedhin të eksplorojnë natyrën.

E konsideruar si një nga zonat më piktoreske në Shqipëri, livadhet e Ketit ndodhen vetëm 30 minuta nga Tirana, në zonën e Xibrës në Mat.

Rruga e Arbrit ka shkurtuar ndjeshëm distancën për ta vizituar këtë perlë natyrore të Matit.

Për të shkuar deri atje ngjitja bëhet në këmbë në mal, ku gjatë gjithë rrugës shoqëron peizashi mahnitës i natyrës së paprekur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga vizitorët që kanë zgjedhur ta kalojnë pranë natyrës Festën e Bajramit.

“Thjesht, pastër, bukur”, shkruan Rama krahas pamjeve.

Në këtë sezon, livadhet mbulohen nga lulëzimi i Narcissus, duke krijuar një peizazh magjik.

Nuk është rastësi që këtë periudhë zona vizitohet nga shumë njerëz që kërkojnë një arratisje mes natyrës dhe qetësisë.

/m.m/ /a.g/

The post “Livadhet e Ketit” perlë natyrore në Mat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rizzo: Reforma kadastrale, gur themeli i mirëqeverisjes

TIRANË, 26 maj /ATSH/ I Ngarkuari me Punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo u shpreh sot se reforma kadastrale në Shqipëri është gur themeli i mirëqeverisjes.

Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës rajonale që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor rreth një vizioni të përbashkët: transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, drejtuesja e Kadastrës Shqiptare, Lorena Goxhobelli dhe Giulia Re, drejtuese e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë Rizzo tha se procesi i aderimit në BE i vendit tonë, ka edhe një pjesë thelbësore të grupkapuitujve Themeloret që lidhet me pronën.

“Aktualisht ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm të procesit të negociatave. Kjo tregon edhe shkallën e vështirësisë, e cila këtu në Shqipëri është vërtet e madhe. Ne e vlerësojmë këtë lloj nisme që bashkon kolegë dhe institucione të kadastrave nga mbarë rajoni, për të shkëmbyer sfidat dhe arritjet”, tha ai.

Rizzo nënvizoi se “reforma kadastrale mbetet një gur themeli i mirëqeverisjes dhe është e rëndësishme pasi garanton siguri ligjore, të drejta pronësore, transparencë dhe transaksione të sigurta. Ajo përmirëson cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike, redukton rreziqet e keqmenaxhimit, si dhe nxit një treg të pasurive të paluajtshme më miqësor dhe më dinamik”.

“Modernizimi i sistemit kadastral kontribuon në një ekonomi më të fortë dhe një shoqëri më të begatë, por kjo nuk është vetëm çështje e prioriteteve kombëtare. Ai është i rëndësishëm edhe për investimet në të ardhmen. Kjo parashikohet në të gjitha kuadrot dhe partneritetet e negociatave për aderimin, si edhe në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha Rizzo.

“Në mbarë rajonin kemi parë se trashëgimia e sistemeve të mëparshme, sidomos pas regjimeve komuniste, ka krijuar sfida afatgjata dhe ka akumuluar vështirësi lidhur me modelet e të dhënave dhe regjistrimin e pronave. Gjatë tre dekadave të fundit, vendet kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për t’i adresuar këto problematika, duke u përballur me vështirësi, por edhe duke zhvilluar zgjidhjet e duhura”, vijoi ai.

Sipas Rizzos, Shqipëria pasqyron shumë prej këtyre dinamikave rajonale. Rizzo shtoi se “procesi i regjistrimit të pronave dhe i pronësisë ka qenë vërtet kompleks dhe është formësuar nga rekorde historike të paplota, ndryshime demografike dhe qasje të shumëllojshme”.

