Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës

8 February 2026 at 08:56

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Reshjet e dëborës kanë mbuluar malin e Tomorit, duke i dhuruar kësaj zone një pamje mbresëlënëse.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës, si një ftesë për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës për të përjetuar një ditë ndryshe mes peizazheve dimërore.

Në malin e Tomorit, në lartësinë 2417 metra mbi nivelin e detit, ndodhet edhe Tyrbja e Abaz Aliut, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit bektashian, e cila vizitohet çdo vit nga mijëra besimtarë, por edhe nga turistë të interesuar për aventurë, vëzhgim dhe trashëgimi shpirtërore.

Menaxhimi i kujdesshëm i mjediseve turistike nga Administrata e Parkut Kombëtar të Tomorit, si dhe shoqërimi i vizitorëve me guida turistike të specializuara që njohin shtigjet dhe zonat e sigurta, ka bërë që ky park të vizitohet gjatë gjithë stinëve të vitit.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe në verilindje të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Zona ofron mundësi të shumta për aktivitete sportive, si ngjitje alpine në shpatet e mbuluara me borë gjatë dimrit, por edhe aventura rafting në kanionet e Osumit gjatë stinës së verës.

Në rrëzë të Tomorit rrjedh lumi Osum, i cili ka krijuar kanionet e famshme, një nga atraksionet natyrore më të vizituara në vend, veçanërisht gjatë muajve të ngrohtë.

Përveç pasurive natyrore, itinerari turistik i Tomorit përfshin edhe objekte kulti të feve kristiane dhe bektashiane, si dhe monumente të natyrës dhe të kulturës, duke e bërë këtë zonë një destinacion të rëndësishëm për turizmin natyror, kulturor dhe fetar.

/r.e/

The post Mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Esposito për ATSH: Paraburgimi në Shqipëri pesë herë më i lartë se mesatarja e BE-së, t’i jepet përparësi alternativave të tjera

8 February 2026 at 08:35

TIRANË, 8 shkurt /ATSh – Gjergji Mima/ Shqipëria vazhdon të përballet me sfida serioze në fushën e paraburgimit, si në drejtim të numrit të lartë të personave në paraburgim, ashtu edhe në kohëzgjatjen e tij, vlerëson Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSh).

Sipas Espositos, situata aktuale paraqet arsye reale për shqetësim.

Ai i referohet raportit më të fundit të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës (CPT), i cili evidenton se Shqipëria vazhdon të ketë një nga normat më të larta të burgosjes midis shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. CPT gjithashtu identifikoi një përdorim në rritje të paraburgimit, duke rezultuar në mbipopullim në disa nga qendrat e paraburgimit.

“Sipas statistikave zyrtare, që nga nëntori 2025, në burgjet e Shqipërisë kishte 4578 të burgosur, nga të cilët 58% ishin në paraburgim. Shkalla e paraburgimit në Shqipëri prej 94,6 personash për 100 mijë banorë është gati katër ose pesë herë më e lartë se mesatarja e BE-së”, tha Esposito.

Ai theksoi se, një tjetër çështje kyçe në Shqipëri është kohëzgjatja e paraburgimit.

Mesatarja prej 253 ditësh (8,4 muaj) është mjaft e lartë, nënvizoi Esposito.

“Paraburgimi i gjatë dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm u identifikuan gjithashtu nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë (Hysa kundër Shqipërisë, Strazimiri kundër Shqipërisë, Delijorgji kundër Shqipërisë)”, tha Esposito.

Duke folur për rreziqet kryesore që lidhen me paraburgimin e zgjatur, Esposito thekson se kjo fushë është ndër më të ndjeshmet e drejtësisë penale, pasi prek drejtpërdrejt liritë individuale dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.

Sa i përket masave që duhet të merren për përmirësimin e kushteve dhe menaxhimit të paraburgimit, ai nënvizon se nevojiten njëkohësisht përmirësime materiale dhe reforma sistemike.

“Hapi i parë për të përmirësuar kushtet është ulja e mbipopullimit. Megjithatë, kjo nuk bëhet vetëm duke ndërtuar më shumë burgje, por duke kufizuar në mënyrë aktive përdorimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit dhe duke i dhënë përparësi alternativave ndaj paraburgimit, duke përfshirë zbatimin e regjimit jondëshkues të paraburgimit në përputhje me prezumimin e pafajësisë”, tha ai.

Esposito vëren se kuadri ligjor në Shqipëri është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Problemi kryesor, thekson ai për ATSh, “është përdorimi i tepërt dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i paraburgimit, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë shqyrtimeve periodike”.

“Masat për të zvogëluar përdorimin e tepërt të paraburgimit duhet të adresohen në mënyrë sistematike. Ndryshimet legjislative duhet të mbështesin këto objektiva, por faktorët kryesorë janë praktika gjyqësore dhe kultura ligjore”, tha Esposito.

Duke iu referuar standardeve evropiane, ai rikujton se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, paraburgimi duhet të jetë një masë e jashtëzakonshme dhe të përdoret vetëm si mjet i fundit, kur masat më pak kufizuese rezultojnë të pamjaftueshme.

“Përmirësimi i paraburgimit është thelbësor sepse ka të bëjë me individë që supozohen të pafajshëm dhe liria e të cilëve kufizohet vetëm për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë”, tha Esposito.

