Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Telegrafi

Trendafilov: Të mërkurën LSM do të protestojë, paga minimale duhet të jetë 600 euro

23 January 2026 at 20:35


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të mërkurën organizon protestë për të shprehur pakënaqësinë nga mosrritja e pagës minimale në 600 euro dhe të gjithë pagave tjera për 100 euro.

Protesta do të fillojë në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë.

“Është koha të luftojmë së bashku për paga dinjitoze së bashku me punëtorët. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që pyesin veten se si t’ia dalin mbanë këtë muaj, punëtorëve që i gënjyen shefat e tyre se do t’u rrisnin pagat, të na bashkohen në rrugë sepse nuk kanë rënë dakord të rrisin pagat e punëtorëve dhe të përmirësojnë standardin e punës deri më 31 dhjetor. 33 përqind e 540 mijë punëtorëve jetojnë nën pragun e varfërisë, domethënë shkojnë në punë dhe janë të varfër”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.

Trendafilov përkujtoi se edhe në anketën e LSM-së punëtorët u shprehën se janë të gatshëm të dalin në protestë nëse nuk rriten pagat.

“Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim në një seri hapash që do të ndërmarrim në periudhën e ardhshme, që do të thotë protesta shtesë, bllokada shtesë të synuara të institucioneve të caktuara dhe një grevë të përgjithshme 24-orëshe në sektorin publik dhe privat, dhe nëse nuk dëgjojnë, ne do të mbledhim 10,.000 nënshkrime dhe do të bëhemi propozues i autorizuar dhe do të kërkojmë një ulje të pagave të zyrtarëve për 78 për qind dhe një rritje të pagës minimale në 600 euro dhe një rritje të pagave të tjera”, tha Trendafilov.

Ai tha se vitin e kaluar nuk pati rritje drastike të pagave, dhe që nga janari shporta sindikaliste është rritur me gati një mijë denarë, sipas tij, politika të tilla bëjnë që personeli i kualifikuar të largohet nga vendi me të gjitha familjet e tyre, dhe të huajt po vijnë për të mbushur vendet e punës.

"Ju treshja merrni sinjale, ju ndihmon produksioni", Benita me akuza të ashpra ndaj BBVK gjatë debatit me Klodin

23 January 2026 at 20:29


Gjatë një debati të tensionuar në dhomën e ndenjes, banorja Benita ka akuzuar publikisht produksionin e Big Brother VIP Kosova për dhënien e sinjaleve ndaj disa banorëve, duke nxitur reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale.

Debati ndodhi mes Benitës dhe Londrimit, kur banorja shprehu pakënaqësinë e saj me mënyrën se si po zhvillohet loja. “Mjafton me ta japë Leonora një opinion dhe më të thënë ndërrone lojën, por lojtarët mos i ndro. Sinjal. Finalistë të dështuar, nëse ju shkoni në finale jeni të dështuar. Pse? Sepse merrni sinjale, merrni sinjale. A po mendon që unë jam budallçie a, a po mendon që unë s’po e di që ju po merrni sinjale? Sinjale jeni tu marr,” tha Benita gjatë përplasjes.

Me këto fjalë, ajo i referohej Klodit, Londrimit dhe Elijonës, duke i akuzuar se po marrin udhëzime të fshehta nga produksioni, gjë që sipas saj e dëmton lojën dhe bën diferencë mes banorëve.

— (@)

Videoja e momentit është bërë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime te publiku mbi transparencën e programit dhe mënyrën se si trajtohen banorët brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova.

Fansat kanë reaguar menjëherë, duke komentuar nëse këto akuza janë të vërteta apo thjesht një strategji e Benitës për të ndikuar në dinamikën e lojës.

Në pritje të episodit të ardhshëm, mbetet të shihet se si produksioni do të përgjigjet ndaj akuzave dhe nëse kjo situatë do të ndikojë në rrjedhën e lojës. /Telegrafi/

S’ke kohë për t’i larë flokët? Frizura e Bella Hadid po bëhet zgjidhja më praktike e sezonit

23 January 2026 at 20:26


Bella Hadid këtë vit ka vendosur të diktojë ekskluzivisht trendet e modës dhe, për momentin, kjo po i shkon për mrekulli, ditë pas dite na ofron diçka të re dhe premtuese

Modelja e njohur dhe një nga gratë më të bukura në botë, Bella Hadid, edhe më herët ka qenë shpesh temë kur bëhet fjalë për vendosjen e trendeve të reja të modës. Nëse ju mungon frymëzimi, mjafton t’i “hidhni një sy” asaj dhe moda fillon të krijohet vetvetiu.