“Shumë godina kanë mbetur të paregjistruara, të dhënat janë ruajtur në letër, ndërsa të dhënat elektronike nuk përputhen gjithmonë me situatën në terren. Këto kanë sjellë probleme me regjistrimin e pronave. Bashkimi Europian dhe Shqipëria kanë forcuar bashkëpunimin për t’i trajtuar këto sfida së bashku, duke u fokusuar në disa elemente kyçe: përshpejtimin e regjistrimit të pronave, avancimin e digjitalizimit, garantimin që të dhënat përputhen me realitetin në terren, si dhe forcimin e komunikimit me publikun”, pohoi Rizzo.

/e.i/a.f/

The post Rizzo: Reforma kadastrale, gur themeli i mirëqeverisjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Daja për ATSh-në: Vaksinimi i kundër HPV-së parandalon sëmundje serioze, në program edhe djemtë

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Vaksinimi kundër virusit të papilomës humane (HPV) nuk është më vetëm masë parandaluese për vajzat, por një strategji shëndetësore që përfshin edhe djemtë, me synim reduktimin e infeksioneve dhe kancereve të lidhura me këtë virus në të gjithë popullatën.

Në një intervistë për ATSH, Rovena Daja, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) bën të ditur se HPV është infeksioni viral më i zakonshëm i traktit riprodhues, që prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Nga mbi 100 tipet e njohura të virusit, rreth 40 prekin traktin gjenital, ndërsa disa prej tyre, veçanërisht HPV 16 dhe HPV 18, lidhen me zhvillimin e lezioneve prekanceroze dhe kancerit.

“Përfshirja e djemve në programet e vaksinimit është një masë thelbësore e shëndetit publik. Vaksinimi i meshkujve jo vetëm mbron drejtpërdrejt shëndetin e tyre nga sëmundje serioze si kanceri anal, kanceri i penisit dhe ai orofaringeal, por kontribuon edhe në uljen e transmetimit të virusit në komunitet”, tha Daja.

“Nuk bëhet fjalë për një virus që prek vetëm vajzat apo gratë, por për një infeksion që transmetohet mes të dy gjinive dhe që mund të shkaktojë pasoja serioze edhe te meshkujt”, vijoi ajo.

Shqipëria e përfshiu vaksinën kundër HPV-së në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit më 1 nëntor 2022 për vajzat 13-vjeçare, ndërsa nga 1 janari 2026 programi u zgjerua edhe për djemtë e kësaj moshe, duke kaluar në një strategji vaksinimi neutrale ndaj gjinisë.

Në kuadër të rritjes së mbulesës vaksinale, që prej vitit 2024 po zbatohet edhe programi “catch-up” për vajzat dhe djemtë 14–20 vjeç që nuk janë vaksinuar më herët.

Daja tha se “të dhënat tregojnë një rritje progresive të mbulesës vaksinale tek vajzat ndër vite. Nga 18.3% në vitin 2022, në 41.2% në 2023 dhe 51.2% në 2024. Gjatë periudhës 1 janar – 18 maj 2026, janë vaksinuar 1,913 vajza 13-vjeçare dhe 1,656 djem 13-vjeçarë. Ndërkohë, në programin “catch-up” janë përfshirë 2,039 vajza dhe 781 djem të grupmoshës 14–20 vjeç”.

Daja pohoi se një nga arsyet kryesore të hezitimit të disa prindërve për vaksinimin e djemve lidhet me perceptimin e gabuar se HPV është vetëm një problem i femrave, si dhe me shqetësimet mbi sigurinë e vaksinës.

Daja nënvizoi se vaksina kundër HPV-së është e sigurt, efektive dhe e monitoruar vazhdimisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Agjencia Evropiane e Barnave dhe autoritete të tjera ndërkombëtare, ndërsa deri më sot janë administruar qindra miliona doza në mbarë botën.

Për të adresuar keqinformimin dhe mungesën e informacionit, IShP, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe partnerë të tjerë, janë zhvilluar fushata informuese në media, rrjete sociale, shkolla dhe qendra shëndetësore, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit të të dy gjinive.

