Autoritetet franceze kanë ndërmarrë një aksion të rëndësishëm ligjor kundër platformës sociale “X” (ish-Twitter), duke bastisur zyrat e kompanisë në Paris.
Operacioni, i zhvilluar ditën e martë nga policia franceze në bashkëpunim me Europolin, është pjesë e një hetimi të thelluar mbi shkelje të rënda ligjore, përfshirë shpërndarjen e materialeve pedopornografike dhe gjuhën e urrejtjes.
Prokuroria e Parisit konfirmoi se, përveç kontrollit të zyrave, ka lëshuar një fletë-thirrje për pronarin e platformës, Elon Musk, si dhe ish-drejtoreshën ekzekutive, Linda Yaccarino, për t’u paraqitur në intervista vullnetare më datë 20 prill.
Hetimi përqendrohet kryesisht te “Grok”, chatbot-i i Inteligjencës Artificiale i zhvilluar nga kompania e Musk. Prokurorët dyshojnë se platforma ka dështuar të kontrollojë krijimin dhe përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme. Lista e akuzave përfshin bashkëpunim në shpërndarjen e imazheve pornografike të të miturve (të gjeneruara nga AI), krijimin e “deepfakes” me natyrë seksuale pa pëlqimin e personave, dhe mohimin e krimeve kundër njerëzimit, përfshirë mohimin e Holokaustit.
Sipas hetimeve, AI i platformës, “Grok”, kishte gjeneruar deklarata ku dhomat e gazit në Aushvic cilësoheshin si vende për “dezinfektim”, si dhe kishte krijuar imazhe të seksualizuara të fëmijëve.
Reagimet zyrtare
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi se qëllimi i hetimit është të sigurojë që “X” të respektojë ligjin francez gjatë operimit në territorin kombëtar. Vetë zyra e prokurorisë, në një lëvizje simbolike, njoftoi për bastisjen në platformën “X” dhe më pas e la këtë rrjet social.
Eric Bothorel, ligjvënësi francez që inicioi ankesën fillestare në janar 2025, e përshëndeti aksionin duke theksuar: “Në Europë, dhe veçanërisht në Francë, askush nuk është mbi ligjin.”
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një ekip të vogël të ushtarëve në Nigeri, tha të martën gjenerali që e drejton komandën amerikane për Afrikën.
Kjo është hera e parë që Uashingtoni pranon zyrtarisht se ka forca amerikane në terren në shtetin afrikan që nga sulmi ajror i kryer ditën e Kërshëndellave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti Donald Trump dha urdhër për sulme ajrore ndaj atyre që i përshkroi si caqe të ISIS-it në Nigeri në dhjetor dhe tha se atje mund të kishte edhe më shumë veprime ushtarake.
Agjencia “Reuters” më herët ka raportuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer fluturime vëzhgimi mbi Nigeri nga Gana nga fundi i nëntorit.
Gjenerali i lartë amerikan tha se ekipi i ushtarëve u dërgua pasi të dyja vendet u pajtuan se duhet të bëhet më shumë për ta luftuar rrezikun nga terrorizmi në Afrikën Perëndimore.
Ai nuk dha hollësi të mëtejme për numrin e trupave apo fushëveprimin e misionit të tyre.
Ministri i Mbrojtjes i Nigerisë, Christopher Musa, konfirmoi se një ekip është duke punuar në vendin e tij, por nuk dha hollësi të tjera.
Një ish-zyrtar amerikan tha se ekipi i ushtarëve të vendit të tij duket se është i përfshirë gjerësisht në mbledhje të të dhënave të inteligjencës dhe në mundësimin e sulmeve nga forcat nigeriane kundër grupeve të lidhura me terroristët.
Nigeria është vënë nën trysni të madhe nga Uashingtoni për të vepruar, pasi presidenti Trump e akuzoi shtetin afrikan se ka dështuar që t’i mbrojë të krishterët nga militantët islamikë që operojnë në pjesën veriperëndimore të vendit.
Ministrja e Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi mëngjesin e sotëm Shtëpinë e Bardhë në Washington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës zyrtare, Spiropali njoftoi se është takuar edhe me Kryetarin e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit Amerikan, veteranin e ushtrisë amerikane Brian Mast, i cili është i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA–Shqipëri.
“Bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, në misione të përbashkëta ushtarake nga Afganistani në Irak, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euro-atlantike të Kosovës, e bëjnë aleancën tonë edhe më të fortë”, shkroi ministrja.
William Stevenson, 77 vjeç, ish-burri i Zonjës së Parë të SHBA-së, Jill Biden, është arrestuar të hënën dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë lidhur me vdekjen e gruas së tij aktuale, Linda Stevenson.
Policia e Qarkut New Castle nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e ngjarjes.
Sipas raportimeve, Linda Stevenson u gjet pa ndjenja në dhomën e ndenjes së shtëpisë. Pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta rikthyer në jetë, ajo vdiq në vend. Trupi i saj është dërguar për autopsi në Zyrën e Mjekut Ligjor të Shtetit të Delaware.
