Pretendimi: Kjo video tregon vërtet një fëmijë që hedh një flamur LGBT në kosh
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një fëmijë që hedh në kosh plehrash një flamur LGBT. Video shoqërohet me komente të shumta që përgëzojnë vogëlushin për këtë veprim apo kritikojnë nënën apo gruan në fjalë për zgjedhjen e saj.
Klipi 12-sekondësh tregon një grua që i jepte atë që dukej si një flamur LGBT një fëmije të vogël, i cili më pas e hedh atë në një kosh plehrash. Video nuk përmban asnjë detaj që identifikon vendndodhjen apo kohën e ngjarjes.
Megjithatë, ky klip nuk është i vërtetë. Ai me gjasa është gjeneruar me anë të programeve kompjuterikë me inteligjencë artificiale (AI).
Tregues fillestar është fakti që flamuri në fjalë ndryshon nga një version që përfshin dhe një trekëndësh, në versionin me vetëm vija horizontale, brenda të njejtës video, siç theksohet më poshtë:
Më tej, fëmija e hap koshin e plehrave, që çuditërisht i përshtatet madhësisë së tij, pa bërë ndonjë përpjekje të dukshme për të ngritur kapakun ose për të aktivizuar ndonjë mekanizëm hapjeje. Pastaj, ndërsa flamuri duket duke u hedhur në koshin e plehrave, dora e fëmijës bëhet transparente për një fraksion sekonde.
Më tej, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, e cila duket se është modifikuar me AI për të përftuar videon që po qarkullon online.
Video origjinale nis në mënyrë identike me atë që po qarkullon në rrjet. Megjithatë, pasi merr flamurin, fëmija nuk ecën me të drejt koshit të plehrave. Në vend të kësaj, ai e përqafon objektin.
Video e modifikuar me AI (majtas) dhe video origjinale (djathtas)
Pretendimi: Kjo video tregon semaforë të shkrirë nga vala e të nxehtit që përfshiu Europën në qershor 2026
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————————
Një video që tregon semaforë të shkrirë qarkulloi në rrjetet sociale shqipfolëse në fund të qershorit 2026, shoqëruar me pretendimin se shkrirja ishte pasojë e temperaturave ekstreme që përfshinë Europën këtë vit.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamje të semaforit në video ishin botuar në një artikull të botuar më 28 qershor në gazetën italiane online Il Baco da Seta.
Gazeta shpjegon se vala e nxehtësisë nuk ka të bëjë me shkrirjen e semaforit. Në të vërtetë, më 23 qershor, një makinë u përfshi nga flakët në Lugagnano pikërisht nën atë semafor. Një flakë e madhe detyroi policinë vendase të devijonte trafikun dhe departamentin e zjarrfikësve të ndërhynte për të kontrolluar flakët dhe për të rivendosur sigurinë.
E njëjta organizatë mediatike lajmesh kishte mbuluar më parë lajmin e zjarrit.
Verifikimi me pamjet nga Google Street View konfirmon se semafori në video ndodhet në vendin ku u dogj makina në Lugagnano
Më 1 korrik, përdoruesi Jhonny Puttini, i cili kishte postuarfillimisht videon e semaforit me pretendimin se ai ishte shkrirë si pasojë e temperaturave të larta, konfirmoi se semafori nuk ishte shkrirë për shkak të temperaturës, duke shpjeguar se qëllimi i videos së tij ishte ironik.
Semaforët janë bërë nga alumini ose polikarbonati me rezistencë të lartë, materiale me nivele shkrirjeje që tejkalojnë temperatura prej 150°C, duke e bërë të pamundur që një valë nxehtësie t’i shkrijë ato.
Sa i përket klipit të dytë, me semaforin që pretendohet se është shkrirë nga temperaturat e larta në Gjermani, vlen i njejti shpjegim.
Sipas kolegëve të DPA, semafori ndodhet në një kryqëzim në lagjen Friedrichshain-Kreuzberg të Berlinit, pranë lumit Spree. Kjo mund të përcaktohet nga ndërtesat në sfond.
Në cep të rrugës është ambienti i një klubi ku shpërtheu një zjarr në qershor 2025. Zona e jashtme ngjitur me rrugën u përfshi nga flakët, siç tregohet në videot e dëshmitarëve okularë të publikuara nga mediat berlineze.
Një zëdhënës i InfraSignal, kompanisë shtetërore përgjegjëse për semaforët e Berlinit, konfirmoi për DPA se ky ishte në të vërtetë shkaku i shkrirjes së semaforit në klipin e dytë.
Tapeti i kuq i shtruar në hyrje të Pallatit të Kongreseve, fjalimet patriotike dhe qindra të ftuar nga diaspora krijuan këtë vit atmosferën e një aktiviteti që qeveria e konsideron strategjik për lidhjen e Shqipërisë me emigrantët.
Nën moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”, Tirana mirëpriti Samitin IV të Diasporës më 13–15 prill. Për tre ditë me radhë, në kryeqytet u zhvilluan 19 panele tematike me pjesëmarrjen e ministrave, drejtuesve të institucioneve, përfaqësuesve të organizatave të diasporës, akademikëve, sipërmarrësve dhe personaliteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës.
“Një kuvend për të kthyer lidhjet në veprim dhe potencialin në rezultate konkrete për #Shqipërinë2030”, u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e vendosur samitin në kuadrin e një platforme strategjike bashkëpunimi me diasporën.
Qeveria e promovoi aktivitetin si një ngjarje të rëndësishme kombëtare, me fokus fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve nga diaspora. Në fjalimin e tij, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në vendlindje, duke iu referuar edhe mekanizmit ligjor “Paketa e Maleve”:
“Unë iu them shqiptarëve që e kanë një copë tokë diku në një mal, diku në një kodër, që e kanë një shtëpi të braktisur të gjyshit a të stërgjyshit, që ta marrin në dorë Paketën e Maleve dhe ta kthejnë atë tokë, ta kthejnë atë shtëpi, në një burim mirëqenieje”
Sipas të dhënave zyrtare, në aktivitet u regjistruan 1,121 pjesëmarrës online dhe 68 të tjerë fizikisht, ndërsa në panele morën pjesë 139 panelistë nga Shqipëria dhe diaspora. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e cilëson këtë edicion si samitin me pjesëmarrjen më të lartë krahasuar me tre edicionet e mëparshme.
Megjithatë, siç ndodh shpesh me aktivitetet e mëdha të financuara nga fondet publike në Shqipëri, pas përfundimit të samitit nuk u bë publik asnjë informacion i detajuar mbi kostot e organizimit.
Për të mësuar se sa u shpenzua dhe si u përdorën fondet publike, Faktoje iu drejtua Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme me një kërkesë zyrtare për informacion.
Kërkesa e parë u dërgua një ditë pas përmbylljes së aktivitetit (më 14 prill 2026) dhe synonte të siguronte të dhëna mbi kostot e organizimit, dokumentacionin financiar mbështetës, shpenzimet për panelistët dhe raportin përfundimtar.
Në përgjigjen e saj më 27 prill, ministria deklaroi se:
“Kostoja totale e organizimit të Samitit të Diasporës nuk është finalizuar ende, pasi priten informacionet e detajuara përfundimtare, që do të përllogariten pas mbledhjes së gjithë faturave të eventit”
Kërkesa u ridërgua më 4 maj. Por përgjigjja e plotë nuk u dha brenda afateve ligjore, duke detyruar një ankimim pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Vetëm më 9 qershor, pas këtij procesi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ktheu përgjigje.
Sa kushtoi Samiti IV?
Sipas të dhënave zyrtare, Agjencia Kombëtare e Diasporës ka paguar 39,731,924 lekë për shërbime logjistike, qira ambienti dhe catering, të realizuara nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka deklaruar shpenzime shtesë në vlerën 2,220,594 lekë. Në total, kostoja e deklaruar e Samitit IV të Diasporës arrin në 41,952,518 lekë, ose rreth 420 mijë euro.
Sipas të dhënave zyrtare, në samit u regjistruan 1,121 pjesëmarrës online dhe 68 fizikisht, ose 1,189 persona në total. Bazuar në këtë shifër, kostoja mesatare rezulton rreth 35,284 lekë, ose afërsisht 353 euro për pjesëmarrës.
Megjithatë, kjo mbetet një llogaritje orientuese pasi institucioni pranon se numri real i pjesëmarrësve ka qenë më i lartë, për shkak të pranisë së panelistëve, mediave dhe pjesëmarrësve që nuk figurojnë në listat zyrtare.
Po ashtu, mbetet e paqartë kostoja për 139 panelistët e ftuar nga Shqipëria dhe diaspora. Në përgjigje të pyetjes mbi shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, institucionet nuk dhanë shifra konkrete, duke sqaruar se këto shpenzime janë mbuluar nga institucionet organizatore sipas përgjegjësive të secilit panel.
Raport pa financa
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është raporti përfundimtar i samitit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se raporti është finalizuar dhe pritet të publikohet, por saktëson se ai trajton vetëm aspektet organizative të aktivitetit.
“Është finalizuar Raporti Përfundimtar i Samitit të IV të Diasporës, duke reflektuar aspektet kryesore të organizimit dhe realizimit të aktivitetit (jo aspektet financiare). Publikimi i tij në faqen e MEPJ pritet të bëhet në ditët në vijim”
Katër samite, pak transparencë
Samiti i parë i Diasporës u mbajt në vitin 2016, i dyti në 2019, i treti në 2023 dhe i katërti në prill 2026. Në dhjetë vjet, qeveria i ka paraqitur këto aktivitete si mekanizma për forcimin e lidhjeve me rreth 2.25 milionë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Megjithatë, edhe pas katër samitesh, mungon një bilanc i qartë mbi rezultatet konkrete të tyre, investimet e gjeneruara apo ndikimin real në marrëdhënien me diasporën.
Po aq e kufizuar mbetet edhe transparenca financiare. Në rastin e Samitit IV, institucionet publikuan vetëm shifrën totale të kostos, pa vënë në dispozicion dokumentet mbështetëse që do të mundësonin verifikimin e saj. Për rrjedhojë, publiku di se samiti kushtoi rreth 420 mijë euro, por jo saktësisht se si u shpenzuan këto para.
Një muaj pas fillimit të protestave, debati nuk lidhet më vetëm me arsyet e tyre, por me atë që mund të sjellin në të ardhmen: një lidership të ri, një parti politike apo thjesht një presion të përkohshëm mbi sistemin. Sipas analistëve, kjo është një fazë e rëndësishme, ku energjia e protestës po përballet me kufijtë e organizimit politik.