Mesazhi për prindërit, sipas ekspertes së shëndetit publik, mbetet i qartë: “Vaksinimi kundër HPV-së është një investim afatgjatë për mbrojtjen e fëmijëve nga kanceret dhe sëmundjet serioze në të ardhmen”.

/e.i/j.p/

The post Daja për ATSh-në: Vaksinimi i kundër HPV-së parandalon sëmundje serioze, në program edhe djemtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Panairi i parë i Librit në Burrel, Dokle: Ngjarje që nderon traditën dhe kulturën e Matit

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Qyteti i Burrelit u kthye sot në një qendër të rëndësishme kulturore me zhvillimin për herë të parë të Panairit të Librit, një aktivitet që mblodhi rreth 15 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe hapësira të tjera shqiptare, si dhe autorë, studiues e dashamirës të librit.

Panairi ofroi prezantimin e botimeve më të fundit dhe krijoi mundësi për takime të drejtpërdrejta mes lexuesve dhe autorëve, duke nxitur dialogun kulturor dhe promovimin e leximit në komunitet.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të festimeve për 104-vjetorin e shpalljes së Burrelit si qendër e nënprefekturës së Matit, duke u shoqëruar me një sërë veprimtarish kulturore, artistike dhe festive që përfshinë qytetarë të të gjitha moshave.

I pranishëm në këtë aktivitet, shkrimtari dhe politikani Namik Dokle e cilësoi panairin si një moment të rëndësishëm për kulturën e zonës, duke theksuar se Mati e meritonte një ngjarje të tillë, për shkak të traditës së tij të hershme letrare dhe kontributit të autorëve vendas në letërsinë shqipe.

Dokle vlerësoi gjithashtu nivelin e lexuesve dhe autorëve matjanë, duke përmendur një sërë emrash që kanë dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme të kulturës dhe studimeve, si dhe rëndësinë e prezantimit të veprave të tyre në këtë panair.

Ai nënvizoi se kjo nismë merr një domethënie të veçantë historike, duke qenë se këto troje lidhen me fillimet e shkrimit të shqipes, që nga Pal Engjëlli me “Formulën e Pagëzimit” në vitin 1462, si dhe me figurën e Pjetër Budit, një nga autorët e parë të letërsisë shqipe.

Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, në Mat u zhvillua edhe Festivali i Lojërave dhe Riteve Popullore, i cili solli elementë autentikë të trashëgimisë shqiptare dhe krijoi një atmosferë festive që bashkoi brezat.

Pjesë e rëndësishme e festimeve ishin edhe aktivitetet sportive dhe lojërat popullore, të cilat përfshinë të rinjtë dhe komunitetin në një frymë gare, energjie dhe bashkëpunimi.

Organizatorët theksuan se përmes kësaj agjende të larmishme synohet jo vetëm përkujtimi i një momenti historik për qytetin, por edhe forcimi i identitetit kulturor dhe promovimi i Mati si një destinacion i rëndësishëm për turizmin kulturor në Shqipëri.

Panairi i parë i Librit Burrel/ Fotot: Andrin Hoxha
1 nga 35

/r.e/

The post Panairi i parë i Librit në Burrel, Dokle: Ngjarje që nderon traditën dhe kulturën e Matit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

AZHBR dhe ITU diskutojnë digjitalizimin në bujqësi dhe zhvillimin rural

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, priti në një takim pune delegacionin e kryesuar nga Cosmas Luckyson Zavazava, drejtor i Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit në International Telecommunication Union (ITU), së bashku me përfaqësues të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (Food and Agriculture Organization) dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës (International Labour Organization).

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në kuadër të projektit DART (Digital Agriculture and Rural Transformation), me fokus në përshpejtimin e digjitalizimit të bujqësisë dhe zhvillimit të zonave rurale në Shqipëri përmes teknologjisë.

Gjithashtu rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të aksesit të fermerëve në shërbime, informacion dhe tregje.

