Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Lajme Kosove

Kia ndalon prodhimin e Niro PHEV

5 February 2026 at 10:00


Një tjetër veturë nuk do të prodhohet më.

Me nëntë automjete që janë planifikuar “të zhduken” deri në vitin 2027, Kia po i shton edhe një listës.

Niro PHEV do të ndalojë së prodhuari.

Kompania e konfirmoi lajmin duke thënë: “Për shkak të kushteve në ndryshim të tregut, Niro PHEV 2026 nuk do të jetë më i disponueshëm në tregun amerikan.”

Kia shiti vetëm 31,182 modele Niro në total vitin e kaluar, me modelin PHEV që ka të ngjarë të përbëjë pjesën më të vogël të kësaj shifre.

Lajmi i mirë - për momentin - është se Niro me benzinë dhe Niro EV pritet të qëndrojnë në treg deri në vitin 2027. /Telegrafi/

Dy miq fitojnë lotarinë rrugës për një vizitë te mjeku

5 February 2026 at 10:00


Dy miq nga Illinois, të cilët po shkonin në një vizitë te mjeku, ndaluan të blinin një biletë lotarie dhe përfunduan duke fituar një çmim të madh prej 350,000 dollarësh.

Banorët e Ashton të quajtur April dhe Randy, thanë se po shkonin te mjeku kur ndaluan dhe blenë një biletë Quick Pick.

"Ne ishim në vendin e duhur në kohën e duhur", tha Randy.

"Njerëzit gjithmonë na thoshin nuk do të fitoni kurrë, por ne qeshnim dhe thonim se një ditë do të arrijmë”, shtoi ai.

"Të gjithë në punë filluan të na përshëndesnin dhe të na uronin", tha April.

Dyshja zbuluan se planet e tyre me çmimin përfshijnë investime në prona, kursime për pension dhe pushime. /Telegrafi/

​A u skadon afati fondeve të BE-së për Kosovën?

5 February 2026 at 09:53


Janari iku, e shkurtit i erdhi edhe dita e pestë, por në Kosovë ende nuk është finalizuar procesi zgjedhor, si kusht për themelimin e institucioneve të reja.

Në këso rrethana, rreth 900 milionë euro, fonde të Bashkimit Evropian, po presin edhe më tej aminin e deputetëve për t’u disbursuar për Kosovën.

Nga Bashkimi Evropian thonë se pavarësisht vonesave, Kosova mbetet ende e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes.

Sipas tyre, vonesat po ndodhin për shkak të mosformimit të institucioneve në Kosovë pas dy proceseve zgjedhore vitin e kaluar.

E, në qeverinë në detyrë, thonë se pas formimit të institucioneve të reja prioritet është votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave edhe Plani i Rritjes.

Në ekzekutiv deklarojnë se, pavarësisht se mjetet nuk janë ndarë, po vazhdojnë punën drejt realizimit të agjendës së reformave të dakorduara me BE-në mbi këtë ujdi.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, thotë për KosovaPress se është në interes të Kosovës që ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të ndodhë sa më shpejt për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes.

Sipas saj, pa marrjen e dritës së gjelbër të këtyre ujdive, Kosova nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë në kuadër të reformave.

“Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave të kërkuar nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili u miratua nga Komisioni Evropian në tetor 2024. Prandaj, Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro fonde në kuadër të Planit të Rritjes, në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve lidhur me Facilitetin për Reforma dhe Rritje, si dhe të gjitha kushteve të tjera për pagesë.

Për shkak të vonesës në formimin e institucioneve, marrëveshjet lidhur me Facilitetin për Reforma dhe Rritje ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje. Faciliteti për Reforma dhe Rritje është një instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes, për të mirën e popullsisë së saj”, thuhet në përgjigjet e saj për KosovaPress.

Në anën tjetër, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë se vonesat e alokimit të mjeteve të BE-së për Kosovën ndodhin për shkak të mosgatishmërisë së partive opozitare për t’i kaluar në legjislaturën e kaluar.

Sipas tij, pavarësisht se mjetet nuk janë disbursuar për Kosovën, qeveria në detyrë po punon në realizimin e reformave të dakorduara me BE-në mbi Planin e Rritjes.

“Qeveria në detyrë, në ndërkohë që Kuvendi ishte i formuar, para zgjedhjeve të parakohshme, propozoi votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave edhe Planin e Rritjes, nga i cili Kosova do të përfitojë rreth 882 milionë euro dhe parafinancimin fillestar prej mbi 60 milionë eurosh. Opozita refuzoi ta votojë atë, duke mbajtur peng miratimin e marrëveshjes dhe fillimin e lirimit të fondeve nga BE për Kosovën. Po të mos kishte bllokim të palogjikshëm nga ana e opozitës, Kosova sot do ta kishte marrë shumën e parafinancimit. Me të formuar institucionet e reja, përsëri do të jetë prioritet votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave edhe Plani i Rritjes. Në ndërkohë, qeveria vazhdon punën drejt realizimit të agjendës së reformave të dakorduara me BE mbi Planin e Rritjes, për të cilën raportojmë edhe drejt Unionit në baza të rregullta rreth vazhdimësisë dhe avancimit të reformave”, deklaron Kadiu në përgjigjen për KosovaPress.

