Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sigurimet shënojnë rritje të qëndrueshme në 2025-ën, dominojnë ato motorike

31 January 2026 at 14:48

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri vijoi tendencën pozitive gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe të numrit të kontratave të sigurimit.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në rreth 27,1 miliardë lekë, ose 10,5% më shumë krahasuar me vitin 2024. Gjatë vitit, u lidhën gjithsej 1,68 milionë kontrata sigurimi, me një rritje vjetore prej 5,1%.

Struktura e tregut mbetet e orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jojetës, të cilat përbëjnë 91% të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Sigurimet e Jetës zënë 9%, ndërsa risigurimi ka një peshë minimale. Sipas të dhënave, 62,4% e primeve i përkasin sigurimeve të detyrueshme dhe 37,6% sigurimeve vullnetare.

Gjatë vitit 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 8,6 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0,8% krahasuar me vitin paraardhës. Sigurimi motorik mbetet zëri kryesor, me 6,5 miliardë lekë dëme të paguara, ose mbi 76% të totalit.

Në sigurimin e detyrueshëm motorik, primet e shkruara bruto arritën në rreth 16,9 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12,2%. Brenda këtij segmenti, MTPL e brendshme regjistroi rritje si në prime, ashtu edhe në numrin e kontratave, ndërsa Kartoni Jeshil shënoi rritje të primeve, por ulje të kontratave. Sigurimi kufitar pati një rënie të lehtë si në vëllim, ashtu edhe në kontrata.

Sigurimet vullnetare gjatë vitit 2025 sollën të ardhura prej rreth 10,2 miliardë lekë, ose 7,9% më shumë se në vitin 2024, ndërsa numri i kontratave u rrit me 10%. Brenda tyre, sigurimet e pronës dhe përgjegjësive siguruan rreth 4,2 miliardë lekë, ku peshën kryesore e mbajnë sigurimi nga zjarri dhe dëmtimet në pronë.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit arritën në rreth 1,4 miliardë lekë, me rritje prej 3,7%, ndërsa sigurimet e Jetës shënuan një ecuri të fortë, me prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 2,4 miliardë lekë, ose 17,6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

/r.e/

The post Sigurimet shënojnë rritje të qëndrueshme në 2025-ën, dominojnë ato motorike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pylli i Fazanëve në Maliq, atraksion ekoturistik në juglindje të vendit

31 January 2026 at 14:27


TIRANË, 31 janar/ATSH/ Pylli i Fazanëve në Maliq konsiderohet si një nga destinancionet më tërheqëse në juglindje të vendit për turizëm gjithëstinor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky pyll, të cilin e cilësoi një nga atraksionet më të bukura të juglindjes së vendit.

“Ndërthur një ekosistem të pasur me mundësi të shkëlqyera për ekoturizëm, ky pyll ofron përvoja unike për të shijuar bukuritë e natyrë”, u shpreh Rama.

Ky pyll, me një sipërfaqe prej 50 ha, ndodhet vetëm 10 km larg qytetit të Korçës. Ai ka një peizazh fantastik dhe gëzon njëkohësisht edhe statusin e monumentit natyror.

Interesant është fakti që në këtë pyll gjen jo vetëm fazanët, simbolin e këtij monumenti, por edhe shumë kafshë të tjera.

Larmishmëria e pyllit me plepa, shelgje, blire, pisha dhe bredha bën interesante edhe ecjet në natyrë duke dalë nga rutina e ambienteve urbane.

Pylli i Fazanëve, i rijetësuar nga dora e njeriut, është kthyer në një nga destinacionet e rëndësishme të juglindjes së vendit me organizimet familjare e shoqërore jo vetëm nga banorë të kësaj zone, por tashmë edhe të turistëve vendas dhe të huaj.

/m.m/r.e/

The post Pylli i Fazanëve në Maliq, atraksion ekoturistik në juglindje të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik

31 January 2026 at 14:24

UASHINGTON, 31 janar /ATSH/ – Shkencëtarët kanë konfirmuar se Afrika po ndahet gradualisht në dy pjesë, si pasojë e një procesi të fuqishëm tektonik që po përparon më shpejt nga sa mendohej më parë, sipas Euronews.

Sistemi i Riftit të Afrikës Lindore, që shtrihet nga Deti i Kuq deri në Mozambik, po çan kontinentin përgjatë vijave të thella gjeologjike dhe, brenda 5–10 milionë vjetësh, mund të krijojë një oqean të ri mes Afrikës Lindore dhe Perëndimore.

Të dhënat e fundit nga NASA, Universiteti i Rochester dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tregojnë se korja e Tokës në këtë rajon po hollohet dhe po çahet në disa pika njëkohësisht.

