Normal view

Si po përballet gjenerata e artë me dezinformimin?

13 June 2026 at 13:00

Si përballen të moshuarit me dezinformimin?

Rrëfimet e tyre zbulojnë përmasat e rrezikut, nga mashtrimet shëndetësore
tek ofertat mashtruese në internet

Esmeralda Topi

Nga bisedat e mëngjesit në kafene, tek ekranet e telefonave celularë që shoqërojnë pasditet e gjata në shtëpi, informacioni është bërë pjesë e pandashme e jetës së të moshuarve shqiptarë. Por bashkë me lajmet, këshillat dhe komunikimin me familjarët, në ekranet e tyre kanë hyrë edhe mashtrimet.

Mashtrimet janë kthyer në modë

Fjalia e tij përmbledh gjetjet e studimit “Të moshuarit në epokën digjitale”, realizuar nga Faktoje me 207 të moshuar në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë. Sipas studimit, 57% e tyre janë shumë të shqetësuar për përhapjen e mashtrimeve online, ndërsa gjysma e konsiderojnë veten të ndjeshëm ndaj lajmeve të rreme.

"Mashtrimet janë kthyer në modë", thotë hidrologu në pension Xhafer Dautaj

 

“Mashtrimet janë kthyer në modë”, thotë hidrologu në pension Xhafer Dautaj, ndërsa ndjek me shqetësim ndryshimet që ka sjellë epoka digjitale.

Në një qendër ditore për të moshuarit në Tiranë, mes bisedave për pensionet, shëndetin dhe fëmijët emigrantë, Lize Ndreu kujton një histori që i kushtoi jo vetëm para, por edhe zhgënjim.

‘Po bleve këto ilaçe këmbët e tua bëhen si balerinë’

 

“Më doli në internet një fotografi e një balerine dhe thoshte që po bleve këto ilaçet këmbët e tua do bëhen si balerinë. Unë kam 20 vite që vuaj nga këmbët dhe i bleva”, tregon ajo.

Lize jeton me pension. Megjithatë porositi dy kuti ilaçesh me shpreswn për t’u ndjerë më mirë.
“Mora dy kuti, ndonëse jam pensioniste dhe mezi i nxjerr ato dy lekë.”
Ndonëse rezultati nuk erdhi kurrë, reklama iu shfaq sërish, me një emër tjetër produkti. Këtë herë ajo ruajti kutinë e parë.

“Kur erdhi korrieri e hapa dhe i krahasova. Ishin njësoj. Ia ktheva dhe i thashë: thuaji asaj zonjës mos të na gënjejë më.”

"Më doli në internet një fotografi e një balerine dhe thoshte që po bleve këto ilaçet këmbët e tua do bëhen si balerinë. Unë kam 20 vite që vuaj nga këmbët dhe i bleva"

 

Historia e saj pasqyron një nga format më të përhapura të dezinformimit që identifikon edhe studimi, mashtrimet që lidhen me shëndetin. Për 71.6% të të anketuarve, shëndeti është ndër temat më të prekura nga informacioni i rremë.

 

Historia e saj pasqyron një nga format më të përhapura të dezinformimit që identifikon edhe studimi, mashtrimet që lidhen me shëndetin. Për 71.6% të të anketuarve, shëndeti është ndër temat më të prekura nga informacioni i rremë.

‘Do të dërgoj 7 kilogramë lekë’

 

Në një tjetër qendër të moshuarish në kryeqytet, 68-vjeçarja Lindita Xhaferi na rrëfen një histori krejt tjetër. Tre vite më parë, në Facebook, pranoi një kërkesë miqësie nga një burrë që prezantohej si gjeneral në Kabul.

"Më doli në internet një fotografi e një balerine dhe thoshte që po bleve këto ilaçet këmbët e tua do bëhen si balerinë. Unë kam 20 vite që vuaj nga këmbët dhe i bleva"

 

“Ai ishte gjeneral në Kabul. Ne kemi shumë lekë, tha. E besova për Zotin, e besova.” Pak ditë më vonë erdhi telefonata. “Për të marrë kutinë duhet të paguash 5 milionë lekë.” Këtu nisi të shembej mashtrimi. “Ore çun, unë s’kam lekë të ha bukë, jo të paguaj 5 milionë lekë.” Rasti i Linditës është shembulli klasik i mashtrimeve romantike që po qarkullojnë në rrjetet sociale. Sipas studimit, WhatsApp dhe Facebook janë ndër platformat më të përdorura nga të moshuarit shqiptarë. Rreth 42% e tyre përdorin rrjetet sociale, duke hyrë në një hapësirë ku informacioni, emocionet dhe mashtrimet shpesh ndërthuren. Por Lindita nuk u përball vetëm me një mashtrim. “Më erdhi një mesazh. Shtype këtu, tha. Keni fituar një laptop.” Këtë herë reagimi ishte ndryshe. “Nuk e besova.” Përvoja e mëparshme e kishte bërë më të kujdesshme. Studimi tregon se megjithëse 25.7% e të moshuarve priren ta besojnë menjëherë një lajm pa e verifikuar, shumë prej tyre zhvillojnë mekanizma mbrojtës pas përballjeve me mashtrime konkrete. Në një stol të qëndrës komunitare në Tiranë, Klement Furxhiu, 73 vjeç, mekanik në pension, rrëshqet me gisht mbi ekranin e telefonit.

"Përdor YouTube. Shoh lajme. Edhe Big Brother, Ferma VIP."

 

Për të, interneti është dritare informacioni dhe argëtimi. Një realitet që pasqyron transformimin e gjeneratës së tretë në Shqipëri. Edhe pse televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit me 96.6% përdorim dhe 83.1% besueshmëri, platformat digjitale po zënë gjithnjë e më shumë vend në përditshmërinë e tyre. Kalimi nga ekrani i televizorit te ai i telefonit po ndodh gradualisht, por jo gjithmonë i shoqëruar me aftësitë e nevojshme për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi më i madh.

 

Mbi një e treta e të moshuarve të përfshirë në studim deklarojnë se lajmet e rreme kanë ndikuar në vendime të rëndësishme që lidhen me shëndetin, financat ose votimin. Ndërkohë vetëm 6.3% thonë se e verifikojnë gjithmonë informacionin para se ta ndajnë me të tjerët. Megjithatë, mes historive të mashtrimit dhe pasigurisë, të moshuarit duan të mësojnë. Më shumë se gjysma e tyre shprehin interes për të kuptuar se si funksionojnë lajmet e rreme dhe si mund t’i identifikojnë ato. Ata preferojnë aktivitete komunitare, programe televizive dhe takime me specialistë. Ndoshta sepse, siç tregojnë rrëfimet e Zhuljetës dhe Linditës, askush nuk është imun ndaj mashtrimit. Por të gjithë mund të bëhen më të përgatitur për ta njohur atë.

The post Si po përballet gjenerata e artë me dezinformimin? appeared first on Faktoje.al.

Artur Shehu dhe zinxhiri i pronave në Zvërnec

12 June 2026 at 17:36

Nga Marjo Brakaj 

Të premten, SPAK shpalli 20 masa sigurie në kuadër të një operacioni kundër një grupi kriminal që merrej me trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Artur Shehu, i njohur gjithashtu si poseduesi kryesor i tokave në Zvërnec, ku është dhënë leja e zhvillimit për ndërtimin e një resorti turistik nga një kompani e lidhur me Jared Kushner.

Paralelisht, SPAK ka hapur një tjetër hetim që lidhet drejtpërdrejt me pronat e Shehut në Zvërnec. Ky hetim fokusohet tek mënyra se si janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke, duke kaluar nga trashëgimtarët tek vetë Artur Shehu, e më pas në transaksione të tjera me shoqëri si Albania Land Development dhe South Adriatic Development.

Përgatitja e terrenit 

Më 13 tetor 2021, rreth një muaj nga vizita e çiftit Kushner-Trump në Shqipëri, shoqëritë “Smart Construction Invest” me administrator biznesmenin Redi Struga dhe “Peninsula Development” me administrator shtetasin Idlir Lopçi themelojnë kompaninë “South Adriatic Development” me kapital 400 milionë lekë. 

Secili nga ortakët zotëronte fillimisht 50 për qind të kapitalit. 

Transaksione për 5 mijë lekë

Më tej, një lëvizje ndodh mes dy ortakëve. Lopçi i shtet Strugës 10% të aksioneve më 23 dhjetor 2021 për vetëm 5 mijë lekë.

Më datë 14.06.2022, me anë të kontratës së shitjes së kuotave të kapitalit shoqëria “PENINSULA DEVELOPMENT” shet edhe 40% të kuotave të zotëruara prej tij në favor të shoqërisë “Smart Construction Invest”, me çmimin e shitjes 2.000.000 (dy milion) Lekë. Pra, ortaku i vetëm kompanisë, South Adriatic Development, pas shitjes, u bë Redi Struga me 100% të aksioneve.  

Fushata e blerjeve në Zvërnec 

Kthehemi pak vite më vonë. Më 21 nëntor 2025, sërish Redi Struga, por tashmë në emër të kompanisë Albania Land Development, një kompani kjo e krijuar rishtazi prej tij duke përfshirë si aksionerë edhe dy biznesmenë nga Katari, Mohamadmoataz  dhe Ramez Al-Khayyat, nënshkruan një kontratë premtimi për sipërfaqen prej 1,028,641.67 m² në Zvërnec me një vlerë prej 5.5 milionë eurosh. 

Më konkretisht, në datë 21.11.2025, është nënshkruar kontrata e premtim shitjes me palë premtuese shitëse shtetasin Artur Shehu të përfaqësuar nga Leonard Bishaj dhe me palë premtuese blerëse, shoqërinë “Albania Land Development” sh.p.k, të përfaqësuar nga administratori, shtetasi Redi Struga. 

Pala premtuese shitëse premton të shesë, ndërsa pala premtuese blerëse premton të blejë, pjesën që i korrespondon sipërfaqes prej 1,028,641.67 m³, nga pasuria e paluajtshme me sipërfaqe totale prej 1,089,150 m³, e ndodhur në Zvërnec, Vlorë, regjistruar në Zyrën e Kadastrës. 

Çmimi i përcaktuar është në shumën 5,500,000 Euro. Si palë blerëse në kontratën e premtim-shitjes është Leonard Bishaj (përfaqësues i Artur Shehut).

Duhet sqaruar se kjo ishte një marrëveshje paraprake, jo transferim i plotë i pronësisë.  

Shitja përfundimtare ndodh më datë 24.04.2026. E njëjta sipërfaqe prej 1,028,641.67 m² por me vlerë shumë më të lartë 122,000,000 euro.

Ky ishte akt shitje i plotë, pra transferim i pronësisë me çmim shumë më të lartë se ai i parashikuar në premtim-shitjen. 

Mbetet e paqartë nëse 5.5 milion euro tek kontrata e premtimit ishte kesti i parë për të siguruar të drejtën e blerjes ose për të formalizuar interesin e palëve. 

Struga ndërkohë zotëron Smart Construction Invest, dhe South Adriatic Development.  Paralelisht në lojë është edhe kjo e fundit. Gjithnjë referuar të dhënave të vendimit të GJKKO-së, më 09.12.2025, lidhet një kontratë premtim-shitje ku South Adriatic Development i shet Albania Land Development një pasuri për 6.4 milion euro.

Më 21.04.2026, kjo marrëveshje formalizohet dhe  South Adriatic Development i shet Albania Land Development pasuri me vlerë 70.289.222 euro, ku kësti i parë prej 6.4 milion euro ishte paguar sipas kontratës së mëparshme.

Ndërkohë Artur Shehu ka lidhur kontrata të mëparshme edhe me South Adriatic Development. Gjithnjë referuar vendimit të GJKKO-së më 20.11.2021, South Adriatic Development blen nga Artur Shehu një pronë për 2.4 milion euro (313,584,000 lekë). Po në vendimin e GJKKO-së thuhet se, akti nuk është i ngarkuar në regjistrin noterial dhe në sistemin Nisa. 

Një vit më pas më 04.08.2022, lidhet kontratë sipërmarrjeje mes South Adriatic Development dhe Artur Shehut (me saktë përfaqësuesit të tij) për zhvillim të pronave në Akërni dhe Zvërnec. Në vendim specifikohet se disponohet vetëm faqja e parë e kontratës.

SPAK në veprim

Nga sa më sipër, Artur Shehu rezulton të jetë është hallka kryesore e pronësisë fillestare, mbi të cilën janë ndërtuar më pas transaksionet e shit-blerjes me shoqëri si Albania Land Development dhe South Adriatic Development, ku përfshihet Redi Struga. 

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar (GJKKO) një kopje të së cilës e disponon edhe Faktoje ne rruge jo zyrtare sa kohë të dhënat i përkasin një hetimi ose procedimi penal në fazën hetimore apo gjyqësore.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” . Thënë kjo, në vendim thuhet se, SPAK po zhvillon në mënyrë dinamike disa hetime lidhur me disa veprime dhe transaksione të kryera përgjatë fundit të vitit 2025 e në vitin 2026, ku sipas SPAK, janë konstatuar veprime në lidhje me tjetërsimin e disa pasurive të paluajtshme, sipërfaqe toke, të ndodhura në zonat Akërni/Zvërnec, Vlorë. 

“Në lidhje me këto pasuri ka konflikte të hershme dhe të vazhdueshme në kohë, ndërmjet disa personave, banorë të zonës, të cilët pretendojnë përfitimin të këtyre sipërfaqeve me anë AMTPve, ndërkohë që sipërfaqet e tokës rezultojnë të regjistruar në Agjensinë e Kadastrës, në emër fillimisht të trashëgimtarëve të shtetasit Artur Shehu, dhe më pas në emër të këtij të fundit (i cili rezulton ndër të tjerë t’i ketë blerë ato nga trashëgimtarët) dhe në emër të shtetasit Ferdinant Sulaj, trashëgimtar i shtetasit Seit Shehu. Një pjesë e këtyre pronave janë tjetërsuar tek shtetasi Pullumb Petritaj, i cili rezulton të ketë qenë përfaqësues i shtetasit Seit Shehu në proceset gjyqësore dhe administrative për regjistrimin e pasurive. Nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore rezultojnë se, konfliktet janë akoma në procese gjyqësore duke mos patur vendimmarrje të formës së prerë, ku edhe për pasurinë me nr. 262, zona kadastrale 1007 vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka shërbyer për regjistrimin e pasurive është prishur nga Gjykata e Lartë”, thuhet ndër të tjera në vendim. 