Vitit 2026 Bella ia ka nisur si një përcaktuese e vërtetë e trendeve, ndaj tashmë disa herë ka qenë në qendër të vëmendjes pikërisht për shkak të pamjes ose disa veshjeve që kërcënojnë të bëhen të duhurat këtë sezon. Tani ajo “është hedhur” edhe te frizurat, duke treguar se si i ka kaluar festat e fundvitit.

Fotografia e parë në varg ka tërhequr edhe vëmendjen më të madhe. Në të, modelja pozon me një pallto moderne nga gëzofi artificial (të tilla janë shumë në modë aktualisht), ndërsa flokët i ka thurur në dy gërsheta anash, duke kujtuar Pipin Çorapegjatë, transmeton Telegrafi.

Bella ka thurur fijet më të gjata të flokëve, ndërsa fijet më të shkurtra dhe balluket kanë rënë anash. Me ndihmën e një efekti të Instagramit ose grimit, në fytyrë kishte edhe disa njolla të vogla. Kjo frizurë është e dëshirueshme edhe kur ju përton të lani flokët, ndaj është njëkohësisht zgjidhje ideale për të gjitha gratë që nuk kanë shumë kohë.

Pipi e vërtetë Çorapegjatë, apo jo?

Sipas parashikimeve të deritanishme, gërshetat mund të zënë vendin e parë në listën e frizurave më të preferuara në vitin 2026. /Telegrafi/

Andy Robertson drejt Tottenhamit, Liverpoolin gjen pasuesin e papritur për skocezin

23 January 2026 at 20:23


Rikthimi i Kostas Tsimikas te Liverpooli nga Roma duket edhe më i mundshëm, pasi disa burime raportojnë se “Reds” janë gati t’i drejtohen klubit italian për të ndërprerë huazimin e mbrojtësit.

Reprezentuesi i Greqisë pritet të kthehet në “Anfield” gjatë këtij muaji, sidomos nëse Andy Robertson realizon kalimin te Tottenham. Mediat italiane kishin raportuar që në fillim të javës se Roma ishte e gatshme ta dërgonte Tsimikasin mbrapsht, pasi 29-vjeçari nuk ka bindur gjatë periudhës së tij të huazimit në Olimpico.

Tashmë, sipas gazetarëve Ben Jacobs dhe Fabrizio Romano, Liverpooli është i përgatitur të bëjë një kërkesë zyrtare për rikthimin e Tsimikasit, me Robertson që është pranë transferimit te Tottenham.

Kapiteni i Skocisë raportohet se është i etur për t’u zhvendosur në Londrën e Veriut, çka do ta bënte Tsimikasin zëvendësuesin e tij në skuadrën e Liverpoolit.

Ben Jacobs shton se burime pranë Tsimikasit konfirmojnë se vetë lojtari është i interesuar për një rikthim te Liverpooli.

Mbrojtësi i majtë grek ka grumbulluar vetëm 672 minuta lojë gjatë huazimit te Roma, duke dhënë një asistim në 16 paraqitje gjithsej./Telegrafi

Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe FAO-së për zhvillim të qëndrueshëm rural

23 January 2026 at 20:22


Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi ka pritur në takim përfaqësuesit e FAO-së, Ekrem Yazici dhe Daniela Mangione, nga Zyra Rajonale në Budapest.

Gjatë këtij takimi, ata kanë diskutuar mbi forcimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndër vite ndërmjet FAO-s dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe mbi planet konkrete për bashkëpunim e deritashëm për sektorin e pylltarisë.

“FAO ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural. Ne jemi të përkushtuar që ky bashkëpunim të forcohet dhe të thellohet më tej, me fokus të drejtpërdrejtë në përkrahjen ofrimit të shërbimeve të sakta dhe bashkëkohore në sektorin e pylltarisë, e po ashtu në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor e rural”, ka thënë ministri në detyrë, Demelezi.

Ndryshe, dje (22/01/2026) është përmbyllur programi FAO, ku ambasada e Suedisë së bashku me Bashkimin Evropian, kanë subvencionuar pajisje në mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve.

Në këtë konferencë morën pjesë ekspertë të mjedisit, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe organizata ndërkombëtare, të cilët diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen pyjet në Kosovë, përfshirë prerjet ilegale, ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për politika më efektive për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre. /Telegrafi/



Cole Palmer te Man United? Trajneri i Chelseas komenton zërat për largimin e yllit anglez

23 January 2026 at 20:13


Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka këmbëngulur se Cole Palmer është pjesë e planeve afatgjata të klubit, mes zërave të fundit për një largim të mundshëm.