Në disa zona janë zbuluar shenja të hershme të formimit të korës oqeanike, çka tregon se procesi ka kaluar nga faza kontinentale drejt asaj detare.

Matjet satelitore kanë regjistruar zgjerim të dukshëm të luginave dhe çarjeve me kalimin e viteve.

Ky proces, megjithëse shumë i ngadaltë për jetën e përditshme të njeriut, po matet në kohë reale falë teknologjisë GPS, e cila ndjek lëvizjet e tokës me saktësi milimetrike.

Gjeofizikanët e përshkruajnë Afrikën Lindore si një laborator natyror ku mund të vëzhgohet drejtpërdrejt ndarja e një kontinenti.

Një nga ngjarjet më të spikatura ndodhi në vitin 2005, kur në shkretëtirën e Etiopisë u hap brenda pak ditësh një çarje rreth 56 kilometra e gjatë.

Zona më aktive ndodhet në rajonin Afar të Etiopisë, ku takohen tre pllaka tektonike; Nubiane, Somaliane dhe Arabe.

Ky bashkim trefish krijon tensione të forta, shoqëruar me tërmete dhe aktivitet vullkanik.

Shkencëtarët kanë zbuluar se pulsimet e magmës nga manteli i Tokës luajnë rol kyç në përshpejtimin e procesit të çarjes.

Përveç rrezikut sizmik dhe vullkanik për zonat e banuara dhe infrastrukturën, ky proces sjell edhe mundësi ekonomike.

Aktiviteti tektonik është burim i rëndësishëm i energjisë gjeotermale, të cilën vende si Kenia po e shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë.

Në planin afatgjatë, uji i Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit pritet të përmbytë luginën e riftit, duke formuar një oqean të ri dhe duke ndryshuar përgjithmonë hartën gjeografike të Afrikës./   Ad.Ab./  a.jor.

The post GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Qeveria amerikane mbyllet, pasi Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin

31 January 2026 at 13:59

UASHINGTON, 31 janar /ATSH-DPA/ – Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka arritur të miratojë legjislacionin e nevojshëm për buxhetin deri në afatin e 30 janarit duke shënuar fillimin e një mbylljeje të qeverisë.

Senati ra dakord për një zgjidhje kompromisi të minutës së fundit për financimin pasues, por Dhoma nuk pritet të votojë për projektligjet e reja të buxhetit deri të hënën, të paktën.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump duhet t’i nënshkruajë ato në ligj.

Çështjet e fundit të buxhetit vijnë pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis pas zbatimit agresiv të deportimit, të nxitur nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kjo nxiti thirrje nga demokratët në Senat për të bllokuar projektligjet e buxhetit, pasi ato përmbanin fonde për agjencinë e Imigracionit dhe Doganave ose ICE, e cila ka kryer bastisjet e imigracionit.

Pjesë e kompromisit të rënë dakord nga Senati të premten ishte miratimi i rregullt i pesë projektligjeve të buxhetit plus një dispozitë të veçantë për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, agjencia që mbikëqyr ICE.

Kompromisi lejon një buxhet kalimtar dyjavor për t’u dhënë demokratëve dhe republikanëve kohë për të negociuar një kompromis që mund të fitojë mbështetjen e shumicës./  a.jor.

The post SHBA – Qeveria amerikane mbyllet, pasi Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TENIS – Elena Rybakina fiton ”Australian Open”

31 January 2026 at 13:43

MELBURN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Elena Rybakina fitoi betejën e saj me Aryna Sabalenkan për të rrëmbyer titullin e parë të ”Australian Open”.

Tre vjet pasi humbi ndaj të njëjtës kundërshtare në një nga finalet e fundit të Grand Slam, dhe tre vjet e gjysmë që nga fitimi i titullit të saj të parë të madh në Wimbledon, Rybakina është rikthyer në krye.

Do të jetë një tjetër pilulë e hidhur për t’u gëlltitur për Sabalenkan, e cila kryesoi 3-0 në setin vendimtar, ndërkohë që Rybakina u rikthye fuqishëm dhe triumfoi 6-4, 4-6, 6-4.

Duke fituar tituj radhazi në Melbourne në 2023 dhe 2024, Sabalenka tani ka humbur finale të ngushta dy vjet radhazi pasi Madison Keys e mposhti 12 muaj më parë.

Vitin e kaluar ajo humbi pesë nga nëntë finalet e saj, përfshirë humbjen e hidhur ndaj Coco Gauff në ”French Open” dhe ndaj Rybakina në finalet e WTA./ a.jor.

The post TENIS – Elena Rybakina fiton ”Australian Open” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Një defekt teknik shkakton ndërprerje të rënda të energjisë në Ukrainë

31 January 2026 at 13:30

KIEV, 31 janar /ATSH-ANSA/ – Një defekt në sistemin elektrik të Ukrainës ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të konsiderueshme të vendit.

