Normal view

VIDEO| Qytetari shkon me makinë të çajë kordonin e protestuesve, ndërhyn policia

By: fra nc
29 October 2024 at 18:29

Bllokimi i 6 akseve kryesore të vendit nga opozita mbrëmjen e kësaj të marte ka qenë përgjithësisht i qetë dhe pa përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Megjithatë një incident është regjistruar në rrethrrotullimin e Levanit, ku një qytetar ka tentuar që me automjetin e tij të çajë kordonin e protestuesve, të cilët kishin bllokuar aksin rrugor që lidh Levanin me Vlorën dhe Tepelenën.

Policia reagoi menjëherë ndaj këtij incidenti, duke ndërhyrë për të larguar automjetin dhe duke shmangur përshkallëzimin e situatës.

Shoferët e bllokuar në akset kryesore të vendit janë treguar relativisht të qetë dhe po presin me qetësi mbylljen e protestës.

Kujtojmë se mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, janë pozicionuar në 6 akse kryesore të vendit duke paralizuar qarkullimin e automjeteve. Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në autosradën “Tiranë–Durrës” pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës–Tiranë” pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot” pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë” te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier” te rrethrrotullimi i Rrogozhinës; dhe “Levan–Tepelenë” te rrethrrotullimi i Levanit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post VIDEO| Qytetari shkon me makinë të çajë kordonin e protestuesve, ndërhyn policia appeared first on Euronews Albania.

Boçi: Sot paralajmërim, mosbindja civile mund të zgjasë 3 ditë apo 3 javë

29 October 2024 at 18:23

Nga kryqëzimi i Milotit, ku mbështetësit e PD kanë djegur goma dhe kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve deputeti i PD Luçjano Boçi tha në një prononcim për Euronews Albania se e sotmja është një protestë në kuadër të mosbindjes civile që ka nisur opozita.

I pyetur lidhur me skenarin e kësaj protestë, Boçi ishte në një linjë me demokratin Edi Paloka kur tha se sotmja është një paralajmërim, ndërsa mosbindja civile nesër mund të zgjasë 3 ditë apo edhe 3 javë.

“Është akt i radhës i mosbindjes civile, se qëllimisht ka një konfuzion; është protestë apo mosbindje. Është protestë e radhës në kuadër të mosbindjes civile që lidhet me qeverinë teknike dhe lirimin e liderit të opozitës. Sot në Shqipëri kemi një narkoregjim, listat e deputetëve i bëjnë bandat, që detyrojnë kryeministrin të vendoset pas përfaqësuesve të tyre si në rastin e Durrësit, Ndërkombëtarët duhet të shohin vetë të vërtetën…Sot kemi marrë leje 3 orë, pastaj janë qytetarët që vendosin si do veprojnë. Sot është një paralajmërim i asaj që mund të ndodhë, sot është 3 orë, nesër mund të jetë 3 ditë dhe 3 javë”, tha Boçi.

6 akse kryesore në vend do të jenë të paralizuara për shkak të protestës së opozitës që ka nisur në orën 17:00.

Konkretisht akset rrugore që janë bllokuar janë “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Boçi: Sot paralajmërim, mosbindja civile mund të zgjasë 3 ditë apo 3 javë appeared first on Euronews Albania.

“Lironi rrugën”- Digjen goma në mbikalimin e Shkozetit, Paloka i përgjigjet policisë

By: fra nc
29 October 2024 at 17:49

Protestuesit e opozitës nga qarku i Durrësit bllokuan këtë të martë autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit. Përveç bllokimit të rrugës, ata vendosën flakën disa gomave të hedhura mbi asfalt.

Në tubimin te mbikalimi i Shkozetit ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili iu përgjigj thirrjeve të policisë për të liruar rrugën. Paloka theksoi se Partia Demokratike ndodhet në rrugë për të ndryshuar realitetin e drejtimit të vendit dhe të policisë, e cila sipas tij është nën ndikimin e bandave.

“Policia e bandave, policia e kujt?! Policia që hyn në parlament dhe dhunon deputetët. Drejtori dhe ministri janë të zgjedhur nga bandat. Çfarë presim ne nga kjo polici? Policia që rrëmben ish-presidentin sikur të jetë terrorist. Nuk presim asgjë nga kjo polici, ndaj jemi në rrugë për të ndryshuar këtë realitet.