Palmer realizoi gol në fitoren e Chelseat ndaj Brentfordit në ndeshjen e fundit të Liga Premier, por u la pushim në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Pafos, teksa vazhdon rikuperimin nga një lëndim në ijë.

23-vjeçari ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje në kampionat këtë sezon dhe është paraqitur vetëm një herë në Ligën e Kampionëve, duke shënuar gjithsej pesë gola në këto takime.

Që nga transferimi i tij në Stamford Bridge në verën e vitit 2023, vetëm Mohamed Salah (81), Erling Haaland (78) dhe Ollie Watkins (62) kanë më shumë përfshirje direkte në gola sesa Palmer (59) në elitën e futbollit anglez.

Ditët e fundit, Palmer është lidhur me një transferim të mundshëm te Manchester United, pavarësisht faktit se Chelsea ka ende shanse reale për të fituar tre trofe këtë sezon.

Megjithatë, Rosenior ka hedhur poshtë këto spekulime, duke theksuar se fokusi i tij i vetëm është rikthimi i plotë i anglezit në formën më të mirë.

“Kam pasur shumë biseda me Cole dhe ai duket shumë i lumtur këtu. Ai është shumë i lumtur që është pjesë e këtij klubi”.

“Ai është një pjesë shumë e rëndësishme e planeve tona afatgjata. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe çdo futbollist, gjatë karrierës së tij, kalon periudha të vështira për shkak të lëndimeve”.

“Detyra ime dhe e klubit është ta vendosim në një situatë ku ai të mund të performojë vazhdimisht në nivelin që dëshiron. Kishte frustrim në ndeshjen ndaj Brentfordit, por kjo vinte sepse ai kishte dhimbje dhe nuk mund të luante në nivelin më të lartë të mundshëm”.

“Duhet të kujdesemi për të dhe kjo është arsyeja pse nuk e aktivizova në ndeshjen e fundit”.

“Duhet të kujdesem për lojtarët. Jo vetëm për Cole, por për disa lojtarë në grup, dhe nuk mund t’i detyrojmë të luajnë”.

“Unë dua që në fund të sezonit të jemi të përfshirë në ndeshje të mëdha dhe në kompeticione të mëdha”./Telegrafi

Meloni: Është ide e keqe ta luftojmë Trumpin, humbasim gjithçka

23 January 2026 at 20:09


Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ia paraqiti argumentet e presidentit të SHBA-së Donald Trump BE-së pas dyerve të mbyllura këtë javë, në një përpjekje për të qetësuar tensionet transatlantike.

Në një samit në Bruksel të enjten, Meloni u tha homologëve të saj të BE-së se luftimi i Trumpit ishte një ide e keqe sepse Evropa ka gjithçka për të humbur nga një konflikt me Amerikën, sipas katër personave të informuar mbi bisedat e udhëheqësve, të cilëve iu dha anonimitet për të detajuar bisedat private.

Në vend të kësaj, ajo i nxiti të gjithë të qëndronin të qetë dhe të mos e konsideronin Trumpin si “të çmendur” ose të paparashikueshëm, shkruan Politico.

Duke folur pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sugjeroi që udhëheqësit e kishin nxjerrë mësimin këtë javë se përballja me Trumpin në një mënyrë “të vendosur”, por “jo-përshkallëzuese”, ishte një strategji efektive që ata duhet ta vazhdonin.

Udhëheqësit e BE-së thirrën samitin e jashtëzakonshëm në përgjigje të kërcënimit të Trumpit për të goditur tetë vende evropiane me tarifa për shkak se kundërshtuan kërkesën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës nga Danimarka.

Kriza në marrëdhëniet transatlantike ka dominuar diskutimet në Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane, dhe udhëheqësit u mblodhën për darkë për të provuar të hartojnë një strategji për të ardhmen.

Pasi BE-ja kërcënoi të përdorte metoda tregtare dhe të tjera për t'u hakmarrë nëse Trump do të vazhdonte me kërcënimin e tij për tarifa, dhe tregjet reaguan negativisht, presidenti amerikan u tërhoq dhe tregoi se donte një marrëveshje miqësore për Grenlandën.

Raportet e ndërhyrjes së Melonit sugjeronin se ajo donte një qasje më të kujdesshme sesa disa udhëheqës rreth tryezës.