“Sot në orën 10:42 të mëngjesit, ndodhi një defekt teknologjik që shkaktoi ndërprerjen e njëkohshme të linjës 400 kW midis sistemeve elektrike rumune dhe moldave dhe linjës 750 kW midis Ukrainës Perëndimore dhe Qendrore”, tha Ministri ukrainas i Energjisë Shmyhal, në Telegram.

”Ajo shkaktoi një ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike në rrjetin elektrik ukrainas dhe aktivizimin e pajisjeve automatike të mbrojtjes në nënstacione.
Metroja e Kievit është gjithashtu jashtë shërbimit sot”, shtoi ai.   /os/.

The post KIEV – Një defekt teknik shkakton ndërprerje të rënda të energjisë në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Krijimi i frontit të gjerë opozitar, interes parësor i çdo force opozitare

31 January 2026 at 13:28

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi iniciativën e një grupi personalitetesh nga shoqëria civile, për të ndërmjetësuar krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër qeverisë.

Në një komunikim me qytetarët, Berisha informoi mbi takimin e djeshëm, ndërsa u shpreh se “bashkë me partitë e koalicionit parlamentar diskutuam dhe u dhamë mbështetjen”.

“Ata po vazhdojnë përpjekjet e tyre me forcat e tjera politike opozitare. Unë mendoj se në kuadrin e kësaj nisme, çdo njeri që ndjehet opozitar dhe që e nuk lejon veten të tradhtojë elektoratin që ka votuar kundër Edi Ramës, të tradhtojë elektoratin që gjen forca të shkëputet nga lidhje e të tjera, rreshtohet në këtë front”, shtoi Berisha.

Sipas kreut të PD-së, “ky nuk është front për të qeverisur së bashku, por është një front për të larguar së bashku një të keqe të madhe dhe për t’u hapur rrugën shqiptarëve për të votuar të lirë si qytetarë të lirë europianë”.

“Është jashtë çdo lloj logjike që kjo të mos jetë interes parësor i çdo force opozitare.
Por duhet të jesh opozitar që të përqafosh një ide të tillë. Dhe unë kam shpresë se ata që janë ose ndjehen opozitarë të vërtetë, do ta përqafojnë. Qoftë këto forca politike, qofshin këto organizata të shoqërisë civile, individë me peshë apo përfaqësues të grupit të interesit apo kauzave të drejta”, theksoi Berisha.

/m.m/a.f/

The post Berisha: Krijimi i frontit të gjerë opozitar, interes parësor i çdo force opozitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Viti 2026 vendimtar, avancojmë me fazën e re për mbylljen e negociatave me BE

31 January 2026 at 13:23

TIRANË, 31 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali vlerësoi sot se viti 2026 është vendimtar për objektivin strategjik të mbylljes të procesit teknik të negociatave brenda vitit 2027.

Në fjalën e mbajtur në Forumi i Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së” i organizuar sot në Vlorë, Spiropali vlerësoi se nuk është rastësi që flasim për Europën në në qytetin ku lindi shteti shqiptar.

“Ky është vendi ku historia jonë kombëtare dhe gjeografia jonë europiane takohen natyrshëm. Integrimi nuk është më vetëm një premtim, as një slogan, as vetëm një flamur. Është një proces që po zhvillohet me rezultate të prekshme dhe me përgjegjësi të përbashkëta”, tha Spiropali.

Kryediplomatja shqiptare theksoi se për një kohë të gjatë Shqipëria është parë si një vend që kërkon me ngulm të hyjë në BE.

“Sot Shqipëria është një vend që po përgatitet seriozisht për të qenë pjesë e tij dhe kjo është një diferencë thelbësore. Në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, falë një vizioni të qartë pune të përditshme, përpjekjesh të përbashkëta dhe një koordinimi të vendosmërisë politike me aftësinë institucionale, kemi hapur së bashku me KE-në dhe vendet anëtare 33 kapitujt e negocimit”, shtoi Spiropali.

Gjatë muajve të fundit, Spiropali theksoi se është punuar më me ngulm për të arritur sa më parë piketat e ndërmjetve për themeloret.

“Pak ditë më parë, në parlamentin e Shqipërisë u miratua paketa e fundit legjislative duke i dhënë procesit peshën dhe seriozitetin që kërkon e meriton për avancimin sa më parë të fazës vijuese edhe më kërkuese edhe më sfiduese, atë të fillimit të mbylljes së kapitujve”, theksoi Spiropali.

Ministrja theksoi se Shqipëria ka ndërtuar kapacitetin për të ecur me ritmin e BE-së dhe besimin për ta merituar bashkimin me familjen tonë natyrale me Europën.