“Fushat prioritare duhet të jenë përmirësimi i cilësisë së arsyetimit gjyqësor, rritja e përdorimit kuptimplotë të alternativave ndaj paraburgimit dhe sigurimi i shqyrtimit periodik substancial dhe efektiv”, shton ai.

Duke pasur parasysh këtë, roli i Këshillit të Evropës është të ndihmojë në sigurimin që paraburgimi të kryhet në përputhje me të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor. Këshilli i Evropës ofron një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon ekspertizën ligjore, ndërtimin e kapaciteteve dhe monitorimin, të gjitha të bazuara në standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, shton Esposito.

“Në Shqipëri, ne kemi një projekt bashkëpunimi të hartuar posaçërisht me autoritetet shqiptare që adreson sfidat që lidhen me paraburgimin, ndër të tjera. Projekti bazohet në nevojat konkrete të identifikuara së bashku me autoritetet shqiptare përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të CPT-së dhe jurisprudencës përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai synon të përkthejë standardet evropiane në përmirësime praktike në legjislacion dhe praktikën gjyqësore”, shprehet më tej Esposito.

Drejtori i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës shprehet mirënjohës për bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare dhe besimin se do të ndërmerren veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështjeje.

Ai shton se Shqipëria mund të përfitojë nga praktikat e mira të vendeve të tjera evropiane, ku paraburgimi përdoret si masë e fundit, me arsyetim individual, shqyrtim të rregullt gjyqësor, përdorim të gjerë të alternativave dhe mbrojtje të posaçme për personat në situata të cenueshme.

“Standardet evropiane mbi paraburgimin janë përfshirë në shumë praktika të mira në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Hulumtimet krahasuese kanë treguar se pavarësisht ndryshimeve midis sistemeve ligjore, problemet që ndikojnë në vendimet e paraburgimit janë të zakonshme në të gjitha shtetet anëtare dhe të vështira për t’u trajtuar. Qasjet efektive ndajnë karakteristika të përbashkëta, duke përfshirë përdorimin e paraburgimit si masë e fundit, arsyetimin individual, shqyrtimin e rregullt gjyqësor, përdorimin e gjerë të alternativave ndaj paraburgimit, aksesin në këshillim ligjor dhe mbrojtje të tjera procedurale, dhe konsideratën specifike për personat në një situatë të cenueshme. Këshilli i Evropës promovon shkëmbimin e praktikave të tilla, të përshtatura me kontekstin ligjor kombëtar dhe traditën ligjore”, thekson Esposito.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Esposito për ATSH: Paraburgimi në Shqipëri pesë herë më i lartë se mesatarja e BE-së, t’i jepet përparësi alternativave të tjera appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Rivlerësimi i pronave me 5% pritet të sjellë 150 milionë euro në buxhet

8 February 2026 at 08:30

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Rivlerësimi i pronave në Shqipëri me një normë 5% pritet të nisë brenda këtij muaji, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të paguajnë një taksë të ulët për pronat e tyre dhe duke rritur arkëtimin fiskal për shtetin. Qytetarët që kryejnë rivlerësimin e pronës shmangin pagesën e tatimit të plotë prej 15% në momentin e shitblerjes.

Ky proces synon të harmonizojë vlerën e pronave të regjistruara me çmimin real të tregut, duke eliminuar diferencat midis çmimit të regjistruar dhe vlerës aktuale të pronës.

Eksperti për çështjet e pronave, Gjergji Begaj, shpjegon në një intervistë për ATSH çdo hap të këtij procesi dhe përfitimet që sjell.

“Sistemi i rivlerësimit bazohet në dy elemente kryesore. Së pari, ekziston çmimi fiskal, i vendosur nga Ministria e Financave për secilën zonë katastrale. Ky çmim është rezultat i analizave të AZHK-së, zyrave imobiliare dhe ekspertëve të fushës, dhe përfaqëson një mesatare të përafërt të vlerës së pronave në çdo zonë. Së dyti, qytetarët mund të përmirësojnë vlerën e pronës së tyre për të reflektuar çmimet aktuale të tregut, duke përdorur një raport të hartuar nga ekspertë privatë të licencuar,” shpjegon Begaj.
Sipas tij, në këtë proces përfituesit më të mëdhenj janë pronarët që planifikojnë të shesin, të dhurojnë ose të trashëgojnë pronën, si dhe bizneset që mbajnë pasuri të paluajtshme me vlerë më të ulët se ajo e tregut në pasqyrat financiare.

Begaj sqaron se rivlerësimi nuk është i detyrueshëm për çdo qytetar.

“Nëse çmimi i regjistruar i pronës përputhet me çmimin fiskal, qytetari nuk ka asnjë pagesë shtesë. Por kur prona është regjistruar me një çmim më të ulët se vlera reale e tregut, qytetari mund të bëjë rivlerësimin dhe të paguajë vetëm 5% të diferencës gjatë një periudhe 12-mujore, duke shmangur pagesën e tatimit të plotë prej 15% në momentin e shitblerjes”, u shpreh ai.

