Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Tre partitë kryesore të BE-së bëjnë thirrje për ndërprerjen e marrëveshjes së tarifave me SHBA-në

18 January 2026 at 09:57

BRUKSEL, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Pas Manfred Weber, president i Grupit PPE në Parlamentin Europian, Iratxe García Pérez, udhëheqëse e S&D, dhe Valérie Hayer, presidente e partisë së qendrës Renew, po bëjnë gjithashtu thirrje për pezullimin e marrëveshjes tregtare BE-SHBA.

“Renew Europe’ nuk mund të votojë për marrëveshjen tregtare Turnberry, dhe aktivizimi i instrumentit anti-shtrëngim duhet të merret në konsideratë në mënyrë të qartë”, theksoi Hayer.

“Ne duhet të veprojmë tani: të pezullojmë negociatat për marrëveshjen tregtare BE-SHBA dhe të aktivizojmë instrumentin anti-shtrëngim”, i bën jehonë Pérez. /os/

The post FOKUS – Tre partitë kryesore të BE-së bëjnë thirrje për ndërprerjen e marrëveshjes së tarifave me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Parku eolik në Tropojë, hap i rëndësishëm për sovranitetin energjetik

18 January 2026 at 09:55

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se projekti për ndërtimin e parkut të energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë do të thellojë diversifikimin e portofolit energjetik të vendit.

Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te zhvillimet kryesore të javës, ku veçoi projektin madhor të parkut me energji të rinovueshme me erë në Tropojë.

“Kjo javë ka qenë e rëndësishme edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, pasi kemi hedhur edhe një hap tjetër të rëndësishëm në drejtim të sovranitetit energjetik, duke fuqizuar kështu themelet e ekonomisë dhe duke iu afruar atij momenti kur Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të paguajë nga taksat e shqiptarëve për të importuar energji nga jashtë”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama vlerësoi hapin e hedhur për fazën e dytë të projektit madhor të parkut me energji të rinovueshme me erë në Tropojë, me një kapacitet prodhimi prej 600 megavat.

Sipas Kryeministrit ky është një hap dhe një fazë e re që shënon finalizimin e një përpjekjeje të përbashkët rreth dyvjeçare me kompaninë amerikane, lidere në energjinë e rinovueshme në Europë, CWP.

“Në këtë mënyrë, falë një procesi parapërgatitor që është faktikisht më i shkurtër se vetë procesi i ndërtimit, kam bindjen se në një kohë 12 muaj punë, pa llogaritur periudhat kur dimri është realisht në fazën që e bën të pamundur punën normale në terren, ne do të kemi parkun me energji të erës, që do të hyjë në rrjetin e prodhimit tonë kombëtar dhe do të bëjë që, në këtë mënyrë, Shqipëria të thellojë diversifikimin e portofolit të vet energjetik”, u shpreh Rama.

/m.m/r.e/

The post Rama: Parku eolik në Tropojë, hap i rëndësishëm për sovranitetin energjetik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: SHBA nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë

18 January 2026 at 09:46

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, por për 75 vende është bërë një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë podkastit “Flasim”, Kryeministri reagoi ndaj dezinformimit të opinionit publik lidhur me këtë lajm, të cilin e cilësoi të pavërtetë.

“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë”, tha Rama.

Kjo, sipas Kryeministrit, është e pavërtetë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara. Jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë”, sqaroi Rama.

Kjo, sipas tij, “është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm”.

“Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart”, shtoi Kryeministri.

/m.m/r.e/

The post Rama: SHBA nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 20-të e “Abissnet Superiore” premton spektakël

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kampionati “Abissnet Superiore” rikthehet sot dhe nesër me ndeshjet e Javës së 20-të.

Sot në orën 17:00 luhen dy takimet e para të kësaj jave. Në “Egnatia Arena”, Egnatia pret AF Elbasanin në një përballje spektakolare mes dy vendeve të para në renditje. Një sfidë me interes të veçantë, ku objektivi i të dyja ekipeve është fitorja. Egnatia synon të reagojë pas humbjes ndaj Vllaznisë dhe të rikthehet te suksesi në kampionat, ndërsa AF Elbasani vjen në këtë ndeshje pas tri javësh pa fitore dhe kërkon triumfin për të barazuar Egnatian në renditje.

Në të njëjtën orë, në Vlorë, Flamurtari do të përballet me Bylisin. Vlonjatët, që renditen në vendin e parafundit, do të kërkojnë rikthimin te fitorja në shtëpi për të siguruar pikë të rëndësishme në kampionat.

Tri ndeshjet e tjera të Javës së 20-të janë programuar të hënën. Në orën 13:30, Vora pret Tiranën në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me moral të lartë, pas sukseseve në javën e fundit.

Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Të kuqtë kërkojnë të reagojnë pas humbjes ndaj Vorës, ndërsa Teuta vjen pas barazimit me Dinamo City-n dhe synon të marrë rezultat pozitiv në transfertë.

Java e 20-të do të mbyllet me spektakël në “Air Albania”, ku Dinamo City do të përballet me Vllazninë në orën 19:30. Të dyja skuadrat kanë nga 33 pikë në renditje dhe ndodhen katër pikë larg Egnatias kryesuese, duke e bërë këtë përballje një tjetër ndeshje me peshë të madhe për vazhdimësinë e kampionatit.

Renditja pas Javës së 19-të e Superiores: Egnatia kryeson renditjen me 37 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 34 pikë. Dinamo City dhe Vllaznia ndjekin me nga 33 pikë secila. Teuta ka 26 pikë, Partizani 23, Vora 22, Bylisi 18, Flamurtari 15, Tirana 13.

The post Java e 20-të e “Abissnet Superiore” premton spektakël appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INDONEZI – Zhduket një aeroplan me 10 persona në bord

18 January 2026 at 09:22

XHAKARTA, 18 janar /ATSH-AA/ – Një avion indonezian që transportonte dhjetë persona, përfshirë shtatë anëtarë të ekuipazhit dhe tre pasagjerë, u zhduk sot në provincën Sulawesi Jugor, njoftoi Ministria e Transportit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ANTARA.

Avioni “ATR 42-500”, i operuar nga kompania ajrore “Indonesia Air Transport”, humbi kontaktin në rrethin Maros.

“Një post i Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit (Basarnas) është ngritur pranë vendndodhjes”, tha Lukman F. Laisa, zyrtar i ministrisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil e ministrisë mori një raport fillestar për humbjen e kontaktit me avionin e regjistruar PK-THT, i cili ishte nisur nga Yogyakarta drejt Makassarit.

Informacionet paraprake treguan se kushtet e motit në atë moment përfshinin dukshmëri rreth tetë kilometra, me qiell pjesërisht të vranët.

“Detaje të mëtejshme janë ende duke u koordinuar me Agjencinë e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës (BMKG)”, shtoi zyrtari.

Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil tha se po vazhdon koordinimin e ngushtë me autoritetet përkatëse dhe do të ofrojë përditësime të rregullta sapo të jenë të disponueshme informacione zyrtare.   /os/

The post INDONEZI – Zhduket një aeroplan me 10 persona në bord appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama publikon ftesën e Trump për Bordin e Paqes: Do të bëj gjithçka për të lartësuar emrin e vendit tonë

18 January 2026 at 09:21

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot tekstin e letrës që mori dje nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, i cili e ka ftuar personalisht për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes për Rripin e Gazës.

Ndërsa falënderon shqiptarët për privilegjin e besimit që i kanë dhënë, Kryeministri siguron se “do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve”.

Bordi i Paqes është një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej presidentit Trump, ku Shqipëria ftohet si anëtare themeluese.

“Arritja jonë sjell së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të paqes së përhershme, një nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembullin e tyre, dhe të përkushtohen me mjeshtëri për një të ardhme të sigurt e të begatë për brezat që do të vijnë. Në një të ardhme të afërt, ne do t’i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm e të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë shumë të respektuar”, thuhet ndër të tjera në letrën e presidentit Trump.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të enjten formimin e “Bordit të Paqes” për Rripin e Gazës.

Pjesë e Bordit do të jenë edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, ish-i dërguari special i OKB-së, Nickolay Mladenov, miliarderi Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.

Më poshtë përkthimi i letrës së presidentit Trump:

“16 Janar, 2026

Shkëlqesia e Tij

Edi Rama

Kryeministër i Shqipërisë

Tiranë

I nderuar Kryeministër,

Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!

Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza, një plan veprimi me 20 pika, i mbështetur menjëherë nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë edhe Krerët kryesorë në Botën Arabe, Izrael, dhe Europë. Në vijim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë mbizotëruese Rezolutën 2803, duke mirëpritur dhe mbështetur këtë plan.

Tani është koha që t’i kthejmë gjithë ëndrrat në realitet. Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.

Arritja jonë sjell së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES së PËRHERSHME, një Nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembullin e tyre, dhe të përkushtohen me mjeshtëri për një të ardhme të sigurt e të begatë për brezat që do të vijnë. Në një te ardhme të afërt, ne do t’i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm e të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë shumë të respektuar.

Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të!

Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës, dhe Statutin e Bordit, i cili tani është i disponueshëm për nënshkrimin tuaj dhe ratifikimin.

Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!Me urimet më të mira, Unë jam,

Sinqerisht,

DONALD J. TRUMP

PRESIDENT I REPUBLIKËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS”.