Kompania e lejes së zhvillimit

Vijmë tek kompania që ka marrë zyrtarisht lejen e zhvillimit në zonë, “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k në fillim të këtij viti. Në vendim thuhet se, shoqëria “Albania Land Development” sh.p.k. me administrator Redi Struga, në datën 25.03.2026 ka lidhur një kontratë sipërmarrje me “Zvernec South Adriatic Development”.   

Sipas të dhënave zyrtare, kompania ka adresën në katin e 12-të të kullës European Trade Center në Tiranë (Bulevardi Zhan Dark). Dokumentacioni publik tregon fillimisht vetëm një administrator shqiptar, Andi Jorgji, dhe një kapital fillestar prej 5 milionë lekësh. 

Me date 30.07.2025, me vendim te asamblese se ortakut, u largua administratori Andi Jorgji dhe u emerua administratore e shoqerise Isida Çela. 

Në gusht 2024 u themelua shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka kaluar nga një zinxhir kompanish guackë nën menaxhimin e trustit holandez “Dutch Trust Management B.V.” 

Rrjeta 

Rrjeta sa më sipër e transaksioneve është sot pjesë e hetimeve të SPAK, i cili ka regjistruar procedime për pastrim parash dhe veprimtari kriminale të strukturuar. Në këtë kuadër, shpallja në kërkim e Artur Shehut për një tjetër dosje hetimore e vendos atë në qendër të dy linjave paralele: nga njëra anë, dyshimi per posedim dhe tjetërsim te pronave strategjike në bregdetin e Vlorës dhe nga ana tjetër, dyshimet për përfshirje në aktivitete kriminale që SPAK po ndjek me masa sigurie dhe hetime të zgjeruara.

The post Artur Shehu dhe zinxhiri i pronave në Zvërnec appeared first on Faktoje.al.

Faktoje prezanton studimin “Të moshuarit në epokën digjitale”

12 June 2026 at 15:55

Në një mjedis ku dezinformimi është kudo, sfida nuk është vetëm të informohesh, por të dallosh informacionin e saktë nga ai i rremë. Studimi që prezantuam sot, “Të moshuarit në epokën digjitale”, zbulon se gjenerata e artë mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online, sidomos në fushat e shëndetit dhe politikës.

Nga Jona Cenameri

Faktoje prezantoi sot studimin “Të moshuarit në epokën digjitale”, i dedikuar ndikimit të dezinformimit tek gjenerata e artë në Shqipëri. Studimi analizon mënyrën se si të moshuarit informohen, cilave burime iu besojnë dhe sa të ekspozuar janë ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i gjeneratës së artë kundër dezinformimit”, i financuar nga Bashkimi Europian, dhe mblodhi përfaqësues të medias, shoqërisë civile, organizatave partnere, ekspertë dhe bashkëpunëtorë të Faktoje.

Studimi u realizua në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë, përmes intervistave ballë për ballë me 207 të moshuar. Gjetjet tregojnë se televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit për këtë grupmoshë: 96.6% e të anketuarve deklarojnë se e përdorin rregullisht, ndërsa 83.1% e konsiderojnë burimin më të besueshëm të lajmeve.

Aktiviteti u moderua nga gazetari Pandi Gjata, i cili theksoi se të moshuarit janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online në rrjete sociale. Duke iu referuar takimeve me të moshuarit në terren, Gjata tha se projekti e kishte prekur, sepse i kishte treguar nga afër realitetin e të moshuarve të pambrojtur përballë informacion të rremë online.

Në fjalën e saj, drejtoresha ekzekutive e qedndrës Faktoje, Klodiana Kapo, tha se projekti lindi nga nevoja për të kuptuar më mirë mënyrën se si të moshuarit përballen me informacionin në një kohë kur lajmet e rreme janë kthyer në sfidë të përditshme.

Ajo theksoi se Faktoje ka punuar drejtpërdrejt me të moshuarit, jo vetëm për t’i informuar, por edhe për të mësuar prej përvojave të tyre.

“Ne kemi mësuar shumë nga ajo që kemi dëgjuar gjatë këtij procesi. Përmes këtij studimi, të realizuar me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian, kemi komunikuar drejtpërdrejt me 207 të moshuar në katër qytete: Tiranë, Durrës, Korçë dhe Shkodër”, u shpreh Kapo.

Sipas saj, gjetjet tregojnë se dezinformimi nuk ndikon vetëm te mënyra se si njerëzit mendojnë, por edhe te vendimet që marrin për çështje të rëndësishme si shëndeti, financat apo votimi.

“Dezinformimi nuk prek vetëm një person, por ndikon në mënyrën se si qytetarët mendojnë dhe vendosin. Nëse luftojmë dezinformimin, do të kemi qytetarë më të informuar, institucione më të besueshme dhe një demokraci më të mirë”, theksoi Kapo.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se shumë të moshuar nuk kanë aftësitë e nevojshme digjitale për të lundruar të sigurt në internet dhe për të dalluar përmbajtjet e besueshme nga ato të rreme.

“Kjo i bën ata veçanërisht të cenueshëm ndaj teorive konspirative dhe informacionit të rremë apo çorientues”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria nuk është imune ndaj dezinformimit, qoftë ai i brendshëm apo i ndikuar nga aktorë të jashtëm.

Sipas tij, projekte si ky tregojnë “fytyrën njerëzore të Bashkimit Europian”, sepse bazohen te afërsia me qytetarët dhe dëgjimi i shqetësimeve të tyre.

“Nuk mjafton të bësh disa video dhe t’i postosh. Ato nuk do t’i arrinin këta njerëz. Prandaj e vlerësova faktin që ju kërkuat kontakt të drejtpërdrejtë me ta, jo thjesht për t’i edukuar, por edhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’iu përgjigjur atyre”, u shpreh ambasadori i BE-së.

Studimi tregon se, ndërsa televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit, platformat digjitale janë bërë gjithnjë e më të pranishme në jetën e përditshme të të moshuarve. WhatsApp, Facebook dhe YouTube rezultojnë ndër rrjetet më të përdorura, duke rritur aksesin në informacion, por edhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të pakontrolluara.

Mbi 87% e të anketuarve shprehen të shqetësuar për përhapjen e lajmeve të rreme, ndërsa politika dhe shëndeti perceptohen si fushat më të prekura nga keqinformimi. Të dhënat tregojnë gjithashtu se praktikat e verifikimit mbeten të kufizuara: 25.7% e të anketuarve e besojnë menjëherë një lajm pa verifikim, ndërsa vetëm 6.3% deklarojnë se e kontrollojnë gjithmonë informacionin përpara se ta shpërndajnë.

Në diskutimin e hapur, ekspertë të shëndetit, përfaqësues institucionesh dhe organizatash të shoqërisë civile ndanë komente mbi gjetjet e studimit dhe mënyrat se si mund të forcohet edukimi mediatik tek moshat e treta.

Doktor Ilir Alimehmeti u ndal te rreziku që lajmet e rreme paraqesin në fushën e shëndetit. Ai theksoi se parimi i parë në mjekësi është “mos bëj dëm” dhe solli shembuj të rasteve kur fytyrat e mjekëve apo ekspertëve janë përdorur në përmbajtje të rreme për të promovuar produkte, kura apo këshilla të pavërteta.

“Shumë lajme fake me fytyrat tona jemi përpjekur t’i përgënjeshtrojmë. Ndonjëherë njerëzve u kërkohet të lënë ilaçet, gjë që mund të shkaktojë pasoja shumë të rënda, deri në vdekje”, tha Alimehmeti.

Ai e përmblodhi shpejtësinë me të cilën përhapet dezinformimi me shprehjen: “Ndërkohë që e vërteta po lidh këpucët, gënjeshtra ka marrë dhenë.”

Gjatë diskutimit, Elsona Agolli nga UNFPA theksoi rëndësinë e edukimit të vazhduar për të moshuarit, jo vetëm për t’i ndihmuar të dallojnë informacionin e rremë, por edhe si hapësirë për socializim, informim dhe përfshirje në jetën komunitare.

Komente dhe mesazhe u ndanë edhe nga përfaqësues të organizatave të tjera, bashkëpunëtorë të Faktoje dhe aktorë të angazhuar në fushën e edukimit mediatik, shëndetit, etj. 

Aktiviteti solli në vëmendje nevojën për më shumë dëgjim, komunikim të drejtpërdrejtë, burime të besueshme dhe programe të vazhdueshme që i ndihmojnë të moshuarit të informohen më mirë dhe të ndihen më të mbrojtur përballë dezinformimit.

The post Faktoje prezanton studimin “Të moshuarit në epokën digjitale” appeared first on Faktoje.al.

Përplasja e narrativave Shqipëri–Iran mbi Zvërnecin

10 June 2026 at 17:42

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama e përcjellë për mediat e huaja pak ditë më parë se Irani qëndron pas fushatave dezinformuese lidhur me protestat në Tiranë ka sjellë një reagim zinxhir mes dy vendesh me protagonist kryeministrin Edi Rama dhe zëdhënësin e ministrit të Jashtëm të Iranit, Esmail Baghaei.

Një përplasje që tregon se si protestat me kauzë mjedisore dhe cështje thelbësisht të brendshme (sot dita e 11-të) po shndërrohen në një arenë të gjerë konfrontimesh politike dhe gjeopolitike, ku narrativat e Tiranës dhe Teheranit po përplasen publikisht. A duhet të themi që kjo përplasje po merr edhe vëmendje ndërkombëtare për shkak të Presidentit amerikan Donald Trump dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ndërkohë që protesta në vetvete është një çështje e brendshme?

Rama

Pak para punimeve të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, javës që kaloi, kryeministri Rama foli për luftë hibride nga Irani

“Të gjithë ata që njohin historinë tonë i njohin ata iranianet të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kunder nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxjerrim nga vendi, janë pjesë e saj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet, por është një marrëveshje mes meje dhe Bibi Netanjahut të gatuar nga Jared Kushner për të sjellë palestinezët nga Gaza në Shqipëri”, tha Rama

Irani   

Zëdhënësi i ministrisë së së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, në një dalje publike të hënën, reagoi me tone ironike, duke përfshirë në deklaratën e tij edhe flamingot, simbolin e zgjedhur nga protestuesit në Tiranë

Ai akuzoi Tiranën se po përdor retorikë anti-iraniane për të forcuar lidhjet me Izraelin.

“Ndoshta do të thonë se flamingot ishin agjentë të sigurisë iraniane. Ky pretendim është një model i zakonshëm, ku çdo qeveri që dëshiron të afrohet me regjimin sionist ngre akuza kundër Iranit për t’i bërë qejfin atij”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tij

Në një reagim të dytë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme (pa ndonjë dallim nga i pari) i përcjell një mesazh në shqip kryeministrit: “Rama ik”, ngjashëm me retorikën e protestuesve në Sheshin “Skënderbej”.

Reagimi

Ky veprim u interpretua nga Rama si një bashkim zyrtar i qeverisë iraniane me protestën.

”… Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës së bulevardit, madje edhe me parrullat në shqip, njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!”, reagon ndër radhë Rama ne Facebook

Kryeministri shkruan se, “Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh” nga ku, sipas tij vendi rrezikon  në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj.

Marrëdhëniet

Kjo përplasjë nuk është e izoluar, por lidhet me një histori më të gjatë tensioni që daton nga qeveria “Berisha”.

Që prej vitit 2013, kur Shqipëria pranoi të strehojë organizatën opozitare iraniane MEK, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara.

Sulmet kibernetike të vitit 2022, të atribuuara Iranit, shënuan kulmin e konfliktit dhe çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Që atëherë, Shqipëria është përballur me dhjetëra sulme të tjera, duke nxjerrë në pah dobësitë e saj në sigurinë kibernetike, së fundmi edhe sulmi kibernetik ndaj Kuvendit.

The post Përplasja e narrativave Shqipëri–Iran mbi Zvërnecin appeared first on Faktoje.al.

Kokërr flamigoje? Në 2013, kur Rama mori pushtetin, kishte 1322 flamingo

10 June 2026 at 11:32

Një deklaratë e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, se deri para se PS-ja të vinte në pushtet nuk kishte “kokërr flamingo” nuk u mor seriozisht nga ambientalistët edhe pse ishte drejtuar pikërisht atyre.

“…Ambientalistët që kjo laguna që ne flasim sot dhe jemi duke kërkuar që mos të vrasë qeveria këto flamingot dhe pelikanët, kokërr flamingo s’kishte në atë kohë. Janë dashur 12 vite nisma që ne të arrijmë në atë diversitet që është sot”, tha ministrja Ismaili.

Por mbështetja e kësaj narrative nga vetë kryeministri Edi Rama në një takim me gazetarët e huaj, nxiti Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë, drejtuar nga profesor doktor Taulant Bino, të publikonte të dhëna të hollësishme mbi evolucionin e popullatës dimëruese të flamingove dhe numrin e shpendëve në Vjosë-Nartë, si para qeverisë “Berisha” ashtu edhe pas saj, të dhëna që ornitologu Taulant Bino i vuri në dispozicion edhe për Faktoje.

Rama

“Le të flasim për mjedisin. Flamingot. A e dini se kur nisën të ktheheshin flamingot në Shqipëri? Sepse nuk ishin. Kur unë erdha në qeveri, kur ne e morëm qeverinë, nuk kishte atje flamingo.