Ndryshe, të premten Meloni priti kancelarin gjerman Friedrich Merz në Romë për të diskutuar bashkëpunim më të madh në mbrojtje dhe industri.

Udhëheqësit e BE-së vendosën të takohen përsëri muajin e ardhshëm për një sesion “brainstorming” mbi mënyrat e përshtatjes ndaj një rendi të ri botëror të dominuar nga rivalitetet e fuqive të mëdha. /Telegrafi/

DiCaprio i nominuar për çmimin 'Oscar' për herë të tetë: Pak aktorë ia kanë dalë mbanë këtë

23 January 2026 at 20:05


Leonardo DiCaprio është nominuar për çmimin Oscar për herë të gjashtë në kategorinë e rolit kryesor mashkullor për filmin "One Battle After Another", në të cilin luan rolin e babait beqar dhe revolucionarit të hutuar Bob Ferguson. Deri më tani, ai është nominuar për këtë çmim prestigjioz gjithsej tetë herë në karrierën e tij.

Dhjetë vjet pasi fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë për filmin "The Revenant", DiCaprio tani i është bashkuar shoqërisë së rrallë të Daniel Day-Lewis. Duke përfshirë një nominim për aktor mbështetës në filmin "What's Eating Gilbert Grape", ai është tani një nga vetëm tetë aktorë dhe aktore që e kanë arritur këtë rekord statistikor. Ai ka tetë nominime në total, përfshirë një nominim për filmin më të mirë si producent për "The Wolf of Wall Street".

DiCaprio, një aktor i njohur për besnikërinë e tij të zjarrtë ndaj regjisorëve, është më pak i interesuar për vetë çmimet sesa për faktin se është pjesë e një filmi aq të përjetshëm sa "Një betejë pas një tjetri", i tha ai Associated Press.

Foto: Leonardo DiCaprio/Instagram

"Më pëlqen ajo që bëj. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me përpjekjen për të luajtur në filma që janë të paharrueshëm. Është një gjë e mrekullueshme, që kolegët e tu ta njohin disi atë punë", tha ai.

Në filmin “One Battle After Another”, DiCaprio mori një nga rolet më të mëdha në një karrierë tashmë mbresëlënëse. Është një performancë që nuk është e lehtë të përcaktohet, por që i thekson në maksimum aftësitë e tij aktruese, duke i lejuar atij të jetë i zgjuar, emocional, intim dhe plotësisht autentik.

"Është fantastik. Një film si ky, një film për të cilin Paul Thomas Anderson ka menduar për më shumë se 20 vjet, një film kaq aktual dhe i rëndësishëm, një film në të cilin pata mundësinë të punoja me kaq shumë nga heronjtë e mi, me një regjisor që është heroi im... Është e lehtë të flasësh për një arritje të tillë dhe ta promovosh atë. Është një vepër arti për të cilën je krenar dhe unë nuk mund të isha më krenar që jam pjesë e atij filmi", tha ai.

Ai shpreson që publiku do të vazhdojë t'i rikthehet këtij filmi, duke zbuluar interpretime të reja, mënyra të reja për të parë personazhet dhe motivet e tyre. Filmi mori gjithsej 13 nominime, që është vetëm më pak se vepra e "Sinners", duke përfshirë nominimet për Filmin më të Mirë, Regjisorin më të Mirë dhe nominimet për Aktorin Mbështetës për Benicio Del Toro dhe Penn. /Telegrafi/

Kosova në Bordin e Paqes, Osmani: Besoj në udhëheqjen e presidentit Trump për të sjellë paqe

23 January 2026 at 20:01


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova e mbështet fuqishëm nismën e Bordit të Paqes, duke theksuar se përvoja e vendit në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes mund të shërbejë si shembull për botën.

Deklarata e Osmanit u bë para mediave ndërkombëtare pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe bashkëthemeluesve të tjerë të kësaj nisme.

Osmani theksoi se Kosova vjen nga një përvojë e dhimbshme lufte dhe se paqja që sot gëzon vendi është rezultat i mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së.

“Duke ardhur nga Republika e Kosovës, një vend i shkatërruar nga lufta, dhe që sot jeton në paqe falë udhëheqjes amerikane, jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë që qëndrojmë krah Presidentit Trump në këtë nismë të re,” tha Osmani.

Ajo potencoi se beson fuqishëm në udhëheqjen amerikane dhe në qëllimin e Bordit të Paqes për të arritur rezultate konkrete. “Besoj fuqishëm në lidershipin e presidentit Trump dhe ekipit të tij. Kjo është për të shpëtuar jetë”, tha Osmani, duke shtuar se gjenerata e saj është rritur si “fëmijë lufte”.

