Fenerbahçe ka siguruar kualifikimin në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, pasi fitoi 2-1 në udhëtim ndaj Lyonit dhe, falë kësaj, kaloi tutje me rezultat të përgjithshëm 4-3.
Një meritë të veçantë në këtë sukses pati edhe Vedat Muriqi, i cili e zhbllokoi sfidën në minutën e 24-t.
Sulmuesi kosovar reagoi shpejt pas një topi të kthyer në zonë dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë për 0-1.
Fenerbahçe e dyfishoi epërsinë vetëm katër minuta më vonë. Mason Greenwood ekzekutoi në mënyrë perfekte goditjen nga këndi, ndërsa Nathan Aké u ngrit më lart se të gjithë dhe me kokë shënoi për 0-2.
Në fund, skuadra turke e ruajti rezultatin dhe siguroi një sukses të madh, pasi Fenerbahçe është pjesë e fazës së ligës së Ligës së Kampionëve, pas 17 vitesh. /Telegrafi/
Manchester United ka nisur sezonin e ri me një problem të pazakontë jashtë fushës. Në ndeshjen e humbur 2-0 ndaj Hull Cityt, skuadra angleze u paraqit me fanella që nuk ishin në përputhje me rregulloret e Ligës Premier.
United luajti pa stemën zyrtare të Ligës Premier në mëngën e majtë. Sipas rregullores së garës, klubet që nuk kanë sponsor komercial në mëngë duhet ta vendosin stemën e Ligës Premier në të dyja mëngët.
Gabimi në fanellën e re
Problemi lidhet me përfundimin e marrëveshjes së Manchester United me kompaninë DXC Technology, e cila ishte sponsori i mëngës së klubit. Pas largimit të sponsorit, United duhej të vendoste logon e Ligës Premier në të dyja anët e fanellës.
Megjithatë, në sfidën ndaj Hull Cityt, lojtarët kishin stemën e Ligës Premier vetëm në mëngën e djathtë, ndërsa mëngën e majtë e kishin të zbrazët.
Në mëngën e djathtë, përveç logos së Ligës Premier, ishte edhe shenja e fushatës “No Room for Racism”.
Man United nuk do të ndëshkohet
Pavarësisht shkeljes së rregullores, Manchester United nuk pritet të marrë ndonjë dënim nga Liga Premier. Klubi dhe drejtuesit e ligës janë në dijeni të situatës dhe problemi pritet të korrigjohet para ndeshjes së ardhshme.
Klube të tjera si Chelsea, Sunderland dhe Crystal Palace, të cilat gjithashtu nuk kishin sponsor në mëngë, u paraqitën me stemën e Ligës Premier në të dyja mëngët.
Manchester United pritet që fanellën ta rregullojë për ndeshjen e radhës në Old Trafford, duke respektuar kështu rregulloren e garës. /Telegrafi/
Kampionia e Kosovës do ta zhvillojë të enjten nga ora 19:00 ndeshjen e kthimit të play-offit ndaj Inter D’Escaldes, në një përballje që pritet të përcaktojë fatin e skuadrës gjilanase në garat evropiane.
Ndeshja e parë, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfundoi me rezultat 2-2, duke lënë gjithçka të hapur për duelin në Andorrë. Për Dritën në atë takim shënuan Hajdin Salihu dhe Blerim Krasniqi.
Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu synon ta përsërisë suksesin e edicionit të kaluar, kur arriti të kalojë në fazën e ligës së Ligës së Konferencës dhe më pas siguroi edhe kualifikimin në play-off e fazës nokaut.
Trajneri Nuhiu ka bërë të ditur se skuadra ka analizuar në detaje kundërshtarin dhe kërkon një paraqitje më të mirë në ndeshjen e kthimit.
“Ndeshjet e tilla kërkojnë shumë përqendrim, shumë guxim dhe autoritet. Agresivitetin duhet ta shtojmë në ndeshjen e kthimit për ta marrë kualifikimin”, ka deklaruar Nuhiu.
Ai beson fuqishëm te grupi dhe te potenciali i skuadrës së tij, duke kërkuar që Drita të jetë në një nivel më të lartë se në ndeshjen e parë.
Në të njëjtën linjë është edhe Arb Manaj, një prej lojtarëve kryesorë të Dritës. Sulmuesi pranon se skuadra duhet të përmirësohet në aspektin defensiv dhe të shmangë gabimet që sollën dy golat e pranuar në Prishtinë.
“Jemi gati 100 për qind dhe shpresoj që nesër të dalim me fitore”, ka thënë Manaj.