Pse? Sepse Shqipëria ishte vendi i nxehtë i gjuetisë së paligjshme.

Ne humbëm shumë prej jetës sonë të egër për shkak të gjuetisë së paligjshme dhe ndërkohë flamingot bashkë me pelikanët e të tjerë nisën të ktheheshin pak vite pasi vendosëm moratorium në Shqipëri duke e shpallur gjuetinë të paligjshme për 10 vjet”, tha Rama

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)

“Qeveria Rama gjeti në Vjosë-Nartë rreth 20000 shpendë prej të cilëve 1322 ishin Flamingo. Në vitet 2014-2026, numri i shpendëve në Nartë është më i ulët se në 2013.

Flamingot kanë pësuar ndërkaq luhatje. Ata shënuan rënie në vitet 2015-2019, për tu rritur pas vitit 2020.

Shpendët në Vjosë-Nartë nuk i solli kjo qeveri dhe asnjë prej qeverive të mëparshme ndonëse është detyrim i qeverive të hartojnë politika dhe të marrin masa për të ruajtur shpendët dhe habitatet e tyre. Ky detyrim është akoma më i fortë për zonat e mbrojtura të Shqipërisë sikurse Pishë-Poro-Nartë, Divjakë-Karavasta, Butrint, Kune-Vain, etj”, thuhet në deklaratën e Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë.  

Tabela e përgatitur nga ornitologu Taulant Bino

Shpendët

Grafiku si më sipër, sipas eskpertit dhe pedagogut të mjedisit Dr. Taulant Bino paraqet evolucionin e numrit total të shpendëve të ujit të regjistruar gjatë Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit (IWC) në kompleksin Vjosë–Nartë gjatë periudhës 1993–2026.

Kulmi historik u regjistrua në vitin 1997 me 81,223 shpendë, ndërsa një vlerë pothuajse e ngjashme u regjistrua edhe në vitin 2001 me 79,321. Pra, në vitet 2014-2026, numri i shpendëve në Nartë është më i ulët se në 2013.

Flamingot

Për Flamingot dimërues në kompleksin Vjosë–Nartë gjatë periudhës 1993–2026 situata, sipas AOS, është më ndryshe me rritjen më lartë të numrit të flamingove në vitin 2025

Tabela e përgatitur nga ornitologu Taulant Bino

“Gjatë periudhës 1993–2009, Flamingo ishte një specie relativisht e rrallë në zonë. Një rritje e ndjeshme u regjistrua në vitin 2011, kur u numëruan 857 individë, ndërsa në janar 2013 popullata arriti në 1322 individë. Kjo periudhë shënon fillimin e përdorimit më të rregullt të kompleksit Vjosë–Nartë nga Flamingot dimërues. Periudha e mëvonshme, 2014–2026 karakterizohet nga luhatje të konsiderueshme të numrit të individëve. Pas vlerës së lartë të regjistruar në vitin 2014 (1475 individë), popullata pësoi një rënie gjatë viteve 2015–2019, me numra që varionin nga 511 deri në 1042 individë. Pas vitit 2020 evidentohet një rritje e numrit të Flamingove me 3796 individë të regjistruar në vitin 2025”, thuhet në deklaratën e Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë.

The post Kokërr flamigoje? Në 2013, kur Rama mori pushtetin, kishte 1322 flamingo appeared first on Faktoje.al.

Këto ndërtesa pranë Zvërnecit asnjë lidhje me hebrejtë

9 June 2026 at 17:11

Pretendimi: Ndërtesa kulti hebreje janë ndërtuar tashmë në Vlorë, në afërsi të Zvërnecit.

Verdikti: Mungon konteksti

Në fund të majit 2026, ndërsa qytetarë dhe ambjentalistë protestonin kundër një projekti të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Trump, dhe planifikuar për t’u ndërtuar në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, në rrjete sociale nisi të qarkullonte pretendimi se pranë Zvërnecit ishin ndërtuar godina “të ngjashme me Kullën e Babelit”. Përtej formës së ndërtesave, pretendohet se brenda tyre ka “vende kulti për hebrejtë që vizitohen shpesh nga Aleks Soros”. Ndërsa një nga narrativat që ka shoqëruar protestat është e lidhur me origjinën hebreje të investitorit Jared Kushner dhe shitjen e tokës për Izraelin, ky postim që nuk paraqet asnjë provë të bindshme për pretendimet e tij, ka marrë vëmendje të shtuar nga komentuesit. 

Megjithatë, godinat që shfaqen në fotot e mësipërme nuk janë ndërtuar së fundmi dhe nuk kanë lidhje me objekte kulti hebreje.

Ato janë godina rezidenciale dhe administrative të portit të Petroliferës Italo-Shqiptare (PIA) në Vlorë. Ndërtesa më e lartë, është fari sinjalizues i portit, ndërkohë që katër ndërtesat e tjera shërbejnë si rezidenca për administratën shqiptare të Petroliferes me familjet e tyre. Kjo është një traditë e kësaj kompanie italiane edhe në vende të tjera, ku administrata banon në port jo vetëm për çështje logjistike, por edhe për të dëshmuar standartet e larta të sigurisë në zonën operacionale të procesimit të karburanteve. 

I pyetur nga Faktoje, Edmond Bedini, drejtori i terminalit La Petrolifera Italo Albanese Sh.A. (PIA), konfirmoi që strukturat e paraqitura në foto janë pjesë integrale e terminalit. “Në këto ndërtesa jetojnë drejtori dhe zv.drejtori, të cilët për arsye operative dhe sigurie duhet të banojnë në një distancë të shkurtër nga terminali, si dhe përdoren si rezidenca nga kolegët tanë italianë kur ndodhen në Vlorë”, u shpreh z. Bedini.

Ai shtoi më tej se: “rezidencat u ndërtuan midis viteve 2007-2009, njëkohësisht me ndërtimin e terminalit, i cili ndodhet në tokë private. Ndër miratimet e ndryshme të marra për ndërtimin e terminalit të PIA, mund të veçoj atë nga Kuvendi i Shqipërisë, të votuar më 13 maj 2004”.

Pamje të këtyre godinave me formë të veçantë datojnë që nga viti 2009, dhe ato shfaqen në pamje satelitore të zonës nga viti 2011. Ato kanë shërbyer si vendndodhje shfaqjesh kulturore.

Sipas arkitektes që ka dizenjuar godinat, Patrizia Pozzi, forma e tyre spirale u frymëzua nga forma natyrale spirale e një guaske të gjetur në plazh dhe shërben si një mënyrë bashkëekzistence paqësore e ndërtesave me natyrën.

The post Këto ndërtesa pranë Zvërnecit asnjë lidhje me hebrejtë appeared first on Faktoje.al.

Flamujtë izraelitë në bulevard, jo një kurth ndaj protestuesve

9 June 2026 at 16:43

Pretendimi: Flamujt izraelitë që u shfaqën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 9 qershor u vendosën si provokim për protestuesit

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————–

Më 8 qershor, ditën e nëntë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullonte paralajmërimi se flamuj izraelitë ishin vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë si provokim ndaj protestuesve.

Narrativa e zaptimit të tokave nga Izraeli për të ndërtuar një enklavë izraelite në Zvërnec, e promovuarrrjete sociale, i ka shërbyer kryeministrit Rama për të portretizuar e tallur protestat si të fryra nga teori konspirative anti-semite që në fjalimin e tij të 1 qershorit kur ai mohoi se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezë në Zvërnec.

Megjithatë, shfaqja e flamujve izraelitë në bulevard ishte planifikuar përpara nisjes së protestave masive, si pjesë e Javës Kulturore të Izraelit.

Sipas faqes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, java e Izraelit ishte planifikuar për 9-11 qershor, fill pas Javës Kulturore të Italisë, e cila ndodhi nga 31 maji në 6 qershor.

Vjet, gjithashtu, Java Kulturore e Izraelit ndodhi në 9-12 qershor 2025, sërish fill pas Javës Kulturore të Italisë.

Disa prej postimeve në rrjete sociale kanë vërejtur se, megjithëse pjesë e Javës Kulturore izraelite, flamujt ishin varur shumë ulët për t’i bërë lehtësisht të kapshëm. Për të evituar incidente, protestuesit kishin vendosur pankarta në shtyllat ku ishin varur flamujt duke paralajmëruar të tjerët të mos preknin flamujt.

Të ndodhur në një situatë që mund të përshkallëzohej, autoritetet u kujdesën që punonjësit e dekorit të bashkisë Tiranë t’i hiqnin flamujtë izralitë përpara nisjes së protestës në orën 18:00.

The post Flamujtë izraelitë në bulevard, jo një kurth ndaj protestuesve appeared first on Faktoje.al.

Flamingot rozë, viktima të “luftës hibride” të dezinformimit

8 June 2026 at 18:30

Ndërsa protesta masive qytetare në Shqipëri kundër projektit ndërtimor të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunën e Nartës hyjnë në ditën e nëntë, narrativa të gjithëfarshme janë ngritur në media dhe rrjete sociale përreth këtyre protestave që kundërshtojnë projektin. Jehona e kësaj proteste paqësore që u shtri brenda dhe jashtë kufijve të vendit e që u transmetuar nga shumë media ndërkombëtare  shpreh  pakënaqësinë ndaj  klasës politike.

Masiviteti i një marshimi spontan të dielën, më 31 maj, u pasua nga një deklaratë e gjatë publike e kryeministrit Edi Rama më 1 qershor në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. 

“Armiqtë e huaj” na kanë në grykë të pushkës 

Në këtë fjalim mbi 1 orë të gjatë, u hodh fillimisht narrativa e “forcave të huaja” që nuk duan të zhvillohet Shqipëria dhe po përpiqen të sabotojnë projektin duke manipuluar opinionin publik si tek filmi”Wag the Dog”. (Ironikisht, Wag the Dog është një film i vitit 1987 në të cilin një propagandist i qeverisë amerikane shpik një luftë për të hequr vëmendjen nga një skandal politik)

Greqia fqinje u prezantua nga Rama si një palë e interesuar. 

Ai pyeti në mënyrë retorike se pse mediat greke ishin kaq të shqetësuara për mjedisin shqiptar dhe u shpreh i habitur që Ministria e Jashtme greke u shpreh për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec. Protestuesi i dhunuar kishte dy shtetësi, një shqiptare dhe një greke.

Në një intervistë të 3 qershorit për median ndërkombëtare CNN, Rama foli për “lufte hibride” të drejtuar nga “armiq që i njohim shumë mirë” dhe “konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut”

Ndërsa kryeministri Rama denonconte “luftën hibride” kundër zhvillimit të Shqipërisë, po ditën kur ai nënkuptoi se Greqia kishte interesa në ndalimin e projektit të Zvërnecit, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullonte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale, ku shfaqej një radhë autobusësh pranë një pike kufitare. 

Ky imazh u prezantua në ekranet shqiptare shoqëruar me pretendimin se bëhej fjalë për protestues grekë që po hynin në Shqipëri për të marrë pjesë në protestën e Tiranës kundër projektit turistik në Pishë Poro-Nartë.

E njëjta narrativë u përsërit nga Rama më 5 qershor, kur u pyet për protestat nga mediat ndërkombëtare përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2026 në Tivat. 

Ai deklaroi se po ndodhte një “luftë hibride” kundër Shqipërisë, e orkestruar nga “armiqtë e vendit,” të cilët kësaj radhe i identifikoi si “iranianët”

Kryeministri i ka mëshuar kësaj narrative edhe në postimet e tij të shumta në rrjete sociale, ku u shpreh  se protestuesit që shajnë “tradhëtarët e armiqtë imagjinarë të Shqipërisë” ndërsa ngulmoi se “të vetmet arsye të mbetura [për protestën] janë ato të të huajve që nuk e duan Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të Turizmit dhe pompojnë rrjetet me ajrin toksik të luftës hibride, falë edhe naivitetit të tyre fatkeqësisht”

Narrativa të tilla u morën dhe u përhapën në studiot televizive shqiptare. 

Analistë të ndryshëm, por edhe deputetë të dy partive të mëdha PD e PS e plotësuan narrativën e forcave të huaja duke pretenduar se vendeve të rajonit nuk u pëlqeu se familja e presidentit amerikan do të investonte në Vlorë dhe ata donin ta sabotonin këtë investim; se mediat greke kishin nisur një fushatë kundër Shqipërisë; se Greqia u mërzit për investimin që do bëhej në Zvërnec; se protestat ishin të nxitura “nga jashtë,” si për shembull “nga Greqia”; dhe se protestat mbështeteshin zyrtarisht nga Athina. 

Deri më tani nga Athina zyrtare ka vetëm një deklaratë të Ministrise se Jashtme të datës 31 qershor për protestuesin e plagosur nga dhuna e ushtruar që kishte edhe nënshtetësi greke

Narrativa e anti-semitizmit

Narrativa e zaptimit të tokave nga Izraeli për të ndërtuar një enklavë izraelite në Zvërnec, e promovuarrrjete sociale, është një tjetër debat që ka shpërthyer në rrjetet sociale. Nga ana tjetër kryeministri Rama në fjalimin e tij të 1 qershorit mohoi se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezë në Zvërnec.

Teza “Soros”, Grupi Feminist & LGBT

ekrane televizive e portale u tha se protestuesit ishin paguar nga organizata të financuara nga Soros dhe nga Erjon Veliaj, kryebashkiaku socialist i Tiranës, i cili është në paraburgim nën akuza për korrupsion që nga Shkurti 2025, për të penguar zhvillimin e Shqipërisë.

Bashkimi i një numër aktivistesh feministe dhe të të drejtave LGBT në protestë u portretizua në rrjete sociale si një përballje epike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit Soros, e ngjashme me atë mes Cezarit dhe Pompeut në brigjet e Karaburunit.