Presidentja e Kosovës deklaroi se Kosova ka mbi 20 vjet përvojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe në proceset e ndërtimit të shtetit.

“Kosova është një nga ato shembujt ndriçues që mund të ofrojë praktikat më të mira për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes,” tha ajo.

Duke folur për rolin e organizatave ndërkombëtare, Osmani theksoi se procedurat komplekse të vendimmarrjes në Kombet e Bashkuara e kanë bërë të vështirë arritjen e paqes, ndërsa Bordi i Paqes synon një qasje më të drejtpërdrejtë.

“Me këtë organizatë të re, jam e bindur se paqja mund të çojë përpara përmes një procesi vendimmarrjeje më pak kompleks,” tha Osmani. Ajo sqaroi se kjo nismë nuk synon të zëvendësojë OKB-në, por të punojë së bashku me të.

“Në rajonin tonë, OKB-ja ka pasur rol kryesisht në ruajtjen e paqes, ndërsa kur ishte fjala për arritjen e paqes, udhëheqja erdhi nga Shtetet e Bashkuara,” deklaroi presidentja.

Vjosa Osmani potencoi se Kosova sot është një vend i sigurt dhe se përvoja e saj mund të kontribuojë në përpjekjet globale për paqe. “Sipas organizatave ndërkombëtare, Kosova është një nga vendet më të sigurta në botë,” tha ajo, duke shtuar se “jeta e njerëzve është në qendër të kësaj nisme”.


Sela: Kamerat nga "Safe City" janë vendosur në komunat me shumicë shqiptare, po ndodh zhvatje e qytetarëve

23 January 2026 at 19:47


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.

"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.

Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.

"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.

Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.

Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/

Vendosja e flamurit shqiptar në Komunën e Preshevës, Rexhepi përndiqet penalisht nga Serbia

23 January 2026 at 19:42


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, njoftoi se ka marrë sot një ftesë nga gjykata lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në institucionin zyrtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Rexhepi theksoi se kjo është një dëshmi e presionit institucional ndaj shqiptarëve në Preshevë.

“Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore. Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, shkruan ai.

Rexhepi riafirmoi vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e komunitetit shqiptar në rajon, pavarësisht sfidave institucionale.


Armë “made in Albania” brenda vitit 2026

23 January 2026 at 19:28


Brenda vitit 2026, Shqipëria do të nisë prodhimin e armëve “Made in Albania”.

Qeveria shqiptare ka nisur prezantimin e projektligjit në komisionet parlamentare, ku ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri njoftimin zyrtar.

Aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e kompanive të përbashkëta shtet–privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë. Këto kontrata parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron, si edhe mjeteve për emergjencat civile.

Ministri i Mbrojtjes bëri me dije gjithashtu se negociatat për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit janë në fazën përfundimtare dhe po zhvillohen në bashkëpunim me gjigantin italian “Fincantieri”.

Sipas qeverisë, synohet sigurimi i një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak, në mënyrë që Shqipëria të jetë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe politikat kombëtare, duke respektuar preferencat dhe bashkëpunimin me vendet aleate./Tv Klan

Stojanoska akuzon, BDI reagon për pretendimet se Ahmeti ka kërkuar të futet në qeveri

23 January 2026 at 19:28


Deputetja e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanoska ka akuzuar sot se kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kërkuar të bëhet pjesë e qeverisë pa kryetar parlamenti dhe me më pak ministri se partneri aktual shqiptar në qeveri, informon Telegrafi Maqedoni.

Ajo ka shtuar se OBRM-PDUKM ishte e vendosur që BDI-në ta dërgojë në opozitë, ndaj edhe ashtu ndodhi.

"Ali Ahmeti thotë se është pajtuar me Presidentin Mickoski një vit më parë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, por nuk po e thotë të vërtetën për takimin në zyrën time, ku i ofroi të bashkohej me Qeverinë, pa kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe duke pranuar një vend ministror më pak se sa kërkonte Vlen, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri. Por ne mbetëm të palëkundur në atë që ishte një mesazh nga populli - se BDI duhet të kalojë në opozitë. Herën tjetër, para se të thotë gënjeshtra, le ta mendojë me kujdes dhe të jetë i përgatitur që ne do ta themi të vërtetën", u shpreh Stojanoska.

