Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Telegrafi

Fillimi i hetimeve për mospërputhjen e votave - prokurorja Pula takohet me zv.drejtorin e Policisë

19 January 2026 at 14:57


Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari pritën në takim pune zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti dhe drejtorin e departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës.

"Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor", thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se më tej koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula theksoi se pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të ketë rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit do të fillohej grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi.

Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit. /Telegrafi/


MPB: Këtë javë do të bëhet testimi dhe kalibrimi i kamerave të "Safe City" në Shkup

19 January 2026 at 14:55


Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se në kuadër të projektit "Safe City", në periudhën nga 20.01. (e martë) deri më 31.01. (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit.

Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.Nga MPB thonë se gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura.

"Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit".

"U bëjmë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara", thonë nga MPB.

KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë për vendosjen e baterive 90 MWh për ruajtjen e energjisë

19 January 2026 at 14:55


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, ka marrë pronësinë e ngastrës në fshatin Sojevë të Ferizajt, ku do të vendosen bateritë me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, duke i hapur rrugë avancimit të punimeve në kuadër të programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC.

Bateritë e planifikuara do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë në periudhat kur ka tepricë prodhimi dhe për rikthimin e saj në rrjet në momentet e rritjes së kërkesës, me synim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm dhe me kosto më të përballueshme për konsumatorët.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se ky projekt përfaqëson një tjetër rezultat konkret të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kontribuar në ndërtimin e infrastrukturës që forcon sigurinë energjetike të vendit dhe përmirëson shërbimin për qytetarët. /Telegrafi/


Aksioni i sotëm në Prishtinë, në mesin e katër të arrestuarve janë dy zyrtarë të MPB-së

19 January 2026 at 14:54


Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik për një aksion të zhvilluar sot në kuadër të një hetimi penal, me urdhër të Gjykatës kompetente dhe bazuar në kërkesën me shkrim të Prokurorit të Shtetit.

Deri më tani, janë arrestuar katër persona: dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 i Kodit Penal të Kosovës), të cilët dyshohet se kanë lëshuar certifikata për pajisje me leje armësh pa iu nënshtruar procedurave ligjore, dhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” (neni 309 i KPRK-së).

Prokuroria njofton se gjatë urdhër-kontrollit janë sekuestruar dokumente të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kryerjes së veprave penale dhe në sundimin e ligjit,” thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit do të parashtrojë brenda afatit ligjor kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, ndërkohë që hetimet për këtë çështje vazhdojnë. /Telegrafi/

Hidhet shorti për Copa del Rey, Barcelona do të përballet me Albaceten që e eliminoi Realin

19 January 2026 at 14:52


Copa del Rey hyn në fazën e saj vendimtare pas hedhjes së shortit për çerekfinalet, ku janë përcaktuar katër përballje mjaft interesante.

Ndeshjet Albacete – Barcelona, Alaves – Real Sociedad, Valencia – Athletic Bilbao dhe Real Betis – Atletico Madrid do të zhvillohen më 3, 4 dhe 5 shkurt, ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) pritet të konfirmojë së shpejti datat dhe oraret përfundimtare.

Përballja mes Albacetes dhe Barcelonës do të jetë hera e parë që këto dy skuadra takohen ndonjëherë në Copa del Rey.

Albacete vjen në këtë fazë pas eliminimit befasues të Real Madridit, ndërsa Barcelona synon të vazhdojë rrugën drejt trofeut. /Telegrafi/

Grabitje në një argjendari në Prishtinë

19 January 2026 at 14:37


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur sot në një lokal në rrugën "Agim Ramadani" në kryeqytet.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Telegrafin se informatën e kanë pranuar sot rreth orës 10:00.

“Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar informatën për një rast vjedhje e rëndë, që ka ndodhur në një lokal, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Zyrtarët nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme-Prishtinë, në koordinim të plotë me prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë Pllana.

Ai ka shtuar se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë./Telegrafi/

“Babi yt të do nga qielli”: Selvije Jao me një shkrim emocional për ditëlindjen e Roelit

19 January 2026 at 14:36


Ish-bashkëshortja e Shpat Kasapit, Selvije Jao, ka prekur thellë ndjekësit me një postim emocionues me rastin e ditëlindjes së djalit të tyre, Roelit, i cili sot feston 4-vjetorin e lindjes.

Përmes një shkrimi prekës, ajo ka ndarë ndjenjat e saj më të thella, duke uruar të birin në një ditë të veçantë, e cila këtë vit po festohet pa praninë e babait të tij.