Por, pavarësisht se Kosova është vonë në ratifikimin e marrëveshjeve me BE-në, sipas profesorit të integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, këtyre ujdive, ende s’u ka skaduar afati.

Sipas tij, vetëm 65 milionë eurot janë të sigurta si mjete të parafinancimit, ndërsa pjesa tjetër duhet të dëshmohet përmes realizimit të reformave.

“Ne veçse jemi vonë. Ne jemi vonë më shumë se një vit në ratifikimin e dy marrëveshjeve me Bashkimin Evropian, por kjo nuk është e tëra. Është paraparë një shumë, një parapërcaktim i 61 milionë eurove për të filluar reformat. Ne ende s’kemi filluar reformat dhe kjo paradhënie e parë varet nga ratifikimi i dy marrëveshjeve për të filluar reformat. Çdo mjet tjetër për t’u alokuar në qeveri duhet të dëshmohet se reformat e ndërmarra kanë përfunduar. Nuk është aq e thjeshtë me i marrë ato fonde, pasi ne po mendojmë se 880 milionë euro do t’i marrim menjëherë, mirëpo jo. Vetëm 61 milionë i marrim menjëherë dhe të tjerat duhet të dëshmohet, evidentohet dhe faktohet se reforma është aprovuar. Edhe nëse sot do ta kishim qeverinë, do të duhej të punonim me shpejtësi të dritës dhe t’i arrinim reformat me kohë”, potencoi ai.

Disbursimi i mjeteve të parafinancimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të moskonstituimit të legjislaturës së dhjetë, ende nuk ka ndodhur.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

Fillon dita e dytë e bisedimeve midis Ukrainës, Rusisë dhe Amerikës në Abu Dhabi

5 February 2026 at 09:53


Ekipi negociator ukrainas në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe ka filluar ditën e dytë të bisedimeve trepalëshe me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, që synojnë zgjidhjen e luftës me Rusinë.

Rustem Umerov, Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, njoftoi për këtë në profilin e tij në Facebook

"Dita e dytë e negociatave në Abu Dhabi ka filluar, ka shkruar Umerov, transmeton Telegrafi.

“Po punojmë në të njëjtat formate si dje: konsultime trepalëshe, punë në grupe dhe sinkronizim i mëvonshëm i pozicioneve. Rezultatet do të pasojnë", shtoi ai.

Duke komentuar mbi progresin e bisedimeve në Abu Dhabi më 4 shkurt, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, foli për lajme të mira dhe të këqija.

Sipas Rubios, lajmi i mirë është se lista e çështjeve të pazgjidhura që ekzistonin midis Ukrainës dhe Rusisë është ngushtuar ndjeshëm.

Delegacioni ukrainas po përgatit një raport për presidentin Volodymyr Zelensky mbi rezultatet e ditës së parë të negociatave, të cilat përfunduan më 4 shkurt. /Telegrafi/

FA ngre padi ndaj Chelseat dhe West Hamit pas përleshjes masive

5 February 2026 at 09:45


Shoqata Angleze e Futbollit (FA) ka ngritur padi zyrtare kundër Chelseat dhe West Ham United në lidhje me incidentet e ndodhura në fund të ndeshjes së Liga Premier, e cila u mbyll me rezultat 3-2 dhe u zhvillua të shtunën e kaluar.

Incidenti kryesor ndodhi në minutën e 96-të, kur anësori i West Hamit, Adama Traore, u përplas me mbrojtësin e Chelseat, Marc Cucurella, gjatë një dueli për topin pranë cepit të fushës. Pas kontaktit,

Traore e shtyu Cucurellan në tokë dhe iu drejtua gjyqtarit anësor me protesta.

Situata u përshkallëzua më tej kur Joao Pedro, i cili ndërhyri në vend të Cucurellas, e shtyu Traoren, çka shkaktoi një përleshje të përgjithshme mes lojtarëve të të dyja skuadrave. Gjatë kaosit, mbrojtësi i West Hamit, Jean-Clair Todibo, u pa duke e kapur nga qafa sulmuesin e Chelseat.

Gjyqtari kryesor Anthony Taylor ndëshkoi fillimisht Adama Traoren dhe Joao Pedron me kartonë të verdhë, ndërsa pas rishikimit të pamjeve, vendosi ta përjashtojë Todibon me karton të kuq.

FA ka akuzuar të dy klubet për “dështim në parandalimin e sjelljes së papranueshme dhe provokuese” nga lojtarët e tyre.

