Vetëm pak ditë pas publikimit të këngës së saj më të re, Luana Vjollca ka ndarë me ndjekësit disa pamje të reja nga prapaskenat e projektit.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, Luana shfaqet elegante dhe plot ngjyra, e veshur me një fustan të gjelbër, teksa pozon në një ambient buzë detit.
Skenografia verore dhe atmosfera e relaksuar i japin fotografive një tjetër dimension, duke sjellë për publikun pamje nga realizimi i projektit të saj më të fundit.
Krahas imazheve, këngëtarja ka zgjedhur një mbishkrim të shkurtër, por domethënës: “Edhe sa vera me t’prit?”.
Postimi ka marrë menjëherë vëmendjen e ndjekësve, të cilët kanë reaguar ndaj pamjeve të reja të artistes.
Ndërkohë, Luana duket se po vazhdon të ndajë gradualisht momente nga puna dhe prapaskenat e projektit të saj të ri, duke mbajtur të gjallë kureshtjen e fansave për atë që ka përgatitur këtë verë. /Telegrafi/
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ashpërsuar retorikën e tij kundër planeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke paralajmëruar dërgimin e një letre zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë në Kosovë, Avni Islami, kjo lëvizje e presidentit serb tregon qartë përpjekjen e Beogradit për ta zhvendosur çështjen nga niveli lokal në arenën më të lartë ndërkombëtare dhe diplomatike.
Islami vlerëson se, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të NATO-s, Serbia synon ta zbehë autoritetin vendimmarrës të institucioneve të Kosovës dhe ta vendosë NATO-n, përkatësisht KFOR-in, përballë përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për ruajtjen e status quo-së.
Ai thekson se paralajmërimi për dërgimin e një letre zyrtare përbën një përshkallëzim të ri politik, i cili mund të ketë pasoja edhe në aspektin e sigurisë.
Sipas Islamit, përmes kësaj retorike, Vuçiçi synon të arrijë tri objektiva kryesore: të ushtrojë presion mbi KFOR-in dhe të sigurojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të trupave të NATO-s në bllokimin e vendimeve sovrane të institucioneve të Kosovës.
Po ashtu, ai tenton të ndërtojë një narrativë sipas së cilës hapja e urës paraqitet si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e komunitetit serb, duke përdorur frikën si instrument presioni.
Një tjetër qëllim, sipas Islamit, është forcimi i propagandës së brendshme, përmes së cilës Beogradi përpiqet të paraqitet si garantuesi i vetëm i sigurisë dhe i ekzistencës së serbëve në Kosovë./Telegrafi/
Aftësia e vetëkontrollit, përshtatjes dhe qetësimit zhvillohet gradualisht, nëpërmjet marrëdhënieve me të tjerët, përvojave jetësore dhe me ndihmën e vazhdueshme të të rriturve.
Në fakt, fëmijët ende nuk mund t’i rregullojnë emocionet e tyre në mënyrën që bëjnë të rriturit, sepse vetërregullimi nuk është një aftësi me të cilën lindin, por një aftësi që ende nuk e kanë zotëruar.
Kjo nuk do të thotë që prindërit duhet të pranojnë çdo sjellje. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis vetë emocionit, të cilin fëmija ende ka vështirësi ta kontrollojë, dhe mënyrës se si shprehet ai. Zemërimi lejohet, por goditja, fyerja ose shkatërrimi i gjërave kërkon vendosjen e kufijve të qartë dhe mësimin gradual të reagimeve të ndryshme. Fëmijët nuk mësojnë të kontrollojnë zemërimin duke mos e ndjerë kurrë, por duke zbuluar ngadalë se çfarë mund të bëjnë me atë ndjenjë, me ndihmën e një të rrituri të qetë.
Truri është ende në zhvillim e sipër
Truri i fëmijëve, veçanërisht në moshë të re, nuk ka të njëjtën aftësi për vetërregullim si të të rriturve. Kur një fëmijë është i pushtuar nga zemërimi, pjesa e trurit përgjegjëse për qetësimin dhe kontrollin e sjelljes nuk është zhvilluar ende plotësisht. Si rezultat, fëmijët shpesh reagojnë në mënyrë impulsive, para se të kenë pasur kohë të mendojnë për pasojat.
Nuk i njeh ose nuk i emërton ndjenjat
Ndonjëherë zemërimi shoqërohet me trishtim, frikë, xhelozi, lodhje ose një ndjenjë padrejtësie. Një fëmijë mund të mos jetë në gjendje të thotë: "Jam i lënduar" ose "Ndihem i lënë pas dore", kështu që ai i shpreh ndjenjat e tij të vërteta përmes zemërimit. Nëse prindërit i mësojnë fëmijës së tij të njohë dhe t'u vërë emër emocioneve të tij, kjo mund ta ndihmojë shumë atë t'i kontrollojë ato më lehtë.
Lodhje, uri dhe stimulim i tepërt
Kur një fëmijë është i uritur, i lodhur ose i mbingarkuar nga zhurma, ekranet dhe përgjegjësitë e shumta, është shumë më e vështirë për të që të ruajë ekuilibrin emocional. Një situatë që normalisht do të ishte e durueshme për të, në momente të tilla, mund të provokojë një reagim shumë të fortë.
Fëmijët mësojnë duke parë të rriturit
Fëmijët mësojnë duke imituar. Nëse shpesh shohin të rritur që bërtasin, ofendojnë ose reagojnë dhunshëm kur janë të zemëruar, ka të ngjarë të përvetësojnë modele të ngjashme sjelljeje. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që prindërit dhe të rriturit e tjerë të tregojnë me shembull se është e mundur të jesh i zemëruar pa lënduar të tjerët.
Nevoja emocionale të pakënaqura
Ndonjëherë shpërthimet e shpeshta të zemërimit shkaktohen nga nevoja për vëmendje, siguri, pranim ose një ndjenjë kontrolli mbi jetën e dikujt. Një fëmijë që ndihet i keqkuptuar mund të përdorë zemërimin për të treguar se diçka është e rëndësishme për të dhe se ka nevojë për ndihmë.