 

/m.m/r.e/

The post Rama publikon ftesën e Trump për Bordin e Paqes: Do të bëj gjithçka për të lartësuar emrin e vendit tonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Biznesi kërkon mbi pesë mijë punonjës, kërkesat më të larta në shërbim, ndërtim dhe industri

18 January 2026 at 09:18

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Tregu i punës në Shqipëri po shfaq shenja të qëndrueshme gjallërimi, ku kërkesa për punonjës vijon të mbetet e lartë në shumë sektorë të ekonomisë.

Portali zyrtar i punësimit “puna.gov.al”, po përdoret gjithnjë e më shumë nga bizneset dhe qytetarët si kanali kryesor për shpalljen dhe kërkimin e vendeve të lira të punës.

Në portal shpallen mesatarisht rreth 5500 vende të lira pune çdo muaj, çka dëshmon jo vetëm nevojën e tregut për fuqi punëtore, por edhe rritjen e besimit të punëdhënësve te ky instrument publik ndërmjetësimi.

Drejtorja e Drejtorisë së Shërbimeve të Tregut të Punës në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Gertiola Çepani, në një intervistë për ATSH-në bën të ditur se gjatë vitit 2025 sektorët me numrin më të madh të ofertave janë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërtimi dhe shërbimet, industria përpunuese, telekomunikacioni, si edhe aktivitete të tjera profesionale dhe shërbime mbështetëse.

Çepani tha se bashkëpunimi mes portalit “puna.gov.al” dhe Zyrave të Punësimit ka dhënë rezultate konkrete, pasi mbi 25 mijë punëkërkues janë punësuar me mbështetjen e shërbimeve publike të punësimit, duke lehtësuar lidhjen mes ofertës dhe kërkesës në treg.

Çepani shpjegon se edhe shpërndarja e vendeve të lira të punës pasqyron zhvillimin ekonomik të vendit, ku pjesa më e madhe e ofertave janë përqendruar në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani dhe Fieri, të cilat mbeten qendrat më aktive të punësimit.

“Nga të dhënat rezulton punëdhënësit po kërkojnë kandidatë me përvojë pune dhe me arsim të lartë, në nivelet Bachelor dhe Master”, shtoi ajo.

Profesionet më të kërkuara, për këtë kategori, tha Çepani, janë ekonomistë, menaxherë, specialistë komunikimi, zhvillues softuerësh, inxhinierë dhe juristë.

Në të njëjtën kohë, vijoi ajo, kërkesa mbetet e lartë edhe për punonjës me arsim të mesëm, sidomos në profesione si kamerierë, shitës në dyqane, shoferë mjetesh të rënda, kuzhinierë, banakierë dhe recepsionistë.

Ndërsa për personat me arsim të ulët, ofertat përqendrohen kryesisht në profesione si punonjës pastrimi, ndihmëskuzhinierë, punëtorë ndërtimi, rrobaqepës dhe prodhues këpucësh.

Sipas Çepanit, portali “puna.gov.al” po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në funksionimin e tregut të punës, duke ndihmuar qytetarët të gjejnë punë dhe bizneset të plotësojnë nevojat e tyre për fuqi punëtore.

/r.e/ /a.g/

The post Biznesi kërkon mbi pesë mijë punonjës, kërkesat më të larta në shërbim, ndërtim dhe industri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Topuzi për ATSH: Pagesat elektronike në turizëm hap pozitiv, problem nivelet e larta të komisioneve bankare

18 January 2026 at 09:16

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit, bizneset e sektorit të turizmit, si edhe subjekte të tjera të shërbimeve, do të jenë të detyruara që, përveç pagesave kesh (cash), të garantojnë edhe forma alternative të pagesave elektronike, përfshirë pagesat me karta krediti, karta debiti dhe mjete të tjera elektronike.

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, në një prononcim për ATSH-në, e cilësoi këtë nismë të qeverisë si një hap pozitiv për vendin, duke theksuar se ajo ndikon drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë dhe në përmirësimin e shërbimit ndaj turistëve.

“Plani ambicioz i Kryeministrit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend me përdorim minimal të parasë kesh është interesant dhe i domosdoshëm. Është e sigurt që një nga sektorët kryesorë ku do të zbatohet kjo masë është turizmi dhe shërbimet”, u shpreh Topuzi.

Sipas tij, turizmi dhe transporti sigurojnë rreth 43,6% të totalit të eksporteve të vendit dhe përbëjnë një sektor strategjik për ekonominë shqiptare. Megjithatë, Topuzi vuri në dukje se industria e turizmit përballet me disa problematika serioze që e kanë vështirësuar deri më tani zbatimin e plotë të pagesave elektronike.