“Nuk mund të jetë më Shqipëria që ka qenë”
Për gazetarin dhe analistin Blendi Fevziu, protestat kanë potencialin të shënojnë një pikë kthese në zhvillimet politike të vendit, edhe nëse ende nuk dihet forma që do të marrin në të ardhmen.
“Nuk di të them nëse kjo protestë do prodhojë një formacion politik… Por unë kam shpresuar shumë që kjo protestë mund të sjellë një lidership të mirë”, shprehet ai për Faktoje, duke e lidhur momentin aktual me precedentë historikë të ndryshimeve politike në Shqipëri.
“Zakonisht lidership i ri vjen në momente përplasjesh… siç janë protestat. Kështu ka ardhur lidershipi shqiptar në 1990… shpresoj shumë që të mund të nxjerrë një lidership të ri” – Blendi Fevziu
Fevziu e sheh protestën si një terren ku mund të lindë një elitë e re politike, edhe pse pa garanci të qarta për drejtimin që do të marrë.
“Zakonisht lidership i ri vjen në momente përplasjesh… siç janë protestat. Kështu ka ardhur lidershipi shqiptar në 1990… shpresoj shumë që të mund të nxjerrë një lidership të ri”, thotë ai.
Megjithatë, në analizën e tij ka edhe një element të fortë pasigurie: protestat mund të mos prodhojnë një forcë të vetme politike, por disa të tilla, për shkak të diversitetit të ideve brenda tyre.
“Nuk di të them nëse këto protesta do e nxjerrin, por një gjë është e sigurtë: që pas kësaj proteste Shqipëria nuk mund të jetë ajo që ka qenë” , thekson Fevziu.
“Është herët për parti politike”
Ndërsa, politologu Afrim Krasniqi e sheh protestën si një proces ende në fazë të hershme, ku transformimi në forcë politike është i mundshëm, por jo i afërt. Ai thekson se është e gabuar të pritet një ndryshim i shpejtë institucional, duke e krahasuar protestën me lëvizje të tjera historike që kanë kërkuar kohë për t’u konsoliduar.
“Është normale që kur një protestë ngrihet kundër sistemit, sistemi nuk mund të ndryshojë për 30 orë dhe as për 30 ditë. Kërkon shumë kohë dhe durim”, argumenton Krasniqi për Faktoje.
Sipas tij, sfida kryesore e lëvizjeve të tilla është kalimi nga protesta në organizim politik të qëndrueshëm. Por në rastin shqiptar, ai e konsideron këtë hap si të parakohshëm.
“E shoh të hershme, shumë të hershme nevojën që kjo lëvizje të kthehet në një lloj rryme politike” – Afrim Krasniqi
“E shoh të hershme, shumë të hershme nevojën që kjo lëvizje të kthehet në një lloj rryme politike”, thotë ai, duke nënvizuar se kërkesat e artikuluara janë ende në fazën e ndikimit publik dhe jo të institucionalizimit.
Një element tjetër që ai thekson është rreziku i fragmentimit dhe i ndikimit të aktorëve politikë ekzistues mbi individët e përfshirë në protestë, ç’ka mund të dëmtojë besimin publik.
“Duke qenë një vend i vogël, çdo individ mund të integrohet lehtësisht nga palët… bëhet shumë e vështirë për individët që përkrahin protestën të dalin në mënyrë publike”
Në këtë kuadër, Krasniqi e sheh sfidën kryesore jo vetëm te protesta vetë, por te qëndrueshmëria e saj përballë presioneve politike dhe përpjekjeve për ta fragmentuar.
“Në kushtet aktuale, basti kryesor është përpjekja për ta lodhur dhe për ta përçarë protestën… ndërsa qytetarët përpiqen të mbajnë gjallë shpresën që gjërat në Shqipëri mund të ndryshojnë”
Lëvizje shoqërore, jo domosdoshmërisht parti
Një qasje më pragmatike vjen nga aktivisti i shoqërisë civile Migen Qiraxhi, i cili e refuzon idenë që suksesi i një proteste të matet domosdoshmërisht me krijimin e një partie politike. Sipas tij, ajo që po ndodh nuk duhet parë me logjikën e viteve ’90, kur pluralizmi politik ishte qëllimi kryesor. Sot, argumenton ai, realiteti është tjetër.
“Refuzoj të mendoj si në ’90-tën ku shprehja më e lartë e suksesit të një proteste ishte krijimi i një partie”, thotë Qiraxhi për Faktoje.
“Nëse kjo lëvizje bën vetëm një parti është si ‘mali që mbarset dhe pjell një mi” – Migen Qiraxhi
Ai shkon më tej duke paralajmëruar se krijimi i një partie të vetme nuk do të përfaqësonte domosdoshmërisht forcën reale të lëvizjes.
“Nëse kjo lëvizje bën vetëm një parti është si ‘mali që mbarset dhe pjell një mi”
Në vend të kësaj, ai propozon një model më të shpërndarë të organizimit qytetar, ku presioni për ndryshim ushtrohet nga disa struktura dhe forma përfaqësimi, jo vetëm nga një subjekt i vetëm politik.
“Duhet të lindin lëvizje apo organizata të ndryshme… Shqipëria e re me një lule nuk vjen”
Pavarësisht dallimeve në qasje, të tre zërat bashkohen në vlerësimin se protesta nuk është më vetëm një episod emocional i pakënaqësisë, por një moment me fuqi ndikuese në sistemin politik shqiptar.
Protesta para kryeministrisë u rikthye sërish këtë të enjte para Kuvendit, në ditën e saj të 33-të, me një nivel më të lartë tensioni se tubimet e mëparshme.
Pas përplasjes së parë të 30 qershorit para Parlamentit, protesta e sotme u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe u shoqërua me konfrontime mes protestuesve dhe policisë, sulme me vezë e miell ndaj deputetëve, përdorim uji dhe spraji për shpërndarjen e turmës, si dhe shoqërimin e 23 personave në polici.
Që në mëngjes, godina e Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike, forca të shtuara policie, automjete të blinduara dhe autobot me ujë, ende pa nisur zyrtarisht protesta, masa që shtriheshin deri tek ministria e Brendshme
Masat
Tubimi ishte paralajmëruar për në orën 10:00, por qytetarët nisën të mblidheshin më herët pranë Parlamentit dhe në pedonalen përreth.
Thirrja “Parlamenti i krimit” mbizotëroi gjatë gjithë protestës, ndërsa herë pas here dëgjoheshin edhe slogane si “Bashkohuni me ne”, “Arrestoni Ramën”, “Rama burg, Berisha burg”, “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”.
Protesta nuk kishte vetëm një ritëm. Në disa momente ajo ngjante si tubim i organizuar me thirrje politike kundër qeverisë; në të tjera, si një përplasje e vështirë për t’u kontrolluar mes qytetarëve, policisë dhe deputetëve që hynin ose dilnin nga Kuvendi.
Moskoordinimi
Aktivistë dhe protestues bënë vazhdimisht thirrje kundër dhunës, duke kërkuar që përballja të mos ishte me policinë, por me institucionin dhe deputetët. Megjithatë, tensioni, mungesa e koordinimit dhe provokimet në terren bënë që këto thirrje të mos mjaftonin për të shmangur përshkallëzimin.
Tensionet nisën që me mbërritjen e deputetëve për seancën plenare. Disa prej tyre u përballën me protestuesit pranë hyrjeve të Kuvendit, në lokale rreth Parlamentit dhe në zonën e Toptanit, ku u kritikuan ose u qëlluan me vezë e miell.
foto nga protesta e dates 2 korrik (LSA)
Përplasjet
Makina e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u godit po ashtu me vezë e miell, ndërsa konfrontime pati edhe me deputetë të tjerë të mazhorancës dhe opozitës, teksa hynin ose dilnin nga Parlamenti apo ndodheshin në ambientet përreth.
Deputetët e Partisë Demokratike që hynë në Kuvend nuk u qëlluan me vezë apo miell, por u pritën me thirrje si “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”. Tensione pati edhe ndaj figurave të tjera opozitare që iu afruan protestës, mes tyre Adriatik Lapaj dhe Redi Muçi, të cilëve disa protestues u kërkuan të largoheshin.
Disa protestues arritën të afroheshin brenda perimetrit të sigurisë pranë Kuvendit, nga ku nisën të qëllonin me vezë drejt deputetëve socialistë. Pas ndërhyrjes së policisë, disa persona u shoqëruan.
Deri në këtë fazë të raportimit, 23 persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe janë dërguar në disa komisariate të Tiranës, mes tyre Komisariati nr. 1, nr. 3 dhe nr. 4. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, raportohet gjithashtu për 9 efektivë policie të lënduar gjatë përplasjeve.
Numri i qytetarëve të lënduar nuk mund të përcaktohet ende me saktësi. Nga pamjet e protestës janë parë momente përplasjeje dhe përdorimi force nga policia ndaj protestuesve, ndërsa disa qytetarë thanë se ndaj tyre është përdorur gaz lotsjellës dhe spraj me piper. Disa prej tyre shfaqën shqetësime gjatë tubimit dhe u ndihmuan me ujë nga të pranishmit. Në të paktën një rast, një efektiv policie u pa duke i ardhur në ndihmë një protestuesi të moshuar.
Pamjet nga protesta tregojnë episode dhune dhe përdorimi force nga më shumë se një drejtim. Në disa video shihen protestues që godasin me sende të forta dhe thyejnë një makinë policie, ndërsa në pamje të tjera shihen efektivë që godasin me shkop gome një protestues teksa e kanë vënë poshtë. Këto episode u pasuan me akuza të ndërsjella për përdorim dhune gjatë protestës.
Foto gjate protestes 2 korrik (LSA)
Thirrjet
Në të njëjtën hapësirë ku ndodhën përplasjet, pati edhe momente që tregonin kompleksitetin e situatës në terren. Disa protestues u kërkonin policëve “t’i bashkoheshin popullit”. Pak metra më tej, të tjerë protestues kërkonin të mos hidhej më gurë ndaj policisë, ndërsa turma zhvendosej herë drejt gardheve metalike, herë drejt rrugëve anësore dhe komisariateve.
“E kemi me Parlamentin, jo me policinë”, u dëgjua të thuhej mes protestuesve, ndërsa të tjerë bënin thirrje: “Jo me gurë policisë” dhe “Jo me mjete të forta”.