Reprezentuesi i Belgjikës, Diego Moreira, është zyrtarisht lojtar i Milanit, pasi ka kompletuar transferimin nga Strasbourg.
Sulmuesi anësor 22-vjeçar ka nënshkruar kontratë me “Rossonerët” deri në vitin 2031, ndërsa kostoja totale e marrëveshjes raportohet të jetë rreth 65 milionë euro, përfshirë bonuset.
Operacioni është negociuar nga agjenti portugez Jorge Mendes, i cili gjatë kësaj vere kishte luajtur rol edhe në transferimin e sulmuesit Goncalo Ramos nga Paris Saint-Germain te Milani.
Megjithatë, ekzistojnë raportime të ndryshme sa i përket strukturës së saktë financiare të marrëveshjes.
Sipas “Sky Sport Italia”, Milani do t’i paguajë Strasbourgut 45 milionë euro si shumë fikse, ndërsa marrëveshja mund të shkojë deri në 65 milionë euro përmes bonuseve, disa prej të cilave janë më të vështira për t’u aktivizuar.
Moreira kishte qenë në negociata të avancuara edhe me RB Leipzig, por Milani ndërhyri dhe arriti marrëveshjen për transferimin e tij.
Belgu mbërriti në Itali të martën, ku iu nënshtrua testeve mjekësore, ndërsa kontratën me Milanin e ka nënshkruar vetëm këtë mbrëmje.
Moreira do ta bartë fanellën me numrin 22 te klubi italian./Telegrafi/
Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Nuno Mendes, është dënuar me tri ndeshje pezullim nga Komisioni Disiplinor i LFP-së, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e Superkupës së Francës.
Reprezentuesi portugez u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 87-të të humbjes 1-0 ndaj Lensit, pasi goditi me bërryl Michał Skoras pranë vijës së mesfushës.
Si pasojë e dënimit, 24-vjeçari do të mungojë në ndeshjen hapëse të PSG-së në Ligue 1 ndaj Rennesit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Roazhon Park”.
Mendes do të jetë gjithashtu i pezulluar për dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit, ndaj Lilles dhe Monacos, duke i shkaktuar kështu një mungesë të rëndësishme trajnerit Luis Enrique në fillim të sezonit.
Ndërkohë, edhe lojtari i Lensit, Kyllian Antonio, është dënuar me dy ndeshje pezullim për kartonin e kuq të marrë në minutën e 39-të, pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Maghnes Akliouche. /Telegrafi/
Një furrë e pastër mund të bëjë një ndryshim të dukshëm në pamjen, aromën dhe pastërtinë e përgjithshme të kuzhinës.
Kur yndyra e pjekur, mbetjet e ushqimit dhe papastërtitë e vështira krijohen brenda furrës, gjetja e një mënyre efektive për ta pastruar mund të jetë e vështirë. Edhe pse në internet gjenden shumë metoda, shumë prej tyre kërkojnë disa produkte ose përdorimin e kimikateve.
Një metodë e njohur, e publikuar nga The Kitchn, përfshin përdorimin e një përbërësi natyral në vend të pastruesve të fortë kimikë. Kjo mënyrë natyrale për pastrimin e furrës është bërë një zgjedhje e preferuar për shumë njerëz që duan të përdorin alternativa më miqësore me mjedisin dhe është gjithashtu mjaft efektive.
Metoda bazohet te soda e bukës, e përzier me ujë për të krijuar një pastë që mund të përhapet lehtësisht.
Në varësi të nivelit të papastërtisë së furrës, mund t’ju duhet edhe pak uthull e bardhë për të ndihmuar në heqjen e mbetjeve të sodës së bukës në fund.
Fillimisht, përgatisni një pastë të trashë duke përzier sodë buke me ujë. Përzierja duhet të jetë mjaftueshëm e trashë për t’u përhapur dhe jo shumë e hollë, ndaj shtojeni ujin gradualisht.
Përhapeni përzierjen natyrale mbi sipërfaqet e ndotura të furrës, duke u përqendruar veçanërisht në zonat me yndyrë, papastërti dhe mbetje ushqimi të djegura.
Lëreni përzierjen të qëndrojë për disa orë, në mënyrë që soda e bukës të zbusë papastërtitë. Ekspertët rekomandojnë ta lini të veprojë të paktën 12 orë.
Pasi të ketë kaluar kjo kohë, merrni një leckë të lagur dhe fshini sa më shumë nga soda e bukës së tharë. Një shpatull plastike ose silikoni mund t’ju ndihmojë të hiqni më lehtë pastën e ngjitur.
Nëse mbetjet janë të vështira për t’u hequr, një sasi e vogël uthulle të bardhë mund të ndihmojë. Uthulla do të reagojë me sodën e bukës, duke krijuar një shkumë të lehtë. Në fund, merrni një leckë të lagur dhe fshini çdo mbetje të mbetur.
Soda e bukës është një përbërës i njohur për pastrimin e shtëpisë dhe njihet për aftësinë e saj për të shpërbërë yndyrën dhe papastërtitë. Ajo është gjithashtu e lirë dhe mund të blihet për vetëm 69 pena në dyqane si Home Bargains ose në supermarkete.
Edhe limonët mund të përdoren për pastrimin e furrës. Mjafton të vendosni lëngun e dy limonëve në një enë me ujë dhe ta vendosni në furrë. Ngrohja e butë e ujit do të krijojë avull, i cili do të ndihmojë në zbutjen e papastërtive dhe yndyrës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se negociatat me Iranin mund të rinisin “në një pikë”, por shtoi se është i kënaqur me situatën aktuale.
I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë më 19 gusht lidhur me mundësinë e rinisjes së bisedimeve me Iranin, Trump tha se: “Aktualisht, mendoj se situata është e mirë”. Ai shtoi se negociatat mund të rinisin “ndoshta në një pikë”.
Presidenti Trump po ashtu përsëriti qëndrimin se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.
“Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, tha ai, duke shtuar se Irani “nuk mund të ketë armë bërthamore dhe nuk do të ketë”.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara e kanë “nën zotërim, nën kontroll të plotë” këtë rrugë ujore, duke shtuar se aktiviteti i mbetur iranian është një “bezdi”, kur Irani herë pas here rrëzon ndonjë dron.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi kompaninë e inteligjencës tregtare Kpler, sipas së cilës gjashtë anije që transportojnë mallra kaluan nëpër ngushticë më 18 gusht, krahasuar me nëntë një ditë më parë dhe nën mesataren ditore prej 11 anijesh gjatë 10 ditëve të fundit.
Deklaratat e Trumpit vijnë dy ditë pas skadimit të periudhës 60-ditore të negociatave, të përcaktuar në bazë të një memorandumi mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iranit, të nënshkruar në qershor. Memorandumi synonte të krijonte një kornizë për përfundimin e konfliktit, parandalimin që Irani të kishte një armë bërthamore dhe rikthimin e lirisë së lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Periudha 60-ditore skadoi pa një marrëveshje përfundimtare dhe negociatat janë bllokuar. SHBA-ja thotë se Irani e shkeli memorandumin e qershorit duke sulmuar anije tregtare në ngushticë gjatë korrikut, gjë që nxiti rinisjen e veprimeve ushtarake amerikane.
Ndërkohë, kujtojmë Avdyli ka qenë kapiten i Kosovës U21, si dhe është një nga lojtarët që Shqipëria po provon ta bindë, për ta veshur fanellën “Kuq e Zi”./Telegrafi/
Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu, ka bërë të ditur se gjatë dy viteve të fundit janë hetuar shtatë raste të spiunazhit, në të cilat dyshohet se persona të ndryshëm kanë qenë të rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë – BIA.
Në një intervistë për RTK-në, Kodraliu ka thënë se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës.
“Më konkretisht, deri më tani kemi shtatë raste të spiunazhit me disa persona të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të strukturave nga Agjencia e Inteligjencës serbe (BIA)”, ka deklaruar Kodraliu.
Sipas tij, deri më tani janë katër aktgjykime dënuese për veprat penale të spiunazhit, ndërsa dy prej tyre tashmë janë të formës së prerë.
“Kemi dy aktgjykime dënuese të cilat veç janë të formës së prerë, respektivisht të të dënuarit Aleksandër Vlajiq, si dhe të të dënuarit tjetër Bojan Jevtiq, të cilët që të dy kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ne kemi ofruar edhe prova konkrete”, ka thënë ai.
Dy të dënuarit ishin zyrtarë të lartë policorë
Kodraliu ka theksuar se ndjeshmërinë e këtyre rasteve e shtojnë edhe pozitat që kanë mbajtur disa prej personave të dënuar.
Sipas tij, Aleksandër Vlajiq dhe Bojan Jevtiq kanë qenë zyrtarë të lartë në Policinë e Kosovës.
“Njëri ka qenë toger me gradë në Policinë e Kosovës, më konkretisht në pikën kufitare në Kamenicë, dhe tjetri ka qenë zyrtar i inteligjencës së policisë në pjesën e Veriut të Mitrovicës”, ka deklaruar Kodraliu.
Ai ka thënë se pikërisht për shkak të pozitave të tyre, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e provave.
Rasti i Aleksandër Vlajiqit
Duke folur për rastin e Aleksandër Vlajiqit, Kodraliu ka bërë të ditur se ai është dënuar edhe për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë, në dhjetor të vitit 2022.
Sipas tij, gjatë ekzaminimit të telefonave të Vlajiqit janë gjetur dëshmi që kanë çuar në inicimin e hetimeve për spiunazh.
“Nga ekzaminimi i telefonave të të dënuarit Aleksandër Vlajiq kemi vërejtur dëshmi të mjaftueshme që të iniciojmë edhe rastin për spiunazh, e që nga sigurimi i provave të tjera kemi vërtetuar edhe para gjykatës që i njëjti ka qenë edhe i rekrutuar tek shërbimi inteligjent serb, më konkretisht te zyrtari, respektivisht personi përgjegjës i BIA-s në rajonin e Novipazarit”, ka deklaruar Kodraliu.
Ai ka bërë të ditur se nga ky hetim është iniciuar rast penal edhe ndaj një zyrtareje nga Mitrovica e Veriut, e cila ka qenë pjesë e misionit të OSBE-së në Kosovë.
Sipas Kodraliut, ajo është dënuar në shkallën e parë, ndërsa çështja aktualisht është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit.
“Për këtë arsye duhet të jem pak i rezervuar në trajtimin e kësaj zyrtareje, respektivisht e cila është duke u proceduar në gjykatë”, ka thënë ai.
Kodraliu për rastin Sheholli: Synohej dëmtimi i figurave politike
Prokurori Kodraliu ka folur edhe për rastin e Fatmir Shehollit, duke thënë se ai dyshohet se ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb, konkretisht për një zyrtar të lartë të BIA-s për kundërterrorizëm, Bojan Dimiq.
Sipas Kodraliut, ndihma dyshohet se është ofruar për zbatimin e një misioni që kishte për qëllim dëmtimin e disa figurave politike në Kosovë.
“Fatmir Sheholli ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb, konkretisht për zyrtarin e lartë të BIA-s për kundërterrorizëm, Bojan Dimiq, në implementimin e një misioni me qëllim të dëmtimit të disa figurave politike në Kosovë”, ka deklaruar Kodraliu.
Ai ka theksuar se, sipas hetimeve, synimi ishte që dëmtimi i këtyre figurave politike të ndodhte para zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë.
“E, çka është më e rëndësishmja, dëmtimi është synuar të shkaktohet para zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë”, ka thënë Kodraliu.
Prokuroria Speciale vazhdon të trajtojë rastet e dyshuara të spiunazhit, ndërsa një pjesë e procedurave gjyqësore ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar.