Më 31 maj, ditën pasi një protestues u dhunua nga roje private në Zvërnec, incident që u pasua me nisjen e protestave masive në kryeqytet, në media nisi të qarkullonte narrativa se ambjentalistët dhe OJF-të, të paguar nga miliarderi i shumëpërfolur hungarez George Soros, ngritën çështjen e Zvërnecit për të shpërqëndruar vëmendjen nga udhëzuesi për terapinë hormonale të transgjinorëve.

Megjithatë, organizata ambjentaliste PPNEA, e para që dha alarmin për punimet që nisën në peizazhin e mbrojtur, kishte denoncuar ndërhyrjen e makinerive të rënda dhe shkatërrimin e pyllit dhe dunave ranore që në 1 maj, gati një muaj përpara se lajmi për udhëzuesin e Ministrisë të dilte në media. Protesta e parë kundër kësaj ndërhyrje u thërrit më 16 maj në Zvërnec, ndërsa në 26 maj, dy ditë përpara lajmit të terapisë hormonale, u mbajt një protestë përpara Ministrisë së Mjedisit në kryeqytet.

Flamingo, një nga qindra speciet që popullojnë lagunën, i cili u adoptua herët nga protestuesit si simbol, u lidh nga mediat “me aktivizëm kulturor progresist dhe me narrativa të afërta me lëvizjet LGBT në Perëndim” Përdorimi i këtij simboli nga protestuesit u quajt “tentativë për të futur simbolikë ideologjike mbi simbolin kombëtar shqiptar”

Nëse protesta për Zvërnecin nisi si një reagim qytetar ndaj shkatërrimit të një ekosistemi të mbrojtur, shumë shpejt ajo u mbulua nga një “luftë hibride” e informacionit, ku narrativat politike dhe digjitale u përdorën për të deformuar kuptimin e saj. Nga imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale, tek akuzat për ndërhyrje të huaja, deri tek teoritë e konspiracionit për Soros apo pushtimin izraelit, u krijua një terren ku e vërteta dhe propaganda u përplasën pa dallim. Ky bombardim narrativash nuk synon thjesht të shpjegojë protestën, por të minojë legjitimitetin e saj, duke e zhvendosur debatin nga mjedisi dhe të drejtat qytetare tek “armiqtë e jashtëm” dhe “komplotet globale”. Në këtë kuadër, “lufta hibride” nuk është vetëm një metaforë politike, por një realitet i prodhimit masiv të informacionit të manipuluar, ku qytetarët duhet të dallojnë mes faktit dhe fabulës. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: a do të arrijë shoqëria të mbrojë jo vetëm lagunën e Nartës, por edhe hapësirën e saj informative nga pushtimi i narrativave hibride?

The post Flamingot rozë, viktima të “luftës hibride” të dezinformimit appeared first on Faktoje.al.

Jared Kushner nuk është tërhequr nga Sazani

8 June 2026 at 17:46

Më 7 qershor 2026, ditën e tetë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, lajmi se dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, një prej investitorëve të lidhur me projektin, do të tërhiqet nga një resort i projektuar në Sazan dhe simotra e tij në Zvërnec, për ta dërguar investimin në ishullin grek Mykonos nisi të qarkullonte gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse.

Deputeti i Partisë Socialiste për Vlorën, Ardit Bido, postoi gjithashtu pretendimin në rrjete sociale, duke qesëndisur se “tani që doli lajmi se Kushner do tërhiqet nga Sazani e Zvërneci për të investuar miliarda euro në Mykonos, çfarë do të thonë ata që thoshin se Greqia nuk ka dorë pas?”

Megjithatë, në rrëmbimin për të bërë lajm sensacional, për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë e qenësishme. 

I vetmi burim i cituar është një artikull i vetëm, i botuar më 7 qershor nga portali grek Greek City Times, që mban titullin “Ekskluzive: Jared Kushner braktis Sazanin e Shqipërisë për stimujt grekë të Mykonosit.”

Ndërkohë, vetë artikulli i mësipërm citon “burime të besueshme,” por anonime. I vetmi burim i verifikueshëm që ai citon është një postim në Twitter të një gazetari kosovar që jeton në ShBA të quajtur Fitim Çeku, i cili ka shkruar më 7 qershor:

“Ekskluzive: Kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në Sazan. Burime të Gazeta Journal thonë se Greqia ka ofruar kushte të veçanta për të investuar në Mykonos. Detaje ekskluzive nesër nga burimet tona.”

Ndërsa postimi i tij ka marrë shumë vëmendje, 24 orë më pas, “burimet” e Çekut duket se ende nuk kanë ofruar “detajet ekskluzive” të premtuara. 

Postimi më i fundit i Çekut ishte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale që tregonte presidentin amerikan Trump duke mbajtur në dorë një hartë të Shqipërisë me mbishkrimin: “Shqipëria, shteti i 51 i Amerikës,” të cilin Çeku e shoqëron me përshkrimin: “Mirë se vini në Shqipëri President Trump. Shqipëria e re.”

Vlen të përmendet se më herët këtë muaj, gjatë protestave masive në Tiranë, Çeku ka postuar pretendime se ato po nxiten nga “e majta” për të sulmuar administratën Trump dhe i ka quajtur ato propagandë kundër “zhvillimit të Shqipërisë.”

Në një tjetër postim ai pretendon se “investimet e mëdha ndërkombëtare kanë shkuar gjithmonë në Mal të Zi dhe Greqi. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një investim masiv,” duke falenderuar Ivanka Trump dhe të shoqin Jared Kushner për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Çeku bën parashikime të bujshme, pa asnjë provë.

Në Qershor të vitit 2025, ai deklaroi se “në ditët në vijim” pritej që Trump do të kërkonte personalisht dhe publikisht lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Hagë. Sigurisht, asgjë e tillë nuk ndodhi.

Sa i përket projektit të Sazanit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) tha më 8 qershor për Faktoje se “kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, e cila ka shfaqur interes për ishullin e Sazanit, nuk ka depozituar ndonjë shkresë për tërheqje nga ky proces.”

Përgjigja zyrtare e AIDA mbi kërkesën e Faktoje për investimin në Sazan

Një largim i investimit në ishullin e njohur grek ka pak gjasa të ndodhë edhe për faktin se në Mykonos aktualisht nuk ka sipërfaqe të reja të lira për zhvillim, ndërkohë që ndërtimet e reja janë të kufizuara deri në vitin 2030 nga rregulloret e planifikimit. Investimet fokusohen kryesisht tek vilat ekzistuese dhe pronat me leje të vlefshme, të cilat kanë vlerë të lartë për shkak të mungesës së ofertës.

Bazuar në verifikimet e mësipërme, deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi, rezulton se frika për një braktisje të investimit miliardësh në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner në këmbim të lehtësive fiskale në Mykonos nuk ka ndonjë bazë reale. Deklaratën e deputetit Bido e vlerësojmë si të pavërtetë.

The post Jared Kushner nuk është tërhequr nga Sazani appeared first on Faktoje.al.

Çfarë humbasim? Pishë Poro-Narta përpara protestës së Flamingove

5 June 2026 at 16:13

Dy vite më parë, kur u shkrepën këto fotografi, Pishë Poro-Narta njihej për flamingot, dunat ranore, pyjet me pisha bregdetare dhe qetësinë e një prej ekosistemeve më të rëndësishme ligatinore në Shqipëri.

Foto: Esmeralda Topi
Foto: Esmeralda Topi

Sot, e njëjta zonë është kthyer në simbol të protestave “Revolucioni i Flamingove” kundër projektit turistik në Zvërnec.

Foto: Esmeralda Topi

Pishë Poro–Narta nuk është një zonë e zakonshme bregdetare, është një nga nyjet më të rëndësishme ekologjike të Adriatikut jugor. Në këtë ekosistem janë identifikuar 18 tipe habitatesh: ujëra të ëmbla dhe të kripura, toka aluvionale, duna ranore dhe pyje bregdetare. Gjatë sezonit të shumimit dhe migrimit, laguna kthehet në një strehë jetike për dhjetëra specie shpendësh, mes tyre flamingot, pelikanët dhe breshkat detare.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Një pjesë e rëndësishme e projektit të planifikuar prek edhe zonën e Plazhit të Portonovos, një brez bregdetar rreth 15–20 km nga qyteti i Vlorës, i njohur për natyrën e tij të virgjër dhe për turistët që kërkojnë përvoja të qeta e aventureske larg zonave të urbanizuara.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Në anën perëndimore shtrihet pylli bregdetar i Pishë Poros, një brez i dendur me pisha që krijon kufirin natyror mes lagunës dhe Detit Adriatik.

Foto: Atdhe Mulla

Në zemër të lagunës ndodhet ishulli i Zvërnecit, i lidhur me tokën përmes një ure druri që kalon mbi ujërat e cekëta. I mbuluar nga një masiv i dendur selvishtesh, ishulli është një nga pikat më të njohura të zonës, ku natyra dhe historia bashkëjetojnë.

Foto: Atdhe Mulla

Mes pemëve ngrihet Manastiri i Shën Mërisë Hyjlindëse, një monument kulture i shekullit XIV, që për shekuj ka mbetur pikë referimi shpirtërore dhe kulturore për banorët e zonës.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Dy vite më parë, Faktoje paralajmëroi se ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura po hapnin rrugën për zhvillime turistike në territore të paprekshme. “Djalli fshihet në detaje”, thoshin ambientalistët.

“Pjesa e Zvërnecit, midis Lagunës së Nartës dhe detit, që është projekti i Kushnerit me vila, është zonë e mbrojtur”, deklaronte asokohe Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Ndërsa eksperti i mjedisit Abdulla Diku theksonte se zhvillimi nuk duhet të bëhet në kurriz të natyrës.

“Nuk ka asgjë të keqe nëse investime të tilla bëhen jashtë zonave të mbrojtura. Vija bregdetare ka plot hapësira për resorte dhe nuk ka pse të shkatërrohet natyra.”

Sot, këto detaje janë bërë epiqendra e një debati kombëtar. Protestat në Tiranë, në Plazhin e Dalanit dhe në vetë Zvërnec kanë marrë emrin e flamingove, duke e kthyer një specie të mbrojtur në simbol të një lëvizjeje publike.

The post Çfarë humbasim? Pishë Poro-Narta përpara protestës së Flamingove appeared first on Faktoje.al.

Protesta vetëm në Tiranë? Faktet rrëzojnë deklaratën e Ramës në CNN

4 June 2026 at 13:53
Esmeralda Topi 

Protestat kundër projektit turistik të planifikuar në peizazhin e mbrojtur të Zvërnecit kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

 Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për CNN, ku u pyet ndaj kundërshtimeve që kanë shoqëruar projektin e lidhur me investitorin Jared Kushner.

Gazetarja e CNN, Isa Soares, iu drejtua kryeministrit me pyetjen:

“Më lejoni fillimisht të marr reagimin tuaj për protestat që kemi parë si në kryeqytetin Tiranë, ashtu edhe në qytetet bregdetare, lidhur me këtë zhvillim që lidhet me Jared Kushner. Si i përgjigjeni ju protestave dhe shqetësimeve të tyre?”

përgjigjen e tij, Rama e cilësoi të pavërtetë pretendimin se protestat ishin shtrirë përtej Tiranës.

“Dhe vetëm për të saktësuar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet”, deklaroi Rama.

Megjithatë, verifikimi i Faktoje tregon se deri në momentin e intervistës protestat kundër projektit në Zvërnec ishin zhvilluar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Durrës dhe vetë Zvërnec.

Faktet

Më 3 qershor, dhjetëra qytetarë u mblodhën në Durrës në një protestë kundër projektit turistik në Zvërnec. Protestuesit shprehën shqetësime për ndikimin e mundshëm të investimit në mjedis dhe interesin publik, ndërsa kërkuan më shumë transparencë dhe konsultim me komunitetet.

Një pjesë e tyre e krahasuan projektin në Zvërnec me projektin e Portit të Durrësit, duke argumentuar se në të dy rastet pasuria publike po vihet në dispozicion të interesave private.

Për Faktoje, Geri Emiri, drejtues i medias Amfora, konfirmoi zhvillimin e protestës në Durrës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve që kundërshtojnë projektin.

“Qytetarët në Durrës kërkuan ndalimin sipas tyre të të gjitha projekteve abuzive jo vetëm në Zvërnec, por edhe në rastin e TID Durrës dhe të Durrës Yacht Marina, që sipas tyre cenon pronën publike dhe private.

Protesta për pjesëmarrësit në Durrës ishte edhe një reagim ndaj punëve të pa mbaruara të qeverisë shqiptare, si procesi i rindërtimit pas tërmetit dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë, që zvarritet prej vitesh.

Pjesëmarrësit në protestë ishin të moshave të ndryshme, nga fëmijët tek të moshuarit, që kërkuan ndalimin e projektit në Zvërnec dhe dëgjimin e kërkesave të protestuesve”, përshkruajti për Faktoje, Geri Emiri, drejtues i medias lokale Amfora.

Po atë ditë, protesta u zhvillua edhe në Vlorë. Dhjetëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin e Flamurit dhe më pas marshuan drejt Bashkisë së Vlorës.

Protestuesit, kryesisht të rinj, mbanin pankarta në mbrojtje të mjedisit dhe kundërshtonin ndërhyrjet që sipas tyre rrezikojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore të bregdetit shqiptar.

Këto protesta janë dokumentuar nga mediat lokale dhe organizata të ndryshme, duke rrëzuar pretendimin se kundërshtimi publik ka qenë i kufizuar vetëm në kryeqytet.

Zanafilla e protestave

Protesta e parë kundër projektit u zhvillua më 16 maj në Zvërnec.

Aktivistë mjedisorë, organizata të shoqërisë civile dhe banorë të zonës u mblodhën në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë–Nartë për të kërkuar ndalimin e punimeve dhe mbrojtjen e zonës natyrore.