Për të përcaktuar vlerën reale të tregut, qytetarët duhet të drejtohen tek ekspertë privatë të licencuar, të cilët hartojnë raportin e rivlerësimit. Ky raport regjistrohet në AZHK dhe përdoret për aplikimin e taksës së reduktuar. Ky hap është veçanërisht i rëndësishëm në qytete si Tirana, ku çmimet për apartamentet mund të ndryshojnë nga 800 deri në 5.000 euro për metër katror, në varësi të zonës.

Procesi i rivlerësimit aplikohet vetëm për pronat me kartela të sakta dhe certifikatë pronësie të përfunduar. Pronat që janë në proces legalizimi ose regjistrimi nuk mund të rivlerësohen. Dokumentacioni i nevojshëm përfshin certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, hartën treguese, kartën e identitetit dhe kontratën e transaksionit të mëparshëm, kur ekziston. Për pronat e privatizuara para vitit 1990, mjaftojnë certifikata dhe kartela, pasi të dhënat ruhen nga Hipoteka.

Begaj thekson se për ndërtesat e para viteve 1990 që kanë kaluar në pronësi me privatizim aplikohet amortizim deri në 30% të vlerës së pronës.
Ai shton se rivlerësimi ka përfitime për të gjithë aktorët e tregut: qytetarët përfitojnë nga tatimi i reduktuar, shteti rrit arkëtimin, ndërsa ekspertët dhe agjencitë imobiliare përfitojnë nga aktiviteti i shtuar në treg.

“Rivlerësimi i pronës nuk është detyrim ligjor. Ata që nuk dëshirojnë të rivlerësojnë, do të paguajnë tatimin e plotë prej 15% në momentin e shitblerjes. Por për ata që duan të përfitojnë, rivlerësimi është një mundësi për të harmonizuar vlerën e pronës me tregun dhe për të paguar taksa më të ulëta”, shprehet Begaj.

Begaj thotë se sipas parashikimeve, buxheti pritet të përfitojë rreth 150 milionë euro nga ky proces. Procesi i fundit i rivlerësimit, me tatim 3% gjatë viteve 2020–2022, përfshiu 168.000 prona dhe buxheti i shtetit arkëtoi 12.7 miliardë lekë.
Aplikimet për rivlerësim do të pranohen deri më 31 dhjetor 2026. Kërkesat e paraqitura brenda kësaj periudhe, për të cilat është kryer pagesa e tatimit, por nuk janë përpunuar ende nga ASHK, mund të finalizohen administrativisht deri më 31 mars 2027.

Kjo është hera e katërt që prej vitit 2009 që qeveria harton nisma për lehtësimin e qytetarëve në kryerjen e rivlerësimit të pasurive, duke adresuar diferencat e mëdha mes vlerës së regjistruar dhe çmimit aktual të tregut. /j.p/

 

The post Begaj: Rivlerësimi i pronave me 5% pritet të sjellë 150 milionë euro në buxhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhamia e Ballies, simbol historik dhe arkitekturor i Elbasanit

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Xhamia e Ballies ngrihet madhështore në qendër të qytetit të Elbasanit, aty ku ka pasur gjithmonë vendin e saj historik, duke u kthyer sot në një nga simbolet më përfaqësuese të qytetit.

E ndërtuar fillimisht nga Hasan Balliu në vitet 1608–1609, ajo ishte ndër objektet më të vjetra të kultit në Elbasan, deri sa u shkatërrua në vitin 1967 gjatë regjimit komunist.

Pas shumë dekadash mungese, Xhamia e Ballies u ringrit sërish dhe u inaugurua në vitin 2022, duke ruajtur frymën e origjinalit, por duke u sjellë në një formë moderne dhe inovative.

Sot ajo konsiderohet një nga objektet më të veçanta të arkitekturës fetare dhe është vlerësuar ndërkombëtarisht, duke u shpallur fituese e Çmimit Ndërkombëtar 2025 për Arkitekturën më të Bukur Fetare nga ArchDaily.

Objekti ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate. Përveç hapësirave të faljes, xhamia përfshin salla konferencash, ambiente për abdes, zyra të stafit të Myftinisë Elbasan, si edhe hapësira të dedikuara veçmas për gratë dhe burrat.

Kapaciteti i saj arrin rreth 1500 besimtarë në ambientet e brendshme, ndërsa disponon edhe hapësira të jashtme për frekuentim të lartë në ditë të veçanta.

Xhamia e Ballies shquhet për një dizajn inovativ që ndërthur mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne arkitekturore, duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese për besimtarët dhe vizitorët. Arkitektura e saj përfaqëson një qasje bashkëkohore në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur identitetin kulturor dhe historik të qytetit, por njëkohësisht duke iu përshtatur estetikës moderne.

E njohur ndryshe edhe si “Xhamia Blu” për bukurinë dhe madhështinë që ka pasur dikur, ajo ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për Elbasanin. Minarja e vjetër, e njohur për modelimin e saj dekorativ origjinal, ka qenë një nga elementët më tërheqës të objektit historik, ndërsa sot xhamia e rindërtuar sjell një harmoni të balancuar mes klasikes dhe modernes.