Trupat e dy alpinistëve belgë që u zhdukën në alpet vicerane 34 vjet më parë janë identifikuar pasi u ekspozuan nga shkrirja e akullit, raportoi të mërkurën agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Një alpinist gjeti mbetjet në një akullnajë në Zvicrën jugore pranë kufirit italian në korrik, sipas policisë rajonale të Valais.
Trupat u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Spitalin Valais në Sion, ku testet e ADN-së konfirmuan se ato u përkisnin alpinistëve që u zhdukën në zonën Weissmies në vitin 1992, tha policia. Burrat ishin 39 dhe 41 vjeç kur u zhdukën.
Policia e Valais mban të dhëna për njerëzit e raportuar si të zhdukur në rajon që datojnë që nga viti 1925, përfshirë ata që u zhdukën në zona malore dhe përgjatë lumenjve.
Shkrirja e akullnajave ka ekspozuar gjithnjë e më shumë mbetjet e alpinistëve që kishin qenë të bllokuar në akull për vite ose dekada, sipas ANSA-s.
Vitin e kaluar, eshtrat e një alpinisti zviceran i cili u zhduk në vitin 1994 u gjetën në një akullnajë në Ober Gabelhorn në Valais.
Pal Shtufi ka rrëfyer detaje për një nga momentet që, sipas tij, e kanë tronditur më së shumti në raport me Riza Salihun, pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Në intervistën për ciklin “Dosjet” të emisionit “Debat Plus”, Shtufi tha se për vrasjen e tyre e kishte mësuar në mbrëmje, përmes lajmeve televizive, ndërsa disa ditë më vonë Riza Salihu kishte ardhur në shtëpinë e tij, rreth 700 kilometra larg.
Shtufi tha se fillimisht kishte menduar se Salihu kishte ardhur për ngushëllime, por më pas, sipas tij, e kuptoi se arsyeja ishte tjetër.
“Pas dy-tre ditëve, se besoj që e katërta ditë ka qenë, kur Rizahu vjen te ne. Edhe një befasi e dorës së parë. Nja 700 kilometra po vjen. Ne mendja na shkon që për ngushëllim se s’ka tjetër. Edhe, siç e përshkruaj edhe në libër, ai jo, ka ardhur për diçka tjetër. Policia e kanë kërkuar, edhe thotë, s’kam alibi”, rrëfeu Shtufi.
Ai tha se në atë kohë nuk e kuptonte as domethënien e fjalës “alibi” dhe kërkoi nga Salihu t’ia shpjegonte.
Sipas Shtufit, Salihu kishte thënë se kishte qenë në banesën e tij dhe se nuk mund ta dëshmonte këtë, ndërsa vizita te Shtufi do t’i shërbente si dëshmi se kishte qenë me ta.
“Vetë kam qenë në banesë, nuk mund me dhënë dëshmi që kam qenë në banesë. Edhe, domethënë, me u shpreh se këtu kam qenë te ju. Ne duhet me thënë, me dëshmu që jo, ka qenë këtu”, tha Shtufi.
Ai tregoi se nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj dhe se situata në shtëpi ishte tensionuar.
Shtufi tha se gjatë bisedës Salihu kishte dhënë edhe versione kontradiktore për fatin e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
“Tha, jo s’është i vrarë. Gestapo-ja, këto domethënë Shërbimi sekret i Hitlerit, thotë, ka mbaruar një skenë asisoj, sikur këta janë vrarë, po në fakt këta i kanë çuar në shërbime të tjera, ua ndërrojnë identitetin, kështu gjëra, nuk janë vrarë”, rrëfeu ai.
Por, sipas Shtufit, më vonë Salihu kishte ndryshuar qëndrim dhe kishte thënë se tre veprimtarët ishin vrarë.
“Tha, po ata janë të vrarë se UDB-ja i ka vrarë vetë”, tha Shtufi, duke rrëfyer fjalët që ia atribuoi Salihut.
Shtufi tha se kjo e kishte bërë atë të përballej me Salihun me pyetjen se, nëse tre personat nuk ishin vrarë, pse ai kishte nevojë për alibi.
“Po pse thashë vetë? Tha, po e kanë kryer punën ata, s’ju duhen më. Thashë, po çfarë kanë kryer bre vëlla?”, rrëfeu Shtufi.
Ai tha se, nga perspektiva e sotme, mendon se Salihu mund të ketë pasur frikë se Shtufi dhe të tjerët mund ta denonconin në polici, ndonëse theksoi se vetë në atë kohë nuk e kuptonte rëndësinë e kërkesës për alibi.
“Unë as ia dija rëndësinë asaj alibie. As s’e kam shkuar në mendja me e thirr”, tha ai.
Sipas Shtufit, Salihu më pas u largua nga shtëpia dhe ai e përcolli deri në një stacion të vogël të trenit.
“Bile e përcolla deri te një stacion i vogël të trenit, edhe shkoi”, tregoi Shtufi.
Ai shtoi se Salihu ishte arrestuar atë ditë ose të nesërmen, ndërsa pas rreth një viti e kishte telefonuar sërish.
“Pas një viti ai telefonon prapë dhe thotë: ‘Ju dogjën Gestapos letrat në dorë. Dola nga burgu’”, rrëfeu Shtufi.
Shtufi tha se kjo ngjarje kishte ndikuar fuqishëm në mënyrën se si e kishte parë më pas Riza Salihun.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës intervistë, Shtufi kishte deklaruar se Salihu e kishte akuzuar Jusuf Gërvallën si bashkëpunëtor të UDB-së dhe kishte pretenduar se shërbimi sekret jugosllav e kishte dërguar atë në Perëndim për ta shkatërruar lëvizjen ilegale shqiptare.
Shtufi, megjithatë, tha se nuk ka bindje se Riza Salihu ka qenë vetë në shërbim të UDB-së, duke theksuar se për këtë çështje nuk dëshiron të japë një gjykim përfundimtar.