“Dy elementë thelbësorë nuk janë trajtuar mjaftueshëm. Arsyeja kryesore është niveli shumë i lartë i komisioneve që aplikojnë bankat e nivelit të dytë për pagesat me karta. Ndërkohë që në Bashkimin Europian komisionet variojnë nga 0,3 deri në 0,6% në Shqipëri ato shkojnë nga 1,8 deri në 5%”, theksoi ai.

Topuzi nënvizoi se për bizneset e vogla të shërbimit, që operojnë me marzhe fitimi 7 deri në 10 për qind, këto komisione e penalizojnë ndjeshëm aktivitetin. “Në këto kushte, banka kthehet në një aksionar kryesor, duke marrë deri në 30-40 për qind të të ardhurave të biznesit”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me faktin se komisionet për pagesat elektronike rëndojnë mbi subjektet dhe jo mbi klientët, ndërsa në transaksione të vogla kjo kosto bëhet e papërballueshme. “Nuk është normale që për një pagesë të vogël, siç është një kafe, të paguhen komisione shtesë”, u shpreh Topuzi.

Ai e cilësoi proces për pagesave elektronike si një “revolucion të përgjithshëm”, që nuk lidhet vetëm me vendosjen e pajisjeve POS në njësitë e shërbimit, por kërkon ndërhyrje rregullatore nga Banka e Shqipërisë. “Banka Qendrore nuk duhet të jetë vetëm rekomanduese, por vendimmarrëse për kufizimin e komisioneve, ashtu siç kanë vepruar shumë vende europiane”, tha Topuzi, duke përmendur shembuj nga Greqia dhe Zvicra, ku komisionet janë ulur në nivele minimale.

Një tjetër çështje e rëndësishme, sipas tij, është mundësia e dhënies së bakshishit (tips) përmes kartës bankare. “Turizmi është kthyer në një nga industritë më të rëndësishme në Shqipëri, me rreth 12 milionë turistë të huaj në vit. Sistemi aktual nuk e lejon që bakshishi të kalojë përmes kartës, gjë që penalizon punonjësit e shërbimit”, theksoi Topuzi.

Ai bëri të ditur se Shoqata e Operatorëve Turistikë ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe bankave për të mundësuar këtë proces, i cili është i aplikuar gjerësisht në vendet europiane dhe realizohet në mënyrë transparente përmes sistemit bankar dhe tatimor.

Ndër të tjera Topuzi gjithashtu theksoi rëndësinë e fushatave të informimit dhe trajnimeve për bizneset, veçanërisht për ato të vogla, si dhe zhvillimin e infrastrukturës teknike dhe teknologjike. “Është e vështirë që ky proces të realizohet plotësisht brenda gjashtë muajve pa mbështetje konkrete dhe pa uljen e komisioneve bankare”, tha ai.

Sipas tij, kjo masë do të ndikojë edhe në formalizimin e sektorit të akomodimit, ku aktualisht rreth 70 për qind e kapaciteteve janë apartamente dhe vila në formën B&B, ndërsa vetëm 22 për qind janë hotele. “Vendosja e pagesave elektronike do ta fusë këtë sektor në një regjim më të kontrolluar dhe më transparent”, përfundoi Topuzi.

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, foto: Florian Abazaj
1 nga 9

/e.xh/j.p/r.e/

The post Topuzi për ATSH: Pagesat elektronike në turizëm hap pozitiv, problem nivelet e larta të komisioneve bankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistër kombëtar për donacionet dhe sponsorizimet, rregulla të posaçme për vlera mbi 500 mijë lekë

18 January 2026 at 09:14

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Për herë të parë parashikohet që Shqipëria të ketë një regjistër elektronik kombëtar për donacionet dhe sponsorizimet. Ky regjistër do të jetë i aksesueshëm nga publiku në çdo kohë në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të dhënat që lidhen me donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike.

Kjo është risia kryesore e projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”, hedhur për konsultim nga qeveria si pjesë e paketës së ligjeve në fushën e antikorrupsionit.

Ky projektligj përcakton rregullat dhe procedurat për mbështetjen me donacione dhe sponsorizime në realizimin e veprimtarive me interes publik.

Në lidhje me lehtësitë tatimore, projektligji parashikon se subjekteve, persona fizikë a juridikë, që paguajnë tatim mbi fitimin sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, shuma e sponsorizuar u njihet si shpenzim i zbritshëm jo më pak se 3 për qind të tatimfitimit.

Gjithashtu, projektligji synon rregullimin e lehtësisë tatimore të dedikuar për sponsorizuesit që kontribuojnë në fushën e artit, sportit ose kulturës, përmes zbritjes direkte deri në masën 30 % nga tatimi mbi fitimin.