Chelsea dhe West Ham kanë afat deri më 6 shkurt për të paraqitur shpjegimet dhe mbrojtjen e tyre zyrtare. /Telegrafi/

Errësimi i xhamave të veturave, policia gjobitë 101 shoferë

5 February 2026 at 09:40


Ministria e Punëve të Brendshme informon se brenda një muaji, respektivisht nga 01.01.2026 deri më 31.01.2026, Policia ka kryer kontrolle trafiku në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që nuk i përmbushin kushtet e përcaktuara për errësimin e xhamave të automjeteve.

Janë dënuar 101 shoferë.

“Gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 101 pjesëmarrës në trafik. Për të gjithë shkelësit janë përgatitur aktet përkatëse. Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat dhe ligjet e trafikut, për të kontribuar së bashku në rrugë më të sigurta“, thonë nga MPB.

Një person gjendet i pajetë në Rahovec, trupi dërgohet në IML

5 February 2026 at 09:37


Policia e Kosovës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026, rreth orës 08:35, në Rahovec është raportuar një rast i hetimit të vdekjes.

Sipas njoftimit 24-orësh të Policisë, një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti është duke u trajtuar nga organet e hetuesisë për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes. /Telegrafi/

Ministrja finlandeze: Rusia është një kërcënim afatgjatë, duhet të tregohet kujdes me garancitë për Ukrainën

5 February 2026 at 09:37


Finlanda u ka kërkuar zyrtarëve amerikanë që të mos i përshkruajnë premtimet e ardhshme të sigurisë ndaj një Ukrainë të pasluftës si "të ngjashme me Nenin 5", duke nënkuptuar se një gjë e tillë mund të minojë klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë në zemër të aleancës ushtarake të NATO-s, sipas një kabllogrami të Departamentit të Shtetit të siguruar nga POLITICO.

Kabllogrami i 20 janarit lë të kuptohet shqetësime në disa cepa mbi etiketat e përdorura gjatë bisedimeve të paqes midis Kievit dhe Moskës, transmeton Telegrafi.

Ato tregojnë se sa të ndjeshme mund të jenë disa fraza në sferën e sigurisë kombëtare, edhe kur zyrtarët thjesht përpiqen t'u ofrojnë një analogji audiencave të ndryshme.

Sipas kabllogramit, të dërguar nga Ambasada e SHBA-së në Helsinki në Uashington, Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen diskutoi çështjen më 19 janar me përfaqësuesit amerikanë Jack Bergman dhe Sarah Elfreth, të dy anëtarë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Valtonen nënvizoi pikëpamjen e Finlandës se Rusia është një "kërcënim strategjik afatgjatë" dhe paralajmëroi kundër një marrëveshjeje paqeje "të dobët" për Ukrainën, që do të pengonte aftësinë e saj për t'u mbrojtur kundër agresionit të ardhshëm rus, thuhet në kabllogram.

Por Valtonen paralajmëroi kundër çdo sugjerimi për garanci sigurie "të ngjashme me Nenin 5" në një Ukrainë të pasluftës, shton kabllogrami. Ajo paralajmëroi se kjo rrezikonte ngatërrimin e garancive të Nenit 5 të NATO-s me çfarëdo premtimesh dypalëshe që i bëhen Ukrainës.

Gjithashtu citohet ajo të ketë thënë se duhet të ketë një "mur mbrojtës" midis NATO-s dhe garancive të ardhshme të sigurisë për Ukrainën. Ministrja e Mbrojtjes e Finlandës bëri pika të ngjashme në një takim të mëvonshëm, sipas kabllogramit.

Neni 5 është një klauzolë kritike në paktin e NATO-s që do të thotë se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të aleancës me 32 anëtarë do të trajtohet si një sulm ndaj të gjithë anëtarëve. NATO e ka thirrur artikullin vetëm një herë: pasi terroristët islamistë sulmuan SHBA-në më 11 shtator 2001.

Përmbajtja e dokumenteve ofron një pasqyrë të shqetësimeve të shprehura nga udhëheqës të tjerë finlandezë, të cilët kanë thënë se, ndërsa duan të ndihmojnë Ukrainën të mbrohet, koncepti i një "garancie" sigurie është një çështje më serioze për të cilën ata nuk janë gati të bien dakord ende.

Një zyrtar finlandez tha se zyra e Valtonen nuk do të komentonte mbi diskutimet konfidenciale, megjithëse nënvizoi qëllimin e hershëm të Helsinkit për ta pranuar përfundimisht Ukrainën në aleancën e NATO-s.

"Objektivi i Finlandës është të sigurojë që Ukraina të marrë marrëveshjet dhe garancitë më të forta të mundshme të sigurisë në mbështetje të një paqeje të qëndrueshme dhe të qëndrueshme. Pozicioni i Finlandës është se e ardhmja e Ukrainës qëndron brenda NATO-s", tha zyrtari, të cilit iu dha anonimiteti për të folur për çështje të ndjeshme politike.

