Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Telegrafi

Seanca konstituive e Kuvendit të mërkurën, ndryshon vetëm ora

10 February 2026 at 18:59


Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, njoftoi se pas konsultimeve me partitë politike për seancën konstituive që do të mbahet nesër, është arritur konsensus i plotë mes të gjitha subjekteve.

Basha bëri me dije se, sipas kërkesës së PDK-së, seanca nuk do të mbahet në orën 12:00, por në orën 17:00, për shkak të zhvillimeve në Hagë ku po mbahet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Data e seancës mbetet e njëjtë, por ora ka ndryshuar për shkak të rrethanave të nesërme. Kërkesa erdhi nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, dhe të gjitha partitë janë pajtuar që seanca të nisë në orën 17:00”, tha Basha, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se të gjithë udhëheqësit politikë janë dakorduar që votimi për pesë nënkryetarët e Kuvendit të bëhet njëherësh, në një pako, për të përshpejtuar konstituimin e Kuvendit dhe më pas të proceduar votimin e qeverisë.

“Ka pasur konsensus për raportin, për votimin e kryetares ose kryetarit, si dhe për votimin në pako të pesë nënkryetarëve, me qëllim që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe më pas të vazhdohet me qeverinë”, deklaroi kryeparlamentari. /Telegrafi/

“Qava tetë orë pa pushim” - u përgatit pesë vjet për Olimpiadën Dimërore, por nuk mund të garojë sepse është grua

10 February 2026 at 18:45


Atletja amerikane Annika Malacinski nuk do të ketë mundësinë të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, pavarësisht përgatitjeve shumëvjeçare. Arsyeja është tronditëse: gratë nuk lejohen të garojnë në sportin që ajo ushtron.

Malacinski merret me kombinimin nordik, një nga sportet më të vjetra olimpike, i cili ishte pjesë e programit që në Lojërat Olimpike Dimërore të para më 1924 në Chamonix. Ky sport kombinon kërcimin me ski dhe skijimin në terren të hapur.

Megjithatë, prej më shumë se një shekulli, garat e grave në kombinimin nordik nuk janë përfshirë në Lojërat Olimpike, dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk ka ndryshuar qëndrim as për edicionin e vitit 2026.

Në prag të Olimpiadës, IOC vendosi të mos prezantojë disiplinën e grave, duke arsyetuar se sporti “nuk është i zbatueshëm në kategorinë e femrave”. Si arsye u përmendën shikueshmëria e ulët dhe numri i kufizuar i vendeve pjesëmarrëse.

Ky vendim e ka goditur rëndë Malacinskin. Në një intervistë për revistën Self, ajo kujtoi momentin kur mori lajmin.

“Isha përgatitur për pesë vjet dhe ndihesha gati të bëja histori. Madje mendova t’i kërkoja stjuardesës një gotë shampanjë, duke pritur njoftimin zyrtar”.

“Në vend të kësaj, qava për tetë orë rresht. Teksa qëndroja ulur në avion, kuptimi se ëndrra ime do të mbetej e paarritshme edhe për katër vjet të tjera më shkatërroi plotësisht”, deklaroi ajo.


Për shkak të këtij vendimi, Malacinski do t’i ndjekë Lojërat Olimpike vetëm përmes televizionit – ku do të shohë edhe vëllanë e saj, i cili do të garojë pikërisht në kombinimin nordik, një disiplinë që për të mbetet ende e ndaluar. /Telegrafi/

Qyteti sicilian në buzë të greminës - rrëshqitja e dheut kërcënon qindra shtëpi

10 February 2026 at 18:43


Qyteti sicilian i Niscemit ndodhet sot fjalë për fjalë në buzë të një shkëmbi, pasi shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë zonën ditët e fundit kanë shkaktuar një rrëshqitje masive dheu.

Kjo fatkeqësi natyrore ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë shembjen e qindra banesave dhe ka krijuar frikë të madhe te banorët lokalë.

Veçanërisht e rrezikuar është qendra historike e qytetit, e cila përfshin rreth 880 ndërtesa, disa prej tyre me vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, që datojnë që nga shekulli XVII.

Autoritetet paralajmërojnë se lëvizjet e tokës vazhdojnë dhe se çdo reshje e re shiu mund ta përkeqësojë më tej situatën.

Për shkak të rrezikut të lartë, më shumë se 1500 banorë janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë familje janë strehuar përkohësisht në qendra emergjente ose tek të afërmit.

Qeveria lokale dhe autoritetet rajonale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke mobilizuar shërbimet e emergjencës, ekipet e mbrojtjes civile dhe ekspertët gjeologë për të vlerësuar dëmet dhe për të parandaluar një tragjedi më të madhe.

Autoritetet po punojnë për stabilizimin e terrenit dhe për monitorimin e vazhdueshëm të zonës së rrezikuar, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për të ardhmen e qytetit dhe trashëgimisë së tij historike. Situata mbetet kritike dhe zhvillimet e mëtejshme do të varen nga kushtet atmosferike në ditët në vijim. /Telegrafi/

14 bursa për studentët nga Vushtrria që studiojnë në Universitetin e York-ut në Selanik

10 February 2026 at 18:42


Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ndahen 14 bursa studimi për studentët nga kjo komunë për studime në Kampusin Evropian të Universitetit të York-ut në Selanik, për vitin akademik 2026/2027.

Sipas njoftimit të tij, shtatë bursa do të mbulohen plotësisht nga Komuna e Vushtrrisë dhe Universiteti, ndërsa shtatë të tjera do të financohen në masën 50 për qind nga Universiteti dhe 50 për qind nga vet studenti.

“Edhe këtë vit, studentët e Vushtrrisë kanë mundësinë të studiojnë në Kampusin Evropian të Universitetit të York-ut në Selanik, ku do të ndahen 14 bursa për vitin akademik 2026/2027”, ka shkruar Idrizi.

Ai ka bërë të ditur se bursat do të ndahen për studime Bachelor, Master dhe MBA në programe të ndryshme, përfshirë Shkencat Kompjuterike, Psikologjinë, Biznesin, Shkencat Humane dhe Drejtësinë.