Drita e pranon se ka një rol favorit në këtë përballje, por Manaj paralajmëron se kjo nuk mjafton për të siguruar kualifikimin.
“Mendoj se jemi pak më të favorizuar se kundërshtari, por duhet ta bëjmë maksimumin që të dalim me fitore”, u shpreh ai.
Drita tashmë e njeh mirë atmosferën e ndeshjeve të këtij niveli. Në edicionin e kaluar, gjilanasit bënë një paraqitje historike në fazën e ligës, ku grumbulluan tetë pikë dhe përfunduan në vendin e 20-të, duke siguruar kalimin në play-offin e fazës nokaut.
Tani, përpara tyre është edhe një tjetër mundësi për të shkruar histori në Evropë. Një fitore në Andorrë do t'i siguronte Dritës pjesëmarrjen për të dytin edicion radhazi në fazën e ligës të Ligës së Konferencës. /Telegrafi/
Vedat Muriqi po zhvillon një tjetër paraqitje fantastike me fanellën e Fenerbahçes, duke shënuar gol në përballjen ndaj Lyonit, në play-offin e Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi kosovar kishte kaluar Fenerbahçen në epërsi në minutën e 24-t, kur përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës, pas goditjes së parë me kokë dhe me një goditje të saktë realizoi për 1-0.
Ai arriti ta mposht portierin e Lyonit, Dominik Greif, duke konfirmuar rrezikshmërinë e tij në start.
Megjithatë, Fenerbahçe ka gjetur edhe golin e dytë. Nathan Aké u ngrit më lart pas një harkimi nga këndi dhe me një goditje të fuqishme me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.
Kështu, skuadra turke tashmë ka një epërsi të rëndësishme në ndeshjen e kthimit, ndërsa pas barazimit 1-1 në duelin e parë, Fenerbahçe është në avantazh 3-1 në rezultatin e përgjithshëm.
🔥 Fenerbahçe tura bir adım daha yaklaştı!
⚽ 24' Vedat Muriqi ⚽️ 28' Archie Brown
Şampiyonlar Ligi elemesi rövanşında Lyon karşısında 4 dakikada 2 gol bulan Fenerbahçe, şu anki skorla turu geçen taraf! pic.twitter.com/ps8OqptFrO — birazz futbol (@birazzfutboll) August 26, 2026
Muriqi po luan një rol kyç në këtë përballje, ndërsa Fenerbahçe është gjithnjë e më pranë objektivit për të siguruar kualifikimin. Ai kishte shënuar edhe në fundjavë, në fitoren e Fenerbahces ndaj Konyaspor. /Telegrafi/
Arbër Hoxha ka realizuar një gol të bukur me kokë për Dinamo Zagrebin në përballjen ndaj Vikingut, në ndeshjen e dytë të play-offit të Ligës së Kampionëve.
Jemi mësuar me gola të bukur nga distanca dhe driblime, por Hoxha kësaj here shënoi ndryshe.
Sulmuesi kosovar u ngrit më lart se të gjithë pas një harkimi në zonë dhe me një goditje të fuqishme me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke e kaluar Dinamon në epërsi 1-0 në minutën e 10-të.
Al Hilal ka arritur marrëveshje me Aston Villan për transferimin e sulmuesit anglez Ollie Watkins, duke i hapur rrugë një lëvizjeje të madhe në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Sipas raportimeve të Fabrizio Romanos, Aston Villa ka pranuar ofertën prej 58.4 milionë eurosh, plus edhe 2 milionë euro në bonuse për reprezentuesin e Anglisë. Watkins pritet të udhëtojë drejt Arabisë Saudite gjatë kësaj jave, pasi thuhet se dëshira e tij ishte të bashkohej pikërisht me Al Hilalin.
Watkins kishte qenë në qendër të spekulimeve gjatë ditëve të fundit dhe mungoi në ndeshjen hapëse të Aston Villas ndaj Brightonit, ndërsa interesi i Al Hilalit për të vazhdoi të rritej.
🚨🔵⚪️ BREAKING: Al Hilal have now agreed all details of deal to sign Ollie Watkins, here we go!
Exclusive details: Aston Villa accepted right now last bid worth €58.4m plus €2m add-ons for the English striker.
Ndërkohë, Aston Villa ka gjetur zëvendësuesin e tij te Chelsea.
Klubi nga Birmingham është pranë transferimit të Nicolas Jackson, për të cilin Chelsea kërkon rreth 70 milionë euro. Villa tashmë ka avancuar ndjeshëm në negociata dhe marrëveshja për sulmuesin senegalez është në fazat përfundimtare.
