Shqipëria në Bordin e Paqes, PS kërkon mbledhjen e Kuvendit nesër për ratifikimin e marrëveshjes
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Partia Socialiste, përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit ditën e enjte për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon thirrjen e Kuvendit në 22 janar në orën 10:00 duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Bordit të Paqes.
Po ashtu PS thekson se kërkesa bazohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit dhe vjen pas vlerësimit të rëndësisë së projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes” dhe në funksion të angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër Partia Demokratike e pyetur nga mediet për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar për t’u zhvilluar nesër, shprehet se “deri në orën 16.40, grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave.
“Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e radhës është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 27 janar. Sipas Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Sipas PD-së, “transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit që për secilën çështje dhe vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues”.
/m.m/j.p/
The post Shqipëria në Bordin e Paqes, PS kërkon mbledhjen e Kuvendit nesër për ratifikimin e marrëveshjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.