Ndaj kësaj deklarate reaguan nga BDI, duke thënë se Ali Ahmeti nuk ka pasur as takime e as pazare për tu bërë pjesë e Qeverisë.

"Deklarata e deputetes Dafina Stojanovska duket më shumë si një përzierje kujtimesh sesa si një fakt politik. Në gjithë atë lëvizje mes dhjetra banesave që ajo i posedon duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku. Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as dhe nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën", deklaruan nga BDI.

Kritikat dhe akuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës filluan sot pasi me shumicë prej 81 votash u miratua aktivizimi i sistemit "Safe City", që do të gjobisë shkelësit e rregullave në komunikacion nga data 1 shkurt.

Për këtë ligj pati reagime të ashpra nga opozita shqiptare, duke e cilësuar ligjin si harxhime shtesë për qytetarët dhe sistemin si antikushtetues dhe diskriminues, pasi i njejti momentalisht do të zbatohet vetëm në tre qytete dhe jo në gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/

E papritur: Alba dhe Limi kapin duart, tregojnë shenja pajtimi në BBVK

23 January 2026 at 19:26


Dy nga banorët më të komentuar të Big Brother VIP Kosova, Alba dhe Limi, kanë surprizuar publikun sonte me një veprim që askush nuk e priste, duke rikthyer vëmendjen te raporti i tyre i shumëpërfolur brenda shtëpisë.

Gjatë mbrëmjes, dyshja janë parë teksa kapnin duart, një gjest i thjeshtë në dukje, por me një domethënie të fortë për ndjekësit e formatit, të cilët prej ditësh kanë diskutuar për marrëdhënien e tensionuar mes tyre.

Ky moment ka ngritur dyshime dhe shpresa se raporti mes Albës dhe Limit mund të jetë rregulluar, të paktën në një nivel miqësor.

Veprimi i tyre nuk ka kaluar pa u vënë re, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat po spekulojnë nëse ky është fillimi i një afrimi të ri apo thjesht një shenjë paqeje pas keqkuptimeve të mëparshme.

Mbetet të shihet në vazhdim se si do të zhvillohet raporti mes Albës dhe Limit dhe nëse ky gjest do të pasohet nga hapa të tjerë që do ta qartësojnë më tej dinamikën mes tyre brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova. /Telegrafi/

Egzon Shkololli: Sporti nuk është luks, është domosdoshmëri – Fillimi është sot

23 January 2026 at 19:21


Trajneri i njohur i fitnesit, Egzon Shkololli, ka përcjellë një mesazh të fortë dhe motivues për ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke vënë theksin te rëndësia e aktivitetit fizik dhe kujdesit për shëndetin.

Përmes një statusi të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Shkololli ka paralajmëruar se mungesa e kohës për sport sot, shpesh përkthehet në probleme shëndetësore nesër. Ai thekson se trupi dërgon sinjale çdo ditë, por nëse ato injorohen, pasojat janë të pashmangshme, duke u shoqëruar me vizita te mjeku, barna dhe shpenzime të mëdha financiare.

“Sporte nuk është luks, është domosdoshmëri”, ka shkruar ai, duke nënvizuar se investimi në shëndet dhe mirëqenie duhet të nisë sot dhe jo të shtyhet vazhdimisht për një moment tjetër. Sipas Shkolollit, kujdesi për trupin është forma më e mirë e parandalimit të sëmundjeve dhe një zgjedhje e mençur për një jetë më cilësore.

Në mesazhin e tij, trajneri nga Illyrian Sport në Pejë ka ftuar të gjithë që të marrin përgjegjësi për veten, duke e konsideruar fillimin e aktivitetit fizik si një vendim që nuk duhet vonuar. “Fillimi është sot. Jo kur të kem kohë”, përfundon ai, duke përcjellë një thirrje të qartë për veprim dhe ndërgjegjësim. /Telegrafi/

Cakolli nga KDI: Rreth 80 mijë vota të kandidatëve në zgjedhjet e Kosovës rezultojnë të pasakta pas rinumërimit

23 January 2026 at 19:05


Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur se nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit (QNR), rreth 80 mijë vota të kandidatëve për deputetë kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht.

Sipas Eugen Cakollit nga KDI, në Kosovë kanë pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, dhe secili votues kishte të drejtë të votojë deri në 10 kandidatë.

“Numri i përgjithshëm i votave preferenciale për kandidatët arrin në rreth 6.8 milion, që do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, ka shkruar Cakolli.