Jackson thuhet se ka dhënë dritën jeshile për transferimin dhe ka biseduar me trajnerin Unai Emery, i cili e njeh mirë sulmuesin nga koha kur ai luante te Villarreal.
🚨🟣🔵 Nicolas Jackson to Aston Villa deal being completed as Chelsea set to accept £65m package offered by #AVFC.
Jackson said yes to Villa project, spoke to Unai Emery and deal now at very final stages.
Kështu, nëse të dyja marrëveshjet përfundojnë sipas planit, Aston Villa do të humbë Watkinsin, por do ta zëvendësojë atë me Nicolas Jackson, në një prej lëvizjeve më interesante të ditëve të fundit të afatit kalimtar. /Telegrafi/
Werder Bremen ka shfaqur interesim konkret për Arijon Ibrahimovic, duke nisur negociatat me Bayern Munich për një transferim të mundshëm në formë huazimi.
Sipas raportimeve, klubi nga Bremeni synon ta marrë talentin kosovar në huazim për sezonin e ri, ndërsa interesim për 20-vjeçarin kanë shprehur edhe Union Berlin dhe Atalanta.
Ibrahimovic e ka vazhduar së fundmi bashkëpunimin me Bayern Munichun, pasi këtë vit ka rinovuar kontratën me kampionin gjerman.
🚨EXCL | Werder Bremen are exploring a loan move for Arijon Ibrahimovic.
Talks with the player’s agents and FC Bayern have started, but nothing is advanced yet.
Bayern and Ibrahimovic are open to a last-minute deal until Deadline Day.
Megjithatë, rritja e numrit të klubeve të interesuara tregon se e ardhmja e tij mund të jetë larg Bavarisë, të paktën përkohësisht, për t'i mundësuar më shumë minuta në futbollin profesionist.
Werder Bremen tashmë ka bërë hapin e parë dhe ka nisur bisedimet me Bayernin për huazimin e tij.
Donjeta Sadiku do të luftojë për medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi ka siguruar finalen në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Boksierja kosovare ka zhvilluar një rrugëtim të shkëlqyer deri në finale dhe tash e pret sfida më e rëndësishme e turneut. Përballë saj do të jetë Kristina Kuluhova, boksierja që përfaqëson Serbinë, por që ka prejardhje ruse.
Kuluhova është një kundërshtare me përvojë në arenën ndërkombëtare dhe ka garuar edhe në kategori më të larta të peshës.
Ajo ka qenë finaliste e Kampionatit Evropian U23 dhe është përballur me disa prej boksiereve të njohura evropiane.
Megjithatë, Donjeta Sadiku hyn në finale me një karrierë të pasur ndërkombëtare dhe me përvojë në garat më të mëdha. Ajo ka fituar medalje në kampionate evropiane dhe botërore, ndërsa tani synon ta shtojë koleksionin e saj edhe me arin e Lojërave Mesdhetare.
Sadiku e siguroi finalen pas një paraqitjeje bindëse në gjysmëfinale, ku mposhti greken Sofia Legaki me rezultat 5:0. Kosovarja ishte dominuese sidomos në dy raundet e para, ndërsa kundërshtarja u numërua nga gjyqtari në të dyja.
Në çerekfinale, Donjeta kishte triumfuar ndaj turkes Esmanur Lok me rezultat 4:1.
Tash, të gjitha sytë janë te finalja. Donjeta Sadiku do të kërkojë medaljen e artë për Kosovën, në një duel që sjell përballë saj një boksiere ruse me flamurin e Serbisë. /Telegrafi/
Donjeta Sadiku është kualifikuar në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke siguruar të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.
Boksierja kosovare do të luftojë për medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë, ku në finale do të përballet me Kristina Kuluhovan e Serbisë. Kuluhova është me prejardhje ruse, por garon nën flamurin e Serbisë.
Sadiku ishte bindëse në gjysmëfinale, ku e mposhti greken Sofia Legaki me vendim unanim të gjyqtarëve, 5:0.
Boksierja kosovare e nisi fuqishëm meçin dhe që në raundet e para vendosi ritmin e përballjes. Legaki u numërua nga gjyqtari si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin, ndërsa në raundin e tretë grekja tentoi të rikthehej në meç. Megjithatë, Sadiku e menaxhoi mirë përballjen deri në fund dhe siguroi fitoren e merituar.