Ish-zyrtarë dhe analistë të NATO-s thanë se kabllogrami pasqyron shqetësimet në rritje në kryeqytete të ndryshme, se si angazhimi me një Ukrainë të pasluftës mund të ndikojë në vende individuale në planin afatgjatë.

Një problem i mundshëm është se “përdorimi i termit Neni 5 në kontekste të tjera nënkupton përfshirjen e NATO-s që në fakt nuk është pjesë e asnjërës prej këtyre marrëveshjeve të propozuara”, tha Edward Wrong, një ish-zyrtar i NATO-s.

“Finlanda dhe shumë anëtarë të tjerë të NATO-s duan të sigurohen që të kuptohet se Neni 5 është unik për NATO-n”, shtoi ai.

Elfreth, një nga ligjvënësit amerikanë me të cilët u takua Valtonen, nuk iu drejtua seancës drejtpërdrejt me ministrin e jashtëm finlandez, por tha në një deklaratë: “Nga takimet tona të shumta, më ishte e qartë se aleatët tanë të NATO-s, të rinj dhe të vjetër, janë të përkushtuar për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta të mbrojtjes së partnerëve tanë nga ndikimet ruse dhe të tjera kundërshtare”.

Përdorimi i Nenit 5 si paralel ka shumë anë pozitive dhe negative, veçanërisht duke pasur parasysh gamën e qëndrimeve ndaj Ukrainës në NATO, thanë ish-zyrtarët dhe analistët.

Kjo ndërlikohet më tej nga gjasat që vendet individuale, ose grupe të zgjedhura vendesh - por jo vetë NATO - do t'i ofrojnë Ukrainës ndihmë sigurie në të ardhmen e afërt.

Një sfidë është se duke iu referuar Nenit 5, edhe me "të pëlqyerit" e bashkangjitur, udhëheqësit kombëtarë mund t'u japin municione politike grupeve të opozitës, tha Josh Shifrinson, një studiues në Universitetin e Maryland, College Park, i cili mbështet një politikë të jashtme më të përmbajtur.

Ekziston gjithashtu mundësia që formulimi i një premtimi sigurie ndaj Ukrainës si "i ngjashëm me Nenin 5" do ta joshë Rusinë të testojë se çfarë do të thotë vërtet kjo.

Nëse Rusia organizon një lloj sulmi të armatosur sulmi dhe vendet që mbështesin Ukrainën kanë vështirësi në përgjigje, kjo mund të ngrejë pyetje në lidhje me forcën e Nenit 5 të NATO-s, tha Rachel Ellehuus, një ish-zyrtare e Departamentit të Mbrojtjes të administratës Biden e caktuar në NATO.

Për më tepër, anëtarët e tjerë të NATO-s, veçanërisht ata në Evropë, janë shumë të vetëdijshëm për pikëpamjet e zymta të presidentit Donald Trump për aleancën. /Telegrafi/

Gjendet pa shenja jete një person në Prizren, rasti po hetohet

5 February 2026 at 09:37


Një person është gjetur pa shenja jete.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 11:35, në Prizren.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës iu është liruar familjarëve për ceremoni mortore.

“Raportohet se në banesën e tij viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës iu është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Kuba thotë se është gati të flasë me SHBA-në, por jo për ndryshimin e regjimit - ndërsa Trump rrit presionin

5 February 2026 at 09:28


Kuba është gati për një dialog “kuptimplotë” me Shtetet e Bashkuara, por nuk është e gatshme të diskutojë ndryshimin e qeverisë së saj, tha zëvendësministri i Jashtëm kubanez për CNN të mërkurën, në komente që vijnë ndërsa administrata Trump rrit presionin mbi ishullin me diskutime për ndryshimin e regjimit.

“Ne nuk jemi gati të diskutojmë sistemin tonë kushtetues pasi supozojmë se SHBA-të nuk janë gati të diskutojnë sistemin e tyre kushtetues, sistemin e tyre politik, realitetin e tyre ekonomik”, tha Carlos Fernández de Cossío, transmeton Telegrafi.

Ai tha se vendet ende nuk kanë vendosur “një dialog dypalësh”, por kanë pasur “disa shkëmbime mesazhesh” që ishin “të lidhura” me nivelet më të larta të qeverisë së Kubës.

Vërejtjet e tij vijnë disa ditë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se SHBA-të “do të donin të shihnin” ndryshimin e regjimit në Kubë, megjithëse nuk do të vepronin domosdoshmërisht mbi të.

Kjo vjen gjithashtu ndërsa administrata Trump ka rritur presionin mbi ishullin e Karaibeve, duke u përpjekur të ndërpresë furnizimet me naftë atje.

SHBA-të tashmë kanë ndërprerë furnizimet e tyre me naftë nga Venezuela pasi kanë larguar presidentin e atij vendi nga pushteti.

Javën e kaluar, ajo kërcënoi me tarifa për vendet që eksportojnë naftë në Kubë, duke pretenduar se Havana po përbën një "kërcënim të jashtëzakonshëm" duke u rreshtuar me "vendet armiqësore dhe aktorët keqdashës, (dhe) duke strehuar kapacitetet e tyre ushtarake dhe të inteligjencës".