Por situata u përshkallëzua kur protestuesit u konfrontuan me policinë dhe hoqën një pjesë të gardhit metalik. Në drejtim të efektivëve u hodhën vezë, shishe dhe gurë. Policia përdori ujë dhe spraj për të shpërndarë protestuesit dhe për të mundësuar daljen e deputetëve dhe ministrave nga ambientet e Kuvendit.
Shoqërimet
Pas shoqërimeve, protesta u shpërnda në disa pika të Tiranës. Një pjesë e qytetarëve u drejtuan drejt komisariateve ku ndodheshin të shoqëruarit, duke kërkuar lirimin e tyre.
Aktivistë dhe protestues u bënë thirrje të pranishmëve të filmonin dhe raportonin vetë nga terreni, duke argumentuar se linjat editoriale të disa mediave nuk po pasqyronin, sipas tyre, të gjithë dinamikën e protestës. Kjo bëri që shumë prej zhvillimeve të ditës të qarkullonin paralelisht në rrjete sociale përmes videove të qytetarëve dhe pamjeve nga media.
PD
Ndërkohë, brenda Kuvendit, seanca plenare nisi me rreth 30 minuta vonesë dhe u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike. Deputetët demokratë hynë fillimisht në Parlament, por më pas u larguan, në zbatim të vendimit të grupit parlamentar për bojkotimin e seancës.
Grupi parlamentar i PD-së e argumentoi bojkotin me refuzimin e mazhorancës për të futur në kalendar katër projektligje që, sipas opozitës, lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e protestuesve: shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Sipas demokratëve, mazhoranca kishte refuzuar më herët edhe kërkesën për debat parlamentar mbi protestën dhe mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë. PD argumentoi se zhvillimi i seancës nën masa të shtuara policore dhe pa adresuar kërkesat e qytetarëve e dobëson rolin përfaqësues të Parlamentit.
Në sallë ishin deputetët e mazhorancës dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Ky i fundit tha se i vinte turp të hynte në Kuvend ndërsa jashtë protestuesit thërrisnin “Parlamenti i krimit” dhe kërkoi dorëheqjen e mazhorancës.
PS
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dënoi aktet e dhunës ndaj policisë dhe deputetëve socialistë, ndërsa tha se Kuvendi do të vijojë të ushtrojë mandatin deri në vitin 2029. Ai pretendoi se protesta po merrej peng nga individë me precedentë penalë dhe nga ndikime të huaja, ndërsa shtoi se mazhoranca është e gatshme të dialogojë me ata që i quajti “protestuesit e vërtetë”.
“Jo sot, por çdo ditë, deri në maj 2029 ky Kuvend do vazhdojë të ushtrojë mandatin që i kanë besuar qytetarët”, tha Balla.
Seanca parlamentare
Seanca plenare u mbyll rreth dy orë më pas, me miratimin vetëm me votat e socialistëve të tre projektligjeve dhe një projektrezolute, mes tyre ndryshimet për funksionimin e administratës shtetërore, ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar dhe marrëveshjen e garancisë me BERZH për projektin e nënstacionit të OSHEE-së në Tiranë.
Reagimet
Pas përplasjeve, reagimet politike u ndanë mes dënimit të dhunës ndaj policisë dhe deputetëve nga përfaqësues të mazhorancës, dhe akuzave të opozitës për dhunë policore ndaj protestuesve.
Kryeministri Edi Rama shkroi se “protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë” i kishte lënë vendin “filmit të vjetër të konfliktit, sherrit e dhunës”, duke bërë dallimin mes qytetarëve që, sipas tij, protestuan për kauza të drejta dhe atyre që u përfshinë në akte dhune.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dy efektivë policie të lënduar gjatë përplasjeve dhe e cilësoi goditjen ndaj tyre si sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar. Berisha publikoi pamje të një protestuesi të dëmtuar dhe pretendoi se ndaj qytetarëve janë përdorur gaz lotsjellës, spraj dhe mjete të tjera për shpërndarjen e tyre.
Protesta e 2 korrikut shënoi një tjetër moment tensioni në raportin mes qytetarëve protestues, Kuvendit dhe forcave të rendit. Në krahasim me tubimin e 30 qershorit, sot ndryshimi kryesor ishte prania më e fortë policore që para nisjes, përplasjet më të gjera në zonën përreth Parlamentit, përdorimi i ujit dhe sprajit për shpërndarjen e protestuesve, si dhe bilanci më i rëndë i shoqërimeve.
Pretendimi: Kjo video tregon se çfarë ndodh me trupat e njerëzve që vdesin në pelegrinazhin mysliman të Haxhit
Verdikti: E paprovuar
————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon si transportohen trupat e personave që vdesin gjatë pelegrinazhit të Haxhit që kryhet nga besimtarët myslimanë. Në imazhe shfaqen disa punonjës në një aeroport që po ngarkojnë thasë të bardhë në bagazhin e një avioni. Video shoqërohet me komente fyese të lexuesve të ndryshëm.
Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok më 2 maj 2026.
Video është postuar pa përshkrim, dhe askund në postim nuk përmendet pelegrinazhi i Haxhit apo trupat e vdekur.
Siç kanë vërejtur shumë komentues në videon origjinale, bazuar në pamjen e formave që po transportohen, punonjësit nuk po ngarkojnë kufoma në avion, por copa mishi të ngrira, të cilat mund të jenë kurbane që dhurohen nga vende myslimane me rastin e festave fetare. Transporti i trupave njerëzorë, aq më tepër në vendet arabe me temperatura të larta, kryhet me arkivolë të mbyllur apo pajisje frigoriferike.
Një nga tubimet më të mëdha fetare në botë, Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Çdo mysliman që është në gjendje duhet ta kryejë atë të paktën një herë në jetën e tij. Çdo vit, Meka pret miliona besimtarë. Të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë gjatë haxhit, dhe shumë prej tyre humbasin jetën. Një nga traditat historike dhe i konsideruar si një nder për besimtarët myslimanë është varrimi pranë Mekës i atyre pelegrinëve që humbin jetën gjatë këtij udhëtimi të shenjtë.
Pretendimi: HAARP është shkaku i temperaturave të larta në Francë, Itali dhe Spanjë, si dhe i tërmetit që goditi Venezuelën në qershor 2026
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————
Ndërsa Europa përballet me një valë rekordthyese të nxehti, në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, faji për motin vdekjeprurës po i vishet sistemit famëkeq HAARP. Ky i fundit fajësohet njëkohësisht edhe për tërmetin që vrau mbi 2 mijë persona në Venezuelë më 24 qershor.
Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.
Megjithëse postimi i mësipërm pretendon se Franca, Italia dhe Spanja janë shënjestruar me valën e të nxehtit sepse kanë “kritikuar ashpër regjimin diktatorial të Netanyahut,” nxehtësia ekstreme theu rekorde temperaturash në një sërë vendesh të tjera evropiane, përfshi Gjermaninë, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë.
Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit po nxitet nga një masë ajri të nxehtë që lëviz në veri nga Saharaja, e nxitur nga një sistem i fortë me presion të lartë i njohur si “anticiklon afrikan.”
Sistemi me presion të lartë ka krijuar një të ashtuquajtur “kupolë nxehtësie”, e cila bllokon ajrin e nxehtë mbi Evropën Perëndimore dhe Qendrore, duke lejuar që temperaturat të rriten ditë pas dite.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu ka intensifikuar temperaturat, duke e bërë valën rekord të të nxehtit të këtij viti deri në 4 gradë Celsius më të nxehtë.
Ndërkaq, projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime lidhur me sistemin HAARP.
Pas një muaji protestash masive në bulevard, ku spikasin të rinjtë e gjeneratës Z, qeveria ndërmori një seri masash në favor të pensionistëve. Për herë të parë u vendos një bonus prej 5 mijë lekësh në mesin e vitit për rreth 777 mijë pensionistë, ndërsa u afrua me tre muaj edhe indeksimi i pensioneve.
Bonusi është një praktikë që qeveria e ka aplikuar prej vitesh, por zakonisht është shpërndarë në fund të vitit. Këtë herë, ai u dha në korrik me premtimin se do të ketë edhe për vitin e ri një tjetër. Sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, fondet janë siguruar falë ecurisë së mirë të ekonomisë.
“Një bonus për pensionistët, ky do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të jepet për 777,200 qytetarë”,deklaroi Ibrahimaj.
Qeveria vendosi edhe afrimin e indeksimit të pensioneve. Në vend që të kryhej në tetor, siç ishte parashikuar, indeksimi hyri në fuqi më 1 korrik.
“Kjo është bërë e mundur me një fond shtesë prej rreth 872 milionë lekësh”, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së qeverisë.
Indeksimi prej 2.7% dhe bonusi prej 5 mijë lekësh nisën të shpërndahen më 1 korrik. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm ditën e parë bonusin e verës e tërhoqën mbi 33 mijë pensionistë.
Ne foto: Kryeministri Edi Rama ne takimin me pensionistet
Rama mohon lidhjen me protestat
Një ditë pas nisjes së shpërndarjes së bonusit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistë, ku mohoi se vendimi ishte ndikuar nga protestat e javëve të fundit, njësoj siç kishte mohuar vitin e kaluar se bonusi kishte lidhje me zgjedhjet.
“Këta thonë që qeveria, Edi Rama, Partia Socialiste kapet pas pensionistëve se ata i ka kështu kollaj. Në fakt, të vetmit që i bien lapsit në Shqipëri janë pensionistët. Këta që i bien Instagramit me gisht, nuk e di deri në çfarë pike arrijnë të logjikojnë. Vjet ju thanë: ‘Bonusi i pranverës është për zgjedhjet’. Pastaj ju thanë: ‘Do jua rrisin, por nuk do ju japin bonusin e fundvitit”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, bonusi nuk lidhet me zhvillimet politike, por me angazhimin e qeverisë për të mbështetur pensionistët sa herë që e lejojnë financat publike.
“Një komponent që ne nuk e kishim parashikuar ishte rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. U rrit çmimi i naftës dhe, vetiu, u rritën edhe të ardhurat nga taksat. E gjithë ajo pjesë që erdhi nga rritja e çmimit për shkak të luftës do ta merrni ju, do ta marrin pensionistët”,tha Rama.
Megjithatë, edhe pse mohoi lidhjen mes bonusit dhe protestave, një pjesë e konsiderueshme e takimit iu kushtua pikërisht reagimeve ndaj tyre.