Në çerekfinale, Sadiku kishte mposhtur turken Esmanur Lok me rezultat 4:1, ndërsa ndaj Legakit tregoi një paraqitje edhe më dominuese.
Me këtë sukses, Donjeta Sadiku vazhdon të jetë një prej figurave kryesore të sportit kosovar dhe tashmë ka siguruar një tjetër medalje në një ngjarje të madhe ndërkombëtare.
Boksierja kosovare ka fituar medalje në garat më të rëndësishme evropiane dhe botërore, ndërsa medalja olimpike mbetet një prej objektivave të saj kryesore.
Tani, Sadiku është vetëm një fitore larg medaljes së artë të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”. /Telegrafi/
Mitrovica e ka mbyllur me barazim pa gola ndeshjen e parë ndaj Metalist 1925 të Ukrainës, në kuadër të raundit të parë kualifikues të UEFA Women’s Europa Cup.
Përballja e zhvilluar të mërkurën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, përfundoi me rezultatin 0:0.
Skuadra ukrainase krijoi më shumë mundësi për gol gjatë ndeshjes, por futbollistet e Mitrovicës u mbrojtën mirë dhe arritën ta ruajnë portën e paprekur.
Vendimi për skuadrën që do të vazhdojë tutje do të merret në ndeshjen e kthimit, e cila zhvillohet më 1 shtator në Shkup.
Ky është vetëm edicioni i dytë i Women’s Europa Cup, garë që përfaqëson nivelin e dytë kontinental për klubet e futbollit të femrave. Për Kosovën, ky është edicioni i parë në këtë kompeticion.
Mitrovica e siguroi pjesëmarrjen në Europa Cup pas një kampanje të mirë në UEFA Women’s Champions League. Në raundin e parë kualifikues, kampionia e Kosovës mposhti kampionen e Moldavisë në gjysmëfinale, ndërsa në finale triumfoi ndaj kampiones së Bullgarisë.
Në raundin e dytë kualifikues të Champions League, Mitrovica u mposht nga Brann i Norvegjisë, por fitorja ndaj Ferencvárosit të Hungarisë bëri që skuadra mitrovicase të siguronte kalimin në Europa Cup.
Kualifikimi mbetet plotësisht i hapur dhe do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Shkup. /Telegrafi/
Mbrojtësi kosovar i FC Zürichut, Lindrit Kamberi, ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen ndaj Basel.
Klubi zviceran ka bërë të ditur se kapiteni i Zürichut ka pësuar thyerje të katërfishtë të ashtit të hundës, pas një goditjeje me bërryl nga Ludwig Malachowski.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së së shtunës, ndërsa Kamberi pati gjakderdhje të konsiderueshme nga hunda dhe u detyrua të merrte trajtim mjekësor për disa minuta.
Në reagimin e tij, Zürich ka shprehur pakënaqësi për vendimin e gjyqtarit, duke e cilësuar ndërhyrjen si akt të qartë dhune. Malachowski u ndëshkua vetëm me karton të verdhë, ndërsa VAR-i nuk ndërhyri.
Për momentin nuk dihet nëse Kamberi do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e fundjavës. Vendimi do të varet nga gjendja e tij pas dëmtimit.
Kamberi është një prej futbollistëve të rëndësishëm të Zürichut dhe mban edhe shiritin e kapitenit të skuadrës./Telegrafi/
Mislav Karoglan nuk do të jetë më trajner i Ballkanit. Klubi nga Suhareka ka njoftuar se trajneri kroat, për arsye personale, ka vendosur të mos vazhdojë në krye të skuadrës.
Karoglan u emërua në krye të Ballkanit me synimin për ta udhëhequr skuadrën drejt objektivave të klubit, ndërsa sezonin e kaluar e përfundoi në vendin e tretë në Superligën e Kosovës.
“E falënderojmë për punën dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Ishte kënaqësi ta kishim pjesë të familjes së Ballkanit dhe i jemi mirënjohës për kontributin e tij në klub”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Klubi nga Suhareka i ka uruar Karoglanit suksese, shëndet dhe mbarësi në vazhdim të jetës dhe karrierës.
Në garat evropiane, Ballkani nën drejtimin e tij u përball me Bohemians të Irlandës, të cilën e eliminoi pas ekzekutimit të penalltive.
Sezonin e ri, Ballkani e kishte nisur me një humbje dhe një fitore, para se klubi të njoftonte përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin kroat.
Gjatë karrierës së tij, Karoglan ka drejtuar disa klube të njohura, përfshirë Hajduk Split, Istra 1961 dhe Sheriff Tiraspol, përpara se të merrte drejtimin e Ballkanit.