Reformat që janë ndërmarrë, sipas saj, “nuk janë të lehta, por janë reforma që prekin drejtësinë, administratën, luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe standardet”.

“Por këto reforma nuk janë bërë për të kaluar një provim europian, por sepse Shqipëria e ka nevojën dhe po ndërton jo pa sfida një shtet më të drejtë, ekonomi më të hapur e konkurruese”, tha Spiropali ndërsa shprehu bindjen se “sot mund të themi se integrimi nuk është vetëm aspiratë”.

1 nga 5

/a.f/

The post Spiropali: Viti 2026 vendimtar, avancojmë me fazën e re për mbylljen e negociatave me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Më 10 shkurt, të gjitha format e mosbindjes civile

31 January 2026 at 13:14

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Partia Demokratike ka në plan dhe projekt të gjitha format e mosbindjes civile dhe është në zbatimin e tyre.

Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha iu përgjigj një qytetari i cili e pyet nëse PD ka në në plan një grevë urie për një qasje më agresive se protestat.

“Kërkojmë nga qytetarët të bëjnë gjithçka për fitoren e kësaj beteje. Por kjo kërkon para së gjithash qartësi. Kërkon që çdo qytetar të kuptojë se kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, në të cilën të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë dhe institucionet përdoren për të shtypur pluralizmin”, tha ai.

Berisha theksoi se kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është protesta deri në përmbysjen e qeverisë.

Sipas tij, në 10 shkurt PD do të tregojë fuqinë dhe vendosmërinë e saj.

“Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha foli po ashtu edhe mbi kërkesën e mbështetësve të PD-së që protesta të vijojë dhe të mos largohen nga sheshi pa realizimin e qëllimit.

“Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë”, tha ai.

Ai ftoi qytetarët që të shumëfishojnë forcat dhe të bashkohen në protestën e ardhshme.

Pyetjes së një qytetari se përse nuk organizohen protesta në të njëjtën kohë në 4-5 qytete të ndryshme, Berisha u shpreh se “ne do të përqendrohemi tërësisht në Tiranë”.

“Pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve. Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se protesta e 24 janarit dha një mësim dhe protestat e fundit nuk kanë qenë pa rezultat.

“Kanë qenë më shumë rezultat. Imagjinoni një Shqipëri që nuk do protestonte përpara këtyre superskandaleve se si do turpërohej para botës, se çfarë mesazhi i trishtë, çfarë ofendimi do të ishte për shqiptarët. Kurse zëri i fuqishëm që u ngrit në bulevard dhe nuk ishte vetëm shëtitje, por dha mesazhin e duhur për shqiptarët dhe botën. Por, beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli. Kërkohet që secili opozitar të përgatitet për protestë të qëndrueshme. Të përgatitet për një kryengritje të pandërprerë paqësore për të realizuar qëllimin e vet”, tha Berisha.

/m.m/

The post Berisha: Më 10 shkurt, të gjitha format e mosbindjes civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori i Spanjës: Deri në 2027 mund të nënshkruhet traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE

31 January 2026 at 12:32

TIRANË, 31 janar /ATSH-Etleva Xhajanka/ Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të zhvilluar në Vlorë, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, dhe miq të tjerë të vendit tonë.

Në fjalën e tij, ambasadori Cremades Ventura theksoi rëndësinë e përfundimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shprehu mbështetje për reformat e vendit, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai kujtoi se Shqipëria u njoh si kandidat për në BE në vitin 2014, por për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare dhe jo për mos përmbushjen e kritereve, procesi u vonua. Sipas tij, ngjarjet e fundit rajonale dhe prioritetet strategjike të BE-së kanë rihapur dritaren e mundësive për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë.

“Në vitin 2022 agresioni ndaj Ukrainës ishte një zile zgjimi për BE-në. Zgjerimi i BE-së nuk u perceptua më si një barrë e mundimshme por si një nevojë gjeostrategjike që do të sillte përfitime edhe për BE. Njohja e dokumentit të Granadës që zgjerimi i BE-së ishte një investim strategjik në siguri, stabilitet dhe prosperitet, ishte një dritare sigurie që u çel për të gjitha vendet e rajonit dhe Shqipëria e kapi këtë mundësi”, tha ai.

Ambasadori theksoi se anëtarësimi nuk është dhuratë, por rezultat i meritës së Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj institucionale dhe shoqërore.

“Përparimi i Shqipërisë ka qenë i madh dhe ne pamë së fundi, se u arrit çelja e të gjithë grupkapitujve të negociatave për integrimin në BE, por dy vitet e ardhshme mbeten kritike për procesin. Shqipëria duhet të vazhdojë vendosmërisht me përpjekjet e saj me procesin e reformave që ka nisur. Shqipëria duhet të vazhdoj me përpjekjet që ka bërë sidomos me kapitujt e sundimit të ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të garantuar përmbushjen e kushteve dhe avancimin drejt anëtarësimit”, deklaroi ambasadori Cremades Ventura.