Kuçi tha se, gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e sinkronizimit të projekteve digjitale me zhvillimin e sistemeve IACS/LPIS në vend, si instrumente kyçe për rritjen e transparencës dhe eficiencës në skemat e mbështetjes për fermerët.

Palët vlerësuan se ky bashkëpunim ndërinstitucional kontribuon në modernizimin e sektorit bujqësor dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në Shqipëri.

/e.xh/a.f/r.e/

The post AZHBR dhe ITU diskutojnë digjitalizimin në bujqësi dhe zhvillimin rural appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Akademikët diskutojnë anglicizmat e përfshirë në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”

17 April 2026 at 11:20

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë zhvilloi tryezën shkencore me temën “Anglicizmat e pastabilizuar në gjuhën shqipe: çështje të drejtshkrimit dhe të integrimit në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”.

Veprimtaria u drejtua nga akad. Valter Memisha, prof. dr. Anila Omari dhe prof. dr. Anila Kananaj. Në fjalën e hapjes, akad. Valter Memisha theksoi disa çështje kryesore që lidhen me trajtimin e anglicizmave në fjalor, duke përfshirë huazimet e stabilizuara, çerdhet fjalëformuese, shkurtesat dhe huazimet e paasimiluara, si dhe nevojën për standardizim të mëtejshëm leksikografik të tyre. Ai u shpreh se, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” (FMGJSH) është një strukturë e hapur për pasurim dhe rishikim të vazhdueshëm.

Akad. Gëzim Hoxha theksoi sfidat që sjell ndikimi i anglishtes në shqipen bashkëkohore dhe nevojën për normëzim dhe përshtatje të huazimeve të reja.

Sipas tij, gjuha shqipe përballet me nevojën për përthithje, përshtatje dhe normëzim të huazimeve të reja, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj strukturor dhe kulturor.

Prof. dr. Anila Kananaj paraqiti fjalorthin me përzgjedhjen e 215 anglicizmave të rinj, duke nxjerrë në pah problematikat që ato paraqesin.

Akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj u shpreh se studimi i anglicizmave për t’u përfshirë në FMGJSH duhet bërë fjalë për fjalë dhe duhet marrë vendim për secilën fjalë, nëse duhet përfshirë apo përjashtuar. Gjithashtu, akad. Emil Lafe dhe prof. dr. Memushaj vunë theksin te kujdesi për përdorimin e anglicizmave, duke i pranuar vetëm në rastet kur shënojnë një koncept të ri dhe nuk kanë ekuivalent në shqip.

1 nga 4

/a.f/

The post Akademikët diskutojnë anglicizmat e përfshirë në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në fjalën e saj në Samitin IV të Diasporës, në panelin 3 me titull “Diaspora dhe Sistemi Shëndetësor” falënderoi ekipin e mjekëve dhe specialistëve që kontribuojnë prej vitesh në sistemin shëndetësor shqiptar. Sala veçoi kontributet në distancë të dy mjekëve në fushën e Onkologjisë që kanë ndihmuar pacientët të përfitojnë kontrolle të specializuara me protokolle evropiane.

Ministrja Sala nënvizoi se “koha ka treguar që në shëndetësi gjithnjë e më shumë ndërtohen ura dhe jo mure”.

“Një gërshetim, një bashkëpunim sepse ne njohim ekspertizën e shkëlqyer që kemi këtu në Shqipëri, por shkëmbimi i eksperiencave është diçka e mrekullueshme”, tha ajo.

Sala tha se u kthye në Shqipëri, për të ndërtuar një sistem shëndetësor model, bashkë me ekipin e bashkëpunëtorëve.

“Jam e kënaqur dhe emocionuar doja vetëm të ndaja një detaj tjetër. Unë u ktheva këtu me një ekip shumë të mirë që të ndërtoj një sistem shëndetësor model, por kjo është një rrugë që as unë as ekipi im nuk e bëjmë dot pa ndihmën tuaj”, vijoi ajo.