Ballkani tani pritet të nisë kërkimet për trajnerin e ri, i cili do ta marrë përsipër skuadrën në vazhdim të sezonit. /Telegrafi/
FC Drenica e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në UEFA Futsal Champions League, duke regjistruar edhe fitoren e dytë në raundin paraeliminator.
Skuadra kuqezi triumfoi bindshëm ndaj klubit nga San Marino, Murata, me rezultat 11-1, duke vazhduar paraqitjet e shkëlqyera në këtë turne.
Drenica e kishte nisur aventurën me fitore të thellë edhe në ndeshjen e parë, ku mposhti Sakaryan, ndërsa tash ka dy fitore në dy ndeshje.
Në fitoren ndaj Muratës, golashënues për Drenicën ishin Mërgim Dervishaj, Drilon Haxhijaj dhe Diar Deliu që shënuan nga dy herë, ndërsa nga një gol shtuan Jakup Ramadan, Lirigzon Xhinovci, Visar Aliu dhe Sebastian Sanchez, ndërsa një prej golave, ishte autogol.
Tashmë, Drenicës i ka mbetur edhe ndeshja e fundit e raundit paraeliminator, ndaj Ujpest, e cila zhvillohet pas dy ditësh.
Me dy fitore në dy ndeshje dhe një golaverazh impresiv, Drenica synon ta mbyllë këtë fazë me rezultat pozitiv dhe të vazhdojë rrugëtimin evropian. /Telegrafi/
Kristjan Asllani do të vazhdojë karrierën në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi Interi ka arritur marrëveshje me Al Jazira për transferimin e mesfushorit shqiptar.
Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, Asllani do t’i bashkohet klubit nga Abu Dhabi në formë huazimi për 2 milionë euro, me detyrim blerjeje prej 4.5 milionë eurosh në fund të sezonit.
Kështu, Interi mund të arkëtojë gjithsej 6.5 milionë euro nga largimi i mesfushorit.
Asllani, i cili u transferua te Interi nga Empoli në vitin 2022, nuk arriti të sigurojë një rol të rregullt në formacionin zikaltër. Pas katër sezoneve në Milano, 24-vjeçari është gati për një aventurë të re në futbollin e Emirateve.
Mesfushori vjen pas një periudhe huazimi te Besiktas, ku në sezonin e fundit të Superligës turke regjistroi 2 gola dhe 2 asistime në 14 paraqitje, ndërsa pati edhe tri paraqitje në Kupën e Turqisë.
24-vjeçari kishte vendosur të largohej nga Italia pas eksperiencës te Torino. Ai iu bashkua klubit torinez në verën e vitit 2024, por nuk arriti të fitonte një vend të rregullt në skuadër dhe u rikthye te Interi në mënyrë të parakohshme. Me Torinon, Asllani zhvilloi 15 ndeshje nga gushti deri në janar të vitit 2025.
Al Jazira e ka bindur Asllanin me projektin e saj, ndërsa marrëveshja tashmë është arritur mes të gjitha palëve dhe pritet vetëm finalizimi i procedurave. /Telegrafi/
Andi Zeqiri pritet të largohet nga Widzew Lodz, pavarësisht pagës së lartë që përfiton në klubin polak. Sulmuesi zviceran po shqyrton rikthimin në Belgjikë, ku interesim për të ka shfaqur ish-klubi i tij, Standard Liège.
Zeqiri, 27-vjeçar, po kalon një periudhë të vështirë te Widzew Lodz. Ai nuk është përfshirë në asnjërën nga pesë ndeshjet e para të këtij sezoni në Ekstraklasë.
Situata e tij u përkeqësua që nga marsi i vitit 2026, kur në krye të skuadrës erdhi trajneri Aleksandar Vuković. Nën drejtimin e tij, Zeqiri ishte titullar vetëm në një ndeshje dhe në shtatë të tjera u aktivizua nga stoli.
Në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit sezonin e kaluar, ai luajti vetëm 25 minuta, ndërsa mungesa e minutave bëri që të mos ishte në garë për një vend në përfaqësuesen e Zvicrës për Kupën e Botës.
Paga e lartë pengon rikthimin në Zvicër
Zeqiri përfiton rreth 1.5 milionë euro neto në vit në Poloni, një shifër që e bën të vështirë rikthimin e tij në Superligën zvicerane.
Një nga klubet që kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit ishte Sioni, por presidenti Christian Constantin e ka bërë të qartë se paga e lojtarit është problem.