Ai nënvizoi mbështetjen praktike të Spanjës për vendin tonë përmes projekteve të BE-së në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe informimit të opinionit publik europian për të shmangur keqkuptimet mbi zgjerimin.

Cremades Ventura shprehu shpresën që deri në vitin 2027 të nënshkruhet traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i cili do të ratifikohet nga 27 vendet anëtare, duke sjellë përfitime për vendin dhe duke forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon.

Ai nënvizoi gjithashtu se integrimi i Shqipërisë është në interes të të gjithë Europës dhe duhet të përparojë me vendosmëri dhe përkushtim.

“Spanja dëshiron që Shqipëria të jetë sa më pranë standardeve europiane dhe shpreh shpresën që integrimi në BE t’i sjellë vendit përfitime konkrete, duke i bashkuar frytet e zhvillimit të brendshëm me përparësitë e Bashkimit Europian”, deklaroi Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.

/a.f/

The post Ambasadori i Spanjës: Deri në 2027 mund të nënshkruhet traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Suard: Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, mori pjesë sot në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së” ku theksoi se Franca e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fjalën e saj ambasadorja Suard tha se “në rrugëtimin drejt BE askush nuk mund të dyshojë sepse Shqipëria ka kryer hapa gjigantë, nga reforma e drejtësisë tek digjitalizmi i shërbimeve nga forcimi i institucioneve tek modernizimi i ekonomisë, nga mbrojtja e qytetarëve tek mbrojtja e natyrës, nga angazhimi sai përket stabilitetit dhe sigurisë  tek harmonizimi me politikën e jashtme”.

Sipas saj, arritjet e Shqipërisë në konvergimin e saj europian janë të konsiderueshme.

“Janë këto arritje që na japin besim të gjithëve sepse vendet anëtare kanë vendosur të hapin të gjithë kapitujt e negociatave që përshkojnë këtë rrugë. Pikërisht për këtë besim Presidenti i Republikës franceze Emannuel Macron erdhi të dëshmojë gjatë dy vizitave të tij të fundit në Shqipëri. Këto vizita i dhanë marrëdhënies tonë dypalëshe një ritëm të pandërprerë, një ritëm të ngjashëm me atë të Shqipërisë drejt BE-së”, tha Suard duke shtuar se Shqipëria nuk ecën vetëm drejt Europës ajo e përshpejton, apo më saktësisht e shtrin hapin.

Në fakt vijoi Suard, reformat e ndërmarra janë hapa të mëdhenj strategjikë që e transformojnë me thellësi fizionominë e Shqipërisë duke e bërë më afër, më familjare, më të përputhshme, më të lidhur dhe më të integruar me Europën tonë.

“Franca e mbështet këtë dinamikë integrimi gradual dhe meritën e saj transformuese në mënyrë që ky transformim të jetë efketiv duhet të zbatohet në mënyrë të vendosur në çdo etapë. Franca synon ta mbështesë këtë dinamikë sepse duke kontribuar në të ne do të zhvillojmë interesa të përbashkëta. Pikërisht për këtë ne kemi nënshkruar një marrëveshje ndër qeveritare në 2024 zbatimi i të cilës duhet ët vazhdojë sërish”, tha Suard.

Duke folur për hapat e fundit që kanë mbetur për t’u hedhur,  Suard tha se “të gjithë kilometrat e fundit janë më të vështirë dhe më entuziazmuesit. Rrugëtimi i anëtarësimit për integrimin në BE nuk bën përjashtim dhe ne po arrijmë në momentin ku rruga po bëhet më e vështirë, aty ku çdo hap matet nga indikatorët e saktë.

Sipas saj, këto piketa nuk janë vonesa, por janë pika ngulitje të integrimit të ardhshëm të Shqipërisë.

“Është garancia e kësaj pakthyeshmërie që e bën Shqipërinë një partner që Franca dhe Europa mund të mbështeten”, tha Suard.

/k.s/a.f/

The post Suard: Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria në BE brenda vitit 2029

31 January 2026 at 12:17

TIRANË, 31 janar/ATSh/ Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, deklaroi sot nga Vlora se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të realizohet brenda kësaj dekade.

Sipas tij, nëse Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria vijojnë me këtë ritëm përmbushjen e reformave, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të realizohet brenda mandatit aktual të Parlamentit Evropian, që është në vitin 2029.

I pranishëm në forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, ndërsa pjesë ishin edhe ambasadorët të BE të akredituar në vend, ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Schieder tha se Evropa do të jetë e plotë vetëm kur i gjithë Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Shqipëria të jenë pjesë e saj.