Nuk kemi marrë leje; thjesht është bërë një njoftim për bllokimin e rrugëve, nuk marrim leje kurrëkund. Sot hapi i radhës është bllokimi i rrugëve, për më vonë do të shohim,” tha Paloka.

Kujtojmë se mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë janë pozicionuar në 6 akse kryesore të vendit, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve. Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në këto akse: “Tiranë–Durrës” pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës–Tiranë” pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot” pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë” te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier” te rrethrrotullimi i Rrogozhinës; dhe “Levan–Tepelenë” te rrethrrotullimi i Levanit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Lironi rrugën”- Digjen goma në mbikalimin e Shkozetit, Paloka i përgjigjet policisë appeared first on Euronews Albania.

Nesër protesta, policia paralajmëron opozitën: Bllokimi i rrugëve është vepër penale

28 October 2024 at 16:51

Policia i ka kthyer përgjigje kërkesës së opozitës për organizimin e protestës së nesërme, duke theksuar se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Në njoftimin e policisë të shpërndarë për mediat policia, shprehet se ‘bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni’.

Njoftimi i policisë

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 29.10.2024, në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

 

The post Nesër protesta, policia paralajmëron opozitën: Bllokimi i rrugëve është vepër penale appeared first on Euronews Albania.

Mosbindja civile në gjithë Shqipërinë, skenarët e protestës: Akset që bllokohen

By: fra nc
28 October 2024 at 15:26

Në të njëjtën ditë kur një delegacion i Parlamentit Evropian për Stabilizim dhe Asocim do të jetë në Tiranë, opozita do të jetë në mosbindje civile.

E marta e 29 tetorit rikthen në protestë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj.

Këtë herë mosbindja civile do të shtrihet në pikat hyrëse dhe dalëse të qyteteve kryesore të vendit.

Skenari parashikon bllokim të lëvizjes së lirë të automjeteve në 6 rrethrrotullime të Shqipërisë.

Në Tiranë, segmenti që do të bllokohet është ai në afërsi të kthesës së Kamzës deri në sheshin Shqiponja.

Në rrugët që të çojnë në jug dhe veri të vendit, mosbindja civile e opozitës do të përqendrohet në pesë rrethrrotullime, në Shkozet, Rrogozhinë, Levan, Bradashesh dhe Milot.

E parashikuar të nisë në pesë të pasdites dhe të zgjasë deri në tre orë, në secilin prej segmenteve rrugore, mbështetësit e Partisë Demokratike do të udhëhiqen nga deputetët e qarqeve përkatëse.

Të vetmit që nuk do t’i bashkohen mosbindjes civile që në nisje do të jenë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, dhe disa deputetë të tjerë që do të jenë në takim me delegacionin e PE-së për Stabilizim dhe Asocim.

The post Mosbindja civile në gjithë Shqipërinë, skenarët e protestës: Akset që bllokohen appeared first on Euronews Albania.

Detaje nga protesta e opozitës, sa pritet të zgjasë mosbindja civile

28 October 2024 at 13:32

Në vijim të thirrjes së aksionit opozitar nga Partia Demokratike, ditën e nesërme ky subjekt poltik do të zhvillojë një protest në orën 17:00.

Burime për Euronews Albania konfirmojnë se opozita ka kërkuar leje nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Pas marshimit në qendër të Tiranës më 7 tetor, këtë herë opozitarët janë thirrur nga lidershipi i opozitës në një protestë që do të shtrihet thuajse në gjithë vendin.

Protesta do të shtrihet në të paktën 5 lokacione të ndryshme.

Rreth-rrotullimi në Elbasan që lidh rrugët për në juglindje të vendit, kryqëzimi i rrugëve në Rrogozhinë, rreth-rrotullimi që lidh rrugën e kombit me akset e veriut, janë disa nga pikat që opozita do të tentojë që t’i bllokojë gjatë protestës së të martës.

Por jo vetëm në rrethe, protestë do të ketë edhe në hyrje Tiranës, në një tentativë për të përçuar aksionin e opozitës jo vetëm brenda unazës së vogël të kryeqytetit, por në pjesën dërrmuese të vendit.

Protesta pritet që të nisë në orët e pasdites, dhe në varësi të evoluimit të saj do të përfundojë në orët e para të mbrëmjes.

Gjithsesi do të jetë fillimi i javës së ardhshme, ajo që do të përcaktojë taktikën dhe mënyrat se si do të protestojë këtë herë opozita.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Detaje nga protesta e opozitës, sa pritet të zgjasë mosbindja civile appeared first on Euronews Albania.