“Andi fiton shumë në Poloni. Është e komplikuar”, ka deklaruar Constantin.
Standard Liege interesohet për Zeqirin
Tani, sipas ekspertit belg të transferimeve Sacha Tavolieri, Standard Liège po shqyrton rikthimin e Zeqirit.
Sulmuesi zviceran ka luajtur më parë për klubin belg, në sezonin 2024/25, kur ishte i huazuar nga Genk. Aventura e tij në Liège ishte mjaft pozitive, pasi në 26 ndeshje shënoi 10 gola dhe dhuroi katër asistime.
Standardi po kërkon një sulmues të ri pasi Dennis Eckert Ayensa pritet të largohet nga klubi. /Telegrafi/
Më 29 gusht mbyllen regjistrimet për High Scardus Ultra 2026 – mbi 180 vrapues nga më shumë se 15 shtete janë tashmë pjesë e garës
Prizren, Kosovë – 26 gusht 2026 – Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në mbylljen e regjistrimeve për edicionin e pestë të High Scardus Ultra, që do të zhvillohet më 5 shtator 2026 në Malet e Sharrit, duke lidhur Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes vrapimit malor, natyrës dhe aventurës.
Deri tani, më shumë se 180 vrapues nga mbi 15 shtete janë regjistruar për edicionin e sivjetmë, duke e bërë High Scardus Ultra një nga ngjarjet më të rëndësishme të trail running në rajon.
“High Scardus Ultra tashmë është më shumë se një garë. Është një pikë takimi për komunitetin e trail running, outdoor-it dhe të gjithë atyre që e duan malin. Këtë vit kemi mbi 180 vrapues nga më shumë se 15 shtete dhe duam që Andrra–Marash të jetë vendi ku të gjithë takohen, ndajnë përvojat dhe festojnë bashkë,” tha Uta Ibrahimi, organizatore e High Scardus Ultra.
High Scardus Ultra ofron katër gara të ndryshme, të përshtatura për nivele të ndryshme të përvojës dhe përgatitjes: Bear Trail – 10K, në Prizren; Jelak Trail – 20K, në zonën e Popova Shapkës; Oshlak Skyrace – 35K, në Prizren; Scardus Ultra – 58K, gara ndërkufitare që nis në Popova Shapkë, Tetovë, dhe përfundon në Marash, Prizren.
Të gjitha garat sjellin një kombinim të sfidës sportive, peizazheve malore dhe përvojës së veçantë që ofrojnë Malet e Sharrit.
Andrra–Marash shndërrohet në EXPO VILLAGE
Përveç garave, këtë vit Andrra–Marash në Prizren do të jetë qendra e aktiviteteve të High Scardus Ultra, duke pritur EXPO VILLAGE, ku do të mblidhen vrapues, kompani, partnerë dhe përfaqësues të komunitetit outdoor.
EXPO do të jetë një hapësirë ku vizitorët mund të takojnë brende dhe kompani aktive në sport, outdoor dhe aventurë, të njihen me produktet dhe shërbimet e tyre dhe të jenë pjesë e atmosferës së garës.
Në kuadër të EXPO VILLAGE do të jetë edhe CHILL ZONE, një hapësirë e dedikuar për relaks, takime dhe socializim, ku partnerët e eventit, përfshirë Red Bull, Tripika, Decathlon, Onze dhe të tjerë, do të krijojnë një atmosferë të veçantë për vrapuesit dhe vizitorët.
“Për këtë arsye, EXPO VILLAGE dhe CHILL ZONE janë pjesë e rëndësishme e edicionit të sivjetmë. Duam që njerëzit të vijnë jo vetëm për të garuar, por edhe për ta përjetuar atmosferën, komunitetin dhe Prizrenin.”
High Scardus Ultra është një garë e njohur me UTMB Index dhe ITRA National League, dhe përmes organizimit të saj synon të promovojë turizmin aktiv, natyrën, sportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar, duke e pozicionuar Sharrin si një destinacion të rëndësishëm për trail running dhe aventurë në Ballkan.
REGJISTRIMET MBYLLEN MË 29 GUSHT
Mbi 180 vrapues. Më shumë se 15 shtete. 4 gara. 1 Sharr.
Për ata që ende nuk janë regjistruar, 29 gushti është afati i fundit.