Pas arrestimit, William Stevenson mbetet në paraburgim në Qendrën Korrektuese Howard Young, pasi nuk arriti të paguajë garancinë prej 500,000 dollarësh. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse ai ka emëruar një avokat mbrojtës.
William Stevenson ishte i martuar me Jill Biden kur ajo ishte 18 vjeç. Ata u martuan në shkurt të vitit 1970, ndërsa Jill ishte studente në Universitetin e Delaware dhe William 23 vjeç. Martesa e tyre zgjati pesë vjet, dhe u finalizua me divorc në maj të vitit 1975, pasi Jill Biden takoi senatorin e Delaware, Joe Biden, në mars të atij viti.
Pas divorcit, Stevenson themeloi The Stone Balloon Club, një nga baret më të njohura studentore në SHBA pranë Universitetit të Delaware në Newark, ku performuan artistë si Bruce Springsteen dhe Dave Matthews. Jill Biden ka tentuar të mbante 50% të pronësisë së klubit, por kërkesa e saj u refuzua.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka bërë të ditur se ka ndryshuar lokacionin e saj.
Në njoftim thuhet se ambasada është zhvendosur në rrugën Besa Imami 6, 10000, Prishtinë.
“Jemi zhvendosur! Adresë e re: Rr. Besa Imami nr. 6, 10000, Prishtina. Rruga është e re dhe mund të mos shfaqet në të gjitha hartat. ‘Besa Imami’ kthehet nga Rruga Robert Doll menjëherë pas Raiffeisen Bank (Nr. 99) drejt kompleksit ‘Beni Dona’. Ambasada është 100 metra përpara në të djathtë. Për ta bërë vizitën tuaj edhe më të lehtë, mund të na gjeni në Google Maps”, thuhet në njoftim.
Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në Camp Film City, Prishtinë, komandantin e Brigadës së 3-të të Goditjes dhe Zbulimit të Thellë, gjeneralbrigadier David Glendenning nga Mbretëria e Bashkuar.
Gjatë takimit, dy gjeneralët shkëmbyen mendime dhe vlerësime mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.
Bisedimet u fokusuan në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm, si dhe në koordinimin e mëtejshëm mes trupave të KFOR-it dhe partnerëve të tjerë të sigurisë në terren.
Gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për kontributin e çmuar të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij partneriteti në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Një 54-vjeçar grek dhe një 37-vjeçar rumun janë arrestuar për sabotim të anijeve luftarake të Marinës Gjermane. Sipas aktakuzës, të dy burrat punonin në kantierin detar të Hamburgut dhe dyshohet se kishin dëmtuar anijet e destinuara për Marinën Gjermane.
Sipas raportimeve të Bild, korveta “Emden” kishte mbi 20 kilogramë zhavorr gërryes të hedhur në motor, çka shkaktoi dëme në tubat e furnizimit me ujë të pijshëm, heqjen e kapakëve të rezervuarit të karburantit dhe çaktivizimin e çelësave të sigurisë së sistemeve elektronike. Incidenti u bë i dukshëm pak para nisjes së parë të anijes, në mesin e janarit 2025, me destinacion Kiel.
Arrestimet u kryen në Hamburg dhe në një fshat në Rodope, si rezultat i një operacioni të autoriteteve të Hamburgut në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Njëkohësisht, u kryen kontrolle në shtëpitë e të arrestuarve në Hamburg, Rumani dhe Greqi. Koordinimi i operacioneve ndërkufitare u realizua nga Eurojust, me seli në Hagë.
Shumë mjekëve nuk u pëlqejnë dietat me pak karbohidrate, të njohura si “low-carb”, edhe pse ato shpesh çojnë në humbje të shpejtë të peshës. Ekspertët paralajmërojnë se heqja e plotë e karbohidrateve është një gabim.
Reduktimi i ushqimeve me shumë karbohidrate, si frutat, perimet që përmbajnë niseshte natyrore dhe drithërat, dhe fokusimi te proteinat dhe yndyrat, është një strategji e njohur për dobësim të shpejtë. Por mjekët thonë se kjo qasje ka edhe pasoja, ka raportuar The New York Times.
“Nuk ia kam rekomanduar kurrë një dietë ‘low-carb’ një pacienti dhe nuk planifikoj ta bëj”, ka thënë doktori Nate Wood, internist dhe ekspert për çështjet e obezitetit në Yale School of Medicine.
Sipas tij dhe mjekëve të tjerë, problemi nuk është sasia e karbohidrateve, por lloji i tyre. Ata këshillojnë që njerëzit të përqendrohen te karbohidratet cilësore, jo t’i eliminojnë të gjitha.
Studimet tregojnë se dietat “low-carb” mund të ndihmojnë në humbjen e peshës. Një rishikim i studimeve në vitin 2024 zbuloi se personat që ndoqën këtë dietë humbën mesatarisht rreth 2.5 kilogramë më shumë se ata që ndoqën dietën mesdhetare.