Nga paneli i diskutimeve për shëndetësinë në Samitin IV të Diasporës, Sala u bëri thirrje profesionistëve brenda dhe jashtë vendit që të ndihmojnë në reformën në shëndetësinë shqiptare.

Sala tha se “Diaspora është dhe do mbetet një partner i pazëvendësueshëm në këtë drejtim”.

1 nga 4

/e.i/

The post Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita Botërore e Parkinsonit, Çakçiri: Me rëndësi diagnostikimi i hershëm

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Në Ditën Ndërkomëtare të Parkinsonit, mjekët neurologë theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, trajtimit të duhur dhe mbështetjes së vazhdueshme për pacientët me këtë diagnozë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndau sot në rrjetet sociale mesazhin e Dr. Genci Çakçirit, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Dr. Çakçiri thekson se sëmundja e Parkinsonit renditet ndër patologjitë më të shpeshta neurodegjenerative në botë. Pas Alzheimerit, kjo është sëmundja e dytë më e përhapur e këtij grupi, me një rritje të ndjeshme të prevalencës gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, shenjat kryesore të Parkinsonit përfshijnë ngadalësimin e lëvizjeve, ngurtësimin muskulor dhe dridhjen, e cila zakonisht shfaqet në njërën anë të trupit. Sëmundja shpesh fillon me ngurtësim të dorës, plogështi dhe vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Një nga shenjat më karakteristike dhe më të rëndësishme për diagnostikim sipas Dr. Çakçirit është dridhja në gjendje qetësie. Në dallim nga disa çrregullime të tjera, te Parkinsoni dridhja ndodh pikërisht kur pacienti është në pushim.

Dr. Çakçiri nënvizon se ekzistojnë forma të ndryshme të sëmundjes, përfshirë ato që shfaqen në moshë të re dhe që kanë bazë gjenetike. Ai thekson rëndësinë e diagnostikimit sa më të hershëm.

“Në momentin që shfaqen shenjat e para, pacientët duhet të drejtohen fillimisht te mjeku i familjes dhe më pas te specialisti neurolog. Rreziku për zhvillimin e Parkinsonit rritet me moshën, megjithatë vitet e fundit është vërejtur një shtim i rasteve edhe tek personat nën 50 vjeç”, tha ai.

Mjeku neurolog apelon gjithashtu për një rol aktiv të familjarëve në kujdesin ndaj pacientëve.

“Përveç ndjekjes së rregullt të trajtimit, pacientët kanë nevojë për mbështetje morale, inkurajim dhe përfshirje në aktivitet fizik. Ushtrimet dhe një stil jetese aktiv konsiderohen shumë të rëndësishme për menaxhimin e sëmundjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”, përfundoi Dr.Çakçiri.

/e.i/j.p/

The post Dita Botërore e Parkinsonit, Çakçiri: Me rëndësi diagnostikimi i hershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Galeria e Arteve “Tahir Tahiraj” në Mat transformohet rrënjësisht

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë vizitës në Mat së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiun, vizituan edhe Galerinë e Arteve “Tahir Tahiraj”, e cila është kthyer në një hapësirë moderne me kushte dhe standarde të reja për artin dhe kulturën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri theksoi se “nga një ambient që më parë përballej me mungesë hapësirash ekspozimi dhe infrastrukturë të pamjaftueshme, galeria tashmë ofron kushte dinjitoze për artistët dhe vizitorët, falë ndërhyrjeve të realizuara me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit”.

Sipas Gonxhes, investimi ka sjellë zgjerimin e hapësirave ekspozuese, krijimin e kushteve higjeno-sanitare dhe është drejt përfundimit edhe ambienti i dedikuar për magazinimin e veprave, duke rritur ndjeshëm funksionalitetin dhe standardet e institucionit.

“Ky transformim shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e jetës kulturore në Mat dhe për forcimin e rolit të kulturës shqiptare si pjesë aktive e hapësirës kulturore europiane”, shkruan Gonxhja.