Projektligji vendos kufizime për të pranuar sponsorizime për disa organe publike për shkak të natyrës së tyre të veprimtarisë. Organet e sistemit të drejtësisë, Policia e Shtetit, organet që kanë kompetenca kontrolli dhe mbikëqyrëse në fushën e prokurimit publik, pastrimit të parave ose luftës ndaj korrupsionit nuk mund të pranojnë sponsorizime, nëse nuk i lejohet shprehimisht me ligj të posaçëm.

Në lidhje me donacionet e organeve publike, projektligji parashikon rregulla të posaçme për pranimin dhe administrimin e tyre kur vlera financiare është mbi 500 mijë lekë.

Për organizatat jofitimprurëse, organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare dhe individët fshehja e të dhënave në regjistër ose deklarimi i pasaktë i sponsorizuesve përbën kundërvajtje administrative për organizatën dhe dënohet me gjobë nga organet tatimore nga përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga organet tatimore nga 100 mijë lekë deri 200 mijë lekë.

Pranimi i sponsorizimeve të paligjshme nga organizatat jofitimprurëse ndëshkohet me gjobë nga organet tatimore nga 200 mijë lekë deri në 300 mijë lekë.

Në rastin e pranimit të sponsorizimeve të paligjshme nga organizatat jofitimprurëse, organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare dhe individët, është parashikuar se përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë nga organet tatimore nga 200 mijë lekë deri në 300 mijë lekë.

Projektligji është hartuar në kuadër të detyrimeve që sjell procesi i integrimit evropian, ku Shqipëria ka marrë përsipër angazhimin për ndryshimin e kuadrit ligjor për donacionet dhe sponsorizimet brenda vitit 2027.

Shqipëria miratoi ligjin e parë për sponsorizimet në vitin 1994, por ligji ka nocione bazë të kufizuara për sa i përket llojeve të sponsorizimeve si dhe nuk ka parashikime për donacionet, transparencën, integritetin dhe masat antikorrupsion.

Në këto kushte, u konsiderua i vlefshëm hartimi i një projektligji të ri dhe jo amendimi i pjesshëm i ligjit të 1994-ës, në mënyrë që të adresohen këto boshllëqe.

Sindikatat dhe partitë politike nuk janë subjekt i këtij projektligji.

Nga ana tjetër, projektligji nuk krijon mbivendosje me kuadrin ligjor në fuqi për pastrimin e parave, luftën kundër terrorizimit apo parandalimin e konfliktit të interesave, por përforcon masat e integritetit dhe përmban një sërë rregullash që synojnë të rrisin transparencën dhe besimin e qytetarëve tek organet publike.

Në vazhdën e këtyre ndryshimeve ligjore, konsiderohen të domosdoshme ndryshimet për sponsorizimet e kryera në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

/m.m/j.p/r.e/

The post Regjistër kombëtar për donacionet dhe sponsorizimet, rregulla të posaçme për vlera mbi 500 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Opera & Ballet Night”, një natë speciale e operës dhe baletit në kryeqyet

18 January 2026 at 08:40

TIRANË, 18 janar/ATSh/ Opera & Ballet Night, një mbrëmje kushtuar operës dhe baletit ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, disa prej zërave më të bukur të repertorit operistik dhe elegancën e balerinëve.
Dialogu artistik mes muzikës dhe kërcimit i dhuroi publikut një përvojë të veçantë emocionale.

Programi përfshinte vepra nga kompozitorë të mëdhenj të operës si Puccini, Verdi, Mozart, Donizetti, Giordano, Mascagni dhe Lehár, si edhe fragmente koreografike të baletit klasik dhe atij bashkëkohor.

Në skenë u ngjitën solistët lirikë, solistët dhe Trupa e Baletit, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOBAP.

“Opera & Ballet Night” ishte konceptuar si përvojë skenike në formën e një mozaiku artistik, ku ariet dhe duetet më të njohura të repertorit operistik botëror u ndërthurën me pjesë baleti. Koreografitë mbajnë firmën e August Bournonville, Edi Blloshmi, Enada Hoxha, Renato Zanella, Peter Quanz dhe Alvaro Dule, ndërsa orkestra u drejtua prej dirigjentit Gridi Kraja.

Një veçanti e kësaj mbrëmjeje speciale ishte fakti se në të morën pjesë edhe studentët e Universitetit të Arteve. Angazhimi i këtyre instrumentistëve tê rinj prej drejtuesve të TKOBAP, shihet si një komponent i rëndësishëm për realizimin e projekteve artistike. TKOBAP thotë se, studentët kanë qenë vazhdimisht pjesë e produksioneve të ndryshme, një eksperiencë që e vlerësojnë si thelbësore në formimin e tyre profesional dhe praktik.