Një rast përdhunimi po hetohet nga autoritetet policore në Mykonos, pas ankesës së një turisteje italiane 18-vjeçare, e cila çoi edhe në arrestimin e një shtetasi 23-vjeçar nga Kosova.
Sipas asaj që 18-vjeçarja raportoi tek autoritetet, incidenti ndodhi në një shezlong në një bar plazhi të njohur në ishull, ku ajo ndodhej me 23-vjeçarin.
Siç raportohet, turistja e re dyshohet se kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe, siç pretendoi në deklaratën e saj, ishte në një gjendje në të cilën nuk ishte në gjendje të rezistonte.
Sipas ankesës së saj, “23-vjeçari dyshohet se ka përfituar nga gjendja e saj dhe ka kryer një akt seksual pa pëlqimin e saj”, raporton CNN grek.
Pas ankesës, oficerët e policisë nisën hetimet për të gjetur dhe identifikuar burrin e treguar nga 18-vjeçarja.
Autoritetet arritën të identifikonin 23-vjeçarin, një shtetas të Kosovës, i cili u gjet në zonën e Platys Gialos dhe u arrestua.
I arrestuari pritet të dalë para autoritetit kompetent të prokurorisë, ndërsa çështja tani është në duart e gjyqësorit.
Këngëtarja e njohur Olivia Rodrigo ka bërë një gjest të veçantë ndaj një prej fansave të saj, duke i paguar në mënyrë private shpenzimet e universitetit.
Jamie Causey, e cila tashmë është diplomuar për marrëdhënie me publikun, ka rrëfyer publikisht se ylli i muzikës i dhuroi 5 mijë dollarë për të mbuluar kostot e semestrit të fundit në Universitetin e Alabamës. Gjithçka nisi me një mesazh privat në TikTok.
Historia daton në fillim të vitit 2025, kur Causey, asokohe 21-vjeçare, mori një mesazh të papritur nga Rodrigo.
Fillimisht, këngëtarja kishte komentuar në një video të saj për ditëlindjen dhe e kishte uruar. “Edhe vetëm kjo për mua kishte shumë rëndësi”, ka treguar Causey.
Më vonë, ajo publikoi një video në të cilën foli hapur për vështirësitë financiare me të cilat po përballej për të përfunduar studimet.
“Shpjegova se isha personi i parë në familjen time që ndiqte universitetin dhe se po e kisha të vështirë të paguaja semestrin e fundit. Nuk po kërkoja para apo mëshirë, thjesht po tregoja sinqerisht situatën time”, ka rrëfyer ajo.
Në Universitetin e Alabamës, tarifa e shkollimit për studentët rezidentë të shtetit është rreth 5,959 dollarë për semestër.
Pas publikimit të videos, Olivia Rodrigo i shkroi privatisht Causey-t.
“Ajo më tha se i pëlqenin videot e mia dhe se isha një burim pozitiviteti dhe drite për të. Donte të më ndihmonte që të diplomohesha. Dhe pikërisht këtë bëri”, ka treguar Causey.
Në mesazhin, një screenshot të të cilit ajo e ka publikuar, Rodrigo i shkruante: “Përshëndetje vajzë! E di që nuk njihemi, por më pëlqejnë shumë videot e tua. Dukesh si një vajzë jashtëzakonisht e sjellshme dhe fantastike dhe je vërtet një burim pozitiviteti dhe drite në jetën time! E pashë videon tënde të fundit për tarifën e universitetit dhe do të doja të të ndihmoja, nëse je dakord. Është fantastike që je kaq pranë diplomimit! A ke Venmo që të të dërgoj disa para?”
E befasuar nga mesazhi, Causey iu përgjigj: “O Zot, përshëndetje! E adhuroj muzikën tënde. Më vjen keq, TikTok-u ma kishte filtruar mesazhin dhe sapo e pashë. Fjalë për fjalë do të qaj”.
Ajo më pas i tregoi këngëtares se kishte një llogari Venmo, por nuk e kishte publikuar atë, pasi mendonte se askush tjetër nuk ishte përgjegjës për vendimin e saj për të ndjekur universitetin.
“Ishe ti ajo që më dha forcë përmes muzikës tënde dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam pasur ndjesinë sikur po ëndërroja. Të lutem, mos u ndiej e detyruar për asgjë, por në këtë moment do të pranoja çdo ndihmë”, i shkroi ajo.
Në prill të po atij viti, Causey mori një tjetër mesazh, këtë herë nga përfaqësuesi i Olivia Rodrigos, i cili konfirmonte se këngëtarja i kishte dërguar 5 mijë dollarë për tarifën e universitetit.
Pas kësaj, Causey publikoi një video falënderimi për yllin e muzikës.
“Olivia, nuk e di nëse do ta kuptosh ndonjëherë se sa shumë do të thotë kjo për mua. Për shkak të teje ndihem sikur i përkas kësaj platforme. Nuk më kishe asnjë borxh. Thjesht zgjodhe të ishe e sjellshme me një të panjohur. Ti gjithmonë ke ndihmuar të tjerët dhe kjo është diçka që do ta kujtoj përgjithmonë”, u shpreh ajo. /Telegrafi/
Nëse jeni rregullisht të uritur deri në mes të mëngjesit, problemi mund të jetë mëngjesi juaj.
Nutricionistët theksojnë se njerëzit që ndihen të uritur rreth orës 11 të mëngjesit shpesh u mungon një element kyç në vaktin e tyre të parë.
Shumë mëngjese të njohura janë të pasura me karbohidrate, por të pakta me lëndë ushqyese që ju mbajnë të ngopur.
Rregulli i 30 sekondave për të kontrolluar mëngjesin
Kjo është arsyeja pse shumë njerëz hanë ushqime të lehta vetëm disa orë pasi kanë ngrënë, edhe nëse mëngjesi i tyre duket i bollshëm. Në vend që të ulin kaloritë ose të anashkalojnë vaktet, nutricionistët këshillojnë të bëjnë ndryshime të vogla që mund të bëjnë një ndryshim të madh.