/m.q/

The post Gonxhja: Galeria e Arteve “Tahir Tahiraj” në Mat transformohet rrënjësisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bashkia Mat dhe QKK, marrëveshje për program të rregullt filmik e kulturor për komunitetin

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji dhe kryetari i bashkisë Mat, Altin Bojni, në praninë e zëvendëskryeministres Albana Koçiu dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për rijetëzimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike.

Marrëveshja synon modernizimin e këtyre hapësirave dhe zhvillimin e një programi të rregullt filmik e kulturor për komunitetin, duke vendosur në qendër bashkëpunimin institucional dhe angazhimin për rritjen e aksesit në artin filmik.

Sipas ministrit Gonxhja, në fokus është bashkëorganizimi i shfaqjeve filmike, aktiviteteve kulturore dhe edukimit artistik, në funksion të një jete kulturore më të pasur për qytetarët.

Gonxhja theksoi se “filmi dhe kinemaja janë tashmë një dritare e re drite e kulture në sallën e saporindërtuar që inauguruam, por së shpejti, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe të QKK, Mati do të ketë edhe rindërtimin e kinemasë së vjetër të qytetit, për të cilën sot u angazhuam përpara të ftuarve, në bashkëpunim me bashkinë”.

Në kuadrin e javës së komunikimit publik mbi Integrimin Evropian u shfaq filmi me metrazh të shkurtër Sheets (Çarçafët) (2022) i regjisores Evi Gjoni me skenar të Genc Përmetit dhe Sven Dagones, realizuar me mbështetjen e QKK, që trajtonte temën e historisë së një familjeje që përpiqet të mbijetojë në një sistem totalitar distopik.

Ata gjenden papritur përballë një dileme të fortë morale: të raportojnë tek autoritetet shtypëse një familje emigrantësh që u kërkon ndihmë, apo të zgjedhin të ruajnë dinjitetin njerëzor, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e tyre. “Është një përplasje e fuqishme mes instinktit bazik të vetmbrojtjes dhe humanizmit”, shkruan ministri.

Ky film është vlerësuar me çmime dhe vlerësime, si: Trieste Film Festival: Çmimi i Publikut dhe Përmendje Speciale nga Juria; Athens Short Film Festival: Filmi më i mirë i shkurtër; Paris International Film Aëards: Regjisorja më e mirë; Florence Film Awards: Filmi më i mirë narrativ i shkurtër (Best Narrative Short); Best Shorts Competition (SHBA): Award of Excellence.

/m.q/j.p/

The post Bashkia Mat dhe QKK, marrëveshje për program të rregullt filmik e kulturor për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Mat, standard i Shqipërisë 2030

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Mat i ka dhënë qytetit frymë të re në jetën kulturore dhe artistike.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, së bashku ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhen, kryetarin e bashkisë Altin Bojnin dhe deputetin Agron Malaj, vizituan nga afër hapësirat e transformuara.

“Sot i rikthejmë Matit një prej simboleve të tij më të çmuara, me një frymë tërësisht të re, që i përket Shqipërisë së gjeneratës tjetër. Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” shënon një tjetër standard të arritur në rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë 2030”, shkruan Koçiu.

Sipas saj, këto investime synojnë rigjallërimin e plotë të jetës artistike dhe rritjen e peshës së aktiviteteve kulturore, duke garantuar që talenti dhe qytetarët e Matit të ketë të njëjtat mundësi zhvillimi si në çdo qytet europian.

Nga ana tjetër, ministri Gonxhja theksoi se “Pallati i Kulturës “Shefqet Doda”, falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, i është nënshtruar një rikonstruksioni tërësor, pas një gjendjeje të amortizuar me mobilim të vjetruar, akustikë të dëmtuar, sistem elektrik të degraduar dhe mungesë kushtesh funksionale, duke sjellë sot për qytetarët një ambient modern, të sigurt dhe dinjitoz në shërbim të jetës kulturore”.