De Cossío kundërshtoi arsyetimin e SHBA-së.

"Kuba nuk përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Nuk është agresive kundër Shteteve të Bashkuara. Nuk është armiqësore. Nuk strehon terrorizmin, as nuk sponsorizon terrorizmin", tha ai.

Ai i kërkoi SHBA-së të lehtësojë fushatën e saj të presionit, të cilën ai thotë se tashmë e ka dëmtuar vendin.

Kubanët janë përballur me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe radhë të gjata në stacionet e benzinës për shkak të një furnizimi në rënie të karburantit.

Zyrtarët kubanë kanë thënë se sanksionet ekzistuese ekonomike të SHBA-së janë kryesisht fajtore për sektorin e dobët të energjisë së vendit, megjithëse kritikët fajësojnë gjithashtu mungesën e investimeve qeveritare në infrastrukturë.

De Cossío tha se Kuba mund të duhet të marrë në konsideratë masa shtrënguese dhe të bëjë sakrifica të paspecifikuara për të ruajtur furnizimin me karburant, megjithëse ai nuk tha se sa i ka mbetur në rezervat e saj.

“Ajo që vuan Kuba është ekuivalente me luftën për sa i përket masave shtrënguese ekonomike”, tha ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Kuba mund të shmangë një ndërprerje totale duke arritur “një marrëveshje”, një marrëveshje që potencialisht kërkon kthimin e pronës së konfiskuar nga të mërguarit kubanë që u larguan nga ishulli pas revolucionit të vitit 1959.

Kubanët u tronditën nga operacioni i SHBA-së në janar që kapi aleatin e tyre kryesor, udhëheqësin venezuelas Nicolas Maduro, dhe rezultoi në vdekjen e më shumë se 30 forcave kubaneze të sigurisë që e mbronin atë.

Zyrtarët janë zotuar të luftojnë çdo veprim të ngjashëm ushtarak amerikan kundër Kubës. Media shtetërore në javët e fundit ka treguar një rritje të stërvitjeve dhe përgatitjeve ushtarake. /Telegrafi/

BookFest 2026 në Albi Mall: Libraria Dukagjini sjell librin më afër lexuesit

5 February 2026 at 09:25


Libraria Dukagjini sjell edhe këtë vit në Prishtinë një festë të veçantë të librit: BookFest, e cilado të mbahet prej 6 deri më 15 shkurt në katin e tretë të Albi Mall.

Kjo ngjarje, e organizuar tradicionalisht nga Dukagjini, është bërë tashmë një adresë e dashur për lexuesit e çdo moshe dhe një mundësi e shkëlqyer për të zhytur veten në botën e librit në një ambient të ngrohtë dhe mikpritës.

Gjatë 10 ditëve të BookFest-it, vizitorët do të kenë mundësi të eksplorojnë një përzgjedhje të pasur titujsh nga zhanre të ndryshme, nga romanet e fundit deri te klasikët e dashur dhe të përfitojnë nga oferta të veçanta dhe çmime tërheqëse që do t’i bëjnë librat edhe më afër gjithsecilit.

Përtej tregtimit, BookFest-i do të jetë një hapësirë ku libri takohet me lexuesin: mezbritje speciale deri 60%, lexime për fëmijë, vizatime, pantomimë si dhe aktivitete të tjerainteraktive, të gjitha krijuar për t’i frymëzuar të vegjlit dhe të rriturit njësoj.Do të ketë edhe shpërblime dhe surpriza për pjesëmarrësit e rinj dhe të vjetër, duke e bërë këtë edicion të BookFest-it një përvojë për t’u mbajtur mend gjatë.

Për gjithë dashamirësit e letërsisë, autorë e lexues - ky është një moment i veçantë për t’u bashkuar me ne në Albi Mall, për të zbuluar, përzgjedhur dhe ndarë libra që zgjojnë imagjinatën.

BookFest-i është edhe një falënderim për lexuesin që nuk ka mundësi të na vizitojë në një nga tre libraritë tona, dhe shpresojmë që ky event të sjellë një ndryshim të bukur në jetën tuaj letrare.

Historia e penalltisë më sureale në 100 vitet e fundit, spanjollët befasohen nga penalltia e shkaktuar nga Caleta-Car

5 February 2026 at 09:25


Duje Caleta-Car, një mbrojtës i Real Sociedadit dhe i ekipit kombëtar të Kroacisë, shkaktoi një penallti të pabesueshme në çerekfinalet e Kupës së Mbretit.

29-vjeçari Caleta-Car shkaktoi një penallti që do të mbahet mend gjatë në ndeshjen e Kupës së Mbretit, ku skuadra e tij fitoi me rezultat 2-3 kundër Alavesit.

Futbollisti kroat, në minutën e 66-të të ndeshjes, i kapi fanellën kundërshtarit Toni Martinez, ia vuri mbi kokë dhe i bllokoi shikimin sulmuesit të Alaves.