Nutricionisti Oliver Goble rekomandon një metodë që ai e quan "kontrolli i mëngjesit". Është një proces që zgjat më pak se 30 sekonda dhe përbëhet nga tre pyetje të thjeshta që duhet t'i bëni vetes para se të hani.
"Njerëzit shpesh mendojnë se janë të uritur sepse nuk kanë ngrënë mjaftueshëm, por problemi është më shpesh një mëngjes i pabalancuar. Nëse merrni disa sekonda dhe kontrolloni se çfarë keni në pjatë, mund të përgatisni një vakt që do t'ju mbajë të ngopur për shumë më gjatë", tha Goble.
Kontroll i mëngjesit në tre hapa
Pyetja e parë që Goble këshillon është: "Ku është proteina?" Ai shpjegon se proteina ngadalëson tretjen dhe është një nga lëndët ushqyese që lidhen më fort me ndjenjën e ngopjes.
Një pyetje tjetër është: "Ku është fibra?" Goble shpjegon se ushqimet si tërshëra, manaferrat, buka integrale, frutat e freskëta dhe farat e pasura me fibra i shtojnë vëllim një vakti dhe ndihmojnë në ruajtjen e niveleve të qëndrueshme të energjisë.
Pyetja e fundit është: "A do të më ngopë kjo realisht deri në drekë?" Goble thotë se nëse mëngjesi juaj përbëhet kryesisht nga sheqer ose karbohidrate të rafinuara, ka të ngjarë të keni uri shumë më shpejt nga sa prisni.
"Nuk keni nevojë për një mëngjes të përsosur ose ushqime të shtrenjta. Qëllimi është thjesht të përfshini një ekuilibër të proteinave, fibrave dhe yndyrnave të shëndetshme sa herë që të jetë e mundur, pasi këto lëndë ushqyese punojnë së bashku për t'ju mbajtur të ngopur", tha ai.
Ndryshime të vogla për një ndryshim të madh
Rregullimet e thjeshta mund ta bëjnë mëngjesin dukshëm më të ngopur pa shumë përpjekje. Për shembull, shtimi i kosit grek dhe i manave në drithëra, spërkatja e arrave mbi qull, zgjedhja e bukës integrale në vend të bukës së bardhë ose shtimi i vezëve mund të ndihmojë në krijimin e një vakti të ekuilibruar, thotë Goble.
"Kur mëngjesi ju mban të ngopur për më gjatë, natyrshëm do të mendoni më pak për ushqimin gjatë gjithë pjesës tjetër të mëngjesit. Është një zakon i vogël i përditshëm, por me kalimin e kohës mund të ketë një ndikim çuditërisht të madh", shtoi ai.
Milani mund të përfshihet në një operacion spektakolar me Manchester Cityn, pasi Jorge Mendes po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje shkëmbimi mes dy klubeve, raporton Sport Mediaset.
Sipas raportimit, ideja është që Rafael Leao të transferohet te Manchester City, së bashku me një shumë parash nga Milani, ndërsa në drejtim të “Rossonerëve” do të vinte qendërmbrojtësi portugez, Ruben Dias.
Milani prej kohësh po kërkon një zgjidhje për të ardhmen e Leao. Kontrata e sulmuesit portugez skadon në vitin 2028, ndërsa deri më tani nuk është shfaqur ndonjë klub i gatshëm të paguajë rreth 50 milionë euro plus bonuse për kartonin e tij.
Jorge Mendes ka pasur një rol të rëndësishëm në strategjinë e merkatos së Milanit këtë verë. Agjenti portugez ka qenë i përfshirë në disa operacione të klubit, përfshirë ardhjen e trajnerit Ruben Amorim, transferimin e sulmuesit Goncalo Ramos nga Paris Saint-Germain dhe së fundmi Diego Moreiras nga Strasbourg.
Mendes raportohet se ka kaluar tërë pasditen në selinë e Milanit, “Casa Milan”, ku mund të ketë diskutuar edhe për operacionin e mundshëm me Manchester Cityn.
Ideja e tij do të ishte që Leao të transferohej në Angli, ndërsa Milani të merrte Ruben Dias dhe një shumë parash në kuadër të marrëveshjes.
Dias, i cili mbushi 29 vjeç në maj, konsiderohet një përforcim i madh për repartin defensiv të Milanit. Klubi italian tashmë ka afruar Mario Gilan nga Lazio, por kërkon të shtojë edhe më shumë cilësi në mbrojtje për t’i dhënë Amorimit lojtarë të përshtatshëm për filozofinë e tij.
Ruben Dias është gjithashtu i lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madridi gjatë kësaj vere, ndërsa Manchester City nuk ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron ta shesë qendërmbrojtësin.
Portugezi iu bashkua Manchester Cityt nga Benfica në vitin 2020 për 71.6 milionë euro dhe aktualisht ka kontratë me klubin anglez deri në qershor të vitit 2029./Telegrafi/
Shumë fraza në dukje të padëmshme që përdorin prindërit në komunikimin me fëmijët e rritur mund të burojnë nga pasiguritë dhe frikërat e tyre.
Ndërsa fëmijët bëhen më të pavarur, prindërit mund të ndihen më pak të nevojshëm dhe ky ndryshim në dinamikën e marrëdhënieve shpesh është i pakëndshëm për ta.
Njohja e modeleve të tilla të sjelljes është hapi i parë për prindërit dhe fëmijët drejt vendosjes së kufijve më të shëndetshëm dhe ruajtjes së një marrëdhënieje cilësore, shkruan YourTango.
"Kur planifikon të sistemohesh?"
Mbledhjet familjare mund të jenë stresuese për njerëzit që nuk janë në një lidhje, dhe kjo çështje vetëm sa rrit ndjenjat e vetmisë, veçanërisht në familjet që imponojnë pritje tradicionale. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se një deklaratë e tillë, edhe nëse bëhet me qëllime të mira, duhet të shmanget.
Jo vetëm që nënvlerëson aftësinë e një fëmije për të marrë vendime për veten e tij, por edhe injoron realitetin e tij. Fëmijët që zgjedhin të kalojnë kohë me ju meritojnë të vlerësohen për atë që janë, në fazën e jetës në të cilën ndodhen.