Xhamia e Ballies shquhet për një dizajn inovativ që kombinon mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese për besimtarët dhe vizitorët. Arkitektura e saj përfaqëson një qasje të re dhe të avancuar në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur identitetin dhe vlerat kulturore, por edhe duke u përshtatur me kërkesat dhe estetikën bashkëkohore.

Sot, Xhamia e Ballies mirëpret vizitorë nga e gjithë bota dhe qëndron e lartësuar në zemër të Elbasanit, jo vetëm si vend kulti, por edhe si identitet historik, kulturor dhe arkitektonik i qytetit.

/k.s/a.f/r.e/

The post Xhamia e Ballies, simbol historik dhe arkitekturor i Elbasanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 08.02.2026

8 February 2026 at 07:37

SARAJEVË (Bosnjë-Hercegovinë) – Zgjedhje presidenciale në Republikën Srpska, entitetin serb të Bosnjës, për të zgjedhur një pasardhës të Milorad Dodik.

TOKIO (Japoni) – Zgjedhje parlamentare.

TAJLANDË – Zgjedhje parlamentare.

SANTA CLARA (Shtetet e Bashkuara) – NFL – Super Bowl 2026.

PARIS(Francë) – Rasti Epstein – Jack Lang thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

LISBONË (Portugali) – Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

MILANO – Lojërat Olimpike Dimërore.

KARAKAS (Venezuelë) – Maratona e Karakasit – CAF./  a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 08.02.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot me vranësira, pasdite reshjet humbasin intensitetin

8 February 2026 at 07:30

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura kryesisht në pjesën e parë të ditës. Prej orëve të mesditës e pasdite vranësirat do të përqendrohen në relievet malore në lindje.

Parashikohet reshje shiu me intensitet të ulët hera –herës deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurta që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes.
Gjatë ditës reshjet humbasin intensitet, me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit si dhe shtrëngata afatshkurtra përgjatë relieveve malore. Në orët e pasdites pritet ndërprerje graduale e reshjeve.

Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje – juglindje të vendit, parashikohet reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht mesatar.
Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 5m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.

Temperaturat parashikohen:

The post Mot me vranësira, pasdite reshjet humbasin intensitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Një implant inovativ premton fundin e injektimeve të insulinës

8 February 2026 at 07:07

JERUZALEM, 8 shkurt /ATSH/ – Një ekip ndërkombëtar hulumtuesish, i udhëhequr nga inxhinieri izraelit Shady Farah dhe duke bashkëpunuar me universitete kryesore amerikane, ka prezantuar një pajisje revolucionare që një ditë mund të heqë nevojën për injeksione të përditshme të insulinës tek personat me diabet, sipas ynetglobal.

Studimi, i publikuar në revistën “Science Translational Medicine”, përshkruan një implant qelizor që funksionon si një “mushkëri artificiale” autonome.

Pajisja monitoron vazhdimisht nivelet e glukozës në gjak, prodhon insulinë brenda trupit dhe liron sasinë e saktë që trupi ka nevojë, pa pompa, injeksione ose ndërhyrje nga pacienti.

Një element kyç i zbulimit është teknologjia mbrojtëse e quajtur “mburoja kristaline”,  e dizajnuar për të parandaluar që sistemi imunitar i trupit të refuzojë implantin, një pengesë e madhe që ka vështirësuar terapitë qelizore për dekada.

Kjo mburojë lejon që implantet të funksionojnë besueshëm për vite të tëra.

Testimet tek minjtë treguan se implantet rregullojnë glukozën në mënyrë efektive dhe afatgjatë, ndërsa studimet tek primatët jonjerëzorë konfirmuan se qelizat brenda implantit mbeten të gjalla dhe funksionale.

Rezultatet ofrojnë mbështetje të fortë për testime klinike të ardhshme te njerëzit.

Ndërkohë që fokus fillestar është diabeti, ekipi thekson se platforma mund të adaptohet për të ofruar terapi të tjera biologjike në mënyrë të vazhdueshme, duke ofruar qasje të reja për trajtimin e sëmundjeve kronike si hemofilia dhe çrregullime të tjera metabolike ose gjenetike.

Nëse kjo teknologji praktikohet  me sukses në trajtim njerëzor, ekspertët thonë se ajo mund të transformojë menaxhimin e sëmundjeve kronike duke zëvendësuar regjimet e ilaçeve gjatë gjithë jetës me terapitë të vetërregulluara brenda trupit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Një implant inovativ premton fundin e injektimeve të insulinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Meloni dënon dhunën në Milano: “Armiqtë e Italisë po dëmtojnë imazhin e vendit”

8 February 2026 at 01:20

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi ashpër pas tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme që ndodhën në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milano-Cortina 2026.

Meloni dënoi aktet e vandalizmit dhe sulmet ndaj forcave të rendit, duke theksuar se ndërsa “mijëra italianë po punojnë pa u lodhur që vendi të përfaqësohet denjësisht”, një grup i vogël po tenton “ti bëjë dëm imazhit të Italisë”.

Sipas saj, “mijëra e mijëra italianë në këto orë po punojnë që gjithçka të funksionojë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre janë vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të njihet, të admirohet dhe të respektohet”. Ajo shtoi “pastaj ka të tjerë, armiqtë e Italisë dhe italianëve, që protestojnë ‘kundër Olimpiadës’, duke bërë që këto pamje të transmetohen në televizionet e gjysmës së botës”.