“Patjetër që ne po përpiqemi ta lexojmë si duhet mesazhin, sepse protesta nuk është vetëm ajo që thuhet. Protesta është edhe ajo që nuk thuhet, edhe për mirë, edhe për keq”, deklaroi kryeministri.
Vendim i mirë, por me lexim politik
Ekspertët e ekonomisë e mirëpresin mbështetjen financiare për pensionistët, por vlerësojnë se koha dhe mënyra e miratimit të saj e bëjnë të pashmangshëm interpretimin politik.
“Një paketë e tillë fiskale miratohet përmes Aktit Normativ dhe në një moment tensionesh të dukshme shoqërore. Krijohet përshtypja se politika po reagon më shumë ndaj klimës së pakënaqësisë sesa ndaj një strategjie të qëndrueshme afatgjatë”, thotë Eduard Gjokutaj për Faktoje.
Sipas tij, bonusi prej 5 mijë lekësh dhe indeksimi me 2.7% përbëjnë një lehtësim të përkohshëm, por nuk adresojnë problemin strukturor të pensioneve.
“Në një moment kur debati publik kërkon më shumë transparencë, konsultim dhe besim institucional, përdorimi i mekanizmave të përshpejtuar vendimmarrës dhe shpërndarja e masave selektive mban gjallë perceptimin e një politike që menaxhon presionin social në vend që të adresojë shkaqet e tij”, argumenton ai.
Pensionet mbeten larg kostos së jetesës
Ekonomistja Irena Beqiraj kujton se gjatë 13 viteve të fundit politikat e qeverisë për pensionistët janë mbështetur kryesisht në tre instrumente: indeksimin sipas inflacionit, bonusin e fundvitit dhe rritja fikse prej 1,800 lekësh për pensionet e plota urbane nën 40 mijë lekë, si dhe 800 lekë për pensionet në zonat rurale nga ky vit.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht pensioni mesatar i pleqërisë është rreth 20,666 lekë në muaj në qytet dhe 12,107 lekë në muaj në fshat.
“Në të njëjtën kohë, paga bazë e një deputeti në Kuvend arrin në 310,250 lekë në muaj, pa përfshirë dietat, shpenzimet e karburantit, telefonit dhe përfitimet e tjera.
Edhe duke marrë në konsideratë vetëm pagën bazë, raporti i saj me pensionin mesatar në qytet është rreth 15 herë më i lartë, ndërsa me pensionin mesatar në fshat arrin në 25 herë më i lartë”, argumenton Beqiraj.
Sipas saj, pensionistët përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të lartë: çmime që, sipas Eurostat, janë 103.8% e mesatares europiane, shpenzime të konsiderueshme shëndetësore që paguhen nga xhepi, si edhe kosto për transportin, komunikimin dhe aksesin në plazhe publike.
“Këto të dhëna tregojnë që socialistët, edhe pse u lodhën duke punuar për pensionistët, kanë arritur të mendojnë vetëm për vete”, përfundon Beqiraj.
Përfundim
Nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimi i kryer, deklaratën e ministres Delina Ibrahimaj se ”ky do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë, i cili do të jepet për 777,200 qytetarë”, e kategorizojmë të vërtetë.
Pretendimi: Ky imazh tregon trajnerin e Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, duke ndarë një puthje me tre gra njëkohësisht gjatë karnavaleve në Rio de Janeiro
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————
Një imazh që duket se tregon trajnerin e Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, duke ndarë një puthje me tre gra njëkohësisht gjatë karnavaleve në Rio de Janeiro po raportohet si i vërtetë nëpër media, përfshi ato shqipfolëse.
Në shkurt të këtij viti, Ancelotti mori pjesë në karnavalet në Rio, Sao Paulo dhe Salvador, por imazhi i mësipërm është i rremë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një video të postuar në Twitter nga reporterja e sportit Gabrielle Gomes më 13 shkurt 2026, që tregon se Ancelotti ishte vetëm në tribunë.
Një krahasim i skenës në video dhe imazhit që po qarkullon në rrjet zbulon disa ngjashmëri. Pjesë të krahëve të dy personave shfaqen në të dyja anët e Ancelottit. Një ekran është i dukshëm pas tij dhe të njëjtat njolla janë të pranishme në kangjellat e kuqe përpara trajnerit.
Imazhi origjinal (majtas) dhe imzhi i gjeneruar (djathtas)
Megjithatë, në versionin origjinal mungojnë tre gratë. Kjo, sepse ato janë të gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google.
Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.”SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Drejtuesi i SPAK -ut, Klodjan Braho, deklaroi në mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore se, korrupsioni zgjedhor nuk është akt i izoluar, por pjesë e një zinxhiri që lidhet me financimin, organizimin dhe përfituesit politikë. Hetimi, sipas tij, duhet të shtrihet te burimi i financimit, organizatorët, ndërmjetësit dhe përfituesit realë.
Propozimet
Për zgjedhjet e ardhshme, ai propozoi që fokusi të jetë te gjurma financiare, duke e parë shitblerjen e votës, favoret administrative, pagesat cash dhe mbështetjen logjistike si pjesë të një skeme të lidhur.
“Ato duhet të analizohen si pjesë e një zinxhiri që lidh burimin e parave, mënyrën e shpërndarjes, ndërmjetësit, zonën ku ushtrohet ndikimi dhe përfituesin politik ose elektoral të skemës”, tha ai.
Braho nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultoi një nga elementet më të rëndësishme të qasjes së vitit 2025.
“Prania e task-forcës së SPAK me mbulim kombëtar, e koordinuar me seksionet e posaçme të përkohshme të ngritura në çdo prokurori të juridiksionit të përgjithshëm nga Prokurori i Përgjithshëm, tregoi vlerë praktike”, tha ai.
Kompetencat
Braho sqaroi gjithashtu se, jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën e SPAK dhe jo çdo parregullsi gjatë procesit zgjedhor përbën vepër penale.
Gjatë mbledhjes, anëtarja e PD-së në komisionin për zgjedhjet Albana Vokshi e pyeti kreun e SPAK nëse ka hetuar sistemin e patronazhimit, që sipas saj është ngritur nga PS për te vjedhur votën.
“Në Kodin Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale, korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Nëse një funksionar ka shpërdoruar detyrën, nëse një person ka nxjerrë të dhëna personale është vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm”, tha ai.
Pretendimi: Kjo video tregon vërtet futbollistin norvegjez Erling Haaland që trembet nga pasqyrimi i tij
Verdikti: E pavërtetë, Video e manipuluar
————————————————————
Një video që po qarkullon gjerësisht nëpërrrjetesociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon futbollistin norvegjez Erling Haaland që trembet nga pasqyrimi i tij ndërsa është duke ngrënë me kafshata të mëdha.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një video gati identike me atë të mësipërmen. Pllakat dhe teli në mur, ushqimi në tryezë, madje edhe lloja e bukës “mantou” në dorën e personazhit janë njësoj, vetëm fytyra dhe xhaketa e tij ndryshojnë.
Video origjinale është postuar fillimisht në TikTok nga çifti i komedianëve kinezë Jin Long dhe Qiu Qiu më 15 qershor 2026. Në videot e tyre, Long luan rolin e një mekaniku të shpërqendruar, gjë që shpjegon fytyrën dhe duart e ndotura të personazhit të tij.
Skeçi është 31 sekonda, më i gjatë se video 13-sekondëshe që duket se tregon Haaland dhe reagimet e Long vazhdojnë edhe pas trembjes fillestare. Tabelat në alfabetin kinez nuk përputhen me vendndodhjen e Haaland këtë Botëror në ShBA.
Video origjinale që tregon Long është modifikuar, me gjasa me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI), për ta zëvendësuar atë me një shëmbëlltyrë të Haaland. Kjo është e dukshme në këtë krahasim mes dy videove:
Pretendimi: Kjo video tregon disa rreze lazeri që u shfaqën pak momente para tërmetit në Venezuelë
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se tregon rreze lazeri që u shfaqën pak momente para tërmetit në Venezuelë në qershor 2026.
Megjithatë, për këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet asnjë provë, burim, apo referencë mbështetëse.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në TikTok më 18 mars 2026.
Kështu, video nuk ka si të tregojë momentet pak para tërmetit që ra në Venezuelë më 24 qershor 2026, gati tre muaj më vonë.
Llogaria që e ka postuar përmban gati ekskluzivisht video të ngjashme, që sugjeron se videot janë prodhuar në masë.
Që nga 11 shkurti 2026, llogaria ka postuar 130 video që duket se tregojnë drita lazeri rozë në qiellin e natës mbi zona të populluara. Videot paraqesin efekte të ngjashme me lazerin dhe vetëtimën, por në ngjyra të tjera si blu, vjollcë dhe të bardhë.
Për më tepër, ndryshe nga ç’duket në vidoen e mësipërme, në kohën kur goditën tërmetet ishte ende ditë në Venezuelë. Sipas faqes së Qendrës Kombëtare të Informacionit për Tërmetet e USGS një tërmet me magnitudë 7.2 u raportua në orën 22:04:33 sipas Kohës Universale të Koordinuar (UTC), i ndjekur nga një tërmet me magnitudë 7.5 në orën 22:05:11 (UTC) më 24 qershor 2026 në Venezuelë. Këto orare përkojnë me orën 18:04 dhe 18:05 në Venezuelë. Më 24 qershor 2026, ditën e tërmetit, dielli perëndoi në Karakas në orën 18:52 pasdite.
Protesta e përnatshme para kryeministrisë u zhvendos të martën para Kuvendit, duke sjellë tensione mes qytetarëve protestues dhe forcave të rendit.
Fillimisht, një grup protestuesish bllokuan hyrjen e Parlamentit, duke e bërë të vështirë daljen e deputetëve dhe ministrave gjatë seancës plenare.
Makinat e deputetëve, parkuar jashtë ambienteve të Kuvendit, u mbuluan me vezë, ndërsa në oborrin para Kuvendit u shkrua parulla simbolike “Parlament i krimit”.
Situata më tej u përshkallëzua me konfrontime të vazhdueshme me policinë, duke shënuar përplasjen e parë, pas 30 diteve proteste.
Foto e marre nga LSA gjate protestes para Kuvendit
Disa prej protestuesve tentuan të cajnë gardhin metalik para Kuvendit, duke sjellë përforcime nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
Protestuesit hodhën sende drejt makinave të parkuara, sollën kosha mbeturinash (të vendosura në anën tjetër të rrugës) dhe thirrën slogane si “Këtu e keni vendin”, “Parlamenti në kosh!” apo dhe “Rama n’kosh, Berisha n’kosh’’
Paralelisht me protestën disa orëshe, brenda Kuvendit, mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, me 74 vota kundër dhe 22 pro.