Përveç humbjes së peshës, dieta mund të ndihmojë edhe në kontrollin e sheqerit në gjak te personat me diabet të tipit 2 dhe rekomandohet nga Shoqata Amerikane e Diabetit në raste të caktuara.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se ndjekja afatgjatë e kësaj diete është e vështirë dhe shpesh jo e shëndetshme.
“Është e arsyeshme të ndiqet një dietë ‘low-carb’ për tre deri në gjashtë muaj për të humbur peshë shpejt, por shmangia e karbohidrateve për më gjatë mund të çojë në një dietë të varfër ushqyese”, ka thënë doktori Dariush Mozaffarian nga Universiteti Tufts.
Sipas tij dhe studimeve të tjera, kufizimi i karbohidrateve shpesh zëvendësohet me konsum të lartë të mishit të kuq dhe yndyrave të ngopura. “Dietat tradicionale ‘low-carb’ janë të mbushura me mish të kuq”, ka theksuar doktori Frank B. Hu nga Harvard, duke shtuar se yndyrat e ngopura rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe sëmundje të zemrës.
Ekspertët theksojnë se jo të gjitha karbohidratet janë të këqija. Ushqimet natyrale ose pak të përpunuara, si frutat, perimet, drithërat e plota dhe bishtajoret, treten më ngadalë dhe nuk shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak.
“Problemi me termin ‘dietë low-carb’ është se i fut të gjitha karbohidratet në një thes”, ka thënë Mozaffarian. Karbohidratet e rafinuara, si sheqeri, buka e bardhë dhe pijet e ëmbla, duhet të kufizohen, ndërsa karbohidratet e pasura me fibra janë të domosdoshme për shëndetin e zorrëve, zemrës dhe ndjesinë e ngopjes.
Në vend që t’i eliminojnë, mjekët këshillojnë zgjedhje më të zgjuara. “Nëse doni të humbni peshë dhe ta mbani atë, përqendrohuni te cilësia e karbohidrateve, jo te sasia”, ka këshilluar Wood.
Mozaffarian ka shtuar se ushqimet që treten më ngadalë janë më të mira për trupin dhe për sheqerin në gjak: “Do të humbni peshë pak më ngadalë, por do të jeni më të shëndetshëm”, ka përfunduar ai.
Jasir Asani ka përgënjeshtruar zërat për një largim të mundshëm nga klubi iranian Esteghlal.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka konfirmuar se do të vijojë qëndrimin e tij në Teheran.
Asani theksoi se nuk ka asnjë plan për t’u larguar gjatë kësaj merkatoje. Futbollisti kërkoi mbështetjen e tifozëve për pjesën e mbetur të sezonit.
“Tifozë të dashur dhe besnikë të Esteghlalit. Ditën që mora ofertën e Esteghlalit, ndjeva pasionin dhe entuziazmin tuaj, zgjodha këtë ekip me gjithë zemër për të qëndruar pranë jush dhe për të luftuar për suksesin.
Këto ditë kam dëgjuar thashetheme të ndryshme për largimin tim, por e vërteta është se kam folur me trajnerin dhe i kemi premtuar njëri-tjetrit se do të luftojmë së bashku për qëllimet tona, përkrah jush dhe me mbështetjen tuaj.
Jam këtu për dashurinë dashurisë suaj dhe do të qëndroj me Esteghlalin derisa të arrijmë një sukses të madh. Nuk do shkoj askund.
Ju kërkoj vetëm të vazhdoni ta mbështesni ekipin, lojtarët dhe trajnerin tonë, i cili punon pa u lodhur dhe me pasion çdo ditë. Besoni tek unë, së bashku do të kemi sukses. Vetëm Esteghlal”, shkruan Asani në postimin e tij.
Asani ka shënuar 11 gola në 24 ndeshje me fanellën e Esteghlal.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov tha se forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit është një nga prioritetet më të larta shtetërore dhe një parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.
“Ky është një moment kritik dhe vendimtar për sistemin e drejtësisë. Ne duhet ta perceptojmë situatën qartë dhe me objektivitet, sepse vetëm përmes një vlerësimi të saktë mund të arrijmë zgjidhje të qëndrueshme”, tha Filkov.
Euroambasadori Mihalis Rokas, kujtoi se në raportin e Komisionit Evropian, gjyqësori mori vlerësim “pa përparim” dhe se niveli i pajtueshmërisë me BE-në është “i moderuar”.
“Në vend kanë ndodhur një seri prolongimesh në implementimin e reformave. Në konceptin e ri për Planin për Rritje, BE nuk është donator, por ‘investitor’ në sundimin e ligjit, sepse paratë lidhen me rezultatet”, deklaroi Rokas.
Sipas analizës së projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, mungesa e gjykatësve dhe personelit gjyqësor vlerësohet si problemi më kritik në gjyqësor, me tendencën që çdo vit të përkeqësohet, teksa Maqedonia e Veriut funksionon me numër dyfish më të vogël të gjykatësve për kokë banori.