Fjalët e saj kanë emocionuar shumëkënd, duke reflektuar dhimbjen, mallin dhe dashurinë e pafundme për të birin.


“Gezuar ditëlindjen jeta ime! Sot mbush 4 vjeç, Roel… E unë do doja të ishte këtu babi yt. Ta shihje me duart plot dhurata, të të merrte në krahë fort e të të përqafonte sikur bota të ndalej aty”, ka shkruar ajo.

Më tej, Selvije Jao ka shprehur dhimbjen për mungesën e Shpatit në këtë ditë të veçantë, duke theksuar njëkohësisht forcën dhe përkushtimin e saj si nënë.

“Sot ti e feston ditëlindjen duke parë fotografinë e tij, dhe unë me dhimbjen që ai nuk arriti të të përqafojë edhe një here. Por biri im, mami është këtu. Për të të dashur dyfish, për të të mbajtur fort”.

“Babi yt të do nga qielli, dhe mami i lutet Zotit të jetë gjithmonë krahu yt. Të dua fort biri im,arsyja që unë frymoj”, përfundoi ajo në postimin emocionues.

Përveç shkrimit, Selvije Jao ka publikuar edhe pamje të vogëlushit Roel, i cili mban në duar një fotografi të babait të tij, Shpat Kasapit, dhe po ashtu momente të ëmbla me të atin.

Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor, duke lënë pas djalin e tij dhe familjarët e dashur. Vdekja e tij tronditi komunitetin artistik dhe ngjalli reagime të shumta, duke u pasqyruar gjerësisht edhe në mediat ndërkombëtare.

Përkundër se kishte marrëveshje, Man Utd i ndalon largimin yllit të skuadrës

19 January 2026 at 14:35


Pas një periudhe të trazuar dhe ndryshimeve në stolin drejtues, Manchester United ka marrë një vendim përfundimtar për t’i dhënë fund negociatave për shitjen e sulmuesit Joshua Zirkzee.

Edhe pse për javë të tëra ishte spekuluar për një transferim të mundshëm te Roma, klubi nga Old Trafford ka mbyllur në mënyrë të papritur derën për këtë operacion, raporton FourFourTwo.

Drejtori sportiv i Romës, Frederic Massara, ka konfirmuar se “Djajtë e Kuq” e bënë të qartë që dy javë më parë se bisedimet nuk ishin më një opsion.

Sipas raportimeve, trajneri i përkohshëm Michael Carrick është i vendosur ta mbajë sulmuesin holandez në skuadër deri në fund të sezonit, pavarësisht konkurrencës së fortë në repartin ofensivë.

Zirkzee kishte shprehur gatishmërinë për t’u huazuar, me një detyrim blerjeje prej 40 milionë eurosh, me synimin për të siguruar më shumë minuta loje në prag të Kupës së Botës që po afron. Megjithatë, afrimet e lojtarëve si Bryan Mbeumo dhe Benjamin Sesko e kanë ndërlikuar më tej situatën e tij, edhe pse klubi vazhdon ta konsiderojë një aset të rëndësishëm për të ardhmen.

Vendimi i Manchester United ka befasuar mediat italiane, të cilat e konsideronin transferimin drejt Romës pothuajse të përfunduar, sidomos pas largimit të Ruben Amorim.

Për momentin, Joshua Zirkzee mbetet në Manchester, ku do të kërkojë të imponohet dhe të justifikojë investimin e bërë nga klubi nën drejtimin e Michael Carrick. /Telegrafi/

Komuna e Vitisë njofton fermerët për Pagesat Direkte nga MBPZhR

19 January 2026 at 14:34


Komuna e Vitisë ka njoftuar fermerët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të blegtorisë në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025.

Sipas njoftimit, përkrahja financiare do të realizohet përmes pagesave direkte për qumësht, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri të tipit brojler, si dhe për akuakulturë.

Nga Komuna e Vitisë bëhet e ditur se thirrja për aplikim hapet më 19 janar 2026 dhe do të jetë e vlefshme deri më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.

Fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afatit të paraparë, ndërsa kriteret dhe kushtet e aplikimit janë të publikuara në uebfaqet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/


Një person kanos fqinjin e tij me armë në Prizren, dërgohet në mbajtje

19 January 2026 at 14:33


Të dielën rreth orës 17:45, pas një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Randobrave, Prizren njëri prej tyre dyshohet se ka marrë armën dhe ka kanosur personin tjetër, fqinjë i tij.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se policia ka identifikuar të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit përgjegjës është bastisur shtëpia e tij.