Opozita akuzoi qeverinë për shmangie nga “skaneri” i PE, duke përmendur korrupsionin, krimin e organizuar dhe mbrojtjen politike ndaj zyrtarëve të akuzuar.
Emaili për eurodeputetët
“Na e servirët miratimin e rezolutës si arritje historike të Shqipërisë në procesin e integrimit europan, sot refuzoni të flasim për rezolutën e PE. Sot keni refuzuar me votë vetë PE. Jo thjesht sepse refuzoni debatin, por skanerin që PE i ka bërë qeverisë. Skaneri ju ka nxjerrë të sëmurë. Ju vuani nga sëmundja e rëndë e vjedhjes së zgjedhjeve, së taksave, korrupsionit, krimit të organizuar, thotë PE. Vetëm Rama ka frikë nga kjo rezolutë. Eurodeputetët grisën email-in e Taulantit dhe votuan për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Sot s’flasim për rezolutën e PE sepse do të dalë që email-i i kolegëve është grisur dhe hedhur në kosh”, tha kryetari i grupit parlamentar i PD-se, Gazment Bardhi, duke iu referuar një emaili (të bërë publik ne media) nga dy deputetë të PS-së Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla të cilët i kishin kërkuar eurodeputetëve të mos votonin amendamentet për zonat e mbrojtura.
“Po ju drejtohemi pasi ndoqëm sot në seancën plenare debatin mbi Raportin për Shqipërinë 2025, për t’ju falënderuar për raportin, ashtu siç u miratua në AFET, dhe për të shprehur shqetësimet tona lidhur me amendamentet 4 dhe 17.
Amendamentet 4 dhe 17 nuk bazohen në premisa të vërteta, por janë rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën, prandaj ju kërkojmë me respekt të MOS i mbështesni këto dy amendamente”, thuhet ndër të tjera në emailin e derguar nga deputetja e PS-së, Bora Muzhaqi.
Protesta zhvendoset para Komisariatit nr 1
Ndërkohë jashtë Kuvendit, tensionet u shtuan kur protestuesit bllokuan makinën e zv.kryeministres Albana Koçiu që u qëllua me vezë para se policia të hapte rrugën.
Për më shumë se tre orë, dhjetëra qytetarë rrethuan Parlamentin, duke hedhur parulla si “Revolucion”, “Rama dorëhiqu”, “Arresto Ballukun” dhe “Anullo ligjin për zonat e mbrojtura”.
Në fund, policia ndërhyri duke larguar protestuesit nga hyrja e Parlamentit dhe shoqëroi gjashte persona për incidentet e ndodhura, ndër ta edhe Dritan Goxhajn. Kjo ndryshoi rrjedhën e protestës
Protestuesit marshuan drejt Komisariatit numër 1 ku janë ndaluar 6 të shoqëruarit, duke vijuar thirrjet disa oreshë kundër qeverisë. “Lironi protestuesit”, ishte thirrja e tyre konstante.
Një prononcim për mediat para komisariatit e përcolli edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani.
“Ne kemi nisur një hetim për sjelljen e policisë së shtetit. Para së të vinim këtu ishim aty. Jemi shumë të shqetësuar për videot që kemi parë. Sjellje shproporcionale e policisë. Kush e ka dhënë vendimin? Si është bërë ndërhyrja, e drejta për të protestuar nuk kufizohet. Videot janë shqetësuese”, tha Shabani.
Aty shkoi edhe kryetari i Partise “Mundesia”, Agron Shehaj i cili tha per mediat se shoqerimi i protestuesve ishte per arsye politike.
Me tej, 6 te shoqëruarit u liruan ndersa bene thirrje per tju bashkuar protestes se ores 19.00 para kryeministrise.
Më herët, gjate dites, kryeministri Edi Rama përcolli një koment në Facebook për protestën. Ai theksoi se shqetësimet reale të qytetarëve në protestë do të kthehen në energji për projektin “Shqipëria 2030 në BE”, ndërsa sipas tij “shëmbëlltyra e zezë që i keqpërdori” do të dështojë.
Pretendimi: Kreu i FIFA, Gianni Infantino u shfaq në ekran në dy ndeshje që u zhvilluan në dy stadiume të ndryshme në të njejtin orar
Verdikti: E pavërtetë, Imazh i modifikuar
———————————————————————-
Postime në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendojnë se presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ndoqi dy ndeshje të Kupës së Botës 2026, të cilat po luheshin njëkohësisht në qytete të ndryshme, më 25 qershor. Pretendimi, që nxit komentuesit të hedhin dyshime për trukime të FIFA-s, shoqërohet me foto që duket se tregojnë Infantino në tribunën VIP në të dy stadiumet.
Foto e parë duket se tregon ndeshjen Ekuador-Gjermani dhe e dyta, ndeshjen Curaçao-Bregu i Fildishtë. Ndeshjet Ekuador-Gjermani dhe Kuraçao-Bregu i Fildishtë, filluan në orën 22:00 sipas kohës shqiptare më 25 qershor. E para u luajt në stadiumin New York/New Jersey, dhe e dyta në Philadelphia.
Megjithatë, presidenti i FIFA-s nuk mori pjesë në të dyja ndeshjet.
Ai u pa vetëm në tribunën e ndeshjes Bregu i Fildishtë-Kuraçao. Kjo fotografi nga agjencia e lajmeve EFE tregon Infantinon në tribunë, të shoqëruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Bregut të Fildishtë dhe Kryeministri i Kuraçaos.
Imazhi që e vendos Infantinon në ndeshjen Ekuador-Gjermani është manipuluar.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi që pretendohet se tregon Infantinon në ndeshjen Ekuador-Gjermani, më 25 qershor, qarkullon në rrjet që në 16 qershor.
Imazhi origjinal tregon se Infantino ishte në ndeshjen mes Iranit dhe Zelandës së Re, që u mbajt më 15 qershor.
Imazhi i modifikuar (sipër) dhe imazhi origjinal i 15 qershorit (poshtë)
Një vizitë te dentisti është pjesë e rutinës shëndetësore për shumë qytetarë. Por pas dyerve të klinikave dhe kabineteve dentare në Tiranë, kontrollet zyrtare kanë evidentuar problematika që lidhen me lejet e ushtrimit të profesionit, dokumentacionin higjieno-sanitar, administrimin e mbetjeve spitalore dhe kushtet në vendin e punës.
Të dhënat e siguruara nga Faktoje përmes kërkesave për informacion tregojnë se sektori dentar në kryeqytet është i gjerë. Sipas Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, në Rajonin e Tiranës rezultojnë 3615 stomatologë të licencuar.
Nga informacioni që disponon Urdhri, në të njëjtin rajon janë të licencuara dhe aktive 1224 klinika dhe kabinete dentare. Vetë institucioni sqaron se licencimi i klinikave dentare është në kompetencë të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe, në rastet kur kërkohet nga legjislacioni në fuqi, edhe të Qendrës Kombëtare të Licencimit.
Urdhri i Stomatologut bën të ditur gjithashtu se nga janari 2023 deri në maj 2026 janë licencuar për herë të parë 791 stomatologë.
Stomatologët e huaj
Në Tiranë ushtrojnë profesionin edhe stomatologë të huaj. Sipas verifikimeve të Urdhrit, janë licencuar 22 stomatologë të huaj, nga të cilët 17 janë italianë.
Për stomatologët e huaj, procedura parashikon dokumente shtesë krahas atyre që kërkohen për shtetasit shqiptarë. Urdhri sqaron se ata duhet të paraqesin njohjen dhe njësimin e diplomës dhe specializimeve, nëse kanë, certifikatë të sjelljes së mirë profesionale, dëshmi penaliteti, si edhe kontratë pune kur do të ushtrojnë profesionin në një klinikë, kabinet apo spital dentar në Shqipëri.
Për stomatologët jorezidentë kërkohet edhe dokument për njohjen e gjuhës shqipe ose kontratë me përkthyes zyrtar.
Ndërsa Urdhri i Stomatologut jep të dhënat për profesionistët e licencuar dhe informacionin që disponon për klinikat aktive, kontrolli i kushteve ku ofrohet shërbimi stomatologjik kryhet nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
Inspektimet
Në përgjigje për Faktoje, ISHSH bën të ditur se dega rajonale Tiranë ka kryer 1450 inspektime dhe ri-inspektime gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 për zbatimin e ligjit nr. 9928 “Për shërbimin shëndetësor stomatologjik”, të ndryshuar. Nga këto, 1380 kanë qenë inspektime dhe 70 ri-inspektime.
Gjatë këtyre kontrolleve, ISHSH ka konstatuar mungesë ose mosrinovim të lejes së ushtrimit të profesionit, mangësi në evadimin e mbetjeve spitalore, mungesë dokumentacioni higjieno-sanitar të subjektit, papastërti në vendin e punës, mosrealizim të detyrave të lëna nga inspektorët, si dhe pengim të inspektimit.
Në dokumentacionin higjieno-sanitar, ISHSH përmend si mangësi mungesën e akt-miratimit higjieno-sanitar, certifikatës DDD dhe raport-analizës së ujit të pijshëm.
Në një tjetër përgjigje për Faktoje, ISHSH saktëson se gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 ka vendosur 100 masa administrative ndaj subjekteve të konstatuara në shkelje të ligjit për shërbimin shëndetësor stomatologjik.
Nga këto masa, 21 kanë qenë gjoba, 71 paralajmërime dhe 8 vendime të ndërmjetme për marrje mase urgjente për pezullim aktiviteti.
Sipas ISHSH-së, 8 vendimet për pezullim aktiviteti kanë konsistuar në mbyllje të përkohshme të aktivitetit deri në përmbushjen e detyrave të lëna nga grupi i inspektimit.
Të dhënat
Raporti mes kontrolleve dhe masave tregon se, në 3 vite, afërsisht 1 në çdo 14-15 inspektime apo ri-inspektime të kryera në klinika dhe kabinete dentare në Tiranë ka përfunduar me masë administrative. Shkeljet e listuara nga ISHSH lidhen me dokumentacionin e ushtrimit të profesionit, kushtet higjieno-sanitare, administrimin e mbetjeve spitalore dhe zbatimin e detyrave të lëna pas kontrollit.