Me flamujt e PD dhe amerikanë, shqiptarët në SHBA protestë pranë takimit të Ramës

By: fra nc
26 October 2024 at 17:44

Në New York, një grup pjesëtarësh të Diasporës shqiptare protestuan gjatë takimit që kryeministri Edi Rama kishte organizuar me shqiptarët në Amerikë. Protestuesit shprehën shqetësimet e tyre për situatën politike në Shqipëri dhe kërkuan përgjegjësi nga qeveria për çështje të ndryshme, përfshirë korrupsionin.

Protesta u zhvillua para vendit ku po mbahej takimi i shefit të qeverisë me Diasporën. Me pankarta, flamuj të PD-së, por dhe ata amerikanë, protestuesit theksuan rëndësinë e zërave të Diasporës në proceset politike në Shqipëri dhe kërkuan një angazhim më të madh nga ana e qeverisë për të adresuar çështjet që i preokupojnë.

Pas takimit me diasporën në New York, Rama do të kthehet sërish në Tiranë, ndërsa turin do ta vijojë fundjavën e ardhshme, ku do të udhëtojë drejt Selanikut në Greqi. Të dielën, më 3 nëntor, do të takohet me shqiptarët në Selanik. Ky është takimi i dytë që Rama do të zhvillojë në Greqi, pas atij të 12 majit në Athinë.

Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, emigrantët do të kenë mundësi të votojnë. Për këtë, një ditë më parë, Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror Zgjedhor miratoi me pesë vota pro rregulloren që i hap rrugën regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve.

Sipas rregullores së miratuar, çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë dhe që kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit, të paktën 68 ditë para datës së votimeve. Sipas KQZ-së, zgjedhësit do të duhet ta shkarkojnë dhe të krijojnë një llogari të tyre, e cila është e aksesueshme dhe pa pagesë.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë do të llogaritet në qarkun ku ata kanë jetuar para se të largohej nga Shqipëria.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Me flamujt e PD dhe amerikanë, shqiptarët në SHBA protestë pranë takimit të Ramës appeared first on Euronews Albania.

Protesta për shkollën në Nikël, 450 nxënës bojkotojnë mësimin

23 October 2024 at 14:53

Protestat e nxënësve dhe të prindërve në fshatin Nikël nuk kanë të ndalur. Edhe këtë të mërkurë 450 nxënës te shkollës se përgjithshme Ramazan Karaj kanë bojkotuar procesin mësimor.

Gjatë këtij sezoni mësimor, njësoj si edhe në katër vitet e shkuara, shkolla “Ramazan Karaj” në Nikël ka mbyllur dyert pasi godina është e rrafshuar totalisht.

Kjo situiatë ka bërë që 450 nxënës të kësaj shkollë të ndihen të lënë pas dore nga Bashkia e Krujës, por edhe nga Ministria e Arsimit.

Rindërtimi i kësaj shkolle ka kohë që është projektuar, por duket se janë burokracitë ato që pengojnë ndërtimin e godinës së re të shkollës në Nikël.

“Edhe sa duhet të presim”, është pyetja që këta nxënës së bashku me prindërit e tyre kanë në pankartat e tyre teksa protestojnë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Protesta për shkollën në Nikël, 450 nxënës bojkotojnë mësimin appeared first on Euronews Albania.

“Drejtësia po godet drejtuesit e opozitës”- PD protestë në Parlamentin Europian

By: fra nc
23 October 2024 at 11:53

Një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë protestuar këtë të mërkurë jashtë ambienteve të Parlamentit Europian, ndërkohë që disa kolegë të tyre vijuan takimet zyrtare me eurodeputetët.

Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë marrë pjesë në atë që ata e cilësojnë si një fushatë sensibilizuese për të njohur eurodeputetët me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës, Sali Berisha.

Ata kërkojnë monitorimin e situatës dhe lirimin e menjëhershëm të Berishës, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të cënuar barazinë e palëve në zgjedhje. “Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur drejtuesit e opozitës, në mënyrë që Edi Rama të konkurrojë me vetveten dhe të mbajë pushtetin me dhunë,” shprehen ata.

“Deputetët demokratë e konsiderojnë arrestimin e Sali Berishës si një hakmarrje politike nga Kryeministri Edi Rama ndaj Partisë Demokratike.