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi, ka qenë protagonist në fitoren e Trabzonsporit ndaj Fethiyesporit, duke kontribuar me një gol dhe një asistim në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma për Kupën e Turqisë.
Ndeshja, e vlefshme për xhiron e tretë të Grupit A, u mbyll me rezultatin 3-0 në favor të Trabzonsporit, që tregoi dominim të plotë në fushë.
Muçi hapi serinë e golave duke shënuar në minutën e 69-të, kur realizoi golin e epërsisë 1-0, duke i dhënë skuadrës një avantazh të rëndësishëm në pjesën e dytë.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, ai ishte përsëri në qendër të vëmendjes, këtë herë si asistues, duke ndihmuar në realizimin e golit të tretë në minutën e 79-të.
Pas këtij suksesi, Trabzonspori ka grumbulluar gjashtë pikë nga tri ndeshje në Grupin A, ku njëkohësisht ndodhet edhe Galatasaray, një nga rivalët kryesorë në këtë kompeticion.
Muçi po kalon një formë të shkëlqyer edhe në kampionat, ku pas 17 xhirosh ka shënuar tetë gola dhe ka regjistruar një asistim.
Performanca e tij e fundit në Kupë vërteton se sulmuesi shqiptar po shfaq një konsistencë të lartë dhe po bëhet një element kyç për skuadrën e Trabzonsporit këtë sezon./Telegrafi/
Stenaldo dhe Rogerti kanë qenë protagonistë të një përplasjeje të ashpër, e cila u shoqërua me tensione të forta mes tyre.
Situata u përshkallëzua edhe më tej në momentin kur Rogerti përdori një ofendim të rëndë në drejtim të Stenaldos.
“Të ka nem [mallkuar] Zoti”, dëgjohet duke i thënë ai, sipas një videoje që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka ngjallur reagime të shumta nga publiku.
Ende nuk është e qartë në çfarë konteksti është përdorur kjo shprehje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse deklarata e tij do të sqarohet apo do të pasohet nga një reagim tjetër në vijim.
Pas kësaj, ishte Stenaldo ai që reagoi, duke i kërkuar Rogertit të tregonte kujdes me fjalët dhe mënyrën e komunikimit, duke tentuar të vendoste kufij në debatin mes tyre.
Sipas gazetarit argjentinas Gaston Edul, kapiteni i Tottenham, Cristian Romero, do të largohet nga klubi në verën e këtij viti.
27-vjeçari ka shprehur shpesh dhe publikisht pakënaqësinë e tij ndaj drejtuesve të klubit dhe duket i vendosur të largohet nga Londra Veriore.
Klubet nga La Liga, Barcelona dhe Real Madridi dhe disa liga të tjera kanë shfaqur interes për kampionin e botës.
Romero u bashkua me Tottenham si huazim nga Atalanta në verën e vitit 2021, ndërsa 12 muaj më vonë klubi e bleu përfundimisht.
Që atëherë, ai ka luajtur 151 ndeshje për Tottenham, duke shënuar 13 gola, përfshirë gjashtë këtë sezon – shifra më e lartë personale në karrierë. /Telegrafi/
Kjo metodë natyrale e rinovimit shtrëngon lëkurën, zvogëlon rrudhat dhe përmirëson tonusin e fytyrës, pa injeksione dhe pa trajtime të shtrenjta
Në një botë ku pamja rinore shpesh lidhet me trajtime të kushtueshme dhe ndërhyrje estetike, gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen një zgjidhjeje më të thjeshtë dhe më natyrale – Joga e fytyrës.
Kjo teknikë për kujdesin e fytyrës, e cila kombinon ushtrime për muskujt e fytyrës dhe elemente masazhi, po bëhet gjithnjë e më popullore sepse premton lëkurë më të shtrënguar dhe pamje më të freskët, pa asnjë injeksion.
Thelbi është i thjeshtë: ashtu siç stërvitim trupin, mund të stërvitim edhe muskujt e fytyrës. Joga e fytyrës përfshin lëvizje të synuara për fytyrën, qafën dhe dekoltenë, të cilat stimulojnë tonusin muskulor, përmirësojnë qarkullimin dhe ndihmojnë në shtrëngimin natyral të lëkurës.
Me praktikë të rregullt, fytyra mund të duket më e çlodhur, më e fortë dhe më e definuar, ndërsa rrudhat dhe vijat e imta bëhen më pak të dukshme.
Një përparësi e veçantë e kësaj metode është efekti i saj holistik. Përveç ndryshimeve estetike, Joga e fytyrës relakson muskujt e tendosur të fytyrës, përmirëson furnizimin e lëkurës me oksigjen dhe nxit drenazhin limfatik, gjë që kontribuon në një ten më të shëndetshëm dhe më të freskët. Për më tepër, është plotësisht falas dhe mund të praktikohet në shtëpi, transmeton Telegrafi.
Kundër rrudhave në ballë: Vendosni shuplakat në ballë dhe tërhiqni lehtë lëkurën nga jashtë për 10 sekonda, ndërkohë që përpiqeni të mblidhni vetullat. Duart krijojnë rezistencë ndaj lëvizjes.