Projekti i rikonstruksionit bëri të mundur përmirësimin e infrastrukturës së ndërtesës dhe modernizimin e objekteve të saj.

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” në Mat, standard i Shqipërisë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

27 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Hoxha: Moment përcaktues në histori

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha u shpreh sot, se njëzet e shtatë vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente.

Duke u ndalur te ky moment, në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha tha se “NATO ndërmori operacionin Allied Force për të ndalur fushatën brutale të dhunës dhe spastrimit etnik të ndërmarrë nga Slobodan Milošević kundër shqiptarëve në Kosovë”.

“Ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive”, tha ai.

Hoxha nënvizoi se “në atë moment vendimtar të historisë sonë, Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e saj pa asnjë hezitim”.

“Pavarësisht sfidave të veta ekonomike, Shqipëria priti refugjatë dhe persona të zhvendosur në shtëpi, shkolla dhe komunitete. Të gjithë së bashku, institucionet dhe qytetarët kudo u mobilizuan bashkarisht me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje, në një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, i cili reflektoi jo vetëm një përgjigje humanitare, por edhe një ndjenjë të thellë historie të përbashkët dhe identiteti të përbashkët”, vijoi Hoxha.

Ministri Hoxha shtoi se “sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur”.

“Ajo qëndron si një dëshmi e gjallë e qëndresës, sakrificës dhe vullnetit të pathyeshëm të popullit të saj. Nga plagët e luftës deri te forcimi i institucioneve demokratike, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm, duke konsoliduar vendin e saj si një aktor i përgjegjshëm në rajon dhe kontribuues për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, theksoi Hoxha, ndërsa cilësoi se Shqipëria qëndron si një anëtare krenare e NATO-s, Aleancës që ndali vdekjen dhe shkatërrimin dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë.

“Ne nderojmë viktimat. Ne kujtojmë guximin e atyre që qëndruan kundër shtypjes. Ne vlerësojmë rolin jetik të aleatëve dhe partnerëve që bënë ndryshimin në momentin më të rëndësishëm. Rruga e Kosovës vazhdon, me besim dhe vendosmëri, drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”, përfundoi Hoxha.

/e.i/a.f/

The post 27 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Hoxha: Moment përcaktues në histori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: “Daulinat e Pranverës” në Mat, rit që shpall ardhjen e stinës së re

13 March 2026 at 22:33

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga festa tradicionale “Daulinat e Pranverës”, e zhvilluar në Mat, një rit që përcillet brez pas brezi dhe që simbolizon ardhjen e pranverës në vigjilje të Ditës së Verës.

Rama e përshkroi këtë traditë në një postim në rrjetet sociale ku solli edhe pamje nga festa, si një ritual të trashëguar ndër breza, i cili shpall ardhjen e stinës së re dhe ruan gjallë kulturën dhe zakonet e zonës.

“Daulinat e Pranverës” është në mbrëmje plot simbolikë, tinguj tradite dhe gëzim, që bashkon komunitetin dhe mban gjallë trashëgiminë tonë kulturore jomateriale.

/gj.m/j.p/

The post Rama: “Daulinat e Pranverës” në Mat, rit që shpall ardhjen e stinës së re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rauf Fico, ndër figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare

13 March 2026 at 18:28

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përkujtoi sot Rauf Ficon në 145-vjetorin e lindjes (13 mars 1881), si një nga figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare dhe një prej arkitektëve që ndihmuan në ndërtimin e themeleve të shtetit shqiptar modern.

Në një kohë kur Shqipëria ishte ende një shtet i ri dhe i brishtë, Rauf Fico i dha diplomacisë shqiptare vizion, dinjitet dhe orientim europian.

Ai përfaqësoi vendin në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës dhe punoi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare si një shtet serioz dhe i respektuar.