“Gjatë bastisjes janë hasur dhe sekuestruar: një revole me dy karikator me 30 fishekë, një pushke gjuetie pa fishekë dhe një pushke luftarake me një karikator pa fishekë”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se sektori Rajonal i Hetime nga Drejtoria Rajonale në Prizren është duke e hetuar rastit.

“I dyshuari me aktvendim te prokurorit është ndaluar për në ndalim policor për 48 ore. Kundër tij është filluar procedura penale për veprat penale ‘Posedim i paautorizuar i armës dhe municionit’ dhe ‘ Kanosje’ “.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me armëmbajtjen dhe përdorimin e tyre. /Telegrafi/


Ndalohet një person nga rrethina e Strumicës, kërkohej për vuajtje të dënimit me burg

19 January 2026 at 14:27


MPB Maqedoni njofton se pardje (17.01.2026) në fshatin Balldovc i Vjetër, rrethina e Strumicës, nëpunës policorë nga SPB Strumicë e privuan nga liria Xh.A. (25) nga fshati -Nova Maalla, rrethina e Strumicës.

Siç thonë nga MPB, ai kërkohej me urdhërarrest bazuar në urdhrin e gjykatës për të vazhduar vuajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej 10 muaj për veprën e kryer penale "prodhimi i paaurtorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve" sipas nenit 215 të Kodit Penal.

"Personi u shoqërua në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu -Strumicë që të vuajë dënimin deri në fund", thonë nga MPB.

Mbesa e Trumpit i bën thirrje Evropës: Kundërsulmoni, mos negocioni tarifat

19 January 2026 at 14:20


Mbesa e Donald Trump i ka kërkuar Evropës të “kundërsulmojë” pas paralajmërimeve të presidentit amerikan për të vendosur tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë marrjen e Grenlandës.

Duke cituar një titull të gazetës New York Times që shkruante “Zyrtarët evropianë anojnë drejt negociatave, jo hakmarrjes, për shkak të kërcënimit të Trumpit”, Mary Trump tha se ishte “kaq e lodhur” nga njerëzit që përpiqeshin të negocionin me Donald Trump, shkruan CNN.

“Jam kaq e lodhur nga strategjia e dështuar e negociatave dhe paqësimit. Kjo vetëm sa e fuqizon atë. Kundërsuluni!”, shkroi ajo në X.

Per The New York Times:

“European Officials Lean Toward Negotiating, Not Retaliating, Over Trump Threat”

I am so fucking tired of the failed strategy of negotiation and appeasement. It only empowers him. Fight back!
— Mary L Trump (@MaryLTrump) January 19, 2026

Ndryshe, së fundmi presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk ndien më detyrim të mendojë “thjesht për paqen”, në një letër dërguar kryeministrit të Norvegjisë, ku përpiqet të justifikojë kërcënimet e tij kundër Grenlandës.

Letra iu drejtua kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store dhe iu dërgua një numri ambasadash evropiane në Uashington.

“Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Grenlandës. Faleminderit! President DJT”, tha ai. /Telegrafi/

Burrat që njoh e duan IA-në - gratë jo dhe e kuptoj pse

19 January 2026 at 14:15


Nga: Olivia Petter / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse burrat me të cilët kam dalë gjatë vitit të fundit kanë pasur ndonjë gjë të përbashkët, është ajo se të gjithë duan të flasin me mua për inteligjencën artificiale [IA].

E përdor për të shkruar artikujt e mi? Jo.

A jam e shqetësuar se do të ma zaptojë punën? Në fakt jo.

A do të vazhdoj të shkruaj libra nëse të gjithë duan të lexojnë ato që janë shkruar nga IA-ja? Po.

A e kam përdorur ndonjëherë për t’i shkruar mesazh dikujt në një aplikacion takimesh? Jo.

A duhet ta pyesim ChatGPT-në të na përshkruajë për ndonjë partnerë të mundshëm? Oh, Zot.

Këto biseda rrallëherë janë të rastësishme. Kam pasur edhe debate. Një herë hyra në një bisedë të zjarrtë me një burrë nëse njerëzit duhet të kërkojnë këshilla mjekësore te ChatGPT-ja, dhe me një tjetër që pranoi se e kishte përdorur për ta ndihmuar për ta shkruar një mesazhe ndarjeje.