“BE mbetet projekti më i madh politik ndonjëherë,” tha Schieder në fillim të fjalës së tij.

Ai më tej vlerësoi se: “Procesi i anëtarësimit në BE është shansi i vetëm që kemi në këtë brez. Plotësimi i BE-së nuk do të përfundojë derisa Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e tij dhe veçanërisht Shqipëria, që ka qëndruar gjatë në sallën e pritjes, të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Shqipëria natyrisht vendosi që nga momenti që iu dha statusi i vendit kandidat të ecte shpejt dhe të ndërmerrte reforma. Prandaj ne shohim mënyrën sesi flitet në Bruksel, me grupkapituj, të cilët nuk janë dëgjuar më parë, si dhe miratimin e ligjeve në Shqipëri që na afrojnë më pranë BE-së,” shtoi Schieder.

Sipas raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, integrimi në BE lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Përtej teknikaliteteve, që lidhen me sistemin gjyqësor, modernizimin e ekonomisë, administratën publike, rritjen e transparencës në media, arsimin etj., anëtarësimi në BE do të thotë që qytetarët të kenë një standard jetese më të lartë, sidomos të rinjtë, duke sjellë përfitime, sfida, por edhe përgjegjësi në çdo fushë,” tha Schieder.

“Integrimi në BE nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i të gjithë shoqërisë: biznesit, të punësuarve, studentëve, nxënësve, pedagogëve, i çdo qytetari. Të gjithë duhet të flasin për këtë projekt. Kjo ishte një ëndërr në vitet ’90 dhe ne si Austri e kishim këtë ëndërr kur para se të ishim pjesë e BE. E gjej këtë ëndërr edhe në Shqipëri. Besoj se zgjerimi nuk është vetëm përpjekje e Shqipërisë, por një shans për të gjithë BE-në,” shtoi ai.

“Unë them se Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria kanë bërë një punë shumë të mirë. Nëse ritmi vijon kështu dhe nis mbyllja e kapitujve, duke i kthyer reformat në punë konkrete në shoqëri, në fund të kësaj dekade do të mund të arrijmë objektivin. Mandati ynë në Parlamentin Evropian është deri në vitin 2029, dhe duam që Shqipëria të bëhet shtet anëtar brenda këtij mandati të parlamentit Evropian, pra deri në vitin 2029,” përfundoi Schieder.

Sakaq, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, të premten mori titlluin “Doktor” nga Universiteti i Vlorës, Ismail Qemali.

The post Schieder: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria në BE brenda vitit 2029 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Springsteen kundër ICE, këndon “Streets of Minneapolis” në mbështetje të protestuesve

31 January 2026 at 12:01

TIRANË, 31 janar /ANSA/ ATSH/ – Mijëra persona kanë dalë në rrugët e Minneapolis për të protestuar kundër politikave federale të emigracionit dhe veprimeve të agjencisë amerikane të emigracionit ICE (Immigration and Customs Enforcement), pas vdekjes së dy qytetarëve amerikanë gjatë operacioneve të fundit të forcave federale. Demonstruesit, nën moton “No work, no school, no shopping”, kanë sfiduar temperaturat e ulëta duke marshuar në qendër të qytetit dhe duke brohoritur sloganet për një reformë të politikave të emigracionit dhe largimin e ICE. Protesta është pjesë e një mobilizimi më të gjerë në shumë qytete amerikane, përfshirë New York, Los Angeles dhe San Francisco, ku mijëra njerëz kanë mbyllur shkolla dhe biznese në shenjë solidariteti. 

Në kulmin e tensioneve, legjenda e muzikës amerikane Bruce Springsteen ishte prezent në Minneapolis, duke mbajtur një performancë të papritur në lokalin e njohur “First Avenue”. Ai interpretoi këngën e tij të re protestuese “Streets of Minneapolis”, një këngë të dedikuar për qytetarët Renee Good dhe Alex Pretti, të cilët u vranë gjatë përleshjeve me agjentët e ICE dhe që janë bërë figura qendrore të ngjarjeve të fundit. Titulli dhe mesazhi i këngës pasqyrojnë zemërimin dhe kërkesën për drejtësi në përgjigje të dhunës federale për shkak të operacioneve të emigracionit. 

Springsteen, i njohur për angazhimin e tij social dhe politik, ka përdorur platformën live për të dënuar veprimet e autoriteteve federale, duke shprehur mbështetje për protestuesit dhe familjet e viktimave. Performanca dhe kënga e re kanë nxitur reagime të gjera në opinionin publik dhe median ndërkombëtare. 

