Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT
TIRANË, 20 janar/ATSH/ Shefi i shërbimit të Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj deklaroi sot se ndërprerja e energjisë elektrike mbrëmjen e kaluar në Godinën A2 të QSUNT nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve.
Në një deklaratë për mediet, Lilaj theksoi se “pacientët që kanë qenë të shtruar në reanimacionin kirurgjikal, vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”.
“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë për asistencën respiratore. Këto pacientë, në kushte të ndërprerjes së energjisë elektrike janë me pajisje back up që siguron funksionimin e tyre të potë më energji të akumuluar që janë të inkorporuar në këto aparate. Trajtim i i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, pasi këta të sëmurë e marrin mjekimin nëpërmjet aparateve që janë me back up”.
“Ndërprerja e energjisë elektrike zgjati disa minuta. Nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte, për të shmangur mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit apo në njësinë e terapisë intensive të godinës ngjitur. Zhvendosja u bë vetëm 20 metra më larg, duke siguruar vazhdimin e trajtimit edhe në kushtet e reja të reanimacionit tjetër. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 prej të cilëve ishin në respiracion të drejtuar, domethënë që frymëmarrja e tyre sigurohej nëpërmjet aparateve respiratore”, theksoi Lilaj.
Lilaj vuri në dukje se “ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet më respiratorë portativë, pa u cenuar shërbimi. Transporti ishte i shkurtër. Trajtim i të sëmurëve, i cili u krye të mënyrë të kontrolluar, vazhdoi në reanimacionin e kardiologjisë për rreth 30 minuta. Në 20:18 ikën dritat dhe në 20:43 filluam transportin e të sëmurëve, teksa rreth orës 21:10 përfundoi transporti i të sëmurëve. Pas disa minutash u rikthye energjia elektrike dhe pasi morëm siguri, pacientët u rikthyen përsëri në njësinë e terapisë intensive”.
“Pasi morëm njoftimin për rikthimin e energjisë pacientët rikthehen në orën 22:00 në mënyrë të kontrolluar, pa komplikacione. E them me përgjegjësi të plotë, nga pikëpamja funksionale, ndërprerja e energjisë, nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve. Ata që kanë qenë në reanimacionin kirurgjikal vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”, nënvizoi Lilaj.
I pyetur nga gazetarët nëse është normale ndërprerja e energjisë elektrike, Lilaj tha se “si të them që është normale ndërprerja e energjisë elektrike në njësinë e terapisë intensive?! Detyra ime është të mbroj jetën e të sëmurëve. Në çfarëdolloj situate ne jemi të gatshëm për të mbrojtur jetën. Kjo pyetje nuk më përket mua”.
Pyetjes për humbjen e jetës të një të sëmuri të dënuar, Lilaj iu përgjigj se “i sëmuri po trajtohej në njësinë e terapisë intensive kirurgjikale. Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën që është shtruar, të dielën pasdite. Ka pasur ceroza hepatike dhe ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht, i sëmuri është ndarë nga jeta në orën 04:18 minuta të mëngjesit”.
Më tej Lilaj tha se “vendimi që morëm ne për transferimin e pacientëve në reanimacionin kardiologjik, ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të këtyre pajisjeve, gjë që do të shkaktonte probleme në transportin e pacientëve. Them me siguri që aparatet e reja sigurojnë energji për 5-6 orë. Incidente të tilla kemi pasur rëndom shumë vite më parë. Një ngjarje e ngjashme ndodhi dhe përpara 1-2 vitesh, e cila u kalua me sukses nga ana jonë, ashtu si dhe mbrëmjen e kaluar”.
/k.s/r.e/a.f/
The post Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.