Për ngritjen e faqeve: Buzëqeshni me gojë të mbyllur, vendosni gishtat në majat e faqeve, ngritini lehtë dhe mbajeni buzëqeshjen.
Për sytë dhe kapakët: Hapni sytë sa më shumë, sikur të jeni të befasuar. Shikoni drejt për 5 sekonda pa ngritur vetullat.
Për buzët dhe rrudhat nazolabiale: Fryni faqet dhe për 30 sekonda lëvizni ajrin nga njëra anë në tjetrën.
Për mjekrën e dyfishtë: Anoni lehtë kokën pas dhe bëni lëvizjen sikur po puthni tavanin.
Kur shihen rezultatet?
Për efekte të dukshme rekomandohet ushtrim prej 20–30 minutash në ditë, tre deri në katër herë në javë. Këshillohet përdorimi i kremit ose vajit për t’i bërë lëvizjet më të lehta, ndërsa fillestarëve u rekomandohet të ushtrojnë para pasqyrës.
Ndryshimet e para mund të vërehen pas 6 deri në 8 javë, ndërsa për rezultate më të theksuara nevojiten tre deri në katër muaj praktikë të rregullt. Ashtu si në çdo stërvitje, vazhdimësia është çelësi.
Joga e fytyrës nuk jep efekt të menjëhershëm si botoksi, por në plan afatgjatë mund të kontribuojë në lëkurë më të fortë, tonus më të mirë të fytyrës dhe pamje më të freskët – në një mënyrë plotësisht natyrale. /Telegrafi/
Në një kohë kur gjithçka po ecën me shpejtësi marramendëse, njerëzit po vrapojnë pas obligimeve, karrierës, teknologjisë dhe problemeve të përditshme… ndërsa, pa e kuptuar, po largohen nga gjëja më e shenjtë – familja.
Sot jetojmë më afër fizikisht, por më larg emocionalisht. Në të njëjtën shtëpi, shpesh secili është i mbyllur në botën e vet: pas një telefoni, një ekrani apo një lodhjeje që nuk na lejon të ndalemi për të dëgjuar njëri-tjetrin. Bisedat e gjata janë zëvendësuar me mesazhe të shkurtra. Tryezat familjare po boshatisen nga rrëfimet, të qeshurat dhe ndjenja e përkatësisë.
E vërteta është se largësia familjare nuk fillon me kilometra… ajo fillon kur mungon koha, vëmendja dhe dashuria e shprehur.
Si psikologe klinike, çdo ditë shoh njerëz që përballen me ankth, vetmi, boshllëk emocional dhe mungesë mbështetjeje. Shpesh, në thelb të këtyre plagëve qëndron pikërisht mungesa e lidhjes së fortë familjare – mungesa e një fjale të ngrohtë, e një përqafimi, e një ndjenje se dikush është aty pa kushte.
Familja nuk është vetëm lidhje gjaku. Ajo është vendi ku ndërtohet siguria emocionale, vetëbesimi, identiteti dhe forca për të përballuar jetën. Kur kjo lidhje dobësohet, edhe njeriu dobësohet shpirtërisht.
Jeta nuk pret. Koha nuk kthehet pas. Momentet që nuk i jetojmë sot, nesër mbeten vetëm kujtime që do të donim t’i kishim jetuar më shumë.
Le ta kujtojmë vetes:
• Asnjë sukses profesional nuk e zëvendëson ngrohtësinë familjare • Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për gjëra materiale, por për praninë dhe dashurinë tonë • Prindërit plaken duke pritur një telefonatë, një vizitë apo një fjalë mirënjohjeje • Marrëdhëniet nuk mbijetojnë pa përkujdesje dhe kohë cilësore
Ndaluni për një moment sot… Telefononi prindin, përqafoni fëmijën, dëgjoni partnerin, vizitoni familjarin që e keni lënë pas dore. Sepse dashuria nuk kërkon perfeksion – kërkon prezencë.
Sepse një ditë do ta kuptojmë se pasuria më e madhe nuk ishte ajo që ndërtuam jashtë shtëpisë… por ajo që ndërtuam brenda zemrave të njerëzve tanë.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSPK) ka nisur procedura për verifikimin e konfliktit të interesit dhe fshehjes së pasurisë ndaj anëtares së tij, Cveta Ristovska. Hetimi është i përqendruar në financimin e fushatave zgjedhore, pasi kompania “Bust DOOEL”, në pronësi të njërit prej djemve të Ristovskës, ka përfituar nga 35.000 euro nga fushatat e Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkovës gjatë vitit 2024.
Rasti konsiderohet problematik për shkak se pikërisht Komisioni Antikorrupsion është institucioni kompetent për mbikëqyrjen dhe kontrollin e financimit të këtyre fushatave zgjedhore.
Ristovska dyshohet se në formularin e deklarimit të pasurisë ka ometuar të deklarojë se dy djemtë e saj janë pronarë të agjencive të marketingut.