Si ministër i Punëve të Jashtme, ai hodhi themelet institucionale dhe ligjore të shërbimit diplomatik shqiptar që orientuan shërbimin e jashtëm shqiptar për dekada me radhë,  si dhe kontribuoi në ndërtimin e një diplomacie moderne, të organizuar dhe të orientuar drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.  

Rauf Fico përfaqëson një brez burrash shteti që kaluan nga epoka e perandorive në epokën e shteteve kombëtare dhe që i shërbyen Shqipërisë me kulturë, integritet dhe vizion.

Kujtesa historike e diplomacisë shqiptare ruan në figurën e tij modelin e diplomatit me vizion, integritet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit kombëtar.

/gj.m/j.p/

The post Rauf Fico, ndër figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Nga Universiteti i Sporteve, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi se studentët e diplomuar për fizioterapi në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit mund të ushtrojnë profesionin e tyre, falë zgjidhjes së një problematike ligjore të kahershme me këtë fakultet.

Sipas vendimit të Këshilli të Ministrave, tashmë profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në programin “Shkenca Rehabilitimi”. Pas miratimit të ndryshimit të VKM-së, këto diploma njihet zyrtarisht si kualifikim për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit, duke u dhënë mundësi të diplomuarve të regjistrohen dhe të punojnë ligjërisht në profesion.

“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë, me ditë të tëra, me rektorin dhe me dekanin, me Urdhrin e i Infermierit i Shqipërisë, i cili është një hallkë shumë e rëndësishme, siç e dini, si edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shumë diskutimeve dhe shkresave, dhe pasi rishikuam ligjin, gjetëm mënyrën për ta zgjidhur këtë çështje. Vij sot me shumë kënaqësi, sepse në mbledhjen e javës së kaluar, më 6 mars, qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme në VKM për profesionet e rregulluara, duke përfshirë qartësisht për profesionin e fizioterapistit edhe të diplomuarit në Shkencat e Rehabilitimit që lëshohet nga ky universitet. Më vjen mirë që vijmë me këtë konkluzion dhe me këtë lajm të shumëpritur nga ju, duke ju dhënë mundësinë edhe brezave që janë diplomuar, edhe ju që jeni në proces diplomimi”, bëri me dije ministrja Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se ky ndryshim ligjor do të ketë impakt pozitiv edhe në regjistrimet e reja në Universitetin e Sporteve.

“Unë besoj se ky është një lajm i mirë edhe për studentët që do të zgjedhin të regjistrohen në këtë degë. Vjen në kohën e duhur, sepse regjistrimet janë në vazhdim, kështu që ju garanton juve dhe atyre që do të vijnë mundësinë e integrimit në tregun e punës, njësoj si kolegët tuaj që diplomohen për fizioterapi në institucionet e arsimit të lartë të shëndetësisë që ofrojnë këtë formim”, tha Kumbaro.

Para këtij ndryshimi ligjor, diploma “Shkenca Rehabilitimi” nuk ishte e përfshirë në listën e specialiteteve për profesionin e fizioterapistit, gjë që krijonte vështirësi për të diplomuarit për t’u regjistruar në Urdhrin e Infermierit dhe për të ushtruar profesionin. Tashmë, profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në këtë program. Në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit, në tre vitet e fundit akademike janë diplomuar 72 studentë, ndërsa në vitin akademik 2025–2026 janë aktualisht në proces studimi 256 studentë.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa vlerësoi angazhimin për zgjidhjen e kësaj problematike që u mundëson studentëve të diplomuar në shkencat e rehabilitmit të integrohen në tregun e punës.

Gjatë vizitës në Universitetin e Sporteve, ministrja Kumbaro tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë mbështetjen për Universitetin e Sporteve, duke e konsideruar atë aset kombëtar.

Nga takimi i ministres së Arsimit Mirela Kumbaro në Universitetin e Sporteve
1 nga 3

/e.i/a.f/

The post Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