Dhjetë ditë më vonë, më 26 maj, protestat u zhvendosën në Tiranë, para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Më 30 maj, aktivistët u rikthyen në Zvërnec. Pikërisht gjatë kësaj proteste një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjës të sigurisë private, pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe nxitën reagime të forta publike.

Pas këtij episodi, protestat vijojnë çdo ditë në Tiranë, ndërsa dje (më 3 qershor) u organizuan paralelisht edhe në Durrës dhe Vlorë.

Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar një tjetër protestë më 6 qershor në Akërni, pranë Hidrovorit të Vlorës, në zemër të zonës ku planifikohet zhvillimi i projektit.

Përfundim 

Faktet tregojnë se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec është shprehur publikisht përmes protestave të organizuara në të paktën katër vende të ndryshme, në Zvërnec, Tiranë, Vlorë dhe Durrës. Për këtë arsye, pretendimi i kryeministrit Edi Rama, bërë në intervistën për CNN nuk përputhet me ngjarjet e dokumentuara në terren.

The post Protesta vetëm në Tiranë? Faktet rrëzojnë deklaratën e Ramës në CNN appeared first on Faktoje.al.

Protesta e brezit Gen Z

3 June 2026 at 17:49

Nga Jona Cenameri

Pak para orës gjashtë të pasdites, rrugët që të çonin drejt Sheshit ”Skënderbej” ishin mbushur me grupe të rinjsh që ecnin me nxitim.

Në duar mbanin pankarta të mbështjella, kartonë të palosur dhe flamuj kombëtarë.

“Se thonë pastaj që ne nuk protestojmë për asgjë”

“Ja ku po dalim.”

“A thua bëhet ky vend?”

“A po shkojmë në protestë? Atëherë mos ma bëj këtë pyetje tani”

Biseda të tilla dëgjoheshin gjatë gjithë rrugës drejt qendrës së Tiranës.

Një ditë më parë, qindra qytetarë kishin marshuar nga Ministria e Mjedisit drejt Kryeministrisë për të kundërshtuar projektin turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. 

Protesta ishte mbyllur me një thirrje të vetme kryesisht nga të rinjtë ata që qëndrojnë deri në fund:

“Nesër më shumë”

Të martën, më 2 qershor, ata u kthyen.

Dhe ishin më shumë.

Nëse protesta e parë mbante ende shenjat e spontanitetit dhe konfuzionit, protesta e dytë dukej më e qartë, më e organizuar dhe më e sigurt për vetveten.

Këtë herë nuk kishte protesta paralele, nuk kishte paqartësi për vendtakimin dhe as për itinerarin.

Sheshi “Skënderbej” u kthye në pikën e grumbullimit, ndërsa më pas turma u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku qëndroi deri pas orës nëntë të mbrëmjes.

Ishte protesta më e gjatë deri tani.

Por mbi të gjitha ishte protesta më e re në moshë.

Në turmë shihje familje me fëmijë, pensionistë, aktivistë, gazetarë, artistë, përfaqësues të organizatave dhe qytetarë të zakonshëm. 

Kishte njerëz që kishin ardhur për Pishë Poro-Nartën, të tjerë për korrupsionin, për çmimet, për pensionet, për largimet jashtë vendit, mungesën e perspektivës apo thjesht për të shprehur pakënaqësi të akumuluara prej vitesh.

Brezi Gen Z

Megjithatë, fytyra e protestës ishte brezi Gen Z.

Ata nuk dominonin vetëm numerikisht.

Dominonin estetikën, gjuhën dhe mënyrën e organizimit.

Foto: Jona Cenameri

Në vend të pankartave tradicionale politike, në duart e tyre shfaqeshin meme, referenca nga anime japoneze, personazhe televizivë, batuta të njohura nga reality show shqiptare dhe slogane të krijuara posaçërisht për rrjetet sociale.

Një pankartë përdorte frazën e njohur të Moza Ahmetit, të transformuar në:

“Ça i keni këto projekte paj zotin?”

Një pankartë tjetër ishte thjesht një screenshot nga Spotify që tregonte këngën “Don’t Let It Happen”. 

Foto: Jona Cenameri

Titulli i këngës ishte mesazhi: një thirrje që ajo që po ndodh në Pishë Poro-Nartë të mos lejohet të ndodhë.

Të tjera pankarta përfshinin ilustrime të krijuara me inteligjencë artificiale, meme politike dhe montazhe satirike. Në shumë raste dukej sikur TikTok-u, Instagram-i dhe protesta ishin shkrirë në një të vetme.

Flamingot 

Një i ri mbante një flamingo gjigante të fryrë mbi kokë. Një tjetër e kishte kthyer flamingon në simbol proteste. Disa të rinj i binin daulleve dhe këndonin “Narta është e jona”. Në një cep tjetër shihje pankarta të vizatuara nga fëmijë.

Foto: Jona Cenameri

Ishte një përzierje e pazakontë mes aktivizmit, kulturës së internetit dhe patriotizmit që rrallë është parë më parë në protestat shqiptare.

Në turmë shihje të rinj që bënin foto me pankartat e tyre, që filmonin për TikTok dhe Instagram, që shpërndanin drejtpërdrejt atmosferën e protestës tek miqtë e tyre.

Një nga pankartat shkruante:

“Gen Z u çua nga kafja. Po tani ku do futeni?”

Protesta po përhapej nga vetë pjesëmarrësit.

Një postim në Instagram.

Një video në TikTok.

Një story.

Një repost.

Një mik që ftonte një mik tjetër.

Dhe efekti i topit të dëborës vazhdonte.

Askush nuk dukej se e dinte saktësisht kush e kishte nisur valën.

Dhe askush nuk dukej se e kishte problem këtë.

Ashtu si një ditë më parë, edhe këtë herë ishte e vështirë të kuptoje se kush po e drejtonte protestën.

Megjithatë, ndryshe nga protesta e parë, kërkesat tashmë ishin artikuluar më qartë.

Kërkesat po artikulohen 

Aktivistët që morën fjalën kërkuan:

  • anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
  • anulimin e ligjit për trashëgiminë kulturore;
  • fundin e klasës politike të korruptuar.

Mesazhet 

Por në terren, mesazhet ishin shumë më të gjera.

Foto: Jona Cenameri

Turma thërriste: “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Shqipëria nuk shitet!”, “Poshtë patronazhistët!”, “Opozitë e shitur!”, “Vdekje politikës!”, “Edi Rama jep dorëheqjen!”, “Shqipëria e shqiptarëve!”, “Poshtë spiunat!”, “Rama-Berisha tradhtarët e kombit!”, “Vlora zemra e Shqipërisë!”

Thirrjet 

Në shumë raste, thirrjet drejtoheshin njëkohësisht kundër qeverisë, opozitës, mediave, investitoreve te medhenj dhe institucioneve.

Në ndryshim nga protestat tradicionale shqiptare, ku kundërshtari zakonisht është i qartë, kjo protestë dukej sikur kishte shumë kundërshtarë njëkohësisht.

Kishte thirrje nacionaliste, këngë patriotike, slogane kundër mediave, investitorëve të mëdhenj dhe klasës politike në tërësi. Për shumë pjesëmarrës, Zvërneci ishte shkëndija.

Tensionet 

Këtë herë në protestë ndiheshin më fort edhe tensionet ndaj policisë.

Ato ishin dukshëm më të pranishme se një natë më parë.

Kjo u vu re si pranë Kryeministrisë, ashtu edhe më vonë gjatë kthimit drejt qendrës së qytetit, kur turma u përball me një rresht efektivësh pranë pedonales.

Pikërisht aty dëgjoheshin më fort thirrjet: “Polici e krimit!”, “Hiqni kapelet!”

Megjithatë, pavarësisht toneve të forta, protesta mbeti paqësore.

Madje në disa momente organizatorët dhe pjesëmarrësit përsërisnin vazhdimisht:

“Mos u përçani”, “Mos u provokoni”, “Protesta është paqësore”. Në një moment, një pjesë e të rinjve u ulën në tokë për ta theksuar këtë mesazh. Asnjë incident nuk u regjistrua. Asnjë përplasje. Asnjë akt dhune.

Turma krijoi vetë ritmin e saj. Një grup niste një thirrje.

Një tjetër niste një tjetër.

Në disa momente dëgjoheshin dy apo tre kore njëherësh.

Protesta dukej sikur drejtohej nga vetë energjia e njerëzve që e përbënin.

Kur protesta po shkonte drejt fundit, turma u kthye sërish drejt qendrës së qytetit.

Ishte errësuar. Por askush nuk dukej se kishte nxitim të largohej. Si një natë më parë, thirrja e fundit erdhi pothuajse spontanisht.

Fillimisht nga disa zëra. Pastaj nga dhjetëra. Pastaj nga e gjithë turma: “Nesër më shumë!”

The post Protesta e brezit Gen Z appeared first on Faktoje.al.

Rama: Fondet për tokën në Zvërnec janë ngrirë, nuk e jap dorëheqjen   

3 June 2026 at 15:27

SPAK nuk konfirmoi asnjë veprim zyrtar të mërkurën lidhur me fondet për tokën ku do të ndërtohet në Zvërnec.

” Çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment” tha koordinatorja për të drejtën e informimit në SPAK

 Por kryeministri Edi Rama, po.

“Unë kam dalë për një arsye tjetër që nuk ka të bëjë me mbledhjen e qeverisë, por ka të bëjë me një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama, një qëndrim qe në fakt ai vete i parapritu një ditë më parë ku në një tjetër takim tha se fondet ishin të ligjshme dhe kishin kaluar në filtër. Por jo të gjitha.  

“Ndërkohë që nga ana tjetër unë e konsideroj po ashtu shumë pozitive që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi për të cilin ka një proces hetimor.

Kjo në këndvështrimin tim është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë një rezultat i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi, çdo manipulimi, çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha ai.

Në rast se shitësi, sipas tij, ka origjinë legjitime të pronës, do marrë paratë, në rast se nuk e ka, lekët do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë.

S’ka dorëheqje

Një ditë më parë kryeministri Rama ftoi 20 zera në dialog nga protesta e Tiranës ku prej të henës po protestohet kundër ndërtimit të një rezorti në Zvërnec me qëllim  mbrojtjen e natyrës por edhe problematikave të tjera. Protestuesit iu përgjigjen në të njëjtën dite që s’ka dialog por dorëheqje.  

“E kam një përgjigje. T’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër se tanimë se këtu s’ka asgjë të re. Unë nuk kam kërkuar të bisedoj me asnjë nga ata që për mua janë të kurdisur dhe janë të çartur.

Kam kërkuar të bisedoj me ata të cilët kanë votuar për mua, disa prej tyre dhe më kanë shkruar nga protesta e parë.

Kam respekt për ta dhe me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë sepse ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër. Kështu që, ai film duhet tu tregojë të gjithëve që asgjë nuk më lëviz mua nga istikami, në thonjëza, ku më kanë vendosur shqiptarët dhe kush flet në emër të shqiptarëve duhet të mos e harrojë që unë përfaqësoj dhe mishëroj vullnetin e të paktën mbi 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta”, tha Rama.

The post Rama: Fondet për tokën në Zvërnec janë ngrirë, nuk e jap dorëheqjen    appeared first on Faktoje.al.

Protesta udhëheq vetveten, Rama shtrin dorën për takim 

2 June 2026 at 17:18

Nga Jona Cenameri

Nën vapën e 1 qershorit, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, qindra qytetarë nisën të mblidheshin në qendër të Tiranës. Në fillim gjithçka dukej e paqartë. Në Sheshin Skënderbej zhvillohej paralelisht edhe protesta e Koalicionit Pro Familjes kundër udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale te të miturit transgjinorë. Këngë patriotike, animatorë për fëmijë, flamuj kombëtarë dhe pankarta të llojeve të ndryshme përziheshin në të njëjtin shesh.

Por pak nga pak u bë e qartë se një pjesë e madhe e turmës kishte ardhur për një tjetër arsye.

Pas javësh debatesh për projektin turistikzonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, protestave para Ministrisë së Mjedisit, përplasjeve në Zvërnec dhe reagimeve të forta pas pamjeve të protestuesit të tërhequr zvarrë nga persona të paidentifikuar brenda kantierit, revolta ishte zhvendosur në kryeqytet.

Në turmë binin në sy edhe flamujt kombëtarë e etnikë shqiptarë. Disa protestues mbanin pankarta për Çamërinë, ndërsa herë pas here dëgjoheshin thirrje si “Nuk jemi grekë, jemi shqiptarë”, një reagim i drejtpërdrejtë ndaj debatit të ditëve të fundit mbi pretendimet se protesta po nxitej nga faktorë të jashtëm. Për shumë prej pjesëmarrësve, prania e flamujve ishte një mënyrë për të theksuar se kundërshtimi ndaj projektit nuk vinte nga jashtë, por nga qytetarë shqiptarë që e shihnin zonën si pjesë të pasurisë kombëtare.

Në disa momente ishte e vështirë të kuptoje ku mbaronte një protestë dhe ku fillonte tjetra. Flamujt, pankartat dhe grupet e ndryshme përziheshin në të njëjtin shesh, derisa një zë që buçiti nga megafoni nisi t’i jepte turmës një drejtim më të qartë.

“Për protestën e Nartës, ejani te Ministria e Mjedisit.”

Dhe turma nisi të lëvizte.

Rruga nga Sheshi Skënderbej drejt Ministrisë së Mjedisit, më pas tek Ministria e Brendshme dhe në fund para Kryeministrisë, u kthye në një marshim ku mesazhet shpesh dilnin përtej vetë Zvërnecit.

Tek Ministria e Mjedisit atmosfera ndryshoi. Turma u bë më kompakte. Në mes të saj shihje aktivistë, gazetarë, studentë, artistë, përfaqësues të shoqërisë civile, pensionistë, por mbi të gjitha të rinj. Të shumtë ishin edhe prindërit me fëmijët e vegjël. Disa i shtynin në karroca, të tjerë i mbanin në supe. Për një protestë të organizuar në Ditën e Fëmijëve, prania e tyre dukej simbolike.