Ajo i ka mohuar akuzat, duke theksuar se fëmijët e saj nuk jetojnë në një familje të përbashkët me të që nga viti 2017 dhe se aktivitetet e tyre afariste janë të pavarura nga funksioni i saj publik.
Ristovska thekson se në çdo rast kur ekziston rrezik për konflikt interesi, ajo kërkon përjashtim nga vendimmarrja.
Gjashtëqind mijë tonë. Kaq qymyr nxjerr përafërsisht Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në muaj.
Por, kjo sasi e nxjerrë e e përpunuar dhe transformuar në energji elektrike, nuk ka mjaftuar në dimrat e fundit për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve në Kosovë.
Kjo, pasi që pothuajse gjithë barrën për furnizim me energji elektrike e mbajnë mbi supe dy termocentralet e vjetruara, Kosova A dhe Kosova B.
Burimi i energjisë elektrike në Kosovë
Sipas statistikave të fundit, nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm rreth 11 për qind e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë vjen nga burime të ripërtëritshme, si uji, era e dielli.
Një inxhinier i KEK-ut tregoi për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht se a nxirret më shumë qymyr nga miliarda tonët në dispozicion, dy termocentralet nuk kanë kapacitet të prodhojnë më shumë rrymë.
Rreth dy dekada më parë, Kosova planifikonte të ndërtonte një termocentral të ri, Kosovën e Re, për ta shtuar prodhimin. Por, pas tërheqjes së Bankës Botërore nga projekti në vitin 2018 dhe dështimit të marrëveshjes me Countour Global në vitin 2020, ky projekt nuk u realizua.
Për Faruk Foniqin, ekspert i Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe i Teledetektimit (Remote Sensing), Kosova duhet ta synojë tashmë rehabilitimin nga varësia prej thëngjillit.
Këtë kërkesë të tij ai e arsyeton me pasojat për shëndetin publik, ndotjen e ajrit përmes lirimit të grimcave të imëta dhe gazrave serrë, ndotjen e tokave bujqësore, ujërave nëntokësore etj.
Ky është një model i vjetruar i energjisë, që është shumë ndotës dhe i dëmshëm”, thotë Foniqi për REL-in.
Në linjë me këtë, në 2020-tën, Kosova u bë një nga vendet që nënshkruan Deklaratën për Agjendën e Gjelbër, duke u zotuar që deri në vitin 2050 të jetë plotësisht e dekarbonizuar - pra të prodhojë energji vetëm nga burimet e ripërtëritshme, si: era, dielli dhe uji.
Por, e tërhequr nga projekti për një termocentral të ri të thëngjillit e pa projekte për rritje domethënëse të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, Kosova, aktualisht, mbështetet në import për të mbuluar kërkesat.
Importi dhe eksporti i energjisë elektrike
Çdo vit, Kosova importon më shumë energji elektrike sesa që eksporton. Por, ky dallim ishte më i dukshëm gjatë vitit 2025, kur sasia e eksportit nuk e kaloi atë të importit në asnjë muaj.
Kjo gjë, sipas Dardan Abazit, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), nuk është detyrimisht problematike.
“Ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm as për domate, as për patate, as për naftë. Nuk do të jemi as për energji”, thotë ai për REL-in.
Sipas Abazit, problemi qëndron te varësia nga një prodhues i vetëm i energjisë: KEK-u.
Ai thotë se Kosova duhet të ecë përtej idesë që shteti ta prodhojë, shpërndajë e faturojë energjinë vetë.
“Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ofron një avantazh të jashtëzakonshëm KEK-ut dhe asnjë furnizues tjetër nuk mund të hyjë realisht në treg”, thotë Abazi.
Kështu, ai propozon një lloj liberalizimi të tregut të energjisë dhe integrim në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, ku mund të arrihet një traktat për bashkëpunim me Shqipërinë.
Shqipëria, që prodhon energji vetëm nga burimet e ripërtëritshme, është kryesisht e varur nga hidrocentralet.
Nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, Kosova është më së shumti e varur nga qymyri.
Foniqi, gjeograf, tregon se Kosova ka potencialin kryesor për prodhim të energjisë diellore nëpër zonat ku tokat bujqësore janë të një cilësie më të ulët.
Ai sheh potencial edhe në prodhimin e energjisë përmes turbinave të erës, por thekson se zonat kryesore me kapacitet më të madh për prodhim janë ato ku shtrihen parqet kombëtare. Ai thotë se, megjithatë, kjo s'duhet ta pengojë zhvillimin e parqeve të erës.
Kosova ka realizuar vetëm një ankand përmes të cilit ka synuar realizimin e një parku solar me kapacitet prodhimi prej 100 megavatesh në orë, në Kramovik të Rahovecit, në jug të Kosovës. Projekti ende nuk është finalizuar.
Ndërkohë, janë finalizuar dy parqe të erës, në Kamenicë dhe në Bajgorë, ndërsa potencial është parë edhe në Çyçavicë, Zatriq, Budakovë dhe Kozhicë.
Por, kjo nuk është e mjaftueshme për të ecur drejt dekarbonizimit më 2050, sipas Abazit nga INDEP-i.