🖥️💥 El VAR hizo acto de presencia en el Alavés - Real Sociedad.

👉🏻 Ćaleta-Car agarra de la camiseta a Toni Martínez, quitándosela e impidiéndole continuar la acción.

✅ 𝗣𝗘𝗡𝗔𝗟𝗧𝗜 𝗖𝗟𝗔𝗥𝗢.

▪️ Quintero González tuvo que acudir al VAR para revisar la infracción. pic.twitter.com/P8ieC1lELi
— Archivo VAR (@ArchivoVAR) February 4, 2026

Gjyqtari Alejandro Quintero nuk e pa atë që bëri Caleta-Car, por VAR-i sugjeroi që ai të rishikonte videon e situatës.

Pasi pa lëvizjen e çuditshme të mbrojtësit të ekipit mysafir, ai tregoi një penallti për Alaves dhe i dha kroatit Caleta-Car një karton të verdhë.

Toni Martinez, i cili më parë i kishte dhënë Alaves epërsinë nga pika e penalltisë, pati një shans të shkëlqyer për ta çuar klubin e tij në prag të gjysmëfinaleve të Kupës.

from soccer

Megjithatë, portieri Alex Remiro priti penalltinë duke e mos e lejuar epërsinë të shkonte në 3-1 dhe pas këtij episodi, Sociedad shënoi dy gola duke përmbysur rezultatin dhe duke arritur në gjysmëfinale.

Mediat e mëdha spanjolle si gazeta Marca dhe AS e kanë cilësuar si penalltia më sureale, e cila nuk është parë në 100 apo 123 vitet që luhet futboll në vendin e tyre. /Telegrafi/

Nuk po respektohet vendimi qeveritar, paga minimale nuk u zbatua në QKMF-në e Klinës dhe reagimi i FSPTSPK-së

5 February 2026 at 09:20


Ekzekutimi i pagës minimale po bëhet problem për disa kompani në Kosovë, duke nxitur shqetësimet e para edhe në sektorin publik përmes kontraktorëve privatë.

Në fund të vitit 2025, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vendosi që paga minimale, nga 1 janari 2026, të rritet nga 350 euro në 425, ndërsa nga 1 korriku të jetë 500 euro.

Megjithatë, ky vendim nuk është zbatuar në rastin e stafit teknik në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ku punëtorët janë paguar nën pagën minimale të përcaktuar me vendim qeveritar.



Kjo situatë ka nxitur reagimin e Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës. Në një intervistë për Telegrafin, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se kompania e kontraktuar nga QKMF-ja në Klinë nuk i ka ekzekutuar mjetet financiare në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Paramendoni, derisa flasim për raportin punëdhënës-punëmarrës dhe për rritje më të madhe të pagave të punëtorëve, në rastin konkret jemi në një situatë ku pronari i kompanisë, së bashku me kontraktuesit e tyre, nuk janë treguar të sinqertë dhe së paku ta bëjnë pagesën e pagës minimale”, ka thënë Azemi.

Ai ka theksuar se kjo situatë është pasojë e neglizhencës ose e mungesës së interesimit institucional për garantimin e të drejtave ligjore të punëtorëve.



“Kjo është bërë për shkak të neglizhencës ose në njëfarë forme mosinteresimit që këtyre punëtorëve së paku t’u garantohen kushtet që u garantohen me ligj dhe me vendimin e kryeministrit të Kosovës. Kjo është diçka shumë e keqe, sepse këta punëtorë në fund të janarit, gjegjësisht në fillim të shkurtit, kanë marrë pagë 325 euro, ndërsa sipas vendimit të kryeministrit në detyrë, këta punëtorë është dashur të marrin 395 euro”, ka shtuar ai.

Sipas Azemit, paga minimale duhet të aplikohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, siç janë rastet kur një kompani është në prag të falimentimit ose kur shteti përballet me fatkeqësi të mëdha natyrore.

“Paramendojeni këto paga shumë të ulëta, por edhe ato nuk po jepen. Ne themi që paga minimale, në kushte normale, nuk guxon të jepet në raste konkrete. Paga minimale mund të jepet vetëm atëherë kur një kompani shkon drejt falimentimit ose kur një shtet përballet me ndonjë fatkeqësi të madhe, përndryshe, në kushte normale, paga duhet të jetë më e lartë sesa minimumi i përcaktuar”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka fajësuar edhe Drejtorinë e Shëndetësisë në Klinë për mosadresimin e këtij problemi.

“Pronari i kompanisë është dashur ta bëjë kalkulimin dhe t’ua paraqesë institucioneve përkatëse mjetet financiare, në këtë rast Drejtorisë së Shëndetësisë së Klinës, por këta të fundit nuk janë marrë me këtë problem, duke menduar se kjo çështje do të kalojë në heshtje”, ka përfunduar Azemi.