Ndërkohë, sa herë që kam postuar në Instagram në mbështetje të krijimtarisë njerëzore mbi përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja, marr një lumë reagimesh - dhe ato gjithmonë nga burrat e etur për të përmbysur përsiatjet e mia rreth asaj se çfarë do të thotë të krijosh dhe të konsumosh art.

Kjo nuk do të thotë se gratë që njoh nuk e përdorin IA-në - shumë nga to e shohin si mjet të paçmuar për këshilla për karrierë, mbështetje financiare dhe, në disa raste, mbështetje emocionale - por, nuk besoj se e përdorin, apo qoftë edhe mendojnë për të, aq shumë.

- Lexo po ashtu nga Olivia Petter: Pse brezi Z është kaq i fiksuar pas “pothuajse marrëdhënies”?

Të dhënat e mbështesin këtë. Megjithëse kërkimet ndryshojnë, disa studime kanë treguar se burrat e përdorin IA-në gjeneruese më shumë se gratë. Në vitin 2024, një punim i titulluar Hendeku gjinor në Gen IA ka përshkruar se të dhënat nga Anketa e Pritshmërive të Konsumatorëve tregonin që 50 për qind e burrave përdorin mjete të IA-së gjeneruese, në krahasim me 37 për qind të grave.

Një studim nga Danimarka zbuloi se gratë kanë më pak gjasa të përdorin ChatGPT-në për punë sesa burrat, ndërsa kërkimi i kryer në Shkollën e Biznesit të Harvardit zbuloi se, ndërmjet nëntorit 2022 dhe majit 2024, gratë përbënin 42 për qind të 200 milionë përdoruesve mesatarë mujorë të faqes së internetit të ChatGPT-së.

Po shfaqet një hendek i qartë - i tillë që shumëkush ka frikë se do të thellojë pabarazitë ekzistuese ekonomike në vendin e punës.

Shpjegimet më të zakonshme përfshijnë faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në karrierat STEM [Shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] dhe në rolet specifike të IA-së, si një industri që kryesisht mbahet nga burra; vetëm 14 për qind e pozicioneve ekzekutive të larta në IA mbahen nga gratë.

Por, sinqerisht, mendoj se arsyeja pse gratë nuk e përdorin AI-në aq shumë shkon shumë më thellë sesa përfaqësimi i thjeshtë.

Si fillim, kjo teknologji është përdorur kundër nesh - që nga fillimi. Ka trillime pornografike [deepfake] të krijuar nga Grok-u dhe platforma të tjera; të dashurat e IA-së që burrat përdorin për të zhvilluar biseda dhe për të realizuar fantazi në hapësira ku pëlqimi nuk ekziston; dhe, një mori paragjykimesh gjinore që teknologjia vazhdon të përforcojë.

Ajo i nënvlerëson problemet e shëndetit të grave, shpesh i portretizon gratë në role shtëpiake ose nënshtruese, dhe mbështetet në asistente që janë në thelb të feminizuara - mos harroni që ChatGPT-ja përdori (dhe më pas hoqi) një ndërfaqe zanore që tingëllonte në mënyrë të frikshme si zëri i Scarlett Johanssonit nga filmi Her?

Me gjithë këtë në mendje, a është për t’u habitur që disa gra mund të ndihen të rezervuara për të përqafuar IA-në me të njëjtin entuziazëm që duket se po shfaqin burrat?

Kam disa shokë që janë gjithashtu të pavendosur, por, si unë, ata punojnë në fusha krijuese ku IA-ja aktualisht përbën më shumë kërcënim sesa ndihmë. Edhe kështu, disa prej tyre janë të lumtur t’i bëjnë pyetje ChatGPT-së, gjatë gjithë ditës, ashtu siç nuk i kam parë kurrë gratë.

Ndoshta ekziston një nivel i natyrshëm i besimit në lojë - një supozim se kjo platformë mund të ndihmojë sepse favorizon.

Është një vetëbesimqë gratë nuk janë inkurajuar ta zhvillojnë. Dhe, megjithatë, përderisa teknologjia evoluon, IA-ja do të formësojë dhe përcaktojë gjithnjë e më shumë jetën tonë.

Mbetet vetëm të shpresojmë që përgjatë rrugës të bëhet një hapësirë më e sigurt për gratë. Ndërkohë, do të mund t’u bënte mirë përdoruesve të zjarrtë meshkuj që të jenë të vetëdijshëm për këtë - ose, të paktën, të kenë një shkallë të shëndetshme skepticizmi gjatë përdorimit të saj.