ISHSH sqaron se inspektimet kryhen sipas një programi të miratuar në baza vjetore dhe mujore, por edhe jashtë programit. Në këtë kategori përfshihen kontrollet në kushte flagrance, pas denoncimeve, ankesave apo urdhrave të posaçëm.
Sipas institucionit, në kuadër të zbatimit të ligjit për shërbimin shëndetësor stomatologjik, frekuenca e inspektimeve është vjetore. Përzgjedhja e klinikave që i nënshtrohen inspektimit bëhet mbi bazën e një metodologjie të strukturuar dhe të standardizuar, të mbështetur në vlerësimin e riskut.
Numri
Të dhënat zyrtare tregojnë se në kryeqytet funksionon një sektor i madh i shërbimeve dentare, me mijëra profesionistë të licencuar dhe mbi 1000 klinika e kabinete aktive.
Kontrollet e ISHSH-së për vitet 2023-2025 tregojnë se një pjesë e subjekteve janë konstatuar në shkelje, kryesisht për çështje që lidhen me lejet, dokumentacionin higjieno-sanitar, mbetjet spitalore dhe përmbushjen e detyrave të lëna nga inspektorët.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
Pretendimi: Ky imazh tregon eurodeputeten Ilaria Salis dhe anëtarë të Lëvizjes Bashkë duke përshëndetur me grushtin lart
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————
Një imazh që po qarkullon në media dhe rrjetesocialeshqipfolëse duket se tregon eurodeputeten italiane Ilaria Salis dhe anëtarë të Lëvizjes Bashkë, përfshi deputetin Redi Muçi dhe anëtaren e Këshillit Bashkiak të Tiranës Mirela Ruko, duke përshëndetur me grushtin lart, gjest që tek shqiptarët ngjall kujtime të regjimit diktatorial komunist.
Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të tremben ende nga fantazma e ringjalljes së komunizmit. Imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është modifikuar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), më specifikisht agjentin e OpenAI.
Kjo konfirmohet nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me OpenAI përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se imazhi përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Imazhi i mësipërm është përftuar nga modifikimi me AI i një fotoje reale, postuar, ndër të tjera, nga Salis në rrjetet e saj sociale, pas takimit të saj me anëtarë të Lëvizjes Bashkë më 27 qershor 2026.
Imazhi origjinal u postua në Tëitter nga eurodeputetja Salis më 27 qershor
Si në të shumtën e rasteve imazhet e krijuara nga Inteligjenca Artificiale mbartin edhe gabime logjike në gjenerimin e imazheve.
Një sy i kujdesshëm mund të vërë re gabimin në një prej grushteve që qëndron i palidhur me trupin e njërit prej pjesëmarrësve në foto pas shpinës së deputetit Muçi si dhe një dorë të mbetur në pozicionin origjinal të fotos.
Ndryshimet klimatike nuk mund të përballohen vetëm me pastrimin e kanaleve ekzistuese kulluese nga bashkitë. Dimrat e rradhës bëjnë të detyrueshëm një monitorim më të mirë hidrologjik dhe bashkëpunim më të ngushtë mes bashkive Korçë-Maliq dhe institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë për të përballuar sfidat e reja.
Në ditët e para të janarit 2026, reshjet intensive sollën përmbytje në një pjesë e konsiderueshme të fushës së Korçës. Fshati Shamoll ishte një nga zonat më të prekura ku uji hyri në banesa, dëmtoi rezervat ushqimore të bagëtive dhe përmbyti sipërfaqe të tëra toke bujqësore. Për banorët e këtij fshati, kjo nuk ishte një situatë e pazakontë, por një problem që përsëritet sa herë që ka reshje intensive dhe kanalet nuk i përballojnë dot prurjet.
Përkundër kësaj situate në terren, në Raportin e Performancës së Bashkisë për vitin 2025 rezulton se rrjeti i kanaleve kulluese është mbuluar në nivelin 100 përqind me shërbime pastrimi dhe punime mirëmbajtjeje, duke u paraqitur si plotësisht funksional.
Kontrasti mes raportimeve zyrtare dhe situatës së krijuar, ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin real të sistemit kullues, kapacitetin përballues të tij në situata të reshjeve intensive, si dhe mbi efektivitetin e mirëmbajtjes së kryer.
Çfarë raporton Bashkia Korçë?
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Korçë shprehet se Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Korçë, nëpërmjet sektorit të Ujitjes dhe Kullimit, ka kryer punime sistematike mirëmbajtjeje në rrjetin kullues gjatë viteve 2024-2025. Sipas institucionit, në vitin 2024 janë pastruar 80,307 metra linearë kanale kulluese, ndërsa në vitin 2025 janë pastruar 64,350 metra linearë kanale kulluese.
Bashkia argumenton se deklarata që “rrjeti kullues ka funksionuar në masën 100%” i referohet performancës së përgjithshme të sistemit gjatë periudhës vjetore, bazuar në funksionimin normal në kushte hidrometeorologjike tipike. Sipas saj, sasia e reshjeve në fillimin e vitit 2026 ishte jashtëzakonisht e lartë për klimën e zonës, duke çuar në tejmbushje të lumenjve Devoll dhe Dunavec.
Institucioni pranon se në fshatin Shamoll, pati qëndrim të përkohshëm të ujit në sipërfaqe, por këmbëngul se infrastruktura kryesore ka funksionuar, pasi pas ndalimit të reshjeve, uji u largua përmes rrjetit kullues, gjë që tregon se infrastruktura kryesore ishte funksionale.
Përveç intensitetit të lartë të reshjeve brenda një kohe të shkurtër, në përgjigje përmenden edhe faktorë të tjerë që sipas bashkisë, ndikuan në këtë situatë si: ndërhyrjet e paligjshme nga ana e fermerëve, hedhja e mbeturinave, dëmtime të argjinaturave si dhe ndёrtimet informale pranë infrastrukturës kulluese.
Çfarë ndodhi në Shamoll?
Më 7 janar 2026, reshjet intensive dhe rritja e prurjeve në zonë sollën përmbytje të konsiderueshme në fshatin Shamoll të Korçës. Uji depërtoi në banesa, përmbyti oborret e disa shtëpive, dëmtoi stallat dhe rezervat ushqimore për bagëtitë.
Ditën kur ndodhi përmbytja, ne ishim aty dhe intervistuam disa prej banorëve të fshatit, të cilët insistojnë për një problem të përsëritur dhe thonë se reshjet nxjerrin në pah mosfunksionimin normal të sistemit të kullimit.
Njëri prej banorëve të zonës, Sotir Mankolli, tregon se shkaku lidhet me mënyrën si është organizuar rrjeti i kullimit në kufi me bashkinë Maliq.
“Siç e shikoni, kjo situatë përsëritet vazhdimisht. I gjithë problemi nis në kufirin me bashkinë Maliq, ku është bërë një portë e madhe për vaditjen e fushës, ndërsa më pas janë vendosur disa porta të ngushta, radhë pas radhe. Për këtë arsye uji nuk arrin të kullojë. Është hera e dytë apo e tretë që përmbyten banesat. Institucionet kanë ardhur dhe janë interesuar, por zgjidhje nuk kanë dhënë.”
Ekspertë të menaxhimit të ujërave dhe inxhinierë të hidroteknikës theksojnë se rrjetet kulluese nuk mund të trajtohen të ndara sipas kufijve administrativë, pasi prurjet ujore ndjekin relievin natyror dhe jo ndarjet bashkiake. Për këtë arsye, koordinimi mes bashkisë Korçë dhe Maliq konsiderohet thelbësor, sidomos në zonat kufitare ku ndërthuren kolektorët dhe kanalet kulluese.
Sipas specialistëve, mungesa e ndërhyrjeve të koordinuara në një segment të rrjetit mund të ndikojë drejtpërdrejt në përmbytjen e zonave të tjera më poshtë. Ata sugjerojnë hartimin e një plani të përbashkët mirëmbajtjeje dhe monitorimi për gjithë sistemin kullues të zonës, si dhe ndërhyrje të sinkronizuara mes dy bashkive dhe strukturave të Ministrisë së Bujqësisë. Një rekomandim tjetër lidhet me krijimin e një mekanizmi të përhershëm koordinimi ndërinstitucional, sidomos gjatë periudhave me reshje intensive, për të shmangur bllokimet dhe për të garantuar funksionimin e njëtrajtshëm të kolektorëve kryesorë.
Përgjegjësi i Sektorit të Ujitje-Kullimit në Bashkinë Maliq, Astrit Zhollanji, nuk e shikon fajin te mungesa e koordinimit mes bashkive. Sipas tij, janë realizuar ndërhyrje dhe pastrime në kanale e kolektorë, ndërsa bashkëpunimi me bashkinë Korçë dhe institucionet përgjegjëse vijon për menaxhimin e situatave gjatë reshjeve intensive.
“Kemi koordinim të vazhdueshëm me bashkinë Korçë dhe institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrjetit kullues. Janë kryer pastrime dhe ndërhyrje në kanale dhe kolektorë, ndërsa puna vijon për të parandaluar problematikat gjatë periudhave me reshje intensive.”
Një tjetër banore, Shqiponjë Liçenji, thotë se dëmet kanë qenë të konsiderueshme dhe kujton momentin kur uji hyri në shtëpi gjatë natës.
“Është hera e dytë që përmbytemi. Edhe këtë herë na zuri në gjumë. Fëmijët u tmerruan, ndërsa janë dëmtuar të gjitha orenditë e shtëpisë. M’u mbytën edhe zahiretë dhe ushqimi i bagëtive. Dëmi është i madh, më ka prekur deri në themel. Deri tani nuk kemi marrë asnjë ndihmë, por problemi më i madh është se vera do kalojë shpejtë e shirat do nisin prapë.”
Një fermer tjetër, Hilmi Braholli, përshkruan dëmet në prodhimin bujqësor dhe në bazën ushqimore të bagëtive.
“Jemi përmbytur plotësisht. Më janë dëmtuar rreth 500 dëngje jonxhë, rreth 70 kuintalë elb e grurë, si edhe shtëpia. Kjo ndodh për shkak të bllokimit të kanaleve nga ana e fermës, siç i themi ne. Edhe herën e parë erdhën, hapën pritat dhe panë dëmet nëpër shtëpi, por deri tani nuk është bërë asgjë. Situata mbetet po aq e rëndë sa herën e kaluar.”