Ai kërkon që sa më shpejt të hartohet dhe miratohet në Kuvend Strategjia Dalëse nga Qymyri dhe të miratohet Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë.
Fillimisht, thekson ai, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë një plan të qartë për afatet kohore drejt këtij synimi.
“Nuk mund të mendojmë të shkojmë deri më 2050 me thëngjill dhe pastaj të zgjohemi një të hënë, në mëngjes, dhe të themi që nga sot s’do të përdorim thëngjill”, thotë Abazi.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje për këtë çështje te Ministria e Ekonomisë, në kuadër të së cilës funksionon Departamenti i Energjisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Tash e një vit, Kosova funksionon me qeveri në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar i fitoi sërish LVV-ja, me përkrahje mbi 50 për qind.
Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike për familjet që janë konsideruar të cenueshme dhe për ata që kanë kursyer, mirëpo statistikat tregojnë se është një pjesë e vogël e konsumatorëve që shpenzojnë një pjesë të madhe të energjisë, pa e kursyer atë.
Kjo ministri publikoi vetë disa të dhëna që tregonin se, në janar të vitit 2025, rreth 30 për qind e gjithë energjisë së konsumuar në Kosovë shpenzohej nga 9 për qind e konsumatorëve.
Problem kyç vazhdon të mbetet ngrohja gjatë muajve të dimrit, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës varen nga ngrohja përmes energjisë elektrike.
Sipas Abazit, kjo do të thotë se investimet shtetërore duhet fillimisht të foksuohen në efiçiencë të energjisë dhe, pastaj, konsumatorët privatë të jenë edhe vetë të përfshirë në prodhim të energjisë.
Si mund të bëhet kjo? Për shembull, duke vendosur panele solare, që transformojnë rrezet e diellit në energji elektrike, në kulmet e shtëpive.
Hasim Gashi, nga kompania Muqa Solar Company, tregon se shumë konsumatorë që prodhojnë energjinë që shfrytëzojnë përmes paneleve solare në shtëpi, veçanërisht gjatë verës, paguajnë vetëm tarifën prej 3 eurosh për kyçje në rrjetin e energjisë.
Ndërsa, gjatë dimrit, ai thotë se për bizneset dhe individët me të cilët bashkëpunojnë, mbulueshmëria e konsumit përmes energjisë nga panelet solare sillet rreth 50 për qind.
Në vitet e fundit, kurçmimi i energjisë elektrike është rritur vazhdimisht, Ministria e Ekonomisë në Kosovë ka ofruar mbulimin e një pjese të kostos së instalimit të paneleve solare nëpër shtëpi.
“Ka pasur diçka, por janë vlera tepër të vogla dhe jostimuluese. Edhe ka pasur disa pengesa gjatë marrjes së lejeve dhe licencave. Është punuar domethënë, por jo mjaftueshëm”, thotë Gashi për REL-in, duke theksuar pengesat burokratike në proces.
Sipas të dhënave të Zyrës së Bashkimit Evropian për Statistika (Eurostat) nga tetori i vitit të kaluar, vetëm rreth 18 për qind e qytetarëve të Kosovës thonë se janë të mirinformuar me problemet që lidhen me ndryshimet klimatike.
Edhe pse kjo është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian (23 për qind), kosovarët shprehen më të gatshëm për fokusimin e energjisë në burime të ripërtëritshme.
Në mesin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë hyn edhe ajo e prodhuar nga hidrocentralet. Megjithatë, ky burim ka hasur në më shumë rezistencë nga banorët lokalë dhe ambientalistët.
Ankesat kryesore nxiten nga dëmet që u janë shkaktuar lumenjve dhe zonave përreth hidrocentraleve të ndërtuara. Rasti i hidrocentralit të ndërtuar në Deçan kishte shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese, për shkak të parregullsive në lejet e dhëna për operim.
Xhevat Ahmetaj, menaxher i përgjithshëm i hidrocentralit në Radac të Pejës, thotë se kapaciteti i Kosovës për të prodhuar energji nga hidrocentralet është i ulët.
Megjithatë, ai shton se qytetarët duhet ta kenë një gjë në mendje: që hidrocentralet duhet të lejohen të funksionojnë duke respektuar rregullat e operimit ashtu që të mbrohet mjedisi.
Sipas tij, prodhimi i rrymës përmes hidrocentraleve duhet të shihet thjesht si “disa lopata më pak thëngjill në termocentrale”.
“Në Kosovë shfrytëzohet kryesisht uji i të reshurave të shiut dhe kur shkrihet bora. Ne këta ujëra i shohim vetëm duke na vërshuar në qytete. Ai është uji që duhet të shfrytëzohet për prodhim të energjisë”, thotë Ahmetaj për REL-in.
Por, Foniqi, i cili ka analizuar të dhënat e reshjeve në Kosovë, thotë se shumica e lumenjve në vend nuk kanë rrjedhë konstante të mjaftueshme për prodhim të energjisë, për shkak se reshjet tani janë sporadike.