Kryeministrja nënvizoi gjithashtu se këto protesta vijnë pasi persona të tjerë “prenë kabllot e hekurudhës për të penguar nisjen e trenave”, duke dëmtuar rëndë shërbimet dhe imazhin e vendit.

“Shpreh solidaritet të plotë ndaj forcave të rendit, qytetit të Milanos dhe të gjithë atyre që do të shohin punën e tyre të venitur nga këto banda delinkuentesh”, deklaroi Meloni.

Reagimi i saj vjen pas përplasjeve të një grupi protestuesish në zonën Corvetto, ku u hodhën shishe, petarda dhe gaz lotsjellës ndaj policisë, e cila u përgjigj me karikime dhe ujëhedhës. Pesë persona janë shoqëruar deri tani.

Foto: ANSA / (Paolo Salmoirago)

The post Meloni dënon dhunën në Milano: “Armiqtë e Italisë po dëmtojnë imazhin e vendit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensione dhe përplasje në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milan-Cortina 2026

8 February 2026 at 00:23

MILANO, 8 shkurt/ANSA – ATSH/ – Momente tensioni janë regjistruar sot në Milano, gjatë një proteste kundër Olimpiadës Dimërore Milano-Cortina 2026, ku një grup manifestuesish u përplas me forcat e rendit.

Sipas Agjencisë së lajmeve ANSA, një pjesë e protestuesve u shkëputën nga marshimi në zonën Corvetto dhe tentuan të hyjnë drejt Tangenziale Est, duke u përballur me policinë. Forcat e rendit ndërhynë me karikime dhe përdorim të ujëhedhësve, pasi nga grupi i manifestuesve u hodhën shishe, fishekzjarrë dhe gaz lotsjellës në drejtim të efektivëve që mbroheshin me pajisje antiprotestë.

Deri tani, pesë persona janë shoqëruar në komisariat, pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës kundër organizimit të Lojërave Olimpike në Milano.

(Foto: ANSA / Paolo Salmoirago)

The post Tensione dhe përplasje në Milano gjatë protestës kundër Olimpiadës Milan-Cortina 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vokalisti i grupit 3 Doors Down, Brad Arnold, ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare

7 February 2026 at 22:17

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Brad Arnold, vokalisti dhe anëtari themelues i grupit amerikan  3 Doors Down, është ndarë nga jeta në moshën 47-vjeçare pas një beteje me kancerin.

Sipas një deklarate të cituar nga Fox News Digital, Arnold “u shua në gjumë, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur, pas betejës së gjatë dhe të guximshme me kancerin”, të shtunën, më 7 shkurt.

Si vokalist, baterist i parë dhe një nga themeluesit e bandës, Arnold konsiderohet figura që i dha identitet tingullit të 3 Doors Down, duke kombinuar energjinë post-grunge me tekste të drejtpërdrejta emocionale që gjetën jehonë tek publiku i gjerë në SHBA dhe më tej.

Deklarata vlerëson veçanërisht talentin e tij të rrallë si autor këngësh, duke e cilësuar krijimtarinë e tij “një pikë referimi kulturore për një brez të tërë”. Hiti i tyre më i madh, “Kryptonite”, u shkrua nga Arnold “në orën e matematikës, kur ishte vetëm 15 vjeç”, kujtohet në njoftim. Muzika e tij, vijon deklarata, “kaloi shumë përtej skenës, duke krijuar momente lidhjeje, gëzimi, besimi dhe përjetimesh të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur”.

Përtej suksesit muzikor, Arnold kujtohet si bashkëshort i përkushtuar dhe si një njeri i thjeshtë. Për miqtë dhe të afërmit, ai do të mbetet jo vetëm artisti me talent të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha njeriu me ngrohtësi, përulësi dhe dashuri të thellë për familjen dhe shoqërinë.

The post Vokalisti i grupit 3 Doors Down, Brad Arnold, ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Xhudistja Krasniqi rrëmben medaljen e artë në Paris

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSH/ Distria Krasniqi ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2026, duke fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, një nga turnetë më prestigjioze të xhudos botërore. Medalistja e dyfishtë olimpike e Kosovës konfirmoi edhe një herë nivelin e saj elitar në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Xhudistja triumfoi në finale ndaj spanjolles Toro Soler, në një duel të fortë të zhvilluar para një audience të madhe në kryeqytetin francez.

Me paraqitje të sigurt gjatë gjithë turneut, Distria tregoi se forma e saj mbetet në nivel të lartë.

Kjo medalje e artë përbën një sinjal të fortë për ciklin olimpik që çon drejt Lojërave Olimpike Los Angeles 2028, ku Krasniqi synon të vazhdojë historinë e suksesit për veten dhe për xhudon e Kosovës. /KosovaPress/

The post Xhudistja Krasniqi rrëmben medaljen e artë në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Policia arreston 313 persona në një bastisje në universitetin e Selanikut

7 February 2026 at 19:31

SELANIK, 7 shkurt /ATSH/- Autoritetet në Greqi arrestuan sot 313 persona në një bastisje në kampusin universitar të qytetit të dytë më të madh të vendit, Selanikut, pasi Policia e Trazirave u sulmua nga turma njerëzish që hodhën më shumë se 100 kokteje Molotov, sipas AP.