The post “Opera & Ballet Night”, një natë speciale e operës dhe baletit në kryeqyet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Vetëm pesë minuta më shumë aktivitet ndikojnë në jetëgjatësinë tuaj

18 January 2026 at 08:00

LONDËR, 15 janar /ATSH/ – Pesë minuta në kohën e duhur, vetëm pesë minuta më shumë në ditë. Shkenca po fillon të na tregojë se, kur përdoren në mënyrën e duhur, ato minuta mund ta ndryshojnë vërtet ekuilibrin e jetëgjatësisë, shkruan salute.eu.

Dhe pikërisht këtu fillojnë dy studime, të cilat përpiqen të përcaktojnë vlerën e kësaj diference.

Studimi i botuar në ”The Lancet” fillon pikërisht këtu dhe përpiqet të përcaktojë sasinë e efektit të ndryshimeve të vogla, por realiste, të matura me pajisje dhe jo vetëm të treguara teorikisht.

Të dhënat më konkrete janë këto: shtimi i pesë minutave aktivitet fizik me intensitet të moderuar në ditë, për shembull, ecja me rreth 5,0 km/h, shoqërohet me një ulje prej rreth 10% të të gjitha vdekjeve midis shumicës së të rriturve që bëjnë 17 minuta aktivitet të moderuar në ditë – dhe rreth 6% midis më pak aktivëve, atyre që mesatarisht bëjnë vetëm dy minuta në ditë me atë intensitet.

Studimi shton një tjetër pjesë të enigmës që shpesh e nënvlerësojmë: nuk është vetëm “të lëvizësh më shumë” që ka rëndësi, por edhe “të ulesh më pak”.

Ulja e kohës së qëndrimit ulur me 30 minuta në ditë shoqërohet me një ulje prej 7% të vdekjeve të cilët kalojnë rreth 10 orë në ditë ulur, dhe rreth 3% nga më sedentarët, të cilët kalojnë deri në 12 orë.

Përfitimi më i madh, siç pritej, shfaqet kur nëse 20% më pak aktivë do të rrisnin aktivitetin e tyre me pesë minuta në ditë, ndikimi i përgjithshëm do të ishte më i theksuari.

Kur numri i minutave dyfishohet, kurba vazhdon të zhvendoset: 10 minuta më shumë në ditë me të paktën aktivitet të moderuar shoqërohen me një ulje prej 15% të vdekjeve midis shumicës dhe një ulje prej 9% midis më pak aktivëve, ndërsa 1 orë më pak ulur shoqërohet me një ulje prej 13% midis shumicës dhe një ulje prej 6% midis më pak aktivëve.

Sa më shumë ushtrime bëjnë njerëzit midis moshës 50 dhe 70 vjeç, aq më e ulët është incidenca e sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës.

Studimi kombinon të dhëna nga mbi 135 000 të rritur nga grupe të shumta në Norvegji, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara, me një studim mesatar prej tetë vjetësh.

Një kombinim faktorësh

Për njerëzit me gjumin, aktivitetin fizik dhe zakonet më të këqija të të ushqyerit, autorët vlerësojnë se një numër i vogël rregullimesh të koordinuara mund të përkthehen në përfitime të habitshme: pesë minuta më shumë gjumë, dy minuta më shumë aktivitet nga mesatarja në energji dhe gjysma e një porcioni shtesë perimesh në ditë teorikisht mund t’u shtojnë një vit shtesë jetë atyre që fillojnë nga më e keqja.

Rreth 7-8 orë gjumë, më shumë se 40 minuta aktivitet në ditë dhe një dietë e shëndetshme shoqërohet me mbi nëntë vjet jetë shtesë./   /os/

The post FOKUS – Vetëm pesë minuta më shumë aktivitet ndikojnë në jetëgjatësinë tuaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, me vranësira në zonat veriore dhe lindore

18 January 2026 at 07:30

TIRANË, 18 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe me alternime vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në zonën veriore e lindore të vendit.

Era pritet të fryjë me drejtim verilindje-juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era me shpejtësi deri në 14 m/s, shoqëruar me valëzimin në det 1-2 ballë./r.e/

The post Moti sot i qëndrueshëm, me vranësira në zonat veriore dhe lindore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – ”Nestlé” tërheq disa lloje ushqimesh për foshnjat

18 January 2026 at 07:24

ZYRIH, 18 janar /ATSH/ – Lajmi për tërheqjen paraprake nga ”Nestlé” të disa serive të formulave ushqimore për foshnjat ka rritur në mënyrë të kuptueshme vëmendjen dhe shqetësimin e shumë familjeve, shkruan salute.eu.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të sqarohet situata, të kuptohet se cilat produkte preken, cilat rreziqe reale ekzistojnë dhe si të sillemi në mënyrë të përshtatshme, pa alarmizëm të panevojshëm.

”Nestlé” njoftoi se ka filluar një tërheqje vullnetare dhe paraprake pas një tërheqjeje të mëparshme të dy serive të kryera në Itali në dhjetor 2025.