Dëshmitë e banorëve tregojnë se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me sasinë e reshjeve, por me faktin që uji qëndron dhe nuk largohet me shpejtësi. Fakt ky që tregon se infrastruktura kryesore nuk ka qënë funksionale.
Kur janë pastruar kanalet për herë të fundit?
Banorët ngrenë dyshime për mirëmbajtjen konkrete të kanaleve pranë tokave dhe banesave të tyre. Shumë prej tyre thonë se nuk dinë të tregojnë se kur është kryer pastrimi i fundit në segmentet problematike të rrjetit kullues të fshatit Shamoll.
Përtej pastrimit periodik të kanaleve kulluese, ekspertët theksojnë se problematika në Shamoll lidhet edhe me nevojën për rikonstruksion dhe zgjerim të disa segmenteve të rrjetit ekzistues. Sipas tyre, infrastruktura kulluese është projektuar dekada më parë dhe në shumë raste nuk i përgjigjet më volumit aktual të reshjeve apo ndryshimeve të relievit dhe përdorimit të tokës.
Banorët e zonës pretendojnë se ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht në kolektorët kryesorë, ndërsa kanalet dytësore dhe degëzimet pranë banesave dhe parcelave bujqësore kanë mbetur të bllokuara ose të ngushtuara. Në terren evidentohen segmente me bimësi të dendur, mbetje dhe depozitime inertesh që pengojnë rrjedhën normale të ujit.
Specialistët sugjerojnë që, përveç pastrimit rutinë, të kryhet edhe një rivlerësim i plotë teknik i rrjetit kullues në Shamoll dhe zonat përreth, për të parë nëse nevojiten kanale të reja, zgjerim i kolektorëve ekzistues apo rehabilitim i segmenteve problematike. Ata theksojnë se pa investime strukturore afatgjata, përmbytjet rrezikojnë të përsëriten çdo sezon reshjesh intensive.
Çfarë thotë Bashkia Korçë për masat e marra?
Në përgjigjen për Faktoje.al, Bashkia Korçë thekson se mirëmbajtja e rrjetit kullues ka qenë e vazhdueshme dhe se përmbytjet e janarit lidhen me reshje ekstreme dhe faktorë të jashtëm.
Përgjigje e kërkesës për informacion
Institucioni sqaron se sistemi kullues nuk është projektuar për prurje të jashtëzakonshme dhe pranon se mungesa e të dhënave të plota hidrometeorologjike që prej viteve ’90 vështirëson planifikimin e veprave mbrojtëse afatgjata.
Sipas Bashkisë, pas situatës së ndodhur janë marrë masat e nevojshme ku nё vijim tё bashkёpunimeve institucionale me Drejtorinё e Ujitjes dhe Kullimit Korçё, ёshtё kryer pastrimi i pёrroit tё Qatromit dhe lumit Dunavec me anё tё mjeteve të rënda. Aktualisht ёshtё duke u punuar pёr sistemimin e kolektorit tё Shamollit.
Gjithashtu është parashikuar rivendosja e monitorimit sistematik, në kuadër të Planeve të Baseneve Lumore dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Njëkohësisht, Bashkia Korçë po thellon bashkëpunimin me fermerët dhe banorët për të parandaluar ndërhyrjet e paligjshme.
Përfundimi
Rasti i Shamollit vë përballë dy realitete: raportimin institucional për funksionim të plotë të rrjetit kullues dhe dëshmitë e banorëve që përballen me përmbytje të përsëritura. Nga njëra anë, Bashkia Korçë flet për një rrjet kullues funksional dhe mijëra metra kanale të pastruara. Ndërsa nga ana tjetër, banorët tregojnë se përmbytjet vazhdojnë të përsëriten sa herë që ka reshje intensive.
Përtej shifrave zyrtare dhe shpjegimeve teknike, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: nëse sistemi funksionon, pse banorët përballen me përmbytje sa herë që reshjet intensifikohen?
Ekspertët e menaxhimit të ujërave argumentojnë se rrjeti kullues në zonën e Korçës duhet të përshtatet me realitetin e ri klimatik dhe zhvillimet demografike të viteve të fundit. Sipas tyre, reshjet intensive janë bërë më të shpeshta dhe infrastruktura ekzistuese nuk mund të mbështetet vetëm te pastrimi periodik i kanaleve.
Ata rekomandojnë një qasje më të gjerë, që përfshin rehabilitimin e rrjetit kullues, zgjerimin e kapaciteteve përballuese të kolektorëve, monitorim më të mirë hidrologjik dhe bashkëpunim më të ngushtë mes bashkive Korçë-Maliq dhe institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë.
Po ashtu, ekspertët sugjerojnë kontroll më të fortë ndaj ndërhyrjeve të paligjshme pranë kanaleve, si dhe investime në sisteme moderne monitorimi dhe parandalimi të përmbytjeve. Vetëm një strategji e koordinuar dhe afatgjatë mund të shmangë përsëritjen e situatave si ajo e Shamollit, ku banorët vijojnë të jetojnë çdo dimër me frikën e përmbytjeve.
Pretendimi: Kjo video tregon presidentin amerikan Donald Trump duke shpërfillur presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin G7 në Francë
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon shpërfilljen që presidenti amerikan Donald Trump i bëri presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin G7, që u mbajt në Francë më 15-17 qershor 2026.
Video zgjat vetëm disa sekonda dhe tregon Trump duke shtrënguar duart me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe të tjerët të pranishëm, ndërsa Zelensky mbetet në sfond, jashtë grupit.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon e plotë të publikuar nga transmetuesi publik amerikan C-SPAN.
Në pjesën e parë të videos, Trump, presidenti francez Emmanuel Macron dhe Zelensky hyjnë së bashku në dhomë. Presidenti amerikan hyn i pari, i ndjekur nga lideri francez, ndërsa Zelensky nuk e ka kaluar ende pragun sepse ndalon te dera për të përshëndetur Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio.
Në pjesën e dytë të videos duket klipi i mësipërm, ku Trump është tashmë në sallë duke përshëndetur von der Leyen dhe udhëheqësit e tjerë, ndërsa Macron tregon se ku ndodhen ata.
Në fakt, Trump nuk përshëndet as Macron. Kjo sepse ata ishin takuar para se të hynin në sallë. Zelensky ishte tashmë i pranishëm me udhëheqësin francez, pasi kishin mbërritur së bashku.
Po atë ditë, më 16 qershor, Trump, Macron dhe Zelensky zhvilluan një takim në periferi të samitit, i cili zgjati rreth tridhjetë minuta.
Kështu, klipi i mësipërm është shkëputur nga video e plotë nga samiti dhe është prerë për të fshehur faktin se Trump dhe Zelensky kishin mbërritur me Macron në takim dhe udhëheqësi ukrainas kishte qëndruar pas për të përshëndetur Rubion. Kjo ishte arsyeja pse Trump nuk e përshëndet në klip.
Pretendimi: Tronditet Turqia nga vrasja e Erdoganit
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Në fund-qershor 2026, në rrjetetsociale shqipfolëse po qarkullojnënjë numërpostimesh me titullin: “Tronditet Turqia, vritet Erdogan”. Postimet shoqërohen me çfarë duken si pamje nga kamera sigurie dhe një foto e disa agjentëve të forcave speciale të veshur me kamuflazh, dhe ftojnë lexuesin të klikojë në lidhjen në komente për të mësuar më shumë detaje.
Megjthëse postimet e mësipërme japin përshtypjen se Turqia është tronditur nga vrasja e presidentit të saj prej 12-vitesh, Rexhep Tayip Erdogan, lexuesi që klikon lidhjen e referuar në komente për të mësuar më shumë do të zhgënjehet kur të shohë se artikulli nuk flet për presidentin Erdogan, por një burrë nga Stambolli të quajtur Emir Erdogan, i cili pretendohet se është vrarë.
Dukshëm, titujt e mësipërm kanë për qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve nga lexuesit kureshtarë që duan të mësojnë më shumë për fatin e presidentit të një shteti.
Ndërkaq, as historia që tregon artikulli, i cili nuk referon asnjë burim, nuk është e vërtetë.
Nga një kërkim me emra dhe fjalë kyçe nuk rezulton asnjë Emir Erdogan të jetë vrarë në Stamboll, as ndonjë “komisar Arda Yilmaz.”
Pamjet që shoqërojnë postimin janë marrë nga ngjarje që nuk kanë lidhje me historinë e trilluar. Pamjet nga kamerat e sigurisë janë nga një vrasje në vitin 2025, ndërsa pamjet e forcave speciale tregojnë një operacion të policisë turke në 2023, kur u kap koka e një karteli droge, Dritan Rexhepi.
Shkodra vijon të përballet me fluks të lartë mbetjesh, duke rënduar buxhetin dhe shërbimin e pastrimit. Bashkia po teston modelin e ekonomisë qarkulluese që synon ngritjen e një qendre ripërdorimi të mobiljeve dhe elektroshtëpiakeve. Nëse funksionon, Shkodra mund të kthehet në shembull kombëtar për reduktimin e mbetjeve dhe uljen e kostove të menaxhimit.
Menaxhimi i mbetjeve urbane mbetet një nga sfidat kryesore të qeverisjes vendore në Shqipëri dhe Shkodra nuk bën përjashtim. Ky shërbim përfaqëson një nga kostot më të larta për Bashkinë Shkodër dhe njëkohësisht një nga treguesit më të rëndësishëm të administrimit vendor dhe menaxhimit të fondeve publike.
Këto janë pamje të zakonshme nga pika të ndryshme të grumbullimit të mbetjeve në Shkodër, nga periferia deri në qendër të qytetit. Pranë kontenierëve shihen mbetje të gjelbra, kartonë, materiale inerte dhe orendi shtëpiake të hedhura jashtë vendeve të përcaktuara.
Situata krijon vështirësi për shërbimin e pastrimit në Bashkinë Shkodër, duke shtuar kostot dhe ndërhyrjet e paparashikuara në terren.
“Aktualisht shërbimi i pastrimit në qytetin e Shkodrës kryhet në dy frekuenca ditore. Deri në orën 10:00 pastrohen të gjithë kontenierët, ndërsa frekuenca e dytë nis nga ora 18:00 deri në orët e vona të mbrëmjes. Për zonat më problematike kemi shtuar edhe ndërhyrje ekstra, me qëllim mbajtjen pastër të qytetit”, shprehet Altin Shabaj, përgjegjës për pastrimin në Ndërmarrjen e Shërbimit dhe Punëve Publike të Bashkisë Shkodër.