Ajo që binte në sy ishte se shumë prej pjesëmarrësve nuk dëgjonin fare se kush fliste me megafon. Në varësi të vendit ku ndodheshe në turmë, mund të mos arrije të kuptoje as emrin e folësit. Megjithatë kjo nuk dukej se kishte rëndësi.

Thirrja që jehonte më fort se çdo tjetër ishte:

“Rama në burg! Berisha në burg!”

Pas saj vinin:

“Anulloje projektin!”

“Shteti i oligarkëve!”

“Doreheqje!”

“Shqipëria është e jona, jo e oligarkëve!”

Pikërisht këtë frymë e sheh si thelbin e protestës Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.

“Mendoj që protesta e djeshme në Tiranë është kundër arrogancës, korrupsionit, mungesës së transparencës dhe dhunës së qeverisë. Nuk lidhet vetëm me Zvërnecin”, thotë ai.

Sipas Xhemollarit, protesta nuk mund të reduktohet në një debat teknik për një projekt të vetëm.

“Mos kërkoni kërkesa specifike dhe debate teknike. Ky është akumulim i revoltës së brezit të ri”, argumenton ai për “Faktoje”.

Organizatat mjedisore 

Megjithatë, për organizatat mjedisore që kanë qenë në vijën e parë të kundërshtimit të projektit, fokusi mbetet i qartë.

Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA-s, thotë se kërkesa kryesore është ndalimi i menjëhershëm i çdo ndërhyrjeje në zonën e mbrojtur.

“Nuk mund të ketë zhvillime urbane dhe zhvillime intensive brenda zonës së mbrojtur. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të punimeve, rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara dhe transparencë të plotë për projektin”, deklaroi ai.

Sipas Trajçes, mënyra se si trajtohet sot Pishë Poro-Narta do të shërbejë si test edhe për raportin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Nëse nuk jemi në gjendje të mbrojmë zonat që vetë i konsiderojmë me vlera të larta biodiversiteti, atëherë është e vështirë t’i themi Bashkimit Europian se jemi gati për t’u bërë pjesë e familjes europiane”, shton ai.

Kush po e drejton protestën?

Teksa kolona e protestuesve lëvizte drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt Kryeministrisë, një gjë bëhej gjithnjë e më e qartë.

Njerëzit nuk kishin dalë në rrugë vetëm për gardhin e Zvërnecit. Disa flisnin për korrupsionin, të tjerë për mungesën e transparencës, për policinë, mediat apo oligarkët. Disa shanin qeverinë, të tjerë opozitën. Shumë prej tyre të dyja bashkë.

Pankartat 

Krahas “Rama në burg, Berisha në burg”, turma shpërthente periodikisht edhe në thirrje si “Liria nuk shitet”, “Shqipëria e shqiptarëve”, “Anulloje projektin”, “Shteti i oligarkëve”, “Qeveri hajdute”, “Bojkotoni mediat”, “O sa turp me qenë polic”, “Këtu vendosim ne” dhe “Shqipëria nuk shitet”. Në momente të caktuara dëgjoheshin edhe thirrje më spontane e më të ashpra kundër figurave politike, mediave tradicionale dhe biznesmenëve të mëdhenj.

Turma dukej sikur po kanalizonte një pakënaqësi shumë më të gjerë sesa debati për një resort turistik.

Për rreth dy orë, protestuesit marshuan nga një institucion tek tjetri. Para Kryeministrisë qëndruan më gjatë. Aty u mbajtën fjalimet kryesore dhe aty u dëgjuan më fort thirrjet që kishin shoqëruar gjithë marshimin.

Ndoshta elementi më i pazakontë i protestës ishte mungesa e një figure qendrore. Pak veta e dinin kush po mbante megafonin në secilin moment. Shumë nuk dëgjonin fare çfarë thuhej nga folësit. Megjithatë thirrjet përhapeshin vetë nëpër turmë, si valë që kalonin nga një grup te tjetri. Ishte një protestë ku energjia vinte më shumë nga njerëzit sesa nga podiumi.

Kur protesta po mbyllej, organizatorët lajmëruan tubimin e radhës për ditën pasuese.

Nga turma nisi një tjetër thirrje ritmike:

“Nesër më shumë!”

Disa qeshnin dhe pyesnin me zë të lartë nëse të nesërmen do të ishin po aq shumё.

Të tjerë përshëndesnin miq e të njohur që nuk prisnin t’i gjenin aty.

Dhe ndoshta pikërisht kjo ishte fotografia më e saktë e mbrëmjes.

Jo një protestë me një lider të vetëm. As me një kërkesë të vetme.

Ftesa për takim

Megjithatë, kryeministri Rama në deklaratën e fundit (deri në publikimin e këtij lajmi) e “lëshoi” erashkën. Por kush do e presë?  Thelbi i protestës lidhet edhe me sfidën ndaj pushtetit, duke prodhuar debat më të gjerë se zakonisht.   

”Mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, tha Rama në Facebook.  Një taktikë politike që Rama e ka ndjekur edhe me herët në protestën e studentëve.

The post Protesta udhëheq vetveten, Rama shtrin dorën për takim  appeared first on Faktoje.al.

Fotografia e autobusëve grekë për protestën e 1 qershorit është gjeneruar me AI

2 June 2026 at 13:58

Prej mbrëmjes së 1 qershorit, rrjetet sociale shqiptare janë mbushur me një fotografi ku shfaqet një radhë autobusësh pranë një pike kufitare, e shoqëruar me pretendimin se bëhej fjalë për protestues grekë që po hynin në Shqipëri për të marrë pjesë në protestën kundër projektit turistik në Pishë Poro-Nartë.

Fotografia nisi të qarkullojë menjëherë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të dytën herë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kundërshtuar projektin në Zvërnec.

Pamje nga protesta 1 qershor, Tiranë

Verifikimi i kryer nga Faktoje tregon se fotografia nuk është e vërtetë. Për të konfirmuar origjinën e saj, Faktoje përdori mjetin zyrtar të verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Përtej verifikimit teknik, fotografia shfaq edhe disa elemente tipike të përmbajtjeve të gjeneruara me AI, si fytyra të paqarta në turmë, autobusë pothuajse identikë, tekst me formulime të pazakonta në pankarta dhe një kompozim tepër të rregullt të skenës. 

Këto karakteristika janë shpesh të pranishme në imazhet e krijuara artificialisht dhe përbëjnë sinjale shtesë që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e saj.

Si lindi pretendimi?

Fotografia u shfaq fillimisht gjatë një debati televiziv mbrëmjen e 1 qershorit. Në një televizion privat, analisti Artur Meçe pretendoi se po shfaqte një fotografi nga Kakavija, ku sipas tij dukeshin autobusë të organizuar nga shteti grek për të sjellë protestues në Shqipëri.

“Kjo është protesta sot. Kjo është foto e sotme”, deklaroi Meçe gjatë emisionit.

Më pas, pretendimi u përhap në rrjete sociale dhe u publikua edhe nga disa portale shqiptare, të cilat iu referuan raportimeve të mediave greke.

Në fakt, gazeta greke “Kathimerini” publikoi më 1 qershor një artikull lidhur me protestën e zhvilluar më 30 maj në Zvërnec. Artikulli i gazetarit Yannis Papadopoulos u publikua në orën 11:24 dhe përmendte se dy autobusë ishin nisur nga Athina për protestën e së shtunës në Zvërnec, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kishin udhëtuar me automjetet e tyre.

Pra, raportimi i “Kathimerini” nuk kishte lidhje me protestën e 1 qershorit në Tiranë dhe nuk shoqërohej me asnjë fotografi të autobusëve në kufi.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama e paraqiti projektin si një mundësi transformuese për ekonominë, turizmin dhe imazhin e Shqipërisë, ndërsa kundërshtimet i pa si të motivuara politikisht apo të nxitura nga jashtë, përfshi këtu edhe Greqinë.

AI po përdoret për të manipuluar opinionin publik

Erion Tase, nga Akademia e Studimeve Politike, thotë për Faktoje se ky rast ilustron mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të përhapur narrativa të rreme.

“Ky është një rast kur inteligjenca artificiale përdoret për të manipuluar opinionin publik dhe për të përforcuar bindje të caktuara. Në këtë rast po shfrytëzohet edhe elementi i tensioneve mes fqinjëve, Shqipërisë dhe Greqisë, duke ushqyer narrativën se protestat janë të organizuara nga jashtë dhe nuk përfaqësojnë shqetësime reale të qytetarëve shqiptarë”, thotë Tase.

Sipas tij, rasti i autobusëve grekë i ngjan edhe rasteve të tjera të fundit, ku fotografi të krijuara me AI janë përdorur për të mbështetur pretendime të pavërteta.

“Këto raste duhet të na bëjnë më të kujdesshëm për atë që shohim online. Inteligjenca artificiale e ka bërë shumë më të lehtë krijimin e materialeve bindëse, ndaj qytetarët duhet të mbështeten te burime të besueshme informacioni dhe jo vetëm te përmbajtjet që qarkullojnë në rrjetet sociale”, shton ai.

Edhe pedagogu i komunikimit dhe medias, Erlis Çela, e sheh rastin si një shembull tipik të përdorimit të inteligjencës artificiale për të deformuar debatin publik.

“Përhapja e fotove të gjeneruara me AI si prova reale rrezikon të deformojë debatin publik duke zëvendësuar faktet me perceptime të fabrikuara. Është provuar tashmë se këto imazhe nuk synojnë vetëm të dezinformojnë, por edhe të ndikojnë mënyrën se si qytetarët interpretojnë një ngjarje apo një kauzë”, thotë Çela për Faktoje.

Sipas tij, shqetësimi më i madh në këtë rast lidhet me narrativën që kërkohet të ndërtohet rreth protestës.

“Këto imazhe mund të përdoren për të diskredituar kauza, individë apo grupe shoqërore dhe për të polarizuar opinionin publik. Rasti në fjalë përpiqet të ushqejë një narrativë që e paraqet protestën kundër projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit si një lëvizje të mbështetur apo të sponsorizuar nga faktorë të jashtëm, duke i veshur asaj edhe ngjyrime nacionaliste”

Çela vlerëson se shoqëria shqiptare mbetet ende e papërgatitur për t’u përballur me dezinformimin e ndihmuar nga inteligjenca artificiale. Ndaj, sipas tij, nevojitet një angazhim më i madh si në edukimin e publikut, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve të mediave profesionale.

“Ka nevojë urgjente të shtohen nismat për edukimin mbi inteligjencën artificiale dhe median. Nga ana tjetër, duhet më shumë punë me komunitetin e gazetarëve dhe mediave profesionale, jo vetëm për të demaskuar përmbajtjet e rreme, por edhe për të shpjeguar mekanizmat manipulues dhe qëllimet që synohen të arrihen përmes përdorimit të AI”, përfundon Çela. 

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja ALB BANIA e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

  • Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Portali 24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Interesante e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Gazeta Online e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Aktualiteti.al e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Portali24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Tematika e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Pika.al e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Online24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

The post Fotografia e autobusëve grekë për protestën e 1 qershorit është gjeneruar me AI appeared first on Faktoje.al.

Gardhi i Zvërnecit, Rama “përballë” ambientalistëve (ku manipuloi) 

1 June 2026 at 16:35

Kur ekskavatorët hynë në Pishë Poro-Nartë në fillim të majit, reagimi erdhi fillimisht nga terreni. Organizata mjedisore PPNEA publikoi pamje të makinerive që lëviznin mes dunave, ndërsa aktivistët ngritën alarmin për ndërhyrje brenda një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit. 

Pasuan denoncimet, protestat lokale, reagimet në rrjetet sociale dhe më pas tubimet përpara Ministrisë së Mjedisit dhe Kryeministrisë në Tiranë.

Për gati një muaj, Kryeministri Edi Rama nuk foli publikisht për çështjen, me përjashtim të një deklarate të shkurtër tre ditë më parë, ku tha se shteti “nuk po falte gjë”. Një ditë para protestës së zhvilluar në Tiranë, ai njoftoi se do të fliste sërish për këtë temë.

Monologu 

Ndërsa pas protestës ku qindra të rinj u mblodhën përpara Kryeministrisë, këtë të hënë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama mbajti për herë të parë një “sqarim” të gjatë publik për çështjen.

Nuk ishte një deklaratë për mediat, as një konferencë pyetje-përgjigje. Ishte një monolog që zgjati 1 orë e 9 minuta, i mbushur me argumente ekonomike, krahasime me Greqinë e Malin e Zi, sulme ndaj kundërshtarëve të projektit dhe një përpjekje për të bindur publikun se reagimi ndaj investimit në Zvërnec po ndërtohet mbi keqinformim.

“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë”, tha Rama në hyrje të fjalës së tij, duke iu drejtuar qytetarëve të revoltuar pas pamjeve ku një protestues tërhiqej zvarrë nga rojet private të sigurisë.

“Edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit”, shtoi ai.

Por pas kësaj hyrjeje, kryeministri ndryshoi drejtim. Sipas tij, opinioni publik është përballur me një version të shtrembëruar të realitetit.

“Ju kanë manipuluar”, deklaroi Rama, duke krahasuar debatin me filmin hollivudian “Wag the Dog”, ku një luftë e trilluar përdoret për të manipuluar opinionin publik.

4 miliardë euro

Në qendër të argumentit të tij ishte ideja se Shqipëria po përballet me një mundësi historike investimi.

“Partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha ai, duke e cilësuar projektin si një hap drejt “Ligës së Kampionëve të turizmit global”.

fjalimin e tij, kryeministri Edi Rama mbrojti qasjen aktuale ligjore për zonat e mbrojtura, duke theksuar se peizazhi i mbrojtur nuk nënkupton ndalim të zhvillimit, por bashkëjetesë mes natyrës dhe aktivitetit ekonomik, për sa kohë respektohen procedurat dhe lejet përkatëse.