Duke përdorur një formë origjinale dhe të veçantë për të tërhequr vëmendjen e eurodeputetëve, ata theksojnë situatën e rëndë ku ndodhet vendi.

Shqipëria, e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përballë akuzave ndaj Kryeministrit Rama se ka shkatërruar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira. Sipas deputetëve të PD, Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme të lidhjeve me krimin e organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe kandidatët për deputet në listën e Partisë Socialiste”, theksohet mes të tjerash në njoftimin e PD.

The post “Drejtësia po godet drejtuesit e opozitës”- PD protestë në Parlamentin Europian appeared first on Euronews Albania.

“Pa fëmijët, as bukë s’hamë dot”- Pensionistët në protestë përpara Kryeministrisë

By: fra nc
23 October 2024 at 10:19

Pensionistët kanë zhvilluar këtë të mërkurë një protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar rritje të pensioneve.

Të mbledhur jo vetëm nga Tirana, por dhe nga rrethet të moshuarit deklarojnë se përballimi i kostove minimale të jetesës është bërë i pamundur me pensionet aktuale, të cilat nuk përputhen me rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike.

“Nuk arrijmë dot të blejmë ilaçet. Kam 5 vjet që nuk kurohem pasi nuk arrij dot t’i paguaj ilaçet. Shyqyr që na ka fal Zoti fëmijë se ne jemi të mbaruar.

4 mijë lekë rritje çfarë është, nuk blen dot as çerek kilogramë djath. Ne kemi nevojë për shërbimin shëndetësor dhe ushqim i cili nuk përballohet. Janë shumë të larta ushqimet, më të shtrenjta këtu se në Itali”, tha një pesnioniste.

Protestuesit theksuan se shpenzimet e tyre për ushqim, ilaçe dhe faturat e energjisë janë rritur ndjeshëm, duke i lënë në kushte shumë të vështira ekonomike. Disa prej tyre u shprehën se jetojnë me të ardhura të pamjaftueshme dhe kërkuan që qeveria të marrë masa të menjëhershme për të rritur pensionet dhe për të lehtësuar situatën e tyre financiare.

“Pensioni që marrim nuk na mbulon as nevojat më themelore. Jemi të detyruar të zgjedhim mes ushqimit dhe ilaçeve,” tha një prej pensionistëve në protestë.

Pensionistët kërkojnë që qeveria të përfshijë rritjen e pensioneve në buxhetin e ardhshëm, duke i përshtatur ato me rritjen e kostove të jetesës dhe inflacionit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Pa fëmijët, as bukë s’hamë dot”- Pensionistët në protestë përpara Kryeministrisë appeared first on Euronews Albania.

Përfaqësuesit e PL mblidhen përpara GJKKO, Caka: Meta nuk u arrestua, por u rrëmbye

By: fra nc
23 October 2024 at 10:04

Përfaqësues të Partisë së Lirisë janë mbledhur përpara Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, ku pritet të jepet masa e sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta.

Zëvendëssekretarja e Partisë së Lirisë, Silva Caka, tha se organizimi i mbështetësve të Metës përpara gjykatës nuk është bërë nga strukturat e Partisë së Lirisë, por ka qenë një veprim vullnetar i gjithsecilit për të shprehur mbështetjen ndaj Ilir Metës.

“Ka qenë një kërkesë e zotit Meta që të mos kishte një organizim përpara SPAK-ut. Kjo është një vullnet i secilit prej nesh dhe nuk ka ndonjë organizim nga Partia e Lirisë,” tha Caka.

Ajo u ndal gjithashtu te arrestimi i ish-presidentit, duke e cilësuar atë si një veprim banditesk dhe një shkelje të të drejtave të njeriut.

“Është shumë e qartë që nuk ishte një mënyrë arrestimi, por një tentativë rrëmbimi që, fatmirësisht, nuk pati pasoja më të rënda. Skenari nuk ishte i tillë, dhe ju besoj e keni të qartë. Është shumë e kuptueshme mënyra si duhet të shoqërohet një ish-president; ta arrestosh në atë mënyrë, pa logo policie, pa uniforma dhe pa një urdhër-arresti, është një shkelje e hapur e lirive themelore të të drejtave të njeriut”, tha ajo.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Përfaqësuesit e PL mblidhen përpara GJKKO, Caka: Meta nuk u arrestua, por u rrëmbye appeared first on Euronews Albania.