Kjo më kthen te takimi ku një burrë sugjeroi të përdornim ChatGPT-në për të na përshkruar si partnerë të mundshëm. Ia dërgova timen: një listë e çrregullt me klishe të parashikueshme të gjeneruara nga ajri i nxehtë i internetit (“Olivia është altruiste, bujare dhe e ngrohtë”).

Bëra shaka për faktin që nuk isha asnjë nga këto gjëra. Ai nuk dukej se e kuptoi dhe u përgjigj se në të vërtetë do të donte shumë të ishte me një altruiste, bujare dhe të ngrohtë. “Sa keq”, shtoi ai.

Nuk jam edhe aq e sigurt që ishte. /Telegrafi/

Komuna e Shtimes njofton hapjen e thirrjes për Pagesa Direkte në sektorin e blegtorisë

19 January 2026 at 14:12


Komuna e Shtimes ka njoftuar qytetarët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, duke vazhduar mbështetjen për sektorin e blegtorisë.

Sipas njoftimit, përkrahja financiare përfshin pagesa direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri (brojlerët), si dhe për akuakulturë, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga programi përkatës.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00, ndërsa fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara për të përfituar nga këto skema mbështetëse.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje bujqve dhe blegtorëve që për informacione shtesë dhe procedurat e aplikimit të ndjekin njoftimet zyrtare të Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/


Lëshuan certifikata për armë pa prezencën e personave, katër të arrestuar gjatë aksionit të sotëm në Prishtinë

19 January 2026 at 14:11


Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot në kryeqytet.

Kontrollet u kryen në katër lokacione të ndryshme, përfshirë dy shtëpi private, një lokal afarist dhe një zyrë, në koordinim me Prokurorinë Themelore Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtinë.

“Përmes hetimeve të zhvilluara, ku janë aplikuar masat e veçanta të hetimit, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar veprat penale si: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, policia njofton se në mesin e të arrestuarve janë tre burra dhe një grua.

“Dyshohet se katër persona të dyshuar (nga ta tre meshkuj kosovarë dhe një femër kosovare) janë përfshirë në veprat penale të lartcekura, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese”, ka njoftuar policia.

Gjatë kontrollit, Policia sekuestruar 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/

Filipçe: Standardi i jetesës së qytetarëve po bie, mungojnë mbi 2 miliardë euro në buxhet

19 January 2026 at 13:57


Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, theksoi se qeveria nuk ka vullnet të vërtetë për debat substancial dhe zgjidhje që do të përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve, ndërsa shteti po debitohet çdo ditë e më shumë dhe situata ekonomike po përkeqësohet.

"Fatkeqësisht, nuk kemi parë asnjë vullnet nga kjo qeveri për të debatuar vërtet për asgjë. Patëm shumë thirrje, patëm shumë projektligje për rritje të pagave, standardi i jetesës së qytetarëve po bie dita-ditës, shteti po debitohet gjithnjë e më shumë. Çdo ditë ka huazime të reja, kemi 2 miliardë që mungojnë vetëm tani në buxhet", tha Filipçe.

Duke vepruar kështu, Filipçe theksoi se qeveria po shpenzon paratë e buxhetit pa një efekt të qartë zhvillimi dhe pa investime në projekte kapitale.

"Ka para që merren vetëm për t'u shpenzuar pa asnjë investim në objekte kapitale, kemi rrezik nga migrantët që duhet të vijnë për para, të cilët gjithashtu nuk kanë asnjë mohim serioz, as nuk e kanë nënshkruar projekt-deklaratën tonë", tha Filipçe.

Ai shtoi se të gjitha çështjet thelbësore mund dhe duhet të debatohen nëse ka vullnet të vërtetë politik.

"Pra, nëse ka vullnet të vërtetë për ta udhëhequr vendin ashtu siç duhet, siç kanë qenë drejtimet strategjike për 30 vitet e fundit, vërtet drejt Bashkimit Evropian, gjithçka mund të debatohet në Parlament. Ne do të inicojmë ato aspekte që janë të rëndësishme dhe që janë në interes dhe përfitim të të gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm disa aspekte që i përshtaten vetëm kësaj qeverie të butë", tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

KQZ vendos: 28 komuna shkojnë në rinumërim të plotë të votave

19 January 2026 at 13:55


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që në 28 komuna të shkohet me rinumërim të plotë të të gjitha votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave të kandidatëve, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, Radoniqi bëri të ditur se institucioni ka pranuar raportin nga procesi i rinumërimit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Sot kemi pranuar raportin nga procesi i rinumërimit që po zhvillohet në QNR. Aktualisht, 914 vendvotime janë në proces rinumërimi, sipas vendimit të KQZ-së. Në 10 komuna po bëhet rinumërimi i plotë, ndërsa në 28 komuna të tjera po rinumërohen rreth 10 për qind e vendvotimeve”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai shtoi se KQZ-ja ka pranuar raportin pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve, me të dhëna të datës 13 janar.