Policia greke tha se grupe njerëzish të veshur me kapuçë dolën sot nga kampusi i “Universitetit Aristoteli” të Selanikut në orët para të mëngjesit për të sulmuar një skuadër policie të trazirave.

Njësia zakonisht vendoset në një distancë të caktuar nga kampusi për të garantuar sigurinë – pas festave të natës që zhvillohen në ambientet e universitetit.

Sulme të tilla kundër Policisë së Trazirave pranë kampusit universitar nuk janë të rralla, por kjo është hera e parë që kaq shumë njerëz arrestohen pas një përplasjeje të tillë – gjatë së cilës u përdor një numër jashtëzakonisht i lartë bombash zjarri.

Policia e Trazirave përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të zmbrapsur sulmuesit.

“Një oficer u dërgua në një spital ushtarak për shkak të djegieve në fytyrë dhe këmbë, ndërsa një civil 21-vjeçar u trajtua për probleme me frymëmarrjen”, tha policia.

Universiteti tha në një deklaratë se sulmet ishin kryer nga “ekstremistë” jashtë kampusit, në bashkëpunim me disa individë brenda territorit të universitetit.

Ata thanë se një hetim ishte duke u zhvilluar – për të përcaktuar nëse ndonjë student ka marrë pjesë.

Gjithashtu, sipas deklaratës nuk ishte dhënë leje për të organizuar ndonjë festë në territorin e universitetit.  //a.i/

The post GREQI – Policia arreston 313 persona në një bastisje në universitetin e Selanikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Vlora: Pasditet e dimrit, si pranverë

7 February 2026 at 19:26

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Moti i ngrohtë dhe temperaturat jo tipike për muajin shkurt, kanë bërë që qytetarë dhe turistë të shumtë të shijojnë ndryshe pasditen e sotme në Vlorë.

Të rinj që luajë basketboll buzë detit, të moshuar, prindër e fëmijë të grupmoshave të ndryshme shijojnë aktivitetet mes shëtitjeve, lojës në rërë, peshkimit etj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qyteti i Vlorës, duke i etiketuar “pasditet e dimrit në Vlorë, si pranverë”.

Në videon e publikuara shfaqet bregdeti dhe shëtitorja e qytetit nën rrezet e diellit, me qytetarë dhe vizitorë që shijojnë temperaturat e larta dhe motin e kthjellët.

Vlora vazhdon të tërheqë vizitorë të shumtë, duke u kthyer në një ndër destinacionet gjithëvjetore më të kërkuara.

/e.i/j.p/

The post Rama ndan pamje nga Vlora: Pasditet e dimrit, si pranverë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt

7 February 2026 at 19:10

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me demokratët sot në Kamzë në turin e Foltores u ndal te protesta kombëtare e paralajmëruar që do të zhvillohet në 10 shkurt.

Berisha tha se 10 shkurti është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Partinë Demokratike.

“Ju garantoj se Europa dhe çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Dy protestat tona kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë. Sepse kur të tjerët lexojnë për ato që s’kanë ndodhur kurrë, se nuk mundet kurrë një kryeministër t’i imagjinojë se nuk do i heqë imunitetin ministrit apo vetes së tij, në qoftë se kërkon drejtësia”, tha ai.

“Të dalim në shesh për t’i dalë zot vendit”, vijoi Berisha, ndërsa theksoi se kjo është koha  e guximtarëve.

Nga Foltorja në Kamzë, kreu i PD-së tha se kjo forcë politike ka një mision të rëndësishëm, të shpëtojë Shqipërinë nga diktatura, nga një regjim që bazohet në përçmimin e qytetarëve.

“Çdo qeveri që shkelmon votën e qytetarëve duhet të rrëzuar një minutë e më parë. Çdo qeveri që del nga vota e lirë e qytetarëve, por i vjedh qytetarët, humbet çdo legjitimitet për të qëndruar në pushtet. Dhe duhet të largohet një minutë e më parë. Pra, këtu jemi. Në njërën anë jemi ne, njerëz me ideale, njerëz që e duan këtë vend, njerëz që i besojmë Shqipërisë, që ia njohim të gjithë problematikën”, pohoi Berisha.

Kreu i PD theksoi se secili demokrat ka kritikat dhe pakënaqësitë e veta, por gjykon se vetëm me Partinë Demokratike mund të realizohen idealet.

Duke u ndalur tek problematikat në bashkinë e Kamzës, Berisha tha se irinfrastruktura ndodhet në rrënim e sipër.

 

/e.i/j.p/

The post Berisha: Çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani kërcënon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të godasim bazat tuaja në Lindjen e Mesme

7 February 2026 at 18:45

TEHERAN, 7 shkurt /ATSH/- Irani do të godasë bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse sulmohet nga forcat amerikane të grumbulluara në rajon, tha sot ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi – duke këmbëngulur se kjo nuk duhej parë si një sulm ndaj vendeve që i strehojnë ato, sipas “Reuters”.

Ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi foli për televizionin Al Jazeera të Katarit një ditë pasi Teherani dhe Uashingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte për çështjen bërthamore, pas asaj që të dyja palët e përshkruan si diskutime pozitive, dje në Oman.