“7 bursa do të mbulohen 100% nga Komuna e Vushtrrisë dhe Universiteti, ndërsa 7 bursa do të mbulohen 50% nga Universiteti dhe 50% nga vet studenti”, ka theksuar kryetari i Vushtrrisë.

Afati i fundit për aplikim është 20 shkurt 2026, ndërsa të interesuarit mund të gjejnë detajet e plota për aplikim dhe programet studimore në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë.

“Mos e humbisni këtë mundësi”, ka apeluar Idrizi.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se kjo nismë synon të mbështesë studentët dhe të rrisë qasjen në arsim cilësor në institucionet ndërkombëtare. /Telegrafi/


Ekspertiza për “Onkologjinë”: Pacientët në Onkologji janë trajtuar në mënyrë të papërshtatshme

10 February 2026 at 18:37


Ndryshimet e shpeshta të terapisë pa sqarim mjekësor, dhënia e ilaçeve të cilat anulojnë njëra-tjetrën dhe aplikimi i kimioterapisë në fazën terminale, e cila në vend që të ndihmonte, shkurtoi jetën e pacientëve, janë disa nga përfundimet e paraqitura sot nga ekspertja Maja Ravnik nga Fakulteti i Mjekësisë në Maribor, Slloveni, në seancën gjyqësore për rastin “Onkologjia”, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.

Ekspertiza u përgatit bazuar në një analizë të 51-të të dokumentacionit mjekësor nga mjekimi i pacientëve në Klinikën e Onkologjisë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga Prokuroria, Ravnik tha se një sërë lëshimesh sistemike në mjekim, duke potencuar se pavarësisht përkeqësimit drastik të pasqyrës së gjakut dhe trombocitopenisë së thellë tek pacientët, trajtimi vazhdoi me citostatikë të papërshtatshme. Si veçanërisht problematike u theksua dhënia e disa citostatikëve, mes të cilave dhe “Oksaliplatin” si monoterapi, që sipas ekspertit, është e pajustifikuar nga ana mjekësore.

“Dua të theksoj se “Oksaliplatin” në monoterapi nuk ka efekt dhe duhet të kombinohet gjithmonë me citostatikë të tjerë. Domethënë, pacienti mori një ilaç i cili nuk ishte i indikuar për atë qëllim dhe kimioterapi që nuk pati efekt. Ishte një terapi e dhënë “pro forma”, pa ndonjë justifikim të vërtetë mjekësor”, tha Ravnik.

Sipas raportit të ekspertit, megjithëse metodat diagnostikuese, të tilla si PET-skanimet, konfirmuan përparimin e sëmundjes dhe shfaqjen e metastazave, terapia e pacientëve shpesh ndryshohej pa një sqarim të qartë dhe me shkrim. U përmendën dhe shembuj ku ilaçet e treguara për një lloj kanceri u janë dhënë pacientëve me një diagnozë krejtësisht të ndryshme, për të cilët këto ilaçe nuk kanë zbatim.

Ravnik konstatoi se në raste të caktuara, administrimi i vazhdueshëm i kimioterapisë në fazat e fundit të sëmundjes kishte një rezultat fatal.

“Një trajtim i tillë me kimioterapi është diçka që çon drejtpërdrejt në vdekjen e kësaj paciente. Është një përkeqësim i ndjeshëm i gjendjes së rëndë shëndetësore dhe përparim i sëmundjes. Disa ditë para vdekjes së saj, ajo mori kimioterapi. Në këtë fazë, mund të konkludojmë se kimioterapia ia shkurtoi jetën pacientes. Në atë fazë, lejohet vetëm terapia simptomatike, shtrimi në spital për kujdes dhe kujdes paliativ, ndërsa jo terapia aktive onkologjike”, theksoi Ravnik.

Një pjesë e konsiderueshme e ekspertizës lidhej me përdorimin e njëkohshëm të terapive kontradiktore tek pacientët të cilët, përveç terapisë onkologjike, u trajtuan edhe me kortikosteroide, më shpesh për shkak të komplikacioneve të kovidit.

Problemi është se imunoterapia vepron duke stimuluar sistemin imunitar për të luftuar kancerin. Që do të thotë se ajo mori njëkohësisht një ilaç për stimulim (Pembrolizumab) dhe një ilaç për parandalim, gjegjësisht për shkak të uljes së imunitetit (kortikosteroide). Për shkak të efekteve të kundërta të barnave, gjegjësisht për shkak të administrimit të njëkohshëm të këtyre dy grupeve, pritet efekt i reduktuar i imunoterapisë”, shpjegoi eksperti.

Samsung Galaxy F70e prezantohet me Dimensity 6300 dhe bateri 6,000 mAh

10 February 2026 at 18:35


Shtesa më e fundit në serinë F të Samsung është tani zyrtare me Galaxy F70e.

Pajisja e re ndan specifikimet kryesore me Galaxy A07, por zgjedh një pjesë të pasme të ridizajnuar me një shtresë lëkure artificiale dhe vjen me një çmim fillestar më të ulët, transmeton Telegrafi.

Galaxy F70e është ndërtuar rreth një ekrani LCD IPS 6.7 inç me rezolucion HD+ dhe një shpejtësi rifreskimi 120Hz.

Paneli vlerësohet me shkëlqim maksimal prej 800 nits dhe përmban një kamerë selfie 8MP.

Rreth pjesës së pasme, Galaxy F70e përmban një kamerë kryesore 50MP me aperturë f/1.8 së bashku me një sensor thellësie 2MP dhe një blic LED.

Telefoni është i pajisur me çipsetin Dimensity 6300 të MediaTek të çiftëzuar me 4/6GB RAM dhe 128GB hapësirë ruajtjeje.

Gjithashtu keni mundësinë të zgjeroni hapësirën e ruajtjes përmes vendit për kartë SIM Hybrid.

Ana e softuerit mbulohet nga One UI 8.0 bazuar në Android 16, me Samsung që premton gjashtë vjet përmirësime të sistemit operativ dhe përditësime sigurie.

Specifikime të tjera të rëndësishme përfshijnë një portë për kufje dhe një skaner gjurmësh gishtash të integruar në butonin e ndezjes.

Galaxy F70e do të jetë i disponueshëm në ngjyrat Spotlight Blue dhe Limelight Green. Versioni 4/128GB fillon nga 12,499 INR (138 dollarë), ndërsa versioni 6/128GB do të kushtojë 13,999 INR (154 dollarë).