High Scardus Ultra është një garë ndërkombëtare e vrapimit malor që zhvillohet në Malet e Sharrit dhe lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes sportit, natyrës dhe aventurës. Gara organizohet nga Butterfly Outdoor Adventure (BOA) dhe Sharr Outdoors dhe këtë vit shënon edicionin e pestë. Gara përkrahet nga Red Bull Kosova, Uji Trepika, Decathlon, Onze, Natusana, VM3, dhe 2U Healthy Snacks, si dhe me partnerë Komunën e Prizrenit, Parku Nacional "Sharri", Breath, Skyrunning Kosova, IBEX, dhe Elevate Outdoor Adventure.
Eventi zhvillohet më 5 shtator 2026, me katër gara: 10K Bear Trail, 20K Jelak Trail, 35K Oshlak Skyrace dhe 58K Scardus Ultra. /Telegrafi/
Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka vendosur të tërheqë mbështetjen për Gianni Infantinon në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, që do të mbahen në mars të vitit 2027.
Vendimi i Italisë lidhet me disa prej iniciativave të fundit të presidentit të FIFA-s, veçanërisht me planin për shitjen e të ardhurave të ardhshme nga Kupat e Botës te investitorët privatë.
Kjo ide është kundërshtuar më herët edhe nga UEFA, AFC dhe CONCACAF, ndërsa përpara Italisë, Infantinos i kishin tërhequr mbështetjen edhe gjashtë federata nordike: Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Islanda dhe Ishujt Faroe, si dhe të Shqipërisë.
Në një deklaratë zyrtare, FIGC bëri të ditur se vendimi i saj është në përputhje me qëndrimin e UEFA-s dhe presidentit të saj, Aleksander Ceferin.
“FIGC ka vendosur të tërheqë mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në mars 2027”, thuhet në deklaratë.
Federata italiane theksoi se me këtë vendim dëshiron të shprehë qartë qëndrimin e saj lidhur me mënyrën se si FIFA po planifikon menaxhimin dhe zhvillimin e garave ndërkombëtare.
Malagò: Futbolli duhet të bazohet në solidaritet
Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, tha se Italia do të vazhdojë bashkëpunimin me UEFA-n dhe federatat e tjera evropiane për të mbrojtur një model futbolli të bazuar në meritë sportive, solidaritet, qëndrueshmëri dhe rolin e tifozëve.
“Ne përfaqësojmë një model dialogu, respekti për mendimet e të tjerëve dhe përgjegjësie të përbashkët”, deklaroi Malagò.
Tërheqja e mbështetjes nga Italia përbën një goditje të rëndësishme për Infantinon, i cili synon të sigurojë një tjetër mandat në krye të FIFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. /Telegrafi/
Atlético Madrid ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth Julián Álvarez dhe interesimit të Barcelonës për sulmuesin argjentinas.
Sipas MARCA, drejtuesit e klubit madrilen janë të irrituar me mënyrën se si është trajtuar çështja dhe besojnë se Atlético është dëmtuar si financiarisht, ashtu edhe në aspektin e imazhit.
“Lojtari po portretizohet si viktimë, por viktimat e vetme në rastin Julián jemi ne”, kanë deklaruar burime brenda klubit.
Atlético vazhdon të mbajë qëndrim të prerë se Álvarez nuk do të shitet te Barcelona, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të klubit katalanas.
“Ka 0% shanse të shkojë te Barcelona”
Nga Atlético Madridi bëjnë të qartë se nuk bëhet fjalë për çështje financiare, por për një parim.
“Ka 0% shanse që ta shesim te Barça. Kjo situatë nuk ka të bëjë me paratë, por me dinjitetin”, raportohet të kenë thënë drejtuesit e klubit.
Sipas tyre, gjatë muajve të fundit është krijuar një situatë e mbushur me “gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta”, ndërsa dëmin më të madh po e pëson Atlético.
Klubi madrilen gjithashtu ka ndërmend të përditësojë ankesën e mëparshme, duke përfshirë edhe veprimet që, sipas tyre, janë ndërmarrë nga Barcelona dhe përfaqësuesi i lojtarit, Fernando Hidalgo.
Oferta e rinovimit dhe 150 milionë eurot
Atlético pretendon se në mars i kishte ofruar Álvarezit një kontratë të re, e cila do ta bënte atë lojtarin më të paguar të klubit, me pagë që do të rritej nga 7 në 10 milionë euro. Sulmuesi nuk e pranoi ofertën.
Klubi gjithashtu pretendon se kishte vendosur një afat deri më 20 qershor për një ofertë prej 150 milionë eurosh, pa përfshirë komisionet, por kjo ofertë nuk mbërriti asnjëherë në zyrat e Atlético Madridit.
Atlético mbështet lojtarin për gjendjen shëndetësore
Pavarësisht tensioneve, klubi thekson se do të vazhdojë ta mbështesë Álvarezin në aspektin shëndetësor.