Telegrafi ka kontaktuar edhe drejtorin e Shëndetësisë në Klinë, Agron Bacaj, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/

Sot mbahet Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, Agim Ademi drejt një mandati të ri si kryetar

5 February 2026 at 09:11


Sot, me fillim nga ora 11:00, do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Kjo ngjarje nuk do të jetë e hapur për media, por do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së në YouTube dhe Facebook.

Kohëve të fundit ka pasur zhurmë të madhe rreth këtij procesi, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka ngritur shqetësime lidhur me standardet demokratike të procesit të kandidimit për postin e presidentit të FFK-së. Sipas MKRS-së, kërkesa për 15 nënshkrime mbështetëse për kandidaturë mund të kufizojë konkurrencën dhe mundësinë për një garë të barabartë.

Në anën tjetër, shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka konfirmuar pranimin e letrës së MKRS-së, duke theksuar se çdo komunikim zyrtar duhet të zhvillohet përmes FFK-së.

Në përgjigjen e saj është përfshirë edhe letra e përbashkët e FIFA-s dhe UEFA-s, e cila konfirmon harmonizimin e statutit të FFK-së. Gjithashtu është nënvizuar se çdo diskutim i mëtejmë mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm në këtë proces dhe sipas të gjitha gjasave do të sigurojë një mandat të ri në krye të federatës. /Telegrafi/

LAMM: Mjegull në rrugën Kodra e Diellit-Lisec, shoferët të tregojnë kujdes të shtuar

5 February 2026 at 09:10


Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte normale dimërore, me rrugë të lagura në disa pjesë.

Shoferët paralajmërohen të jenë shumë të kujdesshëm, veçanërisht në zonat më të larta dhe malore.

Në rrugën Kodra e Diellit - fshati Lisec është regjistruar dukshmëri e reduktuar për shkak të mjegullës, deri në rreth 30 metra, gjë që i ndërlikon më tej kushtet e drejtimit të automjeteve në këtë pjesë.

Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të rregullojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të monitorojnë gjendjen e rrugëve para se të nisen.

Emma Stone zbulon pse është një nga të paktat yje që nuk ka Instagram

5 February 2026 at 09:09


Emma Stone zbuloi arsyen pse nuk e përdor Instagram-in si shumica e yjeve të Hollywood-it në ditët e sotme. Aktorja 37-vjeçare shpjegoi se, në vend që të mbajë kontakte me kolegët dhe fansat përmes rrjeteve sociale, ajo zgjedh të qëndrojë larg tyre për të mbrojtur shëndetin e saj mendor.

Megjithatë, Stone tregoi se është e regjistruar në një platformë të caktuar, të cilën e përdor për të “vëzhguar nga larg” dhe për të qenë e përditësuar me kulturën popullore.

Në një intervistë të re për Rolling Stone, ylli i filmit Bugonia foli për sa kohë kalon realisht online, ndërsa diskutonte edhe reklamën e ardhshme të Super Bowl-it që ka xhiruar me regjisorin e Bugonia, Yorgos Lanthimos, për kompaninë Squarespace.

Në reklamë, e cila pritet të transmetohet mes çerekut të parë dhe të dytë gjatë Super Bowl-it, të dielën më 8 shkurt, Stone përpiqet të blejë një domain dhe të krijojë një faqe interneti me emrin e saj të vërtetë.

Ajo zbuloi se jo vetëm që po aktronte në reklamë, por kishte provuar realisht të krijonte një faqe interneti me emrin e saj dhe madje kishte blerë domain-in.

Kur u pyet për mundësitë se çfarë mund të bënte me domain-in e saj dhe nëse do të dëshironte, për shembull, ta kthente atë në një blog stili jete, ajo u përgjigj shumë drejtpërdrejt.

“Njëqind për qind jo,” u përgjigj fituesja e çmimit Oscar. “Kjo është arsyeja pse nuk kam as Instagram.”

Ajo vazhdoi: “Jam shumë e frikësuar për shëndetin tim mendor që të angazhohem në atë mënyrë, dhe për këtë arsye jam thjesht një vëzhguese nga larg dhe më pëlqen të ndjek përmbajtjen e të tjerëve.”

Më vonë, ajo shpjegoi edhe pse nuk kishte tentuar kurrë më parë të blinte dhe të zotëronte të drejtat e domain-it me emrin e saj.

Spanja në alarm të kuq, shira të rrëmbyeshëm godasin vendin

5 February 2026 at 08:54


Mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në të gjithë Spanjën jugore të mërkurën, ndërsa një stuhi që solli atë që parashikuesit e motit e përshkruan si shi “të jashtëzakonshëm” goditi gadishullin Iberik, duke mbyllur shkollat dhe duke anuluar shërbimet hekurudhore.

Agjencia meteorologjike spanjolle AEMET vendosi disa pjesë të rajonit jugor të Andaluzisë nën alarmin më të lartë të kuq për reshje të rrëmbyeshme, duke paralajmëruar se stuhia Leonardo mund të shkaktojë përmbytje dhe rrëshqitje toke.