Por pikërisht aty ku kryeministri sheh një mundësi zhvillimi, ambientalistët shohin një precedent të rrezikshëm.

Ndryshimi ligjor

Aleksandër Trajçe, drejtues i Organizatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA shpjegon për Faktoje:

“Me ligjin e vjetër, peizazhi i mbrojtur (kategoria 5) kishte zonim të brendshëm me mbrojtje strikte, përfshirë zona qendrore ku nuk lejohej ndërtimi. Me ndryshimet e vitit 2024 u hoq koncepti i zonimit për këtë kategori, duke e hapur praktikisht gjithë peizazhin për ndërtime”

Sipas tij, ndryshimet ligjore të vitit 2024 hoqën pikërisht këtë mekanizëm mbrojtës.

(Neni 13 i shfuqizuar në vitin 2024)

“Heqja e konceptit të zonimit e hapi praktikisht të gjithë peizazhin e mbrojtur ndaj zhvillimeve ndërtimore. Ky është detaji që po anashkalohet në debat”

Pavarësisht ndryshimeve, Aleko Miho, ekspert mjedisi, thotë se, vlerat natyrore janë shumë herë më tepër. 

Ato sëbashku plotësojnë kërkesat e një Parku Kombëtar, apo me vlera ndërkombëtare të një zone Ramsar. Kjo zonë renditet si e rëndësishme për shpendët (IBA) nga BirdLife International (BLI, 2023), me kritere A1, A4i, A4iii, B1i (2000), e klasifikuar si shumë e kërcënuar. Zona është gjithashtu ndër më të rëndësishmet në vend për llojet bimore (IPA) (kodi A35). Zona është kandidate për rrjetin EUROPA 2000”

Miho thekson gjithashtu se ndërhyrja prek një territor me vlera të larta natyrore dhe status të mbrojtjes së veçantë.

“Vendi i rrethuar prek direkt tre monumente natyre: 1) Kodrat molasike të Zvërnecit, 2) Lagunën Limopuo, e fshehur mes këtyre kodrave, dhe 3) Dunat e Nartës/Akërnisë, ndër më të ruajturat në gjithë Mesdheun. Të treja janë të Kategorisë III të mbrojtjes sipas VKM/DCM 303/2019”.

Ndikimi në mjedis

Në fjalimin e tij, Rama këmbënguli disa herë se projekti nuk është ende përfundimtar. “Nuk kemi studimin mjedisor. Nuk ka ardhur akoma”, deklaroi ai. Pikërisht kjo deklaratë ka ngritur shqetësime të reja tek organizatat mjedisore.

Olsi Nika nga ‘EcoAlbania’ argumenton se sipas legjislacionit shqiptar, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk është një procedurë që mund të shtyhet për më vonë. “Ligji e përcakton qartë VNM-në si një detyrim paraprak dhe thelbësor që duhet të realizohet në fazat më të hershme të konceptimit dhe planifikimit të çdo projekti zhvillimor”, thotë Nika për Faktoje.

Sipas tij, vetë logjika e ligjit kërkon që ndikimet e mundshme të vlerësohen përpara se autoritetet të japin miratime apo të lejojnë ndërhyrje në territor.

“Çdo ndërhyrje në territor pa një VNM të hartuar dhe të miratuar paraprakisht bie ndesh me parimin e parandalimit dhe me detyrimet e legjislacionit mjedisor në fuqi”

Ndërkohë, kryeministri këmbëngul se ajo që po ndodh aktualisht lidhet me studime paraprake dhe jo me ndërtimin e resortit.

“Lufta zhvillohet sot vetëm me një gjë konkrete, me një gardh të shëmtuar dhe me një akt skandaloz të një kompanie sigurie”, tha ai.

Por për ambientalistët, problemi nuk është vetëm gardhi.

“Të quash teori konspirative shqetësimin publik për ndërtimet në një zonë të mbrojtur nuk e ndryshon realitetin në terren”, thotë Nika.

“Po planifikohet ndërtimi i një qyteti me karakter të fortë urban brenda një zone të mbrojtur, përmes një procesi që ngre pikëpyetje serioze ligjore, mjedisore dhe publike” përfundon ai.

Laguna e Nartës

Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me gjendjen ekologjike të lagunës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se “Laguna është në pikë të hallit” dhe argumentoi se projekti do të ndihmojë në rehabilitimin e saj. Por ambientalistët e hedhin poshtë këtë përshkrim, duke iu referuar të dhënave shkencore. 

“Ky është një interpretim vetjak. Të dhënat shkencore tregojnë se Laguna e Nartës është ndër lagunat më të rëndësishme për biodiversitetin në Mesdhe”, thotë Trajçe.

Ai përmend praninë e mijëra flamingove, pelikanit kaçurrel dhe dhjetëra specieve të tjera të mbrojtura si dëshmi të gjendjes ekologjike të zonës.

“Po të ishte laguna në gjendjen që përshkruhet, këto specie nuk do të qëndronin aty. Prania e tyre është vetë treguesi shkencor i vlerës ekologjike të zonës” argumenton ai.

Krahasimi me Malin e Zi 

“Duhet të shohim edhe shembujt e rajonit,” tha Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij duke iu referuar Malit të Zi. 

Por Aleksandër Trajçe, thotë se shembulli i përdorur është i pasaktë.

“Në Mal të Zi ka një rast shumë të ngjashëm me Zvërnecin, Kriporja e Ulqinit, ku kishte plane të qarta zhvillimi, madje me përfshirjen e të njëjtit investitor që përmendet edhe në projekte të tjera në rajon. Aty u parashikua transformimi i një zone natyrore në një zonë elitare zhvillimi, por pas reagimit të fortë të shoqërisë civile, banorëve dhe komunitetit europian, planet u anuluan”

Sipas tij, ky është shembulli i vërtetë që duhet marrë në konsideratë, dhe jo rastet e monumenteve kulturore apo destinacioneve krejtësisht të ndryshme, siç është përmendur shpesh në debat publik.

“Krahasimi me raste si Shën Stefani nuk është i një natyre të ngjashme, sepse kemi të bëjmë me kontekste krejt të ndryshme ligjore dhe ekologjike,” shton Trajçe.

E ardhmja e zonës

Qeveria e sheh çështjen si një test për modelin ekonomik të Shqipërisë. Kryeministri e krahasoi projektin me investime të njohura turistike në Greqi, Kroaci dhe Mal të Zi dhe paralajmëroi se refuzimi i tij mund të trembë investitorët ndërkombëtarë.

“O do zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës, ose do zgjedhim një rrugë tjetër”, tha ai.

Për qeverinë, Pishë Poro-Narta është një mundësi historike zhvillimi.

Ndërsa për ambientalistët, është prova më e madhe se si Shqipëria do të trajtojë pasuritë e saj natyrore në prag të integrimit evropian.

Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Evropian reagoi për herë të parë për rastin e Pishë Poro-Nartës në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, duke konfirmuar se po e ndjek nga afër situatën dhe duke e lidhur atë me detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë për kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Evropian.

Ndërsa sot, Prokuroria e Posaçme konfirmoi se ka nisur hetime mbi mënyrën e përfitimit të tokave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, si edhe mbi procedurat e zbatimit të projektit për ndërtimin e resorteve turistike. 

Koordinatorja për të drejtën e informimit pranë SPAK, i tha Faktoje se në këtë fazë që është hetimi i çështjes, nuk mund të ndahen të dhëna të tjera për publikun.

The post Gardhi i Zvërnecit, Rama “përballë” ambientalistëve (ku manipuloi)  appeared first on Faktoje.al.

Nga Zvërneci në Tiranë, dhuna që ndezi protestën me thirrjen “Rama-Berisha në burg”

1 June 2026 at 12:01

Më 29 maj, protesta e banorëve të Zvërnecit kundër projektit turistik “Zvërnec South Adriatic Development” u shoqërua me një ngjarje të paprecedent.

Pamjet filmike të shpërndara në rrjetet sociale treguan persona civilë pa uniformë që tërhiqnin zvarrë një protestues, ndërsa policia e Vlorës pranishme nuk lëvizi as gishtin.

Pamjet flisnin vetë se si një protestues duke negociuar me forca të Policisë, merret më pas me forcë nga persona të paidentifikuar brenda gardhit, tërhiqet zvarrë dhe më pas goditet edhe në gjoks nga nje person me maske i cili më vonë u procedua penalisht.     

Protestuesi u raportua se nxirrte gjak dhe se për “lirimin” e tij kishte negociuar një drejtues policie. 

Reagimi

Ajo që ndezi më pas shkrepsen ishte policia e Vlorës. Fillimisht Policia e Vlorës reagoi duke njoftuar shoqërimin e një qytetari (E.S.), procedimin penal të 15 protestuesve dhe dy punonjësve të sigurisë private.

Në komunikatën e saj, Policia e Vlorës deklaroi se protestuesi ishte futur me forcë në kantier, por ky version u përgënjeshtrua nga vetë Policia e Shtetit, e cila kërkoi ndjesë publike për raportimin e gabuar. Fillimisht Policia e Shtetit njoftoi se ishte pezulluar nga detyra drejtori e Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Sot Drejtori i Përgjithshem i Policisë, Skënder Hitaj njoftoi shkarkimin e ketij të fundit.

“Sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit”, tha Hitaj.

Policia e Shtetit

Që në fundjavë, frenat i mori policia e Shtetit. Përmes një njoftimi u raportua se ishin ndjekur penalisht gjithsej 17 persona, përfshirë protestues dhe roje private.

Vetë Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari  tha se prona është private dhe se qeveria nuk kishte falur tokë, por njëkohësisht pranoi se rojet private nuk kishin të drejtë të përdornin forcë.

Ai kërkoi ndjekje penale për individët e përfshirë dhe hetim administrativ për kompaninë e sigurisë, ndërsa kritikoi indiferencën e policisë së pranishme.

Protesta

Pamjet e dhunës ndaj protestuesve, të lidhura me investimin ku përfshihet Jared Kushner e kthyen incidentin nga një çështje lokale në një skandal me jehonë ndërkombëtare.

Një ditë më pas në “lojë” u fut edhe Greqia. Më 31 maj, Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi pas një deklarate të Athinës, duke konfirmuar se ai që ishte tehrqur zvarrë ishte i minoritetit grek. Diplomacia shqiptare shprehu keqardhje për ngjarjen.

Takimi i kryetares se Bashkisë Vlorë në Athinë

Kathemerini shkruan se, rreth një javë para protestës në Zvërnec, në Athinë u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të komunitetit të Zvërnecit në Greqi dhe një delegacioni nga pala shqiptare, ku morën pjesë kryetarja e Bashkisë së Vlorës, një bashkëpunëtor i saj dhe dy avokatë që përfaqësonin investitorët e projektit turistik në zonë.

Takimi kishte për qëllim uljen e tensioneve dhe sqarimin e mosmarrëveshjeve lidhur me investimin e planifikuar, por sipas banorëve nuk solli asnjë rezultat konkret. Përfaqësuesit e komunitetit pretendojnë se pala tjetër kërkoi të shmangte protestën e paralajmëruar të shtunën përpara zonës së rrethuar me gardh.

Tirana

Ndërkohë të dielen në mbrëmje nisur nga disa njoftime të shpërndara vetëm në rrjetet sociale, mijëra qytetarë protestuan në Tiranë kundër dhunës në Zvërnec, duke u mbledhur fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më tej drejt Kryeministrisë me thirrje si “Anuloni projektin”  apo “Shqipëria nuk shitet”.

Ajo që ra në sy për herë të parë ishin edhe thirrje kundër dy forcave kryesore politike në vend më saktë kundër dy kryetarëve. “Rama në burg” “Berisha në burg” jehonte thirrja para kryeministrisë.

Kjo ishte protesta e tretë më e madhe në vend e nisur pa kokë dhe vetëm nga thirrjet në rrjetet sociale pas protestës së armeve kimike dhe asaj për studentët.

Ajo që ra në sy gjatë protestës në Tiranë ishte edhe mungesa e pranisë së forcave të policisë, ndryshe nga dy ditë më parë në Zvërnec ku ishin rreshtuar katër kordonë policie.

Protesta u mbizotërua nga të rinjtë dhe u njoftua se do të vijonte edhe ditën e sotme në orën 18.00

Procedimi  

Të hënën e 1 qershorit, Policia e Shtetit njoftoi që me mëngjes heqjen e licencës për dy kompanitë private sigurie, Myrto Security 1.3A dhe Major Security, që ishin p-unësuar të mbronin punimet në kantier.

Sipas Policise, hetimet administrative zbuluan lejimin e personave të paidentifikuar që ushtruan dhunë dhe përdorimin e punonjësve të pa licencuar. Kompania investitore ndërkohë njoftoi një ditë më parë se kishte ndërprerë kontratën me shoqërinë e sigurisë. Paralelisht në rrjetet sociale u shpërndanë pamje ku shihej se kompania po hiqte telin me gjemba që i ishte mveshur rrethimit të kantierit.

Hetimet penale dhe administrative vijojnë, ndërsa incidenti ka nxitur protesta të gjera.

Në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros parashikohet ndërtimi i një resorti gjigant turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila lidhet me struktura investimi ndërkombëtare ku përfshihen Jared Kushner, Ivanka Trup si dhe Ramez e Mohamad Al-Khayyat nga Katari, sipas të dhënave të publikuara mbi projektin.

Si lindi konflikti

Dy vite më parë, mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtim në territore që më parë kishin mbrojtje të plotë. Ky vendim u kundërshtua ashpër atëkohë nga PD (tani jo më), shoqëria civile dhe ekspertët e mjedisit, të cilët paralajmëruan se pas ndryshimeve fshihej një interes i madh investimesh.

Agjencia Bloomberg raportoi paralelisht se Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kishte planifikuar të investonte rreth 1 miliard dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit. 