Ndërsa Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të negociatave, presidenti amerikan Donald Trump tha se ato mund të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme.

“Ne dhe Uashingtoni besojmë se duhet të mbahet së shpejti,” tha Araqchi.

Trump ka kërcënuar të godasë Iranin pas një grumbullimi të marinës amerikane në rajon, duke kërkuar që Teherani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, si dhe të ndalojë ndërtimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në rajon.

Teherani ka mohuar prej kohësh çdo synim për të përdorur prodhimin e karburantit bërthamor për armë.

Ndërsa të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë mbi mosmarrëveshjen e gjatë bërthamore të Teheranit me Perëndimin, Araqchi refuzoi ta zgjerojë temën e bisedimeve.

“Çdo dialog kërkon heqjen dorë nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në”, tha ai.

Qershorin e kaluar, SHBA-ja bombardoi objektet bërthamore iraniane, duke u bashkuar në fazën e fundit të një fushate bombardimesh 12-ditore nga Izraeli. Teherani ka thënë që atëherë se ka ndalur aktivitetin e pasurimit të uraniumit.

Reagimi i tij në atë kohë përfshiu një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Katar, i cili ruan marrëdhënie të mira si me Teheranin ashtu edhe me Uashingtonin.

“Në rast të një sulmi të ri amerikan, pasojat mund të jenë të ngjashme”, tha Araqchi.

“Nuk do të ishte e mundur të sulmohej toka amerikane, por ne do të synojmë bazat e tyre në rajon”, tha ai.

“Ne nuk do të sulmojmë vendet fqinje; përkundrazi, do të synojmë bazat amerikane të vendosura në to. Ka një dallim të madh mes të dyjave”, shtoi ai.

Irani thotë se kërkon njohjen e të drejtës së tij për të pasuruar uraniumin dhe se vendosja e programit të tij raketor në tryezën e negociatave do ta linte të pambrojtur ndaj sulmeve izraelite. //a.i/

The post TEHERAN – Irani kërcënon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të godasim bazat tuaja në Lindjen e Mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Të paktën 45 të vdekur për shkak të reshjeve të dendura të dëborës

7 February 2026 at 18:00

TOKIO, 7 shkurt /ATSH/- Reshjet e dendura të borës në të gjithë Japoninë që nga 20 janari kanë shkaktuar të paktën 45 të vdekur dhe 500 të plagosur në të gjithë vendin, sipas “Euronews”.

Japonia po përgatitet për reshje të dendura bore gjatë fundjavës, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive e Japonisë raportoi të paktën 45 vdekje dhe mbi 500 të plagosur për shkak të borës, që nga 20 janari.

Rajoni veriperëndimor i Prefekturës Nigata regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve me 17 persona dhe mbi 170 të plagosur.

Reshje të dendura të borës u regjistruan në Aomori dhe Wakanai, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për reshje të mëtejshme të borës, gjatë fundjavës, në rajonet bregdetare perëndimore dhe veriore.

Agjencia u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë për pezullimet e trafikut dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj ortekëve.

Paralajmërimi vjen ndërsa Japonia përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.//a.i/

The post JAPONI – Të paktën 45 të vdekur për shkak të reshjeve të dendura të dëborës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxënësi Neevis Hasani fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë

7 February 2026 at 17:54

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Neevis Hasani, nxënës i shkollës “4 Dëshmorët”, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë të zhvilluar në Qipro.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi se nxënësi Hasani fitoi medaljen e bronztë në kategorinë Cadet 52 kg, duke sjellë një tjetër sukses për sportin shqiptar.

Kumbaro e cilësoi përpjekjen e nxënësit si një rrugëtim të vështirë, përmes fitoreve së njëpasnjëshme me disa shtete, por që e ktheu Neevisin me fitore për Shqipërinë duke shpërblyer mundin, vullnetin dhe përkushtimin e tij e familjes.

Ky rezultat vjen si një tjetër arritje e rëndësishme jo vetëm për sportistin e ri, por edhe për shkollën dhe komunitetin që e mbështet, duke dëshmuar potencialin e talenteve që rriten në shkollat shqiptare.

/e.i/j.p/

The post Nxënësi Neevis Hasani fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të Karatesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – “Bordi i Paqes” i Trump mblidhet për herë të parë më 19 shkurt në Uashington

7 February 2026 at 17:19

UASHINGTON, 7 shkurt /ATSH/- I ashtuquajturi “Bordi i Paqes” i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i ngarkuar me mbikëqyrjen e qeverisjes në Rripin e Gazës si pjesë e planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, do të mblidhet në Uashington, për takimin e tij të parë, më 19 shkurt, sipas agjencisë së lajmeve online “Axios”.

Media, duke cituar një zyrtar amerikan dhe diplomatë nga katër vende që janë pjesë e bordit, raportoi dje se planet për takimin më 19 shkurt – i cili do të shërbejë gjithashtu si një ngjarje për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës mes gjenocidit të Izraelit në enklavë – janë ende të pasigurta dhe mund të ndryshojnë.

“Axios” raporton se takimi është planifikuar një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të takohet me presidentin Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Nëse Netanyahu merr pjesë në takimin e Bordit të Paqes, ky do të jetë takimi i tij i parë me udhëheqës arabë dhe myslimanë që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, më 7 tetor 2023.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e komentuan raportin.