Caktohet data e protestës së PD në Parlamentin Evropian

16 October 2024 at 12:14

Protesta e deputetëve të opozitës në Parlamentin Europian në Strasburg do të mbahet më datë 23 tetor.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se do të jenë mbi 40 deputetë të PD që do protestojnë. Ata do të kërkojnë sensibilizim dhe mbështetje për kauzat e opozitës.

Protesta do jetë gjatë zhvillimit të seancës plenare në Parlamentin Europian në Strasburg.

Përveç protestës, mësohet se deputetët e PD do të zhvillojnë takime me përfaqësues dhe anëtarë të Parlamentit Europian.

Protesta e fundit e opozitës u zhvillua në Tiranë më 7 tetor dhe erdhi si reagim pas dënimit me 1 vit burg dhe më tej arrestimit të ish-deputetit të PD Ervin Salianji lidhur me dosjen “Babale”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Caktohet data e protestës së PD në Parlamentin Evropian appeared first on Euronews Albania.

Protesta kundër dhunës ndaj grave në Turqi

13 October 2024 at 10:51

Protesta kundër dhunës ndaj grave në Turqi

Qindra gra kanë protestuar në qytetet turke kundër vrasjes së grave, pas raportimit të dy rasteve në Stamboll.

Qindra persona kanë bërtitur zëshëm kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe partisë së tij me rrënjë islamike, AKP.

“Ju jeni një Qeveri që lejoni vrasjen e grave”, ka thënë organizatorja e marshit, Gunesh Fadime Ahsahin, para turmës.

Gulizar Sezer, nëna e një gruaje të re që është vrarë, ka thënë se duhet t’i jepet fund “masakrimit të vajzave tona”.

Trupi i vajzës së saj është gjetur ne qershor, pasi fillimisht është gjuajtur në det, i mbështjellë në një tepih.

Protesta tjera janë mbajtur në Ankara dhe Izmir, sipas Federatës për të Drejta të Grave.

Protesta të ngjashme janë mbajtur çdo ditë gjatë javës, në qytete të ndryshme, kryesisht nëpër kampuse universitare.

Protestat kanë shpërthyer prej vrasjes së dy vajzave të reja në javën e fundit, brenda 30 minutave.

I dyshuari për vrasje e ka vrarë më pas edhe veten.

I dyshuari dhe dy gratë kanë qenë të moshës 19-vjeçare, kanë thënë zyrtarët.

 

The post Protesta kundër dhunës ndaj grave në Turqi appeared first on Euronews Albania.

Rama për protestën e opozitës: Partaike, dy protesta qytetare ka patur që nga 2013-a

By: fra nc
12 October 2024 at 10:51

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e organizuara nga opozita, duke i cilësuar ato si “manifestime politike për interesa të pushtetit”,

Gjatë podkastit të tij “Flasim”, Rama theksoi se këto protesta nuk janë manifestime të qytetarëve por organizime partiake në përpjekje për të fituar pushtet.

Rama bëri një ndarje mes protestave qytetare dhe atyre politike, duke përmendur se në Shqipëri ka pasur vetëm dy protesta të vërteta gjatë kohës së tij në qeveri: protesta kundër armëve kimike dhe ajo e studentëve.

Për këto protesta, kryeministri vlerësoi se ato kishin një ndjeshmëri të brendshme dhe një energji që tërhiqte qytetarët, duke krijuar një atmosferë elektrizuese që rritej vazhdimisht.

“Dy protesta ka pasur në Shqipëri që kanë qenë protesta, sa kohë jam unë këtu, të tjerat nuk janë protesta, janë shfaqje manifestime politike, për interesa për pushtet, nuk janë qytetare.

Janë protesta partie, ka një traditë protestash në Shqipëri, e kemi bërë edhe ne kur ishim në opozitë, por nuk janë qytetare, janë organizime partie, mbledhin njerëz. Sipas sensit që njerëzit kanë të nuhatjes së tyre, jemi më afër jemi më larg të mundësisë së marrjes së pushtetit përmes fitores, vijnë më shumë, vijnë më pak dhe po gjithmonë i sjellin ca njerëz. Dy protesta mbaj mend unë, ajo e armëve kimike sapo kam filluar dhe protesta e studentëve”, tha Rama.