Ai shtoi se nga rreth 80 mijë vota të afektuara, 47,619 vota u hoqën nga kandidatët pasi ishin shtuar gabimisht gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota iu shtuan kandidatëve pasi ishin hequr më parë në mënyrë të pasaktë.

“Brenda këtyre votave, afërsisht 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, 11 mijë LDK-së dhe 4 mijë AAK-së”, theksoi ai.

Cakolli nënvizoi se mbi 80% e këtyre votave të pasakta vijnë nga komuna e Prizrenit, ndërsa komunat e tjera të prekura janë Malisheva dhe Podujeva.

“Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në QNR, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve. Kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste janë familjarë apo të afërm të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate”, tha ai.

Ai thekson se ky proces rrit nevojën për monitorim më të rreptë dhe mekanizma shtesë të sigurisë për të garantuar integritetin e votës. /Telegrafi/



Specialja deklarohet sërish: Ligjëratat janë informative, nuk përfshijnë përmbajtje politike apo ideologjike

23 January 2026 at 19:04


Në një deklaratë publike, Gjykata Speciale ka dhënë një sqarim për ligjëratën e bujshme në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë të enjten. Një ditë më parë në këtë shkollë të kryeqytetit, Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), mbajti një aktivitet që sipas organizatës kishte qëllim informimin e qytetarëve për Gjykatën Speciale.

Ngjarja nxiti reagime. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare e cilësoi si “përpjekje për të kontrolluar dëmin ndaj imazhit të rënduar” të Dhomave të Specializuara. Sipas OVL UÇK-së, aktiviteti ishte i ngjashëm me pushtetin e ish-Jugosllavisë që pas protestave mbante mbledhje për t’i përgatitur qytetarët psikologjikisht që t’i pranojnë dënimet.

“Kjo qasje e njohur e propagandës dhe presionit institucional nuk i shërben drejtësisë, por imponimit të një narrative të parapërgatitur”, është thënë nga OVL-UÇK-ja. Edhe Komuna e Prishtinës reagoi duke paralajmëruar masa. Ajo vlerësoi se ligjërata është mbajtur pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit. Nga shkolla kanë thënë se asnjë zyrtar i gjykatës nuk ka mbajtur ligjëratë, por se ishte e YIHR-së. Edhe kjo organizatë ka thënë se aktiviteti ishte për prezantim të informatave bazike dhe publike mbi Dhomat e Specializuara.

Ngjashëm ka reaguar edhe Gjykata Speciale të premten pasdite. Ajo ka thënë se që prej vitit 2018 organizohen aktivitete të tilla komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në Kosovë.

“Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë. Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Sipas njoftimit, informacionet që jepen në këto aktivitete janë të njëjta me ato që gjenden online. Aty thuhet po ashtu se prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet në aktivitete.

“DHKS-ja e vlerëson të rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim”, thuhet në njoftim.

“Jemi larg nga perfekti”, Mikel Arteta nuk bie nën presion nga deklaratat e Pep Guardiolas

23 January 2026 at 18:58


Trajneri Mikel Arteta ka pranuar se Arsenali është ende “larg perfektes”, pavarësisht epërsive komode që skuadra e tij ka krijuar si në Ligën Premier ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

“Topçinjtë” e nisin fundjavën me një avantazh prej shtatë pikësh në krye të Liga Premier, megjithëse kjo diferencë mund të ulet në katër pikë deri në momentin kur të presin Manchester Unitedin të dielën.

Paralelisht, Arsenali kryeson edhe në Ligën e Kampionëve, me tre pikë më shumë se ndjekësit, ndërsa fitorja e mesjavës ndaj Interit i ka siguruar matematikisht vendin në dyshen e parë të renditjes me 36 skuadra.

Pep Guardiola e ka cilësuar Arsenalin si skuadrën më të spikatur në Angli, ndërsa sipas modelit parashikues të Opta-s, londinezët kanë 93.1 për qind shanse për të fituar titullin e Ligës Premier. Megjithatë, Arteta ka paralajmëruar se ekipi i tij nuk është ende një produkt i përfunduar.

“Nuk e di, mendoj se jemi një skuadër që dëshiron vazhdimisht të përmirësohet. Po bëjmë shumë gjëra siç duhet, por jemi larg perfektes”.

“Qëllimi ynë i vetëm është të ruajmë nivelin që kemi arritur dhe të përpiqemi të përmirësohemi sërish”.

“Mund të shohësh gjithnjë e më shumë ndeshje një kundër një që po pushtojnë jo vetëm Ligën Premier, por edhe Evropë. Nëse duam të kemi shanse për të fituar trofe të mëdhenj, duhet të dominojmë të gjitha fazat e lojës”.