Produktet e prekura i përkasin disa markave të formulës për foshnje, duke përfshirë ”Beba”, ”Guigoz”, ”Lactogen Harmony” dhe ”Alfamino”.

Problemi ka të bëjë me cereulidin, një toksinë të prodhuar nga bakteri Bacillus cereus.

Nëse gëlltitet, veçanërisht tek fëmijët e vegjël, mund të shkaktojë probleme gastrointestinale si të vjella dhe diarre.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo toksinë është rezistente ndaj nxehtësisë dhe nuk mund të eliminohet me zierje, prandaj produktet nga seritë e prekura nuk duhet të përdoren.

Nëse një paketim është midis serive të prekura nga tërheqja, duhet të ndaloni menjëherë përdorimin e saj dhe të ndiqni udhëzimet e dhëna nga ”Nestlé” për kthim ose rimbursim./  /os/ a.jor.

 

The post FOKUS – ”Nestlé” tërheq disa lloje ushqimesh për foshnjat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 18/01/2026

18 January 2026 at 07:20

SEUL (Koreja e Jugut) – Vizitë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

LISBONË (Portugali) – Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale.

NJU JORK (Shtetet e Bashkuara) – Tubim solidariteti me Iranin.

BUSAN (Koreja e Jugut) – Festivali tradicional me famë botërore i arinjve polarë.

MELBOURNE (Australi) – Tenis – Australian Open./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 18/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 17 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës

17 January 2026 at 19:55

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Partia “Shqipëria Bëhet” zhvilloi sot një protestë në sheshin para Kryeministrisë, ku kryetari i saj, Adriatik Lapaj, iu drejtua qytetarëve dhe aktivistëve me thirrjen për vijimin e qëndresës kundër qeverisë.

Në fjalën e tij, Lapaj theksoi se protesta është pjesë e një angazhimi disa-javor të qytetarëve, duke nënvizuar se qëndresa do të vazhdojë deri në ndryshimin e situatës politike në vend.

Ai deklaroi se, sipas tij, qeverisja aktuale nuk ka sjellë përmirësime reale për qytetarët, pavarësisht fondeve të mëdha të administruara ndër vite.

Lapaj u shpreh kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, janë përdorur fondet publike gjatë 12 viteve të fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi investimet në shëndetësi, paga dhe shërbime publike.

Ai theksoi se qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, mungesë shërbimesh dhe emigrim të lartë, ndërsa kërkoi llogaridhënie për përdorimin e buxhetit të shtetit.

Kryetari i “Shqipëria Bëhet” deklaroi gjithashtu se protestuesit nuk janë zmbrapsur nga kushtet e vështira atmosferike apo ndërhyrjet e forcave të rendit, duke e cilësuar këtë angazhim si një betejë për demokratizimin e vendit.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe u shoqërua me thirrje për ndryshim politik dhe rritje të përgjegjshmërisë institucionale.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka paralajmëruar vijimin e aksioneve të saj publike në ditët në vijim.

Në fund të protestë pati dhe përplasje me policinë, kur protestuesit ju afruan gardhit të vendosur nga unifirmat blu për ruajtjen e godinës në Këshillit të Ministrave dhe hodhën miell ndaj policëve.

/gj.m/a.f/

The post Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Shqipëria mbështet angazhimin global për sigurinë ujore

17 January 2026 at 19:51

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë, të zhvilluar në kuadër të Forumit Global për Bujqësinë dhe Ushqimin (GFFA) 2026, me pjesëmarrjen e 61 ministrave të bujqësisë dhe 14 përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare.

Konferenca u fokusua në dialogun agro-politik mbi temën e këtij viti “Uji. Korrjet. E ardhmja jonë.”, duke vënë theksin në rëndësinë e sigurisë ujore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

Gjatë punimeve të konferencës u miratua Komunikata Përfundimtare e GFFA 2026, e cila riafirmon mesazhin se pa ujë nuk ka ushqim dhe pa siguri ujore nuk mund të ketë siguri ushqimore.

Ministri Salla theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht këtë angazhim dhe qasjen që e sheh bujqësinë si pjesë të zgjidhjes globale, përmes përdorimit të ujitjes inteligjente, zbatimit të praktikave që ruajnë tokën dhe burimet ujore, reduktimit të ndotjes dhe zhvillimit të bioekonomisë blu.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në GFFA 2026 vlerësohet si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

/gj.m/a.f/

The post Salla: Shqipëria mbështet angazhimin global për sigurinë ujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kryengritje paqësore deri në fitoren e PD

17 January 2026 at 19:25

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Laprakë se “askush nga jashtë nuk do vijë të na i zgjidhë problemet” dhe se “PD të përballet shesheve të Tiranës deri në fitore”.