Telefoni do të jetë i disponueshëm nëpërmjet Samsung.com, Flipkart dhe shitësve partnerë offline nga 17 shkurti. /Telegrafi/

Ford zbulon disa detaje rreth kamionçinës elektrike të përmasave të mesme, që pritet të kushtojë rreth 30 mijë dollarë

10 February 2026 at 18:32


Ford ka zbuluar detaje të reja për një kamionçinën elektrike të përmasave të mesme, që pritet të kushtojë rreth 30 mijë dollarë (rreth 25 mijë euro).

Modeli do të jetë i pari mbi platformën e re Universal Electric Vehicle (UEV), e fokusuar në uljen drastike të kostove të prodhimit.

CEO i Ford, Jim Farley, bëri të ditur se do të përdoren “pjesë të mëdha alumini”, të cilat zëvendësojnë mbi 146 pjesë të veçanta me vetëm dy elementë kryesorë.

Kjo teknologji lejon montimin e automjetit nga module të mëdha dhe ul ndjeshëm kompleksitetin e prodhimit.

Ford thotë se pickup-i i ri do të ketë 20% më pak pjesë dhe 25% më pak vida krahasuar me automjetet moderne aktuale.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar aerodinamikës, pasi çdo përmirësim ndikon drejtpërdrejt në koston e baterisë dhe efikasitetin.

Projekti konsiderohet kyç për të ardhmen elektrike të Ford-it. /Telegrafi/

Beteja për mandatet e rezervuara: Kush mori votat e kujt?

10 February 2026 at 18:31


Mandatet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës: mbrojtje kushtetuese e përfaqësimit politik apo instrument për manipulim politik?

Kjo pyetje u rikthye në fokus, pasi Emillija Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, e akuzoi udhëheqësin e Partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, për “manipulim të votave”, pasi ai mori rreth 200 vota në disa fshatra të komunës së Prizrenit, ku nuk jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.

“Mandatet e rezervuara, pra të garantuara, ekzistojnë pikërisht për t’u siguruar që komunitetet joshumicë i zgjedhin përfaqësuesit e tyre autentikë. Çdo gjë tjetër përbën shfrytëzim të egër të sistemit dhe anulim direkt të qëllimit kushtetues që kanë mandatet e rezervuara”, tha Rexhepi në një komunikatë që lëshoi pasi Gjykata Supreme e Kosovës e rrëzoi ankesën e saj, duke argumentuar se “nuk mund të vendosë se kush ka votuar për kë” dhe se “çdo qytetar ka të drejtë të votojë për kë të dëshirojë”.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rexhepi thotë se partia e saj ka arritur një rezultat të mirë zgjedhor, por se është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë që të mbrojnë interesin e komunitetit dhe mandatet e garantuara.

Ajo vë në dukje se edhe koalicioni “Vakat”, i cili gjithashtu përfaqëson komunitetin boshnjak, ka marrë vota në fshatra ku jetojnë vetëm shqiptarë, dhe paralajmëron se për këtë çështje do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.



Nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës, njëzet janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.

Komunitetit boshnjak i takojnë tri vende deputetësh, atij turk dy, komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një, plus një vend shtesë për komunitetin më të votuar nga radhët e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, ndërsa një vend i deputetit i takon komunitetit goran.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia e Re Demokratike e Emillija Rexhepit siguroi një vend deputeti me 3.920 vota nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë mori gjithashtu një mandat me 4.862 vota.

Rexhepi ka qenë zëvendëskryeministre për komunitetet në Qeverinë e kaluar, ndërsa Rashiq ka udhëhequr Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, pasi Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetje nga Beogradi - ka braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Rashiq hedh poshtë akuzat

Lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, hedh poshtë akuzat për manipulim ose inxhiniering politik, duke theksuar se ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim dhe, rrjedhimisht, ka qenë në kontakt me komunitete të ndryshme në Kosovë, prej të cilëve ka marrë besimin.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk mund të tërhiqet paralele me rastin e Adriana Hoxhiqit, nga Iniciativa Qytetare Komuniteti i Bashkuar. Në vitin 2021, Gjykata Supreme e Kosovës i ka anuluar asaj mbi 4.000 vota në komunat me shumicë serbe - me çka edhe ka humbur mandatin e saj si deputete.

Atëkohë, Gjykata Supreme i ka anuluar mbi 800 vota edhe Iniciativës Rome, nga gjithsej 4.049 vota të marra, duke e lënë pa njërin nga dy vendet e fituara parlamentare.

Këto dy subjekte politike janë akuzuar se votat në zonat me shumicë serbe i kanë marrë falë Listës Serbe, e cila “përmes bazës së saj të votuesve, ka bërë përpjekje të ushtrojë ndikim dhe të vendosë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Për votat e Iniciativës Rome, Partia e Bashkuar Rome e Kosovës dhe Partia Liberale Egjiptiane i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2023 ka konstatuar se pjesëtarët e pakicave kanë të drejtë të marrin vota në çdo pjesë të Kosovës - pa diskriminim ose llogaritje etnike, për sa kohë nuk dëshmohen parregullsi konkrete zgjedhore.

Po ashtu, është thënë se anulimi i votave duhet të bazohet në argumente dhe prova të qarta ligjore, siç është mashtrimi zgjedhor i koordinuar.

Rashiq thekson se numri i votave që ai ka marrë në zonat ku nuk jetojnë serbë, nuk është i madh dhe nuk ndikon në rezultatin e tij zgjedhor.

“Adriana Hoxhiq, në vitin 2021, ka marrë 70% të votave në vendet që tradicionalisht nuk i ka pasur. Të gjithë e dimë se çfarë manipulimi ka ndodhur atëherë”, thotë Rashiq.

Ai shton se “nuk sheh logjikë” në kontestimin e votave të tij nga ana e Rexhepit.

Sipas tij, mandatet e rezervuara të komuniteteve nuk kanë qenë të rrezikuara.

Megjithatë, Rexhepi konsideron se bëhet fjalë për “votim të orkestruar”. Ajo, po ashtu, vë në dyshim qëllimin e mandateve të rezervuara nëse partitë garojnë edhe për votat e komuniteteve të tjera.

“Duhet ruajtur e drejta kushtetuese. Kjo nuk shihet në qytetet shumetnike të Kosovës, por ankesa lidhet vetëm me vendet ku jeton një komunitet etnik”, thotë ajo.

Në reagimin e saj, Rexhepi kujtoi gjithashtu se kandidatura e Ena Kadajt Krasniqit në listën e koalicionit “Vakat” nuk është konfirmuar, pasi nuk është provuar se ajo ka qenë “përfaqësuese autentike e komunitetit boshnjak”.

Më herët, edhe Lista Serbe e ka akuzuar Rashiqin se ka fituar një vend deputeti “falë votave të shqiptarëve”.

Kreu i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, njëherësh ministëro për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Fotografi nga arkivi.

A kishte votim të orkestruar?

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se shqetësimi i Emillija Rexhepit lidhur me mandatet e rezervuara për komunitetet pakicë, është i ligjshëm dhe politikisht korrekt, por se pretendimet e saj nuk bazohen në rregullimin kushtetues dhe ligjor, e as në praktikën e vendosur.

“Vendimi i Gjykatës Supreme bazohet në gjykimin e mëparshëm në rastin e Veton Berishës. Si Gjykata Supreme në vitin 2021, ashtu edhe Gjykata Kushtetuese në vitin 2023 - në rastin e Veton Berishës - vendosën se votat për përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, nuk mund të anulohen vetëm se vijnë nga një komunitet tjetër. Në këtë aspekt, anulimi i votave lejohet vetëm në rastet kur ekzistojnë prova për skema të koordinuara ose krime zgjedhore, që rrezikojnë të drejtat e përfaqësimit të pakicave në Kosovë”, shpjegon Miftaraj.

Ai shton se anulimi eventual i votave të Rashiqit nga Gjykata Kushtetuese, vetëm se ato u morën në zona ku nuk jetojnë serbët, do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Kjo do të nënkuptonte vendosjen e kufijve etnikë mbi vullnetin politik të votuesve - gjë të cilën Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar shprehimisht”, thotë Miftaraj.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje fitoi në zgjedhjet e dhjetorit me 51.10% të votave, duke siguruar 57 vende në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës mori 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori gjashtë mandate.

Certifikimi i rezultateve u vonua deri më 9 shkurt, për shkak të rinumërimit të votave, pas dyshimeve për manipulim.

Të mërkurën e 11 shkurtit pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Qeni garon me veten në "një Olimpiadë" të improvizuar në shtëpi

10 February 2026 at 18:28


Një qen është bërë viral pasi “garoi” në një “Olimpiadë” të improvizuar në dhomën e ndenjës.

Pronarët e tij, i krijuan një pistë me pengesa, ku qeni i kalon të gjitha me shpejtësi dhe kërcime mbresëlënëse.

Videoja e tregon qenin duke kërcyer me elegancë, pa u lodhur aspak.

Pamjet kanë tërhequr mijëra pëlqime dhe komente pozitive në rrjete sociale.

Shumë ndjekës e kanë quajtur performancën për “medalje ari”. /Telegrafi/

Pse ka rënë euro në Shqipëri

10 February 2026 at 18:23


Gjatë muajit janar, “Monitor” zhvilloi një vrojtim me analistë të tregut financiar lidhur, me faktorët që kanë ndikuar ecurinë e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Ekspertët u pyetën për të vlerësuar ndikimin e një liste faktorësh, në një shkallë që fillonte nga një deri në pesë, transmeton albinfo.ch.

Mbështetur në përgjigjet e tyre, faktori me peshën mesatare më të lartë në vijimësinë e rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek ka qenë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Paneli i ekspertëve e ka vlerësuar këtë faktor me një ndikim 4.5 (nga një shkallë maksimale 5).

Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%.

Turizmi vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në zërin e të ardhurave në bilancin e pagesave të vendit.

Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Për të gjithë 9-mujorin 2025, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.

Faktori i dytë më i zgjedhur nga ekspertët e anketuar janë remitancat. Mesatarisht, ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit vlerësohet në nivelin 3.91.

Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë ringritur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit.

Faktori i tretë për nga ndikimi, sipas ekspertëve, janë prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar në nivelin 3.83. Me një ndikim lehtësisht më të ulët vlerësohen prurjet e paligjshme të valutës, me një vlerësim mesatar 3.58.

Në perceptimin e përgjithshëm, flukset informale dhe të paligjshme kanë pasur gjithmonë një ndikim të konsiderueshëm në tendencat e kursit të këmbimit. Një perceptim të tillë duket se e ndajnë edhe ekspertët, që i rendisin ndër faktorët me ndikim në kursin e këmbimit.

Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen gjithashtu ndër faktorët me ndikim, me një nivel mesatar 3.66.

Sektori i pasurive të paluajtshme dominoi investimet e huaja për të katërtin vit radhazi në 2025, me një peshë gjithnjë e më të lartë. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 403 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 33% të investimeve të huaja për këtë vit, nga 23% që zinin një vit më parë. Në renditjen e vlerësimit mesatar të ekspertëve për faktorët që kanë ndikuar kursin e këmbimit, vijon bilanci tregtar, me një mesatare vlerësimi 3.25 dhe ulja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, në nivelin 2.83.

Skandali Epstein trondit futbollin: Ish-futbollisti i madh francez përmendet në rrjetin e prostitucionit

10 February 2026 at 18:22


Emri i legjendës franceze Franck Ribery është shfaqur gjashtë herë në dosjet Epstein. Ish-ylli i Bayern Munich përmendet në një deklaratë të atribuar një pale të tretë.

Futbolli francez nuk i ka shpëtuar skandalit Epstein. Në fillim të shkurtit, drejtësia amerikane publikoi miliona dokumente që lidhen me biznesmenin amerikan Jeffrey Epstein, i akuzuar për krime seksuale.

Këto dosje, të cilat zbulojnë lidhje mes multimilionerit dhe disa figurave të njohura, përmbajnë gjithashtu edhe emrin e Franck Ribery.

Ish-lojtari i Kombëtares së Francës përmendet gjashtë herë në dokumentin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Franck Ribery citohet në një deklaratë të atribuar një pale të tretë, e cila flet për incidente të dhunshme dhe një rrjet prostitucioni.

“Franck Ribery u përpoq të më godiste ndërsa isha në kopshtin tim dhe kishte siguruar numrin tim të telefonit dhe adresën time; oficerë policie e rrethuan dhe e shoqëruan përsëri te makina e tij”, thuhet në deklaratë.

Brenda këtij vëllimi të madh materialesh, emri i Ribery shfaqet në një dokument publikisht të aksesueshëm, për herë të parë në faqen 26.

Pasazhet që i referohen atij janë akuza të përfshira brenda një dëshmie të një dëshmitari.

Një fragment thotë: “Franck Ribery u përpoq të më rrihte ndërsa isha në kopshtin tim dhe kishte siguruar numrin tim dhe adresën time; policë e rrethuan dhe e shoqëruan deri te makina e tij”.

Një tjetër pasazh nga e njëjta faqe deklaron: “Jam i habitur që pashë ardhjen e një rrjeti prostitucioni. Pata përshtypjen se një degë e prostitucionit u kthye për të më marrë, sikur duhej t’u përkisja atyre”.

Referenca të tjera shfaqen në faqet pasuese, përfshirë përmendje të figurave ligjore dhe lidhjeve shoqëruese.

Një pasazh tjetër thotë: “Ai mbërriti me Franck Ribery dhe Policia Gjyqësore e Versajës mbërriti sepse ai kërkoi që t’i silleshin vajza 14-vjeçare”./Telegrafi/

"Nuk shoh arsye që të ndalem" - Distria Krasniqi flet për IJF

10 February 2026 at 18:10


Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos i ka kushtuar një tjetër shkrim kampiones kosovare Distria Krasniqi, pas triumfit të saj në Grand Slamin e Parisit.

Xhudistja 30-vjeçare ka theksuar se nuk e sheh ende fundin e karrierës së saj, duke vënë në pah gjendjen e mirë fizike dhe mungesën e lëndimeve serioze gjatë gjithë rrugëtimit sportiv.

“Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam po ashtu me fat pasi nuk kam pasur asnjë operacion. Ushtroj shumë dhe kam rezultate të mëdha. Dhe të mos kem asnjë lëndim serioz gjatë këtij rrugëtimi, është shumë e rrallë. Jam mirënjohëse për këtë dhe kjo natyrisht se ka shumë ndikim në atë që jam në gjendje të vazhdoj”, ka thënë Krasniqi.

Synimi i radhës për Distrinë janë Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 2028’, ndërsa ka bërë të ditur se vetëm pas këtij edicioni mund të mendojë për tërheqjen nga sporti elitar. Deri atëherë, ajo po e shijon çdo garë dhe çdo kamp stërvitor, duke synuar të nxjerrë maksimumin nga dy-tre vitet e fundit në nivelin më të lartë të xhudos botërore.

Në karrierën e saj të pasur, Distria ka fituar pothuajse çdo medalje të mundshme, me përjashtim të titullit të kampiones së botës.

“Është një prej synimeve që të jem kampione e botës. Por nuk është synimi kryesor. Edhe nëse nuk do të bëhem asnjëherë kampione e botës, nuk është se do të jetë diçka e keqe. E kam fituar titullin te junioret, ndërsa titulli më i vlefshëm është ai olimpik”.

Një tjetër objektiv personal për të është edhe një fitore ndaj japonezes Uta Abe, ndonëse ajo thekson se nuk e ka këtë si fokus kryesor.

Distria thekson se në ditën e saj më të mirë është e aftë të mposhtë çdo kundërshtare, duke e konsideruar veten si sfidën më të madhe në arenën ndërkombëtare.

Sukseset e deritashme, kampionia kosovare i atribuon në masë të madhe bashkëpunimit afatgjatë dhe të veçantë me trajnerin Driton Kuka.

“Ekipi i trajnerëve ka ndikim shumë të madh. Jemi vend i vogël dhe në fillim nuk i kishim ato që të gjitha vendet e mëdha i kishin. Por kemi provuar të bëjmë rezultate me gjërat që kishim dhe ishte e vështirë. Tani është më mirë dhe vazhdojmë të kemi rezultate. Trajneri është pjesë e madhe e gjithë kësaj".

"Që kur kam nisur me xhudo e kam trajnerin e njëjtë. Raporti është më shumë si në familje se si i një sportisti e trajneri. Ndoshta kaloi më shumë kohë me të se me familjen”.

Në fund, Distria ka zbuluar edhe “sekretin” e suksesit të saj: disiplinën, vazhdimësinë dhe punën e palodhur.

“Puna e madhe gjithnjë shpërblehet”, përfundon kampionia e xhudos. /Telegrafi/

Jennifer Lopez ekspozon formën e saj trupore dhe jep mesazh frymëzues: Më mirë se dje

10 February 2026 at 18:03


Jennifer Lopez, 56 vjeçe, ka emocionuar ndjekësit e saj me disa postime të reja në Instagram, duke treguar formën e jashtëzakonshme trupore gjatë një seance stërvitjeje.

E veshur me kostum stërvitjeje ngjyrë gështenjë të errët, ajo ngriti bluzën për të zbuluar reçipetat e thella dhe barkun e tonifikuar.

Me flokët e lirshëm dhe grim të lehtë, Lopez ndau mesazhin e saj motivues për ndjekësit: “Qëllimi është i thjeshtë. Më mirë se dje. Çdo ditë", shkruan DailyMail.

Kjo shfaqet pak pas lajmit se ish-bashkëshorti i saj, Ben Affleck, dhe ajo e kanë hequr nga shitja shtëpinë e tyre luksoze në Beverly Hills, me vlerë 68 milionë dollarë (afërsisht 63 milionë euro).

Lopez tashmë ka blerë një pronë të re në Hidden Hills, ndërsa vazhdon të jetojë përkohësisht në rezidencën e vjetër gjatë rinovimeve.

Përveç përditësimeve në Instagram, Jennifer reflektoi mbi dashurinë dhe marrëdhëniet në shfaqjen e saj “Up All Night” në Las Vegas, ku interpretoi hitin e saj të vitit 1999, “If You Had My Love”.

Ajo u shpreh se tani këndon me pushtet dhe vetëbesim, duke theksuar: “Nëse do të doje të kishe dashurinë time, do të duhej ta meritoje atë. Do të duhej të më trajtoje mirë, të më respektoje dhe të më pranoje për gjithçka që jam”. /Telegrafi/

Shfaqet sëmundja e zgjebes tek ushtarët e Maqedonisë, URMV: Është sjellë nga jashtë

10 February 2026 at 17:57


Dy raste të reja me zgjebe janë regjistruar midis ushtarëve profesionistë të Maqedonisë së Veriut në kazermën e Velesit, duke e çuar numrin e të infektuarve në katër.

Nga Ushtria e RMV-së (URMV) thonë se sëmundja nuk ka origjinën nga kazerma, por është sjellë nga jashtë.

Sipas epidemiologëve, ushtarët e infektuar janë dërguar për trajtim në shtëpi, dhe personat e tjerë nuk janë vendosur në izolim, dhe ndërkohë, situata me ushtarët e mbetur po monitorohet nga afër dhe trajtohet në përputhje me rekomandimet e epidemiologëve.

"Ushtarët e sëmurë në kazermën e Velesit janë dërguar për trajtim në shtëpi. Pjesa tjetër është në gjendje të mirë dhe pa simptoma të sëmundjes. Tek katër studentë të kursit të ushtarëve profesionalë në kazermën e Velesit është konfirmuar zgjebe", thotë nënkolonelja Larisa Oranska, epidemiologe në Qendrën Mjekësore Ushtarake, duke treguar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe gjendja e studentëve të mbetur që ndjekin kursin po monitorohet.

Rasti i parë, thotë ajo, u raportua të enjten e kaluar, pas së cilës u morën të gjitha masat parandaluese.

Personi i diagnostikuar u referua menjëherë te një specialist dhe për trajtim në shtëpi, i ndjekur nga masa shtesë parandaluese.

"Ne kryejmë masa parandaluese rregullisht sipas planit tonë mujor. Dhe sipas indikacionit, si tani, kryejmë edhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme", thotë ajo.

Si i kalon ditët në burg Maxwell, bashkëpunëtorja më e ngushtë e Epsteinit - publikohen pamjet brenda qelisë së burgut

10 February 2026 at 17:52


Janë publikuar pamje të reja që zbulojnë jetën e përditshme të Ghislaine Maxwell ndërsa ndodhej në qelinë e burgut.

Maxwell, e dënuar për trafikim seksual të fëmijëve në lidhje me Jeffrey Epsteinin, ishte e vendosur në qendrën famëkeqe të paraburgimit Metropolitan në Brooklyn, ndërsa videoja u xhirua.

Pamjet e Maxwell duke udhëtuar rreth qelisë së saj janë publikuar pasi javën e kaluar një sasi e madhe dokumentesh të lidhura me Epsteinin u bë e disponueshme për publikun.

Video, e regjistruar nga një kamerë vëzhgimi më 1 korrik 2020, rreth orës 14:00, fillon me Maxwell duke pastruar qetësisht lavamanin e saj.

E veshur me uniformë të burgut portokalli, ajo shkon ngadalë drejt shtratit të saj ku shtrihet sërish. Një kombinezon portokalli rezervë ndodhet pranë jastëkut.

- YouTube www.youtube.com

Më pas Maxwell ngrihet përsëri dhe ecën nga një qoshe në tjetrën të qelisë, përpara se të bëjë disa ushtrime.

Në fund, Maxwell, e cila mban edhe syze për të lexuar, shtrihet në shtrat, merr një libër dhe shtrihet duke e lexuar atë. Pamjet mbyllen me Maxwell që merr një frymëmarrje të thellë përpara se të vazhdojë të shtrihet.

Qendra Metropolitan, ku ajo ndodhej, është e njohur për kushtet e saj të vështira. Cameron Lindsay, ish‑drejtor i këtij burgu, e përshkroi atë si “një nga më problematiket” në Shtetet e Bashkuara.

Që nga koha kur video u xhirua, Maxwell është transferuar në një burg me siguri të ulët në Teksas, i njohur ndryshe si “Club Fed”. Ajo u zhvendos atje pas një takimi nëntë orësh me zëvendësprokurorin e përgjithshëm të SHBA‑s.

Maxwell ka krahasuar burgun e ri me “Liza në botën e çudirave”, duke nënvizuar ndryshimin drastik në jetën e saj që nga koha kur ishte bashkëpunëtore e Epsteinit. /Telegrafi/

Klopp bën pesë kërkesa në drejtim të Perez për t’u ulur në stolin e Real Madridit

10 February 2026 at 17:52


Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, raportohet se ka pesë kërkesa që dëshiron të plotësohen nëse do të marrë drejtimin e Real Madridit.

Klopp ka qenë pa një rol trajneri që nga largimi i tij nga posti i trajnerit të Liverpoolit në fund të sezonit 2023/24. Që prej asaj kohe, gjermani është përfshirë në Grupin Red Bull, ku ushtron funksionin e Drejtorit të Futbollit Global.

Por a mund të rikthehet ai së shpejti në bankinë?

Sipas Sky Sports në janar, Klopp është një nga kandidatët që Real Madridi po shqyrton në rast se klubi vendos të emërojë një trajner të ri në verën e vitit 2026.

Pas largimit të Xabi Alonsos muajin e kaluar, ish-mbrojtësi i djathtë i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, u promovua nga posti i trajnerit të ekipit rezervë dhe që atëherë ka udhëhequr “Los Blancos” drejt katër fitoreve radhazi në La Liga, kundër Levantes, Villarrealit, Rayo Vallecanos dhe Valencias.

Fillimisht nuk ishte e qartë se për sa kohë do të zgjaste kontrata e Arbeloas, megjithatë gazeta spanjolle Marca sugjeroi se marrëveshja është e vlefshme përtej përfundimit të sezonit aktual.

Megjithatë, nëse Klopp mbetet i lirë, ekziston mundësia që ai të bëhet trajneri i Real Madridit, duke pasur parasysh rekordin e tij mbresëlënës si trajner, me tituj kampionë në Angli dhe Gjermani, si dhe triumfin në Ligën e Kampionëve me Liverpoolin në vitin 2019.

Sipas Defensa Central, Klopp thuhet se ka kërkuar që të plotësohen pesë kushte përpara se të marrë në konsideratë drejtimin e Real Madridit këtë verë.

Raportohet se trajneri gjerman ka kërkuar transferimin e dy mbrojtësve qendrorë, dy mesfushorëve, si dhe rikthimin e talentit brazilian Endrick në klub, pasi ai është huazuar te Lyon për pjesën e mbetur të sezonit 2025/26.

Edhe pse Klopp nuk ka përmendur drejtpërdrejt emra konkretë, raporti pretendon se Kees Smit, Adam Wharton, Nico Schlotterbeck dhe Jacobo Ramon janë ndër lojtarët që mund t’i bashkohen Real Madridit gjatë verës./Telegrafi/

Nis takimi konsultativ për seancën konstituive të Kuvendit

10 February 2026 at 17:46


Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka nisur sot takimin konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me seancën konstituive që pritet të mbahet nesër, më 11 shkurt.

Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues të subjekteve kryesore parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës po përfaqësohet nga Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda, Lidhja Demokratike e Kosovës nga Kujtim Shala, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga Besnik Tahiri.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga Albulena Haxhiu.

Po ashtu, në takim janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar seancën për 11 shkurt, në orën 12:00, pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh nevojën urgjente për formimin e institucioneve, miratimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. /Telegrafi/

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

AUV: Tërhiqen nga tregu seri të caktuara të qumështit për fëmijë "Aptamil"

10 February 2026 at 17:39


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë informon se bazuar në informacionin e marrë përmes Sistemit Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF), është kryer tërheqje parandaluese nga tregu i disa serive të formulës për foshnje nga marka "Aptamil".

Është bërë inspektim urgjent te importuesi i produkteve, nga i cili AUV mori njoftim zyrtar se produktet e mbuluara nga njoftimet janë tërhequr tashmë nga tregu dhe se është kryer edhe tërheqja e tyre.

Tërheqja ka të bëjë me një numër të kufizuar serish në të cilat ekziston mundësia e pranisë së cereulidit.

"Produktet e tërhequra janë: APTAMIL AR 2; Numri serial (lot) Data e skadimit; 20250924 / 111492248 24.09.2026; 20251106 / 111505015 06.11.2026. APTAMIL PRONUTRA 2: Numri serial (lot) Data e skadimit 20250619 / 111450979 19.06.2026; 20260720 / 111470149 20.07.2026; 20260922 / 111494041 22.09.2026; 20261027 / 111509436 27.10.2026; 20261130 / 111518857 30.11.2026; 20261219 / 111526365 19.12.2026; 20270121 / 111539141 21.01.2027. APTAMIL PRONUTRA 1: Numri serial (lot) Data e skadimit 20260722 / 111473082 22.07.2026; 20260904 / 111489543 04.09.2026; 20261014 / 111504828 14.10.2026; 20261126 / 111519122 26.11.2026".

AUV u bën thirrje konsumatorëve që kanë blerë produktet e listuara me numrat serialë dhe datat e skadimit të përcaktuara, të mos i përdorin ato, t'i shkatërrojnë ato në mënyrë të padëmshme ose t'i kthejnë ato në vendin ku janë blerë.

Njoftim për grumbullimin e ofertave për dhënie me qira të kioskës

10 February 2026 at 17:39


Dogana e Kosovës publikon këtë ftesë me anën e të cilës i fton të gjithë të interesuarit qe të ofertojnë për marrje me qira të hapësirës se kioskës në Terminalin Doganor Hani i Elezit, sipas përshkrimit si mëposhtë.

Dhënia me qira e hapësirës për kioskë sipas çmimit fillestar të qirasë mujore prej 65.00 euro bruto për gjithsejtë 14.4 m² + 135.00 euro shtesë për shpenzime të energjisë elektrike, ujit dhe mbeturinave. Derisa pastrimi i kioskës bëhet nga ana e qiramarrësit/ofertuesit.

Mënyra e paraqitjes se ofertës:

Oferta duhet të dorëzohet në një zarf të mbyllur në mënyrë konfidenciale dhe duhet t’i përmbajë këto dëshmi:

  • 1.Certifikatë e Biznesit se bashku me informatat mbi biznesin;
  • 2.Deklaratë me shkrim për çmimin e ofruar, ku çmimi i ofertuar duhet të jetë mbi pragun minimal të përcaktuar;
  • 3.Dëshmi me shkrim se ofertuesi mund të sigurojë se paku 1 punëtor për ofrimin e shërbimeve shitjen e produkteve në kioskë;

Kushtet e ofertimit: Të gjithë të interesuarit mund të tërheqin ftesën nga webfaqja e DK-së https://dogana.rks-gov.net/ apo në zyrën doganore në Terminalin Doganor Hani i Elezit. Oferta e nënshkruar dhe e mbyllur në zarf do të pranohen nga Dogana jo më vonë se 23.02.2026, koha 14:00, Zyra e Prokurimit, Dogana e Kosovës, adresa: Lagjja Kalabri, Rr. “Rexhep Krasniqi” 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

Të gjithë të interesuarit mund të vizitojnë hapësirën e kioskës në terminalin doganor Hani i Elezit me datën 13.02.2026 nga ora 11:00 – 12:00.

Kriter i shpërblimit me kontratë është oferta e përgjegjshëm me çmimin më të lartë mbi pragun minimal të caktuar nga Dogana e Kosovës.

Nga ofertuesi kërkohet që të mbajë artikujt e zakonshëm dhe sipas kërkesave në kioske dhe t’i ofrojë për shitje sipas çmimeve të tregut. Sigurimi i inventarit dhe pajisjeve tjera për kioskë mbeten obligim i ofertuesit.

Ofertuesi/ qiramarrësi pas nënshkrimit te kontratës dhe para fillimit të ofrimit te shërbimeve është i obliguar qe me shpenzime te veta ta bëjë dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e gjithë hapësirës se kioskës.

Kioska do të jetë e hapur prej orës 07.30 deri në orën 16:30 gjatë tërë javës në ditët e punës. Sipas kërkesave dhe nevojave, kioska mund me qenë e hapur edhe pas orës 16:30 deri në orën 20:00 ose 21:00.


OBAVEŠTENJE O PRIKUPLJANJU PONUDA ZA IZNAJMLJIVANJE

KIOSKA U ZAKUP

Carina Kosova objavljuje ovaj poziv kojim poziva sve zainteresovane strane čija je delatnost usluge bifea/gastronomije da dostave ponude za iznajmljivanje bifea/restorana pod zakupom na carinskom terminalu Hani i Elezit, prema sledećem opisu:

Zakup prostora za kiosk po početnoj mesečnoj ceni od 65,00 evra bruto za ukupno 14,4 m² + dodatnih 135 evra za troškove struje, vode i otpada. Čišćenje kioska obavlja zakupac/ponudač.

Način za podnošenje ponude:

Ponuda mora biti podneta u zatvorenoj koverti i mora sadržati sledeće dokaze:

  • 1.Poslovni sertifikat zajedno sa poslovnim informacijama;
  • 2.Pismena izjava o ponuđenoj ceni, pri čemu ponuđena cena mora biti iznad utvrđenog minimalnog praga;
  • 3.Pismeni dokaz da ponuđač može da obezbedi najmanje 1 zaposlenog za pružanje usluga i prodaju proizvoda na kiosku;

Uslovi licitiranja/ponude: Sve zainteresovane strane mogu preuzeti dokumentaciju Obaveznih Tehničkih Specifikacija sa web stranice Carine Kosova: https://dogana.rks-gov.net/ili u carinskoj kancelariji na carinskom Terminalu Hani i Elezit. Potpisana i zapečaćena ponuda biće primljena od strane Carine najkasnije do 23.02.2026. godine, u 14:00 časova, Kancelarija za javne nabavke, Carina Kosova. Adresa: Naselje Kalabrija, Ul. “Rexhep Krasniqi” 10000 Priština, Republika Kosovo.

Svi zainteresovani mogu posetiti restoranski prostor na carinskom terminalu Hani i Elezit dana 13.02.2026. od 11:00 do 12:00 časova.

Kriterijum za dodelu ugovora je odgovarajuća ponuda sa najvišom cenom iznad minimalnog praga koji je odredila Carina Kosova.

Ponuđač je dužan da u kioscima ima na lageru uobičajene i potrebne artikle i da ih ponudi na prodaju po tržišnim cenama. Obezbeđivanje inventara i druge opreme za kiosk ostaje obaveza ponuđača.

Ponuđač/zakupac je, nakon potpisivanja ugovora i pre početka pružanja usluga, dužan da o svom trošku izvrši dezinfekciju, dezinsekciju i deratizaciju celog prostora kioska.

Kiosk će biti otvoren od 07.30 do 16.30 tokom cele nedelje radnim danima. U skladu sa zahtevima i potrebama, kiosk može biti otvoren i posle 16.30 do 20.00 ili 21.00.

11 ish-lojtarë të Manchester United që ndoshta nuk e dini, por ata ende luajnë futboll profesional

10 February 2026 at 17:33


Manchester United ka kaluar shumë ndryshime gjatë dekadës së fundit, me reputacionin në fushë që ka pësuar ulje dhe me shumë lojtarë që kanë ardhur dhe ikur nga "Old Trafford".

Pas fitimit të Ligës Premier në 2013 dhe largimit të Sir Alex Ferguson, klubi ka luftuar për të rikthyer ditët e lavdisë, duke parë shumë emra të njohur të largohen dhe të ndryshojnë rrugët e karrierës së tyre.

Megjithatë, disa ish-lojtarë të Red Devils ende vazhdojnë të luajnë profesionalisht, madje edhe në nivele të ndryshme, dhe GIVEMESPORT ka përgatitur një “formacion startues” për ish-yjet që mund të kishin rënë në harresë nga tifozët.

Portier

Sergio Romero – Ish-portieri argjentinas u bashkua me Man Utd nga Sampdoria nën drejtimin e Louis Van Gaal dhe ishte zëvendësuesi i David De Geas për gjashtë vite, duke përfshirë finales Ligës së Evropës kundër Ajax.

Pas një rikthimi në Itali me Venezia dhe një periudhe te Boca Juniors, tani Romero luan për Argentinos Juniors në elitën e futbollit argjentinas, në moshën 38-vjeçare.


Mbrojtja

Chris Smalling – I menduar si pasardhësi i Rio Ferdinand te qendra e mbrojtjes, nuk arriti nivelet e pritshme për shkak të lëndimeve. Tani luan në Arabinë Saudite me Al Fayha, në moshën 36-vjeçare.

Marcos Rojo – Ish-lojtari i Argjentinës dhe i njohur për stilin e tij të ashpër, pas largimit nga Evropa tani luan për Racing Club në Argjentinë.

Alexander Buttner – Lojtari holandez, që shënoi edhe në sezonin e fundit të Ferguson, tani luan për Vitesse në Eredivisie.

Guillermo Varela – I njohur për asistimin e golit të debutimit të Marcus Rashford kundër Arsenal, pas periudhave huazimi luan aktualisht për Flamengo në Brazil.



Mesfusha

Juan Mata – Lojtari spanjoll, fitues i Kupës së Botës, bëri 285 paraqitje për Man United, duke shënuar 51 gola. Pas Man Utd ka luajtur në Turqi, Japoni dhe aktualisht në Australi me Melbourne Victory.

Shinji Kagawa – Pas dy viteve në Old Trafford, u rikthye në Japoni dhe tani luan për Cerezo Osaka.

Ravel Morrison – Një talent i madh që nuk u zhvillua plotësisht për shkak të problemeve jashtë fushës, tani luan në ligën e dytë të Emirateve të Bashkuara me Arabian Falcons, në moshën 32-vjeçare.


Sulmuesit

Bebe – I njohur për rrugëtimin nga “Homeless World Cup” te Champions League, pas disa viteve në La Liga, aktualisht luan për UD Ibiza.

Federico Macheda – Shënoi golat që ndihmuan Man United të fitonte titullin në 2009, pas shumë klubeve tani luan për Asteras Tripolis në Greqi, në moshën 34-vjeçare.

Nani – Ish-anësori portugez u pensionua në 2024, por në moshën 39-vjeçare u rikthye për të luajtur te Aktobe në Kazakistan.

Formacioni

/Telegrafi/

❌
❌