Po atë ditë, Kushner publikoi në rrjete sociale imazhet e projekteve, duke konfirmuar ambicien për zhvillime masive në këto zona.

Për ekspertët e mjedisit, këto projekte ishin qëllimi i vërtetë i ndryshimeve ligjore, duke ngritur alarmin se hapja e zonave të mbrojtura për ndërtim rrezikon biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit. 

Megjithatë “korrigjimet” në ligj për të prekur zonat e mbrojtura kanë nisur shumë më herët. 

Faktoje ka shkruar ndër vite për këtë fenomen ku zona të tjera të rëndësishme si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, i Pasqyrave, i Pulëbardhave, apo Gjiri i Hartës nuk do të kenë më statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur kështu rrugën investimeve të mundshme.   

Aeroporti i Vlorës është gjithashtu një rast tipik ku me ndryshimet e reja të hartës së Zonave të mbrojtura iu hap rruga ndërtimeve. Territori pranë fshatit Akërni ku është ngritur aeroporti u shpall në vitin 2004 Zonë e Mbrojtur e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”. 

The post Nga Zvërneci në Tiranë, dhuna që ndezi protestën me thirrjen “Rama-Berisha në burg” appeared first on Faktoje.al.

Debati për Zvërnecin, 2.6 milionë m² ndërtim pa leje mjedisore, Rama: S’po falim gjë, është pronë private   

29 May 2026 at 15:52

Dy vite më parë, mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtim në territore që më parë kishin mbrojtje të plotë. Ky vendim u kundërshtua ashpër atëkohë nga PD (tani jo më), shoqëria civile dhe ekspertët e mjedisit, të cilët paralajmëruan se pas ndryshimeve fshihej një interes i madh investimesh.

Agjencia Bloomberg raportoi paralelisht se Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kishte planifikuar të investonte rreth 1 miliard dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit. 

Po atë ditë, Kushner publikoi në rrjete sociale imazhet e projekteve, duke konfirmuar ambicien për zhvillime masive në këto zona.

Për ekspertët e mjedisit, këto projekte ishin qëllimi i vërtetë i ndryshimeve ligjore, duke ngritur alarmin se hapja e zonave të mbrojtura për ndërtim rrezikon biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit. 

Megjithatë “korrigjimet” në ligj për të prekur zonat e mbrojtura kanë nisur shumë më herët. 

Faktoje ka shkruar ndër vite për këtë fenomen ku zona të tjera të rëndësishme si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, i Pasqyrave, i Pulëbardhave, apo Gjiri i Hartës nuk do të kenë më statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur kështu rrugën investimeve të mundshme.   

Aeroporti i Vlorës është gjithashtu një rast tipik ku me ndryshimet e reja të hartës së Zonave të mbrojtura iu hap rruga ndërtimeve. Territori pranë fshatit Akërni ku është ngritur aeroporti u shpall në vitin 2004 Zonë e Mbrojtur e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”. 

Sot 

Brenda 24 orësh me qendrime thuajse të sinkronizuara nga qeveria janë përcjellë dy informacione lidhur me atë që po ndodh në zonën e Pishë – Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë  

E para që ka një leje zhvillimi (por jo ndërtimi) dhe ende pa leje mjedisore dhe e dyta që punimet po kryhen mbi një pronë private.

Rama

“Më vjen tani natyrshëm të them dhe për këtë zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë sa s’thuhet, që me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë se shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, një pronë private denbabaden dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë investitorë tejet serioz të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët, që të jemi shumë të qartë.

Ndërkohë që shteti po, shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit ku ende sot nuk ka mbaruar negociata pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjese e projektit dhe shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të jetë aty, e shtetit shqiptar…”, ia behu për herë të parë kryeministri Edi Rama pas dy muaj debati dhe mungese informacioni nga institucionet shtetërore.

Lajmi i dytë po brenda 24 orësh për rastin në fjalë u përcoll një natë më parë në emisionin “Opinion”    

Agjencia e Zhvillimit të Territorit

Artemis Poshi, përgjegjëse e Sektorit Juridik në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dha sqarime mbi statusin aktual të projektit dhe procedurat administrative që po ndiqen.

“Pranë autoritetit tonë janë paraqitur dy leje, e para është një leje zhvillimi. Dhe e dyta është një leje ndërtimi infrastrukture. Asnjëra nga këto leje nuk është zbardhur, pra nuk ka përfunduar procesi i shqyrtimit deri në përfundimin e të gjithë procesit administrative”.

Ka apo s’ka leje?

“Sot ka 2 leje të miratuara. Që janë, e para, leje zhvillimi. Dhe leja e zhvillimit përcakton të gjitha kriteret dhe kushtet e zhvillimit, zonën, pronën ku do të zhvillohet, dmth pasuritë ku do të zhvillohet, kushtet e zhvillimit. Dhe kemi një leje zhvillimi infrastrukture që përcakton kushtet paraprake, parapërgatitore, deri në ardhjen e lejes së ndërtimit”, tha Poshi.

Ajo sqaroi gjithashtu se leja e zhvillimit nuk konsiston në një projekt përfundimtar. “Pra ne kemi një projekt-ide, e cila është duke u shqyrtuar. Për shkak se zhvillimi është shumë i madh, kemi të bëjmë me një sipërfaqe totale të pronës rreth 2 milionë e 658 mijë metra katrorë. I gjithë zhvillimi kryhet në pronë private. Me certifikatë, të lëshuar nga autoriteti përkatës, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dhe ne si Agjenci kemi kryer korrespondencën dhe kemi marrë statusin aktual të këtyre pronave”.

A jepet leje në zonë të mbrojtur?

“Po, në bazë të ligjit që kemi sot në fuqi për zonat e mbrojtura, lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me rregullore të veçantë, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat dhe kushtet, duke respektuar të gjitha kondicionet ekologjike, biodiversitetin që ka zona”, u përgjigj Poshi duke nënvizuar gjithashtu një detaj të rëndësishëm se aktualisht “nuk kanë administruar ende një leje mjedisore”.

Brukseli

Ndërkohë një muaj pas hyrjes së makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë, Komisioni Evropian ka reaguar për herë të parë, duke e cilësuar rastin si një provë të kapacitetit të Shqipërisë për të ruajtur zonat natyrore në kuadër të integrimit. Në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, KE thekson: “Komisioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka kërkuar informacion shtesë nga autoritetet shqiptare dhe është në kontakt me organizatat e shoqërisë civile”, thekson KE për Faktoje.al

Ky qëndrim vjen në një moment kur kapitulli 27 për mjedisin dhe klimën është një nga kushtet më të ndjeshme të negociatave të Shqipërisë me BE. Komisioni rikujton se vendi duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin e BE-së, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitate, si dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura.

“Për të mbyllur kapitullin 27, Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitetin për të menaxhuar zonat e ardhshme Natura 2000, përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë degradimin e habitateve dhe specieve”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian.

Protesta

Të martën, përpara Ministrisë së Mjedisit, u mbajt protesta nga qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore të cilën u mblodhën me thirrjen: “Ndaloni punimet!”

Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj, ndalimin e punimeve dhe transparencë për projektin e resortit turistik që do të ngrihet në brendësi të zonës.

The post Debati për Zvërnecin, 2.6 milionë m² ndërtim pa leje mjedisore, Rama: S’po falim gjë, është pronë private    appeared first on Faktoje.al.

Erion Veliaj mbetet në burg

28 May 2026 at 16:43

Erion Veliaj do të vijojë të mbetet në burg. Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të mërkurë rekursin e tij për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Rekursi  

Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të butë sigurie, pas ndryshimeve të fundit në praktikën e Gjykatës së Lartë për masat e sigurimit.  

Treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala vendosën të lënë në fuqi vendimmarrjen e 24 shkurtit të Apelit të GJKKO-së, ku Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025.

Akuzat

SPAK ka renditur ndaj tij 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv, të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme. Sipas akuzës, këto subjekte kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Pse Veliaj iu drejtua Gjykatës së Lartë

I moshuari nga Lezha Begtash Zeneli, i arrestuar dhe proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, (7.3 Kg kanabis të gjetura afër derës së kotecit e pulave), pa dashjen e tij u kthye në “rast precedent”, (shkak) që Gjykata e Lartë me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara t’i “hapë derën” e qelive zyrtarëve, ish-zyrtarëve të lartë publik dhe të zgjedhurve vendor.

Ndërsa politika i ka konsideruar si të ashpra masat “arrest me burg”, kryesisht për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë publik, ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale nuk erdhën si nisma të qeverisë apo grupi deputetësh, por nëpërmjet Gjykatës së Lartë.

Kjo i hapi udhë “bumit të kërkesave” ku vetëm brenda këtij muaji çështja e ish-ministrit Ilir Beqja dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj u depozitua në Gjykatën e Lartë për “ndryshim të masës së sigurisë”.

“…Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Lartë  

The post Erion Veliaj mbetet në burg appeared first on Faktoje.al.

Faktoje dhe Universiteti i Tiranës: Prezantohet  Laboratori i Medias dhe Edukimit Digjital, i pari në Departamentin e Gazetarisë  

28 May 2026 at 15:13

Nga Jona Cenameri

Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës u lançua sot “Laboratori i Media-s dhe Edukimit Digjital”, një laborator i ri për edukimin mediatik dhe verifikimin e fakteve, i krijuar në bashkëpunim me Faktoje.al dhe me mbështetjen e programit rajonal të GIZ “Sustain Media”, financuar nga BE dhe qeveria gjermane.

Laboratori do të funksionojë nga tetori 2026 deri në qershor 2027 dhe do të ofrojë 12 module teorike dhe praktike mbi fact-checking, edukimin mediatik, inteligjencën artificiale dhe verifikimin e informacionit. 

Pas përfundimit të moduleve teorike, studentët do të prodhojnë artikuj verifikues, video, podcast-e, dokumentarë, etj. 

Synimi

Projekti synon të vijojë edhe në vitet e ardhshme si një hapësirë e përhershme bashkëpunimi mes Departamentit të Gazetarisë dhe Faktoje.

Ne foto: Klodiana Kapo

Drejtoresha ekzekutive e Faktoje.al, Klodiana Kapo, tha se studentët janë në qendër të kësaj nisme.

 “Në kohën kur të pavërtetat vrapojnë dhe media është në një krizë të madhe për gazetarë profesionistë dhe me integritet ju jeni pjesa më e rëndësishme e këtij Laboratori të parë të medias dhe Edukimit Digjital që erdhi si pjesë e një bashkëpunimi të gjatë me Departamentin e Gazetarisë”, tha ajo 

Kapo theksoi se laboratori do të ndërthurë praktikën me teorinë për t’i ndihmuar studentët të integrohen më lehtë në tregun e medias, për t’i dhënë atyre mundësi për praktika pune, si dhe të zhvillojnë aftësi konkrete profesionale në gazetari dhe verifikim faktesh.

GIZ

Menaxherja e projektit rajonal “Sustain Media” në GIZ, Brunilda Milkani, vlerësoi bashkëpunimin me Faktoje.al dhe rëndësinë e laboratorit për gazetarët e rinj.

Ne foto: Brunilda Milkani

“Jam e lumtur që nëpërmjet Faktoje ne po arrijmë të aftësojmë gazetarët e së ardhmes”, tha Milkani, duke i inkurajuar studentët të përfitojnë maksimalisht nga pjesa praktike e programit.

BE

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, André Rizzo, foli për sfidat e dezinformimit në epokën digjitale.

Ne foto: Andre Rizzo

“Jetojmë në një botë të polarizuar ku informacioni kërcënohet nga manipulimi dhe dezinformimi. Studentët që mendojnë në mënyrë kritike janë kërcënimi më i madh ndaj dezinformimit”, deklaroi ai.

Sipas Rizzo-s, edukimi mediatik dhe gazetaria cilësore janë thelbësore në një kohë kur rrjetet sociale, portalet online dhe përmbajtjet e gjeneruara nga AI ndikojnë gjithnjë e më shumë tek publiku.

Fakulteti i Histori-Filologjisë

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku, tha se laboratori është pjesë e përpjekjeve të fakultetit për të përshtatur kurrikulat me ndryshimet në tregun e medias dhe informacionit.


“Ne nuk duam të prodhojmë gazetarë të së shkuarës, por gazetarë të së ardhmes”, tha Marku.

Ai shtoi se laboratori do të ndihmojë studentët të përballen me fenomenet e fake news dhe dezinformimit përmes një kombinimi mes anës akademike dhe praktikës profesionale të Faktoje.al.

Aktiviteti u hap nga përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, pedagogu Elvin Luku, i cili prezantoi rëndësinë e projektit për studentët dhe departamentin, duke e cilësuar atë si një mundësi konkrete për lidhjen e teorisë me praktikën profesionale.

Më pas, Alked Luku, përgjegjës për komunikimin në UNFPA Albania, ndau me studentët eksperiencën e tij profesionale dhe rrugëtimin si ish-intern në Faktoje.al, duke treguar sesi kjo eksperiencë ka ndikuar në formimin e tij profesional dhe zhvillimin e aftësive në komunikim dhe media.

Ne foto: Jona Cenameri

Ndërsa gazetarja e Faktoje.al, Jona Cenameri, foli për përfitimet që një student apo gazetar i ri mund të marrë nga metodologjia e punës së Faktoje.al dhe mënyrёn sesi realizohet verifikimi i informacionit dhe gazetaria hulumtuese e thelluar, duke përdorur burimet e duhura.

Në përfundim të takimit, studentët u ftuan të bëhen pjesë e laboratorit dhe të përfshihen në modulet praktike që synojnë të zhvillojnë aftësi konkrete në gazetari, fact-checking dhe edukim mediatik e digjital.

The post Faktoje dhe Universiteti i Tiranës: Prezantohet  Laboratori i Medias dhe Edukimit Digjital, i pari në Departamentin e Gazetarisë   appeared first on Faktoje.al.

❌