Ai gjithashtu kritikoi përfshirjen e forcave politike në protestën e studentëve, duke e quajtur këtë një ndërhyrje të padëshiruar, që përfaqësonte një trup të huaj në atë që duhet të ishte një lëvizje e pastër qytetare.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama për protestën e opozitës: Partaike, dy protesta qytetare ka patur që nga 2013-a appeared first on Euronews Albania.

Theu masën e arrestit e doli në protestën e opozitës, lihet në burg Sokol Bushkolaj

11 October 2024 at 12:12

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg protestuesin Sokol Bushkolaj, të arrestuar pas protestës së 7 tetorit.

Prokuroria kërkoi arrest në burg me pretendimin se protestuesi kishte thyer edhe masën e sigurisë arrest shtëpie, lidhur me një vendim të mëparshëm të gjykatës.

Bushkolaj akuzohet për largim nga vendi i qëndrimi, për goditje për shkak të detyrës dhe shkatërrim prone me zjarr.

Ditën e enjte u lanë në arrest shtëpie me kërkesë të prokurorisë dy protestuesit e tjerë Xhevahir Rrushi dhe Gentian Tuga.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Theu masën e arrestit e doli në protestën e opozitës, lihet në burg Sokol Bushkolaj appeared first on Euronews Albania.

Protestuesit serbë provokojnë shqiptarët në një kafiteri në veri të Mitrovicës

By: fra nc
10 October 2024 at 15:56

Qytetarë të shumtë serbë kanë protestuar sot para objektit të policisë në veri të Mitrovicës, kundër arrestimit të liderit të ‘Demokracisë serbe’, Aleksandar Arsenijeviq që ka ndodhur të mërkurën pasdite.

Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Arsenijeviqit, ndërsa mbanin në duar pankarta në gjuhën serbe dhe angleze me përmbajtje “EULEX cila rregull është kjo”, “A është BE e shqetësuar”, “Veç le të shkoj me radhë” , pankartë kjo me fotografi të kryeministrit Kurti, etj.

Nënkryetari i ‘Demokracisë serbe’, Stefan Veljkoviq, tha për KosovaPress se sot qytetarët po protestojnë kundër represionit që po bëhet ndaj serbëve nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

“Sot jemi duke protestuar kundër represionit që po e zbaton qeveria e Albin Kurtit dhe do të vazhdojmë të protestojmë edhe ditët në vijim’, ka thënë Veljkoviq.

Protestuesit, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të “Listës serbe”, pas rreth një orë qëndrimi para objektit të policisë, janë nisur këmbë në drejtim të urës kryesore të Ibrit. Me t’u ofruar pranë njw lokali nw veri, i cili ishte i mbushur me mysafirë shqiptarë, filluan thirrjet ‘Serbia, Serbia’, duke provokuar kështu mysafirët që ishin ulur në këtë lokal, ndërsa disa prej tyre afroheshin krejt afër duke ju fishkëlluar para fytyrave. Vetëm falë reagimit të mençur të policisë, pjesëtarët e së cilës ishin rreshtuar para këtij lokali, është evituar ndonjë incident i mundur.

Protesta ka zgjatur më shumë se një orë e gjysmë dhe policia ka vëzhguar gjatë gjithë kohës situatën nga afër.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Protestuesit serbë provokojnë shqiptarët në një kafiteri në veri të Mitrovicës appeared first on Euronews Albania.

Meta reagon për protestën: Nuk do të ketë më asnjë minutë paqe

By: fra nc
8 October 2024 at 15:08

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi këtë të martë një konferencë me gazetarët ku u ndal dhe te protesta kombëtare e opozitës.

Kreu i PL tha se protesta ishte një shprehje legjitime e revoltës ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Meta theksoi se përballja me atë që e cilësoi si “Narkoshteti” është një mision i rëndësishëm për të rivendosur demokracinë dhe sigurinë për familjet shqiptare, duke bërë thirrje për një përshkallëzim të protestave deri në arritjen e objektivave të vendosur.

“Mirënjohje dhe falenderim për dhjetëra mijëra qytetarë dinjitozë, kurajozë dhe guximtarë, që folën qartë me protestën dhe zemëratën e tyre legjitime kundër Narkoshtetit të Edi Ramës, i provuar tanimë si armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, të dinjitetit njerëzor, por edhe të interesave kombëtare të mbarë shqiptarëve.

Ngritja e qytetarëve dhe përshkallëzimi i domosdoshëm i protestës qytetare dhe përballja pa kthim dhe me çdo çmim me Narkoshtetin është tanimë e vetmja rrugë dhe alternativë që ka mbetur për të rivendosur shtetin ligjor dhe llogaridhënien, për të mbrojtur dhe garantuar rikthimin e pluralizimit politik, të demokracisë dhe njëkohësisht sigurinë e familjeve shqiptare.