Përballja e së dielës ndaj Manchester Unitedit e sheh Artetën kundër një kundërshtari ndaj të cilit ka fituar tetë nga 12 duelet e tij në kampionatin anglez. Megjithatë, ekziston edhe një precedent që i kujton Arsenalit se asgjë nuk është e sigurt.

Fitorja e parë dhe e vetme e Michael Carrick si trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit në Liga Premier erdhi pikërisht kundër Arsenalit të Artetës, me një sukses 3-2 në “Old Trafford” në dhjetor të vitit 2021./Telegrafi

Zbulohet plani prej 800 miliardë dollarësh SHBA-BE për Ukrainën

23 January 2026 at 18:57


SHBA-të dhe BE-ja shpresojnë të tërheqin 800 miliardë dollarë fonde publike dhe private për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, pasi Rusia të përfundojë agresionin e saj, sipas një dokumenti të siguruar nga POLITICO .

Dokumenti 18-faqësh përshkruan një plan 10-vjeçar për të garantuar rimëkëmbjen e Ukrainës me një rrugë të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE.

Komisioni Evropian i qarkulloi planet në kryeqytetet e BE-së përpara samitit të liderëve të enjten në mbrëmje, ku u trajtua dokumenti, i datës 22 janar, sipas tre zyrtarëve dhe diplomatëve të BE-së, të cilëve iu dha anonimiteti për të folur rreth temës së ndjeshme.

Ndërsa Brukseli dhe Uashingtoni po grumbullojnë qindra miliarda dollarë në fonde afatgjata dhe po e paraqesin Ukrainën si një anëtare të ardhshme të BE-së dhe destinacion investimi, strategjia varet nga një armëpushim që mbetet i pakapshëm - duke e lënë planin e prosperitetit të cenueshëm për sa kohë që luftimet vazhdojnë.

Strategjia e financimit shtrihet deri në vitin 2040 së bashku me një plan operativ 100-ditor për të nisur menjëherë projektin.

Por plani i prosperitetit do të ketë vështirësi në tërheqjen e investimeve të jashtme nëse konflikti vazhdon, sipas kompanisë së investimeve, BlackRock.

Ndryshe, SHBA-të pritet të luajnë një rol të spikatur në rimëkëmbjen e Ukrainës.

Në vend që ta paraqiste Uashingtonin kryesisht si donator, dokumenti e pozicionoi SHBA-në si një partner strategjik ekonomik, investitor dhe i besueshëm për rimëkëmbjen e Ukrainës.

Gjatë 10 viteve të ardhshme, BE-ja, SHBA-ja dhe organet financiare ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, janë zotuar të shpenzojnë 500 miliardë dollarë kapital publik dhe privat, thuhet në dokument. /Telegrafi/

Big Brother VIP Kosova paralajmëron: Sonte do të publikohen pamjet e pa transmetuara të asaj se çfarë ndodhi në festë

23 January 2026 at 18:52


Faqja zyrtare e Big Brother VIP Kosova 4 ka paralajmëruar se sonte, të premten, do të publikohen pamje të patransmetuara nga ajo që ka ndodhur gjatë festës së së mërkurës mbrëma brenda shtëpisë më të famshme në Kosovë.

Përmes një fotografie të shpërndarë në rrjetet sociale, produksioni ka ngritur kureshtjen e publikut duke lënë të kuptohet se pritet një zhvillim i rëndësishëm, i cili nuk është shfaqur më herët në transmetimin televiziv.

Në imazhin paralajmërues shfaqen Benita dhe Klodi, një zgjedhje që ka ndezur menjëherë spekulimet në mesin e ndjekësve të formatit.

Prania e dy banorëve në fokus të këtij paralajmërimi ka bërë që fansat të aludojnë se mes tyre mund të ketë ndodhur diçka gjatë festës, e cila për arsye të ndryshme nuk është transmetuar live apo në prime. Komentet në rrjete sociale nuk kanë munguar, me shumë ndjekës që presin sqarime dhe pamje konkrete për atë që ka ndodhur realisht.

Produksioni i Big Brother VIP Kosova 4 nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka mjaftuar ky paralajmërim për të rritur pritshmëritë dhe interesimin e publikut për episodin e mbrëmjes së sotme, ku pritet të zbulohen prapaskenat e festës së së mërkurës dhe raporti mes Benitës dhe Klodit. /Telegrafi/

❌
❌