Trump u ka ofruar vende në bord figurave të tilla si Netanyahu. Tony Blair, ish-kryeministri britanik është gjithashtu në bord.

Trump ka sugjeruar që bordi mund të ndihmojë në adresimin e konflikteve të tjera përtej Gazës.

Presidenti amerikan dhe aleatët e tij, si dhëndri i tij Jared Kushner, shpesh kanë folur për Gazën si një qendër të mundshme të inovacionit teknologjik, zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe investimeve ndërkombëtare, në të ardhmen. //a.i/

The post FOKUS – “Bordi i Paqes” i Trump mblidhet për herë të parë më 19 shkurt në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”

7 February 2026 at 17:15

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Sot kujtohet figura e paharruar e këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha, e cila u shua më 7 shkurt 2020 në Prishtinë, duke lënë pas një trashëgimi unikale në muzikën shqiptare.

E njohur gjerësisht si “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, Pagarusha mbeti një nga zërat më të veçantë, më të fuqishëm dhe më përfaqësues të skenës sonë muzikore. Me vokalin e saj karakteristik prej sopranoje, ajo arriti famë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje, duke u bërë një ikonë kulturore për breza të tërë.

E lindur në Malishevë dhe e arsimuar në shkollën e muzikës në Beograd, Pagarusha nisi rrugëtimin artistik në vitin 1948 në valët e Radio Prishtinës. Gjatë katër dekadave të karrierës së saj ajo interpretoi me finesë një gamë të gjerë zhanresh – nga kënga folklorike te ajo klasike, e deri te interpretimet operistike, duke dëshmuar një talent të rrallë dhe një profesionalizëm të pakrahasueshëm.

Ndër këngët më të dashura dhe më të vlerësuara të repertorit të saj mbetet “Baresha”, një kryevepër që u kurorëzua me çmime dhe që sot vazhdon të mbetet një simbol i identitetit muzikor shqiptar.

Koncerti i saj i fundit u mbajt në vitin 1984 në Sarajevë, por zëri dhe arti i Nexhmije Pagarushës vijojnë të ndikojnë e të frymëzojnë edhe sot, duke mbetur pjesë e pandarë e kujtesës sonë kulturore.

The post Përkujtohet Nexhmije Pagarusha, “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fakte për macet që ndoshta nuk i dinit!

7 February 2026 at 16:54

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/- Macet janë krijesa misterioze, elegante dhe plot surpriza.

Pas pamjes së tyre të qetë fshihen aftësi dhe sjellje që i bëjnë ato edhe më magjepsëse.

Ja disa fakte interesante që tregojnë pse macet vazhdojnë të na habisin çdo ditë:

  • Macet kanë një organ të veçantë të quajtur organi i Jacobson-it, i cili i ndihmon të “shijojnë” aromat. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë i shihni me gojë paksa hapur, sikur po analizojnë ajrin përreth.
  • Gërhitja e maces nuk është vetëm një shenjë kënaqësie. Ajo vibrion në një frekuencë që mund të ndihmojë në shërimin e kockave dhe indeve, si te vetë macja ashtu edhe te njerëzit.
  • Gjuha e trupit të një maceje është shumë e rëndësishme dhe shpesh ndryshon nga ajo që mendojmë. Një lëvizje e bishtit, veshët ose sytë mund të tregojë shumë për humorin e saj.
  • Mustaqet e maces janë po aq të gjata sa trupi i saj dhe e ndihmojnë të kuptojë nëse mund të kalojë në hapësira të ngushta.
  • Macet kanë edhe një qepallë të tretë, të quajtur membrana niktituese, e cila mbron sytë dhe i mban ata të lagësht.
  • Kur i mbyllni sytë ngadalë një maceje, në gjuhën e saj kjo do të thotë: “Të besoj.” Është një nga shenjat më të bukura të afeksionit.
  • Macet mund të kërcejnë deri në gjashtë herë të gjatësisë së trupit të tyre me një kërcim të vetëm, falë muskujve të fuqishëm dhe shtyllës kurrizore fleksibël.
  • Ndryshe nga sa mendohet, macet rrallë mjaullijnë me njëra-tjetrën. Ato mjaullijnë kryesisht për të komunikuar me njerëzit.
  • Kur një mace ju sjell “dhurata”, si zogj apo minj, nuk po ju shqetëson. Ajo mendon se jeni një gjuetar i dobët dhe po përpiqet t’ju ndihmojë të mbijetoni.
  • Shtylla kurrizore fleksibël u lejon maceve të rrotullohen në ajër dhe të bien në këmbë në shumicën e rasteve.
  • Kur një mace fërkohet pas jush, nuk është vetëm shenjë dashurie. Ajo po ju shënon si “të sajin” përmes gjëndrave të aromës.
  • Dhe një fakt surprizë: macet nuk e shijojnë të ëmblën, sepse u mungojnë receptorët për këtë shije.

Macet janë shumë më tepër sesa thjesht kafshë shtëpiake – ato janë një botë e tërë misteresh që presin të zbulohen! //a.i/

The post Fakte për macet që ndoshta nuk i dinit! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