Narkoshteti nuk do të ketë më asnjë minutë paqe dhe ai e kuptoi qartë se beteja e tij me qytetarët nuk do të fitohet kurrë duke helmuar popullin me gaz dhe as duke përdorur dhunën dhe provokimet e Narkopolicisë.

Përdorimi kriminal dhe jo proporcional i dhunës, i gazit lotsjellës deri tek fëmijët dhe të moshuarit, si dhe arrestimet e paligjshme provuan se Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e NarkoPushtetit, që ka humbur jo vetëm besimin, por edhe misionin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

Çdo shtet ka mafien e tij, por dihet botërisht se këtu mafia ka shtetin e vet dhe një falenderim të veçantë për të gjitha mediat botërore për pasqyrimin e jashtëzakonshëm që i kanë bërë protestës së mbrëmshme. Ndaj, shporrja një orë e më parë e kumbarit të krimit, Edi Ramës, është objektivi dhe misioni kryesor për të gjithë shqiptarët e ndershëm, patriotë dhe me dinjitet!”- tha Meta.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Meta reagon për protestën: Nuk do të ketë më asnjë minutë paqe appeared first on Euronews Albania.

“Mosbindja civile do të përshkallëzohet”- Berisha reagon pas protestës së opozitës

By: fra nc
8 October 2024 at 13:38

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të martë një konferencë me gazetarët, ku u ndal gjerësisht te proteta e opozitës.

Berisha theksoi se mosbindja civile do të vazhdojë dhe do të përshkallëzohet, duke e quajtur këtë një përgjigje të nevojshme ndaj një “narko-diktature”.

Kreu i PD shtoi se protesta e 7 tetorit ishte një shprehje e fortë e revoltës qytetare ndaj qeverisë aktuale dhe nënvizoi se mosbindja civile do të ketë sisynim krimin e qeverisë teknike përpara zgjedhjeve.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

Prandaj nëse shihje mbrëmë komentet e popujve europianë, në titujt e medieve ndërkombëtare, kishin vetëm admirim për ju.

Dhe për ironi të fatit.

Mbrëmë, kur gjithë popujt e botës së lirë, të përfaqësuara nga mediat e tyre, solidarizoheshin me opozitën shqiptare, të përulurit e zakonshëm të narkoregjimit dukej se për ne kishin përsëri vetëm sulme te shpëlara.

Ata janë papagajtë e zakonshëm të qeverisë, që ashtu si çdo natë, në studiot televizive bënin opozitën e opozitës.

Janë po ata që deri dje thoshin opozita është e mbaruar se nuk reagon. Ndërsa mbrëmë thanë se opozita reagoi se është e mbaruar.

Janë po ata që u mërzitën se dogjëm disa kazanë plehrash, por nuk thanë një fjalë për vajzën e vogël që u helmua me gaz nga narkopolicia e Edi Ramës, si të ishim në Sirinë e Asadit.

Janë po ata që thanë dje se protestuesit dogjën babanë e artistes së njohur Juli Emiri, kur gjithë shqiptarët e panë në video narko-kriminelin me uniformë që jo vetëm i hodhi protestuesit të pafajshëm shishen molotov me qëllimin total për ta djegur, por në një krim edhe më të shëmtuar, në vend se të shuanin zjarrin që mbuloi protestuesin, zgjodhi të shuante me ujë zjarrin e pllakave.

Janë po ata që heshtën si fije bari për breshëritë me plumba me shotganë që vrasës gjakftohtë me uniformë shkrehen kundër protestuesve.

Janë këta shpifarakë që nuk shqipëruan një fjalë për helmimin me gaz toksik të banorëve të një lagjeje të tërë për të mbrojtur parlamentin e krimit, parlamentin e Spirogjokës.

Miq, sulmet e këtyre mjeranëve për ne janë nder, sepse këta janë qenie të denatyruara që ulin kokën kur vidhen.

Që kyçin gojën para së keqes.

Që buzëqeshin kur poshtërohen.

Që admirojnë dhunuesin e tyre.

Dhe jo vetëm kaq. Shumëkush prej tyre, në xhepa ka dhe paratë tuaja, që janë vjedhur me inceneratorë, me tendera e prokurime.