The post Springsteen kundër ICE, këndon “Streets of Minneapolis” në mbështetje të protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 12 palestinezë të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite

31 January 2026 at 12:01

GAZA, 31 janar /ATSH-AA/ – Të paktën 12 palestinezë u vranë mëngjesin e sotëm në një seri sulmesh ajrore izraelite që goditën zona të ndryshme në të gjithë Rripin e Gazës.

Burime mjekësore thanë se pesë palestinezë, tre fëmijë dhe dy gra, u vranë, si dhe shumë të tjerë u plagosën nga një sulm ajror izraelit që goditi një apartament banimi në lagjen Rimal në perëndim të Qytetit Gaza.

Sipas ndihmësve mjekësorë në Spitalin Nasser në Khan Younis, shtatë palestinezë të tjerë, një burrë, tre djemtë e tij dhe tre nga nipërit e vegjël, u vranë në një tjetër sulm ajror izraelit që goditi një tendë ku strehoheshin persona të zhvendosur në zonën Asdaa, në veriperëndim të qytetit Khan Younis në jug të enklavës.

Disa palestinezë u plagosën gjithashtu në një sulm izraelit që goditi një apartament banimi në lagjen al-Tuffah, në lindje të Qytetit Gaza.

Avionët luftarakë izraelitë gjithashtu kryen një sulm ajror në rrugën al-Jalaa në veriperëndim të Qytetit Gaza, si dhe dy sulme në lindje të kampit të refugjatëve Bureij në Gazën qendrore, pa raportime për viktima.

Sipas zyrës së mediave të Gazës, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në fillim të tetorit, veprimet izraelite kanë vrarë të paktën 524 palestinezë dhe kanë plagosur më shumë se 1.360 të tjerë, duke kryer 1.450 shkelje.

Në një zhvillim të ndërlidhur, zyra e mediave tha se ushtria ka arrestuar 50 palestinezë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, duke i ndaluar ata nga zona larg “vijës së verdhë” dhe nga brenda lagjeve të banuara.   /os/

The post GAZA – Të paktën 12 palestinezë të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambiente të reja për 450 nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Gjimnazi “Skënderbeu” në Krumë të Hasit pas rikonstruksionit ofron tashmë mjedise të reja për nxënësit dhe mësuesit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “pas rikonstruksionit të plotë hapet një faqe e re në historinë e gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë të Hasit”.

“Shkolla ofron kushte bashkëkohore, terrene sportive, bibliotekë, laboratore e klasa të reja janë gati për t’u mbushur me dije, frymëzim e krijimtari nga 450 nxënës dhe mësues si dhe komuniteti pranë kësaj shkolle”, theksoi Kumbaro.

Në nisje të vitit të ri arsimor 2025-2026 hapën dyert 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara në të gjithë vendin, me 340 laboratorë smart.

Ndërkohë që janë 42 kantiere shkollash të hapura njëherësh në të gjithë vendin, të cilat do të përfundojnë me buxhetin e vitit 2026.

/k.s/a.f/

The post Ambiente të reja për 450 nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria e Tiranës i sekuestron rreth 210 mijë euro familjarëve të dënuarit me 22 vite burg në ShBA

TIRANË, 31 janar/ATSh/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, për vepra penale në fushën e akteve terroriste.

Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë, ky shtetas akuzohet se ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Aktualisht ky shtetas, i njohur ndryshe edhe si A.Q., në Shqipëri po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nr.8 të vitit 2025, nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

Ky shtetas, është i biri i shtetasve Z.A. dhe V.A. Nga verifikimi i bërë në lidhje me të dhe familjarët e tij, rezultoi se ka transaksione financiare në banka shqiptare të nivelit të dytë, apo veprime të tjera ekonomike në vlera të larta ekonomike, të cilat nuk mund të justifikohen me të ardhurat e krijuara ndër vite.

Këta shtetas deklaruan se të ardhurat i kanë krijuar nga qiratë e kursimet, por nuk kanë dokumente të provojnë këto deklarata dhe vlerat monetare objekt kërkese për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe dokumentacion.

Përfundimisht bazuar në hetimin e kryer vlerat monetare të mësipërme nuk justifikohen nga subjekti S.A. dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiran kërkon konfiskimin dhe kalimi në pronësi të shtetit të llogarive si më poshtë: Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93; Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Eur 15,001.09; dhe Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

/k.s/a.f/

The post Prokuroria e Tiranës i sekuestron rreth 210 mijë euro familjarëve të dënuarit me 22 vite burg në ShBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

52 milionë euro për bujqësinë, mbështetje e re për fermerët dhe të rinjtë

31 January 2026 at 10:09

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Skemat e reja të mbështetjes dhe orientimi i fermerëve drejt tregut janë në fokus të politikave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për këtë vit, i cili ka në dispozicion një buxhet prej 16,3 miliardë lekësh për sektorin bujqësor, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, tha se Skema Kombëtare e Mbështetjes nuk është vetëm një instrument për financimin e fermerëve, por edhe një mekanizëm i rëndësishëm orientimi për ta. Sipas tij, synimi është që fermerët të drejtohen drejt kushteve më të mira të prodhimit, të kenë më shumë siguri ushqimore, si dhe kapacitete më të larta ruajtjeje dhe përpunimi.