Qindra ushtarë u vendosën në vend për të ndihmuar shërbimet e shpëtimit, ndërsa të gjitha shkollat andaluziane u mbyllën përveç provincës më lindore të rajonit, Almeria.



Ndryshe, në tetor 2024 Spanja pësoi përmbytjet më vdekjeprurëse në dekada me më shumë se 230 të vdekur, kryesisht në rajonin lindor të Valencias.

Në Portugalinë fqinje, ku moti i keq vrau pesë persona javën e kaluar, një pjesë e bregdetit ishte nën alarm portokalli ndërsa uragani Leonardo erdhi nga Oqeani Atlantik.

Shërbimet e emergjencës iu përgjigjën pothuajse 200 incidenteve, duke përfshirë përmbytje lokale, rrëshqitje toke dhe rrëzime pemësh, të cilat nuk shkaktuan viktima ose dëme të mëdha.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po i bëjnë ngjarjet ekstreme të motit më të gjata, më të shpeshta dhe më intensive. /Telegrafi/

Ish-presidentit Thaçi s’i ndalet përgjimi prej afër 4 vjetësh, Prokuroria mblodhi 35 orë incizime

5 February 2026 at 08:54


Ish-presidentit të Kosovës që po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë gjatë gjithë kohës i përgjohen bisedat me vizitorë.

Në gjyqin e dytë ndaj Hashim Thaçit, Prokuroria e Specializuar, i ka dorëzuar 35 orë audio-incizime si prova, njofton Klan Kosova.

Rëndimi që po i bëhet mbrojtjes me mbi 5 mijë faqe transkripte nuk është ankesa e vetme e avokatëve të Thaçit dhe të tjerëve, të cilët kanë gjetur se Prokuroria po i ndryshon edhe versionet e përkthimeve të pjesëve ku pretendohet se ish-presidenti u mundua të jap udhëzime për dëshmitarë.

Kujtojmë se deklaratat përmbyllëse në çështjen kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt.

Ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas njoftimit, parashihet që fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar të mbajë deklaratën përmbyllëse më 9 shkurt. Një ditë më pas, radha do të jetë e mbrojtësit të viktimave.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Fillimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Ndërkaq, Thaçi po përballet edhe një rast tjetër për pengim të drejtësisë dhe gjykimi për këtë çështje është caktuar të nisë më 24 shkurt të këtij viti. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

Kush mban përgjegjësi për përmbajtjen me AI në media e çfarë thotë KPM?

5 February 2026 at 08:53


Transparenca mbetet parimi kryesor në përdorimin e inteligjencës artificiale në media, ndërsa përgjegjësia për përmbajtjen mbetet editoriale.

“Përballje Podcast”, Niman Racaj, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Komisioni i Pavarur i Mediave, ka theksuar se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore, pavarësisht mënyrës se si krijohet përmbajtja.

“Transparenca është numër një nga pikëpamja e rregullatorit. Inteligjenca artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore. Editori duhet të jetë përgjegjës dhe përgjegjësia bie mbi atë që e publikon përmbajtjen”, ka deklaruar Racaj.

Ai ka sqaruar se edhe në mungesë të një akti të veçantë ligjor për inteligjencën artificiale, aktet ekzistuese vazhdojnë të zbatohen në rast se një përmbajtje e prodhuar me AI është e dëmshme.

- YouTube www.youtube.com

“Nëse përmbajtja është e dëmshme, ajo rregullohet dhe zbatohen aktet në fuqi, pavarësisht mënyrës se si është krijuar”, ka theksuar Racaj, duke shtuar se përgjegjësia mbetet te subjekti i licencuar dhe redaksia përkatëse. /Telegrafi/

Mashtrim në Leposaviq, i dyshuari i merr shokut kartelën bankare dhe ia tërheq 600 euro

5 February 2026 at 08:46


Një rast i veprës penale “Mashtrim” është raportuar në komunën e Leposaviqit,.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026, rreth orës 17:15, rasti është raportuar në Stacionin Policor në Leposaviq, ndërsa ngjarja dyshohet se ka ndodhur një ditë më herët.

“Ankuesi dyshohet se është mashtruar nga i dyshuari, i cili është shoku i tij. I dyshuari, me pretekst të rremë se babai i tij do t’ia kryente një obligim kreditor që ankuesi kishte ndaj bankës, ka arritur të sigurojë kartelën bankare të ankuesit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bën të ditur se më pas, pa dijeninë dhe pëlqimin e ankuesit, i dyshuari ka tërhequr nga llogaria bankare shumën prej 600 euro.

Në lidhje me rastin, në stacionin policor është intervistuar i dyshuari D.S. (2003). Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe rasti do të hetohet për veprën penale “Mashtrim”.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve, duke u bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm në dhënien e të dhënave personale dhe bankare.

Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, linjave pa pagesë ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/

❌
❌