"Nuk ke idenë për çfarë po flet"
Kur prindërit sugjerojnë se fëmijët e tyre të rritur janë të paaftë të marrin vendimet e tyre, ata në fakt po përpiqen të ruajnë ndjenjën se janë ende të nevojshëm. Distancimi natyror që ndodh ndërsa fëmijët rriten mund të jetë i vështirë, por refuzimi dhe mohimi i pavarësisë së një fëmije nuk është një mënyrë e shëndetshme për t'u përballur me këtë ndryshim.
"Po sillesh shumë dramatikisht"
Psikologia e Harvardit, Dr. Cortney Warren, shpjegon se prindërit me tendenca narciste shpesh përdorin fraza të tilla për të zhvlerësuar dhe shpërfillur ndjenjat e fëmijës së tyre. Ndërsa mund të jetë e vështirë të dallosh këtë sjellje tek dikush që supozohet t'i besosh, është e rëndësishme të kujtojmë se njerëzit e shëndetshëm në jetën tonë gjithmonë do të bëjnë vend për ndjenjat tona, jo për të na poshtëruar.
"Në rregull, unë jam një prind i tmerrshëm"
Disa prindër mbështeten në deklarata të tilla manipuluese për të marrë rolin e viktimës. Kur një prind refuzon përgjegjësinë për veprimet e veta, kjo shkakton pakënaqësi tek fëmijët dhe i inkurajon ata të tërhiqen nga komunikimi. Nëse nuk ka bisedë të hapur, besim dhe dëgjim aktiv në marrëdhënie, nuk ka vend për përparim.
"Ajo që po thua nuk ka asnjë kuptim"
Kjo frazë vetëm sa i largon prindërit dhe fëmijët, dhe të dyja palët përfundojnë duke u ndjerë të keqkuptuara. Përshtatja me një dinamikë të re me një fëmijë të rritur mund të jetë e vështirë. Autorja Heather Pleet i inkurajon prindërit të përqafojnë bisedat e cenueshme dhe të ofrojnë mbështetje. Edhe nëse nuk i kuptoni plotësisht zgjedhjet e jetës së fëmijës suaj, gjeni një mënyrë për t'i ndihmuar, qoftë përmes gjesteve delikate apo pyetjeve të menduara mirë.
"Nuk ndodhi kështu"
Një studim i publikuar në revistën Psychology and Aging tregon se një pjesë e madhe e tensionit në marrëdhëniet e mëvonshme prind-fëmijë buron nga bisedat e pashëndetshme rreth fëmijërisë. Kur një fëmijë ndihet mjaftueshëm i sigurt për të ndarë problemet ose traumat me një prind, prindi duhet të ofrojë mbështetje, edhe nëse fëmija nuk i kujton ngjarjet në të njëjtën mënyrë.
Duke pretenduar se një fëmijë po i mban mend gabim ose po e ekzagjeron, prindërit jo vetëm që i nënvlerësojnë ndjenjat e fëmijës së tyre, por edhe shkatërrojnë besimin që është thelbësor për një marrëdhënie të shëndetshme.
"Le të mos e prishim atmosferën tani"
Kur prindërit thonë se shprehja e emocioneve të fëmijës së tyre "prish" socializimin, ata po i nënvlerësojnë ndjenjat e fëmijës së tyre, shpesh pa e kuptuar fare në atë kohë. Ata po dërgojnë mesazhin se ndjenjat e fëmijës së tyre janë një barrë ose një bezdi.
"Ta thashë mirë?"
Në vend të bisedës dhe dëgjimit të sinqertë, prindërit e papjekur emocionalisht përdorin fraza të tilla për të treguar dominancë. Kjo minon autonominë dhe aftësinë e fëmijës për të marrë vendime, gjë që krijon pakënaqësi dhe dëmton lidhjet familjare.
Terapistja Patricia Morgan thekson se qasja "Unë e dija më mirë" nuk e ndihmon kurrë komunikimin. Në fakt, ajo gërryen besimin dhe fëmijët ndiejnë sikur prindërit e tyre nuk i respektojnë, edhe pse duhet të ndihen mirë dhe të sigurt me ta.
"Do ta kuptosh kur të rritesh"
Kjo frazë është poshtëruese për një të rritur me pavarësinë e vet dhe mund të jetë shkatërruese emocionalisht për dikë që kërkon mbështetje. Ekspertët në Institutin Newport thonë se distancimi emocional, në të cilin asnjëra palë nuk ndihet e dëgjuar ose e kuptuar, është një nga arsyet kryesore pse fëmijët e rritur ndërpresin kontaktin me prindërit e tyre.
Pas historive të dashurisë që lindën brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova”, një tjetër çift i edicionit të katërt duket se po përgatitet për hapin e madh.
Bëhet fjalë për Kushtrimin dhe Aurorën, të cilët, sipas burimeve ekskluzive të Prive By Liberta Spahiu, pritet ta kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë.
Përgatitjet tashmë kanë nisur, ndërsa dasma pritet të mbahet në fillim të muajit tetor. Sipas të njëjtave burime, ceremonia do të organizohet sipas traditave shqiptare, ndërsa para dasmës Aurora pritet të ketë edhe kanagjegjin.
Historia e çiftit nisi brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova 4”, ku mes tyre u krijuan shkëndijat e para. Megjithatë, lidhja e tyre mori një tjetër formë pas përfundimit të reality show-t, kur dyshja zgjodhi ta vazhdonte historinë larg kamerave dhe në më shumë privatësi.
Lajmi për martesën e tyre vjen pak kohë pas një tjetër zhvillimi të rëndësishëm për një çift të krijuar në format. Ana dhe Kevini kanë konfirmuar se do të bëhen prindër për herë të parë, duke shënuar edhe ardhjen në jetë të fëmijës së parë nga një çift i krijuar në “Big Brother VIP Kosova”.