Argjentinasi aktualisht është jashtë për shkak se nuk ndihet mirë dhe Atlético ka vënë në dispozicion të tij ekipin mjekësor, me synimin që ai të rikthehet te skuadra vetëm kur të jetë plotësisht i gatshëm.
Klubi, megjithatë, thekson se çështjet e shëndetit mendor duhet të trajtohen me seriozitet dhe se nuk është e pranueshme që tema të tilla të përdoren në mes të një konflikti transferimi.
Ndërkohë, qëndrimi i Atlético Madridit mbetet i pandryshuar: Julián Álvarez nuk do të shitet te Barcelona. /Telegrafi/
Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra ka pësuar humbje 3:0 në sete nga Turqia, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Volejbollistet kosovare zhvilluan një ndeshje të luftuar, por Turqia ishte më e saktë në momentet vendimtare. Dy setet e para përfunduan 25:17, ndërsa i treti 25:18.
Me këtë humbje, Kosova e mbyll grupin në vendin e tretë, pas Turqisë dhe Greqisë, duke mbetur jashtë gjysmëfinales.
Kosova kishte pësuar humbje edhe ndaj Greqisë, ndërsa kishte mposhtur Algjerinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale, Kombëtares së Kosovës i duhej fitorja ndaj Turqisë. /Telegrafi/
Quincy Promes dikur ishte një nga futbollistët më të talentuar të Holandës. Ai shkëlqeu me Ajaxin dhe Spartak Moskën, luajti 50 ndeshje për Kombëtaren holandeze, ndërsa karriera e tij dukej se po shkonte drejt majave.
Sot, 34-vjeçari ndodhet në burg, pasi është dënuar për trafik droge dhe plagosjen me thikë të kushëririt të tij.
Promes u formua te akademia e Ajaxit, por u largua nga klubi në moshën 16-vjeçare për shkak të problemeve disiplinore. Megjithatë, ai nuk hoqi dorë nga futbolli dhe e rindërtoi karrierën te Twente.
Shpërthimi i madh erdhi te Spartak Moska, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të mirë të kampionatit rus. Në sezonin 2016/17, ai ndihmoi Spartakun të fitonte titullin pas 16 vitesh dhe u shpall lojtari i vitit në Rusi. Më pas kaloi te Sevilla dhe Ajax, ku vazhdoi të ishte një prej lojtarëve kryesorë.
Problemet nisën jashtë fushës
Në vitin 2020, Promes u përfshi në një incident familjar ku goditi me thikë kushëririn në këmbë/gju gjatë një feste familjare në Holandë.
Në mars të vitit 2026, gjatë procesit të apelit, Promes pranoi për herë të parë se e kishte goditur me thikë kushëririn, por mbrojtja e tij argumentoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe në një situatë të tensionuar.
Por kjo nuk ishte çështja e vetme që e përfshiu futbollistin.
1,300 kilogramë kokainë
Promes u dënua gjithashtu për përfshirje në trafikimin e më shumë se 1,300 kilogramëve kokainë, të transportuar përmes portit të Antwerpit.
Sipas prokurorisë holandeze, ai ishte pjesë e një rrjeti kriminal dhe kishte përfituar rreth 8 milionë euro nga aktiviteti i paligjshëm. Në maj të këtij viti, autoritetet kërkuan që këto para t'i konfiskohen.
Promes vazhdon të mohojë përfshirjen në trafikimin e kokainës.
Qëndroi jashtë Holandës dhe përfundoi në burg
Për një kohë të gjatë, Promes qëndroi në Rusi, ku vazhdoi të luante për Spartak Moskën, pasi autoritetet ruse nuk e ekstraduan në Holandë.
Në vitin 2024, megjithatë, ai u arrestua në Dubai pas një incidenti me makinë dhe më vonë u ekstradua në Holandë në qershor 2025.
Për dy çështjet, Promes mori gjithsej 7 vjet e gjashtë muaj burg – gjashtë vjet për trafik droge dhe 18 muaj për plagosjen e kushëririt. Ai ka apeluar të dyja vendimet. Seanca kryesore e apelit është caktuar për 30 nëntor dhe 2 dhjetor 2026 në Amsterdam.
Nga një yll i Ajaxit dhe Kombëtares së Holandës, te një futbollist që sot lufton për lirinë e tij – historia e Quincy Promes është një nga rëniet më të bujshme të një futbollisti profesionist në vitet e fundit. /Telegrafi/