Për këtë arsye, ai thekson se fokusi duhet të jetë tek energjia solare dhe ajo e erës.
"Hidroenergjinë mund ta shohim si burim ndihmës, jo si zgjidhje kryesore për sistemin energjetik. Ajo ka përparësi sepse prodhon energji me emetime të ulëta dhe ndihmon në stabilizimin e rrjetit, por njëkohësisht Kosova është vend me burime ujore të ndjeshme dhe të paqëndrueshme", thotë Foniqi.
Ai shton se si hidrocentrale mund të funksionojnë, në kapacitet të ulët, vetëm disa prej atyre që kanë nivel më të madh të ujit, si ai i Radacit.
Për Abazin nga INDEP-i, e rëndësishme është që të ketë një strategji konkrete dhe investime adekuate, pasi që, siç thotë, “sektori i energjisë nuk mund të zhvillohet përmes arnimeve”.
“Jemi zhytur në varfëri energjetike dhe kjo vjen nga ngecja - qysh nga investimet në efiçiencë, që do ta ulnin kërkesën, deri tek investimet në prodhim, që do ta decentralizonin prodhimin”, përfundon Abazi./REL.
KF Prishtina e Re ka njoftuar zyrtarisht afrimin e sulmuesit 26-vjeçar Ibrahim Kargbo Jr., i cili vjen nga Belgjika për t’u bashkuar me repartin ofensiv të klubit.
Ky është një përforcim i rëndësishëm për skuadrën, e cila synon të forcojë linjën e sulmit dhe të konkurrojë fuqishëm në sezonin e ri.
Kargbo Jr. ka një karrierë të pasur me përvojë në kampionate të ndryshme evropiane, duke luajtur për klube si Dynamo Kyiv në Ukrainë, NK Celje në Slloveni, NK Solin në Kroaci dhe më së fundi për BATE Borisov në Bjellorusi.
Përveç karrierës klubore, ai ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Belgjikës deri në nivelin U21, duke treguar se ka një profil të mirë dhe potencial të lartë.
Me një bagazh të tillë ndërkombëtar, Kargbo Jr. pritet të sjellë në Prishtinë jo vetëm golat, por edhe përvojën dhe mentalitetin e një lojtari që ka luajtur në liga të ndryshme europiane.
Për klubin, ky transferim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përforcimit të objektivave në kampionat.
Njoftimi i plotë i Prishtinës së Re:
KF Prishtina e Re ka kënaqësinë të prezantojë afrimin e Ibrahim Kargbo Jr., qendërsulmues 26-vjeçar nga Belgjika.
Ibrahim ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Belgjikës deri në U21, ndërsa në karrierën e tij ka luajtur për klube si Dynamo Kyiv (Ukrainë), NK Celje (Slloveni), NK Solin (Kroaci) dhe së fundmi ishte pjesë e BATE Borisov në Bjellorusi.
Me përvojën e fituar në kampionate të ndryshme evropiane, Kargbo Jr. pritet të jetë një forcë shtesë në repartin ofensiv të skuadrës sonë.
Parlamenti i Norvegjisë ka vendosur të martën me shumicë të madhe që të mbajë monarkinë, duke refuzuar idenë për t’u kthyer në republikë.
Nga 169 deputetë, 141 votuan pro mbajtjes së monarkisë, ndërsa 26 votuan për ndryshimin e sistemit të shtetit.
Mbështetësit e monarkisë argumentojnë se ajo sjell stabilitet dhe përfaqëson unitetin e vendit, ndërsa kundërshtarët theksojnë se privilegjet e familjes mbretërore nuk janë të përshtatshme për një shoqëri demokratike.
Ky vendim vjen ndërkohë që popullariteti i familjes mbretërore ka rënë, raporton reuters.
Sipas një sondazhi të fundit, 61 për qind e norvegjezëve mbështesin monarkinë, një shifër më e ulët se vitin e kaluar.
Rënia e mbështetjes lidhet edhe me disa skandale, përfshirë lidhjet e Princeshën Mette‑Marit me të ndjerin Jeffrey Epstein.
Megjithatë, Parlamenti ka treguar se shumica mbetet e bindur se monarkia duhet të qëndrojë, duke lënë planin për republikë në letër.
Një sondazh i opinionit të kryer të hënën për gazetën norvegjeze Verdens Gang tregoi se 61 për qind e norvegjezëve mbështesin mbajtjen e mbretërve në detyrë, nga 72 për qind vitin e kaluar, ndërsa mbështetja për një republikë u rrit me 10 për qind, duke arritur në 27 72 për qind, sipas sondazhit të publikuar të martën.
Kur u pyetën nëse Mette-Marit duhet të bëhet mbretëresha e ardhshme e Norvegjisë, 44 për qind thanë jo, ndërsa vetëm 33 për qind thanë po, ndërsa të tjerët nuk dhanë një opinion, sipas sondazhit të kryer mbi 1,014 të anketuar nga instituti i sondazheve InFact. /Telegrafi/