Por ne nuk jemi të tillë.

Ne jemi shqiptarë të guximshëm.

Që e duam demokracinë.

Që e duam lirinë.

Që e duam Europën.

Që kemi të shenjtë dinjitetin.

Dhe prandaj luftojmë.

Prandaj mosbindja do vazhdojë.

Prandaj mosbindja do përshkallëzohet.

Prandaj përballë narko-diktaturës do ketë vetëm mosbindje totale.

Sepse koha e narkoshtetit perëndoi përgjithmonë.

Tani është ora e guximtarëve.

Është radha jonë.

Votën nuk e falim!

Prandaj me hir ose me pahir, do ta kemi qeverinë teknike.

Që të garantojmë votën e lirë.

Dhe me votë të lirë, do të shohim kë do votojnë shqiptarët.

Rrofshi ju. Rroftë Partia Demokratike. Rroftë opozita, rroftë Shqipëria.

O sot o kurrë!

Është radha jone!

Fitore!

The post “Mosbindja civile do të përshkallëzohet”- Berisha reagon pas protestës së opozitës appeared first on Euronews Albania.

Mosbindja civile e opozitës, kush është ish-komandanti i FNSH i shpallur në kërkim

By: fra nc
8 October 2024 at 10:18

Pas protestës së opozitës në Tiranë, policia arrestoi një person dhe shpalli në kërkim nëntë të tjerë, përfshirë ish-komandantin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Shkodër, Hivzi Bushati.

Arresimet dhe shpalljet në kërkim erdhën pas akteve të kundërligjshme gjatë protestës, ku u përfshinë edhe disa të mitur, tre prej të cilëve janë proceduar në gjendje të lirë.

Duket se sipas policisë ish-kreu i FNSH është përfshirë në veprimet e dhunshme gjatë protestës së opozitës në kryeqytet.

Nga përleshjet dhe incidentet gjatë protestës, 10 efektivë të policisë mbetën të plagosur, ndërkohë që të lënduar mbetën dhe tre protestues.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi duke theksuar se një grup individësh kishin kaluar kufijtë e ligjit me veprimet e tyre të dënueshme, duke rrezikuar sigurinë publike.

Nga ana tjetër opozita deklaroi se protesta e 7 tetorit është vetëm fillimi i mosbindjes civile e cila do të shtrihet në të gjitha qytetet deri në arritjen e qeverisë teknike.

Demonstrata u përqendrua kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme.

Tubimi u karakterizua nga tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Krahas goditjeve me molotov ndaj institucioneve të sipërpërmendura, gjatë protestës pati dhe një sulm intensiv me lëndë plasëse ndaj selisë së Partisë Socialiste.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Mosbindja civile e opozitës, kush është ish-komandanti i FNSH i shpallur në kërkim appeared first on Euronews Albania.

Protesta e opozitës në Tiranë: Arrestohet 1 person, 3 të tjerë procedohen penalisht

By: fra nc
8 October 2024 at 09:30

Pas protestës së opozitës në Tiranë, policia ka ndërmarrë veprime ndaj personave që u përfshin në aktet e kundërligjshme, duke arrestuar një person dhe duke shpalllur në kërkim disa të tjerë.

Ky zhvillim ndodhi pas goditjeve me bomba molotov ndaj institucioneve publike gjatë protestës të së hënës, ku u përfshinë edhe disa të mitur, tre prej të cilëve janë proceduar në gjendje të lirë.

Nga përleshjet dhe incidentet gjatë protestës, 10 efektivë të policisë mbetën të plagosur, ndërkohë që të lënduar mbetën dhe tre protestues.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi duke theksuar se një grup individësh kishin kaluar kufijtë e ligjit me veprimet e tyre të dënueshme, duke rrezikuar sigurinë publike.

Nga ana tjetër opozita deklaroi se protesta e 7 tetorit është vetëm fillimi i mosbindjes civile e cila do të shtrihet në të gjitha qytetet deri në arritjen e qeverisë teknike.

Demonstrata u përqendrua kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme.

Tubimi u karakterizua nga tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Krahas goditjeve me molotov ndaj institucioneve të sipërpërmendura, gjatë protestës pati dhe një sulm intensiv me lëndë plasëse ndaj selisë së Partisë Socialiste.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Protesta e opozitës në Tiranë: Arrestohet 1 person, 3 të tjerë procedohen penalisht appeared first on Euronews Albania.

❌