Në një intervistë për “Vizion Plus”, ai bëri të ditur se skema e këtij viti, e cila do të shpërndajë rreth 52 milionë euro, do të fokusohet kryesisht në investime që u mundësojnë fermerëve dhe operatorëve ushqimorë të rrisin kapacitetet në përpunim, etiketim dhe seleksionim, me qëllim që prodhimi bujqësor të mos humbasë vlerën, por të rrisë cilësinë dhe të diversifikohet si për nga lloji, ashtu edhe për nga tregjet ku tregtohet.

Sipas zëvendësministrit Guri, Ministria e Bujqësisë ka nisur një tur kombëtar informues, nga Tropoja deri në Sarandë, ku deri më tani janë zhvilluar mbi 23 takime dhe janë kontaktuar më shumë se 2 mijë fermerë për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre.

Ai theksoi se skema e këtij viti shënon edhe fillimin e përshtatjes së politikave të mbështetjes me parimet kryesore të Bashkimit Europian në bujqësi. “BE prej vitesh nuk mbështet më prodhimin për litër apo për kilogram. Ne po ruajmë të njëjtat parime, në mënyrë që fermerët tanë të jenë të përgatitur për tregun europian dhe politikat e ardhshme të mbështetjes”, u shpreh Guri.

Zëvendësministri vuri theksin edhe te mbështetja për të rinjtë, duke i cilësuar ata si një element kyç për zhvillimin e bujqësisë. Sipas tij, në skemën e re po punohet për instrumente të dedikuara posaçërisht për të rinjtë, si në aspektin e investimeve, ashtu edhe në mbështetjen direkte, me qëllim që fshati të kthehet në një mundësi reale dhe atraktive për ta.

Sa i përket procedurave, Guri tha se ato janë të thjeshtuara. Fermerët që disponojnë NIPT fermeri dhe shesin produktet e tyre te subjekte të regjistruara për TVSH duhet të ruajnë autofaturat dhe dy herë në vit, në muajt qershor dhe janar, t’i dorëzojnë pranë administratës tatimore, e cila kryen automatikisht rimbursimin në masën 10% të vlerës së autofaturave.

Ministria e Bujqësisë synon që përmes këtyre masave të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit, të forcojë zinxhirin agro-ushqimor dhe të përgatisë bujqësinë shqiptare për integrimin në tregun europian.

e.xh/

The post 52 milionë euro për bujqësinë, mbështetje e re për fermerët dhe të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje Ukrainë-Rusi

31 January 2026 at 10:05

UASHINGTON, 31 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se beson se një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë mund të jetë afër, edhe pse pranoi armiqësinë e thellë midis udhëheqësve të të dy vendeve.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se armiqësia personale dhe politike midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit rus Vladimir Putin ka komplikuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

“Zelenskyy dhe Putin e urrejnë njëri-tjetrin dhe kjo e bën shumë të vështirë. Por mendoj se jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje”, tha Trump.

Ai nuk dha detaje për përmbajtjen e diskutimeve në vazhdim.

“Mendoj se kemi një shans të mirë për ta zgjidhur”, shtoi presidenti amerikan.   /os/

The post SHBA – Trump: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje Ukrainë-Rusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kardiologjia në QSUT: 599 implantime dhe mbi 2 900 procedura PCI e koronarografi

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Gjatë vitit të kaluar, Shërbimi i Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” ka shpëtuar mijëra jetë përmes ndërhyrjeve jetike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se nga janari deri në dhjetor 2025 në Shërbimin e Kardiologjisë janë kryer 599 implantime aparaturash kardiake (pacemaker, CRT-D, CRT-P, defibrilatorë intrakardiakë të implantueshëm) si dhe 143 angioplastika të planifikuara me stent.

Sipas MSHMS janë kryer gjithashtu  2,941 procedura PCI dhe koronarografi, nga të cilat 1,366 urgjenca, ndërhyrje në momentet më kritike për jetën.

MSHMS falënderon Dr. Alban Dibra për drejtimin me profesionalizëm dhe përkushtim të ekipit si dhe shpreh mirënjohje për çdo mjek, infermier dhe profesionist shëndetësor në vijën e parë të kujdesit.

Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

/k.s/a.f/

 

The post Kardiologjia në QSUT: 599 implantime dhe mbi 2 900 procedura PCI e koronarografi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