Sipas Berishës “ka 3-4 muaj që çdo mesazh që vjen nga superfuqia numër një e botës, nga Shtetet e Bashkuara, është vetëm për kartelet e drogës. Vetëm për kartelet e drogës. Mesazhe të tilla ka marrë Maduro gjersa e çuan atje ku duhet. Merr presidenti i Kolumbisë, merr Rama i Shqipërisë”.

Berisha shton se qeveria është shndërruar në organizatë kriminale.

“Është faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh kushtetutë, nuk njeh normë, nuk njeh moral, nuk njeh standard”, tha Berisha..

“Të gjitha këto janë faktuar tani. Tani e drejta është në anën tonë. Guximi është në anën tonë.  Ne jemi në prag të fitores. Dhe ne një lloj siç përmbysëm një diktaturë në vitin ’90, siç përzumë me vota ata që erdhën me rebelim në vitin ’97, do t’i përzëmë nga pushteti, të hapim rrugën e votës së lirë të qytetarëve, e fitores së opozitës. Kjo protestë që organizojmë ne, është e një rëndësie të jashtëzakonshme.”, theksoi Berisha.

Berisha u shpreh se ka “besim se qytetarët e Tiranës do të jenë në krye të kësaj kryengritje paqësore që do fshijë nga faqja e dheut këtë regjim antishqiptar”.

“Ne do përballemi rrugëve të shesheve të Tiranës gjer në fitoren e Partisë Demokratike”, tha kreu i PD.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Kryengritje paqësore deri në fitoren e PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANADA – Kryeministri Carney pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

17 January 2026 at 19:19

OTAVA, 17 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri kanadez Mark Carney është ftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për t’u bërë pjesë e një bordi që do të mbikëqyrë Gazën pas luftës, dhe ai ka vendosur ta pranojë këtë ofertë, sipas një ndihmësi të lartë qeveritar kanadez.

Trump e ka shpallur veten kryetar të Bordit të Paqes për Gazën dhe deri tani ka emëruar ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe senatorin amerikan Marco Rubio në rolet kryesore.

Ai ka ftuar gjithashtu udhëheqësit e Egjiptit, Turqisë dhe Argjentinës të marrin pjesë ne bord.

Bordi ka për qëllim të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ndodhet nën një armëpushim të brishtë që nga tetori i kaluar.

Ministri i Jashtëm egjiptian deklaroi se vendi po shqyrton ftesën, ndërsa Turqia ka konfirmuar pjesëmarrjen e ministrit të saj të Jashtëm, Hakan Fidan.

Në bord përfshihen gjithashtu dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

Qëllimi i bordit është të menaxhojë situatën politike dhe humanitare në Gaza pas konfliktit, duke synuar stabilizimin e rajonit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KANADA – Kryeministri Carney pjesë e Bordit të Paqes për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra

17 January 2026 at 19:14

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot ndaj lajmeve të rreme, te cilat theksoi ai përhapen me shpejtësi alarmante dhe dëmi që shkaktojnë është real.

“Dje në mbledhjen e grupit parlamentar fola edhe për dezinformimin. Besoj se të gjithë biem dakord se duhen krijuar instrumente në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht”, thekson Balla në një video-mesazh në rrjetet sociale.

“Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë”, shprehet Balla teksa shton se, “në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi”.

Balla nënvizon se, “çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës”.

“Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare”, thekson Balla.

Balla reagoi edhe ndaj kreut të PD, Sali Berisha. “Kishte dalë edhe bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit, meqë dhe ai lajmi i mbrëmshëm kishte qenë i rremë”, tha Balla.

“Lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për tu trajtuar”, tha Balla.

Ky reagim vjen pas aludimeve të portaleve që një nga familjarët e tij kishte lidhje me call center-in që u bllokua nga SPAK.

/gj.m/

The post Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

17 January 2026 at 18:56

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Bashkia e Lezhës ka përkujtuar sot 558-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke nderuar figurën e prijësit legjendar të shqiptarëve.

Drejtues të Bashkisë së Lezhës zhvilluan homazhe në varrin e Heroit Kombëtar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Bashkia e Lezhës shpreh respekt dhe mirënjohje për Skënderbeun, i cili me trimëri, mençuri dhe sakrificë mbrojti lirinë, identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe unitetit kombëtar.

Sipas Bashkisë, trashëgimia e Gjergj Kastriotit mbetet një burim i përhershëm frymëzimi për brezat, si dhe një thirrje për atdhedashuri, bashkim dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit.

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Përkujtimi i kësaj date historike vlerësohet si një moment reflektimi dhe nderimi për figurën më përfaqësuese të historisë kombëtare shqiptare.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/gj.m/a.f/

The post Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