Sipas tij, hedhja e mbetjeve jashtë kontenierëve, ambalazhet, mbetjet e gjelbra, degët apo pemët e prera, mbetjet bujqësore dhe orenditë e vjetra shtëpiake krijojnë një problem serioz për shërbimin.
“Ndërhyjmë thuajse çdo ditë në situata të tilla dhe kjo përkthehet jo vetëm në kosto financiare, por edhe në angazhim shtesë të burimeve njerëzore”, shton Shabaj.
Problematika konfirmohet edhe nga qytetarët.
“Nuk vjen njeri t’i pastrojë deri pasdite. Gjysmën e asfaltit e kanë zënë mbeturinat dhe shkurret. Pastrimi këtu bëhet dy herë në ditë, por pak është edhe faji ynë”, thotë një banor i zonës.
Një tjetër qytetar shprehet se situata mbetet shqetësuese sidomos për familjet që jetojnë pranë pikave problematike të grumbullimit.
“Fëmijët luajnë aty pranë dhe prekin mbeturinat. Janë vendosur disa herë gjoba nga bashkia, por ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim. Duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë”, shprehet ai.
Kosto në rritje dhe mungesë trajtimi të diferencuar
Të dhënat e raportit të performancës 2025 të Bashkisë Shkodër tregojnë se menaxhimi i mbetjeve urbane mbetet një nga shërbimet me ndikimin më të madh financiar dhe operacional.
Sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër, depozitohen mesatarisht 90 – 98 ton mbetje në ditë gjatë periudhës normale të vitit. Kjo sasi përfshin jo vetëm mbetjet urbane të grumbulluara nga kontenierët, por edhe mbetjet inerte, mbetjet e gjelbra dhe ndërhyrjet në pika problematike të identifikuara në territor.
Në sezonin veror, sasia e mbetjeve rritet ndjeshëm, duke arritur në 150–160 ton në ditë. Rritja sezonale prej afro 60 për qind lidhet me fluksin turistik, shtimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e konsumit gjatë muajve të verës.
Bazuar në Censusin 2023, Bashkia Shkodër ka 102,434 banorë. Në raport me volumin e mbetjeve të depozituara dhe fluksin sezonal, niveli i gjenerimit të mbetjeve konsiderohet i lartë, duke reflektuar presionin që ushtron territori urban dhe aktiviteti turistik mbi sistemin vendor të pastrimit.
Nga ana financiare, të ardhurat nga tarifa e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve për vitin 2024 rezultojnë rreth 180 milionë lekë, ndërsa shpenzimet totale për këtë shërbim arrijnë në mbi 208 milionë lekë. Pavarësisht performancës së mirë në mbledhjen e tarifave, diferenca mes kostove dhe të ardhurave tregon se shërbimi vazhdon të subvencionohet nga buxheti qendror.
Në këtë kontekst, reduktimi i sasisë së mbetjeve që depozitohen në landfill merr rëndësi jo vetëm mjedisore, por edhe financiare. Sa më e madhe sasia e mbetjeve që grumbullohet, transportohet dhe depozitohet, aq më të larta janë kostot për bashkinë. Pikërisht në këtë pikë synojnë të ndërhyjnë modelet e ekonomisë qarkulluese, të cilat fokusohen në ripërdorimin, riciklimin dhe reduktimin e mbetjeve që përfundojnë në landfill.
Raporti i performancës evidenton gjithashtu se mbulimi i popullsisë me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve arrin në rreth 73 përqind të popullsisë totale të bashkisë ku një pjesë e zonave të thella malore nuk përfshihet për shkak të mungesës së infrakturës rrugore, ndërsa frekuenca e grumbullimit në zonat urbane dhe turistike arrin deri në 7.7 herë në javë. Në zonat rurale, frekuenca mesatare prej 2.5 herë në javë konsiderohet e mjaftueshme.
Megjithatë, një nga problematikat kryesore mbetet mungesa e trajtimit të diferencuar të mbetjeve, veçanërisht për mbetjet e gjelbra dhe ato voluminoze. Në shumë raste, degë pemësh, mbetje bujqësore apo orendi të vjetra depozitohen pranë kontenierëve urbanë dhe trajtohen si mbetje të zakonshme, duke rritur kostot operative dhe volumin e mbetjeve që përfundojnë në landfill.
Mbetjet si burim dhe jo vetëm si problem
Sipas ekspertit Imeldi Sokoli, Shkodra ka krijuar një eksperiencë të gjatë në menaxhimin e mbetjeve urbane, por sfida mbetet ndryshimi i mënyrës se si shihen mbetjet. “Mbetjet nuk janë thjesht një produkt pa vlerë, por një aset që mund të gjenerojë përfitime ekonomike dhe mjedisore”, thotë ai.
Sipas Sokolit, një nga elementët më të rëndësishëm të menaxhimit modern të mbetjeve është reduktimi i sasisë që përfundon në landfill përmes ndarjes në burim, riciklimit dhe kompostimit. Kjo jo vetëm ul kostot e transportit dhe depozitimit, por krijon edhe mundësi për të ardhura nga materialet e riciklueshme dhe përdorimin e plehut organik në bujqësi e hapësirat e gjelbra.
Eksperti thekson gjithashtu se menaxhimi i mbetjeve duhet të mbetet një shërbim publik në funksion të qytetarëve. Sipas tij, bashkitë duhet të forcojnë gradualisht kapacitetet për ta administruar vetë këtë shërbim, pasi përvoja ka treguar se delegimi i plotë tek operatorët privatë nuk ka dhënë gjithmonë rezultatet e pritshme. “Fuqizimi i rolit të bashkive mund të sjellë një shërbim më efikas, më ekonomik dhe më pranë nevojave të komunitetit”, përfundon Sokoli.
Modeli i ripërdorimit dhe ekonomia qarkulluese
Bashkia Shkodër është bërë pjesë e një projekti që synon të testojë ekonominë qarkulluese. Më konkretisht, falë projektit REUSEFUL, i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit IPA Adriatic-Ionian, Bashkia parashikon ngritjen e një qendre ripërdorimi në Shkodër, me fokus grumbullimin, riparimin dhe rikthimin në përdorim të sendeve që ende kanë vlerë funksionale, si mobilie, pajisje elektro-shtëpiake, biçikleta, libra apo veshje.
“Projekti konsiston në ngritjen e një qendre për grumbullimin dhe magazinimin e mbetjeve që nuk duhet të përfundojnë në landfill, por që mund të ripërdoren dhe të rikthehen në shërbim të qytetarëve apo komuniteteve në nevojë, përmes riparimit dhe rivënies së tyre në përdorim”, shprehet Bekim Mema, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë Shkodër.
Qendra e ripërdorimit që parashikohet të ngrihet në Shkodër do të ketë një sipërfaqe prej rreth 750 metra katrorë dhe do të funksionojë si një hapësirë grumbullimi dhe shpërndarjeje për sende të përdorura në gjendje të mirë.
Sipas dokumentacionit të projektit, objektivi është që përmes ngritjes së kësaj qendre të reduktohet deri në 30 për qind sasia e mbetjeve që aktualisht përfundojnë në landfill. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e mobilieve, pajisjeve elektro-shtëpiake, librave, lodrave, biçikletave dhe artikujve të tjerë që sot trajtohen si mbetje mund të riparohen, ripërdoren ose t’u shpërndahen familjeve dhe komuniteteve në nevojë.
Megjithatë, ky mbetet një objektiv i projektit dhe jo një rezultat i arritur, ndaj ndikimi i tij real do të duhet të vlerësohet përmes të dhënave konkrete që do të prodhohen pas vënies në funksion të qendrës. Projekti do te nis zbatimin këtë vit për t’u përmbyllur në vitin 2028.
Një model për të gjithë vendin
Ndërsa Bashkia Shkodër po teston modele të reja të ekonomisë qarkulluese përmes projektit REUSEFUL, sfidat mbeten të lidhura me rritjen e kostove, zgjerimin e mbulimit të shërbimit dhe reduktimin e sasive që përfundojnë në landfill.
Sipas ekspertit Imeldi Sokoli ky projekt është një hap pozitiv drejt ndërtimit të një sistemi të menaxhimi të mbetjeve: “Një nga hapat e parë është krijimi i pikave stacionare për grumbullimin dhe ndarjen e mbetjeve. Më pas duhet të vazhdohet gradualisht, zonë pas zone, me sisteme më të avancuara të grumbullimit dhe riciklimit, përfshirë edhe mbledhjen derë më derë. Kjo është një teknikë që përdoret kryesisht në zona me densitet më të ulët, por që krijon mundësi më të mëdha për ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve. Njëkohësisht është e rëndësishme që bashkia të forcojë rolin e saj në ofrimin e drejtpërdrejtë të shërbimit publik, duke krijuar më shumë fleksibilitet dhe mundësi për përmirësimin e vazhdueshëm të menaxhimit të mbetjeve në zonat urbane”, shprehet Sokoli.
Për momentin, REUSEFUL mbetet një nismë që synon të testojë në Shkodër një model të ri të menaxhimit të mbetjeve, të bazuar te ripërdorimi dhe ekonomia qarkulluese. Nëse objektivi për reduktimin deri në 30 përqind të mbetjeve që depozitohen në landfill do të realizohet, kjo mund të sjellë jo vetëm përfitime mjedisore, por edhe ulje të kostove të menaxhimit për bashkine si dhe një model që mund të përsëritet edhe në bashki të tjera të vendit.
Megjithatë, ndikimi real i projektit do të mund të vlerësohet vetëm pas vënies në funksion të qendrës së ripërdorimit dhe publikimit të të dhënave mbi rezultatet e saj. Deri atëherë, sfida për Shkodrën mbetet kalimi gradual nga modeli tradicional i depozitimit drejt një sistemi më të qëndrueshëm, ku mbetjet shihen jo vetëm si problem, por edhe si burim me vlerë ekonomike dhe sociale.
Sipas ekspertëve, suksesi i çdo modeli të ri të menaxhimit të mbetjeve nuk varet vetëm nga infrastruktura apo investimet publike, por edhe nga përfshirja e qytetarëve. Ndarja e mbetjeve në burim, respektimi i pikave të grumbullimit dhe ndërgjegjësimi për ripërdorimin e materialeve konsiderohen elementë kyç për funksionimin e ekonomisë qarkulluese. Pa pjesëmarrjen aktive të komunitetit, edhe projektet më të avancuara të menaxhimit të mbetjeve rrezikojnë të mos japin rezultatet e pritshme.