Ndërkohë, Kushtrimi po vazhdon të jetë aktiv edhe gjatë sezonit të dasmave, ndërsa Aurora është shndërruar në një prej figurave të pëlqyera të ekranit.
Nga njohja brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova 4” deri te përgatitjet për martesë, duket se tetori do të jetë muaji i veçantë për Kushtrimin dhe Aurorën. /Telegrafi/
Sipas gazetarit të COPE, Víctor Navarro, sulmuesi i Arsenalit, Viktor Gyokeres, po i ofrohet vazhdimisht Barcelonës si alternativë pas dështimit të përpjekjes së klubit katalanas për të transferuar Julian Alvarez nga Atletico Madridi.
Barcelona e ka intensifikuar kërkimin për një sulmues të nivelit të lartë, pasi drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë se klubi nuk dëshiron ta shesë Alvarezin.
Në këtë situatë, kampi i Gyokeres ka nisur të shtyjë fuqishëm për një transferim te Barcelona.
Sulmuesi suedez raportohet se e sheh klubin katalanas si një mundësi ideale për të siguruar një rol më të rëndësishëm dhe një vend të rregullt në formacionin e Hansi Flick.
Gyokeres, 28-vjeçar, pati një sezon debutues pozitiv me Arsenalin, duke shënuar 21 gola në 55 paraqitje.
Megjithatë, sulmuesi nuk ishte gjithmonë zgjedhja e parë në ndeshjet më të rëndësishme, madje mbeti jashtë formacionit titullar edhe në sfida prestigjioze si finalja e Ligës së Kampionëve.
Kjo situatë ka bërë që lojtari dhe përfaqësuesit e tij të jenë të hapur për një lëvizje gjatë kësaj vere, me Barcelonën që shihet si një destinacion shumë tërheqës.
Megjithatë, një marrëveshje nuk do të jetë e lehtë për t'u realizuar. Arsenali nuk është nën presion financiar për ta shitur sulmuesin, i cili iu bashkua klubit për rreth 63.5 milionë euro dhe ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2030.
Për Barcelonën, Gyokeres mund të shndërrohet kështu në një alternativë serioze ndaj Julian Alvarez, veçanërisht nëse përpjekjet për argjentinasin mbyllen përfundimisht.
Sulmuesi suedez, nga ana tjetër, duket se po bën gjithçka që mundet për ta bindur klubin katalanas se ai është njeriu i duhur për repartin ofensiv. /Telegrafi/
Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, ka folur për të ardhmen e tij dhe mundësinë e rikthimit në Ligën Premier, duke pranuar se dëshira për t’u kthyer në Angli nuk është më aq e madhe.
Kapiteni i Anglisë u largua nga Tottenham në verën e vitit 2023 për t’iu bashkuar Bayern Munichut për 100 milionë euro. Që nga transferimi në Gjermani, Kane është shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë të gjigantit bavarez.
Megjithatë, ndryshe nga më parë, 33-vjeçari nuk është më i bindur se do të rikthehet në futbollin anglez.
“Kur u largova nga Tottenham në vitin 2023, sigurisht që mendoja se do të rikthehesha patjetër në Ligën Premier. Por ajo dëshirë nuk është më aq e fortë”.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur këtu në Mynih. Kam zbuluar një botë krejtësisht tjetër të futbollit jashtë Anglisë dhe kjo më ka bërë ta vlerësoj edhe më shumë futbollin evropian”.
“Skuadra që kemi këtu, trajneri Vincent Kompany... Edhe familja ime është përshtatur shumë mirë këtu”.
“Gjëja më e rëndësishme është të jesh në vendin më të mirë të mundshëm. Kurrë mos thuaj kurrë, por tani jam i fokusuar te Bayerni dhe do të shohim se çfarë sjell e ardhmja”.
Kane ka krijuar një ndikim të madh që prej transferimit te Bayern Munichu dhe tashmë duket se është i hapur për ta vazhduar qëndrimin në Gjermani, pavarësisht interesimit të mundshëm nga klubet e Ligës Premier.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur emri i tij është lidhur edhe me Barcelonën, e cila po kërkon një sulmues të nivelit të lartë për të udhëhequr repartin ofensiv./Telegrafi/
Moti me diell me paqëndrueshmëri të rastit gjatë pasdites po shndërrohet shpejt në një valë ekstreme të nxehti që do të përfshijë të gjithë vendin gjatë fundjavës.
Moti sot ishte me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Pasdite pritet paqëndrueshmëri lokale me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta në të gjithë vendin, ndërsa do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga veriu. Në orën 17:00, temperatura më e ulët është matur në Popova Shapka, 16.6 gradë, ndërsa më e larta 37.6 gradë në Gjevgjeli.
Në Shkup ka kushte për jostabilitet gjatë pasdites me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima.
Nesër pritet mot me diell dhe i ngrohtë me vranësira lokale të pakta deri mesatare. Pasdite, në rajonet malore do të ketë vranësira të shtuara me kushte për shira afatshkurtër dhe bubullima të rralla. Era do të fryjë nga veriperëndimi me forcë të dobët deri mesatare. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të pakta deri mesatare.
Një periudhë me mot kryesisht të qëndrueshëm dhe shumë të ngrohtë fillon të enjten. Temperaturat minimale do të variojnë nga 12°C deri në 21°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 33°C deri në 39°C. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga juglindja. E premtja, më 21 gusht, sjell një rritje shtesë të temperaturave, të cilat do të variojnë nga 13°C në 22°C për temperaturën minimale dhe nga 34°C në 40°C për temperaturën maksimale ditore.
Të shtunën, më 22 gusht, temperatura minimale do të jetë nga 14°C në 23°C, dhe maksimale do të rritet nga 35°C në madje 41°C.
Në vend të kësaj, do të ketë kushte të paqëndrueshme të shoqëruara me erëra të forta, shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi. Gjatë fundjavës, temperatura ditore në disa rajone të vendit pritet të kalojë kufirin 40 gradë.