ITALI – Meloni i kërkon Trumpit rikonfigurimin e Bordit të Paqes
ROMË, 25 janar /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump të ndryshojë konfigurimin e Bordit të tij të Paqes për ta bërë më të lehtë për Italinë dhe vendet e tjera që të regjistrohen në të.
Meloni ka thënë se Roma është e interesuar të jetë pjesë e bordit, por nuk është në gjendje të bashkohet për momentin sepse ka aspekte që bien ndesh me kushtetutën italiane.
“Thashë se ka probleme objektive kushtetuese për ne për mënyrën se si është konfiguruar iniciativa dhe kërkova gatishmërinë e tij për të rihapur këtë konfigurim për të përmbushur nevojat jo vetëm të Italisë, por edhe të vendeve të tjera evropiane”, tha Meloni në një konferencë për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz pas një samiti ndërqeveritar Itali-Gjermani në Romë.
“Duhet të përpiqemi ta bëjmë këtë punë. Prania e vendeve si e jona mund të bëjë një ndryshim. Ky është qëndrimi ynë, pastaj do të shohim se cilat janë kufijtë për të gjetur qëndrime të përbashkëta”, tha Meloni, deklaratë që u miratua edhe nga kancelari Merz.
“Lidhur me Bordin e Paqes, unë personalisht do të isha i gatshëm të hyja në të nëse ai do të shoqëronte procesin e Gazës në një fazë të dytë. Por, në çdo rast, nuk mund t’i pranojmë strukturat aktuale të qeverisjes. Jemi gati të eksplorojmë formate të reja me SHBA-në”, tha Merz.
Meloni tha gjithashtu se shpresonte që përpjekjet e Trump do t’i jepnin fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se, nëse ndodh kjo, qeveria e saj do të mbështesë dhënien e çmimit Nobel për Paqen presidentit të SHBA-së.
“Shpresoj se do të jemi në gjendje t’ia japim çmimin Nobel për Paqen Trumpit. Kam besim se ai mund të bëjë një ndryshim për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme edhe për Ukrainën, dhe pastaj, më në fund, ne do të jemi në gjendje ta nominojmë Donald Trumpin”, deklaroi Meloni./ a.jor.
The post ITALI – Meloni i kërkon Trumpit rikonfigurimin e Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.