"Raporti tregon se ndryshimet në votat e subjekteve politike janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme, çka dëshmon se numërimi i tyre është bërë në mënyrë të saktë. Ndërkohë, situata është ndryshe sa i përket votave të kandidatëve. Të dhënat pas rinumërimit tregojnë një shkallë të lartë të pasaktësisë në numërimin e votave të kandidatëve. Nga rinumërimi rezulton se 36 mijë e 7 vota u janë zbritur kandidatëve, të cilat ishin regjistruar gabimisht në QNR, ndërsa 20 mijë e 978 vota u janë shtuar kandidatëve, pasi nuk ishin regjistruar saktë gjatë numërimit fillestar”, tha ai.

Radoniqi theksoi se analiza numerike e veçon Komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem sa i përket mospërputhjeve në numërim.

Ai bëri të ditur se para mbledhjes së KQZ-së, në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore janë dhënë dy rekomandime kryesore: rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe në 28 komunat e tjera; ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.

Radoniqi po ashtu theksoi se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit, duke shtuar se KQZ-ja do të ofrojë bashkëpunim të plotë institucional gjatë procesit hetimor. /Telegrafi/

Siguria në shkolla, Komuna e Prishtinës merr vendim të ri

19 January 2026 at 13:50


Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Kosovar Center for Security Studies (KCSS), me qëllim të forcimit të sigurisë në shkolla dhe parandalimit të dhunës tek të rinjtë.

Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të projektit “A Generation at Risk: Addressing Youth Violence and Strengthening School Safety through Research and Informed Reform” dhe synon përmirësimin e mjedisit shkollor përmes hulumtimit të bazuar në dëshmi, koordinimit institucional dhe zhvillimit të politikave të informuara.

Nga Drejtoria e Arsimit bëhet e ditur se memorandumi paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të shkollave më të sigurta, më mbështetëse dhe më rezistente për nxënësit, duke adresuar në mënyrë sistematike çështjet e sigurisë dhe dhunës në ambientet arsimore.

Ky angazhim udhëhiqet nga Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, me fokus në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e mekanizmave parandalues në sistemin arsimor. /Telegrafi/


Komuna e Malishevës hap thirrjen për aplikim për gjashtëmujorin e dytë të Programit të Pagesave Direkte 2025

19 January 2026 at 13:45


Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Malishevës ka njoftuar se është hapur thirrja për aplikim për gjashtëmujorin e dytë të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, e cila zbatohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas njoftimit, përmes këtij programi do të vazhdojë mbështetja për sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës, përmes pagesave direkte për qumësht, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat dhe zogjtë për majmëri, si dhe për akuakulturë, në përputhje me programin e miratuar për vitin 2025.

Përkrahja financiare përfshin këto kategori:

  • Pagesa Direkte për qumësht;
  • Pagesa Direkte për therjet e raportuara të gjedhit;
  • Pagesa Direkte për viçat për majmëri;
  • Pagesa Direkte për zogjtë për majmëri (brojlerët);
  • Pagesa Direkte për akuakulturë.

Afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.

Nga Drejtoria për Bujqësi në Malishevë ftohen të gjithë fermerët që i plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të paraparë, me qëllim të përfitimit nga mbështetja financiare e Programit të Pagesave Direkte. /Telegrafi/


Ministria konfirmon se rritja e pagës minimale në sektorin privat ka hyrë në fuqi, nga korriku do të jetë 500 euro

19 January 2026 at 13:45


Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, vendim që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.

“Paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë, zbatimi i këtij vendimi do të realizohet në dy faza, me qëllim lehtësimin e përshtatjes së punëdhënësve.

“Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.”

Faza e dytë e rritjes është paraparë për mesin e vitit.

“Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto”, ka njoftuar Ministria e Financave.

Ministria vlerëson se kjo rritje është e rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

“Